In memoriam Arben Zylyftari/OXHAKU DHE PORTA E MADHE E FAMILJES ZYLYFTARI NË BERAT
(Dëshmorit të Atdheut, oficerit të policisë Arben Shuaip Zylyftarit me rastin e njëzet vjetorit të rënies)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Një oxhak i madh dhe portë e atdhetarisë dhe fisnikërisë beratase ofron mirësi brezash, por edhe krenari kombëtare. Nëse depërtojmë në rrënjët e fisit Zylyftari ato vijnë nga fshati Spathar i Skraparit. Shuaip dhe Refije Zylyftari kishin dha kanë tetë fëmijë, shtatë djem dhe një vajzë. Edhe pse sot ata janë një familje e madhe, një familje që në gjirin e tyre kanë një dëshmor të rënë për Atdheun, në mbrojtje të ligjit dhe vendosjen e rendit dhe pushtetit të ligjit në Shqipëri. Ata ishin dhe janë gjithmonë bashkë: motra Serma e datëlindjes 1944 dhe vëllezërit Vullneti i datëlindjes 1948, Petriti i datëlindjes 1951, Agimi i datëlindjes 1953, Vladimiri i datëlindjes 1955, Edmondi i datëlindjes 1958, Arbeni i datëlindjes 1963 dhe i fundit Roberti i datëlindjes 1965. Djalin e parafundit të familjes e kanë tashmë në memorial, në nderimin dhe respektin e gjithë Policisë së Shtetit, të institucioneve të gjithë shoqërisë.
Zylyftarajt e Beratit janë shembulli i lartë qytetarisë, fisnikërisë dhe dashurisë vëllazërore. Miq shokë kolegë të flasin për familjen e Shuaip Zylyftarit, burrin e shtruar të urtë, të nderuar dhe inteligjent, që i përkiste fisnikërisë beratase sepse kishte lindur, rritur dhe edukuar, bashkë me bashkëshorten Refie tetë fëmijë, që edhe pse ishte heroinë e fëmijëve të vet se vriste mendjen për merita, por veç për sakrifica. Ka qenë dhe mbetet familje me nder e oxhak, sepse rrënjët e atdhetarisë dhe të dashurisë për kombin edukohen në shkollë, por mbi të gjitha në familje. Kështu fëmijët e Zylyftarajve janë që të gjithë nder e krenari beratase sikurse është mësuese Serma Zylyftari/Muhadri; Vullnet Zylyftari, ikonë e mirësisë e drejtimit dhe organizimit në shumë institucione, por edhe një alpinist i Beratit. Vullneti bashkë me vëllain alpinist, Agim Zylyftari e kishin bërë Malin e Tomorrit si shtëpinë e tyre të dytë; Petrit Zylyftarit është inxhinieri i talentuar, që shokët i thonë ‘djalë flori’; por kështu janë të gjithë bijtë e Shuaipit, sot të rritur e të burrëruar, baballarë dhe gjyshër. Kështu janë nga kjo portë e madhe e Zyluftarajve edhe Agimi ekonomist, biri tjetër Vladimir, doktor Edmondi, Roberti më i vogli i djemve.
Ky oxhak dhe kjo portë beratase ka një tjetër djalë, tashmë të burrërruar dhe të trupëzuar me valët e flamurit kombëtar, një bir të denjë të Beratit dhe Shqipërisë, një komisar të hekurt të luftës me krimin në Shqipëri, një ikonë të çmuar të shqiptarizmës, kolonel Arben Zylyftari, i cili ra në krye të detyrës në Shkodër, për të mos vdekur kurrë, për të jetuar përjetësisht në radhët e Policisë së Shtetit, që bashkoi gjakun e tij me gjakun e 266 policëve dhe oficerëve të policisë që gjakun e tyre e vendosën në themel të fuqizimit të shtetit të së drejtës. Ai prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Beratit që ndodhen buzë rrugës, pranë bulevardit kryesor në lagjen e njohur nga qytetarët beratas, “Murat Çelepias”, pranë Urës së Gorricës. Në fakt banesa ku lindi Arben Zylyftari, ku hodhi hapat e parë, ku buzëqeshi dhe belbëzoi për herë të parë, ku thirri emrin baba, nënë, motër, vëlla për herë të parë është pranë banesës së përjetshme në varrezat e nderit, me Varrezat e Dëshmorëve, aty ku yjet ngelen përherë të pashuar dhe nderimi është i përjetshëm atje në qytetin mjëvjeçar të Beratit të civilizimeve, të lashtësisë, të historisë. Është oxhaku dhe porta e madhe e familjes Zylyftari në Berat, një familje shembull civilizimi e kulturës qytetare, por dhe e rrezatimit të dashurisë e unitetit të vlerave vëllazërore.
Shqiptarët të rënët dëshmorë i përjetësojnë në këngë
Të rënët e kombit shqiptar janë të shumtë në të gjitha epokat. Edhe policia ka qindra dëshmorë nga radhët e saj, deri në nivelet më të larta të gradave. Arben Zylyftari ishte një ndër djemtë e Policisë së Shtetit që u përball me krimin dhe punoi për zhdukjen e tij në Shqipëri. Ai dha jetën për një ideal madhor të sigurisë së shtetit. Kështu ka qenë mërkura e datës 2 gusht të vitit 2000, kur kolonel Arben Zylyftari drejtonte një operacion kundër kriminelëve, që kishin marrë shumë jetë njerëzish. Fakt është se ishte operacion tepër i vështirë. Por, për fat të keq, mes radhëve të policisë gjenden dhe bashkëpuntorë të njerëzve të krimit, të cilët bënë që plumbat e parë të përshkonin trupin e tij. Për prindërit e Arben Zylyftarit, 37 vjeçarit, 2 gushti i vitit 2000, ishte e “mërkura e zezë”. Nëna e Arbenit, Refija, bijë nga Zhepova e Përmetit, nuk mundi t’i bënte ball dhimbjes, por bashkëshorti i saj, Shuaipi, i mencur dhe i qetë, por me dhimbje të thellë në shpirt i flet bashkëshortes ashpër: “Kemi plotë fëmijë të tjerë. Nuk është i pari djali ynë që bie për një Shqipëri më të mirë”. Por lotët rridhnin vilarë dhe zemrat e prindërve të mirë u plagosën rëndë në pleqëri. Në atë kohë e shoqja e Arbenit Elsa, mësuesja e talentuar e letërsisë, një grua e përsosur, veshi rrobat e zeza në moshë fare të re, duke fshirë lotët para fëmijëve të saj të vegjël, Enit 8-vjeçar dhe Francit 4-vjeçar. Ata tashmë janë rritur dhe janë bijtë e dëshmorit, janë të miredukuar, njerëz të vlefshëm për shoqërinë, sikurse babai i tyre. Humbja e kolonelit ishte dhimbje mbarëshqiptare në Shkodër ku ndodhi ngjarja, në Berat, në Vlorë, Kolonjë, Skrapar e Përmet, kudo që kishte punuar apo mbante lidhje miqësore e shoqërore. Duke hulumtuar në shpirtin shqiptar, për të parë vargëzimin në vargje dhe në këngë, për Dëshmorin e Atdheut Arben Zylyftari me rastin e njëzet vjetorit të rënies në krye të detyrës, mes të tjerash gjejmë edhe këngë e vargje poetike. Kënga dhe vargëzimi poetik, në poezi dhe prozë nuk ka munguar dhe nuk mungon asnjëherë për trimat, për të rënët, për dëshmorët e Shqipërisë. Ka qenë, është dhe do të ngelet brez pas brezi kënga e nderimi për dëshmorët. Ata kanë rënë në periudha të ndryshme të historisë, por kanë një gjë të përbashkët, gjakun e derdhur për atdheun dhe ngelen sigurisht në këngë dhe në përjetësi. Ja vargëzimi poetik dhe vaji përsëri që është një këngë për dëshmorin Arben Zylyftari:
“Atë ditë dy Gushti/Qielli krejt u nxi/Shkodra, Shqipëria/U gdhinë në zi/
Lajmi mori dhenë/Derdhi lot Skrapari /Kishte rënë një lis/Arben Zylyftari/
Njëzet vjet më parë/Atë dy gusht të zi/Buna dhe Osumi/Lotët derdhën shi/
Njëzet vjet më parë/Shkodra qau me lot/Lotët mbarë Shqipëria/Nuk i mbajti dot/
Asaj dore barbare/Gishti si s’ju këput/Kur lisin – Arben,/ E shtriu në tabut?!/
Pabesia e krimit/Një gjarpër në gji/ I këputi rrënjët/Një lisi të ri/
Atij djali – lis/Me rrënjë në Spatharë/Këngë i thurrën gurrët/Malet në Skrapar/
Plumbi i mallkuar/S’vrau një kolonel/Ai shoi një dritë/Ai rrëzoi një diell/
Arben Zylyftari/Lisi që s’ka rënë/Ai është me këmbë/Me degë e me rrënjë/
Tani pas kaq vitesh/Drita është e bardhë/”Dardha” që la Beni/ Ka rënë nën dardhë/
Fëmijët si yje/Ndrijnë e yllëzojnë/Në çdo hap që hedhin/Me Benin jetojnë/
Filizat u rritën/Lisi u ngrit më këmbë/Arben Zylyftari/Asnjëherë s’ka rënë/
Në mes të Beratit/Përmendorja ndrin/Se heronjtë e heshtur/Përherë zgjuar rrinë/
Në bronxin e ftohtë/Qendron vigjilent/E desh’ shumë Beratin/Shumë e desh’ këtë vend/
Arben Zylyftari/Syri i Shqiponjës/Gjithmonë syshqiponjë/Do t’i qendrojë kohës.
Vargëzimi poetik mban brenda një peshë të fuqishme të dhimbjes së 2 Gushtit, për vendlindjen Beratin, për Shkodrën, ku kolonel Arbeni shërbeu me energji djaloshare si misionar i ligjit dhe shtetit si dhe për mbarë Shqipërinë, që e qau dëshmorin 37 vjeçar si birin e vet.
Arma e ngritur kundër policisë është krim
Ngjarja sipas prokurorisë shqiptare flet për “…2 gusht 2000, rreth orës 14.30 forcat e policisë së Shkodrës nën drejtimin e shefit të policisë kriminale, dëshmitarit V.A., me katër grupe të gatshme, së bashku me komandantin e grupeve të gatshme, dëshmitarin P.P., janë nisur në drejtim të lagjes “Ahmet Haxhia” në Shkodër. Janë futur në rrugën me drejtim Udhakryq-Livadhe për patrullim me objekt kryesor për verifikim të parkingjeve, nëse ka ose jo automjete te vjedhura, pasi mbi bazën e informacioneve mjetet e vjedhura mund të ishin strehuar në këtë lagje, pasi njihej nga policia si zonë me probleme të tilla. Kur mjetet e policisë kanë hyrë në rrugicën që të çon tek shtëpia e të pandehurit T.G., kanë vënë re një burrë të moshuar që është larguar me vrap, pasi ka parë makinat e policisë. Një nga agjentët e policisë kriminale, i paidentifikuar nga hetimi, ka thënë: “Ky personi që u largua me vrap është në kërkim për vrasje. Janë thirrur forcat dhe policia ka qëndruar para shtëpisë ku kishte hyrë personi që iku”. Dëshmitari P.P., i ka thënë shefit të krimeve se personi i larguar me vrap është i kërkuar për vrasje. U vendos të hyhej dhe policia ka hyrë nga muret rrethuese brenda shtëpisë. Policia ka vënë re se personi i larguar dhe një person i ri, rreth moshës 25 vjeç, morën diçka në dyshemenë e korridorit që dukeshin si armë kallashnikov dhe hynë në një dhomë që dukej përballë me një derë dhe u ngjitën lart në tarracën e shtëpisë. Tek dera ka dalë një grua me dy nuse dhe ka thënë se “nuk ka njeri tjetër në shtëpi dhe se dy persona kundrejt pagesës e ruanin shtëpinë për shkak jemi në gjak”, ndërkohë që burri ndodhej në Greqi. Vendoset të bëhet hyrja nështëpi. Në fundin e korridorit ishit një banjo e ndarë në dy pjesë, ku njëra ishte me dalje në tarracë me shkallë hekuri. Është urdhruar njëri prej policëve që të ngjitej në tarracë dhe polici sapo ka hipur lart dhe ka çuar me dorë kapakun e tarracës, dikush nga lart ka hapur zjarr me breshëri, duke thënë, “mos hipni lart se do t’ju vras”. Në këto rrethana duke parë që situata u rëndua dhe policia nuk duhej të tërhiqej, shefi i krimeve ka urdhëruar që shtëpia të mbahej në rrethim duke qëndruar vetë në banesë dhe gjithashtu ka komunikuar në radio me drejtorin Arben Zylyftarin duke i kërkuar të sillte forcat speciale. Dy personat e armatosur kanë kaluar nëpër tarracat e shtëpive dhe janë vendosur në një kasolle kali, pronë e dëshmitarit L.Sh. Gjatë gjithë kësaj kohe të lëvizjes nuk ka patur asnjë shkëmbim zjarri. T.B. dhe i pandehuri T.G., janë pozicionuar me armë në penxheren e kasolles së kalit me mendimin për t’i shpëtuar rrethimit të policisë. Gjatë veprimeve të dy të armatosurve, pjesëtarët e tjerë të familjes kanë qenë të grumbulluar në një dhomë në shtëpi nën mbikëqyrjen e policisë. Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka mbërritur drejtori A. Zylyftari. Drejtori ka zbritur nga makina bashkë me shoferin dhe shoqëruesin e tij, në një largësi prej 100 metrash, duke kontrolluar rrethimin e policisë. Sipër tarracës së kasolles së kalit kishin hipur me zvarritje disa policë të armatosur dhe të maskuar. Në deklarimet e të pandehurit është thënë se bashkë me të atin kishin kuptuar se sipër tarracës kishte njerëz. Në një kohë me A.Zylyftarin ka shkuar në vendin e ngjarjes edhe shefi i rendit, dëshmitari A.A. Me drejtorin në vendngjarje është takuar edhe shefi i FNSH-së Gj.Gj. Policia iu ka bërë thirrje të rrethuarve të dorëzoheshin, por nuk është marrë asnjë përgjigje prej tyre. Ndërkohë drejtori me shoferin dhe shoqëruesin e tij kanë lëvizur në këmbë për nga perëndimi dhe kanë dalë në pikën më të lartë nga ana perëndimore, rreth 20 metër larg kasolles së kalit. Që nga kjo pikë janë vënë re policë me maska të shtrirë barkas mbi tarracën e kasolles së kalit në pozicion luftimi. Në atë kohë A. Zylyftari ka komunikuar në celular me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe pikërisht në atë moment u dëgjua një e shtënë e vetme arme dhe të gjithë forcat e policisë kanë rënë në pozicion barkas. Në atë moment dëshmitari E.P., që ka qenë në krah të majtë të drejtorit, ka dëgjuar A. Zylyftarin që tha: “Oh, më vranë”. Kur ka rënë në tokë, drejtori ka hequr celularin dhe i ka thënë E. që të lidhej me Ministrinë e Brendshme, për të nisur urgjentisht një helikopter për t`i dhënë ndihmën e shpejtë. Duke qenë në pozicion barkas dhe duke u përpjekur për t’i dhënë ndihmën drejtorit, është qëlluar me breshëri automatiku nga dritarja e kasolles së kalit në drejtim të policëve që ishte në afërsi të drejtorit. Në këto rrethana është vënë re vendi nga qëllonin të rrethuarit. Punonjësit e policisë nuk kishin mundësi të qëllonin pasi mbi kasolle ishin forcat e policisë, që iu bënin thirrje të dyshuarve të dilnin nga kasollja. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e drejtorit, po përpiqeshin të fusnin të plagosurin në mikrobus është hapur zjarr nga kasollja mbi mjet duke e nxjerrë jashtë përdorimit. Është afruar mikrobusi i dytë dhe si rezultat i mbulimit me zjarr nga policët e tjerë, është arritur të futet trupi i drejtorit nga dera e prapme në mjet, pasi dera e pasagjerit ka qenë përballë dritares së kasolles nga ku hapej zjarr. Koha, nga momenti i plagosjes deri në momentin e largimit të mikrobusit, ka qenë 7-9 minuta. Në spital, në sallën e operacionit, drejtori i policisë Arben Zylyftari ka ndërruar jetë, më 2.8.2000, në qytetin e Shkodrës, në kohën që kryente funksionin e drejtorit të policisë së qarkut, duke lënë pas emrin e mirë si dhe karrierën e shpejtë.
Arbeni ishte diplomuar më 1989 në Akademinë e Rendit në Sauk, si dhe ishte emëruar oficer i policisë në Korçë; 4 muaj më vonë ngrihet në detyrë dhe emërohet zëvendësshef i policisë për ndjekjen e krimeve. Më 1991 emërohet shef i sektorit të ndjekjes së krimeve për rrethin e Korçës. Më 3 gusht 1993 lirohet nga kjo detyrë si dhe në fund të korrikut 1997, Arben Zylyftari emërohet drejtor i Drejtorisë së Policisë për Prefekturën e Korçës. Pas kësaj detyre mori detyra nëpolicinë e Vlorës, Lezhës e Shkodrës, ndërkohë që vritet më 2 gusht 2000, gjatë kohës që ishte drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës. Sidoqoftë dora kriminale që ngrihet kundër përfaqësuesit të Policisë së Shtetit është krim absolut i ndëshkueshëm.
Shtetarët që nderuan birin e Beratit dhe gjithë Shqipërisë
Kur fjala bie për dëshmorët, nuk ka shqiptar që nuk përgjunjet, por edhe që syri loton e kërkon bijtë që i bëjnë nder kombit, bijtë që kanë rënë në fushën e nderit, në betejat luftarake, edhe pse beteja me krimin është dhe mbetet një betejë e përgjakshme. Prandaj edhe gjaku i policisë është gjak i vetë shtetit. Një angazhim serioz i gjithëkohshëm dhe detyrim moral i çdo brezi. Nderi, respekti dhe mirënjohja e kanë një bazë solide tek shteti i së drejtës dhe tek e drejta e mbijetesës së brezave. Ndërkohë që dora e zezë kriminale shkaktoi plagë të thella në zemrat e familjarëve, në zemrat e mbarë qytetarëve berates, në familjarët e Portës së madhe të Zylyftarajve, duke fashitur gëzimet familjare në shtëpinë e tyre ku u lindën dhe u rritën, sepse mungon fizikisht biri, vëllai, bashkëshorti, babai i dy fëmijëve që la pas, dëshmori Arben Zylyftari. Në sytë e fëmijëve është e ardhmja e trashëguar nga prindërit, civilizimi, qytetaria dhe kultura, harmonia dhe respekti. Një portë e madhe gjithmonë e hapur, një vlerë qytetare beratase, si amanet i dy prindërve për brezat, bër bijtë e bijat, për nipat e mbesat.
Presidenti i Republikës i bën këtë dedikim dëshmorit të Atdheut Kolonel Arben Zylyftarit: “…nderojmë me vlerësim, mirënjohje e respekt të thellë kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të Dëshmorit të Atdheut, Kolonel Arben Zylyftarit, i cili ra në krye të detyrës njëzetë vite më parë në luftë me krimin.Dita e sotme na risjell në vëmendje qindra Dëshmorë të Policisë së Shtetit, që të udhëhequr nga ndershmëria, përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë qytetare e shtetërore, sakrifikuan jetën e tyre për mbrojtjen e rendit, qetësisë e sigurisë publike, por edhe të vlerave e parimeve që duhet të udhëheqin cilindo që mban veshur uniformën e shtetit. Është me rëndësi jetike që Policia e Shtetit të jetë shembulli i respektimit të ligjit për t’u shërbyer me nder, përkushtim e dinjitet qytetarëve, duke u distancuar nga lidhjet me krimin, politikën dhe praktikat arbitrare… Gjaku i Dëshmorëve të Atdheut, nuk do të bëhet ujë dhe mbarë populli shqiptar do t’i kujtojë përherë me krenari e respekt Heronjtë e tij”.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në kuadër të njëzet vjetorit të rënies në krye të detyrës së ish-zyrtarit të lartë të Policisë Arben Zylyftari, kanë zhvilluar një ceremoni përkujtimore në nderim dhe mirënjohje të veprës së tij. Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua pranë bustit të Arben Zylyftarit ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prefektja e Qarkut, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Kryetari i Bashkisë Berat, familjarët e Dëshmorit të Policisë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, punonjës policie të DVP Berat, miq e të afërm. Drejtori i Policisë së Shtetit ndër të tjera tha: “Të nderosh veprën dhe të kujtosh ata që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për të përmbushur me nder detyrën, për t’i shërbyer me dinjitet vendit, nuk është detyrë e radhës, por është obligim e detyrim moral për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë, ndaj dhe jemi sot këtu për të kujtuar e nderuar veprën dhe sakrificën e kolegut, mikut, shokut e familjarit Arben Zylyftari. Sot është një ditë kujtese dhe vlerësimi, një ditë apeli dhe reflektimi, një ditë për të risjellë në vëmëndjen e të gjithëve vlerat dhe sakrficën sublime të qindra Dëshmorëve të Policisë…Zakoni e do që të thuhen fjalë të mira për atë që ikën nga kjo botë, por Arbeni e kishte shkruar vetë respektin, mirënjohjen dhe dinjitetin në çdo ditë të detyrës së tij, me peshën e misionit që mbante mbi supe. Dora kriminale vrau në krye të detyrës, një nga oficerët dhe drejtuesit më shembullorë të Policisë së Shtetit, i cili nuk zgjodhi të komandonte nga zyra, por i udhëhequr nga ndershmëria, përkushtimi, përgjegjësia, drejtoi operacionin policor për kapjen e një autori me veprimtari të rrezikshme kriminale dhe fatkeqësisht, gjatë kryerjes së operacionit, dora kriminale i mori jetën Arbenit. Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qyetarët, por fatëkeqësisht këto dekada, dora e pabesë …përpiqet të sfidojë shtetin, ligjin e drejtësinë dhe drejtësia e vjetër rrallë u ka dhënë dënimin e merituar. Të gjithë sot jemi me sytë nga drejtësia e re… Përtej dhimbjes e mallit për mungesën njëzetëvjeçare, përtej lotëve, Ju duhet të ndiheni krenarë për veprën dhe sakrificën e njeriut tuaj të dashur e të shtrenjtë, por jo vetëm ju, krenarë ndihemi të gjithë ne, pjesëtarët e organizatës së Policisë e do ndihen të gjithë brezat që do të vijnë. Arben Zylyftarit dhe të gjithë Dëshmorëve të Policisë u jemi mirënjohës për sakrificën dhe iu detyrohemi të vazhdojmë dhe të përmbushim misionin tonë, sa fisnik aq edhe të vështirë, luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar, sigurimin e rendit e qetësisë dhe për t’i shërbyer me nder, përkushtim e dinjitet qytetarëve…Sfidat nuk na dobësojnë, por na ndriçojnë rrugën që duhet të ndjekim..”.
Vëllai i dëshmorit Vullnet Zyliftari do shprehej: “Edhe pse kanë kaluar njëzetë vite kur dora kriminale gjakatare shkrepi armën vrastare ndaj Kolonel Arben Zylyftarit, nuk dua ta besoj që Beni ynë, miku, shoku, bashkqytetari ynë nuk jeton më! Arben Zylyftari vëlla, bashkëqytetar, azgan, flori’ djalë, me virtytet më të larta njerëzore, me kulturë të lartë qytetare, ashtu siç janë të 8-të fëmijët, 7-të vëllezërit dhe motra e tyre e vetme, e prindërve shembullorë, të ndjerët Refije & Shuaip Zylyftari, shembull dhe krenari për Beratin dhe më gjërë… Arben Zylyftari, koloneli energjik dhe i suksesshëm në Korçë, në Vlorë, në Skrapar, në Lezhë, në Shkodër ku edhe iu pre jeta në mes në atë qytet në kulmin e moshës, te karierës, të sukseseve të tij në fundvitet 90-të, la një plagë të madhe tek të gjithë ata që patën fatin e madh ta njihnin, të punonin me të, të shikonin dhe të jetonin sukseset e tij ndaj kriminelëve dhe bandave kriminale që ishin përhapur në atë kohë pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Unë personalisht, familja ime, qytetarët e Beratit, qytetarët e gjithë qyteteve ku punoi me vetmohim dhe përkushtim, nuk do ta harrojnë kurrë kolonelin e suksesshëm…Prehu i qetë në parajsën e përjetshme i dashur vëlla, shok, mik, bashkëqytetar i paharruar, Arben Zylyftari”.
Kolonel Zylyftari ka lënë një emër të mirë. Ai ka qenë anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë. Bashkia e Beratit, qyteti ku u lind dhe u rrit e ka nderuar me titullin e lartë: “Qytetar Nderi” dhe busti i dëshmorit Kolonel Arben Zylyftarit është vendosur në lulishten qendrore të Beratit dhe në ambjentet e Akademisë së Sigurisë në Sauk të Tiranës. Dëshmori i Atdheut Arben Zylyftari pas vdekjes, është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Rexhep Meidani, me Urdhërin: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa me Vendim nr. 16 datë 03.08.2000, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”.
(Sipas Librit Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, “Dëshmorët e Atdheut”, Botim i Ministrisë së Mbrojtjes me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, Tiranë, Shtypshkronja “Real-Stamp”–Dëshmorët e Atdheut të Beratit, pas vitit 1945, nr 6-të, faqe 21).