Ela Zdrava: Mos urre!
Nuk e urrej kohën, që ia dhashë dikujt pa vlerë,
ndryshe si do ta njihja, ta dalloja ndër të tjerë,
edhe koha, që fala ka vlerën e saj,
njeriun nga njeriu ta përzgjedh, ta ndaj.
Asgjë dhe askënd s’e urrej se më merr shumë kohë,
as kohën, që iku e nuk kthehet më,
as veten s’e urrej për asgjë që kalon,
s’mund ta urrej se s’më sjell asgjë.
S’e urrej kohën për njerëzit e gabuar,
as njerëzit s’i urrej për atë përvojë të çmuar.
S’urrej as kohën që pres, se nuk e di çfarë do t’vijë,
as kohën e humbur s’e urrej, më mësoi kohës si t’i prij.
Për asgjë e askënd s’e urrej veten dot,
asgjë s’ka m’shumë vlerë se shpirti në kët’ botë.
një fije urrejtjen nga dashuria i ndan,
përrenj, lumenj, dete derdhini në oqean.
Ashtu si ujërat tokës jetë i falin,
i falni dashuri vetes, urrejtje mos ngjallni.