Sadik Bejko: Kisha e Shën Sofisë, me bukuri të papërsëritshme!
Hagjia Sofia, kisha e ndërtuar nga Justiniani, në bukuri është unike, veçohet përmbi gjithë kishat e tjera te kohes dhe, pa mëdyshje, qëndron permbi të gjitha arritjet madhështore të qytetërimit bizantin. Ajo është e vetmja ndërtesë, nga gjithë të përmendura në lashtësi, që mund të rivalëzojë me Parthenonin. Fatmirësisht, ajo ende ekziston gati ekzaktësisht me të njëjtën formë, ashtu si u ndërtua në vitin 537, pesë vjet mbasi Justiniani vuri arkitektët e tij Anthemin dhe Isidorin që të punojnë për të projektuar konstruksionin e saj. Justiniani do të derdhte pa kursim gjithë sa duheshin për të ngritur Kishën e Madhe, siç u quajt në fillim. Konstuksioni bazë do të vazhdonte traditën normale romane: mure me gur e tulla, të lidhura nga llaçi i trashë. Gati nuk po tregohej kujdes as për pamjen e jashtme. Aty elementët përbërës shfaqnin vetveten: ndërtime të forta mbajtëse në krahun verior dhe në atë jugor, mbi të cilat do të mbështetej valëzimi i kubeve me drejtimin nga lindja në perëndim. Përbrenda, çdo hapësirë e mundshme do të vishej me pllaka të holla mermeri të puthitura me mjeshtëri njëra me tjetrën, por dhe në atë mënyrë që të theksohej e veçanta e secilës pjesë. Në një poezi që imiton formën e poemave epike të Homerit, Paul Silentiary, një nga zyrtarët e oborrit të Justinianit, na përshkruan bukurinë e këtyre mermereve:
Vallë kush, me metrat e Homerit, cili do mund t’u këndojë
livadheve të mermereve vërshuar mbi muret e fismë dhe shtruar
mbi truallin e madhështores kishë? Këto këtu, si barin
të e njomësht hekuri dhëmbëmprehtë i preu nga Karitus;
ja, mermeret shumëngjyrëshe nga vargmalet e Frigjisë
ku e trëndafilit përskuqje me të bardhën përzihet
si ndriçimi i butë i luleve sa në purpur aq dhe argjenduar.
Këto profire këtu, të paçmuara, ashtu yje-yje spërkatur,
sikur në çast mbi barka i hodhën atje mbi Nilin famëmadh.
Shihni këtë smerald të gjelbër Sparte; ja, ky gur vezullues
valavit damarët tërthor, gjak të kuq e borë të bardhë,
punuar hollë atje në gjiret e thella të kodrave issaiane.
Nga gurrat e Lidisë ky mermer shëndritës vijëza-vijëza
në të kuqe. Guri këtu – dielli i Libisë – të ngrohtën dritë ari
ia ushqyen humnerat e thella të brigjeve mauritane.
Frut shkrepash keltike këto kristale të vyera: qumësht
derdhur gjithandej mbi trup lëkurëziu të shndritshëm.
Ky thesar onyksi, sikuri ar shkrepëtin prej tyre. Vendet
e grunjta të Atraksit sollën këtë mermer jo prej kodrave,
prej fushës së shtruar: bleron i njomë si deti a si
smeraldet, me lulet blu mbi bar, pa aty-këtu zbardhin
togje dëbore – një përzjerje kontrastesh të ëmbla
mbi krejt sipërfaqen në një të errtë të shëndritshme.
Kjo perandori e gjerë nuk mund të mos ishte krenare për këtë prodhimtari dhe pasuri varietesh të gurëve dhe mermereve. Pasazhi i mësipëm ia vlen të rilexohet, sepse arkitektura e Perandorisë Romake, e Lindjes dhe Perëndimit, e Mesjetës italiane dhe e Rilindjes italiane nuk do të kuptoheshin pa këtë shkallë të lartë të ndjeshmërisë, pa këtë “ah” mahnitjeje ndaj mermereve.
Altari ishte një tavolinë prej ari zbukuruar me gurë të çmuar; mbi të vinte një tendë e gjerë prej argjendi lartuar në formë konike. Përreth altarit vareshin tekstile bizantine prej mëndafshi, ku skenat nga jeta e Krishtit dhe nga veprat e bamirësive të Justinianit ishin të qëndisura me ar dhe argjend. Zinxhirë prej tunxhi mbanin disqe argjendi ku me mijëra shandanë me kupa prej qelqit më fin, mbushur me vaj, ndriçonin të ndezura gjatë gjithë natës. Kështu që e gjithë kisha kthehej në një far të madh për detarët që vozitnin natën mbi ujërat e Bosforit. Të gjitha llojet e pasurive dekorative ishin derdhur lumë në këtë kishë me madhësi të jashtëzakonshme: 67 metra e gjatë, 32.6 metra e gjerë te navata qendrore, 56 metra e lartë, nga dyshemeja në kulmin e kubesë.
Por dekoracioni, në pangjashmëri me Parthenonin, për shembull, nuk ishte e vetmja cilësi që e ka bërë kaq mbresëlënëse këtë ndërtesë. Projektuesit e saj kombinuan stërhollimet artistike të formës më të lartë me mjeshtëritë teknike të ndërtimi të tempujve – ata ishin matematikanë po aq sa edhe arkitektë.
Projektplani tregon se arkitektët kombinuan dy format bazë të kishave: formën drejtkëndore të bazilikave, me formën e kishave me projektim qendror. Dallimet e këtyre dy formave janë në themel të gjithë arkitekturës kristiane. Një bazilikë është një godinë drejtkëndore me altarin vendosur në fund, në skajin lindor dhe me njerëzit ulur, a ngritur në gjatësinë e sallës. Ajo ka formën e një kryqi dhe njëri prej krahëve të tij zgjatet në drejtim të lindjes, nga altari. Kishat me projektim qendror ngjajnë me mauzoleumet, pra janë rrethore, ose tetëkëndore me peshën kryesore mbi mesin e godinës. Prapë edhe këto kisha e kanë kryqin grek, me krahë të barabartë, dhe bash aty ku takohen të katër krahët, mbivendoset një kube ovale. Hagjia Sofian, po ta shohësh nga jashtë, është një godinë në formë katrore. Në qendrën e katrorit është një kube qëndrore e mbajtur mbi katër këmbarë të stërmëdhenj. Pra na del se kjo është një ndërtesë me projektim qendror. Në krahun lindor dhe në atë perëndimor vërejmë dy gjysmëkubé të mbajtura po mbi katër këmbarë, ndërsa në veri dhe në jug të kupolës në tërësi janë dy ndërtime anësore mbështetëse të kishës. Arkitektët ia kanë arritur të përcjellin dy ndjeshmëri ndaj hapsirës, të dyja krejt të ndryshme brenda ndërtesës. Po të hysh nga porta kryesore e perëndimit sytë menjëherë marrin drejtimin për në thellësinë e largët, drejt e në fund, në lindje, pra, siç ndodh në një bazilikë. Por, më tej, vjen kubeja që të krijon një ndjenjë krejt të re. Pika më ndjellëse e godinës nuk është te skaji lindor, por te qendra, aty ndën kubenë e madhe. Sytë vetvetiu hidhen lart dhe përreth kubesë, ndjenjat të urdhërojnë për atje ku frymëzimi i arkitektëve të udhëheq – duan që të mbetesh aty nën kubenë e madhe, në qendër. Kur qëndron nën kubenë e madhe të qiellit, nën atë simetri të përsosur, të zbulohet imazhi i bukurisë, madhështisë dhe i harmonisë së universit të Zotit. Kupola e madhe i mbledh gjithë adhuruesit në bashkësinë e Perëndisë. Nga jashtë nuk të duket se kubeja po fluturon në qiell, se po shkëputet nga kolonat mbështetëse. Por Prokopi shkruan: “Nga ndriçimi i brendshëm i godinës ndien se nuk je më mbi një themel të fortë, por në një vend që, dhe ashtu i mbuluar nga sipër, ngjan se mbahet pezull në qiell nga zinxhirë përrallorë prej ari”. Mjeshtëria e gjetjeve dhe e zgjidhjeve arkitekturore me anën e harqeve dhe të trikëndshave sferikë bën që pesha e kubesë të kalojë në dy ndërtimet mbështetëse nga krahët. Së dyti, ata ndërtuan rreth e rrotull bazës së kubesë dyzet e dy dritare, jo vetëm që të jepnin përshtypjen e shkëputjes së kubesë nga pjesa tjetër e godinës, por edhe për të lejuar brenda saj një lojë konstante të ndriçimit diellor, e cila është një nga karakteristikat më të shkëlqyera të Hagjia Sofias. “Ajo është e pashoqe në atë plotëri drite, ashtu plot me shkëlqim diellor”, komenton Prokopi. “Mund t’iu deklaroj se ndriçimi nuk vjen nga dielli aty jashtë, jo, rrezet këtu sikur burojnë nga vetë brendësia: kaq e pafund është drita që derdhet dhe mbush gjithë kishën”. Kështu ndriçmi dhe atmosfera e ndërtesës ndërrojnë në mënyrë të qëndrueshme sipas shvendosjes se rrezeve të diellit në dritaret e shumta të saj. “Asnjërin nuk e lodh ky spektakël”. Ky manifestim i dritës ishte thelbësor për një kishë që i kushtohej personit të dytë të Trinitetit, urtësisë abstrakte të Jezu Krishtit.
Kushdo që hynte këtu për t’u lutur e ndiente menjherë se tërheqja nuk vinte nga ndonjë forcë e duarve, e mjeshtërisë njerëzore, por nga vetë hiri i Zotit, ai e kishte bërë të përkryer këtë vepër; ndaj mendja e atij që lutej, lartësohej në fisnikërim për t’u bashkuar me Zotin; ndjente se Ai nuk ishte larg, se me vullnetin e Tij Ai dëshironte të banonte këtu, vetëm në këtë vend që e kishte zgjedhur vetë. Dhe kjo nuk ndodhte kur njeriu e shihte kishën për herë të parë, por gjithmonë, gjithmonë do të vihej nëntë njëjtat mbresa, sikur të mos ishte po ai që i kishte provuar dhe më parë, shkruan Prokopi.
Justiniani, ashtu si Perikliu athinas, e dinte se çfarë kishte krijuar. Sipas një përshkrimi nga shekulli VIII, që prapë tingëllon si krejt i vërtetë, në ditën e inagurimit të saj Justiniani, mbasi eci nëpër tërë gjatësinë e kishës, u ndal tek altari dhe klithi: “Lavdi Zotit, që më mendoi të denjë për ta mbaruar këtë punë. Solomon, unë ta kalova ty”!