Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (10)

 

IDENTITETI GJUHËSOR

 

Varësia gjuhësore e Kosovës

 

Gjuha është njeri nga përbërësit kryesorë të identitetit. Nëse një popull gjatë historisë ka arritur të ruajë gjuhën, ai ka arritur të njohë qoftë edhe pjesërisht kuptimin e lirisë. Më anë tjetër, popujt që kanë humbur gjuhën, bashkë me të realisht i kanë humbur të gjitha betejat, pra në një mënyrë kanë shpallur kapitullimin e përhershëm para pushtuesve, para asimiluesve, para integruesve, pavarësisht se me çfarë emri janë quajtur dhe quhen ata që pushtojnë kombe dhe zhbëjnë gjuhët e tyre.

Pra, njësia gjuhësore është njësi kombëtare dhe ajo ndërtohet mbi dendësinë më të madhe të komunikimit, ndërsa nevoja për komunikim intensiv vjen si rezultat i jetës në një bashkësi. Në kohët moderne rrathët e komunikimit janë zgjeruar ndjeshëm, kanë pësuar ndryshime të mëdha strukturore dhe, së këndejmi, edhe koncepti i gjuhës si përbërës i identitetit ka ndryshuar, por nuk është mënjanuar tërësisht. Që të ndryshohen disa esenca gjuhësore, duhet të ndryshojë historia e njerëzimit dhe kjo, natyrisht, është e pamundur. Që të ndryshojnë disa funksione gjuhësore në ditët e sotme, së pari duhet të ndryshojë ekzistenca njerëzore dhe kuptimi i saj dhe kjo, natyrisht, hë për hë duket e pamundur.

Kosova ka specifikat e saj gjuhësore dhe ato kryesisht janë të lidhura me rrethanat historike, nëpër të cilat ka kaluar populli i saj. Në trungun e gjuhës shqipe përgjithësisht vërehen plagë të shumta, në gjuhën e Kosovës gjithashtu. Nga pësimet e mëdha të saj konsiderohen huazimet e shumta, defektet sintaksore, përdegëzimet e mëdha dialektore. Nga arritjet e saj më të mëdha konsiderohet ruajtja e tërësisë, e cila përbën një njësi koherente gjuhësore, pavarësisht nga diferencat e krijuara në dialekte dhe në përcopëzime të tjera. Veçantia e gjuhës shqipe është njëkohësisht edhe madhështia e saj. Një nga sukseset më të mëdha të Kosovës gjatë historisë është ruajtja e gjuhës. Kosova nuk e humbi gjuhën dhe nuk bëri gjuhë tjetër, megjithëqë në periudha të ndryshme iu nënshtrua trysnive të shumta për t’u shkëputur nga trungu gjuhësor i shqipes. Humbja e identitetit gjuhësor është humbje e identitetit kombëtar, pra është zhbërje e pakthyeshme. Kosova arriti në ditët e sotme shumë e lënduar, por, së paku, në pikëpamje gjuhësore, edhe përkundër degradimit të paevitueshëm, nuk përjetoi zhbërje.

Pra, shkenca e gjuhësisë thotë se Kosova nuk ka gjuhë të veten, gjuhë të veçantë, madje nuk ka as dialekt, ka vetëm një të folme, ose nëndialekt. Nëndialekti i saj është gegërishtja verilindore, i studiuar mirë në të gjitha degëzimet dhe variantet fonetike dhe morfologjike, që domethënë se e folmja e Kosovës në pikëpamje diakronike është zhvilluar në kuadër të dy njësive më të mëdha gjuhësore: në kuadër të një dialekti, gegërishtes, dhe në kuadër të gjuhës shqipe si një e tërë. Duke e ditur këtë rrethanë, e folmja e Kosovës nuk përbën as histori më vete: variantet e saj paraqiten si variante të gegërishtes dhe shkrimit të saj i atribuohet po ajo histori që njihet si histori e shkrimit shqip. Nëse insistojmë te rrënjët e saj të veçanta, atëherë ato e përjashtojnë edhe Bogdanin, sepse gjuha e tij është një gegërishte e integruar tashmë në njëfarë tradite të letërsisë së vjetër shqipe dhe nuk insiston në krijimin e ndonjë varieteti gjuhësor të ndarë ose të veçantë. E folmja e Kosovës mund të bëhej e tillë vetëm pas vitit 1912, kur Kosova mbeti jashtë Shqipërisë londineze, por një mundësi e tillë nuk doli as hipotetike, sepse gjuha dhe shkrimi shqip u ndaluan deri në Luftën e Dytë Botërore, saktësisht deri më 1941. Pas këtij viti, në përdorim zyrtar, por më shumë në institucionet e arsimit, Kosova adaptoi variantin gegë të shkrimit të gjuhës shqipe, sepse, për shkak të rrethanave të njohura, ajo nuk kishte krijuar një variant të vetin të shkrimit. Madje një variant të tillë ajo nuk e kishte pasur as para vitit 1913, kur u pushtua nga Serbia.

Si njëri nga katër vilajetet shqiptare, Kosova, me qendrën e saj Shkupin, ose me qytetin e rëndësishëm Prizrenin, nuk kishte luajtur asnjë rol kulturor në botën shqiptare, larg nga roli që luajtën në atë kohë Shkodra, Korça, ose edhe Janina e Manastiri. Pra, në ndalimin e gjuhës shqipe nga Serbia dhe Jugosllavia pas pushtimit të saj më 1913, Kosova hyn me shkrim të paktë shqip, por me një dendësi shumë më të madhe të shkrimit turk, përfshirë këtu edhe një përdorim deri-diku të përhapur të shkrimit të shqipes me alfabet turko-arab ose sllav.

Periudha e Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se kohë e pushtimit, realisht përcaktoi kahet e zhvillimit të ardhshëm gjuhësor të Kosovës, pra një zhvillim kryekëput i varur nga Shqipëria. Që të ndodhte kështu, nuk duhet përjashtuar edhe ndikimin e rrethanave politike, por më shumë këtë situatë duhet parë si pasojë logjike e zhvillimeve brenda vetë konstalacionit kulturor të Kosovës. Kosova nuk kishte traditë shkrimi, nuk kishte traditë letrare, nuk kishte traditë gjuhësore. Krejt çka mund të bënte, ajo mund të adaptonte përvojën e Shqipërisë, e cila në periudhën e mbretërisë kishte bërë hapa të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, të kulturës, të letërsisë, të publicistikës. Sikundër e kemi shpjeguar edhe më parë, qoftë për inerci, qoftë për shkak se pushteti populluer nuk mund të bënte më pak se ç’kishte bërë fashizmi, në vitet vijuese në Kosovë ndiqet politika e marrjes nga Shqipëria (legalisht, gjysmë-legalisht ose ilegalisht) të krejt korpusit gjuhësor, ose dijes gjuhësore për përdorim praktik në shkollë, pjesërisht në institucionet e kulturës dhe shumë më pak në administratë. Gjuhëtarët e Kosovës, të cilët filluan të paraqiteshin në skenë që nga fillimi i viteve pesëdhjetë, megjithëqë të kontrolluar rreptësisht nga pushteti, nuk mund të bënin gjë tjetër, përveç se të adaptonin me ndonjë vit vonesë normat drejtshkrimore që i kishte vendosur Shqipëria. Kosova nuk kishte potencial të bënte standard të ri gjuhësor dhe as drejtshkrim të ri. Kishte filluar mësimin e shkrim-leximit me abetare të huajtura nga Shqipëria dhe me mësues gjithashtu nga Shqipëria. Tani që marrëdhëniet me Shqipërinë ishin të tendosura, mësuesit e gjuhës ende vjedhurazi shikonin se çfarë thuhej në tekstet që dikur ishin marrë që andej, ndërsa një numër syresh, studentët dhe studiuesit e katedrës së albanologjisë në Beograd, mund të quheshin të privilegjuar, sepse Dançetoviqi kishte autoritet që t’u siguronte literature nga Shqipëria, një të tillë literaturë që askush tjetër nuk e kishte në Kosovë.

Por, sido që të ishte, Shqipëria mbetej burimi i vetëm i të gjitha dijeve për këtë fushë. Disa albanologë ose dijetarë të gjuhës, të mbetur në emigracion, si Ernest Koliqi, Krist Maloki, Selman Riza, më vonë Martin Camaj etj. në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore nuk arritën të krijonin ndonjë qendër të studimeve albanologjike jashtë Shqipërisë (Instituti Albanologjik i Prishtinës u hap më 1953 dhe u mbyll 1955) dhe puna e tyre krijuese dhe studimore ishte individuale, pra nuk mund të zëvendësonte atë institucionale, e cila filloi të zhvillohej intensivisht brenda shtetit shqiptar.

Unë sot jam i prirë të besoj se Jugosllavia e kishte një synim të tillë, që të mblidhte të dëbuarit veriorë nga Shqipëria dhe ta rivalizonte shtetin shqiptar në të gjitha fushat, ashtu siç kishte bërë në politikë, duke bërë një qeveri shqiptare në ekzil edhe në Kosovë. Këtij supozimi i jep krah edhe një korrespodencë e Martin Camajt me Krist Malokin, i cili nga Graci synonte të zhvendosej në Beograd, por edhe nga fakti se me Selman Rizën kishin shpenzuar shumë kohë dhe mund, mbase për ta bindur që ta pranonte dhe ta mbështeste një projekt të tillë. Nuk është fshehtësi, Camaj kishte lidhje të forta me shtetin jugosllav. Ai ishte dhëndër i njërit nga personat e rëndësishëm të sigurimit serb, ndërkohë që mbante lidhje të afërta me Koliqin në Romë. Edhe Koliqi nuk ishte person i panjohur për Jugosllavinë dhe as Jugosllavia nuk ishte e panjohur për të. Në kohën e Zogut, si përkrahës i Nolit në Revolucionin e Qershorit, ai kishte kaluar disa vjet në ekzil, pikërisht në Jugosllavinë e atëhershme, një herë në Mal të Zi dhe më pastaj në Tuzëll të Bosnjës, ku jetonte i mirëmbajtur bashkë një shpurë të tërë shqiptarësh. Për idenë time, tani Camaj paraqitet si koordinator i një projekti të këtillë, vetëm se është Selman Riza ai që del jashtë këtij rrethi dhe jashtë këtij sistemi. Vetëm Riza kishte dije dhe autoritet që ta bënte një qendër studimesh albanologjike dhe me këtë, edhe në punë të gjuhës, ta rivalizonte dhe ta shantazhonte Shqipërinë. Edhe ai, i dorëzuar nga Shqipëria në duart e jugosllavëve, për një kohë duket se i ofrohet mundësia për materializimin e ndonjë ideje subversive kundër Shqipërisë, sepse derisa gjendet në burg, në Prishtinë dhe në Sarajevë, gëzon status të privilegjuar. Në Sarajevë mban burgun, por njëkohësisht është edhe lektor i frëngjishtes në universitet. Mund të supozohet se me idenë e rivalizimit të Shqipërisë hapet edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, Selman Riza bëhet drejtor, por dy vjet më vonë Instituti mbyllet dhe Selman Riza dëbohet në Shqipëri, sipas gjasës si i pabindur për t’iu kundërvënë Shqipërisë në krijimin dhe aplikimin e një standardi gjuhësor ndryshe nga ai i Tiranës.

Për një kohë të gjatë Shqipëria dyshon te Selman Riza, e survejon hap pas hapi, një herë e internon në Berat, por nuk e burgos, mbase duke ia njohur meritën për refuzimin dhe konsekuencën që kishte treguar ndaj jugosllavëve. Hetimet rreth tij pezullohen nga organet e sigurimit të shtetit shqiptar disa vjet pas vdekjes. Duket se dështimi i këtij projekti e çon edhe Camajn në Romë, ku edhe për disa vjet vazhdon ta mbajë për grua vajzën e sigurimsit të njohur serb. Së fundmi ndahet edhe prej saj dhe Camaj nga Roma shkon në Mynih. Projekti për t’iu kundërvënë Shqipërisë në punë të gjuhës dështon përfundimisht. Pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe daljes së saj nga Traktati i Varshavës, Titoja rikonfiguron politikën e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Kosovës, njëkohësisht. Edhe ngjarjet e brendshme gjuhësore në Kosovë afërsisht kanë një rrjedhë të tillë, që në një mënyrë reflektojnë politikat e shtetit jugosllav ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi. Më 1952 Kosova vendos të mbajë gegërishten si gjuhë të shkrimit. Pra, bëhet fjalë për një fuqizim të idesë së ndarjes, pikërisht atëherë kur Shqipëria po bënte hapat e parë të ndërtimit të standardit të mbështetur në toskërishte.

Më 1957, pas një periudhe të dhunës së madhe shtetërore në Kosovë, mbahet një tjetër mbledhje gjuhëtarësh në Prishtinë, në të cilën kërkohet që gjuha e shkruar të jetë sa më afër gjuhës së folur. Me këtë vendim tendenca e ndarjes fuqizohet edhe më tej. Por tani vjen një kohë kur politika duhet të ndryshojë, kështu që më 1964 gjuhëtarët e Kosovës vendosin të ndjekin vendimet e gjuhëtarëve të Shqipërisë, duke adaptuar për Kosovën ortografinë e Tiranës të vitit 1956, e cila çonte në përafrimin më të madh të dy dialekteve. Katër vjet më vonë, pra më 1968, mbahet Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila mori vendim që në Kosovë të vihej në përdorim zyrtar dhe public shqipja letrare, e tillë siç ishte kodifikuar në “Projektin e rregullave të drejtshkrimit”, publikuar në Tiranë në vitin 1967. Në të vërtetë, ky ishte një projekt në diskutim publik, i cili synohej të miratohej në momentin përkatës, sikundër që ndodhi në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972.

 

Pjesëmarrja pasive e Kosovës

 

Për shkak të rrethanave të brendshme, të cilat nënkuptonin në radhë të parë traditën e munguar për të bërë shkrimin shqip, si dhe potencialin e paqenë studimor, Kosova do të arrijë pothuajse deri në mes të shekullit XX pa variantin e saj të gjuhës letrare, sikundër edhe me një përfshirje të vonuar në proceset gjuhësore shqiptare. Procesi i standardizimit të gjuhës shqipe kishte filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, por përpjekjet u intensifikuan pas themelimit të shtetit shqiptar dhe me intensitet të shtuar vazhduan deri në Kongresin e Drejtshkrimit. Ky proces në një mënyrë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për shkak të rrethanave politike dhe historike, veçmas për shkak të vonesave në emancipim arsimor dhe kulturor, me të cilët gjuha lidhet në mënyrë të veçantë, Kosova nuk mund të bënte gjë më shumë, përveç se, për aq sa kishte mundësi, të përfshihej në proceset që zhvilloheshin në Shqipëri. Por edhe ndjekja e këtyre proceseve varej nga çfarësia e politikave që bënte Jugosllavia ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës, politika këto që kaluan nëpër faza të ndryshme, disa pak më produktive, disa të tjera thellësisht negative.

Faza e parë e këtyre marrëdhënieve kap periudhën 1941-1948, e cila përfshin kohën e fashizmit dhe idilin e marrëdhënieve të shteteve komuniste Shqipëri-Jugosllavi. Në këtë periudhë Kosova merr çdo gjë nga Shqipëria, abetare, mësues, shkollë, libra leximi, libra mësimorë, literaturë, gjuhë, drejtshkrim, shkronja për shtypjen e gazetave, pra çdo gjë që ka të bëjë me ngritjen arsimore dhe emancipimin kulturor. Në pikëpamje gjuhësore, sikundër mund të vërejmë nga lënda publicistike e botuar në atë kohë, Kosova përpiqet të aplikojë një gegërishte deri-diku të standardizuar, por me shumë mangësi dhe defekte drejtshkrimore. Megjithatë, në këto vite të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri do të trasohet një rrugë e shkrimit të gjuhës shqipe në Kosovë, e cila do të ndiqet më vonë në variantet më shumë ose më pak të standardizuara.

Faza e dytë, që përfshin periudhën 1952-1964, karakterizohet me një subversion gjuhësor, të cilin Jugosllavia përpiqet t’ia bëjë Shqipërisë dhe gjuhës shqipe, duke iniciuar, duke nxitur dhe duke stimuluar procese që do të shkonin në drejtim të ndarjes dialektore të gjuhës letrare shqipe. Meqë Shqipëria tashmë i kishte nisur hapat e përshpejtuar të vendosjes së toskërishtes në themelet e gjuhës letrare të njësuar, Jugosllavia, përmes Kosovës dhe të disa intelektualëve gegë të shpërndarë nëpër botë dhe të pakënaqur me këtë zhvillim, përpiqet të fut dhe të mbajë në konkurrencë variantin e gegërishtes, duke synuar kështu që Kosova të bëhej qendër kulturore dhe politike e një Gegërie të rebeluar kundër Tiranës. Jugosllavia edhe ashtu kishte strehuar një numër të konsiderueshëm pjesëtarësh të bandave rebele nga veriu i Shqipërisë, të cilat, duke qenë të lidhura me Jugosllavinë, nuk dihej nëse tashmë ishin më shumë antikomuniste apo antishqiptare. Pikërisht në këtë kohë vjen edhe vendimi i gjuhëtarëve të Prishtinës për ta afruar drejtshkrimin me gjuhën e folur (1957), parim ky që binte në kundërshtim me proceset e njësimit dhe të përafrimit gjuhësor.

Faza e tretë kap periudhën 1964-1972. Tani, sikundër e thamë, strategjia politike e Jugosllavisë kundrejt Shqipërisë ndryshon pothuajse rrënjësisht. Nuk synohet që Kosova të përdoret për subversion kundër Shqipërisë, por përmes saj të ruhet një drejtpeshim i Shqipërisë jobllokiste. Titoja bëhet shumë i vëmendshëm ndaj Shqipërisë, sepse rreziku nga Traktati i Varshavës, përmes Shqipërisë eventualisht të rikthyer atje, si dhe përmes Kosovës, tani merr rëndësi më të madhe se aspirata e dikurshme për të bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Mbledhja e gjuhëtarëve të Kosovës e mbajtur më 1964, ndonëse me vonesë, e kthen Kosovën në gjendjen përpara tentativës për subversion gjuhësor, duke vendosur që në Kosovë të futet në përdorim ortografia e Tiranës e vitit 1956. Në vitet vijuese Kosova përjeton ndryshime të mëdha, veçmas pas vitit 1966. Kësaj situate të re, të entuziazmit dhe të përlindjes kombëtare, i përgjigjet Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968, e cila merr vendim që Kosova përfundimisht t’i afrohet Shqipërisë në punë të gjuhës, duke hapur rrugën që katër vjet më vonë, në Kongresin e Drejtshkrimit, të bëhet pjesë e vendimmarrjes.

Nga kjo perspektivë, tani mund të shtrohet pyetja nëse pjesëmarrja e Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit ka qenë përfaqësuese, pra edhe demokratike, apo ka qenë një vendim politik komunist dhe diktatorial. Në asnjë variant nuk mund të kontestohet pjesëmarrja e kosovarëve në këtë kongres, sepse ajo ishte një përfaqësi më e mira e kohës, intelektuale dhe profesionale gjuhësore. Por ne tani mund të shtrojmë dilemën nëse kosovarët mund të shpreheshin lirshëm për vendimet e Kongresit, respektivisht nëse mund t’i kundërshtonin ato. Në të vërtetë, sikundër dihet, Kongresi ishte një akt solemn i kurorëzimit të një procesi, të cilin Kosova e kishte pranuar që më 1968, kur ishte marrë vendimi që në përdorim zyrtar të fuste drejtshkrimi e Tiranës të miratuar një vit më parë. Por as periudha prej atij viti, deri më 1972, nuk ishte karakterizuar me ndonjë kundërshtim ose dilemë. Në Shqipëri mund të shuheshin me forcë zërat kundërshtues, sepse vërtet bëhej fjalë për një diktaturë të egër, por në Kosovë nuk burgosej njeri, nëse kundërshtonte vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, apo futjen e kësaj gjuhe letrare në Kosovë. Kundërshtues i hapur i standardit të vitit 1972 që atëherë ka qenë një shkrimtar për fëmijë (Rexhep Hoxha) i Kosovës, i cili vazhdoi të shkruante gegërisht edhe për një kohë, dikur hoqi dorë dhe iu bashkua shumicës.

Pra, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit, kontestimet nuk mund të prekin disa pika themelore.

Një, përfaqësia e Kosovës në Kongres vërtet nuk ishte e zgjedhur, ishte e deleguar, mirëpo një proces i këtillë ishte i zakonshëm për kohën dhe për natyrën e mbledhjes.

Dy, edhe sikur kosovarët të kishin të drejtë kundërshtimi, ose votimi kundër, këtë nuk do ta bënin, jo vetëm për shkak të atmosferës së diktatit apo të entuziazmit, por ngase ishin të bindur se njësimi i gjuhës letrare shqipe ishte i drejtë, madje edhe duke vënë në bazë toskërishten.

Tre, edhe përkundër faktit se Kosova kishte arritur të bënte disa gjuhëtarë të autoritetshëm, ajo ende nuk kishte potencial studimor të kundërshtonte asnjë vendim të Kongresit dhe asnjë rregull drejtshkrimore.

Katër, potenciali studimor i Kosovës më vonë u rrit dhe u shtua, duke kapur majat e studimeve gjuhësore shqiptare, por kundërshtimet e vendimeve të Kongresit asnjëherë nuk erdhën nga kjo proveniencë shkencore.

Pesë, vendimi për të zbatuar edhe në Kosovë standardin e vitit 1972 mund të ketë qenë politik, komunist, që domethënë jodemokratik, por edhe sikur ky vendim të hidhej në referendum, mbi 90% e kosovarëve do ta miratonin atë.

Ata që morën vendim në nivelet më të larta jugosllave, që Kosova të zbatonte standardin e Tiranës, njësoj sikundër që miratuan pjesëmarrjen e kosovarëve në Kongresin e Drejtshkrimit, nuk ishin të tillë që kërkonin zgjidhjen më të mirë për Kosovën dhe për shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme. Petar Stamboliqi ia miraton Fadil Hoxhës pjesëmarrjen e kosovarëve në Kongresin e Drejtshkrimit. Nuk është për të besuar se ai e bënte këtë për të ndjekur me konsekuencë politikat e Titos rreth barazisë së kombeve dhe kombësive, ose të vetëqeverisjes socialiste. Sikundër e kemi thënë, prapavija ishte politike dhe kishte të bënte me shqiptarët si grupi etnik i treti për nga madhësia në ish-Jugosllavi, si dhe me rrethanat e brendshme dhe të jashtme të shtetit të atëhershëm jugosllav. Shqiptarët në Jugosllavi kishin arritur në një nivel të tillë të emancipimit dhe të realizimit të te drejtave, saqë për ta mbajtur situatën nën kontroll kishte vetëm një zgjidhje: ndikim sa më të madh në politikëbërjen e Shqipërisë, përmes intensifikimit të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri, ndër të tjera, duke synuar edhe një pushtim të ri ekonomik, ideologjik dhe kulturor të Shqipërisë nga Jugosllavia jashtëzakonisht e avancuar dhe tej mase e autoritetshme në botë.

Gjuha e përbashkët mund të ishte një mjet i depërtimit të Kosovës, e bashkë me këtë edhe i krejt konstalacionit jugosllav në Shqipëri. Jugosllavia ishte shtet i fuqishëm dhe me pozitë të fortë ndërkombëtare. Mirëpo, në këtë rrethanë ajo e kishte mbiçmuar fuqinë e saj. Edhe përkundër të gjithave, ajo ishte e vetëdijshme për një defekt shumë të madh dhe një pikë tepër të ndjeshme: marrëdhëniet komplekse ndërnacionale dhe çështjet e pazgjidhura kombëtare. Çështja shqiptare konsiderohej si njëra nga ato çështje të ndjeshme. Avancimi i shpejtë i pakicës shqiptare e kishte tronditur Jugosllavinë. Asaj i duhej bërë koncesione, për ta mbajtur luajale. Më anë tjetër, nëse synohej që shqiptarët të shkëputeshin gjuhësisht dhe kulturalisht nga Shqipëria, përfundimi mund të dilet, në rastin më të mirë, një Maqedoni e re; në rastin më të keq, një Moldavi. Fundja, nëse Kosova avanconte statusin e saj qoftë edhe përmes krijimit të një kombi me gjuhë të re, problem nuk ishte i Jugosllavisë, derisa ajo të mos kërkonte shkëputjen, por ishte i Serbisë, e cila nuk pranonte ta këmbente “Kosovën e saj” me “Kosovën jugosllave”. Atëherë, nëse politika kishte rol në vendimet gjuhësore të Kosovës, politika kryesore rreth kësaj çështjeje nuk u bë as në Tiranë, as në Prishtinë, por në Beograd. E ajo politikë, kësaj radhe, nuk shkonte në drejtim të kundërt me proceset e natyrshme të një populli të ndarë, por ishin në konkordancë me interesat e tij. Natyrisht se as Jugosllavia dhe as Serbia nuk e kishin mendjen te shqiptarët, madje politikat e reja vetëm sa i kishin futur përkohësisht në sirtarë projektet e vjetra të zhbërjes së tyre, por ata për herë të pare përballeshin me shqiptarët jo më vetëm si problem politik, historik, demografik, por edhe si problem kulturor. Në këtë pikë ata nuk e gjenin dot një modus veprimi, i cili, në njërën anë nuk do të shkonte në kundërshtim me parimet fondamentale të Jugosllavisë, ndërsa më anë tjetër, do të tregohej efikas në pacifizimin e shpejtë të tyre. Ballafaqimi i Jugosllavisë me problemet kulturore dhe identitare të kombeve të veçanta, përfshirë këtu edhe shqiptarët, nxori si domosdo intensifikimin e procesit të integrimit jugosllav. Në këtë rrethanë, gjuha shqipe në Kosovë dhe në Jugosllavi, tani e standardizuar dhe plotësisht e njëjtë me gjuhën e Tiranës, më shumë se të gjithë përbërësit e tjerë identitarë, duhej të përballej sa me serbokroatishten e avancuar dhe të kudondodhur, po aq edhe me përbërës të tjerë të jugosllavizmës. Deri në vitin 1972 gjuha shqipe as në Kosovë dhe as gjetiu në Jugosllavi nuk ishte gjuhë rivale me serbokroatishten, jo vetëm pse nuk ishte e barabartë (e tillë nuk do të ishte as më vonë), por ajo nuk kishte as kornizë kulturore, nuk kishte koherencë, nuk kishte shtat të formuar. Tani situata kishte ndryshuar: që nga viti 1972 gjuha shqipe do ta fillojë përballjen e saj me gjuhët sllave, një luftë që bëhej në terrenin e saj, prandaj do të ishte tepër e gjatë dhe shumë e vështirë.

Ambienti bilingual

Pra, shkuarja e Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit ishte paraprirë nga një proces i gjatë gjuhësor dhe politik, herë konsekuent dhe herë jokonsekuent. Ky proces nuk ishte i njëjtë me atë të Shqipërisë, ishte më i vonuar, në shumë raste i shkonte prapa atij të Shqipërisë, por kishte edhe specifikat e tij politike dhe kulturore. Disa nga këto specifika politike i përmendëm më sipër dhe derisa ato në një mënyrë u bënë të qarta pas përfundimit të një procesi historik për Kosovën, megjithatë stimuli me i madh politik dhënë drejtshkrimit erdh nga nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës, në këtë fazë të entuziazmit kombëtar, të cilët çdo gjë që vinte nga Shqipëria ishin në gjendje ta përvetësonin pa ndonjë qëndrim kritik. Por, a kishin kosovarët zgjidhje tjetër, edhe sikur të mbanin qëndrim kritik? Sot mbase gjendet ndokush që thotë se Kosova ka mundur të veprojë edhe ndryshe, por atëbotë askujt nuk i shkonte mendja të identifikohej si antikombëtar, madje as atyre që vërtet ishin të tillë. Zëra kundërshtues nuk u paraqitën as nga radhët e atyre kosovarëve që ishin luajalë ndaj pushtetit, madje as nga Beogradi, apo nga ndonjë qendër tjetër e ish-Jugosllavisë. Përvetësimin e drejtshkrimit nga Tirana të gjithë e quanin proces normal, sepse ‘Një komb, një gjuhë’ ende kishte mbetur parim i gjithëpranueshëm pothuajse në krejt diskutimet për identitetin të shekullit XX. Por, kosovarët a kishin zgjidhje tjetër? Jo, sepse atëbotë, edhe sikur ta kishin vullnetin politik dhe kulturor, ata nuk kishin potencial intelektual për të bërë një gjuhë të veçantë letrare. Edhe sikur fare të mos ishin përfshirë në procesin gjuhësor që zhvillohej në Tiranë dhe sikur t’i përmbaheshin me fanatizëm traditës së gegërishtes, përsëri do futeshin në një proces retardues, zvetënues, shpërbërës, vetizolues dhe nga një pjesë funksionale e kombit do të shndërroheshin në enklavë ose diasporë. Që të bëhemi krejtësisht të sinqertë, duhet thënë se kosovarët nuk kishin zgjidhje tjetër, sepse as që mund të bënin një zgjidhje tjetër, as që kishin potencial kulturor për një zgjidhje tjetër. Ata ishin të destinuar të mbaheshin pas Shqipërisë, si e vetmja alternativë, kundrejt shpërbërjes që mund t’u ofrohej, pa ndonjë çmim të lartë. Ata duhej të mbaheshin pas Shqipërisë që ta mësonin gjuhën, që të lexonin literaturë, që të emancipoheshin, që të edukoheshin, që të arsimoheshin. Këtë zgjedhje ata nuk e bënë për të mbështetur një ide abstrakte, as për t’iu gjendur në krah Shqipërisë, por e bënin për veten e tyre dhe për një arsye krejt pragmatike.

Ndërkaq, specifikat kulturore të përvetësimit të standardit në Kosovë kaluan nëpër një zhvillim të njëkohshëm me emancipimin arsimor dhe kulturor, proces ky që kishte parashenjë kombëtare dhe që për kundërshtar, përveç injorancës dhe prapambetjes, kishte joshjen kulturore të jugosllavizmës. Kosova atëbotë ishte përfshirë nga një idealizëm i madh iluminist dhe kosovarët me nguti bënin letërsi, bënin arte, bënin studime, hartonin disertacione të doktoraturës, lexonin literaturën që vinte nga Shqipëria, përkthenin shqip shkrimtarë botërorë, studime filozofike dhe sociologjike, shumica nga serbokroatishtja, e cila tashmë kishte marrë një hapje të madhe ndaj botës, pas proklamimit të pluralizmit të metodave letrare-artistike dhe studimore.

Kjo dyanësi kulturore e Kosovës, lidhja e njëhershme kulturore me Shqipërinë dhe Jugosllavinë, i kishte përparësitë e veta, por shkaktonte edhe disa probleme. Kosova ishte në fazën e bashkërenditjes me kulturën kombëtare dhe në këtë proces ajo duhej të hynte me disa vlera të krijuara, ndryshe bashkërenditja do të ishte e mangët, pra nuk do të ishte e tillë, do të ishte më shumë aneksim kulturor i Kosovës nga ana e Shqipërisë. Ndërkaq, Shqipëria i kishte kufizimet e veta politike, ideologjike, por edhe pamundësitë reale për t’u gjendur në rrjedhat bashkëkohore evropiane të zhvillimeve kulturore. Ajo eksportonte në Kosovë kulturë kombëtare me parashenjë patriotike dhe ideologjike, por jo avangardë kulturore. Gjuha letrare ishte identiteti dhe transmetuesi i kësaj kulture. Haptas askush nuk e refuzonte as atë kulturë, as atë gjuhë. Mirëpo, për nivelin e njohjes së saj nga kosovarët, ajo shpesh paraqitej e pamundshme, ndërsa për kërkesat kulturore të krahasueshme me kulturat jugosllave, ajo shpërfaqte kufizime jo të vogla, gjithnjë shikuar nga perspektiva kosovare. Prandaj, një pjesë e mirë e inteligjencies kosovare, deri në vitet ’90 e tutje, do të vazhdojë të mbetet e lidhur ngushtë me serbokroatishten. Disa syresh do të ikin nga kjo botë, pa i njohur kurrë mundësitë e gjuhës shqipe dhe pa e kuptuar se ata, vetëdijshëm ose jo, ishin përfshirë tërësisht në kulturën sllave të gjuhës dhe se atje do të mbeteshin përgjithmonë.

Thënë me një fjalë, inteligjencia kosovare e krijuar në vitet ’60-’70 ishte bilinguale, dygjuhësore, dhe kjo rrethanë do të ndikojë shumë në formimin dhe në arritjet e saj kulturore. Ajo do ta ketë të vështirë të akomodohet në gjuhën shqipe, apo të përfshihet në tërësinë e saj si përbërëse e cultures kombëtare. Arritjet kulturore të kosovarëve do të mbeten në suaza të kulturës lokale, e cila mund të absorbohej vetëm nga kosovarët, por jo nga shqiptarët e tjerë, për shkak të mungesave të mëdha gjuhësore. Madje, një numër studiuesish dhe intelektualësh kosovarë, disa prej të cilëve me potencial të mirë intelektual, të mësuar me shkrimin e serbokroatishtes, do të mbeten të papërdorshëm në gjuhën shqipe, për shkak të gjuhës që i prin një mendimi jo shqip. Një pjesë e tyre, që nga viti 1981 e prapa, qëkur iluzioni Jugosllavi pësoi thyerje të pariparueshme, u riorientuan në pikëpamje vetëdijesore dhe bënë përpjekje të jashtëzakonshme që gjuhësisht të përfshiheshin në një kulturë të integruar kombëtare. Ky do të jetë edhe ideali i tyre politik, krahas atij kulturor. Por një numër syresh nuk i do të arrijnë të adaptohen asnjëherë dhe gjithmonë do të mbeten hibridë kulturorë, një si tejzgjatje në kohë e një deformimi që tashmë ishte dashur të tejkalohej. Ata tashmë janë identifikuar si kontingjent kulturor, i cili qëndroi i heshtur në rrethanat e homogjenizimit dhe filloi të rizgjohej sapo e pa të mundshme një gjë të tillë, në rrethanat e reja të të ashtuquajturve integrime rajonale. Ata, të nxitur dhe të stimuluar edhe nga përkrahësit europianë të ideve të zhbërjes së kulturave dhe gjuhëve të vogla, përsëri kanë filluar të akomodohen në një lidhje varshmërie kulturore nga qendrat e dikurshme jugosllave.

Ndërkohë, atmosferën e përgjithshme gjuhësore në Kosovë, që nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, veçmas pas Kongresit të Drejtshkrimit, do ta karakterizojë entuziazmi, ndonjëherë krejt i arsyeshëm, ndonjëherë jo edhe aq racional. Për entuziastët gjuha letrare ishte vetë kombi. Për shumicën, Kosova detyrimisht duhej të futej në këtë proces, për arsye patriotike, për arsye politike, për arsye identiteti, për arsye të bashkërenditjes dhe integrimit kulturor. Funksioni patriotik i gjuhës së njësuar ishte funksioni më i akceptueshëm dhe më i përdorshëm. Njerëzit, atëbotë, nuk e kishin shumë të qartë se çfarë ndikimi mund të kishte standardi i përbashkët i shqipes në integrimet kulturore shqiptare, ose në funksionimin e njësisë koherente kombëtare, por ata e dinin se gjuha ishte identitet dhe se në atë identitet ata nuk donin të ishin të ndarë nga Shqipëria.

Kjo atmosferë gjuhësore në Kosovë pat rëndësi të madhe për neutralizimin të skeptikëve dhe të kundërshtarëve racionalë apo joracionalë, ose të atyre që tashmë ishin rreshtuar në krahun e refuzimit, si kreatorë ose ithtarë të një subversioni gjuhësor. Edhe më shumë se kaq, kjo atmosferë krijoi vijën e ndarjes së paevitueshme të gjuhës shqipe me gjuhët sllave. Ndarja ishte e domosdoshme, sepse Kosova kishte rrezik serioz të akomodohej në një deformim gjuhësor të përhershëm, i cili mund t’i shkaktonte problem qoftë variantit të Kosovës, qoftë gjuhës shqipe në tërësi; si kulturës lokale të Kosovës, po ashtu edhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Në atmosferën e entuziazmit gjuhësor në Kosovë, kjo vijë e ndarjes u përvijua qartë dhe kosovarët, shumica syresh, me ose pa vetëdije, u vendosën në mbrojtje të shqipes nga gjuhët sllave. Mirëpo, procesi, për shumë arsye, do të jetë i gjatë dhe shumë i vështirë, sepse sllavizimi i disa përbërësve gjuhësor të shqipes në Kosovë kishte ndodhur bashkë me një proces të gjatë politik, arsimor dhe kulturor dhe në rrethanat e një vetëdijeje të munguar kosovare për identitetin gjuhësor.

Atmosfera e entuziazmit, sikundër që ndodh zakonisht, kishte edhe anët e saj të dëmshme, të shëmtuara dhe qesharake. Dëmi më i madh iu bë pasurisë gjuhësore autentike, e cila u braktis pothuajse përnjëherësh, sepse kosovarët, përveç që nuk arritën ta kuptonin drejtë çështjen e standardit, kishin mungesa të mëdha në punë të gjuhës në përgjithësi. Mbi kornizën edhe ashtu shtrënguese për nga vetë natyra të standardit, ata vendosën një dogmë, e cila nuk ishte as politike, as ideologjike, por më shumë euforike dhe idealiste. Më anë tjetër, dogmën mund të mos e impononte aq shumë standardi, sa e impononte mosdija ose mungesa e kulturës gjuhësore. Ta zëmë, askund nuk ishte thënë se veprat letrare të autorëve kosovarë, të shkruara para kësaj kohe, duhej të ktheheshin në gjuhën e sotme letrare. Këtë e bënë shumica e autorëve kosovarë të asaj periudhe, madje edhe në raste të tilla, kur brenda rrëfimit letrar përfshihej dialogu autentik. Tani dilte se këto personazhe në malet e Rugovës dhe në kodrinat e Drenicës flitnin toskërisht, një toskërishte të shëmtuar gjithsesi, e cila nuk ishte as standard dhe as gjuhë e kultivuar e letërsisë. Askund nuk shkruante, bie fjala, që gazetari i TVP-së, me mikrofon në dorë dhe me kamerën prapa të futej në arat me grurë dhe atje të intervistonte fshatarin, duke i bërë pyetje në gjuhën letrare, të cilën ai nuk e kuptonte dhe e shikonte me habi të madhe.

Në raste të tjera, në komunikim publik dhe në jetën shoqërore, madje edhe në atë private dhe familjare, ishte gjithnjë e më i madh numri i atyre që drejtshkrimin e identifikonin me drejtshqiptim, duke vënë kështu në qarkullim një gjuhë të folur krejtësisht të deformuar në trajta, në theks dhe në intonacion. Pra, marrë në përgjithësi, edhe pas vitit 1972 situata gjuhësore në Kosovë nuk ishte e lehtë. Kosova kishte bërë hapin e madh, kishte pranuar standardin e vendosur me këtë rast, por përvetësimi i tij shkonte nëpër një rrugë me shumë pengesa dhe vështirësi. Kjo ndodhte ngase Kosova ishte ambient gjuhësor bilingual, ku serbokroatishtja, duke qenë gjuhë shtetërore, kishte përparësitë e saj administrative, publike dhe kulturore. Më anë tjetër, Kosova iu bashkëngjit dhe iu bashkërendit gjuhës letrare dhe standardit, por nuk mori pjesë në procesin e tërësishëm të ndërtimit të kësaj norme gjuhësore. Edhe ashtu procesi i pranimit dhe i aplikimit të gjuhës së njësuar shqipe në Kosovë, edhe ashtu i vonuar, kishte shkuar me pengesa të mëdha, në radhë të parë të natyrës politike. Kosova u fut në procesin e përvetësimit të gjuhës së njësuar shqipe ende pa u akomoduar si duhet në ndonjë variant të saj të gjuhës së shkruar, ose pa arritur ta përvetësojë në masë të mjaftueshme standardin pararendës të gegërishtes. Procesi i përvetësimit të gjuhës letrare dhe standardit, që vetvetiu duhej të supozonte një kulturë gjuhësore, në Kosovë ndodhte në rrethanat e mungesave të mëdha në rrafshin e kësaj kulture. Entuziazmi gjuhësor, krahas anëve pozitive, përveç që nuk kultivonte frymën kritike në përvetësimin e normës, krijonte edhe deformime të reja, ndonjëherë tipike për një ambient gjuhësor të prapambetur. Së fundi, vështirësitë e Kosovës me gjuhën letrare dhe standardin paraqiten shumë komplekse dhe ato janë të natyrës psikologjike dhe etnopsikologjike, individuale dhe kolektive, historike dhe bashkëkohore, politike dhe shoqërore, arsimore dhe kulturore, emancipuese dhe civilizuese.

 

Prapambetja gjuhësore e Kosovës

 

Po të mbetej Kosova jashtë zhvillimeve gjuhësore mbarëshqiptare, çfarë do të ndodhte në të vërtetë? Para se të përpiqemi të japim përgjigje në këtë pyetje, është e nevojshme t’u bëhet një vështrim sado përciptazi zhvillimeve gjuhësore kosovare, si fenomen i mëvetësishëm, i tillë çfarë paraqitet ai. Kosova, sikundër e kemi thënë, nuk dha ndonjë kontribut të veçantë kulturor në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, ndryshe nga kontributet e saj politike dhe luftarake, që ishin shumëfish më të avancuara. Më anë tjetër, procesi i islamizimit të Kosovës në Perandorinë osmane ndodhi shumë shpejt dhe ai përfshiu jo vetëm besimin fetar, por edhe jetën sociale në përgjithësi. Me një fjalë, Kosova arrin në fillim të shekullit XX me mënyrën e jetës orientale, me kulturë orientale, me mentalitet oriental dhe, natyrisht, me një ndikim të madh të botës orientale në gjuhën e saj. Nën Perandorinë Osmane, Kosova asnjëherë nuk e kultivoi gjuhën shqipe, nuk e shkroi atë, e në ndonjë rast u përpoq të merrte gjësendi nga qendrat e tjera kulturore shqiptare. Prandaj varianti i saj i gjuhës shqipe ishte i pakultivuar, i mbushur përplot me orientalizma, që reflektonte mënyrën e jetës së folësve të saj. Kosovarët, shikuar edhe nga këndvështrimi i gjuhës shqipe, ishin gjuhësisht të prapambetur. Në turqisht, ndoshta edhe në arabisht dhe persisht mund të ishin më të avancuar, por në shqip jo që jo.

Pra, përveç që nuk trashëgoi një traditë të kultivimit të gjuhës, Kosova mbeti peng edhe i proceseve të reja frenuese. Nga Perandoria Osmane, pa një proces deorientalizimi dhe emancipimi, Kosova ra nën një pushtim të ri edhe më të egër, nën pushtimin serb dhe jugosllav. Gjuha shqipe, që ishte e ndaluar në përdorim zyrtar në kohën e Turqisë, vazhdoi të mbetej e ndaluar edhe në mbretërinë jugosllave. Tani, në rrethana të reja politike dhe shoqërore, ndikimeve turke dhe orientale iu shtuan ndikimet sllave. Prandaj, varianti kosovar i gjuhës shqipe arriti deri në Luftën e Dytë Botërore tërësisht i pamundur, një gjuhë shqipe e çoroditur nga ndikimet e gjuhëve orientale dhe sllave, me anë tjetër, një variant shqip krejtësisht i pazhvilluar, që pasqyronte një jetë sociale kryekëput rurale, krejt të paemancipuar. Por fenomenet negative të variantit kosovar të gjuhës shqipe nuk përfundojnë këtu. Për shkak të situatave politike, varianti kosovar i gjuhës shqipe vazhdon të mos komunikojë intensivisht me pjesën tjetër të arealit gjuhësor shqiptar. Prandaj disa fenomene gjuhësore jotipike zhvillohen brenda vetë këtij varianti. Por edhe marrjet një herë nga gegërishtja e standardizuar dhe pastaj nga gjuha e njësuar letrare, janë të vështira dhe jo gjithmonë efektive. Midis Kosovës dhe burimit të saj gjuhësor, qoftë gegërishtes standarde më herët, qoftë të gjuhës së njësuar letrare më vonë, ishte vendosur një kufi politik, që nuk kalohej aq lehtë. Kështu, që nga viti 1967, ose 1972, e deri më 1991 Kosova jetoi iluzionin e saj gjuhësor. Përgjatë atyre viteve vazhduan përpjekjet për përvetësimin e standardit, në institucionet arsimore dhe kulturore, në medie dhe përgjithësisht në jetën publike. Fushata antishqiptare e vitit 1981 e prapa, zyrtarisht nuk e kontestoi aplikimin e standardit në Kosovë, ndonëse pat edhe synime të atilla që ndërmjet gjuhës letrare dhe nacionalizmit shqiptar të viheshin lidhje të dënueshme ideologjike dhe politike. Por atmosfera e përgjithshme në Kosovë tani u bë tepër e rëndë dhe aspak produktive për çfarëdo ndërmarrje dhe veprimtari kulturore, përfshirë këtu edhe lëvizjen gjuhësore, e cila, për shkak të apostrofimit politik, mbeti tërësisht pezull, u neutralizua, pra humbi në dinamikë dhe intensitet.

Gjithsesi, goditjen më të rëndë kjo lëvizje e mori me ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Shqipërinë. Gjuha e njësuar letrare në Kosovë tani ishte ndarë nga modeli, ishte ndarë nga burimi i saj. Kontaktet shkencore u ndërprenë. Komunikimi gjuhësor nuk u zhvillua më përmes literaturës bazë, por përmes informacionit medial, i cili rëndohet shumë, bëhet më i vështirë. Gjenerata e albanologëve, tashmë e formuar në Kosovë, përjashtohet nga të gjitha proceset tërësore gjuhësore, përfshirë edhe diskutimet për modalitetet e zbatimit të normës drejtshkrimore. Literatura nuk këmbehet, libri nga Shqipëria nuk vjen në Kosovë, botimi i letërsisë së Shqipërisë bie ndjeshëm. Pra, me një fjalë, gjuha në Kosovë përjeton edhe një ngecje të re, ngjashëm siç kishte ndodhur më 1948.

Ndodhi si ndodhi dhe më 1991, Kosova dhe Shqipëria pothuajse papritmas u gjenden më pranë njëra-tjetrës, ndonëse në rrethana politike tepër konfuze dhe aspak produktive për zhvillime kulturore. Fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rënia e diktaturës në Shqipëri krijuan disa mundësi për lëvizje të njëanshme, të një qarkullimi të kufizuar dhe mjaft të vështirë të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Takimi i serishëm i kosovarëve me Shqipërinë, pas një periudhe të gjatë, kësaj radhe pa qenë nën vëzhgimin e kujdesshëm të organeve të sigurimit, u zhvillua në rrethana të një keqkuptimi të dyanshëm. Ndër shumë defekte të tjera, ky ritakim i kosovarëve me Shqipërinë kishte brenda edhe keqkuptimin gjuhësor, ose një refuzim gjuhësor të tërësishëm të Kosovës nga ana e Shqipërisë. Duket se keqkuptimi dhe refuzimi kishin të tjera arsye, por gjuha ishte argumenti sipërfaqësor, argumenti i parë dhe i ndjerë më së lehti, i afishuar vetvetishëm, pa pasur nevojë që të kërkohet në brendi. Shqipëria nuk e honepste gjuhën e kosovarëve, e refuzonte, e përqeshte, e urrente atë, thuaja se bëhej fjalë për një gjuhë-përbindësh.

Më anë tjetër, kosovarët, që kishin jetuar me iluzionin se kishin bërë përparime të ndjeshme në përvetësimin e gjuhës letrare, përnjëherësh e panë veten të tallur dhe përçmuar, inferiorë në të gjitha pikëpamjet. Iluzioni i tyre gjuhësor, i kultivuar që nga Kongresi i Drejtshkrimit dhe prapa, u rrënua përfundimisht. Defektet gjuhësore kosovarët mund t’i kishin ndjerë edhe vetë, por në një mënyrë kaq të vrazhdët nuk ua kishte përplasur në fytyrë asnjeri. Iluzioni tjetër, se Shqipëria i kishte ndjekur zhvillimet kulturore në Kosovë, në fushën e letërsisë, të muzikës, të teatrit, të arteve figurative etj., ishte një kotësi edhe më e madhe, sepse Shqipëria londineze mund të ishte sadopak e mëshirshme ndaj diasporës, siç i quante ajo shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj, por në asnjë mënyrë nuk i pranonte ata si të barabartë në terrenin e saj kulturor. Arsyet përse ndodhte kështu, përveç se historike, ishin edhe ideologjike. Mirëpo, gjuha kishte qenë dhe vazhdonte të ishte një kamuflazh i mirë, një argument që funksiononte mrekullisht. Më anë tjetër, për shkak të refuzimit gjuhësor të Tiranës, kosovarët kishin gjetur mënyrë t’i minimizonin, ose t’i anashkalonin, ose t’i heshtnin defektet e tyre reale rreth gjuhës. Ata filluan të akomodoheshin në këto defekte gjuhësore, duke e quajtur gati të pamundur një komunikim të ndërvetshëm tërësisht të barabartë. Disa kosovarë, të lënduar nga arrogance gjuhësore e Tiranës, filluan të futnin në përdorim të folmen e tyre lokale, e cila tashmë nuk ishte as variant i gegërishtes deri-diku i standardizuar në një kohë pak më të largët, por një nëndialekt krejtësisht i pamundur që të përdorej si gjuhë e shkrimit. Të tjerë kosovarë filluan t’i mbanin iso kontestimit të kryehershme të vendosjes së toskërishtes në bazën e gjuhës letrare, me shpjegimin se kosovarët nuk mund të përvetësonin një standard gjuhësor të imponuar dhe të panatyrshëm për të folmen e tyre.

 

Konvergjenca dhe divergjencat

 

Në të vërtetë, të gjitha mosmarrëveshjet rreth gjuhës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përmblidhen në një pikë: cili është orientimi identitar i shqiptarëve, a është ai konvergjent apo divergjent, sepse gjuha nuk është dhe nuk mund të jetë e ndarë nga identiteti, nga përbërësit identitarë, sikundër që nuk mund të jetë e ndarë nga historia, nga kultura dhe nga synimet politike të një kombi. Për të gjitha këto kemi folur ose do të flasim ndaras, por me këtë rast nuk mund të mos themi se kosovarishtja si gjuhë është e paqenë, pra inekzistente. Këtë duhet ta sqarojmë një herë e mirë për të gjithë ata që pretendojnë t’i përdorin problemet gjuhësore të kosovarëve për të ndërtuar një identitet të ri. Nuk është parë diku deri sot që identiteti të ndërtohet perms mungesave ose mangësive. Ai ndërtohet mbi anë pozitive, mbi vlera dhe jo mbi mungesën e tyre. Thënë ndryshe, kosovarët dashkan të përfshihen në një skizmë gjuhësore dhe bëkan gjuhë më vete mbështetur mbi një inat me Shqipërinë, ose për shkak të kompleksit të inferioritetit, ndjesi këto gjithsesi negative; pastaj për t’ia përshtatur gjuhën mosdijes dhe paaftësisë së tyre për të zotëruar standardin; apo që të legjitimojnë paaftësinë e tyre që të mënjanojnë depërtimet sllave në leksik dhe sintaksë; dhe, e fundit, për të përfillur një traditë gjuhësore të dyshimtë, për të mos thënë krejtësisht negative.

Pra, identiteti i ri nuk mund të ndërtohet mbi një gjuhë të paqenë, as mbi një gjuhë të sendërgjuar, siç do të thoshte Konica. Kosovarishtja, që të bëhet krah i identitetit kosovar, duhet të ekzistojë si gjuhë e shkrimit dhe e kulturës, gjuhë e një komunikimi intensiv në përmasa tërësore. A ishte dhe a mund të bëhet ajo e tillë? Në asnjë rrethanë, sepse ajo është e folme nëndialektore, e dekompozuar në një numër variantesh lokale, ku asnjëra nuk ka forcën kulturore dhe komunikuese ta mbisundojë tjetrën. Më anë tjetër, duke qenë gjuhë lokale dhe nëndialektore, ajo nuk e ka të konsoliduar variantin e saj të shkrimit, madje shkrimi i saj mund të përmblidhet në jo më shumë se dhjetë vëllime mesatare përrallash, gojëdhënash, anekdotash dhe këngësh popullore. Me një fjalë, tradita gjuhësore e Kosovës është e përmbledhur në tërësi në vëllimet e folklorit, që Anton Çeta i kishte bërë dikur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ajo është krejt tradita gjuhësore e mëvetësishme e Kosovës, me shumë barbarizma turke dhe sllave dhe me trajta gramatikore të ndikuara nga këto gjuhë. Madje, sikundër e thamë, kjo e folme nuk paraqitet e integruar as brenda vetë Kosovës, sepse ajo ndryshon nga zona në zonë, që dëshmon se, në të kaluarën, Kosova, as si e tillë, nuk ka funksionuar si një e tërë, gjuhësisht kompakte. Përveç kësaj, një gjuhë e tillë paraqitet tepër e pazhvilluar, sepse flet vetëm për një jetë rurale, në një kohë që jeta urbane e Kosovës pothuajse nuk ka pasur traditë të hershme shqiptare.

Atëherë, pra, cila dilemë mbetet? Le ta pranojmë si të mirëqenë idenë se Kosovës do t’i binte më mirë dhe do t’i shkonte më për shtat vendosja e gegërishtes në bazën e standardit të gjuhës shqipe, sepse një standard i tillë do të korrespondonte me lehtë dhe do të qëndronte më afër me Kosovën dhe me të folmen e saj. Kjo është rrethanë objective dhe unë e pranoj si të tillë, megjithëse më parë më duhet t’i bëj të njohura disa dilema të mia rreth gegërishtes, nëse ajo do të ishte gjuhë-kornizë, e cila do të mund t’i merrte përsipër të gjitha funksionet e domosdoshme të gjuhës standarde.

Këto dilema m’u përforcuan, ndërsa tash së voni, në kontekst të shijimit të gjuhës, kam marrë të rilexoj letërsinë e autorëve gegë, në radhë të parë Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun, si dhe vëllimet e shumta të letërsisë popullore, më së shumti përrallat, poezinë lirike dhe epikolirike. Në disa raste këtë poezi e kam krahasuar me poezinë popullore të Shqipërisë së jugut dhe me atë arbëreshe. Në përgjithësi, gjuha e vargnimit epik, njësoj si gjuha tradicionale e komunikimit, është gjuhë me nocione që kufizohen me bëmat e lidhura me trimërinë ose vdekjen, pra një gjuhë hijerëndë, e palakueshme, e vështirë për komunikim të shpejtë dhe racional. Protagonistët e kësaj gjuhe janë tipa të ashpër, të vendosur, kryesisht me jetë sociale rurale. Te arbëreshët jeta sociale është kalorësiake, madje aristokrate. Poezia lirike gege është kryesisht bukolike dhe elegjiake, pavarësisht se cilit lloj të lirikës I përket. Mjeda dhe Fishta ndoqën këtë logjikë gjuhësore, kur bënë veprat e tyre më të mira. Koliqi, ndërkaq, në krijimtarinë e tij të hershme, u përpoq ta urbanizonte këtë gjuhë, por ajo, për shkak të natyrës së saj bukolike dhe rurale, në tregimet e tij shpesh e nxirrte “në piknik” jashtë Shkodrës, që atje të gjente ambientin e vet më të përshtatshëm. Krijimtaria e tij e mëvonshme, njësoj si ajo e Camajt dhe e Pashkut, mbetet peng i moszhvillimit gjuhësor.

Në të vërtetë, sikundër mund të vërehet, letërsia e Camajt dhe e Pashkut ka brenda një shpërputhje të ndjeshme gjuhësore, ose një kundërshti të papajtueshme: asociacione ultramoderne, përimtime dhe analiza të holla psikologjike, të gjitha këto të shprehura me një gegërishte që esencën e saj kuptimore e shpreh vetëm ose kryesisht përmes rrathëve kuptimorë të ambientit epik apo rural. Pashku, madje, në këtë pikë nuk ishte aspak këmbëngulës, sepse tregimet e tij, të shkruara kryesisht në vitet ’60, me rastin e ribotimit në kompletin e veprave lejoi që të ktheheshin në gjuhën e sotme shqipe nga një person që nuk e njihte mirë as gegërishten, as gjuhën e sotme.

Megjithatë, dilemat e mia rreth gegërishtes janë perceptim subjektiv dhe nuk pretendoj të tumiret nga mbështetësit e saj, por pamundësitë e saj për të qenë gjuhë e komunikimit modern sa vijnë e shtohen, edhe për faktin se gegërishtja, duke qenë e përjashtuar nga procesi i standardizimit dhe i zhvillimit, në esencën e saj ka mbetur gjuhë e një tradite tashmë të lënë në harresë dhe të tejkaluar. A i është bërë e padrejtë? Mundet, por ky proces tashmë ka marrë fund dhe nuk mund të kthehet prapa me asnjë çmim, jo vetëm pse është proces që nuk mund të përsëritet, por as nuk ka ku të kthehet. Ku do të kthehej, te cila gjuhë, te cili variant? Te gegërishtja tradicionale, konservative, të cilën nuk e njohin mirë as ata që e adhurojnë? Zhvillimet gjuhësore te shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XX, për shkak të zhvillimeve shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, kanë qenë aq dinamike (të ndodhura kryesisht në kuadër të standardit), saqë do të ishte krejt e pamundur jo më një kthim prapa, por as një ndalje sado e vogël në mes të rrugës.

 

Skizma kosovare e gjuhës

 

Duke i marrë në dijeni të gjitha këto rrethana, a do të ishte sot e mundur një si skizmë kosovare e gjuhës, që, thënë ndryshe, do të nënkuptonte një dalje të Kosovës nga marrëveshja gjuhësore e vitit 1972? Arsyeja kryesore përse Kosova do të bënte këtë, do të ishte një vlerësim kritik i shkallës së përvetësimit të standardit nga kosovarët në dyzet vitet e shkuara dhe, pasi që ky vlerësim do të dilte negativ, atëherë hapi i radhës do të ishte marrja e masave që kjo gjendje të mos vazhdonte kësaj rruge. Sikundër mund të vërehet, ithtarë të kësaj skizme në Kosovë nuk gjenden me shumicë, së paku jo të tillë, të cilët do të futeshin në prishjen e kësaj marrëveshjeje gjuhësore gjithëshqiptare të prirë nga vetëdija se gjërat nuk shkojnë mirë, e aq më pak të tillë që këtë do ta bënin për shkak të idesë së Kosova, duke u bërë shtet, duhet të krijojë identitet të veçantë dhe, duke bërë identitet të veçantë, duhet të bëjë edhe gjuhë të veçantë. Para se të diskutojmë vlerësimin e situatës gjuhësore në Kosovë në raport me standardin, pra me shkallën e përvetësimit të tij, më duket se është e nevojshme të rikujtojmë disa gjëra rreth marrëveshjes së vitit 1972 në raport me Kosovën, pra me përfshirjen e saj në këtë marrëveshje dhe me mundësinë që Kosova të dalë prej saj. Tashmë e kemi thënë se në Kongresin e Drejtshkrimit Kosova ishte përfshirë me një vendim politik, i cili atëbotë u mor nga strukturat komuniste të Shqipërisë, të Jugosllavisë dhe të Kosovës. Nuk është e besueshme se mund të ketë pasur një diskutim dhe një marrëveshje të fshehtë të këtyre strukturave rreth pjesëmarrjes së Kosovës në këtë tubim gjuhësor. Më e besueshme është se vendimi u mor duke ndjekur secila palë interesat e veta, kështu që vendimi, në formën e tij përfundimtare, ndonëse është komunist, del i favorshëm për Kosovën dhe, si të tillë, do ta quaja liberalkomunist. Më anë tjetër, edhe përkundër faktit se merr pjesë në Kongres, Kosova nuk e ka as forcën, as të drejtën, por as vullnetin që t’i prijë ndonjë fraksioni gjuhësor brenda këtij tubimi. Pjesëmarrja e Kosovës në Kongres mund të kontestohet nga kjo perspektivë, por përkrahja masive që morën vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit në Kosovën e atyre viteve, flet për një vullnet gjuhësor të përfaqësuar drejtë. Por, e zëmë se përsëri kemi të bëjmë me njëmendësi komuniste dhe prandaj vendimet e Kongresit duhet quajtur të diskutueshme.

Atëherë, çfarë duhej të bënte Kosova? Kujt t’i bashkëngjitej? Ku t’i gjente aleatët brenda botës shqiptare? Arshi Pipën në Nju-Jork apo Martin Camajn në Romë ose Mynih? Mirëpo, kundërshtimi i tyre i standardit, i pari më aktiv dhe i dyti krejtësisht pasiv, mund të përbënte temë për diskutim, por në asnjë mënyrë nuk përbënte konsensus të gegërishtfolësve për ta kundërshtuar standardin ose vendimet e Kongresit. Prandaj Kosova as sot nuk mund të gjejë një rrugë tjetër, përveç se t’i shtojë në numër zërat që kërkojnë rishqyrtimin e standardit. Themi në numër, sepse në Kosovë mund të gjenden mbështetës të kësaj ideje, mund të gjenden përkrahës, përfshirë këtu edhe ndonjë militant, por nuk mund të gjenden gjuhëtarë, qoftë edhe një i vetëm, që e përkrah këtë ide, që do t’iu bëhej ndihmë atyre shkodranëve ose atyre gegëve të tjerë që tashmë e kanë shtruar zëshëm këtë kërkesë. Kundërshtarët e standardit në Kosovë dhe gjithandej Gegërisë janë ushtarë pa gjeneralë, ose pa komandantë. Dhe, që është gjithsesi e rëndësishme, kundërshtarët e standardit në Kosovë nuk mund t’i bëjnë ballë vetëm situatës që kërkojnë ta krijojnë, por duhet të kërkojnë ndihmën e Shkodrës, që domethënë se Kosova as që mund të mendohet ta revidojë standardin duke futur në përdorim variantin e vet të gjuhës, por një gegërishte, të cilën gjithashtu e ka me mungesa të mëdha.

Në një rrethanë të tillë, cili, pra, do të ishte identiteti gjuhësor i Kosovës? Përsëri një identitet gjuhësor i importuar, i bartur, i shartuar, funksionalisht i pamundur. Më i afërt se standardi aktual ndoshta po në dukje të parë, por më me shumë probleme se ai, sepse skizma eventuale e Kosovës aty-këtu do të gjente një mbështetje deklarative ndër të gjitha hapësirat e Gegërisë, por nuk do ta gjente mbështetjen substanciale, diturore, profesionale dhe aq më pak do të gjente mbështetje nga përdoruesit e asaj gjuhe, të cilët në Shqipëri dhe në Kosovë janë gjithnjë e më të paktë. Vetë ata që kërkojnë të bëjnë revidime e korrigjime të këtilla, nuk dinë ta shkruajnë gegërishten dhe shkrimin e saj e degradojnë në një të folme lokale, të lagjes apo të fshatit të vet. Madje, edhe më keq se kaq, skizma kosovare e gjuhës standarde, njësoj si skizma gege në përgjithësi është bërë një lloj azili për të gjithë keqshkruesit e shqipes. Nuk ka ndodhur deri më sot diku në botë që keqshkruesit të prishin standarde dhe të vendosin standarde të reja gjuhësore. Më anë tjetër, prirja për të njohur lirinë matanë rregullave nuk është liri qenësore, është liri e kufizuar në vetë kuptimin e saj, sepse ajo ka prirje të kthehet në dhunë të individit ndaj kolektivitetit. Në Kosovë kjo tashmë është vërtetuar më shumë se një herë: skizmatikët e gjuhës standarde, me insistimin e tyre për t’i shkelur rregullat pa asnjë kriter gjuhësor, cenojnë lirinë gjuhësore të shumicës, tek e cila ekziston konsensusi gjuhësor për një gjuhë me rend dhe rregull. Ky perceptim nuk supozon dhunë të shumicës gjuhësore kundrejt pakicës gjuhësore, as kufizim lirie, por zbatim normativ të një rregulli, derisa ajo të mos ndryshohet. Askush nuk duhet t’i ndalojë skizmatikët t’i diskutojnë problemet gjuhësore, por është kundër konceptit bashkëkohor të lirisë nëse dikush kërkon që një gjuhë zhargon ose argo ta vendosë në piedestalin e gjuhës me përdorim të gjerë publik, pa konsensusin paraprak. Nëse dikush kërkon të jetë i vëmendshëm kundrejt lirisë së tjetrit, njësoj siç kërkon që në emër të lirisë të krijohet hapësirë për zhargonin e tij, do të duhej që atë zhargon (derisa të mos marrë statusin e gjuhës për përdorim publik) ta mbajë në rrethin e gjedhes personale, si një gjuhë-agjens me rrezikshmëri për ambientin publik dhe rrethin shoqëror.

 

Kosovarishtja, përmbledhje gabimesh gjuhësore

 

Por tani, me pak fjalë, le të shohim se në ç’gjendje është gjuha në Kosovë dhe cilat ndërmarrje të shpejta i kërkon ajo. Së pari do bërë të qartë se gjuha shqipe në Kosovë nuk e ka asnjë urgjencë, që lidhet me diskutimin rreth normës letrare. Të gjitha urgjencat e saj, nëse ka diçka të tillë që lidhet me gjuhën, është bërja e gjuhës shqipe si gjuhë shtetërore, funksion ky të cilin gjuha shqipe nuk e ka pasur kurrë në Kosovë. Ata që janë ankuar dhe ankohen vazhdimisht se Kosova nuk e përvetëson dot këtë standard, kanë filluar të humbin edhe argumentet që i kishin më parë, sepse viteve të fundit, edhe përkundër të gjitha vështirësive, edhe përkundër të gjitha pengesave, Kosova ka njohur një zhvillim gjuhësor shumë më dinamik se në të gjitha fushat e tjera. Pavarësisht nga vërejtjet që nuk i kemi të pakta, shkalla e përvetësimit të standardit ka njohur një rritje cilësore edhe në gjuhë të shkruar, edhe në gjuhë të folur, te të gjitha kategoritë shoqërore. Hallka më e dobët në këtë proces mbetet sistemi shkollor, i cili, për shkak të mungesave që ka, vazhdimisht rigjeneron mosdije.

Më anë tjetër, Kosova është futur në procese të reja, pas një degradimi të madh që e kishte përjetuar para vitit 1999. Periudha dhjetëvjeçare e deinstitucionalizimit pothuajse e kishte nxjerrë gjuhën shqipe jashtë përdorimit publik. Por edhe pas vitit 1999, situata gjuhësore në Kosovë vazhdoi të ishte e rëndë, disa vite me radhë, për shkak se administrate ndërkombëtare e përplasi Kosovën nga një bilinguizëm që tashmë ia kishte marrë frymën, në një bilinguizëm të ri, jo të urryer, por po aq i papërballueshëm për Kosovën gjuhësisht të traumatizuar. Tani në përdorim zyrtar në Kosovë u vendos gjuha angleze, asaj i takonte përparësia në të gjitha nivelet e komunikimit, ndërsa gjuha shqipe përsëri bëhet gjuhë e dytë, siç ishte dikur në raport me serbokroatishten. Cilësia e njohjes së gjuhës angleze nga kosovarët, si edhe nga një numër ndërkombëtarësh, paraqitej problematike, por edhe më problematike dilte njohja e shqipes nga një ushtri e tërë përkthyesish, të cilët vihen në shërbim të administratës ndërkombëtare. Me një fjalë, vitet e administratës së UNMIK-ut në Kosovë janë vite të lëndimit të madh të gjuhës shqipe, të anashkalimit, të shkeljes dhe të nënçmimit të saj.

Tërheqja e shkallëshkallshme e bashkësisë ndërkombëtare nga Kosova ka krijuar mundësi të reja për politika gjuhësore, sikundër që, më anë tjetër, e vë gjuhën e Kosovës përball detyrave për të përmbushur zbrazësitë e krijuara.

Së pari, statusi i gjuhës shqipe në Kosovë duhet të ndryshojë dhe me Kushtetutën e Kosovës të bëhet i tillë, siç është gjuha e shumicës në të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së. Diskriminimi i gjuhës shqipe, për t’iu lënë hapësirë gjuhëve të minoriteteve dhe gjuhës angleze si gjuhë protektorësh, është një situatë e paparimtë dhe frenuese për një zhvillim normal gjuhësor. Duke marrë për bazë përqindjen e popullsisë shqiptare, që kap shkallën rreth 95%, imponimi i serbishtes si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës del qesharak dhe thellësisht i papranueshëm.

Më anë tjetër, statusi i anglishtes duhet të ndryshojë, për shkak se përparësia që i jepet asaj në dokumente zyrtare, asfikson gjuhën shqipe edhe ashtu me përvojë jo të mjaftueshme në këtë fushë, sikundër që diskriminon përdoruesit e saj. Nuk është e besueshme se Kosova në një të ardhme të afërt do të ketë ndonjë ligj për gjuhën, sepse një ligj i tillë ngatërron Kosovën me bashkësinë ndërkombëtare, por më e pritshme mund të duket nëse Kosova në nivel institucional përpunon dhe zbaton disa segmente të politikave gjuhësore.

Dy janë fushat ku ajo do të duhej të vepronte, përems projekteve me përfshirje të gjerë: arsimi dhe administrata. Institucionet si Akademia e Shkencave dhe e Arteve, Instituti Albanologjik, Dega e Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik etj., do të mund të bëheshin bartës të një projekti afatgjatë të edukimit dhe arsimit gjuhësor plotësues për mësuesit dhe pjesëtarët e administratës civile, lokale dhe qendrore. Për një ndërmarrje të këtillë, së pari duhet hequr dilemën artificiale dhe askund të ngjashme, të cilën ia ka imponuar Kosovës bashkësia ndërkombëtare, se kultivimi dhe përkujdesja për gjuhën shqipe është nacionalizëm.

Gjuhës shqipe në Kosovë duhet t’i hiqet kjo embargo dhe vetë kosovarët nuk do të duhej të binin pre e këtij paragjykimi. Ata duhet ta kuptojnë se një shtet të qëndrueshëm e përbëjnë institucionet e qëndrueshme, të cilat në themel kanë veprimin e mbështetur mbi një kod gjuhësor, të ndërtuar sipas një marrëveshjeje gjuhësore dhe të zbatueshëm sipas saktësisë kuptimore të po asaj gjuhe. Pa këtë kusht gjuhësor institucionet e shtetit janë të luhatshme dhe kuptimi i tyre për qytetarin është i paqëndrueshëm, madje i pakuptimtë.

Ndërkohë, në raport me Shqipërinë, rreth standardit, mendoj se dy gjëra mbeten të sqarohen dhe të marrin një zgjidhje. E para, kundërshtarët e standardit në Shkodër, në Tiranë ose gjetiu në Shqipëri, apo ata që kërkojnë revidimin e tij, do të duhej të pushonin së kërkuari aleatë në Kosovë; dhe, e dyta, standardi i vitit 1972 do të duhej të rishikohej dhe të korrigjohej, pra të reformohej në ato pika ku paraqitet e domosdoshme, tani edhe për shkak të funksionit të ri që ka ky standard në shtetin e ri të Kosovës. Në rastin e parë, kundërshtarët e standardit, sado qofshin dhe kushdo qofshin ata, pavarësisht nëse janë nga Kosova apo azilantë gjuhësorë nga Shqipëria, është pak e besueshme se mund të kenë arritur gjë më shumë, sesa t’i bëjnë ndonjë dëm të papërfillshëm shkallës së përvetësimit të standardit dhe ngritjes së kulturës së gjuhës në Kosovë. Por, më anë tjetër, në fushën e reformës së mëtejshme gjuhësore, çështjet paraqiten më problematike, më të ngatërruara përbrenda vetë lagjes së gjuhëtarëve: njëra palë kërkon ndryshime të shpejta, duke i arsyetuar ato me dinamikën e zhvillime gjuhësore në truall të shqipes, sikundër edhe me të metat që tashmë janë evidencuar në disa pika të ndjeshme të standardit; pala tjetër, ndërkaq, paraqitet jofleksibile, dogmatike, antireformuese dhe konsideron se një ndërhyrje në standard mund të jetë vetëm fillimi për ndryshimin e tij, prandaj janë bërë barrikadë e mosndryshimeve, sado të domosdoshme qofshin ato. Nuk është ndonjë fshehtësi e madhe nëse themi se ata, bashkë me dogmën gjuhësore, përpiqen të ruajnë edhe dogmën ideologjike. Krahas kësaj, duke parë se disa gjuhëtarë te Kosovës janë më të zëshëm rreth nevojës së ndryshimeve, te një lagje gjuhëtarësh të Shqipërisë është paraqitur teza e zhvillimeve gjuhësore me dinamikë të diferencuar. Kjo afërsisht ka këtë kuptim: Kosova dhe Shqipëria janë përcaktuar për ruajtjen dhe kultivimin e standardit gjuhësor, por secila palë është e lirë të ndërmarrë hapa të pavarur për shkallën e ndryshimeve dhe dinamikën e tyre, përfshirë këtu edhe kërkesat gjithnjë e më të zëshme që Kosova të bëjë vetë si të dojë me gjuhën e saj, ndërsa Shqipëria do të ndjekë ato zhvillime që për veten e saj i konsideron të favorshme. Më anë tjetër, si përgjigje ndaj zërave që kërkojnë braktisjen e standardit, në Kosovë tashmë është shfaqur grupi i gjuhëtarëve konservativë, të cilët mbështesin dogmën gjuhësore të grupit të gjuhëtarëve të Tiranës, ndërkohë që rrethin e tyre e zgjerojnë naivistët gjuhësorë kosovarë, të cilët, ta zëmë, duke dashur të shqiptarizonin në mënyrë artificiale toponiminë e Kosovës, në disa raste bënë emërtime të çoroditura, kurse në disa raste të tjera i bartën emërvendet e Shqipërisë në Kosovë, pa e kuptuar se me këtë veprim shqiptarët e Kosovës i bëjnë ardhacakë dhe kolonizatorë. Së fundi është shfaqur edhe nisma për formimin e një këshilli ose komisioni gjuhësor ndërparlamentar Shqipëri-Kosovë, me fuqi vendimmarrëse për gjuhën shqipe në të dy shtetet. Sido që të jetë, duket se Kosova, edhe për një kohë, do të jetë e privuar nga kënaqësia e të folurit dhe e shkrimit të një gjuhe kultivuar, madje një pjesë e kosovarëve nuk do të dinë se ekziston një ndjenjë e këtillë. Megjithatë, pas vitit 1999 përvetësimi i standardit në Kosovë ka ndryshuar shumë: është më i shpejtë dhe më gjithëpërfshirës. Ndërkohë, një shkallë më e lartë e përvetësimit të standardit në Kosovë, gjatë këtyre viteve, ka krijuar tregun shqiptar të librit dhe tregun shqiptar të medies elektronike, faktorë këta shumë të rëndësishëm që favorizojnë zhvillime të tjera edhe më cilësore. Hapësira e qarkullimit gjuhësor është zgjeruar dhe bashkë me këtë edhe hapësira e qarkullimit të ideve, hapësira e mendimit gjithashtu, njësoj si hapësira kulturore, artistike, shkencore etj. Vetë hapësira e mendimit gjuhësor ka një shtrirje jashtëzakonisht të gjerë dhe favorizon diskutime që ofrojnë zgjidhje më të qëndrueshme.

Më anë tjetër, shpikja e identitetit kosovar, identitet që domosdo nënkupton edhe gjuhë më vete për Kosovën, është faktor ngadalësues në këtë dinamikë. Sipas mbështetësve të kësaj ideje, ky identitet do të duhej të ndërtohej mbi mohimin gjuhësor, pra të një mundësie aproksimative të kundërshtimit plebishitar të Kosovës ndaj standardit aktual. Është e njohur se identitetet zakonisht nuk ndërtohen mbi postulatet e mohimit, por të pohimit, që domethënë se identitetet kërkojnë të stabilizohen mbi rrugë që shpien diku dhe jo mbi rrugë që nuk shpien askund. Deri më tani ithtarët e kosovarizmës janë përpjekur t’i paraqesin mungesat gjuhësore si vlerë identitare, që në të vërtetë nuk është dhe nuk mund të jetë e tillë. Alternativa gjuhësore që ofrojnë ithtarët e identitetit kosovar nuk është gjë më shumë se një përmbledhje gabimesh gjuhësore, një doracak shkarjesh, edhe si i tillë i pahartuar, pra i mbetur në tentativë. Nuk është për të besuar se Kosova mund të ndërtojë identitet gjuhësor të mëvetësishëm, të ndarë, qoftë edhe vetëm kundërshtues, duke i thurur lavde dhe duke i ngritur lapidar mosdijes gjuhësore.

Please follow and like us: