Kërcen Rama nga belaja, PE: Ultimatumi për Tiranën zyrtare është firmosur jo nga 3, por nga 705 eurodeputetë
Një situatë të çuditshme krijoi dje dhe sot letra e nënshkruar nga tre eurodeputetë, David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis, e cila ishte me tone të ashpra ndaj palëve politike në Shqipëri, por që u fshi papritur gjatë orëve të mbrëmjes nga faqja e Parlamentit Evropian, duke u ripublikuar sot e ndryshuar. Deri këtu mediat dhe opinioni publik në Shqipëri është sqaruar, por gazeta “Shekulli”, mëson nga një prononcim ekskluziv i raportueses së Shqipërisë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, se letra në fjalë, është nënshkruar nga të gjithë eurodeputetët e Parlamentit Europian. Në prononcimin për gazetën “Shekulli”, Znj. Santos tha se: “Kishte një gabim në tekstin original të ditës së djeshme. Teksti original i cili është nënshkruar nga të gjithë eurodeputetët, që u ra dakord të publikohej, ishte ai i shpërndarë me anë të emailit këtë mëngjes”.
Ky fakt tregon se situata është tepër serioze. Ndoshta edhe fshirja e papritur e një deklarate të tillë mund të jetë bërë me qëllimin e nënshkrimit nga ana e të gjithë eurodeputetëve të Parlamentit Europian. Duket e dyshimtë se si një institucion kaq i rëndësishëm si Paralamenti Europian të mund të ketë bërë një gabim teknik.
Deklarata dje dhe sot
Në deklaratën e sotme thuhet: “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit evropian”.
Ndërkohë që deklarata e djeshme kishte tone më ultimative, ku ndër të tjera theksohej: “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian”./shekulli/