Nexhat Halimi: Dritësimi i “Agimit”
- Dritësimi i “Agimit”
Prizrenit gjak pikon robërimi i rëndë i lirisë
Njerëz e male mbështollën kokët me vetëtimë
Lumëbardhi zbriti vetes për gurë me oshtimë
E zemra e pa epur gjethoi hovshëm hardhisë
Gjak i gjuhës më të lashtë kumboi etur Ilirisë
Të nis të dritësojë fjalës dhe këngës Agimi
Të kumbojë në skenë inserti i kthimit Rizgjimi
Të mos vdes kurrë në Kosovë asgjë e urtësisë
Udha në kohë e hapësirë mori rrjedhën e ujit
Me hijen e Frashërit e të Vokshit ra ecje e Mujit
Të zgjohet ndjenja e shtypur e gjakut shqiptar
Drita përbiroi për vrimë të gjilpërës tërë në ar
Vargje Për ty radhiti poeti i Malësisë së Madhe
Ja dritësoi Agimi në secilën zemër dhe dritare
2. Udhëtimi në kohë
Kufiri në mbarim të luftës prerë thikë
E gjak i të njëjtës rrjedhë pikte vetes
Lumi binte nga malet digjej çdo gjë etjes
Shpirti s` gjente as rimë e as metrikë
Në hije të flamurit nuk gjeje rrugë të ik`
Për zemër Kosovë e nise rrugën e gjatë
Në vetmi Prizren ecje durimin në natë
Agu dritësoi mjegullës të bëhej mitik
Agu i Agimit filloi udhëtimin në muzikë
Akordohen vallet me tirq rreth me gajtan
Zgjoi dhe fjala në këmishët me mitan
Udhëtimi në kohë nisi prej zemrës vetë
Rrodhi gjakut tokës së vet e kurrë s`u fik
Të shkruajë historinë e shpirtit me vjet
3. Shpirti i paepur i Agimit
Poezia drama e muzika lëvizën për damarë
Agimi kumboi fjalës në secilën zemër hyri
Qiellit të Mollës së Kuqe zgjoi e detit te Ulliri
Vetëtojë tokës së shqipes e botës mbarë
Veç pse çdo fjalë i ra gurit të fluturojë lart
Veç pse secili sylynjar në shatërvan pik gjak
Veç pse secili shpirt eci zjarrit alb pak e pak
Shkurt e shqip të krijojë botën Ilire qartë
Me Frashërin e Y. Prizernin ec hija ndër hi
Zgjon pavdekshmëria shqipe e etjes aty
Mes gjakut të Lidhjes e të flijuarve për liri
Ja urës së gurit vijnë Maksi Pasuli e Skeja
Kalaja lart ndrit e ora e Frashërit var te reja
“Agimi” dritëson e kori këndon etur për ty