Frank Shkreli: NIKOLLA P. QAFOKU, NJË SHKENCËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN QË NA NDERON
Frank Shkreli
http://illyriapress.com/nikolla-p-qafoku-shkencetari-shqiptaro-amerikan-qe-na-nderon/
E kam thënë shpesh se komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos këto 30-vjetët e fundit, është rritur dhe është pasuruar me njerëz të dijes, në fusha të ndryshme, përfshirë bizneset e llojllojshme, teknologjinë informative, fushat akademike, mjekësinë dhe shkencën, vetëm për të përmendur disa profesione në fusha me rëndësi, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan po e dallojnë veten, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, këtu në Shtetet e Bashkuara.
Një prej tyre është Dr. Nikolla, “Niko” Qafoku, njëri prej pjesëtarëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan me arritje kulmore në fushën e tij shkencore, i njohur për veprimtarinë e tij shkencore në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë. Niko Qafoku, ç’prej vitit 2000, është i punësuar pranë firmës Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), në Richland të shtetit Washington, në veri-perëndim të Amerikës.
Në një njoftim të Institutit Alb-Shkenca, themelues i të cilit është edhe Niko Qafoku, bazuar në burime pranë firmës (PNNL) — thuhet se ditët e fundit atij i janë akorduar dy tituj të lartë të botës shkencore në Amerikë dhe më gjërë. Njëri prej tyre, është titulli prestigjoz, “Laboratory Fellow”, i kësaj firme të madhe e të njohur amerikane që ajo ofron për shkencëtarët më të dalluar në fushën e veprimtarisë së tyre. Shkencëtari shqiptaro–amerikan, Niko Qafoku, sipas Institutit Alb-Shkenca – një organizatë kjo me një antarësim prej 250-300 antarësh, studiues shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të ndryshme të botës — ka marrë këto ditë gradën më prestigjoze, si studiues në PNNL (Pacific Northwest National Laboratory), një institucion ky i krijuar dhe financuar nga Departamenti për Energjinë në SHBA”, thuhet mëtej në njoftim.
Njoftimi thekson gjithashtu se, kompania “PNNL u jep titullin “Laboratory Fellow” ose “Battelle Fellow”, atyre shkencëtarëve kërkues që kanë arritur majat e fushës së tyre, e që kanë fituar njohje ndërkombëtare nga kolegët, por edhe atyre që, njëkohësisht, demonstrojnë vazhdimisht krijimtari dhe prodhimtari të lartë në punën e tyre, në nivelet më të përsosura shkencore të profesionit të vet. “Jemi krenarë që një nga kolegët tanë më të hershëm dhe i palodhur në Alb-Shkenca, ka korrur suksese në fushën e tij kërkimoro-shkencore. Është me të vërtetë frymëzuese”, arritja e Niko Qafokut, bashkatdhetarit tonë me shumë vlerë – thuhet me krenari, në njoftimin e botuar në portalin e Institutit Alb-Shkenca, me rastin e avancimit të Dr. Qafokut në pozicionin e “Laboratory Fellow”, në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL). Dr. Qafoku punon në këtë firmë për më shumë se 20 vjet, e ku këto ditë, pra, iu akordua grada më prestigjoze si studiues në PNNL. PNNL është një institucion që financohet nga Departamenti për Energjinë në SHBA, një ent me shumë rëndësi gjeo-strategjike për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Disa ditë pas njoftimit të lartëpërmendur, Dr. Qafoku mori një tjeter lajm të mirë për karierën e tij, kur e njoftuan se Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës (Soil Science Society of America) e zgjodhi atë si, “Fellow” të kësaj shoqate, e që është gjithashtu edhe titulli më i lartë që i akordon kjo shoqatë amerikane me reputacion ndërkombëtar, shkencëtarëve të merituar. Në letrën përshëndetëse, me të cilën njoftohet Dr. Qofaku për seleksionimin e tij për këtë titull prestigjoz, i dyti brenda disa ditëve. Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës thotë se për titullin më të lartë që i është akorduar Dr. Qafokut, kanë votuar antarët e Shoqatës, bazuar në arritjet profesionale dhe në shërbimin e merituar të tij, si shpërblim për kontributet dhe sukseset e arritura të Nikos. Dr Qafokut do i akorodohet, zyrtarisht, titulli, “Fellow” gjatë mbledhjes vjetore të shoqatës, ndërkohë që emri dhe fotografia me një biografi të Dr. Qafokut do të vendoset në sallën “Awards Hall of Fame” të shoqatës, gjithashtu një nderim i veçant dhe i dokumentuar për gjithmonë në atë sallë, dhenë fituesve të këtij titulli prestigjoz.
Tituj të tillë në Amerikë nuk jepen lehtë dhe as nuk sigurohen me miqësi, por bazuar në merita dhe punë të rëndë dhe serioze. Mbi të gjitha, shpërblime të tilla varen nga sukseset përfundimtare dhe rezultatet e punës, të mirë provuara, të dokumenuara dhe të miratuara nga ekspertët e fushës. E kam thënë edhe herë tjera, se në Amerikë askush nuk të jep gjë falas, as nepërmjet miqëve, por personat që punojnë rëndë dhe janë serioz në profesionin e tyre, u akordohen me tituj dhe shpërblime të tjera vetëm në bazë të meritave nga dhe firmat për të cilat punojnë shumë shqiptaro-amerikanë të suksesshëm, siç është shkencëtari Dr.Niko Qafoku.
Curricullum Vitae (CV) e Dr. Qafokut është vetëm një prej treguesve se me sa seriozitet, punë të rëndë dhe përkushtim total e ka marrë detyrën, gjatë viteve, Dr. Qafoku. Megjithëse unë nuk marr vesh shumë nga shkenca, biografia e tij është një dokument i gjallë i performancës dhe provë e veprimtarisë së tij të shkëlqyer në fushën e tij. Punën dhe profesionin prej shkencëtari të dalluar në fushën e tij të ekspertizës këtu në Shtetet e Bashkuara — ku shpeshëherë njeriu përballet me konkurencë të fortë nga ekspertët më të mirë e më të njohur në fushën e tyre — Dr Qafoku e ka zhvilluar, jo vetëm në ambientet dhe hapësirat e disiplinuara të punës së tij në këtë vend, por edhe në konkurencë me ekspertët më të njohur të fushave të ndryshme shkencore, nga mbarë bota.
Amerika dhe kompanitë e mëdha amerikane, përfshirë ato shumëkombshet, janë tepër unike në këtë pikëpamje. Pandaj, sukseset në punë dhe arrijtjet në fushën shkencoro-akademike të Dr. Niko Qafokut, i cili për 20-vjet punon në këtë lloj hapësire dhe ambijenti pune tepër konkurues — meritojnë të vihen në dukje, si arritje të veçanta për një shqiptare-amerikan, që na nderon. Jo vetëm për meritat e tija që duhet ti thekësojmë si komunitet, pasi janë të rralla–por të nenvijohen edhe si shembull suksesi për rininë tonë shqiptaro-amerikane, për të treguar se me punë të rëndë dhe përkushtim të vazhdueshëm, mund të arrihen majat e suksesit, e pse jo të realizohet edhe “ëndërra amerikane”, për të cilën përflitet aq shumë. Nënë Tereza ka thënë se, “Zoti nuk kërkon nga ne që të kemi sukses, por kërkon që të përpiqemi” të arrijmë suksesin. Duket se Niko Qafoku ka bërë më shumë se vetëm të përpiqet.
Dr. Qafoku është me fat që bën pjesë në një grup shkencëtarësh, inixhinjerësh dhe profesionistësh të tjerë nga mbarë bota që punojnë për firmën PNNL, me misionin për të zgjidhur disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet sot Amerika dhe bota, jo vetëm në fushën e energjisë. Shkencëtari shqiptaro-amerikan dhe kolegët e tij, sipas firmës ku punojnë, e kryejnë misionin e tyre me devotshmëri, nepërmjet kërkimeve shkencore në fushën bazë të shkencave për furnizimin e energjisë por edhe në mbështetje të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me objektivin e vetëm për të krijuar një botë e cila është në paqë, më e pastër, më e begatë dhe më e sigurt, për të gjithë. Shikoni se çfarë ndodh kur mendjet më të zgjuara të botës punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat dhe problemet e planetit tonë të përbashkët, thuhet në portalin e firmës Pacific Northwest National Laboratory, për të cilën punon shqiptaro-amerikani Dr. Niko Qafoku dhe e cila i akordoi titullin e lartë, “Fellow” për kontributin e tij shumë të çmuar gjatë viteve.
Dr. Qafokun e kam takuar pikërisht 5-vjetë më parë në Nju Jork, ku ishim të ftuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes të një shqiptaro-amerikani tjetër të shquar, Prof Sami Repishtit — i cili gjithashtu, për shumë dekada, ka lenë gjurmë të pashlyeshme me punën e tij prej edukatori dhe me veprimtarinë e tij të vazhdueshme këtu në Shtetet e Bashkuara. Poe edhe në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut, kryesisht për shqiptarët në trojet tona, por edhe për njerëzit kudo, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga diktaturat komuniste dhe despotë e diktatorë të gjitha ngjyrave, anë e mban botës, përfshirë tokat shqiptare. Me atë rast, Dr. Qafoku më tha se kishte ardhur pasi për Profesor Sami Repishtin kishte dëgjuar për herë të parë në programet e Zërit të Amerikës, aty nga fillimi i 80-ave. Kishte ardhur nga ana tjetër e Amerikës, një largësi mjaft e madhe, nga shteti Washington, për të falënderuar dhe për të nderuar profesor Sami Repishtin me rastin e 90-vjetorit të lindjes. Ishte i pranishëm, tha ai, për t’i shprehur Profesorit të nderuar shqiptaro-amerikan, falënderimet e tija për gjithëçka kishte bërë dhe po bën gjithnjë në mbrojtje të kauzave të drejta kombëtare dhe të drejtave të njeriut. Kishte ardhur që — në emrin e tij personal dhe të kolegëve të tij shkencëtarë shqiptaro-amerikanë, të angazhuar pranë Institutit Alb-Shkenca — për të nderuar Profesor Repishtin, një kolos dhe përfaqësues i shquar i këtij komuniteti këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbijetues i burgjeve famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri, i cili, ka lenë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, ka thenë Dr. Qafoku për Prof Sami Repishtin,
Megjithë angazhimet e tija të mëdha në firmën ku punon, Dr. Qafoku, ndonëse larg nga Shqipëria dhe Kosova, ai dhe kolegët e tij në Institutin Alb-Shkenca – nuk e harrojnë vendlindjen. Nepërmjet Forumit të Alb-Shkencës ata janë pranë Atdheut dhe në bashkpunim të drejt për drejt me kolegët e tyre në trojet shqiptare. Rreth 300 intelektualë të fushave të ndryshme shkencëtarësh, që përbëjnë Alb-Shkencën nga diaspora dhe trojet shqiptare, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin për interesa të përbashkëta dhe për të parë se si – me mundësitë e tyre — mund të ndihmojnë vendlindjen, në këto kohë të vështira. Në këtë përpjekje, Dr. Qafoku me kolegët e tij kanë organizuar gjatë viteve takime me kolegët e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku Alb-Shkenca ka degët e veta — me qëllim për të forcuar bashkpunimin me autoritetet vendore dhe akademike, me qëllim për të zhvilluar programe shkencore, për të cilat si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë aq nevojë. Nuk jam i sigurt se si kanë shkuar këto komunikime për bashkpunim gjatë viteve të fundit dhe çfarë rezultatesh mund të jenë arritur, por për një gjë jam i sigurt, se nëqoftse këto lidhje nuk kanë arritur sukseset e pritëshme, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur për arsye të mungesës së vullnetit të mirë dhe gatishmërisë së Forumit Alb-Shkenca dhe intelektualëve dhe shkencëtarëve të dalluar të kësaj organizate, si Dr. Niko Qafoku për të ndihmuar — me ekspertizën dhe përvojën e tyre shkencore — Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Me arritjet e tija, Dr. Niko Qafoku nderon veten, firmën për të cilën punon, e cila i ka dhënë mundësitë për të arritur majat e suksesit në profesionin e tij. Por, ai nderon, njëkohësisht, edhe komunitetin shqiptaro-amerikan dhe emrin shqiptar në përgjithësi, në ambientet dhe në qarqet e të këtij vendi të madh, dashamirës dhe, historikisht, mik i shqiptarëve — Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast përshëndesim, sinqerisht, mikun dhe bashkatdhetarin tonë për titujt e lartëpërmendur dhe, njëkohësisht, urojmë që Dr. Qafoku në të ardhmen të korri edhe suksese të tjera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe miratime dhe çmime në qarqet më prestigjoze shkencore amerikane dhe botërore. Me punën e tij, Dr. Qafoku nderon edhe emrin shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Edhe për këtë i shfaqi mikut tim, bashkë me urimet dhe përgëzimet e mia më të përzemërta edhe admirimin tim të thellë për titujt prestigjoz si dhe për veprimtarinë e tij shkencore në përgjithësi këtu në Shtetet e Bashkuara. Duhet të jemi gjithashtu mirënjohës, njëkohësisht, edhe për angazhimin e tij dhe të kolegëve për ndihmën, bashkpunimin dhe kontaktet që mbajnë me vendlindjen, nepërmjet Institutit Alb-Shkenca. Si një shkencëtar me përmasa botërore, Dr. Qafoku është krenaria e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, ndërkohë që arritjet e tija në Shtetet e Bashkuara dhe ndërkombëtarisht, janë për të gjithë ne frymëzuese dhe për t’u admiruar.
NIKOLLA P. QAFOKU NJË SHKENCËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN QË NA NDERON