Cikël poetik nga Martin Camaj
Aty si tash para se me ardhë Fiset
Aty si tash para se me ardhë fiset
Ishe
Me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm një emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
E të hodhën përkrye gur e hekurat e para.
U zgjove e përgjakun sa herë
E u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
T’lumenjve dhe ndeje me petka të reja
Në shkamb
E ndritun ballë diellit mbi fusha.
Mbramja ashtë larg
Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.
Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshën e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.
Tregim i thjeshtë
Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba,
i thashë tim vëllau gjak-nxehtë.
“S’asht ajo punë për ne”!
S’kuptove, i thashë, due me shkue ndër këndime.
“Latinishtja – tha s’asht punë për ne:
mëso gjuhën e gjarpnit ma parë”!
Im vëlla gjak-nxehtë,
gjashtë vjec dinte me e ngulë fluturimthi
bizin në dhé,
dhetësh – tri pëllambë mbi krye thikën
ne drunin e njomë. Si ma njofti menden
befas nisi të pleqnojë e tha:
“Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët:
unë shpatën – ti pendën”!