Blerina Ruka: Dritë (hijet)
Diku pas mesnate
Nuk e di çdo të kish ngjarë nëse lumturisë s’do t’i kish rënë rruga teposhtë pragut tim. Nuk e di as çfarë forme do të mbante buzëqeshja nëse flladit s’do t’ia kisha puthitur faqen përkëdhelshëm.
Mbase as dritëhijet e shpirtit s’do t’i kisha njohur nëse këtë të fundit nuk do ta rrëmbente aventura, ama dielli ka ca kohë që mi fal disa rreze, ma ndriçon fytyrën, m’i ngroh gishtërinjtë…
Ashtu kjo puhizë veshtullore më mbështjell njëherazi duke më lëshuar drejt vetmisë. Nuk i kam preferuar asnjëherë marrosjet, asnjëherë gulfimet e zemrës dhe as dëshirat jetëshkurtra, por e kisha patur kaq gabim se paska ca ‘xhepa’ jeta prej të cilave varet kujtimi, pështjellimi, harresa. Ngjasojnë me stalaktitet nga të cilat kullon herë pas herë dritë e ujë, si për të më shkundur se aty paskësh qenë me kohë por vetë koha i pat ngrirë.
Nuk di të them se ishte rutina që më kish përzgjedhur, a unë atë…?! Nuk e mbaj mend se cilës stinë ia huazova ngjyrat për t’ia falur ditës sime, asaj më të resë, më të fundit, asaj së cilës mendja kish vendosur t’ia jepte të gjitha sekretet e veta, të gjitha zakonet e së përditshmes të ndërronin kryekëput.
Dhe ashtu u bë!
Në fillim ngjasoi me një hije prej së cilës nuk e kuptova a duhej t’i ruhesha apo t’i jepesha, s’më kujtohet mjaft mirë se cila ishte hapësira që zuri dhe as premtimet që solli, por isha gjithë mezipritje të ulesha me të, të shkëmbeja me të, ta njihja atë.
Ashtu urtë e butë fillova ta pranoja si ta kisha pjesë të së kaluarës, si të kish jetuar disa kohë në një prej sëndukëve të pluhusour të bodrumit ku gjërat më të vyera të së shkuarës kishin kohë që jetonin harresën. Por nuk ishte ashtu, koha e kish rritur, i kish dhënë maturinë për të më dhënë edhe mua disa këshilla të vyera, ishin fjalë krejt të vogla nga pritshmëria, por kishin mision, kishin të nesërme, kishin jetë në secilën gërmë. Më ish dashur vetëm pak guxim për t’i dhënë një tjetër drejtim dritës së ditës. Ashtu kohën u duk se e kisha në dorë, për t’ia nxitur pak vrapin, ule pak, më prit pak, s’të ndjek dot…
Nuk ishte e lehtë të më zhvendoste në horizonte të reja, por ish më e fortë se unë. Ish drita që më kish spostuar a afruar vite larg. E sotmja ishte dje, e djeshmja nesër, pothuaj koha ish zotuar të njihte vetëm sekondin, të tjerat nuk më kujtohen…
Më shfletoi përpara oazit që më kish nxjerrë si panoramë se cilat do ishin sfidat e reja, mi rreshtoi një e nga një se çfarë duhej të ndryshoja e se mësimet e reja nuk ishin fort të kollajta. Ngriti gishtin e fundit të dorës së majtë, për ta kryqëzuar me timen: -Premtomë së gjithçka u tha, u pa, u bë i përkasin këtij horizonti, asaj pikës mes blusë së çelët të qiellit dhe asaj më të errët të detit.
Më kujtohet se nuk pata aq kohë ta pranoja apo ta refuzoja, por sapo qepallat e syve u përpëlitën rëndom më pak se sekondi i fundit, drita ish palosur për t’u rrëpirë kreshtës.
U zhduk, u mbyt, u tret… humbi!
Drita s’kish qenë më parë në krahun tim, nuk e kisha vënë re ndriçimin e as bardhësinë e saj se kisha preferuar që dita vinte më e plotë prej shkrirjes së ngjyrave që i pata krijuar. Dhe unë buzëqesha…
Buzëqesha se më erdhi ndër mend një shprehje që nuk e di ku e pata hasur ku thuhej se buzëqeshja kushton më pak se energjia elektrike, por jep më shumë dritë.
Të gjitha kishin qenë aty, tek unë…
Korrik 2020, Montreal