Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (4)

IDENTITETI PA SHTET

 

Përfshirja identitare e Kosovës

 

Nga këndvështrimi i sotshëm, Kosova arrin në shekullin XIX, në kohën e zgjimit kombëtar të të gjithë popujve të Ballkanit, me disa kontestime të fuqishme brenda saj, nga të cilët tri janë më me rëndësi: e para, me shkallë të lartë të islamizimit, që pothuajse nuk gjen një shembull të tillë në asnjë hapësirë tjetër të Ballkanit; e dyta, me një situate thellësisht të paqartë në raport me lëvizjet politike në hapësirat e tjera shqiptare; dhe, e treta, me një histori të pasur luftërash ndërmjet familjeve të mëdha, traditë kjo që në Kosovë do ta ruajë vazhdimësinë deri në ditët e sotme.

Atëherë, si ndodhi që Kosova, gati si papritur, në vitin 1878 bëhet qendër e lëvizjes kombëtare shqiptare, epiqendër e ngjarjeve më të rëndësishme historike të shekullit XIX ndër shqiptarët dhe njëkohësisht promotor i zhvillimeve politike, deri në pavarësinë e Shqipërisë? Në të vërtetë, Lidhja e Prizrenit është ngjarja e parë historike me forcë integruese ndër shqiptarët të përfshirë nën sundimin e Perandorisë Osmane, sikundër që është edhe ngjarja e parë që i identifikon ata në tërësinë e tyre si entitet më vete në kuadër të Perandorisë. Para Lidhjes së Prizrenit shqiptarët kishin marrë pjesë në bërjen e historisë së Turqisë, përfshirë këtu edhe Ali Pashë Tepelenën zulmëmadh. Tani ata shkonin një hap më tej: ende bënin Perandorinë, sepse një pjesë e tyre kërkonin pikërisht ruajtjen e saj në Ballkan, por, me këtë rast, kishin shpërfaqur interesa që nuk ishin krejtësisht të njëjta me ato të Turqisë. Nga ana tjetër, Lidhja e Prizrenit më shumë se si ngjarje, për shqiptarët kishte rëndësi si lëvizje. Si ngjarje historike ajo ishte njëra nga shumë luftërat e humbura, por si lëvizje bëri një integrim (të fuqishëm për kohën) të shqiptarëve rreth një ideje. Deri atëherë nuk kishte ndodhur që shqiptarët nën sundimin turk të integroheshin në një ide dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja përse ata u shfaqën të vonuar në skenën politike të Ballkanit dhe të Europës. Para Lidhjes së Prizrenit ata ishin mobilizuar nga Ali Pashai dhe Bushatlinjtë për të bërë pashallëqe, por lufta e tyre nuk kishte pasur asnjë parashenjë shqiptare. Ali Pashë Tepelena u ndihmoi grekëve që të bënin shtetin, ndërkohë që shqiptarëve u solli shumë fatkeqësi. Me Lidhjen e Prizrenit çështja qëndronte më ndryshe: shqiptarët tani kishin një ide që ta çonin përpara dhe kishin një interes, i cili mund të ishte i njëjtë ose i ndryshëm me atë të Perandorisë.

Duke parë rrethanat dhe zhvillimet rreth Lidhjes, nuk ka sesi të të mos shkojë mendja te vështirësitë e jashtëzakonshme të atyre që e kanë ideuar këtë lëvizje, qofshin ata të Komitetit të Stambollit apo personalitete të shquara vendore. Vështirësi edhe më të mëdha duhet të kenë pasur ata që lëvizjes u përpoqën t’i jepnin karakter shqiptar. Vartësit e Perandorisë, ku bënin pjesë edhe kosovarët dhe shqiptarët e zonave të rrezikuara pas paqes së Shën Stefanit, nuk do të ketë qenë aq vështirë t’i mobilizoje për t’u mbrojtur nga aneksimet serbe, malazeze ose bullgare, sepse në luftë i çonte instinkti i mbrojtjes, njësoj si identifikimi i gjatë me Perandorinë, apo edhe tradita e luftërave të shpeshta me fqinjët plaçkitës dhe uzurpatorë.

Por do të ketë qenë shumë më e vështirë që në këtë luftë të futeshin me idenë e bërjes së një Shqipërie sovrane, për të cilën duhej të luftonin pjesëtarë të një kombësie tërësisht të paintegruar mes veti. Për këtë ide duhej të luftohej që nga Ulqini deri në sanxhakun e Nishit, nga Preveza deri malet e Plavës dhe të Gucisë, në një kohë që kjo botë shqiptare pothuajse asnjëherë nuk kishte funksionuar si një e tërë, aq më pak në një perandori të prapambetur, me infrastructure të degraduar dhe me ndarje të thellë administrative ndërmjet vilajeteve. Më së vështiri do të ketë qenë t’i vije në lëvizje kosovarët, tashmë tërësisht të identifikuar me Perandorinë dhe në çdo pikëpamje të lidhur me interesat e saj.

Prandaj, ishte krejt e natyrshme që në Lidhjen e Prizrenit të kishte dy rryma, njëra që ishte proturke dhe një tjetër që mezi arriti të identifikohej si shqiptare. Nuk ishte aspak e çuditshme që rryma proturke dominonte përgjatë gjithë kohës së mbajtjes së kuvendeve dhe mbledhjeve, sepse Lidhja, sado që ishte ideuar nga Komiteti i Stambollit dhe brenda kishte ide kombëtare, në rrethanat e Prizrenit, ku duhej të bëhej implementimi, dominohej nga një elite titullarësh me edukatë dhe bindje plotësisht otomane. Vetëm implementimi i vendimeve të Lidhjes, jashtë mbledhjeve dhe jashtë dokumenteve të shkruara turqisht, i dha asaj karakter shqiptar, sepse në këtë fazë ajo doli nga shtrëngesa e bejlerëve dhe myderizëve dhe mori përmasat e një lëvizjeje popullore, me prijës dhe tribunë që nuk i përimtonin idetë me numërimin e tespiheve. Mirëpo, ishte po kjo rrethanë që i ndihmoi Lidhjes të pësonte disfatë, sapo u përball me një ushtri të mirëfilltë turke, sepse në mbrojtjen e saj u vu një numër i kufizuar vullnetarësh, të mbledhur kryesisht nga zonat rurale, ndërkohë që vendbanimet urbane të Kosovës duket se e mbështeten ekspeditën e Dervish Pashës. Kjo ndodhte për shkak se elitat urbane të Kosovës atëbotë kishin degraduar plotësisht në ithtarë të një orientalizmi dhe osmanizmi ekstrem. Tek ata, që nga fillimi, nuk do të funksiononte kurrë ideja e shkëputjes nga Turqia, por në idenë e autonomisë në kuadër të Perandorisë gjenin interesat e tyre krejt reale: pas reformave të Tanzimatit titullarët e familjeve të mëdha vendore kishin humbur fuqinë e dikurshme, kështu që një autonomi në kuadër të Perandorisë mund t’ua kthente këto privilegje. Deri këtu mund ta çoje elitën kosovare, më tuje asnjë hap.

Ndërkohë, situata rreth Lidhjes u dramatizua atëherë, kur, nga njëra anë, u kuptua se Turqia po i tradhtonte interesat e shtetasve të saj dhe se Perandoria, që i kishte mbajtur nën sundim pesë shekuj, copë pas cope po ua dorëzonte tokat e tyre “kryqalive”, ndërsa, më anë tjetër, disa nga ideatorët e Lidhjes kërkonin “t’i ngulnin thikën pas shpine” Perandorisë, duke shpikur njëfarë arnautllëku në kufijtë e saj të bekuar nga vetë Allahu. Edhe përkundër tradhtisë së hapur që po ua bënte Stambolli, popullsia urbane e Kosovës do të qëndrojë e pa luhatur në mbështetje baba Dovletit dhe nuk do të rreshtohet në mbështetje të ideve dhe as të strukturave të organizuara të Lidhjes. Vetë qyteti i Prizrenit nuk ndërmori asnjë hap në këtë drejtim. Mirëpo, duket se qarkullimi ideve të Lidhjes, pavarësisht nga shkalla e pamjaftueshme e mbështetjes, do të vërë në lëvizje botën shqiptare, përfshirë edhe një pjesë të mirë të popullsisë së Kosovës të zhytur thellë në orientalizëm. Për herë të pare shqiptarët po funksiononin si komb i tërë, pavarësisht dallimeve fetare dhe krahinore. Kosova tashmë ishte pjesë e kësaj tërësie dhe pak nga pak po kryente një proces identifikimi.

Edhe përkundër të gjitha përpjekjeve dhe luftërave, me këtë rast shqiptarët nuk e bënë dot shtetin e tyre. Fuqitë e mëdha duket se kishin informacione të sakta për pamjaftueshmërinë e organizimit të tyre rreth kësaj ideje. Europianët duket se e dinin mirë se çfarë ndodhte në mileun shqiptar, se brenda tij kishte një diversitet në idenë bazë rreth autonomisë në kuadër të Perandorisë osmane, apo të një pavarësie të plotë të Shqipërisë. Vonesën në kthjellimin e kësaj ideje shqiptarët do ta paguajnë shtrenjtë në vitet, në dhjetëvjeçarët dhe në shekullin që erdh pastaj.

 

Idetë unifikuese

 

Tre dhjetëvjetëshat pas Lidhjes së Prizrenit do të jetë koha me ngjarjet më dinamike dhe më domethënëse, më përmbajtësore që janë zhvilluar ndonjëherë ndër shqiptarët. Realisht, pas një procesi të mundimshëm përgatitor, për të cilin nuk mund të thuhet se shkoi aq mirë, për këto tri decenie shqiptarët u bënë komb me të gjitha karakteristikat e identitetit: me gjuhë, me shkrim, me letërsi, me histori, me botime, me shtyp, me shkolla, me simbole, me flamur, me mitin e tyre kombëtar (Skënderbeun) që duhej t’i frymëzonte në luftë për liri, me një lëvizje politike pothuajse të unifikuar për pavarësi dhe shtet kombëtar, pra, thënë me një fjalë, me të gjitha atributet që duhej t’i kishte një komb ballkanik, i cili bënte luftë të vështirë në shumë fronte njëherësh: luftë për mbijetesë, për identitet, për liri, për shtet kombëtar, për prosperitet, për zhvillim arsimor, kulturor etj.

Realisht, kombi as që mund të jetë gjë tjetër, përveç se përfshirja e një komuniteti në një lëvizje të këtillë. Kjo lëvizje ndodhi pikërisht në periudhën nga Lidhja e Prizrenit e deri më 1912. Ato vite janë të mbushura me ngjarje politike dhe ushtarake, janë të mbushura me ngjarje kulturore dhe arsimore; mbi të gjitha, janë të mbushura me ide të një unifikimi kombëtar.

Pse Kosova u gjet pothuajse në qendër të këtyre zhvillimeve? Në të vërtetë, ajo u gjet në qendër të zhvillimeve politike dhe ushtarake, por jo edhe në qendër të zhvillimeve kulturore dhe arsimore. Konfuzioni që krijuan vendimet e Kongresit të Berlinit, sikundër edhe insistimi i Turqisë (nën trysninë e fuqive të mëdha) që t’i zbatojë këto vendime, do ta bëjnë Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, t’i quajmë kufitare ose periferike, të jetojnë kohë të vështira, me kërcënimin e vazhdueshëm mbi kokë, se do të ngrysen në një shtet dhe do të zbardhin në një shtet tjetër. Dhe jo çfarëdo shteti, por nën Serbinë, e cila që në rastin e parë, me pushtimin e zonave të sanxhakut të Nishit, dëboi jo më pak se 140 mijë shqiptarë. Pra, Kosova tani gjendej në përballjen e parë me rrezikun e një aneksimi të ri. Ky fakt do ta mobilizojë popullsinë e saj rreth idesë së luftës në dy fronte: për t’iu kundërvënë aneksimit, por njëkohësisht për të kërkuar një status të ri brenda Perandorisë. Sikundër dihet, krizat e Turqisë në Ballkan vinin njëra pas tjetrës, me rrezikun permanent që pjesë të shtetit osman, kryesisht territore shqiptare, të shkëputeshin sa nga Greqia, sa nga Serbia dhe Mali i Zi dhe sa nga Bullgaria. Por as Turqia dhe as shqiptarët nuk ditën të bënin asgjë si duhej në këtë rrethanë. Ndonëse kishin një rrezik të përbashkët, ata rrallë arritën të krijonin një koalicion legal. Gjatë gjithë kohës ata i minuan veprimet e njëri-tjetrit: Turqia u binte shqiptarëve që rebeloheshin, shqiptarët i binin Turqisë që tregohej e ashpër ndaj tyre.

Kështu, menjëherë pas shuarjes së Lidhjes së Prizrenit, që nga viti 1883 e deri në mbyllje të shekullit XIX, Kosova u përfshi në një sërë kryengritjesh të njëpasnjëshme, herë me kërkesa të paqarta, herë me program të përcaktuar politik, të formësuar në kuvende burrash e mexhlise, që kishin përbërje të ndryshme dhe merrnin emra të ndryshëm. Por duhet thënë qartë se Kosova, e trazuar së tepërmi ushtarakisht, në këtë kohë nuk kishte një elitë politike, e cila do të arrinte t’i bashkonte interesat e ndara të prijësve vendorë, kryesisht kryeparë fisesh, pasunarë ose përfaqësues të familjeve të mëdha. Këta prijës nuk arrinin ta kanalizonin pakënaqësinë e popullit, i cili vuante shtypje dhe arrestime, taksa të larta dhe plaçkitje në të gjitha format. Burra të armatosur të një fshati ose të një nahije i binin një kazerme ose një postëkomande, i dëbonin që andej ushtarët dhe oficerët turq, por nuk dinin se çfarë duhej të bënin pastaj. Të tjerë burra zinin një pritë, kthenin prapa ndonjë ekspeditë ndëshkuese, ua merrnin armët, këpucët dhe tërë logjistikën ushtarëve turq, por në mbrëmje përfundonin te gratë e tyre, të kënaqur që luftën e kishin bërë tamam dhe që kishin sjellë në shtëpi ndonjë rrogoz kuajsh.

Natyrisht, në etapa të ndryshme të kësaj periudhe, lufta arriti të bëhej edhe sipas ndonjë programi politik. Të tilla do të jenë edhe Besëlidhja shqiptare, por edhe Lidhja e Pejës, të cilat arritën të shtriheshin në një territor mjaft të gjerë dhe të përfshinin numër të madh mbështetësish. Këto organizime politike herë pas here u shtrinë edhe jashtë vilajetit të Kosovës, gjetën mbështetës edhe te komitetet e ngritura në Stamboll dhe gjetiu, formuan degë që nga Shkodra e deri në Manastir, nga Prishtina e deri në Berat e Vlorë. Gatishmëria për mbështetje pra ishte e madhe, ndoshta më e madhe se ç’kishte qenë edhe në Lidhjen e Prizrenit. Të gjitha këto janë të njohura dhe të shkruara në historinë tonë, por më duket se një shpjegim i rëndësishëm nuk është bërë i njohur sa duhet: Programi politik i kryengritjeve të Kosovës deri në vitin 1908 ishte për një organizim autonom të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë osmane. I këtillë ishte një krah i udhëheqjes në organet dhe forumet e Lidhjes së Prizrenit, i dominuar nga turkoshakë të regjur, të cilët nuk kërkonin asgjë më shumë se privilegjet që mund t’ua sillte një autonomi në kuadër të Perandorisë. Ideja e Shqipërisë së pavarur nuk përkrahej prej tyre. Krejt çka donin ata, ishte bashkimi i katër vilajeteve shqiptare në një njësi administrative, në të cilën do të kishte shkolla shqipe, nëpunës shqiptarë dhe pak gjëra më shumë se kaq. Këto ide ishin në agjendë përgjatë gjithë atyre viteve, duke kërkuar dhe duke gjetur mbështetës edhe në viset e tjera shqiptare.

Vetëm se një ndarje në ide tashmë kishte filluar të përvijohej. Ideja e autonomisë kishte gjetur mbështetje të gjerë në Kosovë, pjesërisht në vilajetin e Manastirit dhe shumë më pak në vilajetin e Shkodrës (Kuvendi i Gerçës). Pra, Kosova printe në këtë ide të prapambetur, ndiqej prapa nga sanxhaku i Dibrës dhe përgjithësisht nga zona me dominim të thellë të islamit dhe të kulturës orientale. Ndiqej edhe nga individë dhe nga qarqe thellësisht të prapambetura gjithandej hapësirës shqiptare. Por, te një pjesë tjetër e shqiptarëve tashmë kishte filluar të piqej ideja e pavarësisë. Te Kosova jo. Kosovarët, në shumicë, vazhduan të mbetnin ithtarë të autonomisë, ndonëse edhe në këtë pike përkufizimi dhe ndarja nuk ishte gjithnjë e qartë. Nga ana tjetër, ndryshe nga viset e Shqipërisë së mëvonshme londineze, në Kosovën e këtyre viteve nuk zhvillohet ndonjë lëvizje kulturore, e cila do të ushtronte ndikim në vetëdijesimin kombëtar. Që atëherë vërehet një ndarje, ndoshta e para dhe më e madhja e kohës së re, ndërmjet Kosovës së zhytur thellë në orientalizëm kulturor dhe botës tjetër shqiptare, tek e cila tashmë kishin filluar të depërtonin ide më të avancuara politike dhe emancipuese. Kjo ndarje bëhet më e mprehtë dhe me pasoja largvajtëse, kur të marrim në dijeni faktin aspak të këndshëm se në Kosovë dhe në sanxhakun e Dibrës ideja e autonomisë ishte shumëfish më e përhapur, kundruall idesë së pavarësisë, e cila tashmë ishte bërë dominuese në mbarë botën tjetër shqiptare.

Që këndej, nga ideja e autonomisë erdh edhe një rreshtim i shqiptarëve në krah të xhonturqve, ndonëse nga kosovarët dhe nga shqiptarët e veriut nuk ishin të paktë të tillët që iu gjetën pranë Sulltan Hamitit edhe në ditët e fundit të pushtetit të tij, tashmë të urryer nga shumica e shtetasve të vet. Nuk bëhej fjalë për mbështetës të thjeshtë, por për njerëz që i qëndruan afër sulltanit në ditët e tij më të vështira, disa syresh (si një kushëriri im, Tahir Pasha i Krajës) duke e shoqëruar edhe në rrugëtimin e gjatë të internimit në Anadoll. Më anë tjetër, shqiptarë të tjerë kishin varur shpresat te xhonturqit, të cilët kishin premtuar reforma të thella dhe një përmirësim të ndjeshëm të të drejtave të tyre. Xhonturqit nuk i realizuan premtimet dhe, në raport me shqiptarët, mund të thuhet se ndikuan pozitivisht, që ata të hiqnin dorë përfundimisht nga ideja e autonomisë, ndërsa në raport me shtetin e tyre, ata e përshpejtuan degradimin e gjithanshëm të Perandorisë në Ballkan. Ideja se ata mund të merreshin vesh me shqiptarët, që t’i mbronin bashkërisht interesat e tyre kundrejt trysnisë në rritje për ta dëbuar Turqinë nga Europa, në radhë të pare duke pushtuar toka shqiptare, nuk funksionoi tamam asnjëherë. Xhonturqit dukej se ishin më antishqiptarë se monarkistët konservativë, prandaj nuk shkoi shumë kohë nga ardhja e tyre në pushtet dhe në viset shqiptare të Perandorisë filloi një rrëmujë e përgjithshme: sekush luftonte për sulltanin e sekush për pavarësinë e Shqipërisë; sekush merrte pushkë nga Serbia e sekush merrte para nga Austro-Hungaria apo Italia. Fija e perit që i ndante patriotët shqiptarë nga tradhtarët ishte tëholluar më shumë se kurrë.

 

 

Kryengritjet pa program

 

Në këtë situatë, Kosova nisi kryengritjet e njëpasnjëshme, por si gjithnjë, pa elitë udhëheqëse dhe pa program politik. Tani që ka kaluar një shekull nga ato ngjarje të rrëmujshme, gjithsesi shtrohet pyetja: Përse Kosova i bëri kryengritjet e viteve 1908-1912? Çfarë synonte të arrinte me ato luftëra, ku donte të shkonte? Të bënte pavarësinë? Në asnjë mënyrë, sepse pavarësia nuk mund të bëhej pa një rend gjërash, vetëm me bashibozukë të organizuar nëpër çeta. Duhej një program politik, duhej një organizim, duhej një udhëheqje politike. Kosovarët nuk e kishin asnjërën. Nëse Hasan Prishtina ishte marrë vesh me Komitetin e Stambollit që në Kosovë të niste lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë, atëherë del se dikush ose nuk iu përmbajt marrëveshjes, ose zhvillimet e rrëmujshme e nxorën situatën jashtë kontrollit. Çetat kosovare çliruan Prishtinën, Ferizajn dhe arritën deri në Shkup. Ismajl Qemali, i fshehur diku në Lushnjë, nuk iu përgjigjet telegrameve të Hasan Prishtinës. Vetëm Hasan Prishtina duket se e di se çfarë fshihej pas gjithë kësaj, sepse shumë vjet më vonë do të shkruajë “Një shkurtim kujtimesh”, që kurrë nuk do t’i bëjë kujtime të plota, jo sepse nuk ua kishte ngenë, por ngase nuk donte ta thoshte hapur të vërtetën.

Sepse ky ishte veprimi më i marrë që bëjnë kosovarët: luftojnë, çlirojnë vendin, hyjnë si fitimtarë në Shkup, në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, dhe pastaj, me vendim të prijësve të kryengritjes, çetat demobilizohen. Pse? Sepse prijësit e kryengritjes nuk merren vesh për qëllimet e luftës. Isa Boletini synon të marrë rrugën për Selanik dhe që andej të shkojë në Stamboll, që të kthejë në fron Sulltan Hamitin, sepse xhonturqit ia kishin ndalë pensionin. Kështu e shpjegon situatën Hasan Prishtina, i cili duket se është i vetmi që për pak nuk i vë duart mbi kokë, për t’ia dhënë kujës.

Sido që të jetë, në këto vite ndodhin aq shumë kryengritje gjithandej Kosovës dhe viseve të ndryshme të Shqipërisë, sa të krijohet ideja se shqiptarët luftojnë jo me një armik të vetëm dhe të përbashkët, me Turqinë, por një duzinë sish, që domethënë se luftërat ishin të paorganizuara, se prijësit lokalë i bënin luftërat secili për vete dhe secili për hesap të vet. Pastaj, duke menduar se mund të krijonin një aleancë me Turqinë, për t’u bërë ballë sulmeve të fqinjëve ballkanikë të organizuar në një front të përbashkët, shqiptarët humbën shumë kohë me kërkesa e memorandume, në të cilët gjithmonë kërkonin të njëjtat gjëra: gjuhë, shkolla, flamur, pra një autonomi të përsëritur që nga Lidhja e Prizrenit e prapa. Turqia herë refuzonte kategorikisht, herë i zbuste fjalët, për shkak të rrethanave të ndjeshme me të cilat përballej, mirëpo asnjëherë nuk ia doli të merrej vesh tamam me shqiptarët. Më anë tjetër, ndonëse tashmë i kishin bërë të ditura sa e sa herë kërkesat e tyre, shqiptarët nuk reshtnin të mblidheshin herë në një kuvend dhe herë në një tjetër, dhe nga ato kuvende përsëri dhe përsëri i dërgoheshin Portës së Lartë të njëjtat kërkesa. Nga kuvendet dhe mexhliset e shumta, shqiptarët më në fund duket se u mësuan në njëfarë dore të merreshin vesh mes veti, sikundër që edhe kosovarët më konservativë e kuptuan përfundimisht se “baba Dovleti” nuk bënte më as për interesat e veta në Rumeli, e jo më për interesat e tyre.

Prandaj edhe zërat e mbështetjes së Turqisë nëpër kuvende u bënë më të paktë dhe ithtarët e pavarësisë fituan terren. Por, ndërkohë, për shkak të këtyre kryengritjeve të pareshtura fuqia mbrojtëse e Turqisë kundrejt aleancës së shteteve ballkanike u dobësua ndjeshëm. Vetë shqiptarët, ndonëse ende i kishin armët në dorë, nuk bënë ndonjë mbrojtje të organizuar. Një numër syresh, veçmas kosovarët, kërkuan shpëtimin duke u larguar në drejtim të Turqisë, bashkë me trupat turke, që tashmë pësonin disfatë pas disfate.

Në vjeshtën e vitit 1912, Serbia sulmoi Kosovën dhe për dy muaj u masakruan mbi 25 mijë vetë. Tani ajo nuk e dëbonte popullsinë e Kosovës, si në rastin e Toplicës, por hynte shtëpi më shtëpi dhe i vriste të gjithë pa përjashtim. Kosovës nuk i doli në mbrojtje pothuajse askush. Në muajt vijues u pushtua edhe Shkodra nga Mali i Zi dhe trupat serbe ia mësyn Shqipërisë, për të realizuar ëndrrën e vjetër, daljen në Detin Adriatik. Nuk është shumë e qartë nëse disa burra të Kosovës, që braktisën vendin e tyre dhe shkuan në Vlorë për t’u bërë pjesë e Kuvendit Kombëtar, e bënë këtë nga motive patriotike, apo për të shpëtuar nga masakrat serbe. Ata që tashmë ishin identifikuar si armiq të Serbisë, si Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe ndonjë tjetër, nuk kishin si të shkonin në Vlorë, sepse gjendeshin në burgjet serbe. Megjithatë, Kosova u përfshi denjësisht në këtë ngjarje të rëndësishme, sepse atje shkuan shumë burra, si Salih Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mehmet Deralla, Vehbi Agolli, Isa Boletini, Riza bej Gjakova, Hajdin Draga, Dervish bej Peja, Zenel dhe Qerim Begolli etj. Duket se tani ideja për të bërë shtet shqiptar dhe për ta përfshirë Kosovën brenda tij ishte dominuese për të gjithë, sepse të gjitha opsionet e mëhershme kishin dalë të pasuksesshme.

Në të vërtetë, ideja e shkëputjes së Kosovës nga Shqipëria nuk kishte qenë ndonjëherë opsion i shqiptarëve, pavarësisht si ishin zhvilluar ngjarjet dhe pavarësisht rrjedhës së tyre. Por, më anë tjetër, ata nuk përpunuan ndonjë strategji të mbrojtjes së saj nga aneksimi, ndonëse krerët politikë ishin në dijeni për këtë. Është cinike të thuhet, siç dëgjohet ndonjëherë, se Shqipëria e sakrifikoi Kosovën për të shpëtuar kokën e saj, sepse vetë ideja e ndarjes Shqipëri-Kosovë nuk ishte e ndërtuar mbi ndonjë ide politike e përpunuar më përpara ndër shqiptarët. Kjo ndarje ishte e vilajeteve turke. Por duhet pranuar se Shqipëria u bë aty ku është sot sa për shkak të insistimit të fuqive të mëdha, kryesisht Austro-Hungarisë dhe Italisë, për të mos i lënë dalje Rusisë (përmes Serbisë) në ujërat e ngrohta, po aq edhe për shkak të disa zhvillimeve politike brenda vetë mileut shqiptar. Disa prej këtyre zhvillimeve i kemi përmendur më herët. Tani është mjaft dilemore nëse themi se Kosova mbeti jashtë Shqipërisë më shumë për shkak të njërit apo të tjetrit faktor. Ndoshta faktori historik ka qenë vendimtar, respektivisht miti serb për Kosovën, i cili në sytë e europianëve nuk ishte krejt eterik dhe i stisur nga nacionalizmi serb, sepse në terren kishte një numër monumentesh fetare që dëshmonin për një përkatësi të krishterë të këtij territori. Dhe, të krishterë, në shumicën e tyre në Kosovë, nuk ishin shqiptarët rezidentë, por serbët pretendues. Por nuk ishte vetëm kjo. Edhe pse nuk kishin reshtur asnjëherë përpjekjet e shqiptarëve për ta zotëruar territorin e tyre, këtë kusht themelor për të përfshirë Brenda shtetit një hapësirë ose një hapësirë tjetër, ata nuk kishin arritur ta plotësonin. Kur aktin final të bërjes së një shteti e përmbyllin të tjerët dhe jo banorët e tij, doemos që ai do të bëhet sipas shumë kompromiseve. Dhe do të bëhet duke hequr një copë ose një tjetër. Shqipërisë, natyrisht, nuk i hoqën vetëm Kosovën, sikundër që ishin tepër të predispozuar t’ia hiqnin edhe ndonjë copë tjetër, bie fjala Shkodrën dhe Korçën

 

Inferioriteti historik i Kosovës

 

Lidhur me këtë çështje, diskutimi rreth Kosovës dhe Shqipërisë tani mund të orientohet në një pikë: Cili ishte trungu dhe cila ishte dega? Ose, thënë më ndryshe, a duhej Kosova të bëhej Shqipëri, apo të ishte Shqipëria ajo që u bë në të vërtetë? Po u shikuan luftërat që bëri Kosova që nga Lidhja e Prizrenit dhe deri më 1912, do t’i binte Kosovës që të bëhej Shqipëri, që ajo të ishte trungu dhe që prej saj eventualisht të shtriheshin degët, ose edhe hiqeshin “copat” (sepse copat do hiqeshin doemos, përderisa shtetin ta bëjnë të tjerët). Unë them se, shikuar nga kjo distancë, nuk ishin vetëm interesat serbo-ruse ato që nuk e lënë Kosovën të merrte këtë rol në botën shqiptare. Nuk ishte as pjesa serbe historisë së saj. Më shumë ishte identiteti i paqartë ose pak i ngatërruar, fryma orientale që e dominonte, ambient konservativ mysliman dhe lufta jo gjithmonë e konsistente që kishte bërë: autonomi në kuadër të shtetit turk, por jo pavarësi. Europa edhe ashtu kishte krijuar idenë se bërja e Shqipërisë do të thoshte një Turqi e vogël në Ballkan. Atëherë, ishte krejt normale që kjo “Turqi e vogël” të bëhej atje ku kishte më pak gjasa të ishte tamam Turqi. Dhe gjasat për këtë ishin pikërisht aty ku u bë Shqipëria, ku identiteti shqiptar (i pangatërruar aq shumë me identitetin fetar) ishte afishuar më qartë; ku tashmë ekzistonte një vetëdije kombëtare; ku civilizimi perëndimor kishte depërtuar ndjeshëm, edhe përkundër të qenit nën Turqi; ku kishte një lëvizje dhe emancipim kulturor etj.

Nëse merren për bazë këta faktorë (dhe merren gjithnjë, kur shteti bëhet në tavolinën e bisedimeve), atëherë ishte krejt logjike që qendër e bërjes së Shqipërisë të mos ishte Kosova, asnjë qytet i saj, asnjë krahinë e saj. Sepse Kosova kishte bërë luftëra të mëdha, herë të qarta e herë konfuze, por kishte ngecur prapa në identitetin shqiptar. Prandaj, që nga kjo kohë, ajo do t’i shkojë prapa Shqipërisë në të gjitha vijat themelore të identitetit dhe do të jetë e varur prej saj në ide dhe në të gjithë përbërësit kulturor. Si mund të bëhej Shqipëria në Kosovë, kur, ta zëmë, Isa Boletini, i cili kishte shkuar në Vlorë për të mbrojtur shpalljen e pavarësisë, ndërsa e kishte parë flamurin shqiptar tek ishte shfaqur në ballkonin e asaj shtëpie të vogël, thonë se paskësh thënë nën zë: Koka si i Kralit!

Pra, që nga ajo kohë, Shqipëria është diku tjetër dhe Kosova nuk mund të ishte gjë më shumë, përveç se atribut i saj, ndajshtim identitar. Që nga ajo kohë, identiteti kosovar zbret nga piedestali kombëtar dhe bëhet identitet lokal, ose identitet territorial, që domethënë njëri nga shumë identitete shqiptare, identitet i përdorshëm vetëm për të identifikuar një hapësirë fatkeqe shqiptare dhe një popullsi gjithashtu fatkeqe shqiptare. Etnonimi kosovar tani fillon të përdoret në Shqipëri për të identifikuar Shqipërinë e jashtme, Shqipërinë e mbetur të papërfshirë në hartën e saj londineze.

Më anë tjetër, atributi kosovar nga vetë kosovarët, as atëherë dhe as më vonë, nuk merr ndonjë kuptim specifik, përveç se identifikon banorët e një hapësire. Që nga bërja e Shqipërisë, madje përpara se të ndodhte kjo, do të jenë vetë kosovarët që tashmë e pranojnë një lloj inferioriteti historik dhe një rol të dytë në historinë kombëtare. Kosova tashmë bëhet linja e dytë e rrëfimit shqiptar. Identiteti i saj është identitet mbështetës, bashkëngjitës, nuk është identitet parësor.

Prandaj, kësaj radhe Kosova do të shkonte në Vlorë dhe jo Shqipëria të vinte në Prizren, siç kishte ndodhur pjesërisht në një kohë të shkuar, sepse Prizreni vërtet që kishte trasuar rrugën e bërjen së kombit shqiptar, më vonë edhe të shtetit shqiptar, por këtë rrugë e kishte trasuar përmes autonomisë. Kurse tani duhej diçka tjetër, duhej pavarësi, e cila nuk kishte qenë dhe nuk ishte ide nxitëse e Kosovës. Kosova duhej të shkonte në Vlorë, sepse në ide kishte mbetur prapa.

Kosova, gjatë kryengritjeve të viteve 1908-1912 e kishte dëshmuar se kishte mangësi në formimin e vetëdijes politike. Mangësi kishin të gjithë shqiptarët, por Kosova më shumë se të tjerët, sepse kosovarët çliruan territore, por pastaj nuk ditën ç’bënin me atë liri që e fituan me gjak. Me veprimet që bënë, krejtësisht në mënyrë të pavetëdijshme, I ndihmuan Serbisë për pushtime dhe aneksime, më një anë duke e lodhur Turqinë deri në atë shkallë, sa ajo të mos ishte në gjendje t’i mbronte territoret e veta; ndërsa më anë tjetër, duke e dobësuar veten deri në gjendje molisjeje e dëshpërimi nga luftërat pa kuptim. Atëherë, çfarë mund të bënin kosovarët, në një gjendje të këtillë pa shpresë? Të iknin me Turqinë, gjë që e bënë një numër syresh; t’i bashkëngjiteshin idesë së pavarësisë dhe të shtetit kombëtar, që gjithashtu e bënë një numër jo i vogël; ose ta mirëpritnin pushtimin e Serbisë, që e bënë disa familje të mëdha, fatmirësisht në numër jo aq të madh, kryesisht për të ruajtur interesat dhe pronat.

Ndërkohë, Serbisë nuk i mjaftoi Kosova, por desh që situatën e krijuar ta shfrytëzonte për ta përmbyllur idenë e daljes në Adriatik, ashtu siç e kishin menduar që nga mesi I shekullit XIX ideatorët e programit nacional serb. Ushtria serbe hyri në territoret e Shqipërisë së sotme dhe gjithashtu bëri masakra, pothuajse si në Kosovë. Ashtu sikundër e shpjegon Tucoviqi, ideja e pushtimit të kësaj pjese të Shqipërisë ishte krejtësisht e gabuar, sepse vendimi për ta bërë Shqipërinë tashmë ishte marrë nga fuqitë e mëdha dhe Serbia, pas këtij inkursioni ushtarak, do të kthehej nga kishte ardhur. Tucoviqi i bën një kritikë të themeltë edhe idesë së daljes së Serbisë në det, përmes territoreve shqiptare ose në ndonjë mënyrë tjetër, sepse, konsideron ai, zhvillimet e fundit në Europë tregojnë se Adriatiku dhe Mesdheu kurrë më nuk do ta kenë atë rol që e kishin pasur dikur. Por shqiptarët, veçmas kosovarët, u entuziazmuan kot me Tucoviqin, të cilin e “zbuluan” nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, e përkthyen shqip, e botuan dhe e ribotuan, e cituan dhe e afishuan, duke e sjellë gjithnjë si model të një serbi me qëndrim parimor ndaj çështjes shqiptare, sepse Tucoviqi në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria” fsheh nga sytë e lexuesit dy gjëra esenciale: e para, ai me asnjë fjalë nuk e përmend Kosovën, pra, pushtimin e saj dhe vrasjen në masë të shqiptarëve, që domethënë se në këtë pikë, duke e heshtur, e arsyeton veprimin e Serbisë; dhe, e dyta, ai e quan të panevojshëm dhe të dëmshëm inkursionin ushtarak në Shqipëri, por nuk shpjegon motivin e masakrave serbe mbi shqiptarët, larg territorit të Kosovës.

E zëmë se për Serbinë, Kosova ishte “tokë e shenjtë” dhe se për “arnautët” e saj serbët kishte një mllef të vjetër, sepse ata, me ndihmën e Turqisë kishin mbajtur të pushtuar me shekuj “Jerusalemin” e tyre. Prandaj, për hakmarrje, Serbia edhe mund t’i vriste kosovarët, të futej shtëpi më shtëpi dhe t’i faronte deri më një. Po përse të njëjtën gjë ta bënte, ta zëmë, në rrethinën e Elbasanit ose gjetiu? Përse ushtria serbe hynte nëpër fshatrat e Shqipërisë dhe i digjte shtëpitë me gjithë njerëzit brenda? Këtë nuk e shpjegon Tucoviqi, ndonëse veprimet e këtilla, që i kishte parë me sytë e tij, i kritikon me shumë elokuencë. Ai nuk e thotë se Serbia tashmë kishte përpiluar një program nacional, i cili në themel kishte zhdukjen e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku mund të ishin ata. Tucoviqi ka dijeni për këtë program, por nuk e radikalizon kritikën ndaj tij deri në atë shkallë, sa t’i bëjë vërejte të tilla esenciale elitës nacionale serbe. Mbi bazat e socialdemokracisë, ai vetëm kritikon veprimet e kundërshtarëve të tij politikë, por asnjëherë idenë frymëzuese të kësaj politike.

Ndarja nga Shqipëria

 

Lufta e Parë Botërore dhe periudha deri në luftën tjetër të madhe, për Kosovën do të jetë kohë tragjike në të gjitha pikëpamjet, kohë e ripushtimit, kohë e ndarjes nga Shqipëria, kohë e vuajtjes, e prapambetjes, e etnocidit, e shpërnguljeve, e kulturocidit, e humbjes së identitetit, kohë që la shumë pasoja në kujtesën historike të kosovarëve dhe në vetëdijen e tyre të trashëguar. Gjatë viteve pararendëse, kosovarët mezi kishin arritur ta konsolidonin disi një identitet të luhatshëm ndërmjet fesë dhe përkatësisë kombëtare. Ata, sapo kishin filluar të liroheshin nga trysnia e identitetit të dyzuar, menjëherë u përjashtuan nga tërësia kombëtare, të cilën doemos që e krijon secili shtet perms mekanizmave të tij. Por nuk ishte vetëm kjo. Të qenit shqiptar, ndonëse asnjëherë nuk kishte qenë ndonjë privilegje e madhe, për kosovarët tani kjo përkatësi bëhet fatkeqësi më vete, shenjë për diskriminim në të gjitha format, deri në zhdukje fizike. Duke qenë fillimi shekullit XX dhe koha e asaj lufte që vrau mbi 50 milionë njerëz, ishte e pritshme se nga fuqitë e mëdha nuk do të kishte ndonjë reagim serioz rreth trajtimit çnjerëzor që u bëhej kosovarëve nga Serbia dhe më vonë edhe nga Mbretëria Serbe-Kroate- Sllovene. Europa e dinte se çfarë po ndodhte me shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara dhe të aneksuara, sepse në drejtim të kancelarive perëndimore shkuan shumë ankesa dhe peticione, sikundër që u bënë edhe shkrime të shumta në shtypin e atëhershëm. Mirëpo, atëbotë, mekanizmat për ndërhyrje në rast të shkeljes së të drejtave të njeriut nuk ishin aspak funksionale, megjithëqë tashmë ishin ratifikuar disa konventa për mbrojtjen e minoriteteve dhe Mbretëria Jugosllave ishte nënshkruese e tyre.

Ja disa fakte relevante se çfarë ndodhi në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara nga Serbia pas vitit 1912 dhe të aneksuara pas Konferencës së Londrës të vitit 1913. U mor një territor shqiptar prej 24 mijë kilometër katrorë, që banohej me rreth një milionë banorë, 80% shqiptarë. Pra, me sipërfaqe pak më e vogël se Shqipëria e 1913-ës, ndërsa me banorë më shumë se ajo. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Kosova u nda në zonën austro-hungareze dhe bullgare. Në zonën bullgare popullsisë iu konfiskua drithi dhe ndodhi një vdekje masive e njerëzve nga uria. Më 1918 Kosova u ripushtua nga Serbia me ndihmën e francezëve, të cilët hynë të parët në Kosovë, u priten pa rezistencë nga popullsia, ndërsa ata ndihmuan Serbinë që të vendoste administratën dhe pushtetin ushtarak. Konferenca e Versajës, e organizuar nga fuqitë e mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore, konfirmoi vendimet e Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Londrës për aneksimin e territoreve shqiptare. Në Kosovë nuk pushoi rezistenca e armatosur, u krijuan zona të çliruara. Kosovarët nuk e pranonin kufirin me Shqipërinë. Në Shqipëri vepronte Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës me Kadri Prishtinën, Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe emra të tjerë të shquar të lëvizjes politike në Kosovë. Në Kosovë nuk lejohen shkollat shqipe, gjuha shqipe në përdorim zyrtar, librat shqip, shkrimi shqip.

Më 1919 në Shkup formohet partia myslimane-turke “Xhemijet” në krye me Nexhip Dragën, e cila në legjislaturën 1920-24 arriti të kishte 17 deputetë. Elektorati dhe aktivistët e partisë ishin shqiptarë. Më 1925 pushteti mbyll edhe këtë parti, burgos Ferhat Dragën dhe shumë aktivistë të tjerë dhe ndal gazetën e saj. Sapo u bë pushtimi i Kosovës, filloi shpronësimi i shqiptarëve dhe kolonizimi i saj, i cili u zyrtarizua me të ashtuquajturin ligj i reformës agrare, i nxjerrë më 1919 dhe i plotësuar më 1933. Kështu, në periudhën 1919-1941 në Kosovë u shpronësuan 192 mijë hektarë tokë dhe, sipas Bato Tomasheviqit (“Jetë dhe vdekje në Ballkan”), i cili vetë rridhte nga një familje kolonësh malazezë nga Mitrovica, pas aneksimit të Kosovës në tokat e pushtuara u vendosën 70 mijë kolonë sllavë, të cilët krijuan mbi një mijë vendbanime. Më 1912 Kosova kishte 90% shqiptarë, ndërsa më 1941 ky numër ra në 70%. Përveç vrasjeve sistematike, urisë, sëmundjeve, kolonizimit, në këtë rënie të numrit të popullsisë shqiptare ndikuan edhe shpërnguljet, kryesisht për në Turqi dhe Shqipëri. Një numër i atyre që fillimisht u shpërngulën për Shqipëri, që andej serish përfunduan në Turqi. Historianët shqiptarë thonë se numri i të shpërngulurve arrinte shifrën prej 240 mijë vetash. Më 1937 në Stamboll u hartua konventa jugosllavo-turke “për shpërnguljen e popullsisë turke nga rajoni i Serbisë Jugore të Jugosllavisë”, sipas të cilës parashihej që në periudhën 1938-1944 të shpërnguleshin edhe 400 mijë shqiptarë të tjerë në Turqi, por për shkak të rrethanave që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore, konventa nuk u ratifikua nga Turqia.

Pra, janë tridhjetë vjet të tjera, që bëjnë njërin nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës, një situatë pa shpresë dhe pa shtegdalje. Mbi Kosovën e çrregulluar në çdo pikëpamje Serbia vepron në mënyrë barbare, Turqia i ndihmon politikat e saj, ndërsa Shqipëria, pasi e sheh se është e pafuqishme të ndryshojë gjendjen, shpreh keqardhje dhe sillet me mospërfillje. Ndërsa në Kosovë shqiptarët vriten në masë, më 1924 Zogu bën marrëveshje me Pashiqin për t’u kthyer në pushtet, ndërkohë që Noli, tri ditë pasi ishte bërë kryeministër I Shqipërisë, kishte pezulluar Komitetin e Kosovës. Duket sikur Zogu dhe Noli vihen në garë, se kush do të stabilizojë një shtet shqiptar, duke përfillur interesat sllave në Ballkan, të Rusisë dhe të Serbisë. Zogu del më i shkathtë në çdo pikëpamje.

Edhe përkundër kësaj situate refuzuese me Shqipërinë, pikërisht tani varshmëria e Kosovës ndaj shtetit shqiptar do të bëhet e madhe dhe e pashkëputshme. Kosova nuk gjen mbështetje tjetër. Pa Shqipërinë tani ajo nuk mund të bëjë gjë, qoftë në pikëpamje të vlerave jomateriale, qoftë edhe në pikëpamje fizike: secili kosovar e di se, nëse arrin t’i kalojë malet, matanë është Shqipëria, e cila, së paku, ia siguron jetën. Këtë shpëtim e kërkojnë dhe e gjejnë jo vetëm ata që bien në kundërshtim me ligjin për shkaqe politike, por edhe ata që bëjnë krime ordinere. Shqipëria tani bëhet pike referimi për të gjithë kosovarët, me ose pa vetëdije kombëtare. Ata nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Ata që zgjedhin Serbinë janë të paktë, sepse as Serbisë nuk i duhen shumë të tillë, përveç disa familjeve bejlerësh dhe një numër i kufizuar nëpunësish dhe bashkëpunëtorësh. Këta rekrutohen kryesisht nga shtresa qytetare, e cila në Kosovë për shumë kohë vazhdon të ketë identitet të luhatshëm: here quhen turq, herë shqiptarë, varësisht nga rrethanat. Pra, strategjia serbe ishte e qartë: elementi shqiptar I përfshirë në Jugosllavinë e Versajës duhej të zhbëhej me metoda të kombinuara, me terror, me vrasje, me asimilim, me uri, me epidemi etj. Të gjitha këto metoda nuk do të jepnin rezultat, sa shpërngulja në Turqi, e cila e rrënonte në mënyrë jashtëzakonisht efikase elementin shqiptar në Kosovë. Por strategjia e shpërnguljes nuk ishte e thjeshtë. Së pari duhej penguar në çdo mënyrë krijimin dhe fuqizimin e identitetit shqiptar: s’ka shkolla shqipe, s’ka shkrim shqip, s’ka gjuhë shqipe, s’ka kombësi shqiptare; por ka me shumicë mejtepe në gjuhën turke, xhamia me hoxhallarë që predikojnë Turqinë, madje ka edhe parti politike turke. Pra, çdo gjë që është shqiptare në Kosovën e atyre viteve bëhet përpjekje të konvertohet në atë turke. Situata në Kosovë ishte studiuar mirë nga Serbia. Serbët e dinin se një pjesë e kosovarëve kishin pasur telashe jo të vogla me identitetin e tyre gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Edhe tani nuk ishte i paktë numri i kosovarëve që identitetit fetar i jepnin përparësi karshi atij kombëtar. Të tjerët, për shkak të vetëdijes së munguar, identitetin fetar e identifikonin me identitetin kombëtar. Ky element i paqëndrueshëm i Kosovës ishte “lëndë” e përshtatshme për zhbërje: lehtë bëheshin turq dhe po kaq lehtë shpërnguleshin për Turqi.

Në këtë mënyrë, edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare, Serbia dhe Turqia dilnin të lara, sepse çonin në vend “vullnetin e popullit”. Nuk mund të thuhet se Shqipëria nuk ishte e ndjeshme ndaj kësaj situate në Kosovë. Ndoshta ajo as që mund të bënte më shumë. Kosovarët e ikur i strehonte, fëmijëve të tyre iu jepte shkollë, kufirin me Kosovën e mbante poroz. Madje, ndonjë ithtar i Zogut do të thotë se ai u shpall mbret i shqiptarëve pikërisht për këtë arsye, që të ishte një lloj simboli i unitetit kombëtar dhe i mbrojtjes edhe I shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Ose që të shprehte edhe aspiratën e tij për një shtet shqiptar unik dhe tërësishëm. Është e vërtetë se ai, formalisht dhe publikisht, nuk pengoi ndonjë lëvizje nacionaliste në Shqipëri, e cila do ta merrte në konsideratë çështjen e Kosovës, por as e fuqizoi ndonjërën prej tyre. Më e keqja ishte se kundërshtarë të tij politikë, më të ashpër dhe më të papajtueshëm, u bënë pikërisht ata që dikur kishin qenë patriotë të mëdhenj, ndërsa tani nuk i miratonin politikat e tij kombëtare. Nuk ishte kjo luftë për pushtet, sikundër e paraqesin disa. Nuk vritej Bajram Curri në malet e Dragobisë, për shkak se ai gjoja ia rrezikonte pushtetin Zogut në Tiranë. Më shumë duket se ishte një zotim i Zogut dhënë Pashiqit. Ç’I pengonte atij Hasan Prishtina, që ta vriste më 1933, në kohën kur ai tashmë kishte arritur stabilizim të plotë të pushtetit?

Me këto veprime kriminale dhe të përgjakshme, Zogu po bënte diçka tjetër shumë më të rëndësishme se ç’ishte vrasja e dy simboleve të Kosovës: e para dhe më e rëndësishmja, ai po ridimesiononte politikën e shtetit shqiptar ndaj Kosovës, që tani e tutje do të ishte politikë realiste dhe jo aventuriere, pra politikë e shtetit të vogël dhe të dobët dhe jo politikë e një kombi të frustruar; dhe, e dyta që po ashtu lidhet me këtë, ai, bashkë me të edhe shteti shqiptar, po i dërgonin mesazh Kosovës se Shqipëria, në asnjë rrethanë nuk do t’i rrezikonte interesat e saj, aq më pak ekzistencën e vet, për shkak të një idealizmi kombëtar, siç ishte tani përfshirja e Kosovës në të njëjtin shtet. Për kosovarët përfshirja e tyre në kuadër të shtetit shqiptar mund të quhej domosdoshmëri, mund të quhej luftë për jetë a vdekje. Për shtetin shqiptar kjo urgjencë e kosovarëve nuk kishte të njëjtin kuptim. Prandaj, Zogu dëshmoi se në këtë pikë ai dhe shteti që përfaqësonte ishin partnerë seriozë të fuqive të mëdha, të cilat kishin marrë vendime për këtë mënyrë të rregullimit të situatës ballkanike dhe donin që këto vendime të zbatoheshin dhe të ishin të qëndrueshme. Ai dëshmoi se këtë ridimensionim të politikës së tij ndaj Kosovës do ta çonte deri në fund, deri në zhdukjen fizike të oponentëve të saj.

Please follow and like us: