Albspirit

Media/News/Publishing

Librat dhe leximi në rrëfimin e Albert Frashërit

 

 

Valbona Nathanaili

 

Mund të na thoni dy fjalë rreth vetes? 

Kam lindur, rastësisht në Berat, në 1945. Rritur në Tiranë. Fëmijëria, edhe pse me vështirësi ekonomike, rodhi e pasur shpirtërisht, me lojra në grupe fëmijësh në ajër të pastër, me libra e deri edhe me shahun dhe me fushën e tenisit “Nallbani”, pranë shtëpisë sime. Këto e superonin vështirësinë e prindërve për të na rritur, ushqyer e veshur. Komshinjtë, tiranas nga Farka, ishin njerëz fisnikë e të paharrueshëm. Kur fillova universitetin, Ramizi, shoku dhe fqinji im, do të nisej ushtar dhe, siç ishte zakoni, të afërmit i dhuruan një sasi lekësh. Ai bleu një çadër, më të shtrenjtën, dhe në darkë erdhi e ma dhuroi: “Që të mos lagesh kur shkon në shkollë”, më tha.

Universiteti kaloi fluturimthi me shokë të mirë, shumë prej të cilëve kishin vështirësi të mëdha ekonomike si edhe unë.  Një grup profesorësh të aftë e njerëz të vyer e ndikuan pozitivisht formimin tonë kulturor. A. Minga, M. Naqo, P. Pilika e A. Karçanaj ishin matematicienë me integritet moral të lartë e njerëz të pavarur. Dolëm në jetë, në teatrin e hipokrizisë të një regjimi mizor dhe pak prej nesh patën fatin të gëzojnë frutin e studimeve. Kemi punuar edhe në krah të ndonjërit që denonconte kolegët për herezi kundër partisë. Një shoqja ime pësoi një fatkeqësi të tillë dhe bëri shumë vite burg edhe pse ishte e bija e një artisti të njohur. Beci, e quanim ne, shokët e saj. Këto janë të vërtetat që karakterizuan jetën tonë e që nuk duhen harruar. Të tjerat kanë më pak rëndësi. . . .

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Vazhdimisht mbaj mbi komodinë Biblën (Ungjillin), një libër të historisë antike dhe një libër të tretë që e ndrroj herë pas here. Ky i treti zakonisht është mbi filozofinë e shkencave ose ndonjë esè mbi artin. Zakonisht shkoj në shtrat afër mesnatës, por gjithmonë lexoj ndonjë gjysëm ore nga këto libra. Natyrisht këto të mesantës janë lexime fragmentare. Bibla është një libër themelor për të kuptuar raportin e njeriut me fenë. Çuditërisht në ato që tregon shpesh herë gjejmë kohën tonë. Fjala vjen, Përmbytja Universale, Kulla e Babelit rrëfejnë korruptimin e cilësive njerëzore dhe dënimin e Perëndisë duke shpëtuar njeriun e thjeshtë Noè dhe speciet e botës së gjallë. Kjo është pikërisht dilema e madhe e njerëzimit në kohën tonë: babëzia dhe kotësia, po rrezikojnë jetën në planetin tonë. Por Natyra ka një zgjidhje: zhduk nga faqja e Dheut shkakun, pra specien tonë, pikërisht si bëri Perëndia kur shpëtoi të urtin Noè bashkë me të gjitha speciet dhe dënoi vetëm Njeriun, fajtor i përmbytjes universale. Bibla është një libër i magjishëm.

Cili është libri i fundit që keni lexuar e ju ka ardhur keq që e mbaruat?

Para pak kohe, fundi i vitit 2017, historiania Fatbardha Demi më shkruante për nevojën e një libri te shek. XVIII të autorit arbëresh Nicolò Chetta (Nikolla Keta) me titull “Tesoro di notizie su de’ macedoni” (Palermo, 1777). Bëra një kërkim dhe më së fundi e gjeta në Bibliotekën e komunës Piana degli Albanesi afër Palermos. Ata e kishin librin të ribotuar në 2007 nga Universiteti i Palermos. Këtë libër ma dërguan pranë Bibliotekës së Ternit ku unë jetoj. Më derguan edhe një tjetër libër, “Lexicò”, të po atij autori arbëresh, të cilin ma dhuruan. E skanerizova vëllimin prej 560 faqesh të veprës së parë dhe ia dërgova Dr. F. Demit bashkë me “Lexicò” në Paris, ku ajo gjendej në atë kohe. Më pas, në qershor 2018, e lexova veprën e Nikolla Ketës dhe mbeta pa fjalë. Titulli “Thesar njoftimesh mbi maqedonasit” dëshmon që ajo vepër ështe vertet një thesar që duhet njohur nga shqiptarët dhe historianët. Autori me një prozë elegante dhe logjikë bindëse tregon që maqedonasit janë ilirë dhe që gjuha e tyre ishte ilirishtja. Në fakt ajo vepër më habiti për vlerën e madhe që shpreh dhe më ballafaqoi me varfërinë dhe pakujdesinë që ne tregojmë për çështjen kombëtare. Kjo më bëri të ndjehem keq. Si është e mundur që një vepër të tillë madhore ne intelektualët të mos e njohim dhe të mos kemi asnjë ide per ekzistencën e saj? Ky është libri i fundit leximi i të cilit më pezmatoi.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Në rininë time lexoja më shumë romane, tregime dhe poezi, por isha ambjentuar edhe me lexime të natyrës historike dhe mbi muzikën. Me kalimin e moshës leximi orientohet shpesh herë kah interesat që na dikton jeta. Në këtë orientim ndikon shumë edhe aftësia për të kuptuar që sipas njeriut, me kalimin e kohës, mund të kufizohet ose, në të kundërt, të perfeksionohet. Sot unë lexoj më shumë libra me përsiatje, esè apo saggistica, siç quhet në italisht.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë?

Nga më të preferuarit ishte romani “Djemtë e rrugës Pal”. Mbaj mënd që një mbrëmje, rreth orës 19, prindërit më dërguan të prisja motrën time më të madhe që do të dilte nga shkolla ku kishin një lloj aktiviteti. Kjo detyrë më ndërpreu leximin e librit. Por unë e mora me vete dhe e prita motrën buzë rrugës duke lexuar në trotuar nen dritën e një shtylle. Bota e fëmijëve të atij libri, nga më të lexuarit e të gjitha kohërave, i ngjante shumë femijërisë sonë: lodra në rrugicat dhe kopshtijet e lagjeve, në natyrë dhe me pasion duke rrezikuar edhe të vriteshim. Ne ishim të privilegjuar, kundrejt fëmijëve të sotëm, sepse u rritëm më pranë Natyrës.

Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Kam adhuruar shumë personazhe, si Andrew Manson (Çittadella, A. Cronin), Andrea Bollkonski (Lufta dhe Paqja, Tolstoj). Nga kohët më moderne do të citoja Winston Smith (George Orwell) apo personalitetin kompleks të Dorian Grey (Oscar Wilde) i aftë të futi lexuesin në meditime të thella. Nuk di të përcaktoj ndonjë personazh që të më ketë shërbyer si model. Natyrisht duhet të jem ndikuar nga jeta e personazheve të tillë. Kush lexon edhe bashkëjeton, në një farë kuptimi, me personazhet virtualë të librave.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Janë poezitë e Rilindjes Kombëtare për vlerat universale që shprehin për botën shqiptare dhe të ardhmen e saj. Jo të gjitha kombet kanë patur një Rilindje të tillë, të ndritur, largpamëse e thellësisht europiane. Pra është aroma e përjetëshme që sjellin “Lulet e Verës” ajo që ndjej të kem më pranë.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Italisë, cilin titull do zgjidhnit?

Do i këshilloja të lexonte historianin e epokës klasike të Romës në veprën “Natura – Storia, libri III, faqe 102-110) sipas të cilit, “Populli ilir është themelor për zhvillimin e popujve prehistorikë; sipas legjendës nga 9 të rinj ilirë e 9 virgjëresha ilire lindën 12 popuj”. [ Plinio, Natura,  Storia,  III,  p. 102 – 110 ] Popujt fqinjë duhet të njohin më mirë njëri-tjetrin e jo të shprehin superioritete fiktive. Shqiptarët janë një komb i shquar, por ju mungon vetëdija për potenzialet njerëzore që kanë… dhe ky është një problem i madh.  

Po për Presidentin e Shqipërisë?

Të zgjohen nga gjumi një gjysëm ore më herët për të lexuar e mësuar përmendësh vargje të Naimit, Fishtës, Mjedës, Nolit dhe Migjenit.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale tuajën për lexim?

Në familjen time shohim pak televizor. Kryesisht janë programe te natyrës enciklopedike: Natyra, arti, shkenca dhe historia. Janë programe shumë të pasura dhe interesante. Për të lexuar zgjedh intervale kur jam i qetë. Leximi është si ajo puna e verës që nuk të shijon në çdo rrethanë, fjala vjen, po të ta ofrojnë kur je duke udhëtuar në kompartimentin e një treni në prani të njerëzve të panjohur. Zakonisht lexoj ulur në një poltronë ose në tryezën e punës në studjon time. Kjo është një studjo e thjeshtë por komode dhe e pajisur mirë. Dritarja e saj sheh një park mjaft të gjelbëruar që kemi rrotull shtëpisë.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shume?

Peter Cameron, pa tjetër dhe romani i tij, “Një ditë kjo dhimbje do të të jetë e dobishme”. Ky libër është shkruar në vetën e parë, pra komunikon mirë me lexuesin. Protagonisti, James Sveck, i rrëfen lexuesit jetën e vet dhe arsyen që e kanë shndrruar në një individ të paadaptueshëm, që unë e përkthej në njeri të lirë e të pakonformueshëm. Pikërisht pavarësia intelektuale dhe mendimi i lirë e bëjnë njeriun të paadaptueshëm. Ky argument është një nga problemet më të mprehta të kohës sonë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur?

Një shoqe e Adelinës, gruas sime, na dërgoi si dhuratë nga New York librin e Pëllumb Kullës, “Rrëfenja nga Amerika”. Adelina e lexonte dhe qeshte me shumë shpirt. E lexova edhe unë. Mendoj që ai është libri që shpreh më mirë se çdo tjetër komicitetin që fshihet në natyrën e kombit shqiptar. Një komicitet shumë origjinal dhe i natyrshëm.

Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Para 3 vjetësh më huazuan një libër pa kopertinë të Kristaq Mishës që denonconte në Kongresin e Paqes në Paris, krimet e urryera kundër popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga Çamëria kah fundi i luftës së dytë botërore. Libri ishte mjaft i dëmtuar por lexohej qartë. Edhe pse e njoh relativisht mirë problemin çam, asnjë libër nuk më ka prekur sa ai. Shqiptarët duhet t’i njohin ato të vërteta tragjike dhe le t’i vlerësojnë në kuadrin e historisë, pikërisht si ngulën këmbë armenët për gati një shekull deri sa ia arritën qëllimit. E gjithë bota e njohu dhe e dënoi genocidin turk kundër armenëve.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Më ka pëlqyer letërsia që në moshë të njomë, por për ne ka qënë e vështirë të shkruanim atë që mendonim. Shkruaja ndonjë poezi dhe pas pak ditësh e grisja. Një nga ato e pati ruajtur Rinush Idrizi, kritik i letërsisë dhe mësues i talentuar në  gjimnazin “S. Frashëri”. Ai ma dërgoi atë poezi aty nga viti 1994 nga SHBA ku kishte emigruar. Më arriti me një postë speciale dhe, e shkruar në vjeshtën e vitit 1966, lexohej mjaft mirë edhe pse ajo fije letre ishte zverdhur dhe dukej si një relike. Poezia quhej “Natën e mirë”. E ruaj ende me një farë nostalgjie atë poezi… Unë studjova matematikë dhe jam marrë me të gjithë jetën. Matematika dhe fizika janë dy shkenca të një bukurie impresionante. Natyrisht atë finesë e bukuri intrigante e percepojnë ata që e kuptojnë thellë… pikërisht si ndodh me muzikën klasike. Muzika e Bach-ut, fjala vjen, dëgjohet thuajse prej 4 shekujsh. Por edhe në rastin e muzikës klasike, bukurinë e saj e perceptojnë vetëm ata që e kuptojnë atë, pikërisht si matematika apo fizika. Kur u nisa për në Itali u premtova miqve që do të shkruaja diçka për realitetin që njohëm e jetuam. Në të vërtetë kam shkruar e botuar shumë më tepër nga sa kisha menduar. Ishte një detyrë kundrejt vetes sime dhe njerëzve me të cilët kisha ndarë të mirën e të keqen në ato vite të errëta të totalitarizmit në Shqipëri. Mendoj që njeriu nuk mund ta kuptojë veten  dhe as mund të shkojë kah e ardhmja nëse nuk njeh dhe kupton të kaluarën e tij. Kjo bindje përbën ndoshta forcën që më ka shtyrë e frymëzuar të shkruaj.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Pas mbarimit të studimeve universitare lexova shumë kujtime të figurave të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, nga mareshallët rusë deri te Winston Churchill. Rusët na i sillte një shok i diplomuar në fizikë, e ëma e të cilit punonte në Biblioteken e Universitetit të Tiranës. Në Bibliotekën Kombëtare (e vjetra) disa vajza të reja kishin besim dhe na jepnin për në salle ose në shtëpi libra si ai i volumeve të Churchill-it që porsa kishin hyrë në bibliotekë. Por pasioni im për historinë ka qëne dhe mbetet antikiteti dhe kultura e tij. Në radhë të dytë më kanë tërhequr dhe interesuar shumë evolucioni i shkencave dhe historia e muzikës, që mendoj  që e njoh jo pak.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Gjuha shqipe ka bërë të mundur përkthime të jashtëzakonshme, prozë origjinale dhe poetë të një cilësi të rallë, si Naimi, Fishta, Mjeda, Noli, Poradeci… Ata ishin lirikë e mendimtarë të shquar. Të gjithë. Por ka edhe një të jashtëzonshëm: Migjeni. Ndjeshmëria e tij artistike dhe njerëzore janë të pakrahasueshme edhe në sfondin e letërsisë botënore. Unë e kam cituar në romanin “La Quinta” gjeninë e këtij artisti të madh me  tre vargjet a famëshme, me të cilat ai i lutet Zotit për një sinfoni. Në italisht nuk ishte e lehtë, megjithatë përkthimi im ishte ky:

Ti prego o mio Signore, di una sinfonia,

dai suoni d’argento e  accordi dorati,

piena d’amore e dai sogni celesti.

[ Dalla poesia “Preghiera” di Migieni]

Nuk njohim një tjetër poet që t’i ketë kërkuar Zotit muzikën si natyrë e dytë e njeriut, që edhe në mjerim kërkon dhe gjen një mbështetje shpirtënore te muzika. Kjo ndjeshmëri e Migjenit shpreh, sipas mendimit tim, nivelin e lartë të krijimtarisë popullore të kombit që brenda kufijve të të folmes shqip, ka pavdekësuar në valle, këngë e kabà jetën me gëzimet, vuajtjet dhe forcën e tij. Këtë poet të rinjtë duhet ta njohin në të gjitha pamjet e krijimtarisë së tij dhe të jetë objekt studimi dhe promovimi nga të gjitha istancat e botës kulturore të kombit. Krijimtaria e Migjenit dhe e poetëve si ata që citova më lart, janë një monument kulture që shteti duhet të mbrojë si sytë e ballit. Ai duhet popullarizuar në nivelin që meriton.

 

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë? 

Isha thuajse adoleshent kur babai më dhuroi veprën e plotë “Lufta dhe Paqja” (Lev Tolstoj). Ky autor i madh bashkon në veprën e tij thelbin njerëzor të jetës sonë: miqësinë, mediokritetin, familjen, dashurinë, luftën dhe, bashkë me to, edhe rilindjen morale, shpirtënore të njeriut. Janë të rallë personazhet e skalitur si Natasha Rostova, Andea Bollkonski apo Pjer Bezuhov. E kam lexuar edhe më pas dhe shumë herë i jam kthyer duke rilexuar pjesë të veçanta të kësaj vepre madhore. Dua të theksoj që në të gjitha klasifikimet mbi 10 shkrimtarët më të mëdhej të të gjitha kohrave gjejmë të paktën një ose më shumë nga rusët Dostojevski, Tolstoj apo Nabokov.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Do të më pëlqente të analizoja figurën e qytetarit të madh të kohës sonë, Albert Einstein. Kjo dëshirë nënkupton raportin e veprës shkencore të tij me pikëpamjet që ai ka mbi shoqërinë. Njoh relativisht mirë krizën e shkencave, (fizikë e matematikë), nga gjysma e dytë e shek. XIX e më pas, përfshirë problemet që lidhen me lindjen e teorisë së relativitetit special; nga ana tjetër këto nuk janë krejt të pavarura nga botëkuptimi që Einstein shpreh për botën dhe shoqërinë. Einstein ka për botën (shkenca, shoqëria dhe liria e individit) një këndvështrim që karakterizon një nga mendimtarët më të thellë të historisë.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Varet nga mosha. Fëmija duhet të lexojë patjetër libra si, fjala vjen,  “Zëmra” (E. de Amicis) por edhe klasikë të tjerë si “Djemtë e rrugës Pal” (Ferenc Molnàr – Neumann), “Bijtë e kapitenit Grant” (Jule Verne). Mendoj që edhe pse koha jeton evolucionin e vet, ajo lë pas, në kuptimin e vlerave edukative, një thelb universal: pamjet njerëzore të qënies sonë si bujaria, miqësia, dashuria. Në moshë të rritur…? Pyetje e vështirë, sepse janë shumë librat që njeriu duhet të lexojë patjetër për të kuptuar veten dhe kohën e tij. Kjo lyp leximin e autoreve të lashtë, klasikë e modernë.  Pa njohur të kaluarën do të thotë të ecësh kuturù, pa një pikënisje, pa një origjinë. Njohja e të kaluarës është si një far që e kemi pas shpine e që na ndriçon udhën përpara, kah e ardhmja. Bibla, Omeri, Dante, Shakespeare, Goethe, Dostojevski, Tolstoi, Balzak dhe shkrimtarët e mëdhenj të shekullit të fundit duhen lexuar nga të gjithë. Për shpirtin kritik të shkrimtarit George Orwell do të rekomandoja si lexim të domosdoshëm librin e tij “1984”, që ndihmon mjaft për të kuptuar kohën tonë. Në jetën e protagonistit Winston Smith gjej shumë ide të përbashkëta me romanin “La Quinta” edhe pse stilet dhe trajtimet janë krejt të ndryshme njëri nga tjetri. Mendoj që në kohën e propagandave të furishme të pushtetit e të publicitetit mediokër që dominojnë informacionin, edhe te vendeve demokratike, letërsia duhet të shprehë urtësinë dhe meditimin si një natyrë të dytë të saj. Sot për qytetarët është më i nevojshëmm se kurrë një formim kulturor që ta plazmojë atë si një krijesë që mendon dhe që jeton i pavarur pikëpamjet mbi botën dhe bindjet e tij.  Formimi i mirë kulturor bën që njeriu të mos jetojë nën ngasjen e impulseve të çastit por ta ndërtojë të ardhmen e vet me koherencë sipas një projekti të qartë.

 

https://www.valbonanathanaili.com/librat-dhe-leximi-ne-rrefimin-e-studiuesit-alberto-frasher/

Please follow and like us: