KUR DY-TRI PARTI POLITIKE DHE DREJTUESIT E TYRE PËRFITOJNË NGA HUMBJA E NJË POPULLI TË TËRË
Abdulla Mehmeti
Sipas numrit të votave dhe numrit të mandateve të fituara nga shqiptarët në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore, mund të nxirren këto përfundime:
1. Numri i mandateve të fituara nga partitë politike të shqiptarëve në këto zgjedhje, 28+4 deputetë (nga 120 sa ka gjithsej Parlamanti i këtij shtet), është në përputhje me numrin e banorëve shqiptarë sipas versionit zyrtar (25,17), i dyshuar se është numër i pasaktë dhe i falsifikuar.
2. Numri real i mandateve nga partitë politike të shqiptarëve duhet të jetë së paku 45-50 deputetë, sipas numrit real të banorëve dhe votuesve shqiptarë, të cilët përbëjnë 35-40% nga numri i përgjithshëm i banorëve dhe votuesve në këtë shtet.
3. Humbja (avullimi) i votës shqiptare dhe përfaqësimi i ulët i shqiptarëve në Parlamentin e Maqedonisë Veriore është problem politik, jo problem matematikor apo statistikor, të cilin duhet ta zgjidh faktori politik shqiptar dhe pushteti në dobi të shtetit.
4. Monopoli, dominimi dhe kontrolli politik mbi institucionet kompetente për organizimin e zgjedhjeve duhet të hiqet sa më parë, me këtë të mundësohet organizimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, si dhe konsolidohet demokratizimi i shoqërisë dhe i shtetit në Maqedoninë Veriore.
5. Votat dhe mandatet e fituara nga dy koalicionet kryesore të bllokut politik maqedonas, nuk janë vota të qytetarëve maqedonas, por një përqindje e madhe e tyre janë vota të qytetarëve me përkatësi të tjera etnike, turq, serbë, romë, vllahë, boshnjakë dhe të tjerë, ndërsa numri i deputetëve nga radhët e partive të këtyre bashkësive etnike në këto koalicione është gati i papërfillshëm.
6. Në të gjitha ciklet zgjedhore, të dy koalicionet e partive joshqiptare, marrin edhe një numër të madh të votave “të heshtura” nga votuesit shqiptarë.
7. Për arritjen e rezultateve më të mira nga blloku i partive politike të shqiptarëve, organet e pushtetit duhet ta ndryshojnë qëndrimin diskriminues ndaj shqiptarëve, duhet të ndryshohet sistemi zgjedhor, njësitë zgjedhore, të pastrohet lista e përgjithshme e votuesve dhe të ndryshohen rregullat ligjore se cili qytetar i vendit e gëzon të drejtën e votës, jo secili që mund të merr shtetësi të rrejshme apo të sigurojë dokumente personale nga organet e pushtetit, të cilat edhe kanë manipuluar deri më sot, me këtë është ndryshuar ndjeshëm lista e përgjithshme e votuesve (siç është gjendja aktualisht, i bie që më tepër ka votues në këtë shtet se sa banorë).
8. Lëvizja politike shqiptare duhet të reformohet, të respektohet fryma e pluralizmit (me krijimin edhe të subjekteve të reja politike të shqiptarëve), por askujt të mos i lejohet që në emër të një partie politike të thirret në emër të popullit shqiptar.
9. Përderisa shteti ende funksionon si shtet nacional, jo si shtet i qytetarëve, asnjë subjekt politik i shqiptarëve nuk duhet të eksperimentojë me të drejtat kolektive të shqiptarëve në emër të një partie politike, siç ka ndodhur deri më sot.
10. Sipas të dhënave nga të gjitha ciklet zgjedhore të derisotme, asnjë parti politike e shqiptarëve nuk e ka mandatin të thirret në emër të të gjithë qytetarëve dhe të popullit shqiptar, përderisa numri i votave dhe numri i deputetëve që sigurojnë ata, nuk përbën vullnetin e popullit shqiptar, përderisa nuk i kanë fituar votat as nga gjysma e votuesve shqiptarë.
11. Që të arrihen këto objektiva në të ardhmen, duhet të ndryshohet Kodi zgjedhor, pakoja e ligjeve dhe rregullativa ligjore në lidhje me zgjedhjet, të krijohet një njësi zgjedhore dhe të votohet me lista të hapura, me qëllim të mobilizimit të votuesve shqiptarë dhe për daljen më të madhe të votuesve në zgjedhje.
12. Manipulimet gjatë zgjedhjeve nga partitë politike të shqiptarëve duhet të eliminohen, si blerja e votave, votimi në grupe, shantazhi dhe kërcënimi i votuesve etj.
13. Përçarjet dhe konfrontimet mes krerëve të partive politike duhet të eliminohen, sepse i dëmtojnë interesat e shqiptarëve, e dëmtojnë rëndë votuesin shqiptar, vullnetin politik dhe të drejtën e votës.
14. Krijimi i Këshillit koordinues të partive politike të shqiptarëve, me një rregullore parimore dhe të zbatueshme, i eliminon të gjitha këto dobësi të faktorit politik shqiptar, ndihmon në reformimin e brendshëm të partive politike dhe krijon mundësi që shqiptarët të flasin me një zë në këtë shtet për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Parimi i shumicës në vendimmarrje, nga këshilli koordinues i partive politike nuk i mundëson asnjë partie politike të manipulojë me qytetarët shqiptarë, me votën dhe vullnetin politik të tyre.
15. Platforma dhe strategjia e partive politike (e munguar deri më sot) shqiptarëve u siguron të ardhme më të mirë në këtë shtet, i përparon proceset demokratike dhe e forcon shtetin e së drejtës.
Shqiptarët, më tepër se të tjerët në këtë shtet kanë mundësi t’i japin fund konceptit të shtetit-komb dhe të shtetit-parti në Maqedoninë Veriore, për sigurimin e të ardhmes së tyre më të mirë, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit dhe të rajonit.
(19.VII.2020)