Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ktheni pak sytë nga Kosova!

Aktualisht Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e dërrmuara nga Covid-19. Në raport me Shqipërinë thuajse rastet e përditshme janë gati dyfish. Shqipëria 126, Maqedonia e Veriut 152 dhe Kosova 276. A kanë lidhje kjo mes vendeve të rajonit? Pa asnjë diskutim. Dhe ajo që duhej të ndodhte nuk po ndodh. Ju kujtohet që në marsin e 2020 në fillimet e pandemisë, Shqipëria nisi me bujë 30 punonjës të shërbimit mjekësor në ndihmë të Italisë fqinje. Dhe siç u pa mirënjohja italiane qe e pa fund, madje sot ata po na e kthejnë me suport të sinqertë. Nuk pushoi me t’u mburrur kryeministri, nuk mbeti ministër pa bërë selfie përpara atyre vullnetarëve. Dhe mirë bëri, në fund të fundit, ndihma është puna më fisnike e njeriut pavarësisht volumit, megjithëse në vendin tonë ajo është mirëfilli një armë ekzekutimi e propagandës. Mjafton t’u kujtoj se si një qeveritar shqiptar niset me një tufë kamerash, gjoja në emër të humanizmit dhe kujdesit shtetëror, e bën show me pesë pako oriz në derën e një të varfri. Si Kosova dhe Maqedonia e Veriut jo vetëm si vende fqinje, por si pjesë e truallit arbëror, si pjesë organike e jona, e historisë sonë kombëtare, si shqiptarë që janë duhet ta kishin sot vëmendjen e Tiranës. Dhe ta mendosh që kur ra tërmeti, armata e Kosovës pushtoi syrin tonë, ishin kudo rrugëve, një armatë model me motivacionin në ndihmë të nënës. Nuk pyetën se kush drejton, kush qeveris etj., por u nisën. Maqedonia, megjithëse e ndëshkuar nga ne për shkak të paktit europian në kontekstin e çeljes së negociatave, aq sa mundi na ofroi ndihmë. Megjithatë pavarësisht apelit të të dy qeverive aty, ajo në Tiranë është tmerrësisht e zënë me këshillin politik, me komisionet e shkarkimit të presidentit, me ata jashtë dhe ata brenda parlamentit, me ligjëratat perverse të Ramës në kuvend. Për më keq akoma, mund të shpenzosh dy orë në shtypin shqiptar, kurkund se gjen informacion për luftën me covid-19 në vendet e rajonit, për Kosovën e dhembshur, kurkund se gjen pak solidaritet njerëzor, po vetëm Rama, Meta, Basha. Apo ajo politika gërrverre, hip se të vrava, zbrit se të shqyva. Sinqerisht, vendi ynë ka nevojë për një përmbysje të madhe, shqiptarët për një qasje të re, ligje të hekurta, ekonomi tregu të fortë dhe të përbashkët.

Please follow and like us: