Frank Shkreli: AT SHTJEFËN KURTI, NJËRI PREJ 100 VIKTIMAVE MË TË NJOHURA TË KOMUNIZMIT NDËRKOMBËTAR
Instituti Kombëtar i Kujtesës – Komisioni për Zbulimin dhe Dënimin e Krimeve kundër Kombit Polak”, është një ent qeveritar, përgjegjës për arkivat e Polonisë dhe ç’prej vitit 2007 edhe për lustracionin dhe për zbulimin e krimeve të kryera kundër Kombit Polak. Misioni i këtij instituti është të ndërmarrë hetime për krimet e regjimeve komuniste dhe naziste në Poloni, të kryera midis viteve 1917-1990 dhe njëherazi dokumenton zbulimet dhe ia shpërndan ato publikut. Kohët e fundit, Instituti Kombëtar i Kujtesës ka publikuar një listë me emërat e viktimave më të njohura të komunizmit në botë, duke përfshirë në këtë listë edhe priftin katolik shqiptar, At Shtjefën Kurtin, viktimën e pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës, i ekzekutuar nga një skuadër pushkatimi me 20 Nëntor,1971. Nuk jam i sigurt se çfarë kriteresh ka përdorur Instituti polak që ka seleksionuar këta 100 persona, viktima të komunizmit ndërkombëtar, por ky vendim duhet të shikohet përball faktit se, bazuar në të dhënat e veprës autoritative mbi krimet e komunizmit, “Libri i Zi i Komunizmit”, komunizmi ndërkombëtar ka vrarë 80-100 milion veta.
Shtjefën Kurti (24 dhjetor 1898 – 20 tetor 1971) ishte një prift katolik shqiptar, i ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë një periudhe të përndjekjes komuniste kundër fesë dhe klerit, nga një regjim anti-kombëtar, i cili ishte i pari dhe i fundit në botë — të pakën deri tani — që i kishte deklaruar luftë edhe Perendisë. Kurti shërbeu si prift gjatë një periudhe tepër të vështirë për besimet fetare në Shqipëri, një vend në të cilin shtypja komuniste kishte për objektiv përndjekjen dhe mbylljen e kishave dhe xhamive si dhe burgosjen, internimin dhe eliminimin fizik të klerikëve. Ai, në përgjithësi simbolizon persekutimin e qindra klerikve katolikë dhe të feve të tjera të intrenuar e të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, por prej tani, ai do të njihet edhe si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar, në botë.
Dy biografë zyrtarë të At Shtjefën Kurtit, nipi i tij Nikolin Kurti dhe bashkautori Nikollë Loka kanë botuar dy monografi për jetën, veprimtarinë dhe për vrasjen makabër të At Shtjefën Kurit, e ku jepen hollësi të pa zbuluara deri tani për jetën, veprimtarinë dhe eliminimin e tij nga regjimi komunist enverist. I ndjeri At Kurti, në përgjithësi simbolizon persekutimin e qindra klerikëve katolikë dhe të tjerë të intrenuar e të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, por prej tani, ai do të njihet edhe si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar në botë, i vrarë nga një skuadër pushkatimi.
Biografët e tij shënojnë se para komunizmit, Dom Shtjefën Kurti ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, sidomos shqiptarëve nën Jugosllavi. Vlen të përmendet përkujtesa, “Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, e përgatitur prej tij, dërguar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Gjithnjë sipas autorëve Nikolin Kurti dhe Nikollë Loka, Dom Shtjefni është arsimuar në Itali dhe Austri, ndërsa gëzonte një reputacion të jashtëzakonshëm në popull, si klerik dhe atdhetar. Viti 1945 e gjeti Dom Shtjefën Kurtin famullitar në kishën katolike në Tiranë. Këtu, sipas tyre, fillon edhe përndjekja që nuk ndalet asnjë çast deri në eliminimin e tij. Më konkretisht, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimit. Lirohet nga burgu i Burrelit në vitin 1966 dhe arrestohet sërish në vitin 1971 për spiunazh, sabotazh, dhe kryerjen në fshehtësi të riteve fetare. Madje, historia e tij e ekzekutimit, vetëm për shkak se pagëzoi një fëmijë, ka mbetur në kujtesën kolektive si një nga aktet më absurde dhe më të shëmtuara të komunistëve. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua nga një skuadër speciale pushkatimi me 20 nëntor 1971, por sot e kësaj dite nuk janë gjetur eshtrat e tij. Me 5 Nëntor 2016, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri nga 40 klerikët që u lumënuan si “Martir” dhe u pranua shenjtor i Kishës Katolike.
Albania Is Said to Execute Priest for Baptizing Child
March 28, 1973
The New York Times Archives
VIENNA, March 27 (AP)—The Roman Catholic news agency Kathpress said today that a priest has been reported executed in Albania for secretly baptizing a child. Albania is Communist‐ruled and religious rites are outlawed. Kathpress said reports from residents in the Albanian‐Yugoslav border area identified the priest as the Rev. Stephen Kurti, an inmate at a labor camp. The agency added that the clergyman was reported to have been asked by a woman to baptize her child and was seen doing it. He was then reported to the authorities…”.
Një paraqitje retrospektive – Komuniteti shqiptaro-amerikan me të mësuar lajmin e vonuar të vrasjes së Dom Shtjefën Kurtit në Shqipëri, nga burime lajmesh amerikane dhe ndërkombëtare, siç është gazeta e njohur New York Times (si më lartë).
Lajmi për ekzekutimin barbar të Dom Shtjefën Kurtit u prit me zemërim dhe hidhërim të thellë nga komuniteti shqiptar në Nju Jork, pa dallim feje a krahine. U hodhëm menjëherë në lëvizje për të protestuar këtë krim shtetëror anti-njerëzor dhe organizuam shpejt e shpejt një demonstratë para Misionit të Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (ku “diplomatët” e Enverit na gjuajtën me vezë nga dritaret e tyre) dhe para vet kryeqendrës së Organizatës botërore (OKB), me qëllim për të sensibilizuar opinion amerikan dhe ndërkombëtar për këtë akt makabër të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Morën pjesë përfaqësues nga mbarë komuniteti, i prirë nga Monsinjor Zef Oroshi dhe Imam Isa Hoxha, për të vënë në dukje para botës krimet e atij regjimi, sidomos, kundër klerikëve katolikë, por edhe të feve tjera në Shqipëri. Ishte ky një lajm që tronditi botën perëndimore në atë kohë, por ishte edhe një zgjim për gjëndjen e mjerueshme, jo vetëm të klerikëve si Dom Shtjefën Kurti. Vrasja e tij ishte gjithashtu edhe një lajm ilustrues i gjëndjes së mjerueshme dhe diktaturës së egër komuniste, në përgjithësi, në Shqipëri e Enver Hoxhës. Megjithë mentalitetin prej bunkeri, kur pa se lajmi për vrasjen e Dom Shtjefnit kishte marrë dhenë, regjimi fashisto-komunist enverist u detyrua më në fund të pranonte, nepërmjet gazetës Zëri i Popullit — zëdhënses së besueshme dhe besnike të regjimit dhe të Partisë Komuniste — aktin makabër të pushkatimit të priftit katolik, ndërsa shkruante se Dom Shtjefën Kurti qe dënuar me të drejtë, sipas saj, si “spiun, bandit dhe avanturist”. Sipas Zërit të Popullit, Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte planifikuar rrëximin e regjimit komunist”.
Përveçse ishte një koment kundër At Shtjefën Kurtit, komenti i Zërit të Popullit, reflektonte situatën në një vend që ishte në konflikt të pa shpresë me vet-veten, një shtet që ishte vet-izoluar nga bota dhe një vend që i kishte shpallë luftë jo vetëm gjithë botës, por kishte shpall edhe Perendinë armik që duhej luftuar me çdo mjete propagande, duke shpallur me ligj Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, pasojat e të cilit, fatkeqësisht shihen edhe sot, jo vetëm në jetën shoqërore në përgjithësis por sidomos në arenën jo tolerante politike.
Është vërtetë shqetësues fakti se ndryshe nga vendet tjera ish-komuniste, Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë për të gjetur dhe për të identifikuar eshtrat e viktimave të komunizmit ose vendet ku janë hedhur ato pas ekzekutimit, përfshirë edhe eshtrat e At Shtjefën Kurtit, megjithë vëmendjen vendore, ndërkombëtare dhe Vatikanit — që ka tërhequr rasti i tij tragjik gjatë viteve e deri tani, siç tregon edhe përzgjedhja e tij nga Instituti Kombëtar Polak i Kujtesës, si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit.
Gjithashtu është shumë shqetësues fakti që eshtrat e Dom Shtjefën Kurtit – vrasjen e të cilit komuniteti shqiptaro-amerikan e protestoi para botës pothuaj 50 vjet më parë — e të cilat i kërkon familja e tij edhe sot e kësaj dite, nuk janë gjetur ende, megjithë përpjekjet private të familjes, sipas nipit të tij Nikolin Kurti, për të zbuluar vendin dhe për gjetur eshtrat e axhës së tij.
Por siç duket, shpresa për të zbuluar të vërtetën nuk vdes kurrë, madje as në Shqipëri. Përballë refuzimit të qeverisë shqiptare për t’i hyrë kësaj pune tepër të rëndësishme për paqën dhe pajtimin në vend, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me një thirrje që botoi para një jave, fton shoqatat, organizatat e familjeve të personave të zhdukur dhe organizatat e shoqërisë civile të paraqesin një kërkesë/aplikim për Programin Grantet e Vogla të ICMP për Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur/Organizata të Shoqërisë Civile, Shqipëri 2020-2021. ICMP është një organizatë ndërkombëtare e pavarur, e bazuar në marrveshje ndërkombëtare, me më shumë se 20 vjet përvojë në 40 vende. Eshtë e vetmja organizatë ndërkombëtare që ka si detyrë ekskluzive të punojë për çështjen e personave të zhdukur. ICMP ndihmon qeveritë të ndërtojnë institucione të sundimit të ligjit që kërkojnë me sukses dhe paanshmëri personat e zhdukur dhe mbështet përpjekjet për t’iu bërë të mundur familjeve të të zhdukurve të mbrojnë të drejtat e tyre. Programi i ICMP i Granteve të Vogla (të ICMP Albania 2020-2021), financohet nga Bashkimi Evropian.
Për më shumë hollësi lexuesi dhe familjet e personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit, por edhe të tjerë të interesuar në këtë subjekt, mund të lexojnë më shumë hollësi në linkun më sipër ose në portalin e ICMP.
Fatkeqësisht, gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm jemi mësuar, pasi kemi mjaft arsye të themi kështu, se megjithëse e mirëpritur kjo nismë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, megjithëse e vonuar, shpresojmë që të mos jetë një përpjekje e kotë, kryesisht, për arsye të mos bashkpunimit të organeve qeveritare të Shqipërisë për të zbuluar të vërtetën se çfarë ka ndodhur me personat e zhdukuir në Shqipëri gjatë komunizmit. Shoqëria shqiptare, por sidomos familjet e të zhdukurve të viktimave të komunizmit, kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën për të afërmit e tyre, që të vihet drejtësia në vend, si edhe të sigurohen dëmshpërblimet që të gjitha shtetet, përfshirë Shqipërinë, kanë një detyrim të respektojnë – nëqoftse duam që Shqipëria të bëhet ndonjëherë një shtet normal me standarde evropiane. Shpresojmë në suksesin e Programit të ICMP të Granteve të Vogla (të ICMP Shqipëria 2020-2021). Shpresojmë dhe lutemi me familjet e viktimave të komunizmit anë e mbanë Shqipërisë, që presin pa shpresë për 30-vjet, për të mësuar më në fund të vërtetën mbi fatin e keq të të afërmëve të tyre, përfshirë familjen e At Shtjefën Kurtit! Dështimi nuk është i pranueshëm.
Kujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973.
Ish-Udhëheqësi shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha duke folur në demonstratën e komunitetit shqiptaro-amerikan për të protestuar vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit, para OKB-së, 1973.
Demonstrues me pllakarda: “Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi që ëshët pushkatuar nga regjimi komunist” –“Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirjel të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…”.
Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1971.