Albspirit

Media/News/Publishing

Pandeli Koçi: Thirrje poetike nga viti 1913

Pandeli Koçi

 

Sa më e thekshme, sa më e rëndë ka qenë gjendja e kombit tonë në thepat e historisë, aq më me forcë e vrull ka reaguar shqiptari për të përballuar goditjet e jashtme e të brendshme, që të mos asgjësohet mes valëve egërshane të armiqve. Një vit i tillë ka qenë 1913-a, kur Shqipërinë e prenë mespërmes dhe po rrezikohej të zhdukej fare nga harta e Europës. Pikërisht nga ai vit i mbrapshtë na vjen si një mesazh mesianik vjershat “Tomorrit” dhe “Janina” e V. Dranovikut, me siguri ky një atdhetar i vërtetë. Nuk e dinim, është i vërtetë emri V. Dranovik apo emër letrar? Për këtë nuk thuhet gjë në fletoren ‘Zgjimi’ (nr.4, viti I, Korçë, 15 janar 1914) të drejtuar nga publicisti e botuesi i njohur korçar Dhori Koti, ku është botuar së pari. Nga kërkimet e mëvonshme zbulova se “V. Dranovik” është veprimtari atdhetar e publicisti Vasil Vreto nga Postenani i Leskovikut.
Vjersha “Tomorrit” edhe sot, pas kaq vjetësh, tingëllon edhe si këshillë, edhe si kushtrim për t’u bashkuar si një trup i vetëm në këtë kohë krizash po dhe shpresëdhënëse. Autori, si gjithë rilindasit, i drejtohet me përgjërim e besim malit të Tomorit, simbolit të shenjtëruar të Atdheut. Me apostrofë të fuqishme, ku patosi atdhetar pulson në çdo varg e fjalë dhe me një ritmikë të qartë tirteane, vjersha ndikon drejtpërdrejt në vetëdijen e tronditur dhe në ndjenjat e fashitura të lexuesit shqiptar. Autori i kërkon Baba Tomorit të mbledhë të rinjtë, që të njohë vëllai vëllanë, që t’i grishë për dashuri të shenjtë, që të ruajnë nderin e sedrën, pra u drejtohet bashkëkombasve për t’iu përgjigjur rrethanave dramatike dhe kushteve të reja tejet të vështira menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.
Vjersha tjetër me titull “Janina”, botuar po në këtë numër të kësaj fletoreje, është një klithmë, ku dhimbja e revolta shpërthejnë e gjëmojnë në çdo varg e në çdo rrokje për atë ngjarje tragjike, për atë mynxyrë historike që i preu Atdheut jugun, ashtu siç i prenë shovinistët sërbo-sllavë veriun e lindjen. Në strofën e fundit të kësaj vjershe autori bën një kapërcim nga dëshpërimi në një besim të papritur për perspektivën historike.
Vjershat janë shkruar nga një autor që e njeh dhe përdor metrikën. Ai ka përdorur në të dyja vjershat tetërrokshin trokaik dhe rimat kryesisht të alternuara, po dhe në disa strofa të puthura e të alternuara. Përsëritjet e fjalëve në trup të vargjeve forcojnë tensionin emocional që autori indukton të bashkatdhetarët.

V. DRANOVIK: TOMORRIT
O Baba Tomorr! Mblith djemtë
që të janë arratisur
që ta kanë këshillën prishur
që po ndodhen në padijë
thirri, grishi, në liri
dhe në dashuri të shenjtë.
Thëllimet e dimrit shkuanë
u kthye moti për së mbari
zu e çel trifili, bari
po ap lulja dhe gjethi
baba po kthenet qejfi
dit’ e parat’ u afruanë.
T’u afruan dit’ e mbara!
Dërgo Shqipen që ke pranë
të lajmërojnë dynianë
që djemt’ e tu rrojn’ e janë
nder’ e sedrën e kanë
si ç’e kishin dhe përpara.
Me deg’ ulli dhe me dafina
prite o Tomorr beharë
që po qaset i gëzuar
dhe të sjell lajmen’ e mbarë
që ndoqi, shpori barbarë
dhe e dërgoi te gremina.
Mblidhi! baba djemtë
se sot erdhi tjetër kohë
vëllai vëllanë do t’e njohë
mëmës do t’i siellë nderë
që mbet kaq koh’ e mjerë
se erdh lir’ e shenjtë.
V. DRANOVIK: JANINA
Ra Bezhani! Ra Bezhani!
Qaj moj Shqipëri e mjerë
Ç’është kjo mynxyr’ e madhe
Që të gjeti këtë herë!
Qani Shqipëtarë qani,
Për të shkretënë Janinë,
Shqiponjës ja thyen krahnë
Pikëlluan Shqipërinë.
Qani o vëllezër qani,
Qani Janinën e shkretë,
Dhe gjithë zi të mbani,
Se e humbëmë për jetë.
O! moj ditë kaq’ e shkretë,
Ç’i ke këto pikëllime,
E paske thënë për jetë
Të na lësh me hidhërime?
Po jo! Jo! Se djelmuria,
Që po na vjen pas e gjallë
S’do të lërë në Greqia
Po do të marë me pallë.

Bërë kur ra Janina

Please follow and like us: