Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Opozita si bashkim vlerash përballë Rilindjes

Duket se kryeministri Rama po e tërheq opozitën në axhenda të tjera nga ato që janë emergjente për organizimin e saj për të hyrë në zgjedhjet parlamentare si forca politike që do të realizojë rotacionin e pushtetit, si domosdoshmëri për të dalë nga stanjacioni aktual ekonomik e politik i vendit. Reforma zgjedhore mori mjaft energji të opozitës, duke kaluar në plan të dytë detyrën emergjente për rigrupimin e të gjitha energjive opozitare, brenda dhe jashtë koalicionit aktual opozitar. Me sa duket, kur të gjithë prisnin që marrëveshja e 5 qershorit të kalonte në parlament, kryeminstri Rama sërish e tërhoqi vëmendjen e opinionit politik në ndryshimet kushtetuese, në të mirë të kërkesave të “opozitës” parlamentare, që në këtë rast ishte në rolin e altoparlantit të Rilindjes, duke u dhënë zë synimeve të qeverisë për të shmangur koalicionet zgjedhore që e nxjerrin humbëse rilindjen.
Ky grupim, që u thirr në skenën qesharake të politikës shqiptare për të luajtur rolin e opozitës që braktisi parlamentin, e tërheq vëmëndjen e opozitës që të mos përsërisë gabimin fatal të plotësimit të listave të kandidatëve për deputetë me emra që emërtojnë boshin politik, kulturor e njerëzor. Sërish pritet të mblidhet tryeza për reformën zgjedhore. Opozita kurrsesi nuk duhet të pranojë shmangien e koalicioneve parazgjedhore. Është një lloj sikur ajo të heqë dorë nga bashkimi i të gjithë zërave që refuzojnë qeverisjen e rilindjes, që në fakt nuk ka asgjë të përbashkët me thirrjen mediatike dhe aksionin pas thirrjes për “bashkimin e të gjithë qelbësirave për të rrëzuar regjimin e Berishës”. Tani nuk lipset ky lloj bashkimi që solli në parlament dhe në institucione malavitën shqiptare. Tani lipset një koalicion tjetër, një bashkim vlerash për të zëvendësuar bashkimin e dikurshëm të aleances se qelbësirave.
Mendoj se opozita e bashkuar duhet të hapë portën për të sjellë pranë saj të gjithë opozitarët, të vjetër dhe të rinj, nga universitetet, nga media, nga sipërmarrja, arsimi, etj. Edhe të larguarit duhet të afrohen, pavarësisht hatërmbejtjeve që janë të dyanshme. Jozefina Topalli është propozuar si kandidate e Partisë Demokratike në Shkodër, mesazh domethënës i bazës së partisë për lidershipin e saj. Natyrisht, ikja e Jozefina Topallit la një zbrazëti, sikurse edhe ikja e Ridvan Bodes, Besnik Mustafajt, Mark Markut, Astrit Patozit, Majlinda Bregut, Arben Imamit etj. Dikush mund të thotë se këta emra të njohur në politikën e së djathtës nuk i dëboi kush nga PD, ikën vetë sepse nuk u futën në listat dhe nuk u zgjodhën deputetë. Mund të ishin në listat për deputetë, sikurse edhe mund të mos ishin detyrimisht, por sot këto figura duhet të afrohen, pa kërkuar dhe gjetur fajtorë. Nëse do të kërkonim dikë që nuk ka gabuar do të qe një orvatje e kotë. Po kush nuk ka gabuar?! Figurat e lartpërmendura dhe të tjerë duhen respektuar si vlera politike të së djathtës të formuara në vite te PD-ja.
Këto vite kanë shërbyer për të marrë një mësim se figurat politike nuk gjenden rëndom. Duhet kohë që të formohen dhe provohen. Eksperimentet kanë prodhuar figura qesharake që u mungon te vetja “magneti” i tërheqjes, ose kanë të fortë “polin” e shtytjes. Askush nuk do të dëshironte që në parlamentin e ardhshëm malavita e Rilindjes të zëvëndësohej me idiotët e dobishëm të së djathtës, ndaj respektimi i vlerave, që te e djathta asnjëherë nuk kanë munguar, është domosdoshmëri për të fituar zgjedhjet dhe për të patur një qeverisje të ardhshme cilësore.
Në skenën e sotme politike dhe në media ka lënë gjurmë opozita e lëvizjes “Thurja”, për ekspertizën e saj dhe vizionin politik modern. Nga vëzhgimi im modest, më duhet të pohoj se kjo lëvizje ka mbështetje te segmente të shoqërisë, që kërkojnë rotacionin politik, por kanë stepje se mos përsëriten të njëjtat gabime në qeverisjen e ardhshme. Mendoj se lidershipi i opozitës së bashkuar duhet të bëjë përpjekjet për ta afruar këtë lëvizje politike energjike pranë saj, sikurse edhe organizime të tjera opozitare.
Natyrisht, koalicioni më i rëndësishëm është koalicioni që opozita duhet të realizojë me qytetarët. Takimet me segmente të ndryshme të shoqërisë së sotme janë frytdhënëse, sepse nga bisedat me ta do të ndërtohet program i qeverisë së nesërme. Të gjithë shtresat shoqërore janë të zhgënjyera nga qeverisja e Rilindjes, ndaj vëmëndja është drejtuar nga opozita.
Vetëm bashkimi i vlerave opozitare pritet nga qytetarët shqiptarë për të realizuar hapin e madh që synohet në përmirësimin e qeverisjes për qytetarët, jo vetëm për disa oligarkë dhe një grusht rilindasish që braktisën shpresat e qytetarëve për një qeverisje më të mirë.

Please follow and like us: