Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (3)

KONFUZIONI HISTORIK

Problemet e diskursit

 

Kosova ende nuk ka arritur ta shkruajë një histori të veçantë, një tekst historie, në të cilin që nga fillimi e deri në fund do të flitej vetëm për të. Përpjekjet për të bërë një tekst të tillë, nisur në ndonjë rast, kanë dështuar ende pa filluar mirë, që domethënë se Kosova, sikundër edhe në disa fusha të tjera, vazhdon të mos e ketë të konsoliduar dijen e historisë për veten e saj. Instituti i Historisë së Kosovës, i bërë para dyzet vjetësh, nuk kishte për qëllim të studionte tërësinë e ngjarjeve historike që lidheshin me Kosovën, por vetëm ato që ishin të mëvetësishme, të veçanta, ato që, duke qenë ngjarje lokale, nuk do të trajtoheshin në masë të mjaftueshme nga historiografia jugosllave, ose nuk do të trajtoheshin në mënyrë të përshtatshme. Në kohën e autonomisë së Kosovës ishte e mundshme të bëhej dhe u bë një institut i tillë. Mirëpo, koncepti i historisë së Kosovës për shumë kohë mbeti peng i një botëkuptimi inferior: Kosova nuk kishte prodhuar histori për vete, pra nuk kishte ngjarje historike autentike, por vetëm të tilla që mund t’i atribuoheshin Shqipërisë ose Jugosllavisë, njërës apo tjetrës palë, por jo ekskluzivisht Kosovës. Kjo nuk lidhej me idenë se ngjarjet historike, sado lokale qofshin, asnjëherë nuk mund të ndodhin të shkëputura nga një realitet më i gjerë.

Më shumë lidhej me botëkuptimin e përhapur gjerësisht se Kosova, duke qenë pjesë e arealit historik shqiptar, e kishte bërë historinë me shfaqjet e saj periferike, ose, edhe po të ketë qenë qendër e ndonjë ngjarjeje, përsëri ishin rrethanat dhe konteksti më i gjerë shqiptar që i kishin kushtëzuar ato. Prandaj, në njëfarë dore, në këtë këndvështrim, për një kohë në Kosovës nuk dukej aq e mirë “Historia e popullit shqiptar” e shkruar në Tiranë, por ishte e mjaftueshme për të mbajtur piketat kryesore për mësimin shkollor të histories kombëtare.

Veçanërisht me shkrimin e LNÇ-së gjërat nuk kishin shkuar si duhet. Ideja e autonomisë duhej të fillonte pikërisht aty, te një organizim i mëvetësishëm dhe “I ndërmjetëm” i luftës antifashiste dhe i lëvizjes komuniste në Kosovë, e cila merrte e jepte me Shqipërinë dhe Jugosllavinë, gjithsesi Jugosllavisë i referohej pothuajse 90%, por kishte edhe disa specifika autentike, të cilat nuk ishin trajtuar si duhet as në historinë e Shqipërisë, as në atë të Jugosllavisë. Në këtë pikë duhej të përqendrohej historiografia e Kosovës, kuadri i saj i shkolluar dhe me tituj kumbues shkencorë. Kjo historiografi nuk u krijua për t’iu kundërvënë historiografisë serbe dhe jugosllave, siç fantazojnë disa, as për të promovuar një identitet historik të Kosovës, por thjeshtë për një përdorim politik: të shkruante historinë e LNÇ-së në Kosovë në frymën e postulateve politike të ideve të Titos dhe të socializmit jugosllav, duke shpjeguar njëkohësisht dy gjëra themelore: e para, se përkatësia e Kosovës në Jugosllavi buronte nga LNÇ-ja, pra nga vullneti i popullit; dhe, e dyta, se autonomia e Kosovës, njësoj si federalizmi jugosllav, i kishte rrënjët po në këtë luftë dhe po në këtë lëvizje. Ky ishte identiteti i atëhershëm historik i Kosovës dhe historiografia zyrtare i referohej pikërisht kësaj pike. Prandaj, duke prodhuar historiografi për këtë përdorim, Kosova i përshkroi ngjarjet e LNÇ-së deri në detaje pa fund, në një kohë që shkroi shumë pak gjëra të tjera me vlerë, sadopak të ndryshme nga ç’ishin të shkruara në historiografinë zyrtare të Shqipërisë apo të Serbisë.

Pra, bëhet pyetja, a ekzistonte ose jo ideja e një identiteti historik të Kosovës në mendjen e atyre që u përpoqën ta shkruanin historinë e saj gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX? Disa duan të thonë se po, të tjerëve nuk iu shkon mendja fare se në Kosovë mund të ketë pasur ndonjëherë një synim të këtillë. E vërteta është ajo që thamë më sipër, se kuadri kryesor i historianëve u arsimua dhe u kualifikua për historinë e LNÇ-së, ndërsa periudhat historike si antika dhe mesjeta mbeten pothuajse pa kuadër shkencor. Atëbotë, me punët e historiografisë në mbarë Jugosllavinë merreshin institucionet më të larta të shtetit, jo vetëm për shkak se mbajtësit e pushtetit ishin pjesëmarrës të LNÇ-së dhe pretendonin hisen e tyre në këtë periudhë historike, por edhe për arsye se balancat historike kishin rëndësi të madhe për mbajtjen në këmbë të vetë shtetit jugosllav. Nga ky rregull nuk bënte përjashtim as Kosova. Gjatë viteve të autonomisë Kosova mund ta shkruante historinë e saj pa ndonjë kufizim të madh, ta zëmë, për periudhën e Mbretërisë SKS, për luftërat ballkanike, madje edhe për krejt shekullin XIX, përfshirë edhe Lidhjen e Prizrenit dhe Lidhjen e Pejës, por e kishte pothuajse të ndaluar të merrej me mesjetën dhe antikën. Mesjeta e Kosovës duhej t’i takonte historisë serbe dhe në këtë pikë nuk lëshonte pè as Serbia e kohës së Titos, ndërsa antika ishte ilire dhe lidhja e Kosovës me këtë origjinë të largët nënkuptonte përjashtimin (ose relativizimin) e dominimit serb të kohës së mesjetës.

Prandaj as sot Kosova nuk shkruan dot një histori të plotë, sepse në trajtimin e periudhave të caktuara ka zbrazësi të mëdha. Por më shumë se këto kufizime, ajo ka të pazgjidhur një problem konceptual historik: Ngjarjet që e bëjnë historinë e saj, a kanë qenë krejtësisht autentike apo pjesërisht autentike, në raport me historinë e pjesës tjetër të popullit shqiptar? A kanë qenë ato ngjarje mjaftueshëm të shkëputura nga zhvillimet në arealin historik shqiptar, sa të mund të quhen autentike dhe të trajtohen si të veçanta? Apo kanë qenë ngjarje shpesh të ndikuara edhe nga Serbia, ndikim ky që nuk është shtrirë në pjesën tjetër të hapësirës shqiptare? Ose, pyetjet mund të shtrohen edhe më ndryshe, në një sens më pozitiv: Cilat ngjarje të historisë shqiptare e kanë pasur epiqendër Kosovën dhe ato ngjarje a janë të mjaftueshme që të bëjnë një histori më vete, pra një histori shqiptare të Kosovës?

Përgjigja në këto pyetje paraqitet e domosdoshme, për të gjithë ata që përpiqen t’i atribuojnë Kosovës një identitet të veçantë historik, sepse identiteti i askujt deri më sot nuk është ndërtuar pa këtë komponentë. Po të duam, mund të shkojmë edhe një hap më tej dhe të shohim se ku mund të nis një histori e Kosovës, e mëvetësishme, e tillë që do të mund të krijonte një identitet, apo, thënë më qartë, ngjarjet historike që lidhen vetëm me Kosovën a mund të krijojnë një identitet të ndarë, i cili do të qëndronte në themelet e kujtesës historike të popullit të saj…? Dhe më tej: Ngjarjet historike që kanë përfshirë Kosovën në periudha të ndryshme, a kanë qenë më shumë të karakterit lokal, që domethënë se kanë qenë të tilla që kanë krijuar identitet historik të ndarë dhe të veçantë, apo kanë qenë ngjarje historike të karakterit më gjithëpërfshirës, pra gjithëkombëtar? Të përpiqemi të përgjigjemi në këto pyetje, duke shkuar radhazi.

 

Beteja e Kosovës e vitit 1389

 

Studiues të ndryshëm, më parë serbë dhe pastaj edhe shqiptarë, secili për qëllime të veta, kanë bërë përpjekje që territorit të Kosovës së sotme t’i japin atribute të veçanta, që në periudhën antike. Këto atribute ata i gjenin te Dardania antike, e cila, sipas mendjes së tyre, që të prodhonte Kosovën e sotme serbe ose shqiptare, duhej të ndryshonte që atëherë nga pjesa tjetër e Ilirisë. Po të përkufizohej ky ndryshim vetëm si territorial, mund të kishte një mbështetje, por synimi ishte të shkohej një hap më larg, veçmas nga studiuesit serbë, të cilët përpiqeshin që Dardaninë e atëhershme ta popullonin me një përzierje banorësh, ta zëmë, pellazgë, ilirë, trakas, ose kështu disi, mjaftonte që ajo të mos ishte tërësisht ilire dhe që, përkthyer në kontekstin e sotëm, domethënë të mos kishte një trashëgimi me vazhdimësi shqiptare. Kishte dhe ende ka shqiptarë që pretendojnë të njëjtën gjë, vetëm në sens të kundërt, të cilët i kërkojnë rrënjët e shtetit të Kosovës që në periudhën antike, përsëri jo si një nga organizimet e ndara ilire ose romake, por si një entitet më vete. Këto teori nuk kanë gjetur ndonjë mbështetje të gjerë dhe kanë mbetur kryesisht si projeksione të politizuara të historisë.

Sido që të jetë, në kronologjinë e ngjarjeve historike për Kosovën, Beteja e Kosovës e vitit 1389 është ngjarja e pare më e rëndësishme, e cila për nga pasojat largvajtëse, paraqitet si njëra nga ngjarjet më të mëdha historike të Ballkanit. Duke qenë ngjarje mjaft e hershme dhe pak e dëshmuar, si dhe duke u zhvilluar në kohën kalorësiake të historive të përziera me mjegull dhe fantazi, kjo betejë nuk e pat të vështirë të bëhej një nga modelet europiane të shndërrimeve mitike dhe legjendare. Është kjo kohë jashtëzakonisht e errët në krejt historinë e Europës, e cila ishte zhytur thellë në obskurantizëm fetar dhe përjetonte krizë të gjithanshme. Por më e përshtatshme se për çdo arsye tjetër që të kalojë në mitologji, Beteja e Kosovës kishte “favorin” e ndeshjes fetare ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, një ndeshje që kishte filluar me kryqëzatat e njëpasnjëshme dhe tani, shikuar nga perspektiva e sotme, duhej të merrte një epilog me një betejë vendimtare. Beteja, përsëri nga perspektiva e sotme, ndodhi sa në realitet, po aq në fantazinë e çakërdisur evropiane dhe për epilog nuk kishte një zgjidhje tokësore të konfliktit, por një shndërrim mistik, që domethënë një shkapërcim të ngjarjes nga realiteti në fiksionin fetar. Në këtë mënyrë ose disi ngjashëm kanë lindur të gjithë epet kalorësiake, përfshirë këtu edhe një literaturë me përhapje të jashtëzakonshme, të cilën në mënyrë të mrekullueshme e stigmatizon Servantesi në “Don Kishotin” e tij. Pse, ç’dallim ka ndërmjet ngjarjeve tëpabesueshme të romanit të Servantesit dhe bëmave të heronjve të Betejës së Kosovës, sipas legjendave serbe, nëse atyre iu shtojmë prirjen fantastike të autorit për t’i tallur dhe për t’i përqeshur ata? Fundja, a mund ta përfytyroni se ç’hero do të ishte Marko Kraleviqi, ç’pamje mund të kishte ai dhe ç’gjëra të papara mund të bënte, pasi të kalonte nëpër transformimin letrar të pendës së Servantesit? Thënë me një fjalë, është koha e heronjve mesjetarë, të cilët, kur luftojnë mes veti, “shtatë pash në tokë” e ngulin topuzin. Copëza të bëmave të këtyre heronjve i kemi ruajtur edhe ne në këngët legjendare. Prandaj, edhe perceptimi i ngjarjeve historike të kësaj kohe është krejt ndryshe nga periudha e modernitetit.

Të gjitha këto janë të qarta dhe në këtë pikë Beteja e Kosovës nuk përbën ndonjë ndryshim nga ngjarjet e tjera kalorësiake të periudhës mesjetare në Europë. E vetmja pikëpyetje mbetet: Pse Kosova? Pse u gjend Kosova të bëhej epiqendër e një ngjarjeje, që projektonte në sfond ndeshjen e dy botëve, të dy civilizimeve? A ndodhi kjo rastësisht apo kishte një pararendje ngjarjesh, të cilat pothuajse e bëjnë të pashmangshme këtë ndeshje, pikërisht në këtë vend? Deri tani historiografia nuk ka bërë përpjekje të japë përgjigje në këto pyetje, duke u mjaftuar me gjetjen e fakteve që e konfirmojnë ndodhinë, dhe duke u munduar që prej një legjende të mjegullt të bëjnë një ngjarje sa më të besueshme historike. Me rrethanat, me kontekstin kohor të kësaj ngjarjeje historiografia është marrë më pak, pra, nuk i ka kushtuar vëmendje njohjes së tyre nga një auditor më i gjerë.

Nuk është se historianët nuk dinë gjë për rrethanat, ndonëse edhe aty ka vështirësi njohjeje, por më shumë ndoshta bëhet fjalë për një zhvendosje të vëmendjes. Dhe, vëmendja ka ikur pothuajse në tërësi nga fakti se luftërat e këtilla në mesjetë janë bërë në kufijtë e njërës apo të tjetrës perandori, të njërës apo të tjetrës principatë dhe se ato nuk janë konfiguruar me parametrat e sotme fetare ose civilizuese. Në rastin e Betejës së Kosovës ky fakt merr kuptim edhe më specifik, sepse ngarkesat apo konfuzionet e mëvonshme politike shpesh janë projektuar në atë të shkuar krejtësisht të mjegullt.

Përse, pra, të mos themi ndryshe, se Beteja e Kosovës, në kohën kur ka ndodhur, nuk ka qenë ndeshje civilizimesh as ndeshje e dy botëve, e dy feve etj., por ka qenë një ndeshje e një ushtrie pushtuese, me një tjetër që mbrohej dhe asgjë më shumë se kaq. Ose, ishte një përballje e një koalicioni të dobët me ushtrinë e një perandorie të madhe, e cila kishte arritur suksese të mëdha në Lindje dhe tani ia mësynte Europës. Nuk ka qenë Perandoria Otomane e vetmja që e ka bërë këtë gjë, sepse “ekskursione” të këtilla Europë-Azi dhe anasjelltas kanë bërë të gjitha perandoritë e mëdha, që nga Aleksandri i Madh e prapa. Atëherë, ç’gjë të veçantë ka kjo betejë, që del nga konteksti i ngjarjeve të këtilla të asaj kohe?

Pothuajse asgjë. Në anën e turqve luftojnë edhe prijës ushtarakë vendas, ndërkohë që vasalë bëhen pothuajse të gjithë prijësit ballkanikë, sapo e humbin këtë betejë. Por diku, megjithatë, është një gërvishtje që ngacmon dhe nxjerr në sipërfaqe idetë fetare dhe civilizuese: kronistët turq të betejës, ata që luftonin kundruall, pra të krishterët, i quajnë “të pafe”.

Por a ndodhte kjo ndarje në fushëbetejë? Absolutisht jo. Kronikat u lexuan më vonë dhe dijenia për to hyri në Europë shumë kohë prapa. Kjo është e dëshmuar dhe e njohur. Pra, atributet fetare evropiane Beteja i mori më vonë, atëherë kur Europa po kërcënohej jo nga civilizimi I papërkufizuar oriental, por nga një rrezik latent dhe krejtësisht real, nga një perandori e fuqishme, e cila ishte pothuajse dy hapa larg kështjellave të Europës. Dhe europianët, të parehatshëm nga ky kërcënim, për një kohë të gjatë qëndruan të mobilizuar ushtarakisht dhe ideologjikisht kundër këtij rreziku të afërt. A u përdor feja nga të dy palët?

Gjithsesi, por jo në momentin e betejës. Beteja ishte një ndeshje e zakonshme mesjetare. Madje, mund të thuhet se, për kohën kur ndodhi, ajo ishte një ngjarje lokale, sepse aty për aty nuk tërhoqi vëmendjen e shteteve të fuqishme të Europës. Europa mori vesh për ngjarjen shumë kohë më vonë se ajo të ndodhte. Ndërsa koalicioni ballkanik është pak e besueshme të ketë funksionuar si koalicion i krishterë, për arsye se viset ballkanike tashmë kishin përjetuar një ndarje fetare, atë të ndarjes së kishave, e cila shpesh kishte çuar në konflikte të hapura dhe popujt i kishte bërë të paqëndrueshëm në pikëpamje të besimit fetar. Ballkanasit tashmë nuk ishin fanatikë të asnjë feje. Madje, ata e kishin të ngulitur idenë e konvertimit, sepse jo një herë iu kishte ndodhur që, bashkë me aleancat politike dhe ushtarake, të ndërronin edhe përkatësinë kishtare.

Por, megjithatë, pse Kosova? Pse u zgjodh, pra, pikërisht Kosova që të ndodhte kjo ngjarje? Atë nuk e ka përcaktuar asgjë tjetër, pos vijës së komunikimit, rrugës, territorit, reliefit, që domethënë se ishte një hapësirë e përshtatshme që komunikonte pa pengesa relievore nga Lindja drejt Perëndimit. Thënë ndryshe, Kosovën si fushëbetejë ndërmjet turqve dhe ballkanasve nuk e kishin përcaktuar ballkanasit, por strategjia e ushtrisë turke, e cila përmes Kosovës synonte depërtimin e mëtejshëm drejt viseve perëndimore. Vija e depërtimit përmes Kosovës ishte njëra nga tri rrugët, të cilat ushtria turke i ka përdorur vazhdimisht në ekspeditat e saj drejt Europës. Ballkanasit, me këtë rast, nuk bënë gjë tjetër, përveç se mblodhën një ushtri, u përpoqën ta ndalnin depërtimin turk dhe u thyen keqas. Asgjë mistike dhe asgjë simbolike nuk kishte në atë ndodhi.

 

Ikja nga historia

 

Versionet e përshkrimit të kësaj beteje nga kronistët dhe historianët janë të ndryshme, shpesh të tilla që përjashtojnë njëri-tjetrin. Ndërsa flasin për këtë ngjarje, dokumentet dhe relacionet e kohës kanë brenda një pasaktësi të madhe, kështu që e përbashkëta e këtyre përshkrimeve është pikërisht kundërshtimi i ndërvetshëm dhe pasaktësia. Megjithatë, versionet kryesore të përshkrimit të kësaj beteje tani janë katër: versioni serb, i ndërtuar në shekullin XIX, që është më i përhapuri; versioni shqiptar, i ndërtuar në shekullin XX, që përpiqet ta kontestojë versionin serb; versioni turk, që mbështetet në shkrimet e kronistëve delirantë me mendje të turbullt nga hashashi dhe nargjiletë; si dhe versioni euro-perëndimor, i cili është ndërtuar gradualisht dhe që synon të duket sa më neutral dhe më i besueshëm.

Për versionin serb mjafton të themi se ai është ndërtuar mbi kujtesën e mjegullt popullore, bartur në formë të këngëve të epikës legjendare deri në shekullin XIX, kur idetë romantike, si me magji, shprishën strukturën poetike të ngjarjes dhe prej saj ndërtuan një realitet të supozuar historik. Procesi tashmë është i njohur: Vuk Karaxhiqi mblodhi disa këngë për Betejën e Kosovës dhe i prezantoi ato në qarqet evropiane, ku tashmë kishte filluar një pasion I jashtëzakonshëm për folklorin dhe traditën. Këngët u pëlqyen dhe u vlerësuan me atributet më të larta. Gëte dhe Kopitari nuk do ta kenë pasur as idenë, se vlerësimi që ata I bënë eposit serb për Betejën e Kosovës, do të shndërrohej nga romantikët serbë në mit kombëtar dhe se në këtë pike ata dhanë kontributin e tyre të madh, duke mos e parashikuar se veprimi i tyre do ta kthente Ballkanin për afro një shekull e gjysmë në arenë gjakderdhjesh të njëpasnjëshme. As atëherë dhe as më vonë, europianët racionalë nuk do ta kuptojnë se, kur bëhet fjalë për popujt e Ballkanit, të vlerësosh njërin më shumë se tjetrin do të thotë njëkohësisht edhe të japësh miratimin e heshtur për shfarosje dhe gjenocid ndaj atyre që janë të dënuar të mos e kenë këtë mbështetje. Historia e mëpastajme do ta vërtetojë këtë në vazhdimësi. Në këtë “lojë” europiane për Ballkanin, shqiptarët do ta pësojnë më së keqi, jo gjithmonë me fajin e tyre dhe jo gjithmonë pa fajin e tyre.

Versionit serb të Betejës së Kosovës do të vijë në ndihmë edhe versioni turk, i cili ka aq shumë pasaktësi rreth vendit të ndodhjes së kësaj ngjarjeje, sa që i ka krijuar hapësirë shumë të përshtatshme versionit mitik serb të ndërtojë një topografi të ngjarjes sipas interesave krejt pragmatike politike. Bie fjala, në vendin ku turqit besonin se ishte vrarë sulltan Murati, në fshatin Mazgit të rrethinës së Prishtinës, u ndërtua një tyrbe. Si ndodhi të ndërtohej tyrbja pikërisht në këtë vend, kur kronikat turke e lëviznin vendngjarjen në lindje dhe perëndim me dhjetëra kilometra, kjo gjithsesi mbetet e paqartë. Ajo që mbeti e besueshme në versionin turk për Betejën e Kosovës, ishte vrasja e sulltan Muratit nga një “i pafe” në fushëbetejë, se pastaj trupi i sulltanit u balsamos dhe u dërgua në Edrene, ndërsa në vendin e vrasjes, aty ku u varrosen rropullitë e tij, u ndërtua një tyrbe.

Është e ditur se tyrbja e sotme e Sulltan Muratit në fshatin Mazgit është e shekullit XIX dhe askush nuk mund ta vërtetojë se tyrbja e re është ndërtuar pikërisht në vendin ku ishte tyrbja e mëhershme. Por do të jetë pikërisht kjo tyrbe, e cila do të shërbejë si piketë kryesore për konfigurimin toponimik serb të Betejës së Kosovës. Sipas gjasës, do të jetë Jovan Cvijiqi me shkollën antropogjeografike, i cili, pas pushtimit serb të Kosovës më 1913, do të serbizojë shumicën e toponimeve dhe, me këtë radhë, do të përkufizojë edhe hapësirat “serbe” të Betejës së Kosovës. Ishte krejt logjike që këto hapësira t’i vendoste përreth Tyrbes së Sulltan Muratit: në kodrinën përball tyrbes, Gazimestanin; në të majtë të tij Orloviqin; pak më tej në jugperëndim Obiliqin dhe në luginën prapa Jugoviqin. Duket se vetë serbët për shumë kohë nuk do t’i kenë marrë aq seriozisht këto toponime, sepse u desh të vinte viti 1954 që në kodrinën e mbiquajtur Gazimestan të ndërtonin një pirg të shëmtuar në kujtim të Betejës së Kosovës, përmendore kjo që sot e kësaj dite qëndron në anë të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Ndonëse e ndërtuar në dhjetëvjetëshin e parë të Jugosllavisë socialiste, deri vonë, deri në ditët para 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, kjo përmendore rrinte pothuajse e pavërejtur ndanë rrugës. Dukej sikur as serbët e Kosovës dhe as serbët e Jugosllavisë së atëhershme nuk ia kishin ngenë një përmendoreje të tillë, e cila seku lidhej me ca legjenda të moçme dhe ishte më e largët se vetë historia.

Ndërkaq, shqiptarët, të gjendur nën trysninë e vazhdueshme të mitit serb për Kosovën, u përpoqën të krijonin versionin e tyre historik dhe legjendar për Betejën e Kosovës, kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, atëherë kur ndër shqiptarët u akumulua deri diku një potencial i mjaftueshëm intelektual, për të dhënë përgjigje në shumë çështje të mbetura pezull. Ky version nuk mohoi asgjë nga ajo që tashmë njihej në histori dhe ishte pranuar pothuajse botërisht, vetëm se ata i mëshuan më me force idesë se në Betejën e Kosovës të vitit 1389, përball ushtrisë turke nuk u gjenden vetëm serbët, por një koalicion i gjerë ballkanik, ku pjesëmarrja e shqiptarëve ishte e dëshmuar. Në këtë pikë ata u përpoqën të shkonin pak më larg. Duke ndjekur shembullin serb të përvetësimit, që është i theksuar dhe gjithandej i pranishëm, u shkoi mendja të bënin të vetin njërin nga heronjtë kryesorë të kësaj beteje, Milosh Obiliqin, duke ia ndërruar mbiemrin (Kopiliq) dhe duke i dhënë atij atribute shqiptare.

Por, derisa çështja historike e koalicionit ballkanik preokupoi mendje të shquara të shkencës shqiptare, me çështjen e eposit shqiptar për Betejën e Kosovës, prej nga duhej të buronte edhe miti shqiptar për këtë betejë (sipas modelit serb), u morën emra periferikë të shkencës, të historisë dhe të folklorit. Ndonjë përpjekje për të bërë një lidhje ndërmjet mitit shqiptar të Kopiliqit dhe Luftës së Kosovës të vitit 1999 (Anna di Lellio), veçmas të idesë së sakrificës dhe të rebelimit individual dhe kolektiv të Drenicës (ku gjendet edhe fshati Kopiliq, prej nga mendohet se mund ta kishte origjinën heroi mesjetar), në rrethanat e sotme do të marrë konotacion dashamirës për shqiptarët, por nuk do të mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore. Arsye janë disa. E para, sepse shekulli XX nuk është kohë e krijimit dhe e kultivimit të miteve, pavarësisht nga ndonjë aluzion i tërthortë se shqiptarët edhe në këtë pikë paraqiten të vonuar, sikundër edhe në shumë çështje të tjera. Po të ishte se te shqiptarët ekzistonte një bazë për mitin e Betejës së Kosovës, ai do të valorizohej që në shekullin XIX, atëherë kur u valorizua edhe miti për Skënderbeun. E dyta, eposi shqiptar për Betejën e Kosovës, nëse mund të quhet i tillë, ka një shtrirje tepër të kufizuar, që pothuajse nuk del jashtë Drenicës dhe zonës përreth saj. E treta, këngët shqiptare për Betejën e Kosovës dhe Milosh Kopiliqin janë nga më të varfrat në pikëpamje artistike dhe nuk qëndrojnë as afër krijimeve të ngjashme të epikës legjendare ndër shqiptarët. E katërta, në krahasim me eposin serb, ato dalin shumë të kufizuara dhe ndonjëherë ngjajnë të shëmtuara. E pesta, ato janë ndër të rrallat këngë shqipe, për të mos thënë të vetmet që i thurin lavde sulltanit, gjë që në këtë pikë mund të përafrohen me disa krijime të vonuara të rrymës së bejtexhinjve, e cila në Kosovë ishte e pranishme deri vonë, deri nga në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX. Pra, është krejt e besueshme se ato këngë do të jenë krijuar nga ndonjë bejtexhi anonim dhe i patalentuar, jo shumë kohë përpara se Margaret Hasluck, Albert Lord dhe Glisha Elezoviq t’i kenë regjistruar dhe t’i kenë bërë të ditura për opinionin shkencor, ndoshta më shumë si nostalgji e ndonjë bejtexhiu zemërplasur për Turqinë që tashmë kishte ikur në pakthim.

Duke bërë një rezyme të këtyre dilemave dhe hamendësimeve, del shumë e qartë se varianti shqiptar i eposit të Betejës së Kosovës në tërësinë tij është I paqëndrueshëm dhe i pamundshëm. Kjo shpjegohet me faktin se popujt e Ballkanit, kush më shumë e kush më pak, pas shekujve XIV-XV e tutje ranë në një errësirë të thellë dhe se vetëm rizgjimi i tyre në prag ose gjatë shekullit XIX bëri të mundur rikthimin e miteve pothuajse të harruara. Në të vërtetë, mitin për Skënderbeun, në formë të shkruar, e ruajti dhe e kultivoi vetë Europa dhe atë e rimorën rilindësit shqiptarë në trajtën më shumë historike dhe më pak legjendare. Duke qenë të një provenience fetare heterogjene, rilindësit shqiptarët hoqën ose relativizuan nga bëmat e Skënderbeut veshjen fetare të krishterë dhe e kthyen atë në përmasat e tribunit popullor, të akceptueshëm si për myslimanët, ashtu edhe për katolikët dhe ortodoksët.

Ndryshe ndodhi me mitin serb për Betejën e Kosovës. Në shekujt e errët atë e ruajti kisha serbe dhe që andej ai u zhvendos në formën e eposit popullor. Prandaj në këngët dhe rrëfimin e tyre popullor për këtë ngjarje ka aq shumë elemente liturgjike, nga njëra anë, sikundër që ka shumë më pak histori se në rastin e Skënderbeut. Por në të dy rastet, Evropa ishte ajo që këto mite i riktheu në Ballkan me krejt domethënien e tyre historike dhe mitologjike. Vetëm se do të ketë një dallim cilësor ndërmjet njërit dhe tjetrit mit, dallime këto që u përshtateshin gjendjes së popujve ballkanikë: miti shqiptar për Skënderbeun përmbante në vete idenë e çlirimit, ndërsa miti serb për Betejën e Kosovës përmbante idenë e pushtimit, sepse ishte ndërtuar mbi postulatet e kryqëzatave dhe të luftës për tokën e shenjtë.

Tani, pasi frymëzoi dhe pajisi ballkanasit me ide të këtilla, duke parë se në këto hapësira mitet riinkarnohen me cikle kohore të një kalendari krejtësisht të ndryshëm nga ai perëndimor, europianët synojnë ta ndryshojnë këtë rrjedhë, ndoshta jo sipas ndonjë programi të veçantë, por sipas bindjes dhe ideologjisë së tyre eurocentriste. Duke marrë rolin e arbitrit në politikë, po këtë rol duan ta marrin edhe në shkencë, veçmas në histori, e cila, sikundër dihet, ngarkon së tepërmi vetëdijen ballkanase. Kur flasin për ngjarjet historike në Ballkan, ata kanë filluar të marrin qëndrim refuzues dhe arrogant ndaj të gjitha palëve.

Historitë e tyre kanë një emërues të përbashkët: çmistifikimin me çdo kusht, madje ndonjëherë edhe deri në mohim. Teknologjia e këtij çmistifikimi është e thjeshtë: pasi bredhin nëpër dokumente dhe interpretime vendore ballkanase, duke i mohuar ato me lehtësi; pasi hedhin sytë edhe në dokumentet turke, që edhe ashtu kanë shumë mjegull dhe lehtësisht kontestohen, nxjerrin ndonjë dokument të proveniencës perëndimore (ta zëmë, të Venedikut ose Padovës), bëjnë interpretimin e tij si plotësisht të besueshëm (sepse nuk është ballkanik, nuk është as turk, pra është europian!) dhe, në këtë mënyrë, pretendojnë se kanë vendosur në vend të vërtetën historike. Vetëm se në këtë qasje eurocentriste gjithmonë ka një problem: prirja për t’i dhënë të drejtë gjithkujt nga pak dhe askujt tamam, duke mos njohur situatën nga brenda, jo rrallë çon në mohimin e të pamohueshmes dhe në pohimin e asaj që nuk mund të konfirmohet.

 

Zhbërja e shpejtë e identitetit

 

Pse, pra, kosovarët nuk e përfshinë dot në identitetin e tyre historik Betejën e Kosovës të vitit 1389? Sepse atë tashmë e kishin bërë serbët dhe shqiptarët, duke qenë më të vonuar, nuk mund ta bënin të njëjtën gjë. Mund të thuhet kështu? Apo duhet kërkuar diçka tjetër në këtë mes, një shpjegim që deri-diku u afrohet rrethanave të kohës. Më e mundshme është se Beteja e Kosovës, ashtu sikundër e thamë më parë, mund të ishte një ndeshje ushtrish të huaja, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve vendas. Muzaka dhe Balsha fare lehtë mund të ishin pjesëmarrës me kontingjentet e tyre të luftëtarëve shqiptarë, por jo me kosovarët. Ata mund të kishin bërë aleanca ushtarake me prijësit serbë, të ishin vendosur nën komandën e Lazarit, por kjo nuk do të thotë aspak se vendasit shqiptarë ishin futur në betejë. Prandaj edhe nuk do të merren me të. Ndërsa shqiptarët e Balshës dhe Muzakës mund ta kishin Betejën e Kosovës njërën nga ekspeditat e shumta, ku do të kishin marrë pjesë, prandaj nuk kishin përse të këndonin për të.

Hipoteza e dytë çon te një përfundim i afërt me këtë: për shqiptarët Beteja e Kosovës ishte luftë pushtuese, në të cilën u ndeshen turqit pushtues me serbët pushtues (në ndihmë të këtyre të fundit, shqiptarët e Muzakës dhe të Balshës mund të kishin bërë aleancë). Prandaj as i kënduan, as e mistifikuan këtë luftë. Hipoteza e tretë lidhet me rrethanat e krijuara pas Betejës: shqiptarët vendas, si mospjesëmarrës në Betejë, pas përfundimit të saj, do të jenë shpërngulur në masë nga ky territor, në jug ose në veri. Një ngjarje të tillë, me pasoja për ekzistencën e tyre, nuk kishin përse ta madhëronin, as ta glorifikonin. Dhe hipoteza e katërt lidhet me karakterin liturgjik të një pjese të eposit serb për Betejën e Kosovës: këtë epos mund ta kenë krijuar dhe mund ta kenë ruajtur murgjit serbë të manastireve, ku shqiptarët ortodoksë gjithnjë e më pak fillojnë të jenë të pranishëm dhe të identifikueshëm (për shkak të asimilimit dhe konvertimit). Madje, është e njohur historikisht se në periudhën pararendëse, gjatë pushtimit serb të Kosovës, kisha serbe, tashmë autoqefale, kishte ndërmarrë një invazion kundër klerit vendas, të cilin e persekutoi dhe e dëboi nga kishat, e bashkë me të sigurisht që dëboi edhe besimtarët shqiptarë.

Por nuk është vetëm Beteja e Kosovës ngjarja që shkakton konfuzion në historinë e kësaj treve. Në të vërtetë, çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës pas kësaj kohe dhe pas kësaj ngjarjeje? Ata paraqiten të stabilizuar si entitet në Kosovë dhe në dy shekujt vijues dalin si popullsi dominuese, pjesa dërmuese e konvertuar në fenë islame. Dokumentet turke e dëshmojnë këtë shumë qartë dhe demantojnë tezën serbe se shqiptarët filluan të bëheshin shumicë në Kosovë pas luftës austro-turke (1683-1690) dhe pas shpërnguljes serbe, të prirë nga Arsenije III. Në të vërtetë, këtu fshihet një mit tjetër serb për Kosovën, të cilët pretendimet për tokën e shenjtë gjithnjë i kanë ndërtuar gjoja sipas modeleve biblike. Sipas versionit të tyre të historisë, pas dështimit të kryengritësve serbë që u vunë në anën e ushtrisë austriake, pasoi një hakmarrje shqiptaro-turke, e cila shkaktoi eksodin biblik të serbëve (1690) në një numër fantastik prej 400-500 mijë syresh. Sipas këtij versioni, pikërisht me këtë rast ndodhi edhe ndryshimi i raporteve etnike në Kosovë, sepse hapësirën e zbrazët, prej nga u larguan serbët, me ndihmën e pakursyer të otomanëve, e pushtuan shqiptarët e ardhur nga viset malore të Shqipërisë.

Por ngjarjet duket se janë zhvilluar pak më ndryshe dhe kjo tashmë është e konfirmuar nga historianët. Është e vërtetë se lufta austro-turke dha shkas për një kryengritje në Kosovë në vitin 1688, por ajo kryengritje nuk ishte serbe, por shqiptare dhe atë e udhëhiqte Pjetër Bogdani. Në kryengritje mund të ishte përfshirë edhe një pakicë serbe, mirëpo ata nuk ishin shumicë, sepse në këtë kohë serbët si entitet nuk ishin shumicë në Kosovë. Këtë e konfirmojnë dokumentet turke, që dëshmojnë për një popullsi shumicë myslimane, ndërsa dihej që shqiptarët ishin ata që u konvertuan në masë në fenë islame. Pra, mund të ishte se kryengritja kishte dominim të krishterë dhe brenda saj mund të kishte përfshirë edhe një pakicë serbe, e cila, njësoj si të katolikët shqiptarë, vuanin nga represioni turk, por do të ishte e paakceptueshme që në krye të kryengritësve serbë të vihej një prift katolik shqiptar. Pas dështimit të kryengritjes, do të ndodhë eksodi, por ai do të jetë i përmasave shumë më të vogla. Përveç kësaj, nuk do të jenë vetëm serbët që u larguan nga Kosova, bashkë me ushtrinë austriake, por edhe një numër shqiptarësh katolikë, të cilët morën pjesë në kryengritje. Atëherë, përse duhet përmendur arnautët në këtë ngjarje, kur dihej se Stambolli ishte ai që iu sul kryengritësve? Sepse në krye të ekspeditës osmane, që vendosi rendin në Kosovë, ishte Mahmud Pashë Begolli, për të cilin historianët thonë se në radhët e ushtrisë së tij ndëshkuese kishte mobilizuar edhe shqiptarë, edhe serbë. Mirëpo, ishin njësitë tartare ato që ushtruan hakmarrjen e përgjakshme ndaj kryengritësve.

Megjithatë, për këtë periudhë historike, mbetet një dilemë e pasqaruar: Përse shqiptarët e Kosovës u konvertuan aq shpejt në fenë islame? Përse ata ishin kaq të paqëndrueshëm në fenë e tyre më të hershme, qoftë katolike apo ortodokse? Ky proces është interesant edhe për një arsye tjetër: ai zhvillohet më ndryshe, krahasuar me viset e tjera të banuara me shqiptarë, me përjashtim të zonave shqiptare të Maqedonisë, ku procesi i islamizimit është zhvilluar njëjtë si në Kosovë. Disa historianë duan të thonë se këtë proces në Kosovë e kanë nxitur disa zhvillime paraosmane, siç është rënia e njëkohshme e dinastisë dhe kishës serbe, nën administrimin e së cilës ishin edhe besimtarët shqiptarë ortodoksë të Kosovës. Disa të tjerë u japin përparësi aspekteve ekonomike, pra favoreve që u krijonte Perandoria Otomane atyre që përqafonin islamin.

Nuk janë të paktë edhe ata që e theksojnë dhunën si factor relevant. Por më të paktë janë ata që i japin rëndësi faktorit gjeografik, respektivisht konfiguracionit të relievit, i cili, duke qenë kryekëput fushor dhe nën trysninë e qarkullimeve si të karvanëve tregtare, ashtu edhe të njësive ushtarake, nuk siguronte asnjë mbrojtje për popullsinë vendase.

Pavarësisht se cili faktor kishte përparësi, e vërteta është se islamizimi i Kosovës pothuajse përfundoi që në shekujt XVI-XVII. Së pari, gjatë shekullit XVI, islamizimi përfshiu qytetet dhe qendrat urbane, në mënyrë që më pastaj, një shekull më vonë, të bëhej fe dominuese edhe në fshatra.

Kështu, ta zëmë, në fund të shekullit XV, Peja nuk kishte më shumë se 23 shtëpi myslimane, Vuçitërna 33, Prishtina 51, nga 299 sa kishte qyteti. Por një shekull më vonë në Pejë do të jetë rreth 90% e popullsisë myslimane, në Vuçitërnë 80%, në Prishtinë dhe Prizren 60%, ndërsa në Novobërdë, Trepçë e Janjevë kjo përqindje është dukshëm më e vogël. Pas qendrave urbane, pothuajse me një shekull vonesë, islamizimi përfshin edhe fshatrat e Kosovës, veçmas pas dështimit të kryengritjes kundërosmane të viteve 1688-1690. Në këtë kuadër është interesant fakti se Kosova, e cila nuk do të arrijë t’i japë pothuajse asgjë kulturore lëvizjes shqiptare të shekullit XIX, madje as të fillimit të shekullit XX, që në shekullin e parë pas pushtimit otoman, kulturës turke do t’i japë emra të shquar të dijes, veçmas të letërsisë. Poetët Mesihiu nga Prishtina dhe Suzi Çelebiu nga Prizreni, si dhe autori i një historie Xhelalzade Salih Çelebi, që të gjithë bëhen emra me nam në kulturën osmane që në fillim të shekullit XVI, kohë kur pushtimi osman mund të thuhet se ende nuk ishte stabilizuar tërësisht në trevat shqiptare.

Sadriazemët, vezirët dhe titullarët e tjerë të lartë, përgjithësisht shqiptarë, në administratën e Perandorisë do të jenë të shumtë, që nga fillimi dhe deri në ditët e fundit të sundimit të saj në Ballkan. Nga Kosova veçmas u krijua tradita e rekrutimit të ushtarakëve të zellshëm dhe të oficerëve të lartë, të cilët shumë shpesh viheshin edhe në krye të ekspeditave që i mësynin viset shqiptare.

 

Pikat themelore të identitetit

 

Ndërkohë, Europa iluministe e shekullit XVIII tashmë kishte filluar të merrej me çështjen shqiptare, me historinë dhe me gjuhën e tyre, në kuadër të thellimit të dijeve për shumë fusha shkencore. Ndonëse të heshtur nën sundimin e gjatë të Perandorisë Osmane, origjina, gjuha dhe historia e tyre e lashtë bëhen objekt studimesh të thelluara të shkencëtarëve enciklopedistë, të cilët hedhin idetë e para për origjinën ilire të shqiptarëve dhe përkatësinë indoevropiane të gjuhës shqipe. Që më 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuha e ilirëve të lashtë”, ndërsa në vitin 1774 Johan Tunman u përcakton shqiptarëve autoktoninë në hapësirat ku jetojnë dhe origjinën e tyre ilire, të cilët ishin “fqinjët e lashtë të grekëve dhe qytetarët e Romës antike”. Po në ato vite, Herderi shprehet se shqiptarët “nuk janë aspak popull I huaj, por një popull i lashtë i familjes europiane”. Po në atë kohë, në Europën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja tjetër, e cila mohonte origjinën autoktone të shqiptarëve, sikundër edhe prejardhjen e tyre ilire. Është interesant se ky mohim vinte nga autori bizantin Halkokondili, i cili i sjell shqiptarët gjatë mesjetës nga Alba e Italisë dhe nga dy historianë kishtarë, Le-Quien dhe Asseman, të cilët i bartin ata nga Albania e Kaukazit. (Duket se që atëherë fillon të diferencohet një qëndrim negativ i botës së krishterë ndaj shqiptarëve me shkallë të lartë të islamizimit.)

Kjo periudhë e iluminizmit europian përputhet me një situatë të favorshme për shqiptarët: Ali Pashë Tepelena bën një pashallëk të fuqishëm dhe pothuajse autonom, i cili bëhet ambient interesant për shumë europianë, duke filluar nga poetët romantikë, që kërkonin aventura për të qetësuar shpirtin e trazuar, e deri te udhëpërshkrues e studiues të ndryshëm, të cilët çuan në Europë idenë e ekzistimit të një populli të ndryshëm nga grekët dhe turqit. Në këtë pikë Ali Pashai ka meritë shumë më të madhe për shqiptarët, se sa të gjitha bëmat e tij ushtarake, gjithmonë kontradiktore. Ndër të tjera, në pashallëkun e tij u vendosën për herë të pare përfaqësues diplomatikë të Francës dhe të Anglisë, më vonë edhe të shteteve të tjera, të cilët me veprat e tyre i dhanë botës shkencore evropiane informacione të vlefshme për historinë dhe aktualitetin shqiptar (Pukëvili, Liku, Bajroni, Hobhaus, Bue, Hezej etj.).

Edhe pas rënies së Ali Pashait, tradita e krijuar e konsujve udhëpërshkrues do të vazhdojë pothuajse përgjatë gjithë shekullit XIX, ndër të cilët Johan fon Hahni mbetet më i spikaturi. Njërin nga mitet shqiptare, i cili më vonë do të krijojë shumë probleme në marrëdhëniet tona me sllavët, do të jetë thënia e këtij gjermani, se “shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi”, ose “miti” tjetër, që do ta lëndojë sedrën serbe dhe do ta nxisë krenarinë shqiptare, do të lidhet po me konstatimet e Hahnit, se bota e lashtë nuk ishte vetëm greke e romake, por edhe ilire.

Gjithsesi më i kontestuar për historiografinë serbe do të jetë konstatimi i tij për autoktoninë e shqiptarëve të Kosovës, të Serbisë së sotme dhe të Maqedonisë. Nëse shqipja flitej ndër zona malore të këtyre hapësirave, kurse sllavishtja në luginat dhe fushat që shtrihen rreth tyre, thoshte ai, “atëherë kjo shpjegohet si pasojë e një pushtimi”, ku gjuha e parë u takon shqiptarëve që u detyruan të prapseshin ndër male, kurse e dyta sllavëve që erdhën si pushtues. Ose tjetri konstatim i tij, se kosovarët janë pasardhës të dardanëve dhe se vetë “topografia e Kosovës tregon se shqiptarët e Kosovës në tërë zonën malore të saj formojnë një tërësi të pandërprerë me Shqipërinë, kurse në zonat fushore kjo vazhdueshmëri është e ndërprerë nga elementi serb”. Një gjermani tjetër, historianit Mommsen, ndër më të mëdhenjtë historianë të dy shekujve të fundit, i takon identifikimi I epirotëve të lashtë të prirë nga Pirroja si “shqiptarë të lashtësisë”.

Pra, ishte dija europiane ajo që kishte përcaktuar vijat kryesore të identitetit shqiptar, identitet ky që ndër shqiptarët ende kishte jehonë të largët, por që sillej rreth po atyre pikave “kumulative”, të cilat krijonin edhe identitetet e tjera kombëtare, siç ishte gjuha e veçantë në familjen indoeurpiane, autoktonia, origjina ilire e kështu me radhë, identitet ky që forcohej me argumentimin përkatës historik, me bëmat e mbretërve ilirë dhe me luftërat e lavdishme të Skënderbeut. Në këtë identitet shqiptar doemos që ishte përfshirë edhe Kosova. Ndërkohë, nga shqiptarët, të njëkohshëm me dijetarët evropianë, janë vetëm priftërinjtë katolikë të maleve veriore të Shqipërisë, si Budi e Bardhi, që me veprat e tyre i japin lëndë gjuhësore Lajbnicit, sikundër edhe dijetarët arbëreshë, të cilët, edhe përkundër faktit se për zgjimin kombëtar të shqiptarëve cyteshin nga interest italiane në Adriatik, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në identifikimin e postulateve themelore të identitetit kombëtar shqiptar. Më anë tjetër, një elitë intelektuale shqiptare, brenda Shqipërisë ose ndër kolonitë shqiptare, e cila do të mund ta bënte të njëjtën gjë, ende nuk ishte profilizuar qartë dhe, me pak përjashtime, ajo nuk do të formësohet deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur tashmë i gjen të gatshme postulatet e identitetit. Kjo ndodh për shkak se bota shqiptare përjetonte prej disa shekujsh letargjinë feudale të Perandorisë Osmane dhe në fushën e ideve ende kishte mbetur shumë prapa.

Atëherë, si ndodhi pra që po kjo Europë, e cila i vendosi piketat kryesore të identitetit kombëtar shqiptar, në çastet vendimtare, siç ishte Kongresi i Berlinit ose më vonë konferencat e paqes në Londër dhe Paris, jo vetëm që nuk i mbështeti shqiptarët në të drejtën e tyre për shtet natyral në hapësirën etnike, por në një mënyrë ua dha të drejtën fqinjëve të shqiptarëve që në tërësi ta zhbënin këtë popull?

Si ndodhi kjo kthesë kaq e madhe? Ishin shqiptarët fajtorë për këtë, apo Europa kishte ndryshuar pikëpamje? Ose, në këtë ndeshje të ashpër dhe përfundimtare ndërmjet shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, grekëve, serbëve, malazezve, se kush nga Ballkani do t’i bashkohej Europës dhe kush duhej të dëbohej bashkë me Perandorinë Osmane, shqiptarët kishin dalë të humbur, e para, për shkak të shkallës së lartë të islamizimit dhe të identifikimit tepër të ngathtë me identitetin europian; dhe, e dyta, për shkak të ndërhyrjes së fuqishme të Rusisë, e cila tashmë kishte bërë vend në radhën e fuqive të mëdha evropiane dhe në Ballkan kishte gjetur aleatë që i premtonin dalje në ujërat e ngrohta.

Në mesin e këtyre aleatëve natyrorë të Rusisë mund të ishin të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, përveç shqiptarëve, të cilët tashmë kishin filluar ta bënin pjesë të identitetit të tyre antisllavizmin. Më anë tjetër, në përballjen me Rusinë nëpër konferenca të ndryshme të paqes, fuqitë europiane, të cilat ishin vënë në lëvizje ta rregullonin Europën pas dëbimit të Turqisë nga kontinenti i vjetër, thuaja se i kishin gjetur shqiptarët si viktimë të përshtatshme për çdo lloj pazari. Zërat reformatorë, të cilët kishin bërë shumë në formësimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe që e kishin hapur rrugën e tyre drejt Europës, tërhiqen dhe heshtën në përballje me konservatorizmin e krishterë, i cili fiton pikë në rrethanat e ngadhënjimit kundrejt armikut të vjetër fetar, perandorisë islamike të otomanëve.

Please follow and like us: