Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Klasë politike 30-vjeçare që koha e ka konsumuar, boll!

 

Bardhyl Berberi
Edhe pse duhet më pak se një vit që të nis fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, sulmet dhe hedhja e baltës ka filluar me artileri të rëndë… Liderët po luajnë shumë fort me zëra të ngjiruar, por çuditërisht populli i zhgënjyer dhe zhgërryer nga këta drejtues i ka marrë këto zgjedhje me përtesë…

Realiteti nuk duket aq paqësor sa u duket politikanëve. Kanë plasur sondazhet, madje edhe baste midis bosave që mbruajnë partitë e tyre që i kanë bërë të dhjamur… Populli thotë: Gosti të hash çdo ditë dhe të mërzitet e jo të dëgjosh dënglat e politikanëve tanë.

Në murin e një fasade në qytet ishte shkruar para pak ditesh:

– Unë votoj/Ti voton/Ne votojmë/Ata fitojnë…

Mesazhet janë të qarta.

Shumë shpesh dhe pa arsye, po na shkëpusin nga jeta jonë e vërtetë me anën e rrjeteve sociale. Na serviren lloj-lloj ngjarjesh që askujt nuk i hyjnë në punë… Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka se cili nga ata, do të jetë në parlament? Pushteti i vërtetë nuk del nga populli, por nga listat e mbyllura të kryetarëve të këtyre partive.

Por, thonë, demokracia kështu e ka. Oligarkët, thjesht e adhurojnë lojën e demokracisë. Kështu ajo e legjitimon pronën e blerë me parat e qytetarëve. Na nxjerrin në votime, sa herë të duhet të vërtetojnë bastet, të legjitimojnë lojën që të çelnikosin karriken e tyre. Vështirë se luan rol për popullin se kush do të fitojë.

Edhe elektoratin, për aq sa u duhet e mbajnë peng, e kanë blerë me premtime të pafund për vende pune dhe afera tenderash dhe koncesionesh.

Por, te ne, demokracia ka dalë prej mode, përfundimisht populli është zhgënjyer aty ku s’mban më nga ‘mullarët’ me premtime dhe asgjë në torbë.

Zgjedhjet tek ne janë bërë të kurdisura. Zgjedhjet mbahen, jo për të zgjedhur, deputetët apo drejtues  lokalë, por vetëm për të vërtetuar bastet. Më kot insiston Evropa edhe Amerika, për lista të (pa)pastra. Përse na mundoni kot. Populli thotë: Selanik e tatëpjetë, sië ka qënë do të jetë.

Nëse nuk ju pëlqen, të dashur pushtetarë, na e jepni një shans, na jepni ide të qarta dhe platforma reale se vërtet  jetën tonë do ta ndryshoni cilësisht. Duam që premtimet tuaja kur të merrni karriken të jenë me procedurë të shkurtuar e jo të presim katër vjet… Boll na lodhët. E shikoni që të gjithë duan të largohen nga Shqipëria pasi ju në fjalimet tuaja të stërholluara me lloj-lloj sofizmash nuk u jepni njerëzve qoftë edhe një arsye se pse ata duhet të qëndrojnë më në Shqipëri me këtë klasë politike ‘forixhoko’.

Pastaj, përse bëheni merak? Ne e kemi modelin, që të dalldisemi pas tij. Njerëzve ju ka rënë krejt interesi për ju. Ju nuk jeni më mite që ata t’iu shikojnë në sy. I keni zhgënjyer dhe unë sinqerisht nuk e di, por mesa kemi kontakte me njerëz të thjeshtë shumë prej tyre nuk duan të votojnë për asnjë forcë politike. Në në këto 30 vjet, nuk kemi pasur shtet, në kuptimin e plotë të fjalës dhe kjo ka bërë që të bien mitet. Koha të konsumon, të zvenit kur zhgënjen qytetarët e tu. Qytetarët duhet të shërbejnë për shtetin, institucionet, presidentin…!

Qytetarët tanë e duan demokracinë, ata e kanë ëndërruar atë, por jo këtë demokraci allashqiptarçe, të arnuar keq.  Në zgjedhjet e kaluara e dinë më së miri, edhe nga vëzhguesit ndërkombëtare se në Shqipëri vidhej ose blihej vota. As vjedhja nuk është më dukuri negative dhe e rrallë. Është industrializuar dhe institucionalizuar.

Nëse demokracia është si një pikë bastesh, edhe rezultatet duhet të përshtaten me bastet. Varet sa kush ka investuar.në këto baste politike. Bastoret i fitojnë më shumë, ata që nuk pritej dhe shpesh herë dalin më të fituar. ‘Kali i Trojës’ njihet edhe në politikë.
Gjithiçka dihet e përsëri votohet. Kjo klasë e degraduar politike i ka zhytur në pikëllim të thellë njerëzit e thjeshtë dhe hallexhinjtë kanë rënë  në mendime.

Po me ne çfarë do të ndodhi?

Të dalim në votime apo të mos dalim, kjo është çështja? Sic ka thënë  Oruell, duke dalë, edhe ne bëhemi bashkëpunëtorë në mashtrim. Në fund të fundit, edhe nëse nuk dalim, prap se prapë gjithçka do të vazhdojë sipas skenarit. Ka kush voton për ne…! Bastexhinjtë që po presin të fitojnë bastet për partitë e tyre që janë duke bërë tifozllik, sontazhe të manipuluara që i bëjnë disa politikanë fitues duke parë ëndërra të bukura  sikur kanë marrë karriken e kryeministrit . Në këto 30 vjet këtë klasë politike koha e ka konsumuar deri në palcë, boll më, shkoni në shtëpi…

 

Oliver Cromwell në 1653: Politikanë, pash Zotin, shporruni!

 

Please follow and like us: