Albspirit

Media/News/Publishing

Aleksandër Meksi: Zgjedhjet në Shqipëri, çfarë duhet ndryshuar?

 

Për gati 25 vite Shqipëria ka zhvilluar zgjedhje si për Kuvendin e Shqipërisë ashtu dhe për qeverisjen vendore, me probleme, me ndryshime të shumta të kodeve zgjedhore, me ndërhyrje të politikës në administratën zgjedhore, të cilat kanë deformuar vullnetin e popullit e për pasojë janë shkaku kryesor i gjendjes së sotme politike- ekonomike e sociale të vendit dhe i konfliktualitetit të tejskajshëm.

Në këtë mënyrë zgjedhjet janë kthyer në një makth për shqiptarët dhe një fushë beteje ndërmjet partive politike që kush të mund të deformojë më shumë votën e popullit, për të “fituar” pushtetin, duke i kthyer ato në një proces “as të lirë e as të ndershëm”. Kjo dukuri, sa e turpshme e po aq e dënueshme, ka larguar vendin nga demokracia e përparimi dhe përbën një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Më tej, përdorimi në fushatat zgjedhore i elementëve kriminalë, vjedhja masive e blerja e votave si dhe dhuna ndaj kundërshtarëve, i kanë detyruar shqiptarët të largohen nga vendi, sidomos të rinjtë. Shqiptarëve mund t’u bësh vërejtje se nuk i dinë mirë “këto punë”… por ata dinë mirë që çka ka ndodhur është punë e keqe e duhet ndryshuar rrënjësisht. E në të gjitha aspektet. Madje kur përmendin të huajt me fjalët “…se ata na mbështesin…” tregojnë se nuk kanë asnjë argument moral a ligjor në favor të veprimeve të tyre. Këtë mosaprovim e treguan me mospjesëmarrjen masive në pseudo zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Këto kanë qenë arsyet e debatit publik, jo vetëm ndërmjet partive, për të ndryshuar si sistemin zgjedhor ashtu dhe procedurat si e vetmja mundësi për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Mbas një periudhe të gjatë debatesh, shqyrtimesh, përballjeje ndërmjet partive që kërkojnë pushtet me çdo kusht, duke injoruar kërkesat dhe pritshmëritë legjitime të shqiptarëve, të shprehura me forcë në publik, thuhet se u bë një e ashtuquajtur marrëveshje, e cila veç Reformë nuk është dhe mban në pushtet dy partitë kryesore dhe partnerët e tyre që pranojnë t’u nënshtrohen, e cila duhet kuptuar se autoritarizmi, krimi, trafiqet, PPP-të e korrupsioni i tejskajshëm do vazhdojnë. Politizimi, i kërkuar me këmbëngulje, i strukturave që duhet të organizojnë, administrojnë, mbikëqyrin, zgjidhin ankimet dhe shpallin zgjedhjet, me këtë reformë vazhdon të mbetet, si dhe më parë, në vartësi të njërës apo të dy partive dhe në dobi të interesave të tyre, më saktë të liderëve të tyre. Kjo do të thotë që asgjë nuk do të ndryshojë në drejtimin politik e ekonomik të shtetit shqiptar. Pra do të vazhdojmë të jemi në të njëjtën gjendje, do vazhdojnë të na qeverisin po ata e me të njëjtët persona.

Ky është një lajm i keq për shqiptarët, për të ardhmen e vendit e për brezin e ri, një ogur i keq për të gjithë ata që kërkojnë demokratizimin e vendit, sepse demokratizimin e vendit nuk mund ta bëjnë parti të pademokratizuara e pronë e liderëve të përjetshëm dhe njerëzve të tyre.

Në të tilla rrethana lipset një Reformë Zgjedhore reale, jo për formë se na e kërkojnë… e as në elementë të dorës së dytë. Vendit i duhet një Reformim i plotë duke i siguruar zgjedhje “të lira e të ndershme”, kthim të demokracisë e përparimit si e kërkon populli.

Reforma është një ndryshim që synon të tjetërsojë rrënjësisht gjendjen aktuale të një strukture, aspekti apo dukurie të shoqërisë, ose të vetë kësaj, duke ndryshuar Rregullat e Ligjet bazë. Pra jo çdo vënie dorë mbi një akt qoftë dhe të rëndësishëm, që ndryshon aspekte sekondare apo anësore të saj mund të quhet reformë.

Kjo është e domosdoshme për të kapërcyer ngërçin në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit (që po vazhdon e thellohet dhe pas kësaj pseudo reforme që ruan status quo-në); mos përparimin e tij dhe që të mund të siguroj ndërtimin e shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut të lirë, dhe se vetëm në këtë mënyrë realizohet e drejta kushtetuese e qytetarëve për të zgjedhur e për t’u zgjedhur me votën e lirë e të ndershme dhe jo të jenë grupe të ngushta rreth liderëve të pazgjedhur demokratisht, ata që përzgjedhin të ngjashmit me veten për të përfaqësuar popullin, ata që iu nënshtrohen e iu binden si dhe partnerët në interesa ekonomike. Duhet pra një Reformë Zgjedhore e vërtetë, e cila synon të bëjë në këtë aspekt, ndryshime thelbësore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me Amendamente përkatëse.

Për këtë qëllim propozojmë këto Amendamente, për ndryshimin tërësor të e neneve 64, 68, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të cilat do të përbënin thelbin e një Reforme :

Neni 64

  1. Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 100 deputetë të zgjedhur me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.
  2. Nga këta, 80 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt  dhe me votim të fshehtë në zona njëemërore me dy raunde. Raundi i dytë, për rastin që askush nga kandidatët nuk siguron 50%+1 vota të vlefshme zhvillohet ndërmjet dy kandidatëve që marrin më shumë vota. 20 deputetët e tjerë zgjidhen nga Listat shumëemërore të Partive dhe/ose Koalicioneve sipas renditjes në to.
  3. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo Partie dhe/ose Koalicioni që zgjidhen nga listat shumëemërore përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në gjithë vendin në zgjedhjet e të njëjtës ditë në raundin e parë të zgjedhjeve.
  4. Partitë që marrin më pak se 2,5 %(3)dhe Koalicionet që marrin më pak se 5%(6) të votave të vlefshme në gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, në zgjedhjet e të njëjtës ditë, nuk përfitojnë nga Listat shumëemërore përkatëse.
  5. Fleta e votimit përmban kandidatin nga Listat njëemërore dhe Partinë e tij/ose Koalicionin që përfaqëson. Në rastin e Koalicioneve nga Listat shumëemërore rezultojnë fitues kandidatët në Listën e përbashkët. Në se secila përbërëse e koalicionit paraqet Listë më vete votat ndahen sipas marrëveshjes së dorëzuar për ndarjen e tyre ndërmjet partive të koalicionit.

 

Neni 68

  1. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumëemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në Komisionin Qendror Zgjedhor. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në Kodin Zgjedhor.
  2. Në Kodin Zgjedhor përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.

 

Neni 109

  1. Organet përfaqësuese të Bashkive si njësi bazë të qeverisjes vendore janë Këshillat dhe Kryetari, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë. Çdo Listë Partie dhe/ose Koalicioni merr atë numër këshilltarësh në raport të përafërt me votat e vlefshme që kanë marrë.
  2. Kryetari i Bashkisë si organi ekzekutiv i saj zgjidhet me dy raunde. Raundi i dytë zhvillohet në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk siguron 50%+1 vota të vlefshme. Në këtë raund të dytë votohet ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota të vlefshme.
  3. Kryetarin e Njësive administrative të një Bashkie e emëron Partia/ose Koalicioni që ka marrë më shumë vota të vlefshme në atë territor.
  4. Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse.

Këto propozime janë thelbësore si në ndryshimin e sistemit tejet të kontestuar e aspak demokratik, ashtu edhe për shmangien e deviacioneve që në të kaluarën janë vërejtur. Ky propozim synon të krijojë një Kuvend me një numër deputetësh më real për një vend të vogël si Shqipëria.

Kthimi në këtë sistem miks – proporcional të personalizuar i zbatuar në Shqipëri në vitet 1992-2005 i jep mundësi zgjedhësve ta dinë për kë votojnë e kujt duhet t’i drejtohen për kërkesa në dobi të zhvillimit ekonomik e njerëzor të zonës së tyre, njëherazi e t’i kërkojnë llogari e ta penalizojnë në se nuk punon për ta a se nuk i përmbahet angazhimeve e premtimeve. Pra sigurohet lidhja e drejtpërdrejtë e deputetit me elektoratin dhe vlerësimi për punën e tij.

Duke saktësuar se për ndarjen e votave sipas Listës shumëemërore merren rezultatet e ditës së parë d.m.th. e të njëjtës ditë dhe kështu truku i Dushkut 2001 nuk mund të veprojë më. Po kështu, duke qenë se fleta e votimit për deputetët është e njëjta si për kandidatin ashtu dhe partinë nuk mund të kemi transferim vote si në 2005.

Njëherazi, për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë votimi me dy raunde jep mundësinë që të fitojë ai që ka mbështetje nga më shumë se 50% e zgjedhësve. Pra një zgjidhje më e drejtë, sepse Kryetar do jetë ai që gëzon përkrahjen e shumicës.

Vetëkuptohet se për pasojë të miratimit të këtyre amendamenteve do të duhet që në frymën e tyre të bëhen ndryshimet përkatëse dhe në Kodin Zgjedhor.
Për mendimin tonë mbajtja e zgjedhjeve dhe organizimi i tyre në të gjitha etapat e procesit ka nevojë për disa struktura e organizma me detyra të caktuar në Kodin Zgjedhor, në përmbushje të neneve përkatëse të Kushtetutës dhe garancive për zgjedhësit për njohjen dhe respektimin e votës, pra zgjedhje të lira e të ndershme dhe realizim i të drejtës për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

Këto struktura kudo në botën demokratike janë të depolitizuara, dhe thuajse të gjitha ngrihen e funksionojnë vetëm për zgjedhjet e radhës, sepse nuk ka asnjë arsye që të jenë me afate të gjata dhe kjo ndodh vetëm kur e kërkon politika që t’i zgjedhë ajo e ti ketë nën urdhër e pjesë të saj.

Le të parashtrojmë mendimin tonë dhe zgjidhjet që propozojmë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është organi që krijohet menjëherë pas shpallje së ditës së zgjedhjeve, sipas një organike të paracaktuar dhe ka ndër të tjera për detyrë ngritjen brenda afateve të të gjitha strukturave të caktuara nga Kodi Zgjedhor dhe miraton gjithë komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet e Zonave si dhe organizimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e tyre si dhe që pas përfundimit, siç e parasheh KZ, shpall rezultatet përfundimtare dhe shpërndan mandatet. Detyra e këtij organizmi që për ne nuk duhet të jetë me përfaqësues të politikës, duhet të përfundojë me shpalljen zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Kujtoni këtu sherret e vazhdueshme dhe zgjedhjen e tyre: pozita 4 dhe opozita 3 anëtarë.

Drejtoria e Përgjithshme Elektorale (DPE), që sot përfshihet në Ministrinë e Brendshme, është një strukturë e përhershme e administratës shtetërore që kryen gjithë punën për zhvillimin e zgjedhjeve sipas kërkesave të ligjeve në fuqi dhe dokumenton e arkivon rezultatet e zgjedhjeve në vend. Brenda saj është dhe Drejtoria e Regjistrit të Gjendjes Civile. Strukturat e saj i shërbejnë proceseve elektorale në respekt e sipas detyrave që do iu caktojnë Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Ligjet për këtë qëllim.

Kolegji Zgjedhor (Kol.Zgj.) i cili ngrihet për të gjykuar mbi ankimet për shkelje të Kodit Zgjedhor, e paraqitura nga ata që ua jep ligji të drejtën. Ne mendojmë se ai nuk mund të jetë një trupë e vetme e për shumë vite, sepse përvoja e deritanishme nuk ka qenë pozitive. Prandaj gjykojmë që për çdo rast të veçantë trupa gjykuese caktohet me short nga KQZ me gjyqtarë të Apelit dhe të Faktit që i vihen atij në dispozicion.

Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV) është struktura bazë në procesin e votimit. Në Qendrën e Votimit (QV) zhvillohet tërësisht procesi i votimit: paraqitja e zgjedhësve, kontrollimi i të drejtës së tyre për të votuar në atë QV, pas kësaj kontrollohet identiteti i votuesit (biometrik), marrja e fletës së votimit dhe shënimi i këtij veprimi, vajtja tek vendi ku plotësohet fleta e votimit (FV), kryerja e shënimeve përkatëse, palosja e fletës së votimit dhe së fundi hedhja e saj në kutinë e votimit.

Më t’u deklaruar i mbyllur procesi i votimit, sipas afateve të Kodit Zgjedhor, kryhet hapja e kutive të votimit. Komisioni fillon procedurat e parapara për numërimin dhe ndarjen e fletëve: të përdorurat, të papërdorura e ato të nxjerra jashtë përdorimit, duke mbajtur shënimet në Proces Verbalin përkatës. Mbas kësaj fillon vlerësimi i votimit dhe nxjerrja e rezultatit, një proces vendimtar dhe në prani të të gjithëve: komisionar e vëzhgues. Pas kësaj hartohet proces verbali i rezultatit ku bëhen dhe vërejtjet përkatëse e pas kësaj ai firmoset.

Kjo do të mundësojë marrjen e menjëhershme të rezultateve dhe dërgimin e Proces Verbaleve dhe kutive në Komisionet Zonale për verifikimet e rastit dhe rinumërimet, kur ka kërkesa për këtë nga komisionerët ose vëzhguesit partiakë. Pra, si numërimi ashtu dhe rinumërimi kryhen në prani të publikut. Të gjitha veprimet duhet të jenë transparente për anëtarët e komisionit, për vëzhguesit partiakë dhe ata të Ojf-ve të specializuara e të autorizuara nga KQZ. I gjithë ky proces mbikëqyret pra nga Komisioni i votimit dhe vëzhguesit e forcave politike dhe në se do jenë mundësitë dhe me mbikëqyrje elektronike.

Kemi bindjen e plotë se këto ndryshime do të japin një kontribut me vlerë për përmirësimin e klimës politike në vend, uljen e konfliktualitetit dhe kundërvënies dhe forcimin e demokracisë. Njëherazi ato shmangin dhe përsëritjen e Dushkut (2001) dhe transferimin e votës (2005), ashtu dhe deformimin antidemokratik të sistemit nga ndryshimet e vitit 2008 e sidomos arbitraritetin aq të kundërshtuar të “liderëve”.

Jashtë çdo diskutimi, përveç përshtatjes me këto Amendamente, në Kodin Zgjedhor aktual d.m.th. në pjesën e organizimit të Zgjedhjeve dhe garantimit të “votës së lirë e të ndershme”, ka nevojë për ndryshime të shumta, ndër të cilat po përmendim:

  • Financimi i Partive për fushatën zgjedhore të jetë në përpjesëtim me votat e marra. Në fakt shteti duhej të financonte vetëm Partitë e demokratizuara: me anëtarësi reale e zyrtare, me zgjedhje të organeve drejtuese periodike e sipas parimeve demokratike.
  • Duhet të abrogohet KQZ sipas formulimit të sotëm, me përbërjen dhe detyrat e kompetencat aktuale, që fakt është organ partiak (problemi 4+3).
  • Në prag të çdo Zgjedhjeje KQZ që drejton Zgjedhjet të përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen me short një nga Gjykata Kushtetuese (Kryetari) dhe dy anëtarë po me short nga Gjykata e Lartë e Apelet. Ajo shpërndahet me Shpalljen e plotë të rezultateve të zgjedhjeve pra është vetëm për një fushatë zgjedhore.
  • Ngarkohet me organizimin e zgjedhjeve Drejtoria e Përgjithshme Elektorale, sot në Ministrinë e Brendshme. Drejtori dhe Zv. i saj për fushatën e parë zgjedhore të jenë kryetari e zëvendësi i KQZ aktuale.
  • Listat e Zgjedhësve të shpallen tre muaj para ditës së Zgjedhjeve e një muaj të lihet për korrigjimet. Pas këtij afati ato nuk ndryshohen veçse në rastin kur dikush mungon pa të drejtë.
  • Në QV komisioni të përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen me short: a) një nga një listë e kërkuar nga të djathtët e një tjetër nga të majtët, ndërsa kryetari po me short nga juristë e nëpunës civilë.
    b) nga listë me të vetëofruar kuadro të larta e nëpunës civilë.
  • Votuesit konfirmojnë të drejtën për të votuar në QV me kartë identiteti e gisht në aparatin e kontrollit biometrik i pajisur dhe me kartë memorie, që në KQZ pas zgjedhjeve, të evidentohet kush votoi dy herë
  • Që të shmanget fotografimi i fletëvotimit apo përdorimi i fletëve të plotësuara (të gatshme), votuesit të jenë me shpinë nga Komisioni dhe vëzhguesit.
  • Çdo Parti apo Koalicion ka të drejtën e një vëzhguesi gjatë gjithë procesit të votimit e numërimit, po ashtu dhe të shqyrtimit e të kërkesës për rinumërim në KZZ. Numri i vëzhguesve edhe mund të kufizohet në përputhje me votat e marra në zgjedhjet e mëparshme.
  • Numërimi i votave të bëhet në QV, dhe në çdo rast anëtarët e Komisionit si dhe Vëzhguesit apo përfaqësuesit e Partive dhe/ose Koalicioneve, me përfundimin e procedurave kanë të drejtë të marrin një kopje zyrtare të Procesverbalit me rezultatet ku paraqesin dhe ankimet e rastit. Ndërsa rinumërimi i kërkuar i votave (ose dhe numërimi i gjithë Zonës) bëhet në KZZ po në publik, ku përpara këtij procesi fletët dhe procesverbalet që vinë nga QV skanohen dhe Vëzhguesit marrin në CD të gjithë materialit të ardhur nga QV.
  • Kolegjet gjyqësore që shqyrtojnë ankimet, për shkelje ligjore që iu paraqiten, të përbëhen nga tre gjyqtarë të zgjedhur me short, dhe vetëm për një rast, nga një listë me gjyqtarë të Apelit dhe të Faktit.
  • Mbase, që Kutitë të mos jenë të hapshme e të mbushen rrugës, kur të mbyllen të përdoret ngjitës special që të kthehen në të pahapshme d.m.th. duhet t’i shkallmosh.
  • Masat Ligjore ndaj shkeljeve të Kodit e procesit zgjedhor duhet të ndëshkohen me penalitete fikse.

Besoj se është e kuptueshme që në Kodin Zgjedhor ekzistues duhet të bëhen të gjitha ndryshimet e nevojshme në përputhje me këtë Reformë për të siguruar realizimin e funksionimin e saj.

Njëkohësisht, çdo përmirësim në frymën e reformës, që propozohet apo gjykohet i dobishëm dhe i domosdoshëm për një funksionim më të mirë, më ligjor të kësaj Reforme do të duhej që të përfshihet në të.

Jam i bindur se për të shmangur sa më parë konfliktualitetin e tejskajshëm në jetën politike të vendit, tashmë jo vejtëm ndërmjet partive por dhe përkrahësve të tyre, do të ishte e dobishme që e shumta deri nga mesi i nëntorit të këtij viti të rivotohet në gjithë territorin e vendit për organet e qeverisjes vendore. Për këtë do duhej të përmirësohej ndarja territoriale : të krijohet Tirana Metropol si bashki më vete pra pa 4-5 bashki të periferisë, jo pjesë e jetës së ekonomike e sociale e qytetit-metropol. Po kështu të veprohet për rreth 6 qytete të mëdha, Qytetet Muze si dhe për disa zona që kanë qenë dhe më parë objekt diskutimi. Kështu numri i tyre mund të jetë rreth 70-80. Kjo nuk më duket e vështirë, sepse janë studimet e kryera me asistencë të huaj, të cilat u kryen në përgatitje të reformës, por që u shpërfillën, ndër të tjera edhe sepse opozita nuk mori pjesë në të.

I dobishëm do ishte dhe reduktimi i Qarqeve (apo Krahinave) për pasojë dhe i Prefekturave, në 7 nga 12 që janë sot: i Shqipërisë Veriperëndimore (i Shkodrës), i Shqipërisë Verilindore ( i Kastriotëve ?), i Shqipërisë së Mesme (i Durrësit), i Myzeqesë, i Shqipërisë Juglindore (i Korçës) dhe ai i Shqipërisë Jugperëndimore (i Vlorës ?) dhe Metropoli i Tiranës. Emërtimet mund të përmirësohen me të dhëna nga Historia e tradita.

Po kështu zgjedhjet politike të kryhen brenda periudhës mars- maj 2021 dhe Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen (si kudo) me përfundimin e zgjedhjeve, duke bërë për këtë rregullimet e nevojshme në Kushtetutë.

Sipas mendimit tim këto ndryshime mund të bëhen shpejt dhe ky reformim do të ndihmojë në stabilitetin politik të vendit dhe në ndryshimin për mirë të klimës politike si dhe jetës ekonomike e sociale të vendit

Please follow and like us: