Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: LEXO!

 

Lexo sa më shumë të mundesh,

ujëvara agimesh do t’zbresin në horizontin e mjegulluar,

Lexo sa më shumë të mundesh,

në yllësi të pafundme bota jote krijuar.

Lexo sa më shumë të mundesh,

edhe nga vetja mund të shpëtosh,

botës, që krijojnë të tjerët për ty,

mos rreziko t’i besosh.

Lexo sa më shumë të mundesh,

n’mes të ditës t’mos ecësh i verbër.

Lexo sa më shumë të mundesh,

të arrish të ecësh në rrugën më të errët.

Lexo sa më shumë të mundesh,

në errësirrën e mendjes do t’gjesh shkallë,

ngadalë do ngjitesh pa u lëkundur,

do t’shohësh horizonte, që s’i kishe parë.

Lexo sa më shumë të mundesh,

jashtë shtëpisë mos t’gjendesh izoluar.

Lexo sa më shumë të mundesh,

lirinë tënde pa kufi ke për t’jetuar.

Lexo sa më shumë të mundesh,

aty do t’gjesh farat e të mbjellave të tua,

do t’gjesh dhe ujin t’vaditesh parcelat e mendjes,

të nesërmen ta vjelësh bleruar.

Lexo sa më shumë të mundesh,

në zhegun e jetës një burim do t’gjesh,

në tokën djerrë t’braktisjes së miqve,

mbi shkëmbinjtë e kohës sytha t’shpërthesh.

Lexo sa më shumë të mundesh,

në thellësi t’frikshme do t’gjesh perla deti.

Lexo sa më shumë të mundesh,

do t’kesh mbi kokë kurorën, që s’e ka as mbreti.

Lexo sa më shumë të mundesh,

edhe vetë do të bindesh sa shumë pak di.

Lexo sa më shumë të mundesh,

rreziku më i madh i vetvetes t’mos jesh ti.

Please follow and like us: