Nexhat Halimi: Zogu sjell lajmin në liman
Fëmijët e historisë
Ky mëngjes me shi me të panjohura fare
Del për dere të vjetër prapë hyn për dritare
Zgjon sheshit te shtëpi e Lidhjes Shqiptare
Me copëza shpirti e gjak flakës vendimtare.
Eci platformën me figurat flakëruar në ty
E zemra trokon përballë gurit të egër në erë
Gjaku pikon pavdekshëm në këtë pranverë
Ja lart në kala A. Frashëri përhitet uritur aty.
Flamur i Y. Prizrenit me vjet valëzon te yjet
Ky tokës shqiptare pavdekshëm bie te Ulliri
Shqipja e ringjallur vigës e këputur zinxhiri.
Eci platformën ngjarjes mitike e gjaku ndrit
Mes ëndrrës e lirisë Baca Kurti rrëzon hijet
E Lumëbardhi i qetë i prek historisë fëmijët.
Lidhja kohës lëviz
2
Kalaja për vite me radhë qe vdekja vetë
Tashmë ja aty lart hesht në vetminë e vet
E ti prek hijet ëndrrës e gjëmës ndërmjet
Kujtimit të parrëfyer Gjakulli ende tret.
Ecim plagës në kohë varresh të robërisë
Përbri muresh ecën Sala e ofshan ndër lot
Të prangosur e sollën A. Frashërin im zot
Shpirtin e Lidhjes të dënuar gjakut të lirisë.
Ikim në etje urtinë e zërit të gardianit, tek
Rrëfimit të pa rrëfyer vjen Gjakulli e flet,
“Shite bir për bukë orën time me qostek”.
Dëgjohet të psherëtin gjithnjë Abdyli aty
Kalaja e lashtë merr dhëmbit të kohës në hi
E në zemër ec Lidhja njëqind e dyzet vjet.
E fjetura gjakut
3
Përmbi mure në bedena fle reja e tretur
E prek në kala topin gurëzuar e të vjetër
E mendja më ik në Slivovë te beteja tjetër
Ushtri e huaj para malësorësh të paepur.
Secili gati të vdes, secili në tirq me gajtan
Në këmishë të bardha në supe me mitan
Me të mbathura me tufë kuqërreme presin
Në fustanella e plisa për atdheun vdesin.
Tërë `i ushtri ballë malësorësh me zemër
Doli para topi nga villte pandërprerë zjarr
Mici fluturoi veten me emër e mbiemër.
Hapi kraharorin gjak ky i paepur shqiptar
E beteja e mbështjellë mori hov në tym e hi
Gjithçka e fjetur gjakut të zgjohej përsëri.
Peri i identitetit
4
Tre vjet shpirt i Lidhjes s’heshti dot
Eci tashmë më tha e më thua në vaj
S` dua kurrsesi të çaj e megjithatë qaj
Gjaku zgjon besimit në tokë e në zot.
Ecnin udhët e binin çaste fyt më fyt
Secili lëviz perit të identitetit të vet
Gjaku rrjedh, zjarri, kush kënd e vret,
Lidhja shuhet veç dhe prapë ndrit.
Kulla e Drenit në flakë në gjak e tym
Coli vret armik e tradhtar mbi qilim
E në Koshare ende dridhej maje lisit.
Sefa i Lidhjes ajo lulja e gjallë e fisit
E Vokshi ja përhitet gurit të malësisë
Me jehonën e pavdekshme të lirisë.