Albspirit

Media/News/Publishing

Jeronim De Rada: RAPSODI TË NJË POEME ARBËRESHE (2)

LIBRI I TRETË

 

  1. FRYN NJË ERËZË

 

Fryn, një erë,  një erëzë,

fryn e hollë dhe vorbullon,

lehtë më hap derën

dhe më tund djalin

të varur në kunjë,

ma tund e ma zgjon.

-Këtu, këtu biri im,

u la vallja e vjen jot ëmë,

vjen me gishtat plot unaza,

plot me lule qafën,

të jep sisë, të ve në gjumë.

 

  1. LIGJËRONIN DY TË RA

 

Ligjëronin dy të ra,

dy të ra dhe gjitone

të sapomartuara.

Thoshte e reja e zonjës Agat:

-Kam unë stoli të arta,

korale e margaritarë,

kam pellushe e mëndafshra

ndër sënduqe dhe dhomave

kam shërbyse që më binden,

m’i dha të gjitha zoti im.-

– Unë vet jam më e lumtur:

në kokë kam shami qiellin me yjet,

dielli është kurora ime,

kam për fustan detin

dhe froni im dheu i gjerë,

ku fle ose rri zgjuar.-

Ju kthye në të qeshur zonja:

-Po sa fatlumtur që jam,

kam në djep djalin e parë,

që kur qesh ose kur qan

mua zemrën ma  rrëmben.

-Dhe unë kam vashëz te djepi

më gugat si engjëllith,

ka vështrimin plot hare;

malli të zë kur pranë s’e ke.-

E ç’do të bëjë kur të rritet?

– Do vjedhë zemrën e tim biri,-

u gjegj zonja e menduar.

 

  1. VASHA QË KISH HUMBË TË ZONË

 

Vasha që  kish humbë të zonë,

të zonë e shoqin e saj,

e s’e ndjente në shtëpi,

po e dinte në burg,

në duar të turqve,

kur të gjithë ishin të lumtur

ra e mundur keq nga malli.

Fshehura la shtëpinë,

çau borën gjer në brez,

akullin deri në gju,

mbrapa la malet e saj,

takoi të dashurin në burg,

e nxori atë dhe hyri vet.

Pastaj u vu t’i lutej:

-O ti zot, mizori im,

mos më le të mykem

se më myket xhokja

që e kam shënuar,

prerë e qepur vet.

Po ti zoti im mizor

mos më le të mykem

se më myket gërsheti

që e kam të pleksur,

pleksur me fije ari

te pallati i zotit tatë.

  1. BIJË E HËNËS

 

Porositi kontesha kontin:

-O ti kont e biri im,

në gjithë malet ti të gjuash,

në mal të kuçedrës mos gjuaj,

se del kuçedra e të ha,

të ha e të përpinë.-

Trimi mëmën s’e dëgjoi,

po dëgjoi të bukurën:

-Në asnjë mal mos gjuaj, trim,

në mal të kuçedrës gjuaj.-

Si u ngjit ai në mal,

doli kuçedra ta hajë.

I trembur djali ju lut:

-O kuçedër, stërkuçedër

lemë të shkoj te nëna ime,

që t’i lyp uratën.-

-Nëm ti besën, pastaj ec.-

Vrapoi tek e ëma:

-O ti mëmë, mëma ime,

nëm uratën e vdekjes.-

Nëna i dha uratën.

Shkoi dhe te e bukura:

-Të falem, zonja ime,

se iki e s’shihemi më.-

-Dua të vij dhe unë me ty.-

Hipi ajo në kalë të bardhë,

ai hipi në kalë të zi,

dhe vanë në mal të kuçedrës.

Sa i pa që larg kuçedra

zuri të gëzohej:

-Lumja unë, lumja kuçedër,

kisha një dhe bëra dy.-

-E mjera ti, e mjera kuçedër,

kishe një dhe s’ke asnjë.-

foli vasha, u afrua

dhe e ngriu, e lidhi në vend.

-Nga ç’gjiri je ti vashë?-

-Jam e bijë e hënës,

kam për at diellin:

vet jam vetëtima e qiejve

që bie mbi male,

mbi male e mbi fusha,

mbi fronin e së ligës.

-Vashë mbi vashat e dheut,

shko ti mirë e me shëndet,

trashëgoje trimin tënd.

 

  1. NUSJA E SKËNDERBEUT

Mblodhi Krujë Skënderbeu

bujarinë e priftërinë,

të kuvendonte me ta

nga ç’anë ta merrte nusen.

-Merre, zot, napolitane –

-Ato vashëzat e Napolit,

të njoma e delikate

gdhihen e ngrysen,

po mundi i shtëpive tona

i mërzit  edhe i mvrejt.

-Ka në Pulje, më afër-

-Bujaresha të hijshme

ka në Bari e Taranti-

-Të mësuara të shetisin

nëpër sheshe veç me lule,

u ngushtohet zemra

te rrethi i maleve tona.-

– Dërgojmë në Sicili,

ka aty mbreti të bijat.

-Nga vapa dhe afshi i detit

e ardhur në shkëmbinj me borë

zonja vashë e humb shëndetin.

Unë e di ç’duhet të marr.

Vajzën e dua arbëreshe

nga gjuha dhe zakonet.

Prandaj, zotër, në doni,

te pallati i Arianitit

dërgojini fjalë zonjës

Donikë Marinëza.

 

  1. ZOTIN NXITONTE VASHA

 

Zotin nxitonte vasha,

-Hidhu shpejt, zoti im,

ta kaluan gjithë shokët,

edhe mbrapa ti të lanë.

Aq me nxit na iku trimi

sa harroi kordhën,

kordhën dhe lahutëzën.

Kur doli poshtë katundit,

atje shokët ja kujtuan.

-O ju shokëzit e mi,

me ngadalë se ju arrij.-

Dhe u kthye pas sërish,

ngjiti shkallët e shtëpisë.

-Hap derën, e bukura!-

Në e dëgjoi s’iu përgjigj.

E thirri për së dyti.

Në e dëgjoi s’u përgjigj.

I thirri të tretën.

Në e dëgjoi, s’iu përgjigj.

I dha derës një të shtyrë

dhe e plasi brenda pragut.

Atje gjeti vashën e tij

që bridh me një trim të huaj.

Shqiti shpatën nga milli,

shpoi njërin edhe tjetrin

të mpirë e gojëkyçur.

Pastaj ngriti e mbylli derën,

i hoqi trimin e vashën,

këmbë e duar ua preu,

copa e thela i bëri

dhe i mblodhi në dy thasë;

i ngarkoi tek një mushkë,

e i grahu në mulli,

ku i hedh të bluhen.

Kur te dishta e mullirit

i pa në dritën e hënës

u çmend e këndoi në kodra:

-O mulliri im i shpejtë,

bëj ti miell me krunde

siç ish trimi i ashpër,

bëj ti miell të bardhë,

sa ç’ish vashëza e njomë.

 

  1. IKU VASHA MUAR MALË

 

Iku vasha e muar malë,

vetëmith  me veten e saj,

duke qarë e duke u çjerrë.

Qenit turk, si mi shpëtoi,

pas e pas ai ju vu,

mal më mal m’e përzu,

tek i treti ja arriu.

E mbërtheu nga gërsheti,

e  hoqi në truall përmbys,

m’e lidhi në bisht të kalit,

i hipi e mamuzet ngau.

Ulërimat që nxirrte vasha

gjëmonin përrenjve;

Kur në pritën e një dreri

Kost Mortati e Ndre Turiela,

Janj Frashini e Nik Peta,

mbajtën vesh dhe e dalluan,

e dalluan mu tek vinte

ashtu mbi kalë kaluar,

që zvarriste arbëreshen.

Një prej tyre doli para,

shkrehu i pari dhe nuk e zuri,

shkrehu i dyti, gjithashtu,

gjuajti i treti, nga nxitimi,

ajo dorë m’e gënjeu.

Atëherë qenit turk,

me murxharin të lëshuar,

udhën i preu Nik Peta

dhe ja shkrehu mu në zemër.

Ra me faqet për tokë,

Ai vate e rrëmbeu kalin

te frerët dhe e mbajti:

po si e pa vashën,

njohu të shoqen tek vdiste.

 

  1. DJALI I HEDHUR NË PUS

 

Luante djali në derë

me një zile të argjendë

mbi sheshin e Lopes.

I ati rropatej larg

për begati e fat.

Shkuan armiqtë andej,

armiqtë e të atit.

-Ky bir gjarpri,

sa i bukur, aq i helmët!-

E rrëmbyen dhe e hodhën

në një pus e shkuan e vanë.

Djali poshtë në ujë,

duke rënë e duke u falur:

-Shënmëri e Karminit,

mos më lër të mbytem,

as edhe të lagem,

se është te mesha zonja mëmë –

Shënmëria e dëgjoi.

Notonte e ngjitej lart

mbajtur mbi ujthin,

e dëgjoi e ëma që shkonte

bashkë me bujareshat,

i dëgjoi të falurit e tij.

Vrapoi te pusi i thellë,

-Merrmë, lalë, ashtu më ruash,

se të jap, ç’ do të duash.-

U ndë mbi pusin e thellë,

gjersa e hoqi e i ra në dorë

djali, e qafën i shtrëngoi,

e buzën m’i puthi, faqes

lotët mi rrokullisen.

 

  1. SKËNDERBEU E BALLABANI

 

Hapi shatoret Skënderbeu,

nën hije shumë të gjera,

ulur rrinin ushtarët e tij

ndanë një lumi të kulluar,

duke ngrënë e duke pirë,

kur na panë një lajmëtar

të vinte nga Turqia.

-Tek ti, Perëndi e Arbërve,

më dërgoi Zoti i Madh,

ku do të ndesheni bashkë?

-Ec e thuaji të më vijë.-

Si u kthye lajmëtari,

Muhameti, u ngrit në këmbë,

bëri e u ranë daulleve

të mblidhte zyrtarët.

-O, ju ministrat e mi,

cilit zemra i thotë,

të më sjellë Skënderbeun,

o të gjallë, o të vdekur?-

Të gjithë dëgjuan e s’u ndjenë.

U përgjigj veç Ballabani,

tradhëtari arbëresh:

-Cila është dhurata ime?

-Nëntëqind mijë dukate

dhe qytetet e Arbërisë.-

-Sonte e ke, vrarë o lidhur.-

Edhe hynë në luftë.

po në mes të udhës,

nga vinte Skënderbeu,

del dhe i qaset para

ai qeni tradhëtar.

-Tani, o qen tradhëtar,

o do çosh ti kokën time,

o do çoj unë tënden! –

……………………………………

Vringëlliu Skënderbeu

dhe i ra freri nga dora;

vringëlliu tradhëtari

dhe i plagosi krahun,

krahun edhe kalin.

Ra në këmbë Skënderbeu.

Oshëtinë me brohorimë

të gëzuar muslimanët

dhe e rrethuan në mes.

Ngriti sytë trimi në qiell:

-Tani më ndih Zoti Krisht,

që më nxorre për së vogli

nga dora e armiqve të tu.-

Qasi krahët në një lis.

Asnjëri nuk guxoi

shpatën që t’ja ngulte.

Po, saora, u lëshuan,

u lëshuan dymijë trima,

gjithë trima të zgjedhur

në malet e Arbërisë,

që i printe Dukagjini,

Dukagjini e Liveta.

Çanë në mes e i shtrinë,

sipër tyre shkelën.

Kur i pa Skënderbeu,

vuri buzën më të qeshur:

-O ti zoti Dukagjin,

veç krahët ti më ruaj,

të luftoj me këtë qen,

të shoh shpatën si e luaj,

flamurin si e valëvis.-

Bëri kryq e u lëshua,

me rrëmbim duke i ndjekur

si zjarri në kallamishte,

gjersa udhët e hendeqet

me koka e kufoma mbushi.

Vetëm një e la të lirë,

atë qenin tradhëtar,

që lajmin ta shpinte:

veshin e djathtë ia preu,

ta mbante për shenjë.

Po  Muhameti kur e pa:

-Ballaban, kryeplaga,

Ç’u bënë mburrjet e tua,

se këtu ti Skënderbeun

gjallë a  vdekur do ta sillje?

-O ti Zot, Zot i madh,

dëgjomë pak  e më kupto,

nuk është krahu që e ndihmon,

po është dora e Perëndisë.-

-Dhe tani sillmi kryet

mbushur tradhëti besimesh

që të nxjerr dufet e mia.-

E rrëmbejnë, e mbi kërcu

kryet i venë e ia presin.

 

 

  1. VASHA FARMAKOS VËLLANË

 

Vashë, në do të duhemi,

farmakose tët vëlla.

-Si mundem unë ta farmakos?

-Të them unë si ta bësh:

Nesër më të gdhirë

dil në një udhëkryq,

prit të shkojë gjarpri i zi,

helmatisës, që s’gjen ilaç,

preji kokën dhe bishtin

dhe m’i shtyp në mes dy gurëve,

hidhja në kupën me verë

tët vëllai, mbrëmanet,

prite dhe jepja ta pijë.-

Vasha bëri siç dëgjoi,

priti të vëllanë në derë,

tek kthehej nga lufta.

-Mirë se vjen, vëllau im!

Merr e pi qelqen me verë,

se më vjen djersitur,

djersitur e i këputur.-

Tre gllënka ai hodhi,

tre fjalë arriti e tha:

-Mjerë, kush i ka besë

motrave të pamartuara!-

E më ra i bërë akull.

Vasha duke u stolisur,

trimi duke dhënë shpirt.

Dhe pastaj i ktheu krahët,

fluturoi tek i dashuri:

-Trim, unë e mbajta fjalën.-

-Shporru tutje, bushtra mizore,

tët vëlla në farmakose,

ç’mund të më bësh ti mua?

Siç kish ardhur bardhakuqe,

vasha erdh e u nxi sterrë,

duke hequr xhoken zvarrë.

 

  1. AJO ZONJË, E REJA E GJIKËS

 

Ajo zonjë, e reja e Gjikës

u afrua tek pasqyra.

Atje hyri mëndesha,

ditëshkurtër e m’i foli:

-Sonte mbrëma qysh nga dje

çehrja vashë t’u ndërrua.

Menate dje më skuqeshe,

sonte mbrëma, zbardhëllohesh,

sikur ethet të të kenë zënë.

Ëndërre turkun e u trembe?-

-Nuk pashë turkun, as ju tremba,

porse zemra s’më ze vend,

si një ditë e si një javë,

zotin sa ma lenë në shpi,

se pas tij vjen dhe lajmi

që e duan për në luftë.

Kur u nis në mëngjes herët,

zemra gulshe më hodhi,

helmi i hidhur më helmoi

dhe një ankth më zbardhëlloi.-

Kur ashtu i fliste vasha,

trokiti lajmësi tek dera.

Shoi me vrap që ta hapte.

-Ç’është lajmi që më sjell?-

-Lajm të zi të kam prurë,

zotin tënd e kanë vrarë.-

 

  1. I ERDH NJË LETËR TRIMIT

 

I erdh një letër trimit

të arrinte Skënderbeun

te lufta në Turqi.

Dhe të jëmën porositi:

-Mbama mirë të bukurën-

-Shko i qetë, biri im,

jam unë për të bukurën.-

Trimi sa kaptoi malë,

ajo mori gërshërët,

vashës i preu gërshetin

dhe e veshi burrërisht

e me shollë në këmbë,

për t’i humbur bardhësia,

që i biri ja lakmonte,

e dërgoi të ruante lopët

poshtë në fushë me të vobektit

dhe i dha urdhër të prerë

që shtëpisë të mos i qasej,

pa kaluar nëntë vjetë.

Shkuan pesëdhjetë javë,

i bëri dy muaj armëpushim

Skënderbeu shokëve

dhe nga lufta me potere

në portë erdhi i biri.

-Hape derën, zonja mëmë.-

-Kush je ti, biri im?-

-Pra, yt bir jam.-

dhe derën hapi mëma.

-Ku më vate ime zonjë?-

-Sa ti bir kaptove malë,

zonja jote më vdiq.

Qysh se shkoi një latin

ajo pas tij bëri krah.-

Duke thënë këto fjalë,

vasha trokiti në portë:

-Hape derën zonja mëmë!-

-Kush je ti, bujareshë?-

-Mirë unë bujareshë jam,

porse zot unë nuk kam.

Përgjigjet i biri nga brenda:

-Do, pra, mua për zot?-

-Përderi sa zonja jote jam.-

-Mëmë. kush është ky djalosh?-

Vasha iu hodh në qafë:

-Vet jam zonja jote.-

Sa ti trim kaptove malë,

mëma mori gërshërët

e më preu gërshetin

e më veshi burrërisht,

e më mbathi shollët,

më dërgoi të ruaja lopët,

pra dhe urdhërin ma dha

të mos qasesha në shpi,

kështu, me bij të vobektish

veçse për tokë fjeta.-

– Ti nuk je mëma ime

që dhunove zonjën time.-

U ndë dhe i ra të jëmës,

e zvarrisi, e nxorri jashtë

dhe kush shkonte thoshte:

-Siç ua bëre, ta bënë!-

 

  1. TREQIND LUMBARDHA

 

Shkoi një trim nëpër rrugë

me një frushkull në dorë,

u përpoq me një vajzë;

ngriti djali frushkullin

dhe i preku gërshetin.

Ndodhi e jëma në dritare:

-Trim, që ngave time bijë,

po s’e dije tani mësoje:

një djalë që nget një vajzë

do ta marrë atë për grua.-

-Taksi pajën dhe e marr.-

Pajën i taksi e jëma:

për cilonin  dritën,

ylberin  për brez,

gjilpërat te kurora,

yjet e marrë te qielli,

dhe e ndreqi, e bëri gati,

pastaj trimit ja dërgoi.

Trimi e mori për dore

dhe filloi ta porosiste:

– Shihe shtëpinë, e bukura!

ka treqind dritare

dhe në to po aq lumbardha,

në duart e tua i le të gjitha.

Çdo të shtunë ti ushqeji,

ushqeji dhe jepu të pinë;

çdo të diel m’i numëro,

se sa të mungojnë

aq kohë unë nuk vij.-

Vasha e gjegji me tërbim,

vej e vij dritareve.

Kur erdhi e diela,

një për një i mumëroi,

më e mira i mungoi.

-Ç’ti them unë zotit tim,

kur të vijë sontenith?-

Erdhi mbrëmja dhe zoti i saj

nuk u duk e nuk u mblodh.

Vajza qau e psherrëtiu,

po s’pushoi duke e pritur.

Zogjtë ushqeu e u dha të pinë

një për një të shtunë mbrëma.

Po të dielën kur u gdhi

dhe lumbardhat numëroi

pa se tjetra i mungonte.

Javë pas jave,

të gjithë fluturuan e vanë

pas zotit të saj për fare.

Ajo në sallat mbetur bosh

ditë pas dite u lodh

dhe u shua si një qiri.

  1. SKËNDERBEU DHE VDEKJA

 

Mëngjes herët kur u nis

Skënderbeu shumë i zbehtë,

shumë i zbehtë e i sëmurë,

dhe luftoi luftën e mbrame,

e përpoqi vdekja,

lajmëtarja e fatit të zi.

-Kthehu nga erdhe, Skënderbe.-

-Kush je ti e nga po vjen?-

-Unë jam Vdekja, që të flas,

jetës sate ju sos filli.-

-Hije, je, a ajër ti,

që nuk ke zemër në gji

dhe njerëzit zë i tremb,

ku e di se unë do vdes?-

-Dje u hap në qiell

libri i të vdekurve

dhe papritur, e zezë, e ftohtë,

diçka si vello, a s’di se çfarë,

u ul e ra mbi kryet tënd,

pastaj shkoi tek të tjerët.-

Tha e u fik ëndërra e jetës.

-Jetë, pra, nuk do të kem më?-

Dhe filloi të mendonte

për vitet që që do të vinin.

Pa të birin si kërthi,

si kërthi e pa baba,

dhe vendin veshur në zi.

Gjithë i nxirrë, aty për rreth

mblodhi shokët e u tha:

-Ushtria ime që s’u mposhte,

po një ditë prej ditësh turku

do ta marrë dheun tonë

dhe ju ve që t’i shërbeni.

Dukagjin, i miri im,

birin tim ma sill këtu

që t’i them, ç’dua t’i them.

Dhe i suallën të birin,

me flokë të arta lëshuar.

– Lulezë e braktisur,

lule e kësaj zemre,

merr ti mëmën dhe tre galera,

nga më të mirat që ke

dhe ik këndej pa humbur kohë,

nëse turku këtu ju gjen,

ti të vret dhe nënën tënde

e rrëmben, e merr me vete.

Si të mbërish, para ikjes,

në zall të detit,

atje është një qiparis,

i hijshëm e  plot pikëllim,

atje lidh ti kalin tim.-

Duke dëgjuar këto fjalë,

zunë të qajnë me dënesë,

zotat e bujarët rrotull.

-Mbi kalin, në erën e detit,

hapeni flamurin tim

dhe në mes të flamurit,

lidheni shpatën time.

Kur të fryjë tramundana

gjogu do hingëllijë,

flamuri do valëvijë

dhe shpata tringëllijë

nga qiparisi i vrërët,

turku ta dëgjojë e të trëmbet

duke kujtuar vdekjen

që fle tek shpata ime

dhe mos dijë nga të shkojë.

 

  1. PAL GOLEMI

 

Sontenith me dy orë natë

dëgjohej një rënkim i gjatë;

s’ish rënkim po Pal Golemi

i rënë  ndanë kalit,

i plagosur e frymëkëputur

që u lutej shokëve:

-O ju shokë, o ju vëllezër,

po ju lutem, përgjërohem

të më vini nën dhe

dhe ta bëni varrin tim

aq të gjerë dhe aq të gjatë

sa të nxejë bashkë me mua

shqytarët që ranë pranë.

Pra, ndër këmbë të varrit tim

të më vini flamurin,

flamurin dhe armët.

Pra t’i shkruani e t’i thoni,

të ja thoni mëmës sime,

atje ku më qep këmishën

(duke e spërkatur atë këmishë

me lotët e syve),

të ma terrë atë këmishë

me zjarrminë e zemrës.

 

I shkruani dhe së bukurës,

në se ende s’është martuar

me të kuqtë e faqeve

të qëndisi vellon

e t’ më vejë në atë kishë,

e të kthehet në atë shesh,

e të shoh shokët e mi,

që ngrefen kur kalon,

e të hyjë në të ftohtën kishë,

të lëshojë një rënkim,

një rënkim e një vajtim,

sa gjith kisha të kumbojë.

 

  1. ERDHI ANIJA NGA MESI I DETIT

 

Erdhi anija nga mesi i detit,

erdhi në portin e Koronit.

Nga gjithë zonjat e Koronit

asnjera nuk  hypi,

vetëm ajo, zonja Rinë.

-Mirë se erdhët, marinarë!-

-Mirë se na vjen, ti zonja Rinë.-

-Ku i keni mëndafshërat?

-Hyrë, zonjë nëpër dhomat.-

Zonja zgjidhte stolirat,

të kunatën për të martruar,

zgjidhte dhe i vinte në duart

e shërbyesve, e shërbëtoreve.

Dhe ata lëshuan anijen,

lehtë lehtë pa u ndjerë.

Kur ajo na e pikasi,

ishin larg në mes të detit.

– O ju qenë, o marinarë,

ndaleni për pak anijen,

sa t’i lutem për tim bir

kunatës sime të palodhur,

kur ta lidhi t’i vajtojë:

“Bir, ku të shkoi jot ëmë?

Shkoi e vate në Turqi;

në vend të qumështit që të jip,

ka kush t’ja lakmojë

nderin dhe bukurinë.

Eh, po faqet e sat ëme?

Do t’i bëjnë lule altari,

Eh, po gjirin e sat ëme?

Pasqyrë ku të shihen.”

Po im bir, një copë borë,

është i vogël e do në dorë.

Lermëni, marinarë, të shoh

nga kuverta, shtëpinë time.-

E mundi zonja e pafat

zemrën gur të marinarëve.

Kur e nxorrën në kuvertë,

sa hap e mbyll sytë

u hodh në mes të detit.

Dallgët që e mbytën

e shtynë në plazh të  Koronit.

Erdhën të varfërat e Koronit

dhe m’i puthën duart

se qe grua bujare,

erdhën zonjat e Koronit

qanë e u falën,

dhe i ngrenë sipër një kishë.

 

  1. VDEKJA E SKËNDERBEUT

 

Shkoi një ditë e mjegulluar,

mjegulluar e me dhimbje,

sikur qielli të vajtonte.

Kur u gdhi dita me shi,

një ulërimë u ndje nga tregu

që hyri dhe futi zinë

ndër  zemra e ndër pallate.

Ishte Lekë Dukagjini,

ballin rrihte me një dorë

dhe me tjetrën shkulte flokët.

-Tundu nga themelet, Arbëri,

eni zonja e bujarë,

eni të varfëra e ushtarë,

eni qani dhe vajtoni,

se qysh sot jetimë ngelët,

pa prindin që ju këshillonte,

ju këshillonte e ju ndihte,

dhe nuk ka më kush tu a ruajë

hijeshinë e vashave,

gëzimin e gjitoneve:

prindi e Zoti i Arbërit,

këtë natë ka vdekur,

Skënderbeu, s’është më.-

Dëgjuan shtëpitë e u dridhmuan,

dëgjuan malet e u çanë,

këmbanaret e kishave

vetmevete kumbonin zi:

po në qiejt që hapeshin

hynte Skënderbeu i pafat.

 

  1. KËNDOJ E ZGJUAJ UNË TIM ZOT

 

Këndoj e zgjuaj unë tim zot

po ta zgjoj, ç’mund t’i them?

po t’i flas për helmet tona,

t’i nxjerr gjumin, vallë më e zë?

 

  1. ISH NJË ZOT SHUMË I ASHPËR

Ish një zot shumë i ashpër

ish me një të lidhur.

Askush s’guxonte t’i fliste

po një vajzë bujareshë,

kuturisi dhe i foli:

-Zot, në je ti kaq i fortë,

të vemë një kusht bashkë:

cili nga ne të dy

më shumë gota verë pi.

Ti vë bast të lidhurin,

unë ve shtratin e qëndisur

me fijet e mëndafshta.-

Zoti pranoi me kënaqësi.

Vasha porosit shërbyset:

-Kur t’i shtini verë turkut,

plot ju kupën mbushjani;

kur të shtini verën time,

kupën plotë mos e bëni,

po çurka uji hidhmëni.-

Pastaj, në krye të tryezës

ajo e kuqe, duke qeshur,

sa mori qelqin me verë,

i hedh brënda borën e bardhë.

Zoti, i nxitur nga kjo hare,

duke pirë e mbushur kupën,

lehtë në fron u kumbis

dhe ngadalë e zuri gjumi.

Zonja vashë, të lidhurit

armë i dha e u nis me të

drejt e tek zalli i detit.

Hypi në anijen që e rrih era

dhe në bregun tjetër zbriti.

Si shkeli në zall të huaj

ngeli si e shastisur

dhe i u kthye detit:

Mori e bukura More,

siç të le, më s’do të shoh!

Atje kam unë tim vëlla,

atje kam unë zotin tatë,

të mbuluar nën dhe,

O e bukura More,

siç të le më s’do të shoh!

 

  1. NË KËSHTJELLË TË NAPOLIT

 

Nga qyteti i Napolit

dje dëgjuam një shkundullimë,

si gremisje në det të thellë.

Nga gjëmim i bombardave,

më kumbonin malet-o:

tymi i mushqetave

mjegulloi detin,

tringëllimi i shpatave,

gjethe lisash shkundi,

gjersa në mbrëmjen e zymtë,

në sheshet e Napolit,

me kokë të prera e pellgje gjaku,

u ngrit me mburrje e foli

zoti i madh i qenëve turq:

-Më thuaj,ushtri, besnikja ime,

cilit zemëra ja mban

të çajë dyert e hekurta

në kështjellë të Napolit

dhe të ngrejë flamurin tim?

Të gjithë dëgjuan e s’u ndien,

veçse u përgjegj Vllastari:

-Rofsh o zoti ynë i madh,

mua zemëra ma thotë

të shemb portat e shkel sipër,

tek kështjella e Napolit

të Napolit e të Modones,

e të Koronit me fusha rrotull.

 

  1. DOLI E BUKURA NË DERË

 

Doli e bukura në derë

me kanistrat plot me bukë,

me fiaskot mbushur verë,

dhe me kupën nëpër duar,

të pinin të varfërit,

të varfërit dhe ushtarët.

-O ti i varfër e plot plagë,

që më kthehesh nga beteja,

mos ma pe gjë zotin tim?-

-Zonjë, pashë shumë ushtarë,

zotin tënd nuk e njoha.-

-Ish një trim shumë i bukur,

i bukur e plot shëndet,

me mustaqe përdredhur,

me një kalë që hingëllinte,

paravithet e mëndafshta,

të stolisur me argjend

dhe me flamurin në dorë.-

Duke folë, e bukura,

e njohu kalin e të zot

me kapistrën nëpër këmbë,

me shalën nënë bark,

e me flamurin copë copë.

-O i shkretë e i tromaksur,

po tim zot ti ku e le?-

-Mori zonja, ime zonjë,

të ta them do të helmohesh:

Ish një ditë e mjegulluar

dhe një natë mbushur me tmerre,

kur në mesditën tjetër

dyert e Napolit

krejt u hapën e në sheshe

ndezi lufta aq mizore,

sa dhe shkuma e kuajve

zbardhi gjithë kalldrëmet

dhe gjaku i bujarëve

rrodhi e gërryejti dheun,

llërët e zonjave u bënë

kandile ndanë udhëve.

Zoti im s’u tërhoq,

po luftoi mbi armiqtë

gjersa erdhi nata

dhe qëndroi i pasmi

që të mbyllte dyertë

i vetëm mes betejës.

Më beso, o zonja ime,

këmba mua as m’u pengua,

mua gjuri as m’u përthye,

gjithë sheshet unë i shkela,

gjithë përrenjtë i kapërxeva,

po tek pjaca e Napolit,

tek një kishëz e errët,

përmbi pllakën e mermerit

vura këmbën edhe shkava,

mu hodh sipër qeni turk

dhe më preu krifën.-

 

  1. HUMBI RINA RADAVANIN

 

Humbi Rina të vëllanë,

të vëllanë, Radavanin.

Tri ditë që e kërkoi,

tri ditë me diellin,

tri netë me hënën,

pastaj e gjeti të vrarë,

të vrarë me kokën  prerë

në shesh të Napolit.

E ndihmuan të varfërit,

e vunë mbi mushkë të zezë,

dhe u nis mbrapa saj.

Udhës në një përrua,

u prë dhe e uli të mbuluar

me flamurin e vet.

Shkoi hordhi e Arminoit.

-Nëm një pikë uji Rinë!-

-Ujë unë s’kam me se ta jap.-

-Nëma me grushtin tënd, o Rinë.-

-Grushti im plot unaza,

pikë uji nuk mban,

dhe atë pikë që ma mban,

do ta ruaj për zotin tim.-

 

………………………………..

-O ti qen, e tradhëtar,

ti mos folë kështu me mua,

se në zgjofsha tim vëlla,

copa e thela do’ju bëjë.-

-Po të qofsha falur, Rinë,

sa të lemë këtë mal,

këtë mal e tjetrin.-

Ata ikën e zonja Rinë,

zuri vajin mbi vëllanë:

-Radavan,vëllai im,

edhe tani të tremben,

pa mendo të ishe gjallë.

 

  1. OLIMBIA E VLASTARI

 

Në rezet e trishtuara

të diellit të mbrëmjes,

mblidhte lule vashëza,

mblidhte te sheshi i Koronit

manushaqe të reja.

Mblidhte lule e këndonte

duke vajtuar fatin e vet.

Kur ja, i erdh përsipër

s’di se nga qeni mysliman

e zuri nga gërsheti

dhe e çoi tek një zot,

sa i bukur aq mizor.

Pastaj, në natën me hënë,

pa një zogë krahëzezë,

që sillej rrotull

shatores së këtij trimi

dhe ofshante e qante:

-Mjera unë, e mjera zogë,

puth i vëllai të motrën!-

I zbehur djali i thotë vashës:

-E ç’gjirie  je ti vajzë

që zemrën  e mbushe me lot?-

-Jam nga fis shumë i lartë,

nga princat e Mirditës.

Mbi anije, tek deti ynë,

tim vëlla ka katër vjet,

e rrëmyen e e vranë kusarët.

I njëjti fat më sjell dhe mua

në këto duar rrënimtare

që e shuan derën tonë.

-O mallkim i padëgjuar!

Olimbi, motëra ime,

jam vet Vlastari, yt vëlla.

 

  1. LAMTUMIRË, DHEU IM!

 

Krejt e veshur në të zeza,

doli një vashë nga qyteti,

shkoi të marrë uratën,

uratën e dheut të saj.

Takoi manin e zi

dhe këputi degën me fletë,

takoi mollën dhe këputi

degën me mollë të bardha;

mblodhi lule në prëhër

pastaj nisi që të qante

pamjen e dheut të saj.

-Oh, lamtumirë, dheu im,

të përshëndes se po të le

e të të shoh s’do mundem më,

nuk kam vend unë ku të vete,

pa qytet ku të vonoj,

pa shtëpi ku mund të mblidhem!

Këto degë e këto lule

vyshken me t’u larguar

po asgjë mallin nuk ma shuan.

 

  1. TRI GALERAT E ZOTIT NDRE

 

Mjelma e bardhë, e bardhë,

lëshoi fërshëllimëzën

të shkrifërohej deti:

Bëri gati zoti Ndre,

bëri gati tri galera

për jetimët e Arbërisë.

E para e anijeve

u ngarkua plot me vasha,

e dyta e anijeve

u ngarkua plot me trima,

e treta e anijeve

ish ngarkuar bukë e mëndafsh.

Tani u nisën ato e vanë

nga perëndimi, në dhe të latinëve…

Kur në breg të zallit të huaj

ishin shtangur të kthyer këndej,

gratë e të huajve

shkuan t’i njohin nga afër

dhe një mall i fshehtë

u rritet në zemër,

dhe një lotë i bukur

u pikon syve.

 

  1. PJETËR SHINI

 

Qëndruar me shumë pak

në mes të turqve zoti Pjetër,

shpatën s’e futi në brez,

vet luftonte me një kope,

si në këmbë dhe kaluar.

Papushim vinin andej

nga saraji i Zotit të Madh,

të qarat e turkeshave.

U ngrit pra Zoti i madh

shkroi e dërgoi në qytet

e për gjithë dheun, tellallët

zunë e thirrën sa u gdhi:

– Çdokush që t’i përgjigjet

zoti i madh premton e jep

dhjetë katunde të begatë

e të bukurën zonjë,

të shoqen e Pietër Shinit,

kur të gjallë o të vdekur

të sjellë Pietër Shinin. –

Erdhi mbrëmja plot me mjegull

kur një shok, një kushëri,

s’di si e zuri zotin Pietër

dhe ua dha qenve turq.

Si e shtinë ata në dorë,

i përdrodhën mustaqet,

në qafë ja lidhën kryq,

e shpunë te Zoti i Madh.

Foli e i vunë dy frona,

njërin për zotin Pjetër

dhe tek tjetri u ul vet,

zuri për ta pyetur:

-O ti zoti Pjetër Shini,

të vërtetën më thuaj:

kaq vite që më luftove,

sa të vrarë e të plagosur

më kushtoi inati yt?

– Do të them të vërtetën:

Janë njëzetë e katër vjetë

që luftova ushtrinë tënde,

për nderin e gjakut tim;

dhe kanë rënë nën shpatën time

dy mijë e katërqind.-

-Atëhere, unë, zoti Pjetër,

vetëm njëzet e katër ditë

dua të të le të varur

mbi det, tek një shtyllë.-

– Bëj si të duash, Zoti i Madh,

e di se nuk më munde vet:

po jo mbi detin

por në mes të qytetit tënd,

shpatën ma ver tek brezi,

tek ninullë e ajrit,

se ajo nga tundja tringëllin,

kur turkeshat ta dëgjojnë

shkrëngojnë të bijtë në gji

e u thërrasin të zotëve,

t’u mblidhen në shtëpi.

 

  1. BIJA E GARADINIT

 

Ra turku, po ku më ra?

ra me pesë galera të shpejta

tek ishin vashat arbëreshe

ishin e tëharnin vreshtat.

Si më ra, ai më rrëmbeu

të bijën e Marqianoit,

me atë nusen e Kandrevës

e vashën e Garadinit,

drita e syve të të jatit.

Garadini, aq i dhimbsur,

nga trishtimi u bë murg,

shkoi dherave dhe detit,

nga qyteti në qytet,

arriti deri në Selanik,

tek bëhej një panair.

Në shesh para pallatit

ish një turk që vrente tregun.

Kur të huajin atje e pa,

dërgoi e thirri të shoqen:

-Eja e shih një kallojer,

një kallojer të krishter,

që të kujton të largëtit vise.

-Bobo, i veshur si kallojer,

Garadini, zoti tatë –

– Thirri të ngjitet lart.-

– Hipu at, tek ky pallat.-

Hypi nga shkalla në shkallë,

shkoi në dhoma e salla,

ku gjeti të bijën

që i shtronte tryezën.

Pirunjtë ishin të artë,

ato thika xixëllinin,

qelqet të qëndisura

me lule e zogj.

Mbi pjatancat e ergjëndt,

vunë ketra e shapka,

dhe sollën tek tryeza

bukë të situr nëntë herë.

-Zot edhe ati im,

ulu dhe  shuaj urinë

se më vjen i lodhur,

në kërkim të bijës humbur,

që më gjete e prapë s’më gjete.-

-S’dua të ha, as dua të pi

në këtë shtëpi nuk prek asgjë.

Në më do vërtet, o bijë,

bëhu gati të nisemi. –

-Zoti tatë, ec me shëndet,

në se ke ndërmend të shkosh:

unë me ty a s’mund të vij,

ku ato ndrikulla që kisha,

me qesëndisje të më shajnë:

“Shih, e shitura për korale,

e lënë nga qeni turk”

dhe jetën do ta fshija krejt.-

-Bijë, me fjalët e njerëzve je,

më e lidhur se me TynëZotin…

 

  1. ASKUSH FATIN S’E LEXON

 

Vinte një trim  rërës së lumit,

vinte duke bredhur;

po nga shkëmbi më i afërt

iu përgjigj një kukuvajkë:

-Në daç bridh, në daç jo, ti trim,

i lumtur me moshën tënde,

je midis jetës dhe humnerës.

Sot e nesër, atje lart

shënohet dita e çdo të gjalli,

pastaj libri mbyllet,

askush fatin s’e lexon.-

 

  1. KALLOGREJA

 

Në një zall të vetëmith,

të vetëm e të trishtuar,

këndonte një kallogre.

Duke kënduar, një lumë lotësh

i rridhte nëpër mollëza.

Shkoi një plak atij deti:

– O ti, kallogre e shenjtë,

pse s’këndon ti në të bardha,

po këndon në të përzishme?-

-O plak, i huaji plak,

si të këndoj unë në të bardha

me llahtarën që më rri

para syve e në gji?

Qyteti ku u linda

plot fisnikë e madhështi

në një ditë të zezë ra.

Kufomat e trimave

mbushën gropat dhe hendeqet.

Kokat e të rinjve

u bënë gurë për kalldrëme.

 

Qenë vasha të dhunuara,

kërthinj mbushur plagë.

Të shpëtuarit atëherë

në sheshin që lëroi vdekja,

vanë e mblodhën eshtrat,

bënë lule e shandanë,

rrathë për varret

dhe kyçe për dyert.

Dhe ringritën kishën tonë,

kishën tonë të djegurën,

tek çukë e atij mali,

e ndreqën ashtu dhe e hapëm,

thamë meshën e të vdekurve.

E vetme nga të gjithë

tani kujdesem për ta

dhe hapet një herë në vit.

Kur vijnë gjëri e të katundit

dhe i falen me besë

zotit të ngritur nga varri. –

 

  1. E VEJA DHE DJALI I PJETËR SHINIT

 

Me ca shokë, dy kushërinj

dërgoi e veja e Pjetër Shinit

dhe e i zunë pritën qenit,

tradhëtarit të zotit të saj.

Ata e përpoqën në mes

të shërbëtorëve të tij

dhe s’e lanë të nxirrte shpatën

po i prenë kokën,

në përrua e rrokullisën

drejt e brënda një moçali.

Pastaj zonja e pafat,

mori djalin dhjetë vjetësh,

i dha kal dhe para,

e futi në një manastir

të mësojë e të lexojë

në malet e Skllavunit.

Mësuesi si e pa,

nisi që ta pyeste:

-Djal, që erdhe të studiosh,

më thuaj, ç’do ti të mësosh?

Se ne lindëm te ky dhe,

bijë të Zotit që e stisi.

O, sa njerëz  këtë qytet

me vepra e ndryshuan!-

-Dua krahëve t’u shtoj fuqinë,

kuajt t’i bëj zap e kalëroj,

dhe shpatën ta zotëroj,

sepse atje poshtë një armik

që më vrau atin tim,

në pallate e mes fisnikësh

rri krekosur me ata që e ruajnë.

 

31.KU MUNGOVE KAQ VITE

 

Dëgjohej potere së largu,

hingëllima kuajsh:

mbylla derën  nga brënda

prej nga ruajta rrugën

ku vinin krushqit me nuse.

Ai q’i mbante frerin nuses

ishte trimi që më desh.

Me shami më përshëndeti,

frerin që mbante lëshoi.

Renda shpejt e i hapa derën.

Gjindja duke shkuar

dhe unë duke e pyetur:

– Ku më vajte që mungove,

që mungove kaq vite?-

-Rashë unë në dorë të turqve,

dhe zoti më vuri t’i shërbeja

turkeshës së tij të bukur.

Kur ngrihej në mëngjes

duhej t’i vishja  të bijtë,

t’i vishja e t’i mbathja,

zjarrin duhej që t’ja ndezja.

Pra të gjitha me nge i bëja,

ajo më buzëqeshte

dhe ikte me zotin e saj.

Dhe unë zbrisja në breg

të detit, shumë të gjerë,

duke qarë fatin e gjorë.

Gjersa u sula në gji të tij

o të arrija te dheu im

o i vdekur të mbaroja.

Mbrrita në zallin ku në hije

tri vasha arbëreshe

kullosnin tri qingja-

-Si u fute, o i pafat,

te kopshti i zotit të madh?

-Oh, ju qofsha falë,

mos më kallzoni vasha,

gjersa të unë të thahem.-

-Shko, ja dhe veshjet!

Shkuan krushit me një dhëndër,

shoqërus më vunë të nuses së huaj.

 

  1. LIGJËROI PLAKU ME MALET

 

Ligjëroi plaku me malet:

– O ju male shumë të lartë,

pse s’më përtërini mua,

vit për vit si veten tuaj?-

Dhe tha me vete i mjeri plak:

-Eh, i ri të isha prapë,

brof të ngjitesha mbi kalë

shpatën të ngjeshja në brez,

prapa shpine dhe lahutën,

jetën ta merrja përpjetë,

stoli e pare  të fitoja,

pjesë shokëve nuk u bëja.-

Prapë mendoi i mjeri plak:

-Gaz i botës mos u bëj,

hidhe trastën krahëqafë,

ver kungullin në brez,

merr bastunin në dorë,

edhe dil derë më derë,

duke lypur bukë e verë.-

Please follow and like us: