Sazan Goliku: PROVIMI I FUNDIT
Tregim
Ishte periudhë provimesh dhe korridoret e auditoret e fakultetit të mjekësisë gëlonin nga studentët. Pedagogët qëndronin në dhomat e provimeve deri sa mbaronte së përgjigjuri edhe studenti i fundit. Ethet e provimeve kishin elektrizuar gjithë ndërtesën.
Në auditorin e vogël A/3 trokiti sekretarja e fakultetit dhe hyri brenda paksa e habitur.
-Të kërkojnë dy veta në korridor, profesor…
“Me siguri, – tha me vete profesor Dritan Labi, – do të jetë ndonjë i njohur për të ndërhyrë, edhe pse e dinë që unë nuk bëj lëshime për notat”.
Doli në korridor kur studentët e tij sa kishin marrë pyetjet dhe kishin nisur të shkruanin. Dy djelmosha rreth njëzet-njëzet e pesë vjeç e pritën te dera. Veshja e pamja e tyre si dy gangsterë, të gjatë me favorita deri afër mjekrës.
-Profesor, dua ta kalosh pa tjetër studenten Yllka Palushin. Është njeriu ynë – dhe i ra në sup si miqësisht, duke i qeshur në fytyrë, por vështrimi i tij i ngulët ishte egërshan. Dora e tij e rëndë e tronditi profesorin, po ky ngriti kokën me kryeneçësi. Nën xhakoventat prej meshini djaloshat mbanin armë dhe kjo nuk i shpëtoi syrit të profesorit. Djaloshi tjetër bënte sikur s’e kishte mendjen aty dhe hidhte vështrimin përreth, lart nga tavani, te ndonjë student që e prekte pa dashur. “Ç’duan gjithë këta krimba këtu”!? – tha me vete.
-Dëgjoni more djema, – e ngriti zërin profesori. – Kaq ta bëni dhëmbin, unë nuk e rrëzoj këtë vajzën, prandaj ikni të qetë. Por… nëse ajo nuk do të jetë e përgatitur sa duhet, do të studiojë e do ta marrë provimin në vjeshtë.
-Qenke rob zoti, – qeshi djaloshi si me zor dhe i ra përsëri si miqësisht në supin tjetër.
-Mirupafshim profesor! – dhe djelmoshat humbën si dy fantazma mes studentëve.
Profesor Dritanit i hipi një zemërim i përzier me një frikë që as vetë nuk po e kuptonte. Ata iu duk sikur kishin dalë nga ndonjë film horror. U fut në auditor i vrenjtur me kokën ulur.
Pasi u përgjigjën tri studente e një student, e pesta u ul para tryezës së profesorit një studente bukuroshe e veshur thjeshtë.
-Si e ke emrin?
-Yllka Palushi.
-A, ti je Yllka! Po të dëgjoj, – zëri i profesorit doli si i çjerrë
-I kam shkruar përgjigjet. T’i lexoj apo t’i them me gojë?
Ai ngurroi një grimë. – Si ta kesh më mbarë, – i tha pa e hapur librezën e saj të notave. Para syve iu shfaqën dy djelmoshat e armatosur. Kishte vite që jepte mësim krahas shërbimit në spital, por një ndodhi të tillë nuk e kishte përjetuar.
Studentja e la letrën mbi tryezë dhe nisi të flasë e sigurt, duke e parë profesorin që po e mbante kokën ulur. Ajo paskish qenë e përgatitur. Fliste qartë e rrjedhshëm sikur po lexonte në libër. Veç përmbajtjes së leksioneve iu referua edhe disa librave mjekësorë që kishte studiuar, të cilët nuk kishin mendime të njëjta për atë çështje që po trajtonte. Profesori nisi ta shihte i zhgënjyer drejt e në sy. Sa mbaroi, ai shpërtheu: – Qenke e shkëlqyer moj bijë! – Pastaj u mrrol e i tha: – Nuk paske turp që më vë njerëz për të të kaluar me hatër!
Vajza u skuq e tëra si paparun. Iu mor goja. – Jo, jo profesor… nuk kam futur askënd… unë kam ardhur këtu nga larg… jam zonja e vetvetes… dhe kam një dëshirë…
-Po të kishte notë njëmbëdhjetë, kaq do të të jepja, madje me yll, – tha i kënaqur ai.
Vajza mori librezën ashtu, sa e hutuar, aq dhe e këndellur dhe doli nga auditori. Profesori i moshuar po vriste mendjen. “Kush mund të ishin ata djem? Pse e bënë atë ndërhyrje pa kuptim, të dyshimtë?!”
Yllka mbeti si e ngrirë në korridorin e katit të dytë. “Kush mund ta ketë bërë atë ndërhyrje për mua!? Vetëm ai me fodullëkun e arrogacën e tij, Abdullai”! Iu përplasën në mendje shprehjet e tij: “Unë nuk pyes për asgjë, nuk çaj kryet për askënd, unë i zhduk ata që më dalin përpara!… Unë…”.
Abdulla Papai i kishte kërkuar Yllkës të fejoheshin, por ajo me qetësi e butësi i kishte thënë: “Pa mbaruar fakultetin nuk lidhem me asnjë djalë. Ne do të mbetemi shokë të mirë”. Por ai nuk hiqte dorë nga ajo edhe pse shkonte me lloje-lloje femrash. “O bëhet imja ose s’ka rrugë tjetër”! Sedra e tij e sëmurë e njeriu të vetëkënaqur e bënte edhe më këmbëngulës për ta shtirë në dorë, për ta nënshtruar këtë vajzë që nesër do të bëhej mjeke. Ai vetë nuk kishte mbaruar as shkollën e mesme edhe pse e kishte blerë deftesën e maturës. Ai u thoshte të tjerëve se gjoja vazhdonte me korrespodencë fakultetin e historisë.
Abdullai ishte ulur te një kafe përballë fakultetit dhe po priste të dilte Yllka nga provimi. Sa e dalloi te porta e hyrjes, kaloi me shpejtësi udhën dhe qëndroi në trotuarin jashtë portës. Yllka kaloi përmes oborrit me hap të shpejtë dhe as i hodhi sytë Abdullait. Atij i ngriu buzëqeshja. Mbeti një grimë, pastaj i shkoi pas.
-Prit, – i tha, – e more provimin?
Ajo as që e ktheu kokën ta shihte. Ai i doli në krah.
-Ç’ke kështu?
Ajo vazhdoi të ecte drejt po me atë hap për në Qytetin e Studentëve.
-Në vend të më falënderosh… – Ai e kapi nga krahu, por ajo e tërhoqi me forcë e zemëruar.
-Mos më bëj mua numra, se të këpus kryet! – i shfryu ai. Zëri i kishte egërsi të pashprehur. Sytë e picëruari i ngjanin atë çast atij të tigrit që është gati të hidhet mbi prenë.
-Nuk e kupton që nuk dua të flas më me ty! Më lerë të qetë! – ia preu ajo me zë të ulët po kërcënues dhe shpejtoi hapat.
Ashtu e turbulluar këmbët e çuan në konvikt. Me hapa të shpejtuar ngjiti shkallinat nga dy e nga dy, në katin e tretë eci nëpër korridor deri në derën e fundit ku ishte dhoma e saj dhe hyri brenda pa trokitur si zakonisht.
-Hë, çfarë more në provim – e pyeti Afërdita e shtrirë mbi krevatin e saj me një libër në dorë. – Eh, ç’pyes dhe unë! Ti je salduar te dhjeta, moj gocë.
Yllka i hodhi në prehër librezën e notave. Afërdita e hapi. – Thashë unë, – qeshi ajo. – Do ta festojmë. Kam prerë për sonte tri bileta për në kinema. Është një film me Al Paçinon.
-Po Lola ku është? – e pyeti ashtu kot Yllka për shoqen tjetër të dhomës.
-Në Bibliotekën Kombëtare për të kërkuar ca të dhëna që nuk i gjeti as në internet.
-Shkoni ju në kinema, – i tha Yllka dhe u shtri në krevatin e saj pranë dritares. – Jam e lodhur.
-Leri ato, bashkë me Lolën do të të marrim me vig. Tri musketieret nuk i ndan dot as presidenti! – ngriti zërin Afërdita me patetizëm.
Dy herë i doli gjumi Yllkës atë natë. I shpërfaqej në ëndërr Abdullai… e kapte për flokësh… e ngrinte lart e rrotullonte si fugë dhe e flakte në një humnerë pa fund… Drania përmendej e llahtarisur e mbuluar në djersë. -frikacake, – i tha vetes. – Trembe nga një mendjemadh butaforik që mbahet si gangster qesharak. – Sa niste të dremiste shihte sytë e tij të egër që zmadhoheshin si një det i tërbuar që e thithnin… Dhe ajo sërish zgjohej.
Afër agimit e pushtoi një gjumë i rëndë. Kur u përmend, pa se shoqet e dhomës kishin dalë.
Gati çdo ditë Abdullai i priste rrugën, por Yllka me ftohtësi fyese nuk ndalonte. Siguria e krekosja e djaloshit kishte nisur të krisej brenda tij. Ngrica e sjelljes së Yllkës e tërbonte si demin kur toreadori i ngul kamën e gjatë në plagën e hapur. Sedra e tij helmatisëse kërkonte hakmarrje. Ishte sedra e njeriut të bindur se i lejohej çdo gjë që i interesonte dhe i pëlqente atij. Në atë realitet kaotik, gjasme demokratik, ku paraja e kërcënimi luanin çdo gur, ai përligjte pa kurfarë skrupulli çdo veprim të paligjshëm e të pamoralshëm, prandaj krenohej me forcën e muskujve dhe me armën që mbante me vete dhe për ato që kishte fshehur në banesën e tij në rrethinat e qytetit.
Kaluan dy muaj. Një ditë të ftohtë marsi me shi, një veturë foristradë qëndroi buzë trotuarit nja njëqind metra larg fakultetit të mjekësisë. Pas pak aty kaloi Yllka me çadër të hapur. Befas Abdullai zbriti me vrull nga vetura, i doli përpara, i rrëmbeu dhe i mbylli çadrën. Ajo klithi. Një tjetër e shtyu dhe e futën me forcë sa hap e mbyll sytë në veturën që u nis me rrëmbim jashtë qytetit…
Pas tri ditësh, një fshatar që po kulloste lopën e tij nja dhjetë kilometra larg qytetit, e pa trupin e Yllkës së masakruar buzë rezervuarit të madh të Qafukut. Policia e prokuroria, duke mos gjetur asnjë gjurmë të kriminelëve, pas tre muajve e mbyllën çështjen.
Një viti më pas në në TV Sky: “Lajmi i fundit. Në një pritë pranë fshatit Ballëgjin u vranë me breshëri plumbash Abdulla Papai dhe shoku i tij Teofil Shira. Të dy me precedent kriminalë. Nga hetimet e deritanishme ka dalë se kemi të bëjmë me larje hesapesh mes bandave të drogës”.
Profesor Dritani po shihte në TV Sky lajmet e mbrëmjes i ulur në kolltukun e tij të vjetër veshur me një dok të hirtë të dalë boje. Lajmin për vrasjen e dëgjoi pa kurrëfarë empatie si për çdo lajm të rëndomtë me vrasje të tilla për larje hesapesh mes grupeve të inkriminuara. Ndërsa fotografia e Abdulla Papait u zhduk nga ekrani, befas profesorit iu kujtua fytyra e atij djaloshi atë ditë provimesh.