Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël sonetesh nga Mustafa V. Spahiu

 

SONET ATDHETARIT

 

– Molla Idris Gjilanit (1901-1949. Në 

mbrojtjen Kombëtare të Kosovës 

Lindore 1941 – 1951). Lavdi!

 

 

Nga atdhetarët i kalitur më atdhetar,

Komandant i paepur – syrin pishë…

Guximin e Akilit -frontesh prijatar –

Nëna e lindi – thonë – me këmishë.

 

“Me dy mende s’shkohet as n’xhami!”

– Mundem të madhërojë n’këto vargje?

Molla Idrisi luftonte për komb e liri, se

Ideologu ynë, të kemi bukë në magje…

 

Partizanoçetnikët me mllef i luftoi

Kundër komunizmit topat i kafshoi!

Për Diellin e vatanit s’ndalej prore…

 

Shpirtkulluari ynë ëndërronte fitore,

Mordja trishtohet kur ka tradhëtarë

OZN-ës habere i çuan dy shqiptarë!

 

 

E shtunë, 23 maj 2020, në Dardaninë Ilire.

 

 

 

SONET MARTIRES SHKODRANE

 

 

– Marie Mark Shllaku (Shkodër, 23 tetor 1923 – Prizeren, 25 nëntor 1946).

Kur lindi ONDSH, për çështjen kombëtare, një rol shumë të rëndësishëm

luajti Marie Shllaku. Amen!

 

Para djelmoshash agonte në beteja,

Sheshit t’atëdhetarëve qe më trime,

Për liri ëndrrash rinore në hapërime –

Secila shoqe ishte Marie nga hareja.

 

Hapi krahët në Kosovë e Shqipëri,

Nxitonte sorkadhe – blet’e vyeshme,

Kur fliste në Kuvende – dallëndyshe –

At Bernardini i dha ndihmë, porosi…

 

Maria me dritën e fshehur në zemër

I kallte zjarrin armikut nën thembër,

Shuante errësirë – agimin gdhinte…

 

Tradhëtinë nuhaste – erën ia ndinte;

E imagjinonte me shtatin e hedhur –

Zjarr armiku mbi te është derdhur…!

 

 

E enjte, 28 maj 2020, në Dardaninë Ilire.

 

 

SONET TRIBUNIT TË KOMBIT

 

– Profesorit, Promotorit të NDSH-së, Anteut të Atdheut, ideologut për Bashkimin e trojeve Etnike, Gjon Gjergj Serreçi, Ferizaj u lind më 11 fror 1920 –

u pushkatua nga regjimi çetniko/komunist i Serbisë/Jugosllavisë, më 31

gusht 1947 në Taukbashçe në Prishtinë. Varri nuk i dihet?!Amen!

 

Gjoni deshi t’ia rris emrin trollit të vet,

Atje nga malet i gjallë, i gjallë na flet…

Me shokët e shpirtit-besnik i vetvetes

Farkuar e sprovuar tehut të vërtetes…

 

Hirit të qëndresës – puth’ gjurmët tua,

OZN-a të gjurmonte e tëra u tërbua!!!

Në zonën e thellë të kapën në malësi

Nga shqiptarët shqiptarë në tradhëti!

 

Gjon Serreçi – bilonjë e ardhmërisë,

Me ndërgjegje perlë bir trim i etnisë

Peshores së zemrave prore fjala jote

 

Peng i shekujve – bosht i kësaj bote,

Si shqiponjat çerdhen nuk e braktise

Gjakun trashëgin e fale – të ra hise…!

 

 

E premte, 28 maj 2020, në Dardaninë Ilire.

Please follow and like us: