Albspirit

Media/News/Publishing

Abdulla Mehmeti: KEQPËRDORIMI I FESË PËR QËLLIME POLITIKE

Në kohën kur rrjetet sociale kanë ndikim të madh, disa edhe në përmasa globale, përveç anës së dobishme të tyre në shoqëri dhe në jetën e njerëve, ato kanë edhe anët e veta negative dhe të dëmshme. Këto rrjete, jo vetëm që mund të keqpërdoren pa dashje, por shpeshherë përdoren në mënyrë perfide edhe për qëllime johumane, interesa politike dhe veprime subversive e armiqësore ndaj popujve dhe vendeve të ndryshme. Kjo më së miri është dëshmuar në disa shtete, ku rrjetet sociale dhe mediat në përgjithësi janë përdorur si mjete kryesore për nxitjen e trazirave, shpërthimin e konflikteve, madje edhe përmbysjen e pushteteve në disa vende. Dhe, jo që disa pushtete nuk kanë merituar të përmbysen, por këtë duhet ta bëjnë forcat progresive të atij vendit, me metoda dhe mjete konvencionale, siç edhe ka ndodhur gjatë historisë, por jo grupe kriminale dhe falanga kanibaliste dhe në shërbim të interesave të huaja.
Agjencitë e specializuara që i kanë hetuar disa nga këto raste, si ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera, siç quhen në terminologjinë moderne lufta kibernetike dhe ndërhyrjet hibride, si rasti i ndërhyrjes në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, tentimi për grusht shteti në Mal të Zi, trazirat e para disa viteve në Turqi, tentimi për përmbysjen e pushtetit me mjete jodemokratike në Shqipëri, rasti i fundit kundër Marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, si dhe pengimin e Maqedonisë të inkuadrohet në NATO, të cilat në shikim të parë duken të pabesueshme, por megjithatë, disa nga qendrat për organizimin dhe koordinimin e këtyre ndërhyrjeve ka dyshime të bazuara se kenë vepruar pikërisht nga Maqedonia dhe nga vendet fqinje të saj.
Kjo është edhe arsyeja pse dua t’ua përcjell këtë mesazh të qartë njerëzve qëllimmirë, qytetarëve të përgjegjshëm dhe atyre që mund të kontribojnë për ruajtjen e paqes, të një ambienti shoqëror human, pa dhunë, tensione ndëretnike, konfrontime dhe përplasje mbi baza nacionale, fetare, apo arsye të tjeta, si trazira të panevojshme që zakonisht i përdorin qarqet e ndryshme dhe rrjetet kriminale, forcat destruktive dhe armiqësore, për qëllimet e veta politike, ekonomike dhe biznesore.
Kujt i duhen në këtë fazë të përplasjeve të intersave të mëdha globale, gjeopolitike dhe gjeostrategjike, t’i nxjerin brirët ‘mbrojtësit e islamit’ kinse të mirfilltë, apo të ‘vëllazërisë ortodokse’ të popujve sllavë? A nuk janë besimet fetare përkushtim i përhershëm, në radhë të parë besim në Zotin, përkushtim ndaj krijuesit, devotshmëri dhe edukatë personale e familjare, e jo mjete për ndërhyrje në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të një vendi apo të një rajoni? Rasti i Maqedonisë kërkon një studim më të hollësishëm, të thellë dhe të gjithanshëm, në kontekst historik dhe aktual, për raportet e aleаncave tradicionale ballkanike, sllave ortodokse kundër shqiptarëve.
Por, pse të ju duhet pikërisht shqiptarëve dhe mu tani, në këtë fazë të kapërcimit nëpër sfida të mëdha për ruajtjen e qenies kombëtare, siç janë: ndërtimi i shtetit ligjor, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, pengimi i shpërnguljes në masë të popullsisë jashtë vendit, integrimi në strukturat globale evropiane dhe euroatlantike, ndërtimi i shtetit dhe njohja e plotë ndërkombëtare e shtetit të Kosovës, sigurimi i barazisë së plotë qytetare dhe kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni, sigurimi i lirive themelore, barazisë qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve në viset tjera, në Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe Çamëri?
Pse gjithë këto shkolla në gjuhë të huaja në qytetet dhe vendbanimet shqiptare, si: qendra kulturore dhe fetare, shtëpi botuese, botime librash dhe revistash, rrjete të librarive, objekte dhe media për propagandë fetare, të gjitha në shërbim të një besimi fetar, të financuara nga jashtë, kur shumica prej nesh e dinë burimin këtyre mjeteve financiare nga vinë, cili është destinimi dhe qëllimi i tyre?!
Pse duhet të goditen mu tani traditat fetare vendase të shqiptarëve, harmonia ndërkonfesionale, kultivimi, ruajtja dhe ruajtja e besimeve të ndryshme fetare mes vëllezërve të një gjaku dhe një gjuhe, të cilët ngjashëm besojnë një një Zot të vetëm, kruijuesin e plotfuqishëm të botërave dhe të njeriut?
Pse duhet të ngriten gjithë këto tensione, të krijohet mosbesim dhe të nxitet urrejtje e panevojshme mes pjesëtarëve të besimeve fetare tradicionale të shqiptarëve, të cilat nuk kanë paraqitur asnjëherë problem në të kaluarën, as në situata lufte dhe okupimi nga të huajt në trojet etnike shqiptare?
Pse duhet të krijohet kjo klimë e mosbesimit dhe urretjes mes individëve dhe qarqeve të ndryshme, mes pjesëtarëve me besime të ndryshme fetare ndër shqiptarët, të një prejardhje, gjaku dhe gjuhe? A kemi nevojë ne shqiptarët pikërisht tani të kërkojmë ‘qime në vezë’, se kush kemi qenë e ku kemi qenë, ku jemi sot dhe nga duhet të shkojmë në të ardhmen, pa e kuptuar se asnjë popull në botë nuk ka nisur dhe nuk ka përfunduar askund, përmes ndonjë lëvizje shoqërore, kulturore e politike, vetëm si masë e njerëzve pse kanë pasur bisim të njëjtë fetar. Asnjëherë për popullin shqiptar nuk ka paraqitur KAUZË çështja fetare, as për interesa të besimit islam, as për interesa të besimit të krishterë, katolik apo ortodoks, as për ndonjë çështje tjetër të kësaj natyre, p.sh., ateizmin, siç pretendonte ish regjimi komunist.
A nuk e vërejnë shumica e shqiptarëve se cilat janë tendencat e këtyre rrymave dhe lëvizjeve politike-fetare: pse ato duhet të nxiten dhe financohen nga jashtë? Pse duhet të vinë nga disa qendra njëherësh, me koncepte, filozofi dhe botëkuptime të ndryshme sektare? Pse atëherë duhet që këto rryma fetare të ndërhyjnë edhe në biznese, në ekonomi, në raporte të tjera shoqërore dhe në politikë, e jo vetëm në jetën fetare të pasuesve të tyre? Pse duhet të përfshihen në jetën politike, në pushtet dhe në institucionet e shtetit, përmes subjekteve politike të krijuara dhe financuar prej këtyre, me synime për marrjen e pushtetit?
A duhet vërtet të shtiremi, ne dhe ata, se shqiptarët nuk i dinë dhe nuk i njohin këto procese dhe tendenca, kur e kaluara historike ka dëshmuar që asnjëherë çështjet fetare nuk mund të përbëjnë ndonjë KAUZË kombëtare dhe interes madhor shoqëror, kombëtar e shtetëror, për asnjë popull, as edhe për ne shqiptarët?!
Pjesa dërmuese e shqiptarëve kurrë nuk do ta tolerojnë që KAUZA e tyre të frymëzohet dhe mbështetet, as nga qendrat politike-biznesore-kriminale nën petkun fetar, si nga Irani, Turqia e Katari, ashtu edhe nga qendrat fetare të krishterizmit, si shteti fetar autonom i Malit të Shenjtë – Atos, apo ‘Sveta Gora’ siç e quajnë popujt sllavë, e cila mbi 1055 vjet, nga viti 963 i erës sonë e deri më sot, bën plane dhe kryen veprime për falsifikimin e historisë, të kaluarës ilire-arbërore-shqiptare të Gadishullit Ilirik, si dhe ndërmerr veprime e aksione për dobësimin dhe zhbërjen e qenies shqiptare në rojon dhe kudo që ndodhen shqiptarët në botë.
Si ndodhi që kishat më të lashta shqiptare, siç kanë qenë ajo Shën Sofia në Kontandinopojë (Stambolli i sotëm), edhe ajo me të njëjtin emër, Shën Sofia në Ohër, të shndërrohen në xhamia, me emrin ‘Aja Sofia’, pas krijimit të Perandorisë Osmane, ndërsa menjëherë pas rënies së kësaj Perandorie të rikthehen sërish në qendra kryesore të besimit të krishterë ortodoks (tanimë jo nën qeverisjen dhe për interesat e themeluesve të tyre, të shqiptarëve, por të grekëve dhe sllavëve, si Patriarkana e Konstandinopojës ashtu edhe Arqipeshkopia e Ohrit në qytetin e lashtë iliro-shqiptar Lihnida, i cili për besimtarët e krishterë ortodoksë konsiderohet qytet i shenjtë, si Jerusalemi?!
Shqiptarët janë ndër kontibuesit më të mëdhenj dhe përhapësit e besimeve kryesore fetare, sidomos të krishterizmit dhe islamit, i besojnë një Zoti të plotfuqishëm dhe librave të shenjtë, Biblës dhe Kur’anit, por jo edhe përrallave jofetare turke e arabe, apo greke e sllave!
Lakmitarë të parasë dhe të pasurisë, të interesave, famës dhe pushtetit, ka ndër të gjithë popujt e botës; ka pasur, ka dhe do të ketë edhe ndër shqiptarët, siç ka pasur dhe do të ketë kudo dhe përherë, tradhtarë, kuislingë, mercenarë, shitës të interesave kombëtare, gjakprishur, mohues e bukshkalë; por, asnjëherë nuk duhet të besoni se shqiptarët e besimit katolik mund të bëhen italianë, kroatë ose diçka tjetër; as shqiptarët e besimit ortodoks, se mund të bëhen grekë apo sllavë; siç nuk duhet të besoni se shqiptarët e besimit islam mund të bëhen turq, arabë apo iranianë, nëse vërtet nuk kanë gjen dhe gjak ndër deje prej atyre kombeve. Identitetet janë si frutat, kanë bërthamën që e ruan dhe përçon trashëgiminë e llojit, por edhe pjesën e tulit, të cilën mund ta shfrytëzojë çdokush, ose mund të shformësohet dhe kalbet vetvetiu.

Please follow and like us: