Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Procesti

 

Tregim

 

Tregim

 

Ai trokiste me nxitim, gati-gati me një lloj ankthi. Porta ishte e madhe, e drunjtë, e errët dhe kishte një unazë të rëndë hekuri. Të hyje aty ishte e pamundur përveç asaj dere, prandaj duhej me doemos t’i bije asaj fort. Ishte vetëm. Rruga të dërgonte medoemos aty, tek ajo portë e madhe. Duhej t’i binte patjetër unazës së madhe prej bronxi që ishte aty, për të treguar se kishte njerëz që donin të hynin. Kishte flokët e lëpirë, sytë e mëdhenj dhe të dalë si të zhabës, tiparet e ankthshme të njeriut që nuk e di ku do të përfundojë, ku do të shkojë, kush do të jetë fati i vet në përjetësi? Kishte veshur një kostum të zi teritali, kollaren e lidhur bukur dhe atë shprehjen e qytetarit elegant.

Një qytetari që gjithmonë e ka mbajtur veten. “Duhet patjetër të trokas”! mendoi. “Perndryshe nuk kam nga të kaloj”. I ra fort derës duke goditur me unazën e hekurt mbi metalin e portës. Asgjë nuk u dëgjua nga brënda. I ra prapë. Akoma nuk u dëgjua asgjë. Herën e tretë i ra me më shumë forcë gati me frikën e fshehtë se do të mbetej aty. Atëherë porta filloi të hapej.

U shfaq një figurë e gjatë, e heshtur, një njeri i cili kishte një ashpërsi të patundur në vështrimin e tij, por në të njëjtën kohë shprehte dhe një mirësi pa fund dhe pa krye. Një mirësi që ndërronte në çast. Ai ishte roja e portës. Kishte leshra të gjatë e të verdhë, sy blu të thellë, pamjen e një djaloshi të ri por me një vështrim shumë të pjekur dhe të prerë. “Çfarë do”?! e pyeti serioz.

“Dua të kaloj! Kjo është rruga e vetme”!

“Si e keni emrin”?! ai ia tha.

“Jeni me grupin e 2023”?!

Burri që trokiti tundi kokën në shenjë pohimi. Figura e gjatë dhe e rreptë e lejoi të hynte por e uli diku në një vënd dhe i tha: “Prit këtu”?!

Dhoma ishte e gjerë. Herë-herë, konturet e mureve zhdukeshin si në një botë ku gjithçka varej nga gjendjet shpirtërore. Të lumturit dhe të lehtët ndoshta shihnin pejzazhe të bukura plot ngjyra dhe dritë, ndërsa të rëndëve, atyre që i peshonte ndëgjegja, i shfaqeshin ndoshta gremina, hone, zjarre dhe gjithfarë gjërash të tjera të frikshme.

“Dua të kaloj! Përse nuk më lejoni të kaloj”?!

“Këtu ndalojnë të gjithë ato që vijnë nga atje”!

“Ç’ndodh këtu”?

“Ja do ta shohësh”!

Në moment, asnjë nuk e kuptoi si u bë e mundur, por u shfaq një figurë tjetër. Një burrë i hijshëm dhe i heshtur. Rrinte aty duke vështruar me qetësi dhe nuk i kalonte të 30-tat. Të gjithë atje, ato që kishin prekur dritën, kishin shëmbëlltyrë 30-vjeçare. Sy të thellë të zinj, me një vështrim zhbirues, flokë të zeza të krehura bukur, mustaqe të prera shkurt. Sapo u shfaq sytë i ndriçuan nga një nur i brendshëm dhe kishte entuziazmin e një të riu, por kur pikasi personin e sapohyrë u bë serioz dhe ktheu kokën nga ana tjetër. Nuk shprehu as urrejtje. As mllef, as inat, vetëm se u duk qartë që nuk i pëlqeu prezenca e tij. “Herët a vonë të gjithë shihen prap”! ia pat djaloshi me flokë të gjatë të verdhë. “E njihni këtë zotërinë”? Bujtësi që i ra derës, filloi të shqetësohej në çast. Një alarm i brendshëm filloi ta trazonte, ta tundte dhe nuk dinte ku t’i dërgonte sytë në atë çast. “Njeriu jeton i qetë derisa ujrat e fëlliqura nuk fillojnë të trazohen”! i tha djali bjond duke folur ashpër. “Kur ujërat trazohen, atëherë gjithçka ndryshon. E njihni këtë zoterinë këtu”?! tha djali bjond duke i treguar zotërinë me mustaqe. I sapo ardhuri nuk desh të fliste. U ndje keq, si hajduti i kapur me presh në duar dhe filloj t’i merrej fryma, lëvizte, kthehej andej këtej, nuk dinte ku të shkonte. Nuk kishte ku të shkonte! “Çfarë është këtu, nuk e kuptoj”?!

“Nuk e kupton? Këtu ndërgjegja hapet si një libër. Faqe më faqe dhe shqyrtohet. E njihni apo jo këtë zotërinë këtu”?! Ai heshti. Sytë e tij të mëdhenj, me kokërdhokët e zgurdulluar lëviznin andej-këndej. E humbën atë njerzillëkun e përhershëm. Në fillim shprehën një alarm frike dhe tmerri, pastaj filluan të nervozoheshin, të tërboheshin. Filluan të bëheshin ato sytë e hidhur, hakmarrës të atëhershëm kur kishte pasur pushtet. Kur me shpatullat e ngrohta mund të bënte ç’kish dëshirë. Mund të përmbyste të dobëtit, por gjithashtu mund të ngjitej edhe me dredhitë e lajkaxhiut.

“Pushtet. Atëhere kishe pushtet dhe ti nuk e di por pushteti është një përgjegjësi e madhe. Një e keqe e madhe njerëzore! Aty duket shpirti, nëse prishet dhe degjeneron apo mbetet i ndershëm”! ia pati djali i sertë me flokë të verdha dhe me sytë blu. “Gjithçka kthehet dhe me të njëjtën monedhë që shpërblen të tjerët. Me të njëjtën monedhë do të shpërblehesh. E njihni”?! ngriti zërin ai me pak më shumë agresivitet. Me një ton të prerë dhe të vendosur. “Thoni të drejtën. Këtu nuk keni ku të fshiheni”! Ai pohoi me kokën e ulur dhe ndjeu t’i thahej pështyma. Një tmerr i fshehtë filloi t’i ngjethte mishrat dhe filloi të dridhej lehtë. “E mban mend vitin 1975. Çfarë profesioni ushtronte ky zotëria atje poshtë, në tokë”?!

“Ishte skenograf. Bënte skenat për shfaqet tona artistike. Pjesët teatrale që teatri ynë pregatiste”!

“Ku doni të dilni”? pati forcën dhe pyeti.

“Këtu pyetjet i bëj unë, nëse nuk ju vjen keq. Kjo është një perandori tjetër. Kjo është perandoria e drejtësisë”!

“Po ti ç bëje atje? Me se merreshe”?

“Në fillim punoja si aktor, por pastaj, u morra dhe me gjera te tjera”!

“Aktor? Një artist. Artist si ky zotëria këtu. Te dy në të njëjtën fushë. Të rinj, të pashëm, të zgjuar, me përgatitje. Me një ndryshim të vogël. Fare të vogël. Ti ishe ai famëmadhi që jepje shfaqe kudo. Ishe në skajet e karrierës tënde të shkëlqyer. Ishe artisti i merituar. Shkodër, Pogradec, Gjirokastër, Kinë, Rusi, Bullgari, Vjetnam. Ti ishe ylli që ndrinte. Të gjithë të donin. Të gjithë të duartrokisnin. Të gjithë të admironin. Ishe bërë i paprekshëm. Një figurë madhështore e qytetit tënd. Bota, ajo bota atje poshtë, ishte nën këmbët e tua. Mund të bëje gjithçka me të. Mund të shkelje me këmbë kë të dëshiroje. Të mjaftonte një telefonatë Drejtorit apo Sekretarit të Parë. Të mjaftonte t’i thoje përgjegjësit diçka dhe ato, të pushtetshmit e gjenin formën për t’a plotësuar dëshirën tënde. Kurse ky zotëria këtu, ishte i deklasuari. Ky ishte ai i shtypuri i cili duhej të rrinte urtë. Nuk duhej kurrë të ngrinte kokën. Ky zotëria këtu, duhej të vuante në heshtje, dhe nuk duhej të pretendonte asgjë nga jeta, asgjë nga shoqëria, asgjë nga e ardhmja e tij. Ky duhej veç të vuante, të shtrëngonte dhëmbët dhe të duronte, me friken se mund të përfundonte edhe në burg!” !

“Ashtu ishin kohërat atëhere”!

“Po, është e kuptueshme si ishin kohët. Por nuk është e pranueshme që shumë njerëz si ju, shinin lëmë, bënin qejf duke abuzuar me pushtetin e tyre. Sekretarë Partie të korruptuar që detyronin femrat për raporte intime, shefa që hakmerreshin me tmerr duke përdorur ideologjinë, spiunë që shpifnin duke dënuar të pafajshmit. Këtij zotërisë këtu, çfarë i ke bërë? Të kujtohet tani! Tani që kujtesa është si një libër i hapur. Tani këtu, kujtesa është si një celuloid i larë, si një film i kthjellët dhe i qartë. Tani gjithçka del në shesh dhe gjykohet duke mos t’u hequr asgjë dhe duke mos t’u shtuar asgjë”!

“Unë jam penduar. Nuk do ta beja më kurrë një gjë të tillë me keto mend. Jam emancipuar dhe pjekur”!

“Është pak vonë për pendimin tënd. Duhej të ishe penduar atje. Ta ngrije telefonin dhe t’i kërkoje falje, të paktën atyre njerëzve që janë gjallë. Fëmijve të tij, bashkëshortes”!

“Nuk di ç’të them. Të tërë, kush kishte pushtet bënin të njëjtën gjë”!

“Të tërë?! Apo vetëm ata që kishin shpirtin e vogël. Ata meskinët, egoistët, cmirëzinjtë që nuk ngopen kurrë, që vetëm duan nga jeta. Vetëm pretendojnë sepse ndjehen të plotfuqishëm. Ndjehen heronj. Ndjehen të paprekshëm. Jo të tërë! Kishte dhe të ndershëm. Ne këtu nuk gjykojmë as nga ideologjia, as nga botkuptimi apo konceptet e atyre poshtë. Bota është e madhe. Ne gjykojmë këtu duke u nisur nga principet e dashurisë, humanitetit, dhembshurisë dhe altruizmit”!

“Isha i ri atëhere! Pa eksperiencë, pa përvojë”! mërmëriti ai.

“Pse u hakmorre në atë mënyrë aq mizore? Ky zotëria këtu ishte i dashur, i respektueshëm, i ndershëm. Njeri i kulturës. I pëlqenin librat, i pëlqente piktura. Kishte zjarr brënda për t’u bërë artist. Për të ecur në jetë. E meritonte të ecte. Atje ku punonte jepte maksimumin falë pasionit të tij, falë zellit dhe formimit të tij kulturor. Ai teatër kishte nevojë për njerëz si ky! Por ti, nuk e kuptoj?! Me të vërtetë, ne me llogjikën e dritës nuk arrijmë ta kuptojë këtë zili, këtë cmirë?! Ti e kishe jetën tënde plot. Ishe i mirëpritur, i brohoritur, i duartrokitur gjithkund. Përse pra u hakmorre në një mënyrë aq mizore? Xhelozi, urrejtje, inat?! Ta dish se këtu nuk pranohen këto ndjenja! Ti nëse do të kalosh këtë prag nuk duhet t’i kesh në zemër këto ndjenja. Siç nuk do të kalojnë të tërë ata që janë hakmarrur, kanë bërë keq, e kanë humbur integritetin e tyre”.

“Nuk është e vërtetë”! u ngrit i sapo ardhuri nga këndi i tij ku rrinte. “Nuk është e vërtetë. Ai kishte biografinë e keqe! Ne, kuadrot e Partisë, dënonim, deklasonim përherë ato që ishin me biografi të keqe. Ai kishte babain ‘Armik të Popullit’. Doda kishte qenë oficer me Austriakët! Ai e urrente komunizmin”!

“Ky zotëria këtu po sillej mirë. Kishte ulur kokën dhe po bënte me zell punën e tij”!

“Ne po e vëzhgonim. Ai ishte i deklasuar”!

“I deklasuar. Dhe kjo gjendja e tij e dobët, të dha të drejtën ty, ta ngreje me të madhe zërin, prapa perdeve të teatrit? Trego të vërtetën”?!

Ai  nuk foli më. Filloi të inatosej gjithnjë e më shumë. Tani filluan t’i peshonin gjithnjë e më shumë ato gjërat e ulta që kishte bërë. “Nuk do të tregosh?!” Atëherë u kthye nga dëshmitari tjetër që rrinte në heshtje dhe vetëm dëgjonte: “Zef, thojeni ju të vërtetën atëhere”!

Ai lëvizi pak dhe heshtja u bë e rëndë plumb. Konturet e mjedisit ku ndodheshin ishin disi të mjergullta. Muret herë zhdukeshin duke shfaqur një natyrë të qeshur dhe plot dritë dhe herë bëheshin të përzishme si një hon i frikshëm buzë të cilit rrinin ato të tre.

“Ky zotëria këtu, më mori shumë inat. Ne kishim një aktore të mrekullueshme mes nesh. Ishte shumë e bukur, e re, e kulturuar, e emancipuar. Kishte një ëmbëlsi të veçantë dhe gjithmonë recitonte me një koketëri alla franceze. Filluan ta donin të gjithë sidomos ky individi këtu, por ajo i vuri sytë tek mua dhe më zgjodhi. Ky ishte triumfi im. por u shndërrua edhe në tragjedinë time. Ky zotëria këtu, i cili nuk linte shkak pa e ngacmuar, nuk arriti kurrë ta falte që ajo u dashurua me mua edhe pse unë isha i deklasuar për hir të biografisë. U martuam, bëmë dhe fëmijë. Ky vazhdonte të mbante inat edhe mbas martesës. Kur e pa që qëllimet e tij ishin sa të pështira aq dhe të pamundura atëherë vendosi të më godiste prapa shpine”!

“Prapa shpine pra, tinëzisht. Dora e djallit”! mërmëriti djaloshi.

I sapoardhuri filloi të alarmohej gjithnjë dhe më shumë. Sytë e mëdhenj iu zgurdulluan, fytyra i mori një pamje të errët, u fry dhe filloi të dridhej nga një urrejtje dhe tmerr në të njëjtën kohë.

“Nuk është e vërtetë, ulëriti, unë dua dëshmitarë të tjerë”!

Ndërkohq që tha kështu u shfaq dhe një figurë tjetër. Ajo rrinte aty. Nuk pipëtinte. Flokë të zeza me onde, të gjata dhe të dendura. Sy sterr të zinj me një shprehje ironike dhe me një dritë të ftohtë dhe gati misterjoze. Vetulla të hequra me kujdes dhe vështrimin e mprehtë. Ai u trondit.

“Çfarë është kjo? Lojë?! Një komplot”? Pastaj e kuptoi kontekstin ku ishte dhe heshti plot mllef.

“Kjo është e Verteta. Të gjithë, herët a vonë do të shkelin mbi të. Siç është e vërtetë jeta, njeriu, gjithësia. Vetëm njerëzit e fshehin të vërtetën sepse ajo i bindet ligjeve të jetës atje poshtë! E vërteta atje poshtë është e padëshirueshme. Ajo tregon fëlliqësitë, ndyrësitë që shumë njerëz bëjnë për të arritur qëllimet e tyre, atje”!

Gjëja më e tmerrshme ishte se sa herë që ai alarmohej dhe turfullonte, atëherë përreth, zhdukej gjithçka e bukur. Natyra plot dritë dhe plot paqje, shndërrohej në një greminë të frikshme plot zëra të tmerrshëm, avuj squfuri dhe zjarr.

Ajo nuk fliste. Rrinte në heshtje, por heshtja e saj fliste më shumë se gjithë fjalët bashkë. Heshtja e saj lexonte si në një roman, ato faqe jete të cilat kishin lidhje me të marrin në pyetje.

“Mjaft! Mjaft”! ulëriti ai dhe filloi të dridhej. “Atëherë, qënka e pamundur të kalohet kjo portë, për të gjithë njerëzimin, sepse të gjithë kanë bërë gabime në jetë”!

“Jo të gjithë. Vetëm ata që kanë humbur integritetin e tyre. Vetëm ata që me mashtrime, me hipokrizi, me vese, me zili, me cmirë, me arrogancë, me urrejtje, i kanë bërë dëm vetes së tyre”!

“Unë kam bërë dhe gjëra të mira! Kam argëtuar njerëzit. Kam dhuruar gëzim dhe hare për 50 vjet me shfaqet e mia. Nëpër mbrëmje kam falur aq shumë kënaqësi dhe kam marrë aq shumë bekime sa asnjë tjetër. Unë jam një njeri i nderuar atje poshtë”.

“Nuk do të të mohohet as edhe një gram nga e mira që keni bërë. Por tani po flasim vetëm per këtë çështje”! Pastaj iu drejtua prap burrit me vështrim të mprehtë. Vështrimi i tij kishte marrë një shprehje hyjnore, ku nuk kishte asnjë grimë inati, asnjë grimë urrejtje, asnjë grimë dëshpërim për padrejtësitë që i ishin bërë. Tiparet e tij me vetullat e mprehta, ballin e dlirë dhe mustaqet anë buzës të prera shkurt, ia shtonin hijeshinë. Një hijeshi drite ku gjithçka ishte e bekuar.

“Ju atje poshtë gjithmonë keni menduar se do t’ia hidhnit përherë. Mendoni përherë se do të dilnit të larë. E shikon pra, që asgjë nuk humbet! Gjithçka bëni atje, të padrejtë, të pandershme, të pa moralshme ka pasoja në Univers. Influencon Harmoninë Totale të Universit. Principet e të cilit janë bazuar tek dashuria, dhembshuria, dhe respekti pa fund për botët. Po! Ne ju respektojmë pa fund. Ne nuk ju ngacmojmë fare në atë çfar zgjidhni ne jetën tuaj. Libero arbitrio, . Kështu do Ai, Sunduesi i Dritës. Ne jemi vetëm ekzekutuesit e Universit. Edhe ne vetë, nuk dimë më shumë se ç’ na e ka lejuar Ai. Na fëlliqët me sjelljet tuaja atje poshtë. Sa zotërinj, sa njerëz të pafajshëm kanë vuajtur atje poshtë si Zefi. Sa padrejtësira kanë bërë pushtetarët e pandershëm, kriminelët, të paftyrët, të pangopurit. Ato të cilët ia kanë shitur jetën e tyre pushtetit, kamjes, sundimit? Ne vetëm shohim dhe konstatojmë. Neve nuk na lejohet të ndërhyjmë deri sa dhembshuria e Dritës Hyjnore të vendosë që të ndërhyjmë”!

“Jam penduar. Për besë jam penduar. Me këto mend nuk do t’a bëja akoma”.

“E di ti sa pendohen pasi vijnë këtu? Vlen nëse ti pendohesh atje. Nëse ecni dhe ecni në errësirë pastaj, po vetë e gjeni dritën. Atje vlen! Kur vini këtu ju luteni për shekuj njerëzorë me rradhë për të shkuar atje prap. Për t’u mishëruar akoma. Për të ecur drejtë një përmirsimi të mundshëm. Udha e përsosjes është shumë e gjatë. Ju e vratë brenda këtë person atje, mbi tokë. E poshtëruat, ia morët nëpër këmbë dinjitetin. Njeriu për një dinjtet jeton, atje poshtë. Duke e transferuar, qarkulluar, fjala juaj e preferuar,  e komunistëve të devotshëm,  natyrisht nuk të interesonte të dije çfarë bëhej në zemrën e tij. Në shpirtin e tij. Ju nuk i kishit ndjerë kurrë ato emocjone. As heshtjen e të shtypurit, as psherëtimat e të damkosurit me nofkën, – I deklasuari – (I përbuzuri pra) -. Ti dije vetëm të qeshje, të argëtoheshe, të bëje pelivanin dhe të tentoje femrat me sharmën tënde. Ti e vrave këtë njeri në shpirt. Që nga momenti kur propozimi yt në Komitet u shqyrtua dhe u pranua, këtë zoterinë këtu e dërguan në park. E more ndonjëherë me mend ç’dhimbje të madhe i shkaktove këtij njeriu? Ç’helmim pa masë? E kuptove ndoshta ndonjëherë që kështu ti godite, jo vetëm atë, por një familje të tërë. Këtu sipër nuk tolerohen padrejtësi të tilla. Nuk është etike. Nuk është e moralshme. Principi themelor i njeriut duhet të jetë dashuria, respekti i thellë dhe dhembshuria. Jo dhuna, urrejtja, mëria, hakmarrja. E dije ti se shpirti është hyjnor? Po?! Tani e dini, se po e sheh dhe vetë, me tmerr pra! Tani po e sheh se jo gjithçka mbaron me vdekjen. Por fillon me Jetën e Vërtetë. Principi i dashurisë pra, i respektit, duhet të mbizotërojë mbi gjithçka. Kur do të mësoni ju atje? Kur?! Kurrë? Duhet ndoshta të kalojnë akoma 10 mijë vjet që t’a kuptoni se duke ndjekur mashtrimin, egoizmin e shfrenuar, veset dhe duke abuzuar me pushtetin, ju njerëzit nuk shkoni asgjëkundi?

“Kërkoj falje”!

“Unë ja fal”, mërmëriti Zefi, “për mua është i falur”.

“Ju e keni merituar dritën i nderuar, sepse gjatë jetës suaj veç keni vuajtur. Keni heshtur, jeni sjellë me njerzillëk dhe dashuri. Keni respektuar gjithmonë qënien njerëzore, edhe pse kishit në shpirt gjithë arsyet per t’i urryer këto lapangjozët e sistemit. Si njeri i artit dhe i kulturës, si artist i vërtetë në shpirt, juve ju interesonin vetëm piktorët, artet dhe gjithçka e bukur përreth. Ju e keni marrë shpërblimin tuaj në formë drite 33 vjet më parë, kohë tokësore. Më 18 Janarin e atëhershëm. Ketu jemi në një tjetër dimension. Këtu koha e ka emrin përjetësi. Këtu flitet për etikë njerëzore. Ketu flitet për njeriun. Për njeriun që duhet të ndryshojë, por e ka të vështirë të ndryshojë. Ky gjyq shpirti, këto pyetje, zgjasin një të qindtën e sekondës, por zgjasin edhe deri në pafundësi”, shtoi djaloshi me bindje.

Më pas iu kthye të sapoardhurit: “Po më pas ç’bëre? Ç’bëre pasi ia dole të dërgoje këtë zoterinë atje. Tek “Parku”, si dënim? Kënaqe egoizmin tënd? Hakmarrja e gëzoi atë urrejtjen tënde ndoshta, e lumturoi atë cmirën tënde të pangopur. Tregove muskujt?!  Këto janë ndjenja të vogla. Meskine. Ndjenja që ne, hyjnorëve na bëjnë të tmerrohemi dhe na vjen keq dhe turp. Na dhemb për çdo sjellje të ulët të njerëzve atje poshte. Edhe ju jeni hyjnor. Gjithë Universi është hyjnor. Vetëm se ju atje poshtë nuk e dini, nuk e shihni të Vërtetën. Ju atje poshtë jeni të Verbërit e Materies që duhet të rriteni. Kurse ne që jetojmë tek Drita, kemi grada të tjera Ndërgjegjësimi. Ç’i bëre akoma këtij zotërisë këtu? Flit? Apo do të hapim librin e jetës”?

“Asgjë tjetër nuk i kam bërë”!

Djali me flokë të verdha dhe sytë blu e shigjetoi me vështrimin e tij! Pastaj u afrua dhe vështroi zonjën me sy të zinj sterr. Më pas shikoi Zefin dhe pastaj vështroi akoma atë. U bë një heshtje e thellë dhe gërryese. Një heshtje plumbi.

“Pa Zefin pranë, gjithçka do të ishte më e lehtë per t’i bërë presion kësaj zonjës këtu. Që tashmë ishte nënë e dy vajzave. Pa skenografin nëpër këmbë, ti mendoje se gjithçka ishte më e thjeshtë”!

Pastaj djaloshi i rreptë ktheu kokën nga zonja e cila vështronte gjithçka me një kujdes dhe përqëndrim të thellë.

“Atëherë thojeni ju. Ju ishit aty aktorja kryesore e jetës së vërtetë. E teatrit të jetës”!

Ajo filloi të tregojë si e kishin persekutuar dhe atë vetë. Sa më shumë ajo tregonte, aq më shumë i pandehuri irnosej, bëhej i errët në fytyrë dhe Zefi nuk kuptonte një gjë. Në vend që të shihte tek ai shprehjen e pendimitarit në lotë, shihte turfullimin pa fund dhe mendonte: përse? Përse? Djaloshi i cili në formë telepatike lexonte xhdo mendim, iu afrua dhe i mërmëriti: “Këto shpirtëra që sillen kështu, kanë udhë akoma të gjatë për të bërë drejt ndërgjegjësimit të dritës”.  Kur aktorja përfundoi rrëfimin atëherë foli djaloshi. “Po më lutesh të kalosh? Don të kalosh? E din shumë mirë që nuk varet as nga mua, as nga këto zotërinjtë këtu që mund të falin. Nuk varet as nga të tjerët. Varet nga Drita Hyjnore që na krijoi na udhëhoqi, por para së gjithash varej nga ty. Nga ty pra atje poshtë. Nga ndërgjegjësimi yt. Nga përpjekjet e tua atje poshtë në materie për t’u përmirësuar. Për t’u bërë njeri. Po e shoh këtu! Në librin e jetës tënde ke ardhur duke u ndërgjegjësuar. Me kalimin e viteve ka filluar të të vijë era njeri. Sidomos pas viteve ‘90, kur e humbe pushtetin. Pushtetin! Dy nga mallkimet më të mëdha për ju njerezit atje poshtë është pushteti dhe hipokrizia. Hipokrizia ka të bejë me shkatërrimin e shpirtit ashtu si dhe egoizmi që ka të bejë me apatinë e ftohtë të indiferencës. Por pushteti është shumë më i rrezikshëm sepse, kush abuzon me të, kush nuk e përdor në të mirën e bashkësisë, merr në qafë, jo një por me mijëra shpirtëra. Është pra, mëkati i shumfishuar për mijra, miliona. Si në rastin e udhëheqësit tuaj i cili zbriti shumë poshtë. Tani, ti mund të kërkosh akoma mëshirë sa të duash, por je ti pra. Është vetvetja jote që do të të gjykojë”! tha ai. Pastaj vazhdoi: “Po, atje tej është porta, por asnjë nuk e di si do të shkojë? Ja këtu. Vihet në peshore e mira dhe e keqja që keni bërë. Frutet e dashurise dhe helmet e ndyrësive. Ky është principi i gjykimit! Ti po më kërkon tani mëshirë?! Është e kotë që lutesh! Shumë vonë! Ti je veç një grimcë e paperfillshme në lumin e padrejtësive që njerëzit bëjnë atje poshtë. Je veç një grimcë e papërfillshme. Ky është veç një pamje paraprake e tërë atyre çasteve që do vijnë. Ato atje poshtë si ty duhet të punojnë. Duhet të punojnë shumë për ndërgjegjësimin e tyre, për besë. I duhet të rriten shpirtërisht, perndryshe nuk do ta shohin Dritën. Veç duke u rritur shpirtërisht do t’a gjejnë atë”!

Djaloshi sa më shumë fliste, aq më shumë bëhej i bukur dhe merrte shëmbëlltyrën e një engjëlli. Lëkura filloi t’i shndrinte gjithnjë e më shumë, flokët iu bënë të praruar, sytë blu filluan t’i nxirrnin shkëndija, xixëllima dhe përreth formave të tij u dallua qartë drita e vërtetë.

“Po unë ku do të shkoj”?!

“Ku do të shkosh? Ju keni rrugë te gjatë për të bërë! Dhe ta dini se gjithçka herët apo vonë shkon drejt dritës”! Djali i cili po merrte shëmbëlltyrën e dritës, vazhdonte të paraqitej si një krijesë e dyfishtë. Si një krijesë që trasmetonte dy emocione të kundërta në shpirt. Nga njëra anë shumë i dashur, i ëmbël, i dhembshur dhe mëshirmadh, por në të njëjtën kohë dukej dhe i rreptë, i ashpër, i vendosur në pozicjonin e tij të patundur që mbante në Univers.

Përreth, konturet e dhomës së mbyllur u zhdukën si në ëndërr dhe në të dy krahët e djalit prej drite po merrnin formë peizazhi me dy gjëndje ekstreme shpirtërore. Nga e djathta, horizontet po bëheshin plot ngjyra drite, me kodra të bleruara nga lule të panjohura, ku lumenj të shndritshëm vezullonin me një ëndje dhe bukuri marramendëse. Ku kishte banesa të mrekullueshme, pemë dhe njerëz të lumtur, nga krahu i majtë i tij qielli bëhej gjithnjë edhe më i zi, plot re në lëvizje, shkreptima xixëlluese të frikshme. Nga aty vinin zëra, ulërima, klithma njerëzish që nxirrnin nga goja fjalë nga më të ndyrat. Gjithçka do të vazhdonte. Gjithçka ngjitej me spirale, për shekuj të tërë, deri në ndergjegjësimin e plotë të shpirtit drejt dritës.

 

 

Please follow and like us: