Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Përleshje donkishoteske me monumentet!

Ai që prish këtë varr, vdektë i fundit në fisin e vet. E hasa këtë mallkim ndërsa lexoja nënvizimet që kisha bërë dekada më parë në romanin “Krimi i Silvestër Bonarit”.

Anatol Franc sqaron se është mbishkrim i gjetur në një qivur antik dhe shton se mund të renditet ndër mallkimet më të tmerrshme. Dhe ka të drejtë.

Të jetojë gjatë është dëshirë universale e njeriut ndaj ka qenë e mbetet objekt urimesh. Papritur kjo materje, që preston për urim, shndërrohet në një mallkim apokaliptik. Kalimi i beftë nga urimi në mallkim duket se shkëndijon dhe ngre temperaturën emocionale të thenies. Kjo në rrafsh formal, strukturor.

Por ngarkesa rritet sidomos nga domethënia në rrafsh literal. Të përjetosh vdekjen e gjithë të afërmve, të moshuar e kërthinj, t’i përcjellësh të gjithë me gjyshër, prindër, vëllezër, motra, fëmijë, nipër e mbesa, do të thotë të përjetosh ferrin për së gjalli.

Vetëm një hall i madh mund të shpjerë në formulimin e një mallkimi të tillë, të thjeshtë e pa emfazë në pamje, por me përmasa apokaliptike në thelb. Gjatë gjithë historisë njerëzimi është ndeshur me prirje individësh e turmash për të përdhosur e shkatërruar varre, monumente, ngrehina fetare etj. Ka të drejtë studiuesi që tha se jo krijimi i përmendoreve, por shkatërrimi i tyre përbën ligjësi historike.

Kjo prirje universale fle me sa duket brenda njeriut dhe kërkon një shkak që të zgjuhet e të bëhet aktive. Kështu ndodhi edhe me rrezimin e shumë monumenteve këto muajt e fundit, gjatë protestave antiraciste që pushtuan botën perëndimore pas vrasjes nga policia të një qytetari me ngjyrë në ShBA.

Në këtë dalldi e kanë pësuar edhe shtatore personalitetesh ikonike për historinë e mbarë njerëzimit si Jul Cezari, Kristofor Kolombi, Vinston Çurçilli, Mahmata Gandi etj.

Tejet ironik tingëllon fakti që shtatorja e Çurçillit në Londër u vandalizua gjatë një proteste antiraciste që përkoi me përvjetorin e D-Day, ditës kur forcat aleate, të udhëhequra nga Çurçill, Aizenhaur etj., zbarkuan në Normandi. Historia nuk bëhet me hipoteza, por gjithsesi nuk do shumë fantazi të përfytyrosh se në ç’përmasa do të ishte racizmi sot, nëse luftën do ta kishte fituar Hitleri.

Vërtet që edhe Cezari, edhe Kolombi, edhe Çurçilli kanë qenë pushtues e kolonizatorë, por pa kontributet e tyre të vyera bota vështirë se do të kishte arritur zhvillimin e sotëm, madje vështirë se liritë qytetare, përfshi dhe barazinë racore, do të ishin në nivelin që, sado me kusure, kanë shënuar sot.

Personalitetet e historisë së njerëzimit vlerësohen e rivlerësohen në shekuj, por nuk mund t’i dënosh duke përdorur si kriter moralin dhe vlerat e sotme. Edhe gjenitë janë pjellë e kohës së vet e vështirë se mund t’i gjykosh pa i përçudnuar kur i nxjerr jashtë kontekstit ku kanë vepruar.

Në dalldinë kundër monumenteve të personaliteteve të tilla ka edhe diçka komike e donkishoteske. Mund të shkulësh një a dhjetra shtatore, por hajde e shkul trashëgiminë e Cezarit a të Kolombit, trashëgimi që është shkrirë në limfën e progresit njerëzor. Parë kështu monumentet ngjajnë me shakujt e verës, objekte të rëndomta e pashpirt që turmat i marrin për monstra a viganë.

Për të mos thënë kryesoren, lufta me monumentet e të vdekurve ka të ngjarë që tërheq vemendjen e publikut nga gjyhnaqarët e gjallë anekënd botës.

Please follow and like us: