Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Si e përshkruante im gjysh Pogradecin një shekull më parë?

 

 

 

 

Në vazhdën e kërkimeve në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, të shkrimeve të tim gjyshi, Nevruz Starova (Darova), më tërhoqi vemëndjen një reportazh i tij mbi qytetin e lindjes, Pogradecin, shkruar tek Gazeta “Afrimi“, në muajin maj të vitit 1926.

Me nota të një lirizmi të gjallë dhe gazmor, në këtë shkrim të shkurtër përshkruhet  ardhja e pranverës (prëndverës) në Pogradec. Ndër rreshta vihet re sensibiliteti dhe ëmbëlsia poetike me të cilat ai përshkruan qytetin piktoresk të Pogradecit. Buzëqesh, sepse gjuha që lexoj më sjell ndër mendje gjuhën Lasgushiane, apo më saktë, gjuhën që rrjedh nga natyra e bukur e qytetit. Periudha në të cilën Starova shkruan, i përket fundit të viteve 20’ – 44’, që i përket fillimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Periudhë që u karakterizua nga formimi i shoqërive dhe i klubeve, si dhe botimi i gazetave dhe revistave në gjuhën amtare. Një nga këto është edhe gazeta “Afrimi”. Një nga kërkesat kryesore të asaj kohe ishte liria e zhvillimit të gjuhës  dhe zgjidhja e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Dhe jo vetëm, ishte koha dhe e përpjekjeve për të zgjedhur dialektin dominues: gegë apo toskë. Stefan Çapaliku pohon që veprat që u shkruajtën në shekullin XX ndahen në 412 vepra gegërisht dhe 318 toskërisht.

Një kontribut në zhvillimin e letërsisë artistike, rol eskluziv luan publicistika e cila u provua të shkruhej në toskërisht. Pra, në vetvete, këta artikuj fillojnë të hedhin hapat e parë në shkrirjen e dialekteve, që ende sot nuk kanë gjetur paqe për shkak të dënimit që iu bë dialektit gegë nga sistemi diktatorial i Hoxhës.

Duhet të  kalojnë dhe gjashtë vjet që të themi me plot gojën, që ky shkrim është shkruar një shekull më parë dhe vihet re qartë evulimi i gjuhës, trasformimi i saj, rënia e grup bashkëtingëlloreve b/p, t/d, përdorimi i grupzanoreve ue, ye, zanores a hundore â, e shume elementë të tjerë gjuhësorë që sot mund të themi që i përkasin gjuhës arkaike.

E megjithatë të mahnit muzikaliteti i fjalëve të zgjedhura, ta ka ënda ta lexosh. Me  imagjinatë fillon të udhëtosh me një nga varkat e drunjta të gjolit në Pogradecin e bukur të shekullit të kaluar, veshur me petkun pranveror.

Shkrimi përmban edhe vlerë historike, sepse citohet ish Mbreti Zog, që në vitin 1926 ishte President i Republikës së Shqipërisë.

 

 

 

Pogradeci në ket Prëndverë

 

“Jemi në nji Stiën të re; Stina prëndëverore ka bâ nji hap përpara. Natyra (toka me liqenin), mas disa luftime të gjata dhe të rrebta ka hyë ndër nji armë-pushim të siguruem per nji kohë të gjatë.

Nga malet ngadhnyese nuk ngrihet mâ era (murlani) per të turbullue ujn’e kaltër të liqenit, po as liqeni madhështuer nuk bërtet me zâ të naltë dhe nuk goditë me tërni  cepat e tokës. Nji fllad prëndveruër ka dalë anë e m’anë të qytetit të Pogradec për të rindërtue rrenimet të stinës dimnord: bora ka zânë të shkrihet dhe vendin e sajë e zë shtrati gjelbëruem i barit; pemët kan zânë të lëshojnë bisqe të njom; andej këndej ndigjohet blegrima e qengjave të bardhë.

Oh! Kjo jetë e kândshme prëndverore! Si për natyrë ashtu dhe në ngjallnesat e ndryshme nji vllagë e re e fuqishme dhe guximtare, ka pjellë nji dishirëmâ të madhe për jetesë. Bujku i shlodhun ka zânë kánë për brish dhe me thumbin e prehët të umittë permendës po çanë vija të thella në sipërfaqen e tokës nga e cila pritet të dali ushqimi i botës marë.

Me shpresë të gjallë në Zotin mas nji punimi të rândë, fryti i gjinit të nânës të dheut do të përmushi nevojat e ngjallnimit dhe do të teproj për exportim.

Në ket kohë të natyrës përgjithsisht qyteti i ynë i bukur, Pogradeci, ka shkund plagësiën e nji robënije shekullore dhe në përparim të një qeverine legale ndën mprojtjen vegjuëse të shumëdashunjën e Presidentit Ahmet Zogut me dëshirë të pa tundun dhe me vullnet të çeliktë gadite  mot për mot për të përfaqsue nji përparim, dhe nji qytetnim të dejë”.

Please follow and like us: