SHBA mund t’u mohojë vizat anëtarëve të Partisë Komuniste të Kinës
Administrata e Presidentit Trump po shikon mundësinë e ndalimit të udhëtimeve për të gjithë anëtarët e Partisë Komuniste Kineze dhe familjet e tyre, një hap që do të keqësonte më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, sipas një personi që është në dijeni të çështjes.
Sipas këtij burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, disa zyrtarë të lartë kanë filluar të qarkullojnë projektin e një urdhri të mundshëm presidencial, por diskutimet janë në fazat e para dhe çështja nuk është paraqitur ende tek Presidenti Donald Trump.
Diskutimet, të njoftuara për herë të parë nga gazeta New York Times, janë përqendruar te çështja nëse do të mohohen vizat amerikane për dhjetëra miliona kinezë, që do të ishte ndoshta masa më e ashpër deri më sot që do të ndërmerrte Uashingtoni, mosmarrëveshjet e të cilit me Pekinin vazhdojnë të zgjerohen, duke u krahasuar nga disa me një Luftë të Ftohtë.
Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha të botës janë zhytur në pikën më të ulët në dekada, ndërsa përplasjet vazhdojnë në disa fronte, duke përfshirë trajtimin nga Kina të shpërthimit të koronavirusit, shtrëngimin e kontrollit të saj në Hong Kong, tregtinë dhe akuzat për krime të të drejtave të njeriut në rajonin e Sinkiangut.
Zyrtarë të SHBA në shumë agjenci federale po marrin pjesë në këtë proces, i cili gjithashtu përfshin shqyrtimin e mundësisë që fëmijët e anëtarëve të Partisë Komuniste Kineze të mos lejohen të ndjekin universitetet amerikane, tha një burim për agjencinë e lajmeve Reuters.
Fakti që një ndalim me përmasa të tilla po shqyrtohet seriozisht, duket se rithekson përpjekjet e ndihmësve të zotit Trump për ta bërë qëndrimin e ashpër ndaj Kinës një ndër temat qendrore të fushatës së tij për rizgjedhje.
Presidenti Trump dhe kandidati i pritshëm demokrat për president, Joe Biden po konkurrojnë se kush do të mbajë qëndrime më të forta ndaj Kinës.