Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Kosova, gjysma shqiptare e panjohur

Çerçiz Loloçi

Sprovë

1.

Botimi i tregimit tim të parë fillimisht në të përjavshmen kulturore ‘Drita’ në Janar 1981 dhe disa ditë më pas në të përditshmen ‘Rilindja’ të Prishtinës do të më detyronte vetvetiu të mësoja më shumë për këtë vend, që ishte pjesë shqiptare, por që ndodhej në administrimin e Jugosllavi-Serbisë, me statusin e një krahine. Në librat tanë të historisë, në ciklin 8-vjeçar dhe të mesëm, mësohej se ajo ishte pjesë natyrale e jona, por që kishte mbetur jashtë kufijve nga konferenca e ambasadorëve në Londër në 1913, një vit pas shpalljes së Pavarësisë dhe nga vendimet që u morën në 1946, pas Luftës së Dytë Botërore (L2B).

Edhe në botimet jo të pakta, deri te ato akademike, i mëshohej idesë se ky ishte vullneti i Fuqive të Mëdha dhe në këtë çështje nuk kishte se çfarë të bënte regjimi i Enver Hoxhës. Natyrisht nuk thuhej asgjë se pushteti i instaluar pas 1945 kishte pasur emisarë të rëndësishëm jugosllavë që kishin themeluar Partinë Komuniste, kishin caktuar udhëheqësit e tij, madje ishin bërë kumbarë edhe në shumë fejesa të kupolës së lartë. Kuptohet nuk flitej as për zërat nacionalistë në formacione të tjera politike, por edhe në radhët e Frontit Demokratik, që ishin eleminuar me ose pa gjyq.

Lëvizja kundërfashiste nuk ishte e njëllojtë në dy pjesët e të njëjtit komb: në Shqipëri me përmasa më të gjera dhe në Kosovë me një përfshirje më të vogël, por duket se të dy udhëheqjet komuniste ishin më shumë të prirura të koordinoheshin me jugosllavët për të ruajtur pushtetin e tyre se sa me njeri-tjetrin, madje edhe formacionet ushtarake që shkuan deri në Vishegrad nuk e panë të arsyeshme që të diskutonin mes njeri-tjetrit dhe për fatin e mëtejshëm të një popullsie të ndarë fill pas përfundimit të luftës. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për grupimet nacionaliste në të dy territoret që gjithçka e lidhnin me Italinë ose me Gjermaninë, pavarësisht se ato pak kohë më vonë do humbnin, siç edhe ngjau në vitin 1945.

Shqipëria komuniste u nda shpejt nga Jugosllavia komuniste dhe e paangazhuar dhe u mbështet te ish-Bashkimi Sovjetik, por as ajo dhe as mbrojtësi i saj në kampin socialist, nuk e ngriti qoftë edhe një herë çështjen e Kosovës, si pjesë e natyrshme e territorit dhe popullsisë së saj.

Edhe një fare dakortësie e Tito-Kardelit, gjatë periudhës së L2B që Kosova mund t’i bashkohej Shqipërisë u shua në 1946, kur Serbia bashkë me Kosovën u përfshinë në Jugosllavi me kufijtë e përcaktuara disa dekada më parë.

Pikërisht në kohën e marrëdhënieve mjaft të mira mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë që nga themelimi i PKSH e deri në prishjen e raporteve ndërshtetërore, 1941-1948, pra në këtë periudhë 7-vjeçare kishin ndodhur shumë ngjarje, mes të cilave më kryesorja ishte traktati ekonomik dypalësh, nënshkruar në Beograd më 20 shkurt 1945 nga Josip Broz Tito dhe zëvendëskryeministri Myslim Peza, kaçak në vitet 1924-1929 dhe emigrant politik i fshehur në Serbi në vitet 1930-1939 për vrasjen e Osman Balit, i cili njihej si përkrahës i Esad Toptanit. Traktate të tilla të ngjashme Jugosllavia kishte nënshkruar edhe me Bullgarinë, Poloninë, Çekosllovakinë e Hungarinë, që kishim shumë gjëra të përbashkëta, por edhe dallonin nga shteti në shtet.

Interesant është vendimi 117, datë 5.9.1945 i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar “Për dhanje dekoratash”, ku nga 13 të vlerësuarit, 11 janë jugosllavë, pra 2 ‘Hero Kombëtar’ për Ivan Milutinoviç e Lolo Ribar, 6 ‘Urdhër Flamuri” për Ivan Ribar, Eduard Kardjel, Bllazho Jovanoviç, Radovan Jogoviç, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, 4 ‘Ylli Partizan’ për Arso Jovanoviç, Aleksandër Jankoviç, Milovan Gilas e Petko Dapçeviç.

Ky veprim është i justifikueshëm për kohën që është bërë, por mbetet mister përse nuk janë hequr këto dekorime, kohë më vonë pas prishjes së marëdhënieve shtetërore Shqipëri-Jugosllavi dhe sidomos pas reprezaljeve dhe genocidit të Ministrit të Brendshëm Rankoviç ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ish-themeluesi i policisë sekrete në periudhën 1946-1966, Rankoviç akuzohej për vrasjen pa gjyq të mbi 70 mijë shqiptarë, ndërsa 250 mijë të tjerë i ka detyruar të shpërgulen e të emigrojnë në Turqi e në shtete të tjera; ai konsiderohet si person kryesor edhe për Masakrën e Tivarit ku janë vrarë rreth 8 mijë shqiptarë dhe u shkarkua nga Tito në 1966 jo për krimet e përndjekjet që tejkalonin edhe ato fashiste, por se u dyshua se kishte vënë nën përgjim udhëheqësin sipëror.

Pavarësisht se koalicioni fitues kundër nazistëve nuk ishte vetëm Bashkimin Sovjetik, por edhe anglo-amerikanët, vërehej prirja e regjimit të ri të Tiranës për t’u lidhur vetëm me sovjetikët, për largimin sa më parë të misionit amerikan dhe përfaqësuesve britanikë e duke përdorur si portë hyrëse, Jugosllavinë. Pikërisht kjo lidhje e bënte më të largët afrimin mes dy pjesëve shqiptare, pasi Kosova ishte gati të bashkohej me këdo shtet tjetër përkundër dyshes Rusi-Serbi që kishte vuajtur disa vite me radhë.

Midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe që kërkonin zgjedhje të lira, rend demokratik, respektim të të drejtave të njeriut, Enver Hoxha nuhati se këto parime nuk kërkoheshin as nga Jugosllavia dhe as nga Bashkimi Sovjetik (në të dy vendet si dhe në të gjitha shtetet e ish-kampit socialist zgjedhjet ishin formale, zakonisht votohej mbi nëntëdhjetë përqind, nuk pyetej fare për respektimin e të drejtave njerëzore dhe udhëheqësi kryesor rrinte në pushtet derisa e merrte vdekja).

Përkundër vendeve perëndimore ku kryhen zgjedhje të ndershme e demokratike dhe ku qeverisësit nuk mund të rrinë në pushtet më shumë se dy mandate, përjashto vendet ku ka këmbim dinastish, në kampin socialist ato bëheshin formale, sekretari i parë i partisë ishte edhe kryeministër, kryegjyqtar, kryepronar, zotërues i gjithçkaje, që mund të mbetej në krye për tri-katër dekada.

Aso kohe shteti jugosllav kishte marrë përsipër të përfaqësonte edhe interesat shqiptare, të kishte përfaqësues nga vendi ynë në të gjitha selitë e tij diplomatike, madje edhe në konferencën e paqes në Paris, për ndarjen e reperacioneve të luftës, për shkak se Shqipëria mori shumë pak, ishte gati të ndante dëmshpërblimet e saj me fqinjin e vet.

Në këtë konferencë kryeministri grek Kaldaris kishte kërkuar edhe ndarjen e Shqipërisë mes dy vendeve, por kjo ishte kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesi jugosllav si edhe nga vetë Stalini që këshillonte titistët të bënin kujdes me pretendimet greke se kishte një presion të madh nga anglo-amerikanët për moscenim kufijsh.

Me gjithë dëshirën e padurueshme të Tiranës zyrtare për një lidhje të drejtpërdrejt me Moskën, kjo nuk pranohej nga Stalini, që e kishte lënë nën përkujdesin e Jugosllavisë, por edhe nuk donte që Shqipëria të kthehej në republikën e shtatë të saj, sidomos pas firmosjes së marrëveshjes për krijimin e federatës jugosllavo-bullgare, që dilte nga ombrella e Bashkimit Sovjetik.

Përkundër shteteve të tjera të rreshtuar pranë shteti të stërmadh sllav, Jugosllavia kishte epërsinë e luftës kundër nazifashistëve pa ndihmën e tij, çka e bënte atë më të pavarur dhe që të shkëputej shpejt nga ndikimi rus.

Shqipëria çuditërisht përjetoi një periudhë të artë në kohën e pushtimit fashist sepse qeveria kuislinge arriti të shtrihej pothuaj në gjithë hapësirën natyrale të saj, por kjo gjë nuk u reflektua në asnjë akt zyrtar ndërkombëtar, pra në atë periudhë nuk pati ndonjë njohje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me këtë territor; pas fitores mbi fashizmin Kosova figuronte nën Serbi dhe në 1946 me kushtetutën e re të Jugosllavisë ishte një krahinë më vete nën federatë, me status natyrisht të kufizuar.

Please follow and like us: