Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (15)

KUNDËRTHËNIET KOMB-SHTET

 

Zgjidhjet e limituara

 

Me t’u shpallur pavarësia e Kosovës, ose në prag të shpalljes, kosovarët u përballën me disa dilema. Që Kosova do të bëhej shteti i dytë shqiptar në Ballkan, kjo tashmë ishte e qartë për të gjithë dhe, nëse merrej parasysh fakti se Serbia dhe aleatët e saj për një kohë të gjatë punuan ta zhbënin edhe Shqipërinë, ndërsa tani detyroheshin të pranonin faktin e dy shteteve shqiptare, pra vetëm kjo rrethanë mund të konsiderohej sukses historik i shqiptarëve. Më anë tjetër, dokumenti i Ahtisaarit, i mbështetur tani edhe nga fuqitë kryesore perëndimore, kishte precizuar qartë limitet e kësaj pavarësie: Kosova, përveç që do të mbahej nën një vëzhgim të kujdesshëm ndërkombëtar në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ajo do të detyrohej të përfshinte në kushtetutë pamundësinë e bashkimit me ndonjë shtet tjetër (Shqipërinë), apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër (shqiptarët e Maqedonisë). Ky kompromis, i bërë me idenë e ruajtjes së stabilitetit afatgjatë në rajon dhe të krijimit të një status quo-je të re, nuk doli si vullnet politik i shqiptarëve, por si kompromis i imponuar i faktorit vendimmarrës europian.

Por kosovarët, ende nën trysninë e kujtesës së gjenocidit, nuk u shqetësuan shumë nga këto kufizime që do të kishte shteti i tyre i ardhshëm. Madje, për shumicën syresh, ky ishte kufizimi më pak i rëndësishëm, krahasuar me kufizimet e tjera, të cilat po ashtu kaluan dhe u miratuan pa ndonjë vërejtje. Ndryshe as që mund të ndodhte, sepse shteti i Kosovës tashmë ishte projekt i komunitetit ndërkombëtar, ndërsa kosovarët nuk mund ta kundërshtonin atë, nuk kishin as vullnet për diçka të tillë, nuk kishin as kurajë, nuk kishin as vizion politik. Kosovarët silleshin si fëmijë bonjakë, të cilin dikush bën sevap dhe e merr për dore, e ulë pranë zjarrit, ia ngroh duart e mërdhita, i jep diçka për të veshur dhe për të ngrënë. Kërkesat e tyre politike ishin minimaliste, madje mund të thuhet se ata nuk kishin kërkesa fare. Ata i qenë dorëzuar bashkësisë ndërkombëtare, me idenë se duhej të ishin të lumtur që kishin shpëtuar lëkurën nga një Serbi e çmendur.

Po me këtë dokument të Ahtisaarit, Kosova duhej të krijonte identitet të ri shtetëror, të tillë identitet që do ta diferenconte qartë nga shtetet e tjera, veçmas nga Shqipëria. Pra, ajo duhej të kishte flamur dhe himn, që do të shprehnin karakterin multietnik të Kosovës, një shpikje kjo që limitonte të gjitha idetë integraliste shqiptare. Kosova do të kishte flamurin e saj pa simbolet shqiptare, një flamur që nuk do të ishte as kuq e zi dhe nuk do të kishte në të as shqiponjën dykrenore. Meqë shpallja e pavarësisë duhej të bëhej shpejt, për të parandaluar ndonjë krizë të mundshme, gjetja e zgjidhjes për flamur, stemë dhe himn kaloi nëpër një proces të shpejtë politik, madje të ngathtë dhe, për nga zgjidhja, mjaft qesharak dhe me improvizime të shumta. Fundja, tashmë nuk është me rëndësi nëse flamuri i Kosovës i plotësonte kriteret e heraldikës dhe nëse ishte një zgjidhje e pëlqyer në pikëpamje estetike, sikundër që nuk ishte aq me rëndësi nëse procesi i bërjes së tij ishte i ngutshëm dhe i imponuar nga disa faktorë ndërkombëtarë. Për këto çështje u shpenzuan shumë diskutime joesenciale. Problemi do të dalë gjetiu: nëse dikush në Kosovë do ta dojë atë flamur ose jo.

Sikundër është e njohur, procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës u desh të kalonte nëpërmes të një koalicioni të gjerë politik, në mënyrë që zgjidhjet e limituara të mos ndeshnin në kontestime të menjëhershme. Me rëndësi të madhe ishte që këtë proces të mos e kundërshtonte i ashtuquajturi krah i luftës, i cili barte trashëgiminë e gjatë të lëvizjes nacionaliste. Kjo lëvizje, sikundër e kemi thënë, nuk mund të pranonte aq lehtë heqjen dorë nga idealet e saj të kryehershme, të cilat kishin shërbyer si inspirim për sakrifica të mëdha. Me këtë ideal ajo e kishte organizuar dhe i kishte prirë edhe luftës së fundit. Tani, përnjëherësh, kjo lëvizje duhej të ballafaqohej me bërjen e Kosovës shtet multietnik, me një flamur qesharak dhe me një himn pa tekst, i ngjashëm me himnin e Europës, sepse teksti i një himni multietnik duhej të thoshte afërsisht kështu: Le të rrojë Kosova përgjithmonë; shteti i përbashkët i qytetarëve të saj të barabartë; i shqiptarëve, i serbëve, i romëve, turqve etj. Pra, një himn që nuk duhej t’i referohej askujt në mënyrë eksplicite, që nuk duhej të përmbante asnjë karakteristikë nacionale dhe nuk duhej të shprehte asgjë që do të lidhej me historinë e ndonjërit popull. Një himn që do t’i këndonte lavdi një shteti hibrid, i shartuar mbi nevojat politike më të fundit dhe jo mbi ndonjë trashëgimi tjetër.

Duke qenë në pushtet krahu i luftës, pacifizmi i kundërshtarëve për një proces të këtillë nuk ishte ndonjë punë e vështirë të sigurohej. Edhe mbështetja e LDK-së nuk mungonte, sepse angazhimi i saj për Kosovën shtet më vete ishte i kryehershëm dhe loja e saj fëmijërore me flamuj dhe himne kishte filluar që në vitet ’90. Tani vetëm legaliteti i vendimeve duhej të sigurohej dhe ky po ashtu nuk ishte i vështirë, sepse në pushtet ishte një koalicion i gjerë, pothuajse pa asnjë zë opozitar. Prandaj, ishte e pritshme që procesi të shkonte pa vështirësi dhe pa kundërshtime, madje as nën zë. Kush mund të ishte kundër pavarësisë së Kosovës? Asnjeri, ani që pavarësia nënkuptonte diçka që nuk ishte menduar deri atëherë: një simbolikë ndryshe dhe gjëra që mund të shkonin bashkë me të. Të gjitha këto, derisa shpallej pavarësia dhe derisa zgjaste entuziazmi, qëndruan disi në prapaskenë dhe nuk përbënin ndonjë shqetësim. Askush nuk i thoshte askujt se çfarë shteti po bëhej Kosova, se cilat ishin vështirësitë reale të funksionimit të një shteti të tillë në të ardhmen. Me rëndësi ishte që procesi historik i bërjes së shtetit të përfundonte dhe klasa politike aktuale të krekosej për një akt historik të papërsëritshëm për mbarë kombin shqiptar.

Mirëpo, derisa klasa politike merrej me kompromiset e pavarësisë, përfshirë formulimet evazive në deklaratën për këtë akt, në prapaskenën e këtij zhvillimi kosovarët bënin referendumin e tyre të jashtëzakonshëm dhe unik: i mbushën sheshet e qyteteve me numër pafund flamujsh shqiptarë. Në të vërtetë, që në këtë rast, ndonëse ende nuk ishte promovuar flamuri i ri i Kosovës, u pa qartë se brenda Kosovës do të vazhdojë të jetojë dhe të funksionojë një dualizëm i pazakonshëm. Zyrtarisht Kosova do të ketë flamurin e saj, përdorimi i të cilit do të paraqitet i domosdoshëm për ta promovuar dhe për të bërë shtetin e ri, ndërsa emocionalisht kosovarët do të vazhdojnë të mbeten të lidhur pas flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare. Ditët, muajt dhe vitet vijuese do të nxjerrin në pah edhe një dyzim tjetër: shteti i Kosovës do të përkujdeset që në mënyrë institucionale të plotësohet kuadri ligjor dhe kushtetues i simboleve të Kosovës, ndërsa më anë tjetër, në vijë paralele, kosovarët do të vazhdojnë lidhjen emocionale me simbolet e kryehershme. Ta zëmë, shteti i Kosovës bëri edhe kompromise të tilla, ç’identifikuese, siç ishte mospërfshirja e 28 Nëntorit në radhën e festave shtetërore, mirëpo kosovarët spontanisht do ta tejkalojnë këtë kufizim, serish dhe serish duke vënë në përparësi traditën historike dhe lidhjen emocionale me këtë datë, në raport me urdhrin e shtetit të ri dhe me ligjet e tij. Vetë kosovarët, pa pyetur shtetin e tyre, do ta bëjnë 28 Nëntorin festë popullore dhe, pak nga pak, do t’i japin të gjitha atributet e festës shtetërore. Ky dualizëm ka edhe elemente të tjera dhe në këtë pike Kosovën e bën shpesh të qëndrojë në kontradiktë me vetveten.

Me logjikën shtetërore, ashtu sikundër janë përpjekur ta bëjnë, Kosova do të duhej të krijonte kalendarin e saj të festave dhe 28 Nëntori, festë kombëtare e një shteti fqinj, nuk ka përse të festohet në Kosovë, sepse dita e pavarësisë së këtij shteti është 17 shkurti 2008. Afërsisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për flamurin dhe himnin. Kështu mund të logjikojë secili, që përpiqet të vendos rregull racional edhe në këtë drejtim. Por çfarë po ndodhë realisht? Kosovarët kanë një trashëgimi tjetër historike, një tjetër kujtesë kolektive dhe një tjetër lidhje emocionale me këto data, e cila nuk mund të zëvendësohet as me data e as me simbole të reja. Duke e vendosur në mes të këtij dualizmi, kosovarin e kanë detyruar të bëjë zgjedhjen e tij, në kundërshtim me pritshmërinë e shumëkujt. Së këndejmi, po u shikua atmosfera që sundon në Kosovë në të dy datat, më 28 nëntor dhe 17 shkurt, secili mund të vërejë se ende 28 Nëntori qëndron si festë kombëtare, e pazëvendësueshme nga 17 Shkurti, madje e para gjithandej Kosovës (përfshirë edhe ata që e kundërshtojnë) shkruhet me shkronjë të madhe, ndërsa të dytën (përfshirë edhe ata që duan ta madhërojnë) e shkruajnë me shkronjë të vogël.

Pra, zgjedhja, të cilën u detyrua ta bëjë kosovari, doli e favorshme për kombin shqiptar, ndërsa doli e pafavorshme për shtetin e Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe për flamurin dhe himnin. Madje, në këtë pikë gjërat kanë shkuar edhe më keq, sepse flamurin e Kosovës dhe himnin pa tekst duket sikur e duan vetëm ata që e kanë obligim ligjor dhe kushtetues, pra vetëm institucionet dhe vetëm njerëzit kur janë brenda tyre. Përse, pra, Kosova duhej të shkonte kësaj rruge, a kishte një zgjidhje tjetër, përse ajo duhej të bënte një flamur që nuk e do askush (ose pakkush) dhe përse duhej të bënte një himn, të cilit, edhe kur t’i vihet teksti, nëse një gjë e tillë ndodhë ndërkohë, nuk do ta këndojë asnjeri? Përse Kosova duhet të ketë data historike, të cilat nuk pritet që së shpejti të zënë vend në kujtesën historike të kosovarëve? Krejt ky zhvillim, a ka mundur të merrte një rrugë tjetër? Por, mbi të gjitha, cilat janë pasojat e një dualizmi të këtillë, që tashmë nuk është vetëm i jashtëm, është edhe i brendshëm, është bërë pjesë e konstalacionit psikologjik të kosovarit…?

Kosovari, pa fajin e tij, tashmë është bërë qenie e dyzuar, duket sikur bën jetë të dyfishtë, një jetë shtetërore dhe një jetë tjetër kombëtare. Pse, në këtë rast, a nuk kishte mundësi që të bëhej një harmonizim ndërmjet shtetit dhe kombit? A nuk kishte mundësi që shteti i Kosovës të bëhej pa prekur sentimentin dhe kujtesën kolektive të kosovarëve? A nuk mund të gjendeshin zgjidhje, të cilat detyrimisht nuk do ta çonin kosovarin te mohimi i njërës apo tjetrës? Të gjitha këto ishin të mundura, sikur kompromiset e pavarësisë të ndaleshin në Kosovë dhe rreth Kosovës, pa një shtrirje më të gjerë dhe pa një përfshirje ndërkombëtare. Kështu siç ndodhi, u krijua përshtypja se pavarësia e Kosovës nuk u bë për të dhënë një zgjidhje problemit, por pikërisht për ta penguar zgjidhjen e tij. Nëse problemi më i madh i pazgjidhur i Ballkanit perëndimor ishte çështja shqiptare, atëherë sprova e bërë që kjo zgjidhje të bëhej përmes një procesi të panatyrshëm, madje fyes për kosovarët, siç është ndërtimi i një identiteti të ri, atëherë del se kjo sprovë nuk ishte serioze, madje tërësisht e manipuluar, e bërë me dredhi. Një mënyrë e këtillë e bërjes së shtetit të Kosovës, sikur iu thotë kosovarëve: Ja, ku e keni një shtet, që nuk do t’ju hyjë në punë për asgjë, të cilin as ju vetë nuk do ta doni, sepse shteti i ri njëmend që ju dha lirinë, por iu nxor në një terren me identitet të paqëndrueshëm. Kush është ai mendjepaktë që sot në Ballkan pranon të humbë identitetin, qoftë edhe me çmimin e shtetit? Askush, sepse të gjithë janë të vetëdijshëm se një shtet me identitet të ri, që domethënë të paqëndrueshëm, të luhatshëm, rrezikon të zhbëhet ende pa u bërë tamam. Prandaj kosovarët, për shkak të lehtësimeve që duhej bërë Serbisë, nuk duhej të viheshin para një dileme të tillë: o shtetin, o identitetin! Ekzistonte një zgjidhje tjetër: edhe shtetin, edhe identitetin, madje një zgjidhje aspak radikale, që do të ishte po kjo që është, por gjithsesi e dizajnuar ndryshe.

 

Kundërvëniet identitare

 

Ç’është e vërteta, karta e një identitetit të ri të entitetit kosovar ishte hedhur që më parë, disa vjet përpara se të shpallej pavarësia. Sipas kësaj ideje, që në krye të herës ishte e qartë se Kosova do të bëhej shtet më vete, prandaj si ekuivalent duhej të kishte shenjat e veta të dallueshme, jo vetëm simbolet shtetërore, por edhe gjuhën dhe kombësinë. A ishte kjo e domosdoshme? Askush nuk e thoshte, por problemi, si pa të keq, nisi me gjuhën. U orkestrua një fushatë e çuditshme mediale dhe e shoqërisë civile kundër gjuhës letrare shqipe, kundër standardit, me idenë se Kosova nuk kishte si ta pranonte dhe ta zbatonte një standard të tillë, të imponuar dhe të papërshtatshëm, që ishte kundër traditës së shkrimit shqip në Kosovë. Nuk ishte me rëndësi nëse shqyrtimi i kësaj problematike ishte krejtësisht amator, madje i nxitur nga pasione krejtësisht personale të disa individëve. Me rëndësi ishte krijimi i një atmosfere, e cila, së pari në pikëpamje gjuhësore dhe më pastaj në të gjitha pikëpamjet, Kosovën duhej ta largonte sa më shumë nga Shqipëria. E ku mund të çohej Kosova? Nuk u tha ndonjëherë, por me rëndësi doli largimi, një here ndarja gjuhësore, pastaj ndarja identitare, pastaj kundërvënia e identitetit kosovar kundrejt identitetit shqiptar, e kështu me radhë.

Të gjithë ata që u angazhuan dhe vazhdojnë të angazhohen rreth ndarjes gjuhësore të Kosovës, në asnjë rrethanë nuk do të pranojnë se këtë e kanë bërë me ndonjë prapavijë politike, ani që, në ndonjë rast, “rebelimi” i tyre ishte kryekëput mercenar, pra paguhej me para të thata nga fondacione të dyshimta, disa prej të cilëve thonë se i shtrinin rrënjët deri te “Gasprom”-i i Rusisë. Le ta quajmë këtë si konspiracion banal, sepse edhe i tillë mund të jetë, por përfituesit e këtyre fondeve përse nuk e shtruan pyetjen më të thjeshtë, e cila mund t’i bjerë ndër mend secilit njeri normal: Ç’interes mund të kishte një fondacion i huaj, dy ose tre të tillë, pavarësisht se nga mund ta kenë burimin e financimit, të sponsorizojë një skizmë gjuhësore në Kosovë? Fondacionet e këtilla në Kosovë zakonisht angazhoheshin për funksionimin e demokracisë, për ngritjen e kapaciteteve institucionale etj. Pra, ç’hynte gjuha shqipe në këtë mes? Nëse dikujt mund t’i interesonte një çështje gjuhësore në Kosovë, ajo do të duhej të lidhej me ngritjen e kulturës së gjuhës, me nxënien e drejtshkrimit, të gjitha këto në një nivel shumë të ulët. Ishte paradoksale që e vetmja çështje kulturore shqiptare, e cila financohej nga fondacionet e huaja në Kosovë, dilte të ishin kishat serbe dhe skizma gjuhësore e Kosovës. Përse të ndodhte kjo? Përse çështja e gjuhës, respektivisht çështja e skizmës kosovare të gjuhës edhe tani të bëhet objekt interesimi i OJQ-ve, në vend se ato, ta zëmë, t’u mësojnë shkrim-lexim analfabetëve të shumtë, të cilët dita-ditës shtohen anë e kënd Kosovës?

Pra, a ishte kjo një çështje politike, e kurdisur që në krye të herës, e arsyetuar si identitet i mëvetësishëm i Kosovës së pavarur, por me prapavijë interesash separatiste, që, në fund të fundit, duhej të prodhonte si rezultat një shkërmoqje sa më përcopëzuese të njësisë kombëtare shqiptare? Besoj se po. Por edhe një gjë tjetër: ky përcopëzim i njësisë kombëtare shqiptare është gabim të thuhet se bëhej vetëm për interesa të Serbisë ose të dikujt që mbështeste Serbinë. Bëhej edhe nga marrëzia lapidare shqiptare. Bëhej edhe nga interesa meskine. Bëhej edhe nga ideja e krijimit të të ashtuquajturave principata kulturore ose edhe politike, në të cilat “skizmatikët” mund të ndiheshin komod, karshi një hapësire më të gjerë kulturore e politike, që i fuste në një konkurrencë të papërballueshme. Krijimi i një hapësire unike kulturore shqiptare, ta zëmë, ndjeshëm do t’i rrezikonte mediokritetet, kudo që mund të gjenden të tillët, por mediokritetet kulturorë të Kosovës në mënyrë të veçantë, sepse ata për një kohë relativisht të gjatë kishin ushqyer iluzionin e bërjes së një kulture “të madhe”, lehtësisht duke e anashkaluar përballjen me tërësinë kulturore shqiptare. Kjo vlen edhe për fushat e tjera, vlen për burrat e vyer të kombit, të cilët tashmë e kanë krijuar idilin e patriotëve lokalë. Mrekullisht mirë ndjehen edhe njerëzit e shkencës dhe të dijes, të cilët nuk kanë nevojë të futen në kurrfarë konkurrence, mjafton të jenë të adhuruarit e mëhallës së tyre shkencore dhe diturore. Mrekullisht mire ndjehen edhe politikanët, sepse lehtësisht bëhen pashallarë të një province politike shqiptare, sikundër edhe për faktin tashmë të njohur e të ditur: sa më i vogël shteti, aq më i madh pushteti.

Sido që të ishte, dilte e qartë se gjuha, si njësia më kohezive e secilit komb, duhej t’i paraprinte një procesi tjetër politik, i cili do të nxiste të gjitha ndasitë e tjera të identitetit. Ata që vazhdojnë të jenë mbështetës të identitetit kosovar, zakonisht funksionin unifikues të gjuhës e quajnë si perceptim romantik, tradicionalist dhe të prapambetur, duke nxjerrë si kundërpeshë funksionet e relativizuara të gjuhëve të veçanta në kuadër të proceseve integruese europiane dhe të përbotshme, pra globale. Mund të jetë edhe kështu. Po përse ne u dashka të bëjmë ndryshe nga të tjerët, të shkojmë dy hapa përpara të tjerëve në çështjen e rrafshimeve identitare, në një kohë që në proceset e tjera integruese shkojmë dhjetë hapa prapa? Thënë me një fjalë, pas zhvillimeve jashtëzakonisht të pafavorshme në shtetin e Kosovës askush nuk beson më se ndarja e tij identitare nga trungu shqiptar nuk ka një prapavijë politike, lokale ose rajonale, se kjo ndarje nuk vjen si jehonë sado e largët e proceseve, por më shumë si kuadër politik ballkanik, për të krijuar një stabilitet sa më afatgjatë, duke relativizuar faktorin shqiptar ose duke anashkaluar atë. Edhe ndarja gjuhësore e Kosovës ka këtë kontekst, pra një kontekst të pastër politik dhe, sikundër e kemi vërejtur, nuk ka një mbështetje kulturore apo vetëm gjuhësore. Skizma kosovare e gjuhës shqipe që në krye të herës ishte menduar si stimulues dhe mbështetës i ndarjeve të tjera identitare, të gjitha këto me prapavijë të qartë politike.

Ndarja e identitetit të Kosovës, më anë tjetër, merr edhe një kontekst më të gjerë. Unë as sot nuk mund ta perceptoj ndryshe insistimin e disa të huajve, veçmas europianëve, për krijimin një identiteti kosovar, përveç se si një tallje e pashembullt me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi. I veçoj këtu europianët, për shkak se ata, shumica syresh, jo vetëm që e duan një zgjidhje të çështjes shqiptare të tillë që të mos cenojë Serbinë, por më shumë për faktin se ata, për shkak të mospajtimeve të ndërvetshme identitare, janë të gatshëm ta rrezikojnë edhe të ardhmen e BE-së, ndërkohë që shqiptarëve të Kosovë iu sugjerojnë, madje edhe përpiqen t’iu imponojnë lëvizje politike që shkojnë në drejtim çeuropianizues. Është ky një nënçmim që iu bëhet shqiptarëve dhe Kosovës, diçka që mund të gjente ekuivalentin e vet te kombet postkolonialiste në kontinentet e tjera, ndërsa në Europë te kombet socialiste, të tipit të Maqedonisë dhe të Moldavisë. Pastaj, në këtë drejtim ndiqen edhe kritere të dyfishta: shkelen parimet sa çel e mbyll sytë, duke bërë makiavelizëm edhe me çështje fondamentale. Ta zëmë, në Bosnje askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk u angazhua që serbët e atjeshëm të mos quhen serbë, ndonëse të gjithë e dinë se ishte pikërisht identiteti i tyre i mbitheksuar serb që e shkaktoi luftën dhe tani rrezikon ta shpërbëjë Bosnjën nga çasti në çast. Përse edhe ata, bashkë me kroatët e Bosnjës, të mos quhen boshnjakë, njësoj si entiteti mysliman, që së voni ndërroi “kombësi” dhe e mori këtë emër, në mbështetje të emërtimit të vendit, siç i bëri Kosova kosovarët? Ndonëse i përkasin një entiteti të veçantë në kuadër të Bosnjës, serbët e Republikës Serbe e kanë të garantuar me marrëveshjen e Dejtonit dyshtetësinë e Serbisë. Në rastin e Kosovës, të gjitha joparimsitë i ngarkohen si barrë bashkësisë ndërkombëtare, sepse ajo vendosi në Kosovë jo vetëm rregulla të ashpra të ndarjes me pjesën tjetër të kombit shqiptar, por këtë ndarje përpiqet ta çojë përtej logjikës së gjërave, deri në identitet dhe më tej akoma.

 

Ripërkufizimi i etnonimit

 

Ndryshe nga gjuha, rreth përbërësve të tjerë të identitetit të Kosovës nuk u hap ndonjë diskutim i gjerë, para se të ndodhte shpallja e pavarësisë. Më vonë, entuziazmi i pavarësisë dhe përgjithësisht angazhimet estradeske për shtetin e Kosovës (roli historik për bërjen e institucioneve shtetërore, njohja ndërkombëtare, vendimi i GJND-së etj.) duket sikur për një kohë nxorën në margjinë disa çështje esenciale, identitare, të cilat ende vazhdojnë të qëndrojnë pezull, siç është kosovarizmi si identifikim etnik, patriotizmi i paqenë kosovar kundrejt patriotizmit shqiptar, simbolet jofunksionale të pavarësisë, atdheu i papërceptueshëm, mungesa e vlerave identifikuese, përdorimi i shtetit si etablim johistorik, dilema rreth qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës, ndjenja e të përkohshmes dhe, mbi të gjitha, kosovarizmi si alibi për rrënim të shpejtë të idealeve kombëtare dhe përdorimi afatshkurtër i shtetit për meskinitet pragmatik. Këto tema, ose shumica syresh, as që janë hapur për diskutim në opinionin e Kosovës, qoftë për shkak se janë tema të vështira dhe tërheqin me vete dilema ende të pasqaruara, qoftë edhe për faktin se shumë njerëz janë të prirë nga ideja se situata e tashme në Kosovë është një gjendje kalimtare, një gjendje e përkohshme, në fund të së cilës duhet të ndodhë ose tejkalimi i padiskutueshëm i të gjitha vështirësive fillestare dhe konsolidimi pa alternativë i shtetit të Kosovës, ose një zgjidhje tjetër, e cila do të ishte më funksionale, më e qëndrueshme, më reale dhe më afatgjatë.

Kjo përkohshmëri, nëse një e tillë ekziston, sepse asnjëherë nuk i është vënë një emër i tillë, është rrënuese për Kosovën, është sjellje në rreth, është qëndrim pezull, është humbje e kohës historike, është gënjeshtër dhe mashtrim lapidar, mbi të gjitha, do të ishte dështimi historik shqiptar, paaftësi e pashembullt e tyre për të çuar në favor të vetin një zhvillim historik pozitiv. Nuk besoj se dikush do ta mohojë as pas shumë vitesh se zhvillimet historike në botën shqiptare në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI kanë qenë pozitive, të tilla që shpesh nuk kanë mundur të merren me mend as nga vizionarët më optimistë. Ky vlerësim pak si rozë ka dy mbështetje: e para, se kthesa në historinë shqiptare ka qenë e jashtëzakonshme dhe se rreziku i zhbërjes, si me magji, u kthye në faktorizim; dhe, e dyta, se parashenjat për mbylljen pozitive të këtij procesi janë evidente, perspektive, të dukshme dhe lehtësisht të perceptueshme.

Por, më anë tjetër, ekziston edhe një perceptim i kundër me këtë, i skeptikëve, apo edhe i idealistëve, të cilët tani gjenden në të njëjtën radhë, pra i atyre që mendojnë se shqiptarët ishte dashur të ishin ndryshe nga ç’janë, se pas zhvillimeve të favorshme në botën e tyre të njëzet viteve të fundit, ka qenë krejt normale që ata të mos mbeten populli më i varfër, më i prapambetur, më i vuajtur, më i vonuar dhe më i paintegruar i Europës së vjetër. Sipas tyre bëhet fjalë për një shans të humbur në rrugën e faktorizimit përfundimtar të shqiptarëve në Ballkan, për ridefinimin e potencialit të tyre kombëtar, politik, ushtarak, ekonomik, kulturor etj. Pavarësisht nga trashëgimia e rëndë, pavarësisht nga arsyetimet që mund të gjenden, idealistët shqiptarë, ndonëse gjithmonë kanë vullnet të madh dhe manifestojnë qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në parashikimet e tyre optimiste, tashmë edhe ata kanë dhënë shenja të qarta të zhgënjimit. Edhe skeptikët po ashtu kanë dhënë shenja të qarta të lodhjes, duke kritikuar pa fund fenomenet negative, të cilat kanë dominuar dhe vazhdojnë të sundojnë botën shqiptare, duke filluar nga mungesa e traditës shtetërore dhe institucionale, tradhtia e kudogjendshme, mercenarizmi i patejkalueshëm, e deri te prirjet e jashtëzakonshme kriminale, që e bëjnë shqiptarin shtetas të keq për vendin e vet dhe qytetar të padenjë të Europës së integruar.

Në këtë konstalacion të gjerë çështjesh problemore, të diskutueshme dhe të mbetura jashtë vëmendjes, ndër të tjera, është edhe Kosova si entitet historiko-politik dhe etnonimi kosovar si emërtim identifikues. As Kosova as kosovarizmi, vetëm si tillë, nuk janë dhe nuk përbëjnë identitet, por janë elementë të identitetit, apo, në një kontekst më të gjerë, janë përbërës identitarë në tentativë. Tashmë e kemi sqaruar se çfarë përbën Kosova në kuptimin historik: përrallë dhe legjendë për serbët, vilajet në kohën e Turqisë, një përqendrim i paparë zhvillimesh tragjike për shqiptarët. Në kohën e Turqisë qendër e vilajetit të Kosovës ishte Shkupi, që domethënë se kufijtë e Kosovës ishin të tjerë. Në periudhën e sundimit të mbretërisë jugosllave, Kosova nuk përbënte entitet, ishte e ndarë ndërmjet banovinave të Serbisë dhe Malit të Zi. Duket se për herë të parë si entitet politik me konotacionin e tanishëm zë të formësohet me lëvizjen komuniste, pas vitit 1941, por edhe atëherë gjërat mbesin të paqarta, deri në përfundim të Luftës së Dytë dhe me organizimin e ri territorial të Jugosllavisë socialiste. Ta zëmë, Lidhja e Dytë e Prizrenit në organizimin e saj përfshinte jo vetëm Shkupin, Tetovën, Gostivarin e Dibrën, por edhe Pazarin e Ri, Tutinin, Rozhajën, Plavën dhe Gucinë. Gjatë kohës së sundimit të fuqive të boshtit, Kosova ishte e ndarë ndërmjet Italisë, e cila përfshinte një zonë më të gjerë të bashkëngjitur Shqipërisë (ajo zonë quhej Kosovë, pa ndonjë atribut tjetër), Gjermanisë në veri (një ndarje që i afrohet ndarjes që aktualisht e synojnë serbët) dhe Bullgarisë në lindje. Po në këtë periudhë, komunistët e PKJ-së organizojnë njësi partizane shqiptaro-maqedonase, ndërsa Konferencën e Bujanit dokumentet në gjuhën shqipe flasin për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, ndërsa në gjuhën serbe për Kosovë dhe Metohi. Në Bujan (nuk thuhet se pse) morën pjesë edhe përfaqësuesit e Plavës dhe Gucisë, por jo edhe të territoreve të tjera shqiptare të përfshira në mbretërinë jugosllave.

Me këtë emërtimin (Kosovë-Metohi, shkurt Kosmet) Kosova merr edhe atributet e organizimit territorial dhe të autonomisë në Jugosllavinë socialiste, gjithnjë derisa lëvizjet politike të viteve ’60 krijojnë hapësirë për ekuivalentin shqip të këtij emërtimi të kryehershëm (Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit). Ky dualizëm emërtimesh, një shqip dhe një serbisht, sikundër edhe fakti se toponimi Metohi kishte karakter kishtar, bëhet një nga objektivat e ndryshimeve politike në Kosovë dhe rreth Kosovës pas Plenumit të Brioneve: Kosovës i hiqet atributi Metohi apo Rrafsh i Dukagjinit dhe hapësira e saj përkufizohet si njësi territorial autonome në kuadër të Jugosllavisë. Aq sa mund të konsiderohet meritë e autonomistëve vendosja e kufijve administrativë të Kosovës në ish-Jugosllavi, po kaq mund të konsiderohet dështim i tyre mbetja jashtë Kosovës e territoreve etnikisht dhe historikisht shqiptare, siç ishin Shkupi dhe Tetova, Lugina e Preshevës apo Plava e Gucia.

Sido që të jetë, toponimi Kosovë u stabilizua në një përdorim të gjerë nga vetë banorët e kësaj hapësire pikërisht në periudhën e autonomisë jugosllave. Shqipëria, ndërkaq, dukej se kishte ruajtur një perceptim më të hershëm të Kosovës, e cila nuk kufizohej vetëm në krahinën autonome jugosllave, por përfshinte zona më të gjëra të banuara me shqiptarë, veçmas në Serbi dhe Maqedoni. Serbët, ndërkohë, për një kohë të gjatë e mbajtën vëmendjen te Kosova si sinonim i hapësirës ku ishte zhvilluar beteja legjendare, kështu që heqja e pjesës së dytë të emërtimit, Metohi, për një kohë nuk përbente asnjë problem. Pas zhvillimeve politike në Serbi në prag të viteve ’90, me ndryshimet kushtetuese të asaj kohe, Kosovës iu kthye edhe emërtimi i bashkëngjitur Metohi, më një anë si identifikim i ndajshtuar kishtar dhe, më anë tjetër, si perceptim politik i një Kosove pa autonomi, siç kishte qenë dikur, tërësisht e përfshirë në kuadër të Serbisë. Edhe aktualisht Serbia mban në përdorim po këtë emërtim, sepse në raport me Kosovën, Kushtetuta e Serbisë është po ajo e kohës së Milosheviqit. Në mediet ndërkombëtare, mbase edhe në kancelaritë diplomatike, Kosova zë të përmendet pas vitit 1981, duke arritur shkallë të lartë të identifikimit me ngjarjet politike të viteve ’90 dhe tutje.

Ndryshe nga toponimi Kosovë, etnonimi kosovar ka një shtrirje kohore krejt të ndryshme, madje dukshëm më të reduktuar. Në periudhën e ish-Jugosllavisë, banorët e Kosovës, pra shqiptarët, shumë rrallë e quanin veten kosovarë, por me një emërtim më evaziv dhe jo njëgjymtyrësh, më shumë si sintagmë – shqiptarë të Kosovës, për t’u dalluar nga shqiptarët e Maqedonisë dhe shqiptarët e Malit të Zi (shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë quajtur kurrë shqiptarë të Serbisë, por vetëm të Preshevës). Më anë tjetër, nga shqiptarët e ish-Jugosllavisë, Shqipëria nuk është quajtur shteti shqiptar, sepse nuk është konsideruar kuadër që mund ta përfshijë këtë kuptim. Të gjitha këta etnonime ruanin në plan të parë përkatësinë shqiptare dhe atë e theksonin domosdo përpara përkatësisë territoriale. Po ta pyesje kosovarin e viteve ’70 ose ’80 se kush ishte, ai do të thoshte pa një pa dy: jam shqiptar i Kosovës dhe shumë rrallë do të përdorte etnonimin kosovar. Më shumë se kosovarët për vete, këtë etnonim filloi ta përdorte më dendur Shqipëria në kohën e marrëdhënieve intensive me Kosovën, si dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, për të bërë një dallim të përkatësisë territoriale, nga se të gjithë së bashku përbënin entitetin e përbashkët, shqiptarë të Jugosllavisë. Madje as në vitet ’90, kur ngjarjet rreth Kosovës filluan të fitonin dinamikë të paparë, komuniteti ndërkombëtar nuk e përdori etnonimin kosovar, por emërtimin shqiptarë etnikë. Serbët, ndërkaq, asnjëherë nuk e përvetësuan këtë etnonim, e para, sepse nuk deshën që banorët e Kosovës të përbënin një etni të veçantë, ngase, sipas perceptimit të tyre, Kosova është pjesë integrale e Serbisë; dhe, e dyta, si rrjedhojë e këtij përkufizimi territorial të Kosovës, duhej të rridhte edhe identifikimi i shqiptarëve të Kosovës, si pakicë kombëtare në kuadër të shtetit serb. Pavarësisht se Serbia unike është derivat i politikës së Milosheviqit, këtij parimi i përmbahen të gjithë serbët edhe sot e kësaj dite, edhe e ashtuquajtura shoqëri civile, edhe klasa politike, sikundër edhe qytetarët e zakonshëm. Vetëm pas vitit 1999 filloi një përdorim më i shtuar i etnonimit kosovar, brenda dhe jashtë Kosovës, si ekuivalent i entitetit politik Kosovë, e cila tashmë duhej të përkufizohej si e mëvetësishme dhe qartësisht e identifikueshme.

Kështu, pas vitit 1999 etnonimi kosovar pati dy përdorime të njëhershme: njëri, që nënkuptonte banorët e hapësirës ku kishin ndodhur zhvillime politike të deriatëhershme, emërtim që mund të thuhet se kishte realizëm dhe objektivitet; dhe, tjetri, që sugjeronte zhvillimet e pritshme politike, ku ndonjëherë kishte mosdije, ndonjëherë dashaligësi, madje edhe komplot politik. Nuk janë të paktë të huajt në Kosovë dhe jashtë saj që etnonimin kosovar e shohin si emërtim adekuat për banorët e hapësirës që përfshin Kosovën, banorë këta që popullojnë një entitet të veçantë politik, rreth të cilit bashkësia ndërkombëtare zhvilloi një luftë dhe jashtëzakonisht shumë diplomaci. Në mendjen e këtyre të huajve kosovarët nuk emërtohen si të tillë me ndonjë prapavijë, ta zëmë, për t’i ndarë nga shqiptarët e tjerë, por vetëm për qartësi përkufizimi. Më anë tjetër, që nga viti 1999 e prapa, ekzistonte edhe një kontekst politik i përdorimit të etnonimit kosovar, brenda dhe jashtë Kosovës, si përkufizues i ndarjes së këtij entiteti politik nga hapësirat e tjera shqiptare. Qëllimi i këtij emërtimi, njësoj si qëllimi ndarjes, kishte për synim krijimin e një identiteti të ri, i cili do ta bënte funksionale ndarjen e Kosovës nga hapësirat e tjera shqiptare, në mënyrë që Kosova, e konsideruar si vatër e nacionalizmit shqiptar, eventualisht, të mos pretendonte prishjen e balancave politike në Ballkan.

 

Modeli postkolonial

 

Shpallja e pavarësisë dhe bërja e Kosovës shtet më vete, për një numër njerëzish në Kosovë dhe jashtë saj do të duhej të ishte kuadër i mjaftueshëm që kjo pjesë e shqiptarëve të krijonte një identitet të ri, të diferencuar nga të tjerët. Ky identitet i ri, duke mbledhur copat e mbetura të identiteteve plotësuese, siç është identiteti i mëvetësishëm politik, kuadri shtetëror, por edhe përbashkësia e banorëve me përkatësi të ndryshme kombëtare që banojnë të njëjtën hapësirë; pra, të gjitha këto së bashku, të funksionalizuara në një tërësi identitare të diferencuar teorikisht mund të krijojnë edhe komb të ri. Në këtë rast, pjesëtarët e kombit kosovar nuk do të kishin përbërës kryesorë të identitetit gjuhën e përbashkët, traditën, historinë, madje këto mund të përbënin elementët e ndarjes së tyre, por krejt diçka tjetër, siç mund të jetë territori dhe projeksioni hipotetik ose real i të ardhmes politike. Sipas kësaj teorie, në botën bashkëkohore të integrimeve dhe komunikimeve intensive, shtetet janë ato që krijojnë kombet, ndryshe nga ç’kishte ndodhur në shekullin XIX, kur kombet kanë krijuar shtetet. Në të vërtetë, ky është modeli amerikan i kombit-shtet, i cili ka ndjekur një rrugë tjetër të krijimit të identitetit, rrugë e krijimit të ashtuquajturve kombe të reja postkolonialë, që historikisht dhe politikisht ndryshojnë shumë nga traditat europiane e krijimit të kombeve dhe identiteteve kombëtare.

Pra, në rastin tonë, shteti i Kosovës duhej të ishte kuadër i mjaftueshëm, që i plotëson të gjitha kushtet për të krijuar, fillimisht, një identitet të ri të pjesëtarëve të tij dhe, më pastaj, edhe një komb të ri, i identifikueshëm jo me veçoritë ndarëse të përbërësve të identitetit të shekullit XIX, por me karakteristikat kohezive të përbërësve identitarë të modernitetit. Me një fjalë, pjesëtarët e etnisë shqiptare që banojnë Kosovën dhe pjesëtarët e etnive të tjera, që nuk përbëjnë më shumë se 8% të popullsisë së Kosovës (serbë, malazezë, boshnjakë, turq, romë etj.), ndërsa janë të lidhur mes veti me jetën e përbashkët në një hapësirë administrative; ndërsa janë të lidhur mes veti me internet dhe komunikojnë anglisht (shqiptarët, për inat të serbëve, nuk flasin serbisht; serbët, turqit etj. e kanë nënçmuar gjithmonë gjuhën shqipe dhe nuk duan ta flasin atë); ndërsa kanë aspirata të përbashkëta të integrimeve europiane; ndërsa shqiptarët nuk duhet ta duan Shqipërinë, sepse janë 92% e popullsisë së Kosovës dhe çdo dashje e tyre e Shqipërisë rrezikon stabilitetin e rajonit; ndërsa serbët, që përbëjnë 5% të popullsisë së Kosovës, mund ta duan Serbinë, sepse me dashjen e tyre të Serbisë nuk e rrezikojnë stabilitetin e rajonit; pra, në një rrethanë të këtillë është krejt e natyrshme, madje e pëlqyeshme, që shqiptarët e Kosovës, të cilët përbëjnë 92% të popullsisë së këtij shteti të ri, me synim që t’i integrojnë pakicat dhe ta bëjnë Kosovën multietnike, duhet të heqin dorë nga identiteti i tyre i kryehershëm dhe të transformohen në një përkatësi tjetër etnike, e cila është më pak e urryer nga serbët dhe pjesëtarët e tjerë të pakicave. Këtë u takon ta bëjnë shqiptarët, sepse, duke qenë shumicë, ata kanë interes të veçantë bërjen dhe funksionimin sa më të mirë të shtetit të Kosovës.

Thënë me një fjalë, kjo procedurë e bërjes një herë të një identiteti të ri dhe më pastaj edhe të një kombi të ri me parashenjë integruese, duhet ta diferencojë qartë kombin nga etnia: kombi kosovar do të duhej të ishte njësi kohezive shtetërore me përbërës të identitetit të përbashkët mbietnikë, në të cilin do të merrnin pjesë me identitetet e tyre të ndara pjesëtarët e të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë. Ky është një hap më tej, nga ç’është kërkuar me dokumentin e Ahtisaarit, sepse aty thuhet se Kosova duhet të jetë shtet multietnik, por jo një sajesë mbietnike, ku banorët e saj, për ta bërë shtetin funksional, duhet të heqin dorë nga identitetet e tyre. Kjo vështirë që mund të ndodhë, sepse, në radhë të parë, detyrimet politike duan kohë të gjatë që të prodhojnë vetëdije.

Në rastin tonë, shteti i Kosovës paraqitet detyrim politik dhe koncesionet më të mëdha duhet t’i bëjnë shqiptarët. Ata që janë bartësit kryesorë të sovranitetit, sepse përbëjnë 92% të popullsisë. Që të jemi edhe më eksplicitë: ata, pra shqiptarët, bashkë me 8% të pakicave, duhet të heqin dorë nga disa përbërës identitarë për të ndërtuar kombin mbietnik kosovar, ide kjo që duhet të funksionalizohet për dy arsye: e para, që Kosova t’i integrojë dhe t’i bëjë qytetarë luajalë 5% të popullsisë së vet serbe, sepse, sipas logjikës së gjërave, nëse shqiptarët e Kosovës heqin dorë nga disa përbërës identitarë, respektivisht nuk e afishojnë përkatësinë e tyre etnike shqiptare, kanë më shumë gjasë që serbët e Kosovës t’i bëjnë për vete; dhe, e dyta, që Kosova të marrë atribute shtetërore të mëvetësishme, krejtësisht të diferencuara nga Shqipëria, në mënyrë që kushtëzimi i dokumentit të Ahtisaarit që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë dhe as me shqiptarët e Maqedonisë të bëhet fakt i pakthyeshëm, sa më i qëndrueshëm në kohë.

Natyrisht që kjo ide, për shumë arsye, është degjeneruese, sepse krijon konfuzion dhe nxjerr jashtë funksionit të gjitha forcat kohezive që e mbajnë Kosovën dhe e bën atë të paqëndrueshme, si një lojë fëmijësh, madje më keq, si fantazmagori pianecësh. Së pari, shembuj të këtillë të krijimit të kombeve të reja, me ose pa diferencim nga etnia, nuk ka në Europën e vjetër. Më anë tjetër, asnjëri nga konfliktet e ngjashme me Kosovën në Europë nuk janë zgjidhur dhe as që pritet të zgjidhen me lëvizje degjeneruese identitare. Askush, ta zëmë, nuk ka kërkuar që katolikët dhe anglikanët e Irlandës së Veriut të bëjnë paqe, duke hequr dorë njëra dhe tjetra palë nga përkatësia e tyre e identitetit, për të krijuar një identitet mbietnik ose mbifetar. Së dyti, lëvizjet identitare, sado të motivuara që mund të jenë, janë lëvizje tektonike, që tronditin kombet deri në qenien e tyre, pra deri në esencë, duke lënë prapa zbrazësi të mëdha, që vështirë plotësohen me motive politike, çfarëdo që të jenë ato. Shteti i Kosovës mund të jetë interes superior i shqiptarëve të tij, por çështja shtrohet nëse ai shtet i bërë duke sakrifikuar të pasakrifikueshmen mund të funksionojë ose jo, sepse heqja dorë nga identiteti kombëtar për shqiptarët e Kosovës, sado e motivuar politikisht, është një sakrificë që nuk përballohet. Pra, thënë me një fjalë, shqiptarët e Kosovës nuk është dashur dhe nuk duhet të vihen në pozitë që të zgjedhin ndërmjet shtetit të Kosovës dhe identitetit të tyre kombëtar, sepse zgjedhja do të jetë e pamundur, madje tragjike.

Mund të thuhet, pa ndonjë hamendje të madhe, se shteti i Kosovës është rezultat i padiskutueshëm i qëndrueshmërisë së identitetit të shqiptarëve të Kosovës. Pra, nuk bëhet fjalë për një rrugë tjetër historike të bërjes së Kosovës së pavarur, përveç të ndjekjes me konsekuencë të idesë që lidhet me përkatësinë shqiptare të shumicës së popullit të saj. Kjo është historia. Por disa mendojnë se proceset duhet çuar përpara dhe se Kosova nuk mund të mbetet rob i historisë, sado e qëndrueshme dhe pozitive të jetë ajo. Sipas kësaj logjike, historia duhet t’ia lërë vendin një procesi politik të avancuar, në mënyrë që aktualiteti Kosovar të dalë nga ngërçi i tejzgjatur dhe të avancojë drejt sfidave të reja, siç janë integrimet e kështu me radhë. Në pikëpamje të pragmatizmit politik kjo duket e akceptueshme, por ka një defekt shumë të madh brenda. Shoqëria kosovare nuk është në bërje e sipër, përkundrazi, ajo tashmë e ka përmbyllur një proces historik, ku përbërësit identitarë kanë luajtur rolin kryesor. Ajo mund të përfshihet në proceset e reja, çfarëdo qofshin ato, jo duke shpërbërë sistemin e saj të vlerave, por duke i përshtatur ato me rrethanat dhe synimet bashkëkohore. Sepse sistemi i vlerave, që hyn në përbërësit e identitetit të secilit komb, nuk mund të zëvendësohet. Nëse zhbëhet, ai lë prapa një zbrazësi të paplotësuar, e cila u ngjan atyre vrimave të zeza të gjithësisë, të cilat gëlltisin materien, në këtë rast vetë qenien e kombit. Kjo tani po ndodh me Kosovën.

Lëkundja e përbërësve të identitetit ishte lëkundje e sistemit të vlerave, që solli pasoja të mëdha për Kosovën, në konstalacionin e saj të tanishëm politik, social, kulturor, pra, ndodhi një zhvendosje e identitetit nga idealizmi në pragmatizëm. Identiteti kombëtar i shqiptarëve të Kosovës ishte system vlerash, disa ishin vlera të qëndrueshme, pra reale, disa të tjera ishin të paqëndrueshme, pra hipotetike. Në këtë pikë, në dualitietin e vlerave hipotetike dhe reale, ne nuk dallojmë shumë nga kombet e tjera, përveç se sasia e vlerave hipotetike ose të supozuara, mund të jetë shumëfish më e madhe se ajo e vlerave reale. Ky sistem vlerash, i tillë çfarë ka qenë, me shumë përbërës hipotetikë dhe me më pak përbërës realë, ka krijuar patriotizmin e shqiptarit të Kosovës, idealizmin e tij. Në idealizmin e shqiptarit të Kosovës ka pasur shumë mungesa, shumë kotësi. Në patriotizmin e tij ka pasur shumë folklorizëm, naivitet, madje edhe hipokrizi. Tani, nëse shqiptarit të Kosovës, që t’ia ndryshojmë ose t’ia ribëjmë identitetin, ia heqim përbërësit identitarë, siç është dashuria ndaj atdheut (Kosovë e Shqipëri), pastaj të drejtën për ta ëndërruar një atdhe ideal dhe të përsosur, bashkë me idealizmin se atdheu dhe kombi i tij janë atribute për t’u ndjerë krenar (romantizmin), atëherë çfarë do të mbetet prej tij? Do të mbetet pragmatizmi jetësor, që është shumë i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm.

Në të vërtetë, shqiptari i Kosovës i kthyer në kosovar, do të duhej të ishte pikërisht i tillë, pragmatik, njeri I zhveshur nga idealizmi dhe iluzionet, praktik, hedonist, që synon të jetojë mirë, që pasjen e ka ideal, të gjitha këto për një kohë sa më të shkurtër. Në esencë, edhe idealistët i synojnë të njëjtat gjëra, por derisa ata mendojnë t’i arrijnë këto përmes një procesi të komplikuar, pragmatikët këtë e bëjnë nëpër një rrugë tjetër, të drejtpërdrejtë, egoiste, shpesh duke shkelur mbi parime dhe duke e parë botën të zhveshur nga çdo vlerë tjetër, vetëm si hapësirë të realizimi të interesave të tyre. Së këndejmi, për shkak të tronditjeve dhe luhatjeve që ndodhën në procesin politik të Kosovës, i cili u shoqërua me luhatje identitare, veçmas të asaj pjese që përbënte idealizmin e shqiptarëve të Kosovës, Kosova papandehur ra në një vakuum vlerash dhe kosovari me identitet të posabërë, pragmatik dhe hedonist, materialist dhe mercenar, i zhveshur nga idealizmi dhe i egër në synime për të shfrytëzuar çdo rrethanë të përshtatshme për interesa egoiste, shumë shpejt u transformua në njeri me vese, i paskrupullt, i rrezikshëm për veten e tij dhe i papërshtatshëm për ambientin që e rrethon, përfshirë edhe Europën e synuar deklarativisht. Për të shteti i Kosovës tashmë nuk ka kuptimin e ndonjë ideali, sepse një shtet i bërë me arnime politike dhe me copëza identitetesh të deformuara, nuk mund të shërbejë për vizione idealiste, por vetëm për pragmatizëm afatshkurtër. Prandaj ky shtet duhet shfrytëzuar maksimalisht për makutëri dhe harbutëri, për krim dhe korrupsion, me një fjalë për përfitim të shpejtë, pa respektuar asnjë ligj dhe asnjë vlerë morale.

Mund të jetë se kjo rrëshqitje e kosovarëve nga idealizmi në zhbërje vlerash do të ndodhte në çdo rrethanë, edhe sikur në asnjë formë të mos viheshin në diskutim çështjet e identitetit, edhe sikur idealizmi të ishte përfshirë në përbërësit jo vetëm identitarë por edhe politikë të shtetit të Kosovës, sepse shteti i Kosovës ishte një kuadër i porsazbuluar për nga mundësitë për abuzim masiv, nga njëra anë, ndërsa vetë idealizmi i shqiptarëve, në përgjithësi, është i shpenzueshëm, për përdorim afatshkurtër. Mirëpo, nuk mund të mohohet se rruga ose procesi i bërjes së këtij shteti i theu barrierat psikologjike të kufizimeve morale për t’iu nënshtruar negativiteteve. Procesi i degradimit dhe degjenerimit të shqiptarit të Kosovës ishte shumëplanësh dhe u zhvillua paralelisht në disa drejtime. Zhbërja identitare është njëri prej tyre, siç është njëri prej tyre edhe modeli i keq i ndërkombëtarëve të përfshirë në administratën e UNMIK-ut, apo edhe i europianëve të përfshirë në misionin e EULEX-it.

Në këtë proces, pra në procesin e bërjes së shtetit të Kosovës, shqiptari i Kosovës u ballafaqua me rrënimin e shumë shënjtërive, ndër të cilat edhe të luhatjes së identitetit kombëtar. Para këtij procesi, shqiptari i Kosovës mund të reagonte me shumë egërsi nëse i prekej ky identitet. Ai mund të reagonte ashpër edhe nëse i thuhej se Shqipëria nuk duhet të jetë ideal i tij politik. Ai mund të reagonte ashpër nëse i thuhej se shteti i Kosovës në radhë të parë do të bëhet jo për sendërtim idealesh, por për interesa makutërie të klasës politike. Ai mund të reagonte po kaq ashpër nëse i thuhej se 28 Nëntori nuk do të jetë më festë e tij kombëtare. Ai do të reagonte po kaq ashpër nëse i thuhej se shteti i Kosovës do të bëhej për të jetuar keq shumica e banorëve të tij. Ai nuk do ta honepste aq lehtë një nënshtrim pa kushte ndaj bashkësisë ndërkombëtare të politikanëve të Kosovës, për shkak të dosjeve të tyre të krimeve gjithfarëshe. Pra, shndërrimi identitar i shqiptarit të Kosovës në Kosovar ka qenë dhe është i përplotësuar, i ngarkuar dhe i sulmuar nga të gjitha anët me shumë dukuri përcjellëse negative, të cilat ose janë pjesë e këtij procesi, ose e kanë shoqëruar atë hap pas hapi.

 

Shteti si kompromis

 

Prandaj, për shkak të kësaj situate të fillimit, edhe pas decenies së parë të shekullit XXI, Kosova mbeti në gjendjen fillestare të një paqartësie të përgjithshme, një gjendje pezull, sepse ishin zgjidhjet e papërshtatshme politike ato që e vendosen pikëpyetje rreth identitetit të saj. Me kërkimin e një identiteti te ri, po u bëhej një fyerje kosovareve, sepse ata nuk mund të ishin njerëz aq pa vlera, pa histori, sa që tani të kërkonin atribute identitare. Po të merrte një zgjidhje të drejtë statusi i Kosovës, zgjidhje të natyrshme, çështja e identitetit kosovar as që do të hapej ndonjëherë, sepse ai nuk kishte bazë historike, ndërkohë që bazën politike (nëse e ka një të tillë) e krijoi nga refuzimi i zgjidhjeve optimale, apo nga konfuzioni që shkaktoi ky refuzim. Kjo nuk është situatë për krenari, madje është një situatë që përbën një stigmë, sepse të arrish në shekullin XXI me identitet të diskutueshëm, kjo rrethanë përjashton mburrjen dhe krekosjen dhe është e panatyrshme për secilin popull të Europës. Dhe është një damkë që i vihet Kosovës, në një kohë që ajo kërkon zgjidhje për çështjen e saj të mbetur pezull. Kosova kërkonte zgjidhje politike, nuk kërkonte identitet, sepse një gjë e tillë atë e fyen, ia fyen kujtesën dhe historinë. Edhe Europa e dinte se të jesh një popull-thjeshtër, të cilit kërkohet t’i vihet një emër, mund të ketë qenë veçori e shekujve të mesjetës deri në shekullin XIX, por jo e shekullit XXI.

Larg këtyre teorive, rruga e bërjes së Kosovës kaloi nëpër një proces politik arbitrar, që nuk përfillte shumë nga rregullat e bërjes së shteteve, nuk përfillte procesin historik, nuk përfillte idetë shqiptare, të cilat e kishin mbajtur gjallë Kosovën, e kishin prurë atë deri në prag të këtij zhvillimi. Në vend të ideve shqiptare, autentike, Kosovës iu imponua bërja e shtetit sipas ideve dhe teorive kontemporane, modele të transplantuara ose të huajtura. Kjo vinte si rrjedhojë e faktit se Kosova nuk u çlirua me forcat e veta dhe bërja e saj u shndërrua në projekt ndërkombëtar. Prandaj edhe procesi duhej të pësonte devijim. Po të fitonin idetë shqiptare, Kosova nuk do të bëhej shtet, sepse shteti i Kosovës, edhe pse i afishuar përpara se të ndodhte lufta e vitit 1999, jo vetëm që ishte ide e kohëve të vona, por, mbi të gjitha, ishte përimtuar në mendjen e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve si ide kompromisi.

Thënë më saktë, ideja e shtetit të Kosovës lindi në fillim të viteve ’90, kur nisi të zhbëhej Jugosllavia. Më parë kishte ekzistuar ideja e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, jo për të mbetur pjesë e atij shteti, por për  shkak se, sipas parimit leninist, republikat respektivisht kombet mund të futeshin në përbërjen e një shteti socialistkomunist me një marrëveshje, duke ruajtur gjithnjë të drejtën e shkëputjes. Lëvizja separatiste-nacionaliste në Kosovën e viteve ’68-’81 synonte pikërisht këtë, jo bërjen e ndonjë republike të Kosovës me atribute të shtetit, por një republikë socialiste në kuadër të Jugosllavisë, siç ishin edhe republikat e tjera të kësaj federate, e cila në momentin e përshtatshëm do të shkëputej nga ky shtet dhe do t’i bashkohej Shqipërisë. Realisht, lëvizja politike në Kosovë deri në vitet ’90 të shekullit XX ishte lëvizje tipike separatiste. Askund, as në shtypin ilegal të asaj kohe, as në ndonjë diskutim sado joformal dhe klandestin, nuk ishte hedhur ideja për shtetin e pavarur të Kosovës. Pavarësia lindi si njëri nga tre opsionet e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në prag të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, që i nxori një forum i përbashkët i partive politike të Kosovës në fillim të viteve ’90. Nëse mbetej Jugosllavia federatë ose konfederatë, Kosova kërkonte të bëhej njësi e barabartë me republikat e tjera në atë shtet. Edhe e ashtuquajtura deklaratë kushtetuese e 2 korrikut mbështetej mbi këtë opsion. Ky ishte opsioni i parë. Opsioni i dytë ishte pavarësia, që do të vinte si rezultat i zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe i pavarësimit të republikave që e përbënin shtetin federativ. Dhe opsioni i tretë ishte bashkimi me Shqipërinë, nëse ndodhte rikonfigurimi i kufijve në Ballkan.

Përse fitoi opsioni i dytë? Sepse ishte opsion kompromisi dhe në konkordancë të plotë me proceset e bërjes së shteteve nacionale nga ish-federata jugosllave. Në të vërtetë, sikundër dihet, i ashtuquajturi komision i Badinterit nuk ia njohu Kosovës të drejtën e sukcesionit. As marrëveshja e Dejtonit nuk e përfshiu. Megjithatë, parimi më i mundshëm dhe më i afërt për zgjidhjen e çështjes së Kosovës mbeti parimi i ndjekur nga bërja e shteteve të tjera, që dolën nga ish-Jugosllavia. Si të thuash, ky ishte parim i gatshëm, që nuk kërkonte përpunim të rregullave të reja. Më anë tjetër, bërja e Kosovës shtet hapte një konflikt provizor me Serbinë, por i linte të qetë shtetet e tjera të rajonit. Pavarësia, pra, ishte opsion i kompromisit, që shqiptarët duhej të bënin për të ruajtur baraspeshat rajonale, në mënyrë që rikonfigurimi i kufijve të mos hapte kutinë e Pandorës, të mos niste një proces tjetër, atë të rirregullimit të kufijve, që do të ishte edhe më i vështirë se ky i bërjes së shteteve nacionale.

A u pajtuan lehtë shqiptarët e Kosovës me këtë zgjidhje? Para se të ndodhte zgjidhja, shqiptarët e Kosovës qëndruan për një kohë kundruall një sërë opsionesh tmerrësisht më negative. Ata provuan dhunën sistematike serbe, provuan gjenocidin, kështu që ata mund të pranonin çdo zgjidhje politike, e cila do të përjashtonte kontrollin e Serbisë mbi Kosovën, madje edhe një protektorat të përjetshëm ndërkombëtar, ose një guvernë e kujtdo qoftë. Opsioni i pavarësisë i përmbushte pjesërisht ambiciet historike të Kosovës, ndërsa i përmbushte plotësisht ambiciet e klasës politike, përfshirë këtu edhe ata që kishin dalë nga lufta. Gatishmëria pothuajse pa asnjë kundërshtim për ta pranuar pavarësinë, pra, përveç që u kushtëzua me mbetjen nën Serbi ose nën një protektorat afatgjatë ndërkombëtar, u kushtëzua edhe me braktisjen e mbështetjes së aleatëve.

Kosova iu dorëzua atyre që e bënë lirinë e saj dhe, në këtë drejtim, deri në bisedimet e Vjenës, klasa politike e Kosovës mund të thuhet se ishte pothuajse e pafuqishme të ndryshonte çfarëdo qoftë. Thënë me një fjalë, pavarësia e Kosovës tashmë ishte bërë opsion i fuqive vendimmarrëse dhe shqiptarët e Kosovës nuk mund ta ndryshonin atë. Këtë e dinë të gjithë. Por atë që nuk e dinë ose nuk e thonë të gjithë, është se opsioni i pavarësisë kishte modalitete, ndërsa klasa politike e Kosovës, e padijshme, arrogante, jotransparente me popullin e saj, u fut në gracka marrëveshjesh që do ta lëndonin rëndë pavarësinë. Nuk bëhet fjalë nëse pavarësia ishte opsion i pranueshëm për kosovarët ose jo, bëhet fjalë për shkallën e lëndimit të saj, respektivisht për pamundësinë e funksionimit të një shteti normal me kushtëzime të këtilla.

Ta zëmë, askush nuk e ndalonte klasën politike të Kosovës, pjesëmarrëse në bisedimet e Vjenës, që për një mori çështjesh të ishte transparente me popullin e vet, ta njoftonte atë me kohë për të gjitha opsionet, të përfshinte në këtë proces inteligjencën akademike, për disa zgjidhje t’ia kalonte kompetencat Kuvendit të Kosovës, për disa të tjera, që lidheshin me sovranitetin, ta përdorte referendumin. Përkundrazi. Klasa politike e Kosovës, pjesëmarrëse në bisedimet e Vjenës, fshehu çdo gjë nga populli. Ata, me shkurtpamjen e tyre, u futën në një rrugë pa krye, duke bërë kompromise joparimore. Më pas u shpall pavarësia, por pavarësia ishte e kushtëzuar dhe në rrethanat e euforisë pakkush e vërejti se Kosova po bëhej një shtet i lënduar, një shtet që do ta kenë të vështirë ta duan vetë mbështetësit e saj më të flaktë.

 

Please follow and like us: