Cikël poetik nga Sadik Bejko
I huaji në mal
Deti i rërës, gjeth i butë, si lëkurë
femre-mëndafsh, u ep në duat e tij.
U dorëzua. E hëngri rërën dhe e thau
si shtambën i eturi. Një perandori e
tërë e dystuar rëre prapa mbeti –
pas lumenjtë thahen, pyjet zbrazen,
tufat e zogjve qiellit largohen,
hënat kujisin si hiena vdekjeje.
Ishte njeriu që përshkoi shkretëtirën.
Kaq. Herë-herë një erë e thatë i ngjitet
lart gjer te sytë. E nuk sheh më.
Shokë nuk pati dhe nuk ka. As njerëz.
Tash do një kobër të bukur me helm.
Do një gjarpër të bukur. Për shok.
Në natën më të paanë, të paemër të
Pagjumësisë, pak helm Sahare do si
tespijet, si gjerdan gruaje, si shiun toka.
Shtratet e butë, ngeja vrasëse, të
pashpresuarit e mbytin më keq se një ditë
nëpër rërën pa fund e pa shteg.
Dita i bëhet jerm. Në dalldinë e braktisjes
sheh gjarpërin e bukur me helm në hoje,
hojet e ëmbla me helm.
Herë-herë kobra i bëhet femër cullake.
Kupë alabastri me vajin e shenjtë.
Ai ia derdh nga floku në thembër.
Ajo të ndritohet, të mbushullohet
bukur. Për të as hi, as sy, as emër.
Mauzoleu i vjetër
Çati rënë, mauzoleu i vjetër
pret dritën,
e tërheq si vetëtimën
me fosforin e eshtrave të thata
që s’epen,
s’e lëshojnë themelin.
Dhe diell, shi… rrëkëllen
me etje muresh,
dhe erën than.
I trandin, i ndritin muret,
shungullimat e bubullimave
drejt në eshtra bien të flenë.
Pa gjethe vetëtimash ngrihen
në hapa të moteve,
epen e s’shuhen, lisa në zjarr.
Dy gisht erë
Më ha mbrëmja, më gërryen
me kënaqësinë e ofshamave
që zhurmojnë shpellimin e atij
që bie në hon krahënderë.
Zemër, unë të puth ku mund
të të puthin dhe shumë të tjerë
po më lart, dy gisht më lart, në erë,
aty ku dëgjohet sopata tek krasit degë
që më fluturuan prej vetes në qiej,
në vend që të binin në tokë.
Midis mbrëmjes dhe sopatës-veç
puthjen, puthjen tënde të ngrohtë.
Marrë nga vëllimi poetik “Fytyrë e panjohur”, botim Ideart, 2005.