Albspirit

Media/News/Publishing

Identitet kombëtar shqiptar apo identitete shqiptare me fraksione?

Eden Babani, Bruksel  

Ka disa vjet që në të gjitha trojet tona etnike, këtej e andej kufijve shqiptaro-shqiptare, po flitet e po gërmohet vrimave të elaborateve serbomëdha (pse jo, edhe të megali-idesë greke) për të qëmtuar e për të gjetur të mosgjendurën, – një identitet çfarëdo, por jo shqiptar. Më i përhapur sot është debati për një identitet kosovar, evoluar (siç!) gjatë periudhave të ndryshme të historisë së Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë nga Serbia.

Personalisht, – jo nga këndvështrimi i historianit a i sociologut, por i idealistit me bindje nacionaliste, – përpjekje të tilla i quaj fund e krye të papranueshme, në mos po antikombëtare. Tjetër gjë është të evidentohen kriza të herëpashershme identiteti të grupeve të veçanta, të cilat, duke iu bashkëngjitur regjimeve pushtuese kryesisht për arsye social-ekonomike, janë luhatur mes një identiteti shqiptar dhe një identiteti të papërcaktuar, tjetër gjë të harxhosh frymën për të arritur finishin e paarritshëm. Sikundër vëren me drejtë Akademik Mehmet Kraja “…rastet e këtilla nuk duhet marrë në shqyrtim si diçka e jashtëzakonshme, sepse Kosova, si çdo vend tjetër i botës, ka pasur kolaboracionistë me çdo pushtues”. Ama, nëse me gjithë mend ndokush mendon se finishi mund të arrihet dhe ngutet të marrë kupën e kampionit, Zoti të na ruajë për të paktën pesë a gjashtë identitete shqiptare me fraksione sipas kufijve të vendosur gjatë rrjedhave të historisë, përkundër vullnetit tonë si shqiptarë. Fakte historike enkas të hartuara asisoj nga pushtuesit gjen sa të duash. Por, gjithnjë sipas Akademik Mehmet Krajës,  “…përveç historisë së shkruar, një popull që kishte traditë të gjatë gojore, pra të rrëfimit të gjërave gojë më gojë, doemos që do ta kultivonte edhe këtë mënyrë të ruajtjes në kujtesë të atyre ngjarjeve, të cilat historia zyrtare mëtonte t’i harronte sa më shpejt”. Akademik Esat Stavileci nga ana e tij, vëren se historia (jonë) nuk mund të shkruhet me duart tyre (të serbëve)” dhe se “…në trojet tona ne kemi formuar etnitetin tonë, ku kemi ndërtuar identitetin tonë kombëtar, ku kemi mbrojtur qenien tonë kombëtare dhe ku ndërtojmë të ardhmen tonë”.

Lidhur me sa më sipër, pa dashur ta rendis veten një me pjesëmarrësit në debat, po sjell disa fragmente nga letërkëmbimi me kolegun dhe mikun tim Kostaq Xoxa, ish gazetar i së përditshmes 55. Shpresoj që brendia e tyre të konsiderohet thjesht si shprehje emocionesh në kontekstin e ngjarjeve që ngërthen letërkëmbimi (vitet  2000- 2001), nga këndvështrimi im vetjak, referuar fondit tim epistolar-letrar.

Letra 1

… Me sa kuptoj, gazeta 55 duhet ta ketë botuar me vijime më 4,5,6,7 dhe 8 maj artikullin  tim “Nga Holanda në Luksemburg, dy ditë me vëllezërit Kuzhnini”. Mua më ke dërguar vetëm një kupyrë të datës 4 maj, disa gazeta të plota të datës 6 maj dhe ca kupyra të tjera të datës 7 maj. Siç do ta konstatosh edhe vetë, më mungojnë fare gazetat ose kupyrat e 5 dhe 8 majit. Së këndejmi, nuk u kam dërguar gazeta bashkatdhetarëve në Holandë e Luksemburg, si edhe piktorit Jetullah Haliti, në Zvicër. Këtyre këtu, – të Lidhjes Shqiptare në Botë (LBSH), – ua dhashë ato që pata, si edhe një kopje të printuar të dorëshkrimit. U kënaqën, sikundër ne, shqiptarët, kënaqemi përgjithësisht për gjëra të tilla. Më vjen keq që të njëjtën kënaqësi s’ munda t’ ua përcillja edhe “holandezëve” e “luksemburgezëve”…

… Shpresoj që bashkëpunimi ynë të mos ndërpritet, pavarësisht ndonjë aluzioni se shkrime të tilla “u bëkan me porosi” (siç më the në telefon), shprehur nga ndonjë dashakeq, a smirëzi, a xheloz, a… Nuk di ç’emër tjetër t’i vë. Aluzioni është i qartë. Yrnekë të tillë e matin tjetrin me kutin e tyre, me makutërinë për para. Thuaji atij yrnekut se, me sa di unë dhe përgjithësisht ne që e mbështesim LSHB-në, ajo nuk ka të ardhura monetare, nuk ka as xhiro-llogari dhe të gjitha veprimtaritë i bën hë për hë mbi bazën e vullnetit të mirë, në dobi të kombit e të shpalosjes së identitetit tonë kombëtar. Mbi këtë bazë, edhe udhëtimet e personave të ndryshëm. Mbi këtë bazë, edhe pritjet e përcjelljet. Mbi këtë bazë, pra, edhe ardhja e Pjetri Arbnorit në Bruksel, i cili ndenji disa ditë tek unë; e Luan Malltezit që ndenji te tropojani Avni Kojeli, dhe e vetë vëllezërve Kuzhnini, që, sa herë vijnë, rrinë te Ramiz Zekolli, me prejardhja nga komuna e Suharekës…

…Para disa ditësh pata një ftesë për në Zvicër, ku dje duhet të jetë mbajtur Kuvendi i radhës i LSHB. Nuk shkova. E para, sepse mendova për ndonjë shpenzim që, sidoqoftë, do të më duhej ta përballoja vetë, sado që do të udhëtoja me veturën e Ramiz Zekollit. Besoj se edhe shpenzimet e tjera do t’ i kishin marrë përsipër bashkatdhetarët tanë të Zvicrës, qoftë edhe me pritje nëpër familje, sipas adetit. Por prapë se prapë, do futur që do futur ndonjëherë dora në xhep, të shkretën! E dyta, më frenuan finalet e EURO-2000, të cilat do të mbahen këtu, në Belgjikë, dhe në Holandë. Unë jam ca tifoz, ti e di. Dhe e treta, (këtë s’ ia kam pohuar plot gojën as vetes!) fakti që prania ime atje do të më obligonte të shkruaja diçka, ndërkohë që opinioni se shkrimet i bëkam me porosi, – çka unë e konsideroj të papranueshme, – ekzistuaka, së paku, tek ju, në gazetë.

Ndoshta e teproj, por mua më ka dëshpëruar ky opinion, sado i veçuar e i papërfillshëm të ketë qenë. Shqetësimin e kam bërë të pranishëm edhe në Kryesinë e Lidhjes për Vendet e Beneluksit. Ata u habitën, ngase i njohin ecejaket që bëj poshtë e përpjetë për të gjetur një faks nga të nis shkrimet e mia të shtypura me makinë shkrimi si qëmoti, në mungesë të një kompjuteri e të internetit…

…Nuk di ç’ u bë për shkrimin tim, lidhur me pjesëmarrjen e Jugosllavisë në finalet EURO-2000. Ishte botuar në Zvicër (Bota sot). Madje, ka bërë përshtypje në krejt diasporën tonë fakti që subjekte shqiptare të këtushme të mbështetura edhe nga subjekte vendase patën hapur një gjyq ndaj organeve shtetërore belge, me qëllim që të mos i lejohej ekipit të jugosllav të hynte në Belgjikë, çka donte me thënë të mos i jepej rast Milosheviçit të ngrinte flamurin e Jugosllavisë së mbetur në kryeqytetin e  Europës së Bashkuar dhe të mos ndihej himni i një shteti terrorist krahas himneve të vendeve që u përpoqën të ndalin terrorin me forcën e bombave. Të ndalohej gjithashtu edhe fluksi financiar drejt Beogradit sipas rregullores së EURO-2000, çka, sipas subjekteve paditëse, përbënte thyerje të sanksioneve ekonomike ndaj Jugosllavisë.

Ndërkohë, kam marrë një telefonatë gjysmë anonime. Ivan Argjiri, – një emër i sajuar dhe jo fare i panjohur për mua, – qenkësh në Bruksel dhe dashkësh të më bëkësh një vizitë në shtëpi, po s’ ma ditkësh adresën!… Me demek, ne jemi gjallë!… Nuk e di ç’ u ka dokëndisur.

Mbase të kujtohet ky emër sllavi me llagap greku, – edhe Ivan, edhe Argjir!… Ende pa u ndarë shoqata e ish-të përndjekurve politikë, Ivan Argjiri shkruante kundër gazetë sonë “Liria”, në gazetën “Kombi” të Idajet Beqirit dhe në të tjera gazeta simotra…

…Bardhyl Vuçiternës, kur ta takosh, i thuaj shumë-shumë të fala prej meje. Falënderoje për librin që më dërgoi dhe për dedikimin e bukur. Shpresoj që libri të ngjallë interesimin e bashkatdhetarëve tanë të këtushëm, pasi figura e Sulejman Vuçiternës nuk është e panjohur për ta. Madje, nëse Bardhyli do të ketë dëshirë dhe mundësi për të ardhur këtu e për ta prezantuar vetë librin, unë marr përsipër që, nëpërmjet LSHB, të organizoj një takim me shqiptarë dhe një publicitet të denjë për një patriot dhe nacionalist e antikomunist të spikatur, si i ati, Sulejmani, të cilit, – siç e di edhe ti i dashur Koçi, – nuk ia gjetëm dot varrin, sado që kërkuam anekënd fushave të Vloçishtit, madje edhe me ndihmën e ish-të burgosurve që patën punua për tharjen e Kënetës së Maliqit, Skënder Stefanllari e Sezai Garo….

Letra 2  

…Vdekja e papritur dhe fare e parakohshme e Bardhylit, shokut dhe mikut tonë të dashur, më tronditi shumë, sidomos atë ditë që e mora vesh lajmin e hidhur, teksa desha t ’ju njoftoja ju të dy, – ty dhe të ndierin Bardhyl, – për Kongresin e Parë të LSHB më 26 nëntor. Shpresoja t’ ju gjeja të dyve në shtëpinë tënde, si zakonisht, madje të flisja edhe me të, e të mësoja nëse do të mund të takoheshim të tre në Prizren, sikurse patëm folur. Por… Lajmi i hidhur, më trullosi si të më kishte goditur njeri me dru në kokë!

Të them të drejtën, nuk ishte edhe aq Kongresi i Lidhjes që më grishte në Kosovë si delegat i diasporës, se sa dëshira e kahershme për t’ u falur ma atë tokë të shenjtë të djepit të shqiptarizmës. Njëherësh, edhe malli për ju të dy, – për ty e për Bardhylin.

Mund të duket ca e kërkuar dhe disi letrare kjo puna e “djepit të shqiptarizmës” për një letër shokësh, por, besomë, më del nga shpirti. Unë, ti patjetër, por edhe gjithë brezi ynë që e ka përjetuar (le të themi kështu!) shumë a pak Shqipërinë etnike të kohës së Luftës, nuk mund të shkëputemi lehtë nga mbresat që kemi marrë në shkollën fillore. Mua s’ më harrohet, fjala vjen, një “bravo!” e mësueses së klasës së tretë, mos gabofsha, për përgjigjet që dhashë lidhur me copën e këndimit “Prefektura e Pejës”. Sot, pas më se 50 vjetësh, ajo “bravo” e thënë, siç thonë rëndom mësuesit, ka marrë rëndesën e vërtetë në vetëdijen time, sidomos kur mendoj, që asnjë të tillë “bravo” s’ arrij të kujtoj dot, sado që kam qenë i shtrënguar ta shtrydh gjithë oratorinë dhe elokuencën time për “popujt vëllezër të Jugosllavisë së Titos” a “për popujt, gjithashtu vëllezër e shkuar vëllezërve të Bashkimit të madh Sovjetik”. Isha edhe në Pejë, i shtytur bash nga ai kujtim i largët.

Mirëpo s’ paskësh qenë e thënë që ne të tre të bashkoheshim në Dardaninë e lashtë, për sa kohë që  unë s’ mund të vij dot në Shqipëri hë për hë me statusin e emigrantit politik. Do të rrinim një herë ashtu, vendçe, si dikur te libohoviti, miku i Vejselit, apo te Mexhiti a ku e di unë ku tjetër. Vdekja e Bardhylit, në një farë mënyre, ma zvordhi dëshirën për të shkuar në Kosovë dhe, për një çast, kërkova ndonjë sebep të mos nisesha si, fjala vjen, koha e ftohtë, gjendja shëndetësore ose shpenzimet… Por djali dhe ime shoqe ma ndërruan mendjen. Dhe mirë bënë. Jeta ecën me të mirat e me të këqijat e saj dhe, duam apo s’ duam ne, ajo do të bëjë të vetën. Pa ku i dihej, do të më jepej apo s’ do të më jepej më rasti për të vizituar Kosovën?!…

Letra 3  

…Udhëtimin për në Kosovë, siç mund ta marrësh me mend, mezi e kam pritur. Delegacioni ynë përbëhej prej afro 10 vetash. Përveç delegacionit, ishte fjala të udhëtonte edhe një grup më i madh. Një bashkatdhetar nga Kosova vuri në dispozicion një autobus me 60 vende (të tijin), me çmim simbolik për të gjithë. Do të paguheshin vetëm shpenzimet e karburantit, të autostradës e të tragetit.

Kanë një ndjenjë kombëtare ku e ku më të madhe se ne këta kosovarët dhe janë gati të japin ç’të kenë për vendlindjen e tyre dhe për çështjen tonë të përbashkët. Unë as kam qenë pajtuar, as mund të pajtohem me propagandën e ndyrë që fabrikojnë qarqet antishqiptare ndaj vëllezërve tanë të një gjaku e të një gjuhe që, për fat të keq, ka zënë vend edhe në opinionin tonë, domethënë të shqiptarëve të Shqipërisë, – se nuk po gjej dot fjalë tjetër!  Duhet të jetosh me ta, pa ta kuptosh këtë të vërtetë.

Për fat të keq, nuk udhëtova dot me grupin, sado që dëshirën e kisha të madhe. Autobusi duhet të kalonte nga Durrësi, çka ishte e domosdoshme për kosovarët, një pjesë e të cilëve s’ mund të kalonin në territorin e Malit të Zi, pjesë e Jugosllavisë së mbetur, ndërsa unë s’ mund të hyja në Shqipëri, ngase jam ende me statusin e refugjatit të Kombeve të Bashkuara me origjinë shqiptare. Kështu që, bashkë me një pjesë të delegacionit, udhëtova me avion, nëpërmjet Dyseldorfit. E, megjithatë, s’ na u ndanë që s’ na u ndanë belatë… Policia ndërkombëtare në Prishtinë, ktheu mbrapsht fotografin Asllan Krasniqi, mikun e bashkëpunëtorin tim të ngushtë, artistin që u jep gjallëri shkrimeve të mia me fotot e tij të mrekullueshme. Eh!… I varfrit Asllan! Për çështje burokratike të një vule në pasaportë, u desh të kthehej me të njëjtin avion, madje me shpenzimet e veta. Erdhi sërish në Prizren pas dy a tri ditësh, bash ditën e hapjes së Kongresit. Çështja kombëtare çfarë nuk bën, i dashur Koçi…

Letra 4

…Nuk di të përshkruaj ç’ndjeva kur, në ulje e sipër, avioni sillej rreth e rreth asaj bardhësisë vezulluese rrethuar me male. Kosova po na pret e bardhë, me zemër të bardhë, ashtu si shamibardhat dinë të presin djemtë që shtegtojnë rrugëve të botës. Mirë se po të gjej, e lashta Dardani! Mirë se po ju gjej, ju, pasardhës të dardanëve ilirë! Ju përshëndet një pinjoll i taulantëve, a i enkeleasve, a… Sidoqoftë, ju përshëndet një vëlla nga viset e Ilirisë së Jugut…

…Atë javë pati rënë dëborë e madhe, por ditën e mbërritjes qielli ishte xham e dielli shkëlqente ashtu siç di të shkëlqejë mbi ato vise të bekuara, larg mjegullnajave veri-atlantike. Edhe se zhiva kishte rënë ku e ku nën zero, atmosfera e thatë, pa avuj e pa ndotje të tjera, s’ më ndillte të ftohtë, me përjashtim, ndoshta, të atij të ftohti të pranueshëm që ndieja në duar e në veshë. M’u kujtua Korça, Devolli, Babani… Pastaj fëmijëria, shtëpia në Korçë dhe oborri i mbuluar me dëborë… Mundohesha ta thithja ajrin me gjithë fuqinë e mushkërive. Ndërkohë, i gëzohesha dëborës së ngrirë si fëmijë. Doja të shkelja sa më shumë mbi të, njëlloj si atëherë, në Korçë, kur dilja nga shkolla dhe mezi e gjeja rrugën e shtëpisë, duke ecur zigzag, deri sa i bëja këpucët ujë e këmbët akull. E pra, dëborë bie edhe këtu, në Belgjikë, por dëbora që po shkelja në Kosovë, nuk qe si kjo. Qe tjetër soj, i ngjante asaj të Korçës! Edhe mjedisi nëpër të cilin kalonte autobusit që na shpinte në Prishtinë, herë-herë më kujtonte vendlindjen, fushën e Korçës me Moravën përtej. Herë-herë pllajën e Kolonjës e Gramozin gjëmëmadh mbi të. Nuk mungonin as drurët frutorë oborreve të shtëpive, tashmë të zhveshur nga dimri, sidomos mollët e dardhat. Dhe sërishmi, herë më përfytyrohej Kukësi e Shkodra, herë Tetova e Gostivari, herë Labëria e Çamëria, gjithë Iliria e lashtë. Ç’të ishte, vallë? Fizionomia e këmbësorëve të rastit, lëvizjet që bënin ata në ecje e sipër apo mënyra se si qëndronin përpara një porte, përpara një dyqani e bisedonin me njëri-tjetrin? Nuk di ç të them, por me siguri ishte gjaku që kishte ndier erën e të njëjtit gjak, atij shqiptar…

…Ja një dritare nën një pullaz të ri, mbuluar me dëborë. Tamam si dritarja shtëpisë së sapondërtuar, që kisha parë dikur në Myzeqe, ani se pa dëborë. Kisha vajtur në Savër për një reportazh mbi kushtet e jetesës së ish-të internuarve nga diktatura komuniste. Të zotët, një çift mirditorësh ish-të internuar, kishin vendosur të jetonin bash aty, në vendin e internimit, por tashmë të lirë. Nuk shkuan në vendin e origjinës. Edhe atje, në Savër, Shqipëri ishte. Edhe atje shqip flitej. Madje ata atje ishin lindur, atje ishin rritur, atje ishin rropatur sa u kishte rënë bretku, atje ishin martuar e ishin bërë prindër… Atje kishin edhe varret e prindërve dhe të afërmve, sepse diktatura s’ internonte një dhe vetëm një, për një faj të kryer a të supozuar, por familje të tëra, fise të tëra, me kuç e me maç. Atje, më në fund, kishin edhe miqtë e shokët, sepse myzeqari e mirditori ishin të një gjaku, paçka se diktatura dikujt i thoshte mik e tjetrit armik. Armik i klasës! E ata të një kombi ishin të gjithë. Ishin të skamur, si gjithë shqiptarët nën diktaturë, por që lufta e klasave i kishte hedhur kundër njeri-tjetrit. E çfarë pastaj nëse njëri mund të kishte qenë kulak e tjetri fshatar pa tituj? Qoftë edhe ndonjëri “komunist”, xhanëm, sado që s’ dinte nga binte komunizmi… A s’ishin shqiptarë?

Nuk di pse ajo dritare e vogël kosovare sapo e vendosur, me atë perde të drojtur basme, më hodhi në Savër. Vetëm një kafé pata pirë te ajo shtëpi sapo e mbuluar. Dhe më vjen plasje sot të mos kujtoj emrat e çiftit të ri, teksa këtu, në mërgim, më mungojnë të gjitha shënimet. Diçka pata shkruar asohere për kërkesat e ish-të internuarve, mbase edhe për çiftin e ri që kishte vendosur të jetonte në Savër. Kësaj teme që më kishte ngacmuar aq shumë atëherë, – më 1995 më duket, – kisha vendosur t’ i rikthehesha në të ardhmen. Por rutina e përditshme… Pastaj 1997-a dhe gjithçka u kthye përmbys!…

…Dritare e vogël e shtëpisë së re kosovare! Ç’më hodhe sot kaq larg? Unë erdha tek ti me ëndrrën time të kahershme, me atë ëndërr të ndaluar e, megjithatë të pashuar, qysh se mësova për së pari emrin Kosovë, qysh se hodha sytë së pari mbi libra gjeografie e historie, mbi vargje poetësh e mbi thënie profetësh për komb e fé. Ti diç kërkon të më thuash me atë historizën tënde të re, plot e përplot me bëma, halle, derte e gjëma. E ke edhe ti historizën tënde nga lufta që sapo ka mbaruar. Pa ajo ka lënë pas jehonën e krismave dhe erën e barutit. Ka lënë edhe plot plagë që duhen shëruar, plot gjëma që s’ duhen harruar, që duhen thënë e stërthënë sot e në jetë të jetëve. Ashtu i ka lënë plagët e gjëmat flama komuniste edhe te ne, burgjeve e kampeve të internimit…

Letra 5

…Vitalitetin e gjakut shqiptar në Kosovë e gjeta shumë më të pranishëm sesa kujtoja. Kudo ndërtime. Kudo mure që ngriheshin pa pra. Kudo pullaze të rinj. Kudo një oxhak që nxirrte tym. Kudo jetë. E kudo një flamur shqiptar, pastërtisht shqiptar, pa sëpata fashizmi a yje komunizmi, pa nishane serbizim a helenizmi… Askund flamurë shkulur viseve të Evropës, ku bëhet paraja e bardhë dhe e zezë dhe e ngulur mbi pullaze njerëzish të shkombëtarizuar. Vëllezërit tanë nga Kosova janë gjendur rrugëve të botës përpara “njeriut të ri, veprës së Partisë”, por medet ku e paskësh katandisur diktatura krijesën e saj!…

…Kongresi Themelues i LSHB-së ishte ngjarje me përmasa kombëtare. Ishte pa dyshim një manifestim i madh gjithë-shqiptar. Zor se mund të mblidhen ndonjëherë aq shumë shqiptarë nga e gjithë bota, nga të gjitha trojet etnike, nga të gjitha bashkësitë shqiptare të diasporës, shpërndarë në të pesë kontinentet. Zor se mund të thuhen aq shumë fjalë të bukura në dobi të identitetit tonë kombëtar, të gjuhës sonë të përbashkët. Një komb, një gjuhë – ky ishte refren i diskutimeve.

Megjithatë, unë u zhgënjeva paksa, për do teprime. Dikush, fjala vjen, pati guximin të krahasonte të Kongresin e LSHB me Lidhjen e Prizrenit. Por a mund të krahasohen të pakrahasueshmet, vetëm se i lidh emri i një qyteti? Për dobinë e ideve që u hodhën në Kongres, po flitet sot e do të flitet nesër sa të duash. Por fjalën e fundit do ta thotë historia. Ishte vërtet siç trumbetuan e siç patën pretendime organizatorët, apo veç një flluskë sapuni? Pati edhe do zullume të tjera Sado që ishte thënë se do të kishte vetëm përshëndetje nga kryetarët e kuvendeve të ndryshme të Lidhjes dhe nga të ftuarit, miq të çështjes shqiptare, e mori fjalën kush mundi. Fjala vjen, edhe Iliriana Sulkuqi. Po, po, bash ajo poetesha-oficere që qau e qau sa plasi ekraneve të televizorit, kur vdiq diktatori! Kësaj here, ajo nuk doli në foltore si dikur, me uniformë ushtarake, të cilën njeriu e vesh a e zhvesh kur të dojë e sa herë të dojë, por pati guximin të dilte pa e mohuar krijimtarinë e saj të pështirë poetike për “njeriun e ri, vepër e Partisë”, të atij njeriu që s’ dinte nga binte Kosova e se atje flitej shqip, sikur edhe në Tiranë. Vajmedet! Ajo doli në tribunën e Kongresit t’i shiste Kosovës patriotizëm e nacionalizëm, asaj Kosove të cilën partia e vet ia shiti Jugosllavisë…

Letra 6

…Siç duhet ta kuptosh, i dashur Koçi, deri tashti nuk kam shkruar diç për gazetën tuaj, 55-n, sikundër edhe më ke pyetur. Ndoshta, sepse s’më kanë lënë radhë të tjerët. Ndoshta… Por, ndoshta, edhe nga se mua, që më ka djegur qulli, më duhet t’ i fryj kosit!..

…Do të shkruaj patjetër për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në njërin nga sheshet kryesore Prishtinës. Ishte me të vërtet eveniment i madh. Për delegacionin tonë dhe për miq të tjerë, u vunë në dispozicion disa autobusë. E pritëm përmendoren e Heroit tonë Kombëtar në Qafë të Morinës, bash në kufi dhe e shoqëruam deri sa u vendos në piedestalin e ngritur paraprakisht. Ishte ditë raskapitëse, por ia vlente. S’ dua t’ i konsumoj shënimet e mia, përpara se të shkruaj artikullin, por s’ më rrihet pa thënë se e gjithë Kosova, kishte zbritur rrugës ku do të kalonte karvani që shoqëronte Skënderbeun me përkrenare e me shpatë zhveshur, hipur mbi kalin e azdisur. Në komunat me enklava serbe, këmbë njeriu… Vetëm dritareve përgjonin, fshehur pas perdeve. Kurse një e moshuar, –  tepër e moshuar, m’ u duk teksa i thashë Asllanit ta fotografonte, – u përkul dhe bëri kryq disa herë. Për kë ta ketë marrë? Qoftë larg për ndonjë sllav, sado që dhe kështu ata që shpikin identitete shqiptare me fraksione, kushedi çfarë do të sajojnë…

 

Please follow and like us: