Mehmetali Rexhepi: Dromca korriku
Plasaritje
Mes korriku më plasariti dheun e ndjenjave
vrujojnë kokrra sumbullash të nxehta
krojeve të poreve deri në gur të eshtrave
ato nuk mund të jenë të ftohta
se do të ishin të shpifura
kripë e lagur trupit tim tryezë e pashtruar
erdhën e ikën retë karvanë thneglash të pa cenuar
asnjë kafshatë nuk ngjyen mbi mua
as shuan etje as shtamba mbushur
lënë në krua.
Kaoni
Kaoni
më shikonte drejt në sy
sikur donte me më përpi
i tëri në ta kishte hy
dhe nuk doli dot
prej detit tyre me not
erdhi dhe do të fluturojë ai
më la me zejen e marinarit
me anijen e detit prej letre
relievit të thyeshëm të lundërtarit
shkëndijat e syve të tij praruan motin
shkrepin mu në mes dallgësh
i japin flakën pikëllimit
vërshuan valët
përderisa ngarendnin pulumbarët
e shpëtimit.
Gatojca-vajtuese
Vogëlush
ruaju përqafimit të zonjës Servi
mos luaj me qenin e saj të tërbuar
prej (vi)rusëve
vogëlush
gjellën ia kemi pi
kësaj gatojce-vajtuese
nëpër kancelari
vogëlush
sapo të hynte në vatër
gjarpri i shtëpisë ikte kushedi
prej helmit të Servisë flakej
vogëlush
ti nuk e di
si piu foshnja gjak
në gji të nënës dhe u ngufat.
Nuhatje mizash
Vogëlush
ti je engjëll nuk i përket sojit të djallit
ti nuk e di
kush kujt i ligjëroi intrigat Dik Martit
Servia Evropës
a Evropa Servisë
shqisat e nuhatjes i paskan si mizat
mbi kundërmime kufomash
nuhatje mizash rrjedhin kanalit Evro-Servi
dramë intrigash zihen mbi e nën etni.
Gjilan, mes-korriku 2020.