Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa SPAHIU: MEDITIME VETMIE

 

E hënë, I

 

Njëmend për t’u habitur, pse kaq

herët zgjoheshim niseshim tërë

lagjja, çdo të hëne me disa dëshira

kanatat e portave i linim të hapura

para neve barisnin baresnin engjujtë,

qerret i tërhiqnin qetë e mbrehur, pas

kuajt samarnjakë të ngarkuar me thas,

ata më të varfërit me hejbet e grisura,

me kova, rrokshtajat, katranicat, kusiat

e bakërta me gjalpë shkrirë si qehlibar,

ditimi na impononte hërkat e zhgunit,

se rruga vade s’ka,dëgjohej sall zëri i

Azif Ibës deri te mulliri Jonuz Broshës,

agsholi na nxirrte mbi kurriz të Ujit të

Bardhë,gjithëçka e thoshte djersa çurg

nga barra e rëndë tunxh gjendeshim

vetëm në gjysmë të rrugës një zë qetë

na kumtonte mbanie takatin se na pret

kthimi, pushonim një cigar në Shkrepin

e Malit të Tërnocit, bregut të lumit

gjarpëronte rruga makadam, kokëulur

e të heshtur kalonim mes për mes

fshatit të Tërnocit të Madh, se fëmijët

i kishin harakat, botë e pashpjeguar,

mos të na gjejë ora e ligë koras na

shanin “Po vinë maloçët, rrepacakët,

për t’i shitur morrat dhe tartabiqet…”

Kur zgjidheshin nyjat e dritës shkrepte

agu mëngjesot futeshim në kasabanē

e Bujanocit, hapej pazari, sapo gjenim

ndonjë, ia behnin bazhdarxhinjtë për

të paguar haraqin pa shitur asgjë, ah

ne iu theshim pas një saati i merrnin

lekët për hyqymetin e shqehve që jeni

ngulitur në tokën e Dardanisë, shisnim

e blenim gjërat më të nevojshm, së

pari kripe, vajguri e tjerat varg e vi

ktheheshim ku i kishin vënê ferkemet

i venim gishtat,nga lodhja na bëhej

dy herë më gjatë, barra dy herë më

e gjatë, se arna ishim dhe arna nuk

kishim për ta arnuar varfërinë tonë.

 

E martë, II

 

Zgjoheshim më të zymtë se mëngjesi

pikëllimi i pashpresë ndalej në pragun

e derës, mbyteshim në vërshimat e

dhembjes,maxhetoret gatuanin bukë

me miell të mykur, dhembjet janë më

gjembore, saçi digjej mbi zjarrr,çerepi

e priste misërnishten, e i biri i nënës

nisej me tufëzën e deleve me trastën

thatë duke futur një rasapetë guri

duke ëndërruar çobenjtë se shoku

i tyre paska nga një kafshatë bukë

gruri (guri) harroheshim në lojē,

duke pirë ujë te Kroni Lajthisë, tevona

i nisnim baktinë të ngopur me dushk e

bar kthenim kah fshati, jehonin fyejt

me tinguj të uritur ta gjenim darkën

plot më të mirat e Zotit, të kredheshim

në gjumë deri në mëngjesin e hershëm

të së mërkurës kêshtu na mbante pak.

 

E mërkurë, III

 

E mërkurja më dukej rrëpirësirë

kacavjerrëse, largëvajtëse, i drojtur

pse ndodhnin ngjarje të brendshme,

qepallat e përgjumura të vegimit

mundohesha ta sqarojë miqësinë

në zanafillën e fuqishme me at

çobaneshën, të bijën e Demush agës,

po ç’meshkuj të ngrysur i kishte

vëllezërit, por edhe qentë sygjak,

veçse shtrati i përroit të thatë një

litar samari na ndante, tri buzëqeshje,

Oj vajzë, oj zanë  malit, oj malësore

mos të na vejnë kufi etërit, tashmë

nuk jemi fëmijë, bjeshkën e bëj copa,

bëj diçka të dashur, bëj diçka diellore,

se kam vetëm një nanë dhe tufën në

bjeshkën e përbashkët, në të njejtin

burim po pijmë, në të njejtat imazhe

po dashurohemi ne sikur nanat tona,

Kurse ne, kur mendojmë vetëm për

një gjë, e para punë për ne është

të jemi të bashkuar dhe të lumtur

Armiqësia, qoftë e mallkuar!

Begatinë tonë do t’i kemi – fëmijët

do t’i ruajnë qengjat e delesykave.

Të dy u ngritëm: skenari ishte –

p ë r q a f i m i !

E enjte, IV

 

Gjysma e javës ia behe me sejsane,

do ëndrra të trishta më trandën, veçse

do shpend betoheshin në hapësirë

merrnin drejtime të kundërta ku

dashuroheshim lulet derisa rriteshin

(duhet të shfaqem si aktor kukull),

pastaj nga stinët e mia i fsheha

në shtrojera dhe sohishta me

përshtypjen e së ardhshmes mbushur

përhershmëri, është e papërshkrueshme që nga fillimi ku

qëndronim çdo të enjte ku ka fosile

në dhomat e réve këmbët m’u

thefshin nëse mburrem dhe përulem,

ninëzat i shtrydhshe në shtrydhëse

rrushi razaki me shegat devedishe.

E enjtja i bie fyellit bjeshkës së lartë

të pafajsisë stolidur me luleshtogu,

mëllaga, shpendra,kur merr vrull e

hov fara në barkun e grave gravide

Të enjtet janë shtat-hedhura.

 

E premte, V

 

Të premten kallajisej qielli

yjtë shfaqeshin pasagjerë të cilët

me ngut, trëndafilat i soditnin

gonxhet e luleve ato zhvishenin

nga pjalmi i tyre në havani vigane,

E premtja i ka akrepat dhe lavjerrësin

e orëve të syve dhe qepallave duke

i varguar imazhet e pashkëputura

të stinëve, rrënjët e vreshtave nxirren

kur lundrojnë zogjtë e kaltert të Drinit

të Bardhë nga qeshjet fare skofiare,

Çdo dritare e ka nga një dritare

të hapur, një zemër fisnike përbirohet

nëpër vrimë gjilpëre, gratë fundosen

të enjten, të premten dalin shpërlahen

me ylbere, si të bëjë fole në mes deti?

 

E shtunë, VI

 

T’i moj e shtune vjen me xanxafil

përsëri e fekonduar, rrapëllon me

trungun e lëvizjes, pak minuta ka

vera, të shtunën i marrë lodrat me

ngut herët i shtrydhi ditët e stinës

çitijanet e grisura të hënës, i ndêjë

si rétë në qiell, atij mëngjesit gjezdis

Lindihans me kurora të bleruara, e

zbuloj dallgën me shkumë që mëkon

të gjitha dhembjet, pëllumbesha dhe

pëllumbi i ruajnë në oxhakun e haremit.

Nata me bukureza është këngë më

e ndriçme se Anamoravaset e mia

zemrat e tyre i akordojnë në sytë

e njerëzve me dashuri mrekulli, e

dij baladën e puhizës bojëgjake;

as pranvera, as pranvera nuk

perëndon në faqkat n’agimin e

bardhë – organoja derdh simfoni

magjike, të shtunën e ndryej thelle

në guaskën ku se godet rrufeja…

 

E diel, VII

 

E diela e tjerr mëndafshin e gjelbërt

me gëzimet më tërheqëse kolovitem

papritur qetësiav që s’thuhet kotekot

e zbuloj mbushullimin e mpleksur, të

dielen urnën lartësoje, atëherë hidhni

monedhat e gjetheve të oleandrave

të dielen kurrë nuk do të arrijë të

mërkurën, as të enjten, e këndshmen;

në shkallën e fundit e lë monedhen,

të dielen le ta gjejnë të sapomartuarit

deri në tempullin madhështor, Ju e

dini vajza  – anamoravase bukuroshe,

të dielen mos e shikoni me smirë,

veçse, ju lutem mos e harroni, dejtë

përplot prani, kjo vlenë për shumëkë,

ndaluni para shatërvaneve dhe fontanave, të diele në lojën para

fillimit mëngjesit – shpresëlënës,

Ndërsa para vetes, pramverës, verës

dhe të dielen e parë të vjeshtës…

Më mahniti, engjulli…

Për shtatë ditë, pas mëmëdheut

në rendë të parë është aroma e

lirisë si qumështi i NANËS…

 

 

E martë, 07.07.2020, në Dardaninë Ilire.

 

Please follow and like us: