Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Thoma Turtulli dhe historia e bibliotekës në Korçë

“Djalëria e këtij qyteti t’i lerë kafenetë dhe t’i rikthehet librit”

 Thoma Turtulli dhe historia e bibliotekës në Korçë

 

Qyteti i Korçës ashtu si dhe ai i Shkodrës mbahet si një nga djepet e kulturës së vendit tonë. Historia e këtij qyteti dëshmon trashëgiminë kulturore që lanë pas shumë patriotë, të cilët dhanë ndihmesën e tyre pa u kursyer në hedhjen e themeleve bazë të kulturës së qytetit dhe të mbarë Shqipërisë. Në fillimet e shekullit XX, Korça shfaqej me një panoramë të pasur veprimtarish kulturore, arsimore dhe publicistike. Dijmë, që Liceu i Korçës, që u çel në tetor të 1917-ës, përgatiti breza të rinjsh, të cilët u bënë figura të ndritura të kulturës kombëtare. Një ndër institucionet që përçuan dije dhe kulturë, përveç Liceut, ka qenë “Biblioteka Turtulli” e qytetit, e cila filloi të hedhi shtat në mesin e vitit 1927 dhe të inaugurohet pas tre viteve punime, në korrik të vitit 1930. Siç dihet, kjo bibliotekë ka qenë frut i zemërgjerësisë  së filantropit të dëgjuar korçar, Thoma Turtulli, i cili ia dhuroi qytetit të tij të lindjes me një dedikim aq aktual, saqë  duket sikur të jetë shkruar sot, “djalëria e këtij qyteti, t’i lerë kafenetë dhe t’i rikthehet librit“. Me sa duket, nga historia vazhdojmë të mësojmë ende pak.

Siç mësojmë nga shtypi i viteve 1942, biblioteka filloi të marrë jetë në një vilë (jo të pakta në këtë qytet) në parkun e Themistokli Gërmenjit, në vendin më të përshtatshëm të asaj kohe, pra në rrugën kryesore të qytetit, e rrethuar mes luleve dhe akacieve që zbukuronin qytetin. Kjo vilë sillte vlera të mëdha arkitektonike, sepse u ndërtua sipas stilit neoklasik dhe kishte si qëllim të fuste në qytet, modelin e institucioneve të vendeve më të përparuara të botës. Ndoshta nga shumë ndërtesa që u ndërtuan me këtë frymë, mundet ta ketë dhe zanafillën shprehja e njohur për Korçën “ arisi i vogël”. Po le të kthehemi aty ku nis rrugëtimi ynë.

Kjo bibliotekë, kaq e dëshiruar nga themeluesi i saj, do t’iu shërbente si ushqim shpirtëror intelektualëve të qytetit, ashtu edhe studentëve të shkollave të mesme. Pasuria e saj fillestare numëronte në  inventarin e saj, një numër prej 30 mijë librash. Për ta krijuar, shërbyen bibliotekat personale të patriotëve Nikolla Lako të sjellë nga Parisi, si dhe biblioteka e Spiro Dines, të cilët i dhuruan me shumë përkushtim për dashurinë ndaj atdheut.

Midis këtyre veprave të dhuruara nga këta dy patriotë, ka bërë pjesë edhe koleksioni i plotë i  enciklopedisë italiane Trecani, dhuruar nga Konsulli i Italisë në Korçë, Z. Borlenghi. Një tjetër figurë italiane që dokumentat përmendin në pasurimin e bibliotekës me libra në gjuhën italiane, ka qènë Komendatori Z. Rainoldi, Kryetar i Zyrës Krahinore të Mëkëmbësisë. Kësaj pasurie do t’i shtoheshin edhe rreth 3500 volume gazetash dhe revistash të periudhave të ndryshme.

Po kush ishte Nikolla Lako, ky patriot që hyri në historinë e kësaj biblioteke si drejtori i saj  i parë?

Nga letrat e historisë mësojmë që ishte publicist dhe erudit, themelues i gazetës “Shqipëria” më 1897, kur kishte mbi supe vetëm 17 vjet. Por bëhet i nohur si publicist në rrethet intelektuale, me botimin në Paris të revistës “Opinga”, e cila kontribuoi në propagandimin e çështjes shqiptare, gjatë punimeve të Konferencës së Paqes më 1919-1920. Njihet edhe si themeluesi i Muzeut të Shkencave të Natyrës. Ndërsa Spiro Dine, është ndër të paktët krijues shqiptarë që përdori penën, lapsin dhe bllokun e shënimeve të tij për të grumbulluar traditën folklorike shqiptare dhe për ta lënë atë si një shportë poetike për brezat në publikimin e librit “Valët e detit”(1908). Drejtorin e fundit të kësaj biblioteke, përpara mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe shënimin e shkatërrimit të vlerave dhe autoriteteve arsimore e kulturore nga diktatura komuniste, e ka kryer Z. Mihal Hançe, intelektual i njohur në rrethet kulturore të qytetit.

Me ardhjen në pushtet të diktatorit Hoxha, emri i Thoma Turtulli dhe i familjes së tij u diskriminua dhe u harrua. Nga biblioteka u shkulën bustet e tij dhe të bashkëshortes, Athinaja si dhe u urdhërua edhe prishja e varrit monumental në njërën nga kishat e qytetit, kishë e Shën Mërisë. Edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga rënia e sistemit, eshtrat e tij dhe të familjes Turtulli, nuk janë gjetur.

Sot biblioteka Turtulli është transformuar në bibliotekë për fëmijë dhe numëron 22 mijë tituj librash. Le të shpresojmë që në pak kohë të arrijë numrin e artë, 30 mijë tituj që biblioteka e njeriut fisnik e bujar, Thoma Turtulli i dhuroi qytetit të tij 90 vjet më parë.

 

Burimet: Gazeta Tirana 1942, Faqja zyrtare e bibliotekës së Korçës, wekpedia, http://illyriapress.com/korce-biblioteka-thoma-turtulli/

 

 

 

Please follow and like us: