Albspirit

Media/News/Publishing

Situata e bizneseve shqiptare gjatë pandemisë, nevoja për të shmangur një izolim të dytë

Dorela Beqaj

 

  1. Hyrje

 

Situata e pandemisë ka ndikuar dhe po vazhdon të ushtrojë ndikimin e saj në çdo aspekt të jetës së individëve, e në veçanti në aspektin ekonomik. Ndikimi i drejtpërdrejtë në aspektin ekonomik u ndje kryesisht si pasojë e vendosjes së regjimit të karantinës, i cili u shoqërua me pezullimin e shumicës së aktiviteteve ekonomike të bizneseve. Efektet negative të kësaj situate janë evidentuar nga treguesit kryesore makroekonomikë si: rritja e papunësisë, ulja e PBB, ulja e eksporteve.

 

Në këtë studim do të paraqitet situata aktuale e bizneseve shqiptare duke analizuar disa aspekte: ndikimin e pandemisë (karantinës) në aktivitetin e tyre ekonomik, ndikimin e politikave lehtësuese të qeverisë te bizneset, perceptimin që këta të fundit kanë lidhur me efektivitetin e këtyre politikave, si dhe pritshmëritë e bizneseve mbi të ardhmen e aktivitetit të tyre. Gjithashtu, duke marrë parasysh vazhdimin e pandemisë dhe kërcënimin e agravimit të situatës në një të ardhme të afërt, kam analizuar edhe zgjedhjen individuale të zotëruesve të bizneseve midis rikthimit të regjimit të karantinës apo instalimit të aplikacioneve të gjurmimit, në rast se do të jetë e nevojshme. Faktorët që ndikojnë në këtë zgjedhje do të paraqiten me anë të një modeli empirik.

 

  1. Të dhënat

 

Të dhënat janë grumbulluar duke intervistuar individualisht biznese të kategorive dhe sektorëve të ndryshëm që operojnë në Shqipëri. Periudha e grumbullimit të të dhënave është nga data 26 Maj 2020 deri në datën 13 Korrik 2020, që korrespondon me periudhën pas karantinës. Të dhënat janë marrë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (CCIT), Business Albania, si dhe nga kontaktet personale me biznese të ndryshme.

 

Gjithsej janë intervistuar 255 subjekte. Kategoritë e bizneseve janë:biznese të mëdha që përbëjnë 20,8% të vëzhgimeve (53 biznese), biznese të mesme që përbëjnë 11,8% të vëzhgimeve (30 biznese), dhe biznese të vogla që përbëjnë 67,5% të vëzhgimeve (172 biznese).

 

Bizneset e intervistuara janë grupuar edhe sipas sektorëve ku operojnë. Gjithsej janë përfshirë 23 sektorë. Në Tabelën 1., paraqiten sektorët dhe numri përkatës i subjekteve të intervistuara për secilin sektor.

 

Nga rezultatet e paraqitura në Tabelën 1., vërehet se shumica e bizneseve të intervistuara operojnë në sektorin e “shitje/pakicë” që përbën 23,9% të vëzhgimeve. Më tej, sektorit të “ndërtimit” i korrespondojnë 10,6% të vëzhgimeve, ndjekur nga sektori i “restoranteve” dhe “shërbimeve të konsulencës, projektimit, supervizimit e të ngjashme” me 7,8% të vëzhgimeve.

 

Tabela 1. Sektorët e operimit, numri i bizneseve për secilin sektor, numri i bizneseve që kanë pësuar rënie të të ardhurave si dhe numri i bizneseve që nuk kanë pësuar rënie të të ardhurave për secilin sektor.

Sektori Numri i bizneseve Numri i bizneseve që kanë pësuar rënie Numri i bizneseve që nuk kanë pësuar rënie
Agrikulturë/bujqësi/peshkim 3 2 1
Kimikate dhe plastikë 2 2 0
Edukim 6 4 2
Minierë dhe rafineri 3 0 3
Vaj dhe gaz 4 4 0
Ushqim dhe pije 17 12 5
Tekstile,lëkurë dhe veshje 14 12 2
Fabrikë metali dhe makineri 2 2 0
Elektronikë dhe pajisje elektrike 12 7 5
Transport dhe pajisje transporti 9 9 0
Hotel / Turizëm 8 8 0
Shitje/ pakicë 62 50 12
Restorante 20 13 7
Aktivitete të pronës së paluajtshme 9 8 1
Ndërtim 27 23 4
Veprimtari financiare dhe të sigurimit 4 3 1
Informacion dhe komunikim 3 3 0
Pylltari / dru / produkte letre 2 1 1
Qendra estetike/ berber/ SPA 15 6 9
Qendra sportive / palestra 1 1 0
Shëndetësi/ Spitale/Klinika dentare 6 6 0
Organizime eventesh/ Argëtim 5 5 0
Shërbime konsulence, projektimi, supervizimi e të ngjashme 21 3 18

 

 

 

  1. Rezultatet kryesore

 

Në këtë seksion do të paraqiten rezultatet kryesore të bazuara në përgjigjet që zotëruesit e bizneseve kanë dhënë lidhur me aktivietin e bizneseve të tyre. Pyetjet janë drejtuar lidhur me tre aspekte: aspektin financiar dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë të karantinës dhe masave dhe protokolleve të ndërmarra pas karantinës, aspektin e politikave që qeveria ka ndërmarrë së fundmi për të përmirësuar situatën e bizneseve, dhe aspektin e pritshmërive që bizneset kanë për të ardhmen e aktivitetit të tyre.

 

  • Ndikimi i pandemisë dhe protokolleve të reja te bizneset

Pyetja e parë që u është drejtuar bizneseve lidhur me ndikimin e pandemisë në aktivitetin e tyre ka qenë “A ka pësuar biznesi juaj rënie të të ardhurave si pasojë e coronavirus?” Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur me “po” 78,3% e të intervistuarve (199 subjekte), dhe me “jo” 21,7 % e të intervistuarve (56 subjekte). Ky rezultat është i pritshëm pasi bizneset janë intervistuar menjëherë pas përfundimit të karantinës, dhe rezultatet reflektojnë ndikimin që pezullimi i një pjese të mirë të aktiviteteve të biznesit pati në të ardhurat e tyre.

 

Në Tabelën 1., në seksionin e të dhënave, krahas sektorëve dhe numrit të bizneseve të intervistuar për secilin secilin sektor, janë paraqitur edhe numri i bizneseve që kanë deklaruar se kanë pësuar rënie të të ardhurave ose jo si pasojë e coronavirus. Duke marrë parasysh numrin e bizneseve që kanë deklaruar se nuk kanë pësuar rënie, vërehet se ky tregues është 0 në disa prej sektorëve si: kimikate dhe plastikë, vaj dhe gaz, fabrikë metali dhe makineri, transport dhe pajisje transporti, hotel turizëm, informacion dhe komunikim, qendra sportive/ palestra, shëndetësi/spitale/klinika dentare, dhe oraganizime eventesh /argëtim. Bazuar në këto rezultate, sektorët e sipërpërmendur rezultojnë më të prekurit nga situata e pandemisë. Megjithatë, edhe aktiviteti i sektorëve të tjerë është prekur në mënyrë të dukshme, edhe pse disa prej subjekteve nga këta sektorë deklarojnë se nuk kanë pësuar rënie të të ardhurave. Nga rezultatet e marra, sektori më pak i prekur rezulton ai i “minierës dhe rafinerisë” ndjekur nga “shërbimet e konsulencës, projektimit e të ngjashme”.

 

Pyetja e rradhës që lidhet me aspektin e ndikimit të drejtpërdrejtë të pandemisë në aktivitetin e bizneseve, ka të bëjë me ndikimin e protokolleve të reja (pas karantinës) në aktivitetin e bizneseve. Pyetjes: “Çfarë ndikimi kanë masat shtrënguese pas hapjes së ekonomisë (protokollet shëndetësore) në aktivitetin e biznesit tuaj?”  bizneset i janë përgjigjur si më poshtë:

 

-16,9% (43 biznese) kanë deklaruar se protokollet e reja nuk kanë asnjë ndikim në aktivitetin e tyre.

-15,3% (39 biznese) kanë deklaruar se protokollet e reja kanë ndikuar në uljen e produktivitetit të tyre.

-67,8% (173 biznese) kanë deklaruar se protokollet e reja kanë ndikuar në uljen e numrit të klientëve të tyre.

 

Këto rezultate dëshmojnë se në pjesën më të madhe të rasteve bizneset e kanë ndjerë ndikimin e masave dhe protokolleve të reja të aplikuara në kuadër të situatës së pandemisë.

Rezultatet janë paraqitur grafikisht në Grafikun 1.

 

 

Grafiku 1. Ndikimi i masave dhe protokolleve të reja te bizneset

 

 

  • Ndikimi i politikave lehtësuese të ndërmarra nga qeveria te bizneset

 

Në kuadër të lehtësimit të situatës së bizneseve që u përkeqësua për shkak të pandemisë, qeveria ka ndërmarrë nismat e garancive sovrane 1 dhe 2, si dhe po finalizon nismën e amnistisë fiskale për bizneset. Garancitë sovrane konsistojnë në krijimin e mundësive të huamarrjes me kushte lehtësuese për bizneset, me qëllim që të paguajnë punonjësit në rast pamundësie aktuale për t’i paguar (garancia sovrane 1), si dhe me qëllim që të përmirësojnë likuiditetin (garancia sovrane 2).Lidhur me perceptimin, informimin, interesimin dhe ndihmën që bizneset kanë marrë realisht nga paketat e garancive sovrane, të intervistuarve u janë drejtuar disa pyetje.

 

 

Për Garancinë Sovrane 1:

 

– Pyetjes “A jeni të informuar mbi paketën e parë të garancisë sovrane (lidhur me pagat) që ofrohet nga qeveria?” i janë përgjigjur me “po” 87,4% (221 biznese), dhe me”jo” 12,6% (32 biznese). Ky rezultat është tregues i një shkalle relativisht të gjerë të informimit të bizneseve lidhur me ekzistencën e kësaj politike të ndërmarrë nga qeveria.

 

-Pyetjes “A jeni të interesuar të aplikoni për paketën e parë të garancisë sovranë?” i janë përgjigjur me “po” 22,7% (58 biznese) dhe me “jo” 77,3% (197 biznese). Këto përgjigje reflektojnë një mungesë interesimi në shumicën e rasteve për aplikimin për garancinë sovrane 1.

 

-Pyetjes “A i plotëson biznesi juaj kriteret për të aplikuar për këtë garanci?” i janë përgjigjur me “po” 22% (56 biznese), me “jo” 30,7% (78 biznese) dhe me “nuk e di” 47,2% (120 biznese). Rezultatet tregojnë se pothuajse gjysma e subjekteve të intervistuara nuk janë në dijeni nëse i plotësojnë apo jo kriteret e përftimit të garancisë sovrane 1. Kjo dëshmon një mungesë informacioni që mund të vijë nga dy arsye: e para është për shkak të mosinteresimit të bizneseve për të aplikuar për garancinë sovrane 1, dhe e dyta për shkak të periudhës së shkurtër kohore brenda së cilës u publikuan dhe aprovuan garancitë sovrane.

 

-Pyetjes “A keni tentuar të aplikoni për paketën e parë të garancisë sovrane?” i janë përgjigjur me “po” 19,2% (49 biznese) dhe me “jo” 80,8% (206 biznese).  Sikurse vërehet nga rezultatet, përqindja e bizneseve që kanë aplikuar për garancinë sovrane 1 është e ulët. Arsyet e kësaj shifre mund të lidhen me mungesën e informacionit të detajuar mbi mekanizmat, rreziqet dhe përfitimet e mundshme nga kjo garanci, mungesën e besimit që bizneset kanë lidhur me përfitimin që mund të kenë nga kjo skemë, mosplotësimin e kritereve të kërkuara për të përftuar këtë garanci, si dhe frikën e pamundësisë për të shlyer kredinë e marrë në të ardhmen.

 

-Pyetjes “Nëse keni tentuar të aplikoni për paketën e parë, a ka rezultuar aplikimi i suksesshëm?” i janë përgjigjur me “po” 10,6% (27 biznese), me “jo” 6,7% (17 biznese) dhe me “nuk kam aplikuar” 82,7% (211 biznese). Këto rezultate janë tregues i një përqindjeje të ulët të aplikimeve që mund të vijë si rrjedhojë e arsyeve të sipërpërmendura. Ndërsa nga bizneset që kanë aplikuar për garancinë sovrane 1, aplikimi ka rezultuar i suksesshëm për vetëm 55% prej tyre.

 

Për garancinë sovrane 2:

 

-Pyetjes: “A jeni të informuar mbi paketën e dytë të garancisë sovrane që ofrohet nga qeveria?” i janë përgjigjur me “po” 79,6% (203 biznese) dhe me “jo” 20,4% (52 biznese). Ashtu si në rastin e garancisë sovrane 1, edhe në këtë rast pjesa më e madhe e bizneseve janë në dijeni të ekzistencës së kësaj mundësie për kredimarrje.

 

-Pyetjes “A jeni të interesuar të aplikoni për paketën e dytë të garancisë sovrane?” i janë përgjigjur me “po” 25,1% (64 biznese) dhe me “jo” 74,9% (191 biznese). Krahasuar me të njejtin tregues për garancinë e parë sovrane, vihet re një rritje e lehtë e bizneseve që janë të interesuara për të aplikuar, por kjo përqindje mbetet sërisht në nivele të ulëta.

-Pyetjes “A i plotëson biznesi juaj kriteret për të aplikuar për garancinë e dytë?” i janë përgjigjur me “po” 22% (56 biznese), me “jo” 25,1% (64 biznese) dhe me “nuk e di” 52,9% (135 biznese). Edhe pse me një rritje të lehtë të të intervistuarve që shprehen se nuk e dinë nëse plotësojnë kriteret për këtë garanci, trendi i përgjigjeve mbetet i njejtë më atë të garancisë sovrane 1.

 

-Pyetjes “A keni tentuar të aplikoni për paketën e dytë të garancisë sovrane (në rast se është bërë aktive në momentin e plotësimit të pyetësorit nga ju)?” i janë përgjigjur me “po” 15,3% (39 biznese) dhe me “jo” 84,7% (216) biznese. Krahas faktorëve që kanë ndikuar edhe në mungesën e aplikimeve për garancine sovrane 1, në këtë rast ka ndikuar edhe vonesa në mundësinë për të aplikuar për këtë garanci (që nga momenti i shpalljes nga qeveria). Duke qenë se të intervistuarit janë përgjigjur përgjatë një periudhe kohore prej më shumë se një muaji, disa prej tyre janë përgjigjur në momentin kur garancia sovrane 2 ka qenë e shpallur nga qeveria, por ende e pazbatueshme për shkak të vonesave në implementim nga sistemi bankar.

 

-Pyetjes “Nëse keni tentuar të aplikoni për paketën e dytë (në rast se është bërë aktive në momentin e plotësimit të pyetësorit nga ju) a ka rezultuar aplikimi i suksesshëm?” i janë përgjigjur me “po” 8,7% (22 biznese), me “jo” 5,1% (13 biznese) dhe me “nuk kam aplikuar” 86,2% (219 biznese). Sikurse tregohet nga rezultatet, pjesa më e madhe e bizneseve kanë deklaruar se nuk kanë aplikuar për garancinë e dytë sovrane. Megjithatë, shkalla e aplikimit dhe aplikimet që kanë rezultuar të suksesshme për garancinë sovrane 2, do të mund të mateshin në mënyrë më të saktë gjatë një periudhe tjetër kohore (deri 6 muaj pas aktivizimit të plotë të mekanizmit të garancisë sovrane 2).

 

Pyetja e rradhës që lidhet me mekanizmin e garancive sovrane ka të bëjë me frikën e pamundësisë për të shlyer kredinë e marrë në të ardhmen. Pyetjes “A keni frikë se nuk do të mund ta shlyeni në kohë kredinë e marrë nga paketat e garancisë sovrane?” i janë përgjigjur me “po”47,1% (120 biznese) dhe me “jo” 52,9% (135 biznese). Ky rezultat është i pritshëm pasi periudha e pandemisë nuk ka mbaruar dhe nuk ka ende një parashikim për kohëzgjatjen e kësaj periudhe. Kjo rezulton në ekzistencën e paqartësisë lidhur me konsumatorët, sjelljen konsumatore dhe pritshmëritë e bizneseve për aktivitetet e tyre. Duke qenë se bizneset tashmë të dëmtuara nga periudha e izolimit, po përballen edhe me rënie të të ardhurave të tyre dhe paqartësi lidhur me të ardhmen, ata i druhen faktit se në një periudhë afatmesme apo afatgjatë bizneset e tyre nuk do të mund të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shlyerjen e kredisë së marrë nga paketat e garancive sovrane. Gjithashtu, ky tregues është një faktor që ndikon edhe në numrin e lartë të bizneseve që kanë zgjedhur të mos aplikojnë për garancitë sovrane.

 

Më tej, bizneset janë pyetur nëse “mendojnë se garancitë sovrane të aprovuara janë një stimul i mjaftueshëm për të ndihmuar biznesin të rikthehet në normalitet.” Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur me “po” vetëm 14,5% (37 biznese) dhe me “jo” 85,5% (218 biznese). Këto rezultate tregojnë se bizneset e prerceptojnë si jo të mjaftueshme ndihmën që mund të marrin nga garancitë sovrane për të përmirësuar aktivitetin e tyre.

 

Duke qenë se paralelisht me garancitë sovrane, qeveria po ndërmerr edhe nismën e aminstisë fiskale, bizneset janë pyetur edhe për perceptimin e tyre mbi këtë nismë. Pyetjes “A mendoni se amnistia fiskale do të ndihmojë në përmirësimin e situatës ekonomike të biznesit tuaj” i janë përgjigjur me “po”28,6% (73 biznese) dhe me “jo” 71,4% (182 biznese). Edhe pse në dukje nisma e aministisë fiskale do të duhet të ishte një mekanizëm ndihmues dhe nxitës për formalizimin e bizneseve, pjesa më e madhe e subjekteve deklarojnë se kjo nismë nuk i ndihmon në përmirësimin e aktivitetit të tyre. Arsyet që lidhen me këtë rezultat mund të ndahen në dy kategori. Së pari, bizneset të cilave u falen detyrimet e papaguara në njëfarë mënyre shndërrohen në “konkurrentë të pandershëm” për bizneset të cilat kanë paguar rregullisht detyrimet e tyre. Pra, në një sistem ekonomie tregu, ku çdo pjesëmarrës supozohet të konkurrojë duke zbatuar të njejtat rregulla, me aprovimin e aministisë fiskale, bizneset të cilat përfitojnë nga kjo skemë janë më të favorizuara në treg në krahasim me bizneset të cilat nuk përfitojnë pasi kanë paguar detyrimet e tyre në kohë. Kjo krijon një deformim të sistemit të konkurrencës së lirë në treg, gjë e cila nuk mirëpritet nga të gjitha bizneset. Së dyti, fakti që kjo amnisti fiskale po shoqërohet edhe me amisti penale për deklarimin e parave të padeklaruara më parë, krijon krahas dëmtimit të konkurrencës së lirë, edhe kërcënimin e legalizimit të parave të gjeneruara nga aktivitete kriminale në ekonomi. Kjo gjë do të rriste akoma edhe më shumë konkurrencën e pandershme dhe në kushte të pabarabarta për bizneset.

 

  • Pritshmëritë e bizneseve për të ardhmen dhe vendimmarrjet e tyre

 

Pyetja e parë që u është drejtuar bizneseve lidhur me pritshmëritë për të ardhmen e tyre është “Kur mendoni se aktiviteti i biznesit tuaj do të rikthehet në normalitet?” Vetëm 7,8% (20 biznese) kanë zgjedhur opsionin 0 deri në 6 muaj, që tregon një pritshmëri për rikthim në normalitet brenda një periudhe afatshkurtër. Pjesa tjetër e bizneseve 20,8% (53 biznese) mendojnë se aktiviteti i tyre do të rikthehet në normalitet për 6 muaj deri në 1 vit, dhe shumica e subjekteve 71,4% (182 biznese) mendojnë se do të duhet mbi 1 vit që aktiviteti i tyre të rikthehet në nivelet përpara pandemisë.

 

Grafiku 2. Pritshmëritë për kthimin në normalitet të aktiviteteve të biznesit.

 

Fakti që shumica e bizneseve mendojnë se do të duhet një periudhë afatgjatë kohore që aktiviteti i tyre të rikthehet në normalitet tregon një pasiguri që vjen si rezultat i rënies së përgjithshme të konsumit. Gjithashtu, edhe fakti që pandemia është ende në vijim dhe nuk mund të bëhet një parashikim lidhur me kohëzgjatjen e saj, e rrit edhe më tej pasigurinë si te konsumatorët, ashtu edhe te bizneset.

Rezultatet e kësaj pyetjeje paraqiten grafikisht në Grafikun 2.

 

Bizneset janë pyetur më tej lidhur me frikën e rikthimit agresiv të virusit dhe impaktit të kësaj ngjarjeje në ekonomi. Pyetjes “A keni frikë se një rikthim agresiv i mundshëm i virusit do të godiste konsumin e përgjithshëm, e për pasojë edhe të ardhurat e biznesit tuaj?” i janë përgjigjur me “po” 95,7% e bizneseve dhe me “jo” vetëm 4,3% (11 biznese). Ky është tregues i një pritshmërie të lartë për rikthimin një vale të re të virusit që mund të shoqërohet me rivendosjen e karantinës. Kjo pritshmëri dhe frikë masive për përkeqësimin e situatës mund të jetë edhe një ndër faktorët që ndikon në pritshmërinë për rikthim në normalitet në një periudhë afatgjatë mbi një vit. Ajo që vlen për t’u theksuar është se paqartësia lidhur me të ardhmen e situatës së pandemisë, shoqërohet me pasiguri në sjelljen e konsumatorëve e për pasojë edhe në sjelljen dhe pritshmërinë e bizneseve. Kjo pasiguri, së bashku me efektin negativ te të ardhurat personale që pati karantina, i nxit konsumatorët që të kursejnë më shumë dhe të orientojnë konsumin e tyre më tepër drejt të mirave të domosdoshme. Për pasojë, edhe të ardhurat e bizneseve pësojnë rënie në pjesën më të madhe të rasteve, çka e thellon edhe më tej krizën dhe e zgjat në kohë këtë situatë ekonomike.

 

Pyetja e rradhës lidhet me zgjedhjen që do të bënin zotëruesit e bizneseve midis instalimit dhe përdorimit masiv të aplikacioneve të gjurmimit (shoqëruar edhe me testime masive të popullatës për Covid-19) apo rivendosjes së karantinës, në rast të vazhdimit të përkeqësimit të situatës. Pyetjes “Në rast të rikthimit të virusit/ ose mutacioni, a do të preferonit që autoritetet qeverisëse të vendosnin përsëri masat e karantinimit, apo do të preferonit një metodë alternative si për shembull përdorimi i aplikacioneve të gjurmimit nga e gjithë popullsia me detyrim?” i janë përgjigjur me “rivendosje e masave të karantinimit 11,4% (29 biznese) dhe me “metoda alternative si aplikacionet e gjurmimit” 88,6% (226 biznese). Ky rezultat është i kundërt me atë të marrë nga intervistimi i individëve gjatë muajit Prill. Arsyet kryesore të kësaj diference janë dy: së pari është faktori kohë dhe duke qenë se bizneset janë intervistuar më vonë se individët lidhur me këtë pyetje, ata kanë ndjerë edhe më shumë pasojat negative të karantinës të cilat janë shtrirë në kohë. Nëse menjëherë pas përfundimit të karantinës individët dhe bizneset mund të ishin më optimistë lidhur me ecurinë e pandemisë dhe rikthimin në normalitet të ekonomisë, me kalimin e kohës ky optimizëm ka rënë. Kjo për arsyet e sipërpërmendura të rënies së konsumit dhe tendencës për të kursyer për shkak të situatës së paqartë dhe të pasigurt. Arsyeja e dytë lidhet me pozitën e të intervistuarve: në rastin kur individët janë intervistuar si persona ata janë përgjigjur duke marrë parasysh preferencën e tyre individuale, në këtë rast privatësinë përballë lirisë së lëvizjes. Ndërsa në rastin kur të intervistuarit janë në rolin e sipërmarrësve, ata kanë tendencën që të mendojnë opsionin më të mirë për aktivitetin dhe të adhurat e gjeneruara nga sipërmarrjet e tyre që është vendosja e sistemit të gjurmimit.

Pyetja e fundit që u është drejtuar sipërmarrësve ka të bëjë me zgjedhjen e tyre midis kursimit apo investimit gjatë kësaj periudhe. Pyetjes “Në këtë moment, a do të zgjidhnit të ndërmerrnit investime të reja për zgjerimin e biznesit tuaj, apo do të preferonit të mbanit rezerva monetare (për paga, shpenzime operative, etj.) në rast të përkeqësimit të situatës si pasojë e virusit?” i janë përgjigjur me “ndërmarrje investimesh” 15,7% (40 biznese) dhe me “kursim (ruajtje e rezervave monetare)” 84,3% (215 biznese). Ashtu si në rastin e konsumatorëve, edhe bizneset shfaqin në pjesën më të madhe të rasteve tendencën për të kursyer, në mënyrë që të mund të përballojnë cilindo skenar që do të zbatohet në të ardhmen në varësi të ecurisë së pandemisë. Si përfundim, dukuria që vërehet në tërësi është një tendencë masive për të kursyer si nga konsumatorët, ashtu edhe nga bizneset. Kjo për shkak se ekziston frika e një përkeqësimi të pandemisë, e cila shoqërohet me marrjen e masave paraprake për përballimin e situatës duke kursyer.

 

 

 

 

Grafiku 3. Zgjedhja e bizneseve midis alternativave të karantinës dhe gjurmimit

 

  1. Modeli empirik, faktorët që ndikojnë në zgjedhjen e opsionit të gjurmimit

Me qëllim që të studioj faktorët e mundshëm të vëzhguar të cilat ndikojnë në zgjedhjen e bizneseve për opsionin e karantinës apo të gjurmimit kam ndërtuar dhe vlerësuar një model empirik me metodën e probabilitetit linear. Në modelin e paraqitur më poshtë variabli i varur është variabli binar “zgjedhja për aplikacionet e gjurmimit”, i cili merr vlerën 1 nëse bizneset kanë preferuar gjurmimin si opsion, dhe vlerën 0 nëse kanë preferuar karantinën. Variabli kryesor shpjegues është variabli që tregon nëse bizneset kanë zgjedhur të kursejnë apo të investojnë gjatë pandemisë. Ky variabël merr vlerën 1 nëse bizneset kanë zgjedhur kursimin, dhe vlerën 0 nëse kanë zgjedhur investimin. Kam zgjedhur këte variabël shpjegues për arsye se ekziston mundësia që sjellja e bizneseve gjatë pandemisë (kanë kursyer apo kanë investuar) të ketë ndikim edhe në preferencën e tyre lidhur me karantinën apo gjurmimin në rast përkeqësimi të situatës. Variabli i dytë shpjegues është numri i rasteve ditore të deklaruara zyrtarisht me Covid-19 në ditën që të intervistuarit kanë plotësuar pyetësorin. Duke marrë parasysh se numrat e rasteve kanë pësuar ndryshime dhe kanë ardhur kryesisht në rritje me kalimin e kohës nga dita e parë e plotësimit të pyetësorit deri në ditën e fundit, ekziston mundësia që ky tregues të ndikojë në zgjedhjen e bizneseve midis karantinës dhe gjurmimit. Kjo për shkak se një rritje e vazhdueshme e numrit të rasteve tregon përshkallëzim të situatës, dhe e bën edhe më të afërt dhe më real vendimin për të zgjedhur midis këtyre dy opsioneve. Ky variabël është numerik dhe reflekton numrin e rasteve ditore që i korrespondon çdo të intervistuari në ditën kur ka plotësuar pyetësorin. Variabli i rradhës është treguesi nëse bizneset mendojnë se garancia sovrane është një masë e mjaftueshme për të ndihmuar bizneset gjatë pandemisë. Ky perceptim ka të ngjarë që të ndikojë në zgjedhjen e bizneseve midis dy opsioneve të sipërpërmendura, pasi reflekton këndvështrimin e sipërmarrësve lidhur me efektivitetin e politikave të ndërmarra nga qeveria, e për pasojë ndikon edhe në zgjedhjet e tyre individuale. Variabli në fjalë është variabël binar që merr vlerën 1 nëse bizneset mendojnë se garancitë sovrane janë stimul i mjaftueshëm për bizneset, dhe vlerën 0 nëse mendojnë të kundërtën. Po ashtu, për të njejtën arsye kam përfshirë në regresion edhe variablin binar që tregon për perceptimin e bizneseve lidhur me efektivitetin dhe domosdoshmërinë e amnistisë fiskale. Ky variabël merr vlerën 1 nëse bizneset mendojnë se amnistia fiskale do të ndikojë pozitivisht në aktivitetin e tyre, dhe vlerën 0 nëse mendojnë se nuk do të ketë ndonjë ndikim pozitiv.

Formalisht modeli ka paraqitjen:

  • = +  + +  + +

Në anën e majtë të ekuacionit (1) paraqitet variabli i varur, ndërsa në anën e djathtë  paraqet konstanten e regresionit,  koeficientin e variablit kryesor shpjegues “kursimit”,  koeficientin e variablit të “numrit të rasteve ditore me Covid-19”,  koeficientin e variablit që tregon nëse bizneset e perceptojnë si stimul të mjaftueshëm nismën e garancive sovrane,  koeficienti që tregon nëse binzeset e konsiderojnë pozitive aministinë fiskale për aktivitetin e tyre, dhe  përfaqëson termin e gabimit. Në Tabelën 2., paraqiten rezultatet e vlerësimit empirik të regresionit.

Në Tabelën 2., janë paraqitur rezultatet e vlerësimit të regresionit të thjeshtë dhe të shumëfishtë. Në kolonën (1) paraqiten rezultatet e regresionit të thjeshtë, ku variabli i varur është “zgjedhja e opsionit të gjurmimit” dhe variabli i pavarur është vendimmarrja për të kursyer gjatë pandemisë. Rezultati i këtij vlerësimi tregon se bizneset të cilat kanë zgjedhur të kursejnë gjatë pandemisë janë më të prirur që të zgjedhin opsionin e gjurmimit me 25% më shumë probabilitet. Ky koeficient është statistikisht i rëndësishëm në nivelin 1%. Gjithashtu, edhe statistika F e modelit ka një vlerë prej 24,46 që është më e lartë se 10, tregues ky i një modeli statistikisht të rëndësishëm.

Në kolonën (2) paraqiten rezultatet e vlerësimit të regresionit të shumëfishtë, ku variabli i varur dhe variabli kryesor shpjegues janë si më parë, por janë shtuar edhe variablat e tjerë shpjegues. Në këtë vlerësim, vlera e statistikës F vazhdon të jetë më e lartë se 10 (14,64), që tregon rëndësinë statistikore të modelit. Nga ana tjetër, vlera e  është rritur ndjeshëm, nga 0.08 në 0.19, tregues ky se përfshirja e më shumë variablave shpjegues të variablit të varur rrit edhe përqindjen e shpjegueshmërisë së variablit të varur nga variablat e kontrollit. Përsa i përket shenjës dhe magnitudës së koeficientit të variablit të kursimit, shenja është sërisht pozitive, dhe magnitude ka pësuar rënie të lehtë nga 0.25 në 0.19, por koeficienti vazhdon të jetë statistikisht i rëndësishëm në nivelin 1%. Kjo rënie mund t’i atribuohet përfshirjes së variablave të tjerë shpjegues në regresion, të cilat lidhen me variablin e varur ose ndikojne te ai.

Tabela 2., Rezultatet e vlerësimit empirik, variabli i varur “zgjedhja për gjurmim”.

  (1) (2)
Kursim 0.25***

(0.05)

 

0.19***

(0.05)

Numri i rasteve ditore   0.002***

(0.0006)

Stimul i mjaftueshëm g.s.

 

 

Amnistia fiskale

  -0.11**

(0.05)

 

-0.04

(0.05)

Konstantja   0.65***

(0.06)

0.08 0.19
Numri i vëzhgimeve 255 255

 

Shënim: Me *** paraqitet rëndësia statistikore e koeficientit në nivelin 1%, me ** në nivelin 5%

Koeficienti i variablit të “numrit të rasteve të reja” është pozitiv dhe statistikisht i rëndësishëm në nivelin 1%. Kjo tregon se rritja e numrit të rasteve të reja të konfirmuara me Covid-19 shoqërohet me rritjen e probabilitetit për të zgjedhur gjurmimin me 0.2%.

Përsa i përket perceptimit që bizneset kanë mbi efektivitetin e garancive sovrane, perceptimi se garancitë sovrane janë një stimul i mjaftueshëm për bizneset, lidhet negativisht me zgjedhjen e gjurmimit, duke e ulur probabilitetin për të bërë këtë zgjedhje me 12%. Ky koeficient është statistikisht i rëndësishëm në nivelin 5%, që tregon se interpretimi i këtij korrelacioni duhet marrë në konsideratë. Arsyeja e këtij rezultati lidhet me situatën më të favorshme në të cilën mund të ndodhen bizneset që mendojnë se garancitë sovrane janë një stimul i mjaftueshëm për ta. Bizneset që kanë këtë perceptim janë ata të cilët kanë përftuar ndihmën nga garancitë sovrane, ose nuk janë në gjendje kritike krahasuar me bizneset e tjera. Kjo do të thotë se karantina mund të mos ketë pasur impakt shumë negativ te këto subjekte, e për pasojë këto subjekte do ta kishin më të lehtë të rizgjidhnin vendosjen e karantinës kundrejt gjurmimit.Për variablin e “amnistisë fiskale” koeficienti është negativ, por nuk është statistikisht i rëndësishëm.

  1. Përfundime dhe rekomandime

Në këtë studim u paraqit situata e bizneseve vendase gjatë pandemisë, menjëherë pas përfundimit të karantinës, duke marrë për bazë treguesit individualë të 255 subjekteve të intervistuara të kategorive dhe sektorëve të ndryshëm. Sipas pritshmërive paraprake, pjesa më e madhe e bizneseve kanë pësuar rënie të të ardhurave nga pandemia, dhe mendojnë se për rikthimin në normalitet të aktivitetit të tyre do të duhet një periudhë afatgjatë kohore, mbi një vit.Gjithashtu në pjesën më të madhe të rasteve bizneset kanë shfaqur tendencën e kursimit kundrejt asaj për të investuar. Kjo shoqërohet dhe me faktin se mbi 95% e bizneseve të intervistuara i druhen një rikthimi agresiv të virusit i cili do të përkeqësonte edhe më tej gjendjen e aktivitetit të tyre. Pjesa më problematike mbetet paqartësia dhe pasiguria që vazhdon të jetë prezente, përsa kohë nuk ka një parashikim për kohëzgjatjen apo ecurinë e mëtejshme të pandemisë. Kjo paqartësi bën që si konsumatorët, ashtu edhe bizneset të kenë tendenca për të kursyer dhe jo për të konsumuar apo investuar, në mënyrë që të jenë të përgatitur edhe për skenaret e këqija të situatës. Por, kjo mungesë konsumi dhe investimesh e agravon edhe më tej gjendjen ekonomike të vendit, dhe bën që rimëkëmbja të zgjasë në kohë, gjë që dëmton aktivitetin e biznesit, punësimin dhe vetë konsumatorët.

Kjo dukuri perceptohet edhe nga sipërmarrësit e intervistuar të cilët duke u ndikuar edhe nga rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve të reja me Covid-19, i druhen një rikthimi të karantinës, duke preferuar që të përdoren metoda të reja alternative për mbajtjen nën kontroll të epidemisë, siç është gjurmimi i kontakteve shoqëruar me teste masive. Duke marrë parasysh faktin se pandemia mund të përkeqësohet edhe më tej në vjeshtë, politikëbërësit në Shqipëri duhet të marrin në konsideratë metodat e aplikacioneve të gjurmimit, me anë të së cilave kontaktet e të infektuarve gjurmohen shumë më shpejt dhe me efektivitet, pa qenë nevoja që të bëhet rikthimi i karantinës për të gjithë popullatën. Kjo e fundit do ta përkeqësonte edhe më tej gjendjen e bizneseve, punësimit e për pasojë edhe të konsumit.

Lidhur me politikat lehtësuese të ndërmarra nga qeveria, ekziston një paqartësi mbi garancitë sovrane dhe mekanizmat e tyre te bizneset. Bizneset të cilat kanë deklaruar se kanë përfituar ndihmë nga garancitë sovrane janë në një përqindje shumë të vogël. Kjo vjen për arsye se këto politika u hartuan dhe u implementuan në kushtet e një situate emergjence, dhe koha për të informuar me detaje bizneset lidhur me çdo mekanizëm të këtij procesi ka qenë e limituar. Përsa i përket një vlerësimi final dhe më të përgjithshëm të efektivitetit të garancive sovrane, ky vlerësim do të duhet të bëhet në një periudhë të mëvonshme, në mënyrë që të mund të merren në shqyrtim të gjitha bizneset që do të përfitojnë nga kjo skemë. Ndërsa përsa i përket amnistisë fiskale, pjesa më e madhe e bizneseve nuk e konsiderojnë si një politikë lehtësuese për aktivitetin e tyre. Kjo për arsye se një politikë e tillë ndikon në konkurrencën e tregut midis bizneseve, si dhe rrit riskun e krijimit të bizneseve me kapitale të gjeneruara nga aktivitete të paligjshme.

Sugjerimi im lidhur me politikat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar bizneset dhe ekonominë në këtë situatë krize, është zbatimi i mekanizmave nxitës të konsumit. Në mënyrë që kjo nxitje të jetë efektive, do të duhej që qevria të akordonte të ashtuquajturat “paga lufte” ose një shumë të caktuar transferte monetare për një periudhë të përcaktuar afatmesme (për shembull 6 muaj deri në 1 vit) te çdo individ, qoftë i punësuar ose jo. Kjo do të rriste besimin e konsumatorëve dhe do të ishte një nxitje që të konsumonin më tepër, e për pasojë do të ndikonte edhe në të ardhurat e bizneseve. Krahas kësaj, duke qenë se punësimi informal vazhdon të mbetet një problem në ekonominë shqiptare, qeveria mund të aplikojë skema nxitëse për të punësuarit informalë si për shembull: dhënia e “pagave të munguara të luftës” (pagat që u shpërndanë te të punësuarit formalë gjatë karantinës) në rast se deklarojnë punësimin e tyre, si dhe mospenalizimi për periudhën që kanë punuar në të zezë, si për ta, ashtu edhe për punëdhënësin e tyre.Gjithashtu edhe skemat që nxisin konsumin e produkteve vendase (të ngjashme me ato që po përdoren në Maqedoninë e Veriut) do të ishin një stimul për rritjen e të ardhurave të bizneseve prodhuese vendase. Në mënyrë që akordimi i këtyre stimujve për rritjen e konsumit të bëhet i mundur, do të duhet të bëhet një rishikim i investimeve publike të parashikuara, si dhe një kategorizim i tyre në prioritare dhe sekondare. Në këtë mënyrë, investimet publike sekondare do të mund të shtyheshin për një periudhë tjetër, dhe fondet e parashikuara për këto investime të përdoreshin në mekanizmat e nxitjes së konsumit.

 

 

 

Please follow and like us: