Emil Asdurian: Unë dhe zonja Merini!
UNE DHE Z. MERINI*
Janë disa tipare që koha nuk i prek dot,
edhe pse përpiqet e hiqet aq shumë, si gjuhët
e liga që shpifin, si sytë keqdashës që çjerrin,
si kthetrat që çiltërsinë e kërrusin si t’ish kërcu i
tharë, lëngimi që palat valë ngrin në kënd të syrit,
a shkëlqimin e butë që dielli vjedh për dritë të tij,
por butësinë e vështrimit, ndjelljen dehëse, ndrin e
beftë që në gëzim çel, jo!
Kujdesin e drithëruar për një dhelje të lehtë enkas
a padashje, prekjen e mollëzave ende të njomë
nga ajo vesë kaq e veçantë, jo!
Atë parapritje mendimi që një ankth vocrrak nxit
të vijë si kone lozonjare e paftuar, puthje të bëlbëzojë
sa kujtimet në ëndërr t’i ftojë, jo se jo!
Jo, ndaj nuk kërkoj nga ty atë pavdeksi që njerëzisë
mundi t’i mbijetojë, as çdo virtyt që për mua theve sa herë
aq fort sa më deshe, por çdo të tillë që më bën të ndjej,
më shumë se çdo klithje mishi, dhe pse jo dhe atë,
të tërën më egër e më butë se gjithnjë!
*”Një herë e një kohë kjeshë edhe unë krenare që ishe një grue e bukur.
Tash s’jam ma, jo pse jam venitë, por pse kam kuptue se e keqja, njerëzit dhe shpifja
munden me e deformue një trup.
Prandaj unë jam për pavdeksinë e shpirtit që nuk shkon te parukieri, dhe nuk ekspozohet”.
Alda Merini.