Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri shtyn gjuetinë edhe për 5 vjet të tjera, çojini çifte për skrap

 

 

 

Bardhyl Berberi   

 

Para dy ditësh dëgjuam me shqetësim në një nga televizionet e vendit, prononcimin e Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit zotin Blendi Klosi mbi propozimin që ai mendon të bëjë për shpalljen nga qeveria shqiptare të një moratorium tjetër 5-vjeçar për gjuetinë duke e shtyrë bllokimin e aktivitetit e saj deri në vitin 2025.

Lidhur me këtë problem, tek  Federata Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim ky lajm ra si një rrufe në qiell të kthjellët, për 53 shoqatat e gjuetarëve përbërëse në bazë, përvojën e më se 16 mijë gjuetarëve anëtarë të këtyre shoqatave dhe njohës të apasionuar të jetës së egër… Natyrshëm lindin disa pyetje:

– Përse qeveria shqiptare zbatoi prej më se shtatë vjetësh moratoriumin në fushën e gjuetisë?

-Cilat janë efektet e këtyre moratoriumeve perfshi edhe atë të pyjeve si mbi populltat e llojeve të gjahut në përgjithësi ashtu dhe mbi aktivitetin praktik të gjuetisë postmoratoriale në veçanti.

-Si duhet të veprohet në vazhdim me këtë aktivitet, pra me gjuetinë, në pamje të parë me karakter thjesht sportiv e rekreativ, por në të vërtetë me një diapazon te gjërë efektesh bioekologjike, por edhe ekonomike shpesh jo plotësisht të njohura dhe të menaxhueshme.

President i gjuetarëve të Shqipërisë Themi Peri na thotë se megjithë përpjekjet e federatës dhe shoqatave për ta frenuar këtë proces, në kushtet e një  privimi total të saj nga çdo e drejtë menaxhuese mbi ekonominë e gjahut, e njëjta gjë ndodhi më vonë edhe me  zonat e lira të gjuetisë  të cilat në mungesë te aktivitetit te DPPK-se dhe DSHP-ve mbetën në mëshirën e gjuetarëve të pa ndërgjegjshëm një pjesë  e te cilëve të pa inkuadruar në strukturat e shoqatave tona, por edhe të të ashtuquajturave ‘firma private të gjuetisë turistike’që  lindën  si kërpudhat mbas shiut të cilat sollën në Shqiperi për një periudhë thuajse dhjetë vjeçare me qindra gjuetarë të huaj shumica e të cilëve kontrabandistë që  bënë kërdinë duke gjuajtur pa limit e pa kriter në këmbim të një pagese  në valute që s’dihej se në xhepat e kujt përfundonte, gjë qe solli një përkeqësim të madh të situatës duke vënë në pikpyetje shuarjen e plotë të mjaft specieve të vlefshme të faunës së gjahut”.

Në këto rrethana, në kushtet e emergjencës, shteti mori masën e vendosjes së një moratoriumi në fillim dy vjeçar (te perkrahur edhe nga shoqatat e gjuetareve) e në vazhdim edhe të një tjetri shume te gabuar pesë vjeçar mbi gjuetinë, me qellimin që me këtë  veprim nga njëra anë të frenohej ky proces shkatërimi dhe nga ana tjetër t’u japej mundësia popullatave të llojeve të ndryshme të ‘gjahut të dobishëm’ të merrnin veten dhe të reabilitoheshin sa të ishte e mundur më shumë pa asnjë mbështetje apo ndërhyrje nga ana e njeriut .

Por pikërisht tek fakti se, nga njëra anë munguan strukturat e punës e të mbrojtjes, mjetet teknike dhe fondet në terren për zbatimin rigoroz të këtij moratoriumi dhe nga ana tjetër për mosmarjen  nga ana e shtetit të masave të domozdoshme bitoteknike që duhet  të shoqeronin moratoriumin për drejtimin në sensin e duhur të ndikimit të tij mbi evolucionin e popullatave të llojeve të gjahut dhe të ekosistemeve natyrore ku ato bënin pjesë të dëmtuara rëndë nga eliminimi masiv i llojeve të ndryshme, qëndron edhe  mosrealizimi i pritshmërive të këtyre moratoriumeve  me efekt sa radikal aq edhe delikat.

Tani mbas shtatë vjetësh moratorium, megjithë paralizimin e plotë të punës së strukturave pyjore për shkak të ndryshimeve organizative dhe të punës së shoqatave të gjuetarëve për shkak të moratoriumit , në saje të vrojtimeve të aktivisteve tanë të apasionuar në teren konstatojmë se rezultatet e arritura mund të përmblidhen si më poshtë:

Kur bëhet fjalë për faunën e gjuetisë ose thjesht ‘gjahun’ apo ndonjëherë jo fort korektësisht ‘gjahun e dobishëm’ nuk kemi parasysh as pelikanet apo fenikopterët  dhe as shqiponjat, skifterët, arinjtë, riqebujt, ujqërit, dhelprat, kunadhet apo bufat dhe kukuvajkat. Këto janë lloje kryesisht rrëmbenjëse që në shumicën e rasteve qëndrojnë në krye të zinxhirëve ushqimorë të ekosistemeve ku bëjnë pjesë te cilat duhen njohur dhe mbrojtur nga gjuetaret si elementë të rëndësishëm të tyre por që kërkojnë një menaxhim dhe konsideratë të veçantë që jo rrallë tejkalon preokupacionet e gjuetisë.

Askush nuk shkon në gjueti për të gjuajtur kafshë të tilla por për të gjuajtur lepuj, thëllëza, fazanë, turtuj, rosa e pata, por edhe tusha e mëllënja, e me rallë ndonjë kafshe gëzofi që tashmë tek ne janë pakësuar shumë. Mbi kategorinë e fundit të llojeve të përmendura me sipër bën presion jo vetëm gjuetia por edhe kategoria e pare, pra ajo e kafshëve rrëmbenjëse një pjesë e të cilave me karakter kozmopolit gjë që e vështirëson dhe ngadalëson së tepërmi ripopullimin natyral të terreneve ku u ndalua gjuetia (pra pa ndërhyrjen e njeriut).

Për pasojë duke mos e shoqëruar moratoriumin me masa konkrete bioteknike për kontrollin e popullatave të rrëmbenjësve kozmlopolitë, veçanërisht të dhelprës, kunadhes, nuselalës dhe ujkut, ripopullimi i tereneve nga gjahu i dobishëm u bë tepër i ngadaltë ose në disa raste nuk u realizua fare për shkak të presionit te dyfishtë nga njëra anë prej llojeve rrëmbenjëse të shtuara në maksimum si pasojë e daljes së tyre nga efektet e ligjit ekologjik të ‘predacionit’ dhe nga ana tjetër prej gjuetisë ilegale që nuk pushoi kurrë.

Nxitja indirekte e kësaj të fundit (pra e gjuetisë ilegale) edhe nga kërkesat e tregut të sektorit të ushqimit social dhe të njerëzve të pasur dhe me pozitë që nuk e kanë problem nivelin e pagesës duke përfshirë në këtë aktivitet shtresën e varfër të gjuetarëve të cilët në kushtet e një varfërie ekstreme e shikojnë këtë veprimtari si të vetmin burim të ardhurash për mbijetesë.

Mungesa totale e drejtimit teknik dhe e mbrojtjes si pasojë nga njera anë e pushimit të aktivitetit të DSHP-ve dhe  nga ana tjetër ushtrimi i një gjuetie kaotike e të pa organizuar dhe kontrolluar nga Federata dhe shoqatat e  gjuetarëve për shkak të paralizimit të veprimtarisë se tyre nga moratorium.

Në këto rethana mjaft të komplikuara mund të shtrohet pyetja: Cila do të ishte zgjidhja e problemit dmth a do të vazhdojë edhe për vite të tjera moratorium i gjuetisë, siç mendon ministri Klosi, duke shpresuar që vetëm me një vendim të tillë  malet dhe fushat e Shqiperisë do të mbushen me kafshë të egra të cilat do të jetojnë në paqe dhe harmoni me gjuetarët e pa organizuar që nuk respektojnë regullat por  edhe me llojet e egra rëmbenjëse kozmopolite  që nuk u binden ligjeve të ekologjisë apo do të meret parasysh mendimi i grupit kryesor të interesit të kësaj fushe që është komuniteti i gjërë i gjuetarëve të apasionuar të organizuar në mënyre kapilare në gjithë territorin e vendit dhe federatën e tyre që e njohin, dashurojnë dhe mbrojnë natyrën, që në gjithë veprimtarinë e tyre udhëhiqen nga ligjet e etikës së gjuetisë dhe kodit etik të gjuetarit, mendimi i specialistëve dhe drejtuesve të këtyre organizmave që vendit tonë nuk i mungojnë, apo mendimi i kolegëve të organizmave ndërkombëtare ku federata jonë bën pjesë?

Dhe në këtë situatë në vënd të një moratoriumi tjeter pesë vjeçar që propozon ministri Federata dhe shoqatat e gjuetarëve parashtron se ëshë e domosdoshme të merren një seri masash si me poshtë:

-Gjuetia si një aktivitet pasionant e lindur qysh në zanafillen e njeriut si qënie e ndërgjegjëshme, të konsiderohet nga shteti ynë si kudo në botë një aktivitet me karakter të dyfishtë sportiv (sepse edukon kurajon, rezistencën, forcën fizike etj) dhe ekonomike (sepse si rezultat i saj përfitohen të mira materiale që mund të vleresohen si brenda vendit ashtu edhe nëpërmjet gjuetisë turistike).

-Të rifillojë me të gjitha potencialet e saj veprimtaria e Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë dhe e shoqatave të gjuetarëve në bazë, të cilat duhet të riorganizohen tërësisht. Në bashkepunim me Bashkitë ato duhet të definitivizojnë rrjetin e rezervateve dhe zonave të lira të gjuetisë të të gjithë vendit, destinacionin e tyre dhe masat që duhen marë për mbrojtjen e gjahut. Për këtë të shikohet mundësia e mbështetjes së tyre financiare edhe nga shteti. Për sezonin 2020-2021 te aplikohen zona gjuetie, lloje dhe periudha të kufizuara gjuetie duke vendosur limite lidhur me ditët që mund të gjuhet dhe numurin e krerëve që mund të vilen.

Shoqatat e gjuetarëve të riorganizojnë grupet e gjueterëve për ushtrimin e gjuetisë, kontrollin e vjeljeve dhe grumbullimin e të dhënave për krijimin e statistikave qëndrore mbi gjëndjen e gjahut në vënd .

Federata  në bashkëpunim me strukturat shteterore, institucionet kërkimore qëndrore dhe bashkitë të organizojë dhe nxisë hartimin e projekteve për menaxhimin shkencor të rezervateve dhe zonave të gjuetisë në vartësi te rëndësisë dhe vlerës së tyre.

Aktivitetin e gjuetisë ta marrë në drejtim Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ashtu si në gjithë vendet europiane. Kështu shkatërrojmë njeherazi dhe të korruptuarit në MTM që në vite të tëra kanë ‘punuar’ për ta shkatërruar këtë pasuri kombëtare dhe nuk arrijnë të shohin katastrofën mjedisore që po ndodh edhe në zonat e mbrojtura duke u mbuluar nga betoni lagunat përgjatë gjithë bregdetit.

Fauna e egër në Shqipëri nuk janë pelikanët, flamingot e karabullakët që sa herë i kalon rruga ministrit shkon dhe na i promovon në Divjakë sikur të ishte gjithë vendi.

Po 80% ëe fondit të gjuetisë kush e kontrollon?

Fauna autoktone që ka 30 vite pa iu bërë inventari ka pësuar dëme të pallogaritshme. Mungojnë lloje të tëra si fazani e thëllëza e fushës, thëllëza e malit e lepuri i egër në limite kritike dhe vriten kafshë të mmrojtura me ligj si ariu, kaprolli, riqebulli, dhija e egër, etj. Kjo ka vetëm një emër: MTM është ministria e shkatërrimit të territorit dhe faunës duke persekutuar në ekstrem qytetarët e vet. Ne do ta kundërshtojmë fort me të gjitha mjetet demokratike këte nismë absurde e  qesharake të ministrit që me një të rënë të lapsit kërkon t’iu vjedhë gjysmën e jetës gjuetarëve nga hobi i gjuetisë.

Nuk do të pranojmë kurrsesi t’iu japim kënaqësinë atyre që kanë pezulluar gjuetinë dhe të çojmë çiftet për skrap dhe gjuetinë t’ua lëmë në dorë të fortëve që nuk njohin shtet e ligje. Si ka mundësi që gjuetia është ndaluar dhe gjen këto shatë vjet nëpër lokale, madje në meny mish derri të egër, lepur të egër, mish kaprolli, madje vijnë gjuetarë nga Italia me të fortët dhe bëjnë gjueti dhe marrin me vete gjahun në makina frigoriferike…Korçarët kanë një shprehje “pula po bëri kakaka o e bëri vezën o e ka” flitej nën zë se gjuetia u ndalua që gjuetarët të mos shikojnë parcelat e mbjella me drogë nëpër male!…

Madje ministra apo deputetë konsumojnë dreka me mish kaprolli dhe derri të egër para disa kohësh në Voskopojë… Janë 16 mijë gjuetarë të pakënaqur dhe familjet e tyre që kur të shkojnë tek kutitë e votimit ndonse mund të jenë të majtë për atë që ja u keni sjellë shpirtin në majë të hundës do të mendohemi mirë, thotë gjuetari Genci Killo…

Aktivitetit i gjuetisë po të konsolidohet duke u mbështetur sadopak nga shteti mund të bëhet një aset me vlerë jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë shtetin, ndërsa po të vazhdohet me moratoriume pa mbarim do të mbërrihet  në një kolapsim të plotë të ketij aktiviteti,  njëlloj siç mund të ndodhë me krejt ekonominë nga një mbyllje e plotë në kuadrin e luftës ndaj Covid-19.

 

 

 

Please follow and like us: