Era Çela: Bullizmi, plagë që hapet e nuk mbyllet kurrë
Një person i cili dhunon dikë sot, do ndërtoj një person dhunues në të nesërmen. Po pse ndodh bullizmi? Bullizmi ndodh pasi nuk na pëlqen ngjyra ndryshe e dikujt, feja, gjinia; pse ai vishet ndryshe apo pse ai nuk është pjesë në grupin tonë. Ata që bullojnë dikë e bëjnë pasi thellë brenda vetes së tyre kanë ndjenja inferioriteti që nuk kanë ndonjë aftësi të caktuar dhe për këto arsye bullojnë dikë që është ndryshe dhe dallon nga tjerët në lidhje me ndonjë aftësi. Duke ulur tjetrin dhe duke sharë tjetrin na bën ne të dukemi mbi tjetrin duke mbuluar ndjenjat e inferioritetit. Nëse ai nuk bën pjesë në grupin tonë, atëhere le ta shajmë e t’i hidhemi si hiena përsipër derisa sa ai të bëhet si ne sepse neve nuk e lejojmë dikë që të ndahet nga turma. Nuk e duam dikë që dallon dhe shkëlqen në një fushë. Fëmijët ‘bull’ bëhen ata që kanë në familje dhunues dhe çdo gjë si një copy paste duan ta shfaqin tek të tjerët, prandaj thonë fëmija kopjon nuk dëgjon, prandaj kujdes kur hidhni hapin, prindër. Fëmijë ‘bull’ bëhet ai që do të duket para femrave që ‘shiko, unë jam i fortë dhe komandoj gjithë këtë tufë djemoshash të rinj’, të cilët i hidhen përsipër ta shqyejnë e tallin dikë që mëson dhe rri në një qoshë, i cili nuk ka fizik për t’u mbrojtur. Kështu këta djemosha shkatërrojnë një fëmijë që i duhet botës për ta bërë më të mirë. Ai do pësojë trauma sikur asnjë nuk e do, do ketë frikë të krijojë shoqëri pasi mendon se do e tallin përsëri, në të ardhmen ai nga një i bullizuar do kthehet dhe bëhet ‘bull’ për vete ose do vuaj çdo ditë të jetës me mllefin për të kthyer borxhin tek ata që e bullizuan dikur. ‘Bull’ është si një sëmundje infektive. Ti bullon dikë sot, ai nesër do bullojë dikë tjetër për të nxjerr mllefin e asaj që i kanë bërë dikur.