Ali Daci: GUCIA MË E MADHE SE ULQINI!
Zgjedhjet lokale të 30 gushtit shqiptarët e Gucisë i gjejnë grusht të bashkuar, përkundër vullnetit të liderëve ulqinakë e matrapazëve të DPS-it
Koalicioni “Shqiptarët e bashkuar për Guci”, shembull i bashkimit të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi
Në prag të zgjedhjeve lokale në Guci dhe atyre parlamentare në Mal të Zi, liderët lokalë në Guci bënë më të mirën e mundshme – bashkimin në një listë zgjedhore, kërkesë kjo jetike e popullit shqiptar. Duke uruar liderët e partive shqiptare për unifikimin e listës zgjdhore arrijmë në një përfundim se Gucia është më e madhe se Ulqini për kah vetëdija politike, kombëtare, më zemërgjerë, më humane e atdhetare. Është për të ardhur keq kur analizon sjelljen e pamatur të liderëve qendrorë ulqinakë në këtë situatë të vështirë të të qenurit shqiptar në këto troje etnike, për mos logjikimin e duhur e të pamatur të situatës politike në korpusin shqiptar, pra për mos bashkimin e shqiptarëve në një listë zgjedhore. Çdo ndarje politike ndër shqiptarët etnikë këtu është humbje e pakopensueshme në çdo aspekt. Duhet pyetur politikanët ulqinakë se a pak u duket ndarja e votave nga shqiptarët e stërshitur në radhët partisë së Gjukanoviçit?! A thua a u desh që edhe këta votues pro partive politike shqiptare t’i ndajnë në dy taborre pa i llogaritur shit-blerësit e votave të DPS, që tash e 20 vite seriozisht kanë dëmtuar trupin zgjedhor të elektoratit shqiptar e me këtë rast dëmin e ka pësuar vetë shqiptari. Po, sikur të bashkoheshim të gjithë në një një listë zgjedhore a thua a do të ngushohej harku i atye që do blejnë votuesit shqiptarë për të madhin e të pazëvendësueshmin e tyre MGJ. A do të kishin fytyrë të propagandonin kunder subjekteve politike shqiptare? Them që nja 25% më pak do të kishin dëmtuar elektoratin shqiptar sikur politikëbërësit ulqinakë t’i bashkoheshin listës së shumicës. Vetë ndarja në dy taborre na bën të qartë se këta prijes nuk e duan unitetin e elektoratit e trupin unik votues shqiptar, sepse nuk dalin dot nga uni i vet, për shkak se vuajnë nga sëmundjet e karrierizmit, egoizmit dhe si gjithmonë bajraktarizmit. Qerrja që ka dy biga nuk shkon drejt rrugës së kërkuar. Me daljen e përbashkët të shqiptarëve të Gucisë në zgjedhjet lokale në një listë të vetme, arrihet unifikimi i votuesit shqiptar që të votoj për bijat e bijtë e saj më të zgjedhur pavarsisht ngjyrimit politik. Kështu ata do të kenë shumë të qartë bashkimin e votës shqiptare për të mirën e vet. Duke qenë unikë ata do të jenë edhe faktor me ndikim në komunën e Gucisë dhe shtyllë e fortë e realizimit të kërkesave jetike, emomike e politike të tyre.