Albspirit

Media/News/Publishing

Ksenofon Krisafi: Ndarja e re e botës pas fitores mbi nazifashistët

 

 

 Traktatet e Paqes së Pasluftës së Parë Botërore, të përpunuara nga Fuqitë ngadhnjimtare në një terren demagogjie dhe ekzaltimesh pacifiste, i vunë Gjermaninë dhe shtetet e tjerë të mundur, në kushte ekstreme për ekzistencë ekonomike. Por, sikurse thoshte Robert Schuman, “politika e detyrimit, e përdorur nga fitimtarët, sjell vetëm zgjidhje të brishta dhe mashtruese; ajo gjeneron konflikte të reja…”.  Ishte kjo arsyeja pse periudha e Pasluftës u përshkua nga kriza ekonomike e politike, nga ballafaqime e përplasje permanente, që gradualisht do ta çonin njerëzimin drejt një konflagracioni tjetër më të përgjakshëm, i cili mori shpejt përmasa globale, përfshiu gati gjithë hapësirat e rruzullit dhe u shoqërua me mizori të padëgjuara. Nga tronditjet e thella që ato shkaktuan “dolën në dritë regjimet fashiste më të fuqishme e më agresive, të cilët ia besuan të ardhmen e tyre ideologjike, politike dhe ekonomike përgatitjes së luftës. Ekuilibri jetëshkurtër… po prishej pak nga pak, duke u bërë gjithnjë e më i përkohshëm dhe më i thyeshëm… Në fakt, që atëhere, si për të nxjerrë në pah veprimin gërryes që pësonte vit për vit e ditë për ditë ndërtesa e paqes, u hapën papritmas vatrat e para të frikshme të luftës, përmes të cilave si nga një krater, ushtronte presion dhe dilte në sipërfaqe llava inkandeshente e shpërthimit të madh, i cili do të përmbyste më pas tërë globin…”. Dy dekada pas mbarimit të Luftës së Parë, filloi Lufta e Dytë Botërore, më e madhja, më e tmerrshmja dhe më mizorja që kishte njohur historia e shoqërisë njerëzore.

Për t’i dhënë fund veprimeve luftarake, për të sjellë paqen për popujt e përfshirë në vorbullën e saj, u themelua Koalicioni Antifashist i popujve. Krahas betejave luftarake heroike të ndërmarra nga ushtritë e rreshtuara në frontet e Luftës,  përfaqësues të popujve të ndryshëm, posaçërisht përfaqësuesit më të lartë të Fuqive të Mëdha – ShBA, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, u takuan periodikisht gjatë viteve të luftës. Eshtë fjala  për Presidentin e ShBA F. Ruzvelt, Kryetarin e Komisarëve të Popullit të BRSS J. Stalin dhe Kryeministrin e Britanisë së Madhe U. Çërçill. Ata negociuan rreth marrjes së vendimeve dhe masave të nevojshme me karakter ushtarak, politik e diplomatik, për t’i detyruar fuqitë e aksit nazi-fashist të kapitullonin dhe të dorëzoheshin. Folën gjithashtu dhe morën vendime edhe për domosdoshmërinë e rikonfigurimit të ardhshëm politik të botës, me qëllim që të vendosej paqa dhe siguria ndërkombëtare. Midis takimeve, rëndësi të veçantë patën tre prej tyre, Konferenca e Teheranit (28 nëntor – 1 dhjetor 1943), Konferenca e Jaltës (4-11 shkurt 1945) dhe Konferenca e Potsdamit (17 korrik – 2 gusht 1945).

Dokumentet kryesore që pasqyrojnë negociatat e zhvilluara nga përfaqësuesit e palëve pjesëmarrëse dhe vendimet e miratuara prej tyre kanë qenë objekt studimi dhe botimesh, pothuajse kudo në botë. Ato janë publikuar pjesërisht edhe në Shqipëri. Njërin prej edicioneve më të plota e ka përkthyer, përgatitur dhe botuar ambasadori Shaqir Vukaj, në formën e tri librave. Nisur nga rëndësia që paraqesin aktet dhe materialet e forumeve të lartpërmendura për studimin objektiv, jashtë dhe larg ndikimeve politike e ideologjike, që cenojnë objektivitetin e vlerësimit të ngjarjeve të ndodhura, autori e gjykoi me vend që t’i rishikonte edhe njëherë dhe t’i botonte të gjitha së bashku në vëllimin që i jepet lexuesit me titullin – Konferencat e “Treshes së Madhe”, Teheran, Jaltë, Podzdam.

Ai nis me Takimin e parë të Treshes, mbajtur në Teheran, që erdhi si rezultat i nevojës së krijimit të një atmosfere solidariteti dhe bashkëpunimi ndërmjet Fuqive të Mëdha, për të luftuar bashkërisht nazi-fashizimin. Idetë e para dhe veprimet fillestare përgatitore përkojnë në kohë me ditët pasuese të sulmit të Gjermanisë hitleriane kundër Bashkimit Sovjetik, në 21 qershorin e vitit 1941. Më 22 qershor u publikua deklarata e Uinston Çërçillit dhe më 24 qershor, ajo e Franklin Ruzveltit, të cilat shpallnin hapur mbështetjen e  dy prej shteteve më të fuqishme të botës ndaj Bashkimit Sovjetik dhe luftës së tij patriotike. Do të hidhej kështu hapi i parë për krijimin e një Aleance të Madhe midis tyre. Një varg takimesh, deklaratash dhe marrëveshjesh, dy e shumëpalëshe, do ta shndërronin atë në bashkimin më të madh historik të shteteve, në atë që njihet me emrin Koalicioni Antifashist i Popujve. Studiuesit janë përpjekur të gjejnë te ai disa aparenca formale të Koncertit Europian të Fuqive dhe të Antantës Kordiale, themeluar respektivisht në fillimin dhe fundin e shekullit të XIX.

Koalicioni antifashist, në takimet e veta të herëpasherëshme, diskutoi dhe mori vendime për strukturimin e Botës së Pasluftës, për krijimin e një organizate botërore universale që do të garantonte paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe do të inkurajonte bashkëpunimin ekonomik, progresin dhe mirëqënien e njerëzimit. Vendimet trajtonin gjithashtu ndarjen e zonave të influencës së Fuqive, përcaktimin e kufijve midis shteteve, projektimin e mekanizmit të kontrollit mbi armikun e mundur etj. Edhe pse mund të kishin marrë trajta të qarta, për shkak se mbeteshin gjithmonë çështje ose hollësi që duhet të plotësoheshin, përshtateshin dhe sanksionoheshin në takimet e tjera të radhës, disa prej tyre barteshin në vite, për t’u finalizuar hap pas hapi.

Konferenca e Teheranit u mblodh kur boshti nazi-fashist kishte pësuar humbje të rënda nga Ushtria e Kuqe dhe lufta e popujve të tjerë të pushtuar, kur dallohej kthesa në favor të aleatëve. Ajo do të forconte më tej bashkëpunimin e Fuqive të Mëdha duke vendosur përfundimisht çështjen e hapjes së Frontit të dytë, në pranverën e vitit 1944, futjen e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë etj. Objekt i diskutimeve të saj ishin edhe vendosja e një paqeje të qëndrueshme, organizimi i botës së Pasluftës, propozuar nga Ruzvelti dhe pranuar nga Stalini dhe Çërçilli, pengimi i krijimit të një Gjermanie të fuqishme duke e zvogëluar dhe ndarë në disa shtete për të përjashtuar çdo mundësi për një agresion të ri nga ana e saj etj. Në Teheran u diskutua gjithashtu për Poloninë dhe kufijtë e saj, për disa rajone të Prusisë Lindore si dhe portet e Kenigsbergut dhe Memelit që rivendikoheshin nga Stalini, u shpreh vendosmëria për të shpejtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, për të punuar bashkërisht, në kohën e luftës dhe në periudhën e paqes së ardhshme, për krijimin e organizatës ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, që do të merrte emrin Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Disa prej rezultateve të arritura në Teheran do të shërbenin si bazë për bisedimet dhe marrëveshjet e Jaltës. Punimet e konferencës filluan zyrtarisht në “sallonin e ballos”, në një prej vilave të resortit luksoz qeveritar të Livadias, në orën 17.10, të së dielës së 4 shkurtit 1945. Ishte një prej konferencave më të rëndësishme të periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Stalini, të cilin Ruzvelti dhe Çërçilli e thërrisnin “dajë mustaqja”, i ndodhur kësaj herë në vendin e vet, në krah të dy prej njerëzve më të fuqishëm të botës, presidentit të ShBA dhe kryeministrit të Britanisë së Madhe, merrte pjesë gjallërisht në negociata, në propozimet dhe diskutimet që përgjithësisht kishin të bënin edhe me krijim, zhdukje, bashkim ose copëtim shtetesh.

Nuk kishin kaluar as pesë muaj nga Jalta, kur, në konferencën vijuese, të mbajtur në Potsdam, në 17 korrik deri 2 gusht 1945, u shfaqën plasaritjet e para midis të Mëdhenjve. Ndoshta edhe për shkak se dy muaj pas Jaltës, në Kapitol Hill, në Uashington, me vdekjen e Ruzveltit kishte ardhur Harri Trumani, i cili nuk e vazhdoi gjatë kursin e paraardhësit të tij. Çërçilli erdhi në Potsdam si kryeministri i Britanisë së Madhe, por i preokupuar nga shqetësimi për zgjedhjet e radhës që do të bëheshin disa ditë më vonë. Si rezultat i tyre u zëvendësua nga K.R. Etli, sfiduesi i tij.

Stalini vinte si kryetari i shtetit që mbajti barrën më të rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vazhdonte të ishte njeriu i gjithëfuqishëm që sundonte me dorë të hekurt në një të gjashtën e rruzullit, mbi 180 milionë njerëz, shtetas të “shtetit të tij”, të përbërë nga 170 kombësi të ndryshme dhe që komandonte një nga ushtritë më të mëdha e më të fuqishme të botës, me rreth 5 milionë vetë.

Në Potsdam Gjermania u trajtua si një njësi ekonomike, e decentralizuar, por jo e copëtuar. Aty, me një numër vendimesh politike, ekonomike, ushtarake, administrative etj, u konkretizua Deklarata e Jaltës, për çmilitarizmin, çarmatimin dhe denazifikimin e Gjermanisë, që ajo të mos ishte më burim kërcënimi për fqinjët dhe për paqen në botë. Në themel të tyre qendronte vendimi për pushtimin ushtarak të Gjermanisë së Pasluftës.

Aleatët, që e mundën dhe e nënshtruan, nuk duhet të bënin gabimin e Antantës në fundin e Luftës së Parë Botërore. Pavarësisht se gjermanët ishin përgjegjës për fatkeqësinë që i shkaktuan njerëzimit, nuk mund dhe nuk duheshin privuar nga kushtet elementare për jetesë. Objekt trajtimi ishin edhe një varg problemesh të tjera të mbetura të pambyllura nga takimet e Teheranit dhe të Jaltës, siç ishin fjala vjen çështjet e kufijve, përkatësia e qytetit të lirë të Danzingut, Kenigsbergut të dikurshëm dhe rajonit përreth (Kaliningradit të sotëm), i cili edhe pse i ndodhur qindra kilometra larg territorit rus, pa lidhje tokësore direkte me ish Bashkimin Sovjetik, u vendos të përfshihej në territorin sovjetik, në shtetin e sotëm rus.

Në Potsdam Tre të mëdhenjtë diskutuan dhe morën vendimin ekstrem për dëbimin e miliona gjermanëve nga vendet fqinje drejt Gjermanisë. Gjermanët që jetonin në Poloni, Çekosllovaki, Hungari etj. në zbatim të marrëveshjes “Transferimi Rregullues i Popullsisë Gjermane”, do të ktheheshin në atdheun e të parëve të tyre.

Një pyetje e ligjshme që lind përnjëherësh kur lexon a shfleton këtë libër me vlera të shumta e të padiskutueshme, është ajo që ka të bëjë me vendin, pozitën dhe statusin e Shqipërisë në negociatat e zhvilluara në këto “Tre Takime të Mëdha”. Për këtë do të duhet të bëjmë një retrospektivë, të rikthehemi pak mbrapsht duke u ngjitur rreth dy vjet para kohës së zhvillimit të Konferencës së Teheranit.

E ardhmja politike e Shqipërisë kishte qenë objekt i rendit të ditës në bisedimet sovjeto-britanike, që u zhvilluan në dhjetorin e 1941 në Moskë,  ku Stalini u shpreh se “mund të rimëkëmbej shteti shqiptar i pasluftës nën garancinë e fuqive të tjera.” Mirëpo shkakton habi dhe njëkohësisht keqardhje qëndrimi i diferencuar ndaj Shqipërisë në krahasim me shtetet e tjerë të Europës, për të cilët ai kishte përdorur vetëm frazën se ata “duheshin rimëkëmbur”, pa e kushtëzuar rimëkëmbjen e pavarësisë së tyre me vendosjen “nën garancinë ndërkombëtare”.

Çështja e Shqipërisë ishte bërë pjesë e diskutimeve edhe në takimin e Ministrit të Jashtëm britanik Eden me ambasadorin sovjetik në Londër, më 13 janar 1942, gjatë projekteve për krijimin e federatave të vendeve të vogla europiane.  Bashkëbiseduesit u shprehën dakord që pas luftës, të ekzistonte një shtet shqiptar i pavarur, megjithë vështirësitë që do të krijoheshin për shkak të pretendimeve territoriale greke e jugosllave. Të njëjtin qëndrim kishte pasur edhe Departamenti i Shtetit (DSH), i cili në shkurtin e vitit 1942, pohonte, se qeveria amerikane nuk e kishte angazhuar veten me Mbretin Zog, apo me ndonjë lider tjetër shqiptar dhe se ai nuk kishte ndonjë ide paraprake për statusin e ardhshëm të Shqipërisë së Pasluftës. Mesazhi i marrë nga Mbreti Zog, lidhur me aderimin e Shqipërisë në deklaratën e Kombeve të Bashkuara, në DSH u konsiderua si jo angazhues dhe pa ndonjë rëndësi politike.

Meriton të vihet në dukje një fakt, rëndësia e të cilit del veçanërisht në pah kur vendoset e gjykohet në kontekstin e zhvillimeve problematike të marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjën e saj jugore. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore Greqia nxitoi me një ngut të pa parë për ta etiketuar Shqipërinë shtet agresor. Pretekstin e gjeti te një dekret i nxjerrë nga e ashtuquajtura qeveri shqiptare e instaluar formalisht nga pushtuesit italianë. “Qeveria” fantomatike e Tiranës i shpalli luftë të gjitha shteteve me të cilat ishte në luftë Italia e Musolinit. Në këtë listë përfshihej edhe ShBA. Por Uashingtoni nuk e konsideroi veten në luftë me Shqipërinë, shkak për të cilin Legata shqiptare në Turqi, falënderoi ShBA, që i quajti “djepin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” dhe protestoi ndaj deklaratës së qeverisë kolaboracioniste shqiptare dhe e cilësoi “akt të shëmtuar të Italisë fashiste”.  SHBA-ja nga ana e vet, nuk e konsideroi veten në luftë jo vetëm me Shqipërinë, por as me Bullgarinë, Hungarinë e Rumaninë, megjithëse edhe ato i kishin shpallur luftë, jo me iniciativën apo me dëshirën e popujve të tyre, por thjesht si instrumente të Hitlerit.  Këtë qëndrim SHBA do ta rikonfirmonin sërish në vitin 1944, kur qeveria greke e interesuar të dinte nëse qeveria amerikane e konsideronte veten në luftë me Shqipërinë, mori prej saj një përgjigje negative, të qartë dhe tëprerë.

Projektet paraprake të kompromiseve dhe vijat e para të mozaikut gjeostrategjik të të ardhmes politike të gadishullit të Ballkanit dhe Europës Juglindore, duket se ishin projektuar pesë muaj më parë në Moskë, në takimin ndërmjet Stalinit dhe Çërçillit. Në Kujtimet e veta Çërçilli shkruan se në atë kohë mendoi që “çasti ishte i përshtatshëm për pazar, prandaj thashë le t’i rregullojmë punët tona në Ballkan.” Në kompromiset e asaj dite nuk zihej në gojë Shqipëria, e cila, siç tregon Martin Gilbert, ishte harruar. Ai thotë se “më 11 tetor 1944 Çërçilli u kujtua që Shqiperia nuk ishte në listën e përqindjeve. Prandaj propozoi edhe për atë të njëjtën ndarje si për Jugosllavinë dhe Hungarinë, 50 me 50 për qind.”

Këto ishin pararendëset e marrëveshjeve të fshehta që në takimin e Jaltës, në shkurtin e vitit në vijim do të pasoheshin me të tjera, që plotësuan kuadrin e pazareve që erdhën pas Luftës së Dytë Botërore për ndarjen e Ballkanit në zona influence. Ishte koha kur Albert Kamy do të shprehej se “sot tragjedia është e përgjithshme.”

Çështja e Shqipërisë, e trajtuar në jo pak raste në takimet e mëparshme, do të bëhej, siç u tha, objekt bisede edhe në darkën e shtruar nga presidenti Ruzvelt, më 4 shkurt 1945, në sallën e bilardos, në rezidencën zyrtare të Liavadias, ku u ngritën një duzinë dollish, shoqëruar me haviar dhe gjellë tipike amerikane. Pas dollisë së Çërçillit “për një paqe njëqindvjeçare”, do të ngrinte dollinë e vet “për paqen” edhe Stalini, i cili, siç shprehet Artur Conte, tha se ruajtja e saj ishte detyrë e të Mëdhenjve, sepse do të ishte qesharake që, në Organizatën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria të ishte e barabartë me Rusinë, se nuk janë të detyruara Fuqitë e Mëdha të derdhin gjakun për t’i çliruar. “Jam dakord me Shtetet e Bashkuara dhe me Britaninë e Madhe, për t’i mbrojtur të drejtat e fuqive të vogla, por nuk do të pranoj kurrë që çfarëdo vendimi ose aksion i Fuqive të Mëdha t’i nënshtrohet gjykimit të të vegjëlve.”  Presidenti amerikan u shpreh se përgjegjësia më e madhe u takonte Fuqive të Mëdha dhe paqja duhej të shënohej nga tre fuqitë e përfaqësuara në tavolinën e Konferencës, por dollinë e ngriti “për respektimin e të drejtave të kombeve të vegjël.” Më tej Stalini do ta vazhdonte arsyetimin e tij, për qëndrimin e mësipërm, duke thënë se “Jugosllavia, Shqipëria dhe vendet e tjera të vogla analoge, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë tavolinë. A doni që Shqipëria të ketë të njëjtin status me Shtetet e Bashkuara? Ç’bëri Shqipëria në këtë luftë për të merituar një vend të tillë? Duhet ne të tre të vendosim si ta mbajmë paqen në botë, paqe që do të ruhet vetëm po e ruajtëm ne të tre.” Pas të qeshurës së Çërçillit, Stalini vazhdoi duke thënë se “shqiponja duhet t’u lejojë zogjve të këndojnë, po nuk duhet të shqetësohet për aryset përse këndojnë.”

“Tre të Mëdhenjtë” folën për Shqipërinë edhe në Potsdam, por pa ndikime në pozitën e saj të Pasluftës, çka u duk në faktin që ajo, edhe pse i përmbushte të gjitha kushtet, nuk u ftua në Konferencën themeluese të OKB-së në San Francisko. Shqiptarët, me luftën heroike kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas, dhanë kontribute të çmuara për kauzën e Koalicionit Antifashist të Popujve.

Kjo histori e jashtëzakonshme, e zhvilluar në tavolinat e dipomacisë së Fuqive të Mëdha, gjatë kohës që popujt e botës luftonin kundër murtajës nazifashiste, vjen e përmbledhur, e përkthyer me mjeshtëri, e sistemuar dhe e paraqitur në mënyrë elegante, në librin Konferencat e “Treshes së Madhe” –  Teheran, Jalt, Podzdam, përgatitur për botim nga ambasadori Shaqir Vukaj. Libri, frut i një pune të palodhur, realizuar me përkushtim e kompetencë, do të kontribuojë për zgjerimin e mëtejshëm të njohurive të studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë si dhe lexuesve të zakonshëm, që janë të interesuar për të njohur më mirë historinë e Luftës së Dytë Botërore, mbi bazën e dokumenacionit autentik.

 

Parathënie për librin e Shaqir Vukajt,- Konferencat e “Treshes së Madhe”, Teheran, Jaltë, Podzdam, Përmbledhje dokumentesh, Botim i UMSHPRESS, Tiranë, Kristalina 2019.

 

Please follow and like us: