Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi: Përfundim dionisiak (+16)

Ilmi Kasemi

 

Një nga vlerat e artit modern të shek XX është edhe kontributi që ai dha në veshjen njerëzore. Veçanërisht pikturës i atribuohet kjo shfaqje e ndryshimit të madh konceptual.
Nëse veshjet tradicionale ishin në funksion të anatomisë trupore, ato moderne u bënë indipendente, që do të thotë me funksion estetik në vetvete. Natyrisht që kjo mëvetësi relatoi me trupin njerëzor, por jo në atë masë që e ka kërkuar tradicionalisht funksioni.
Trupi tashmë nuk është një gjë e gjallë, një subjekt. Ai i nënshtrohet veshjes, formave të pa përmbajtshme, ngjyrës sidomos, që kapërceu çdo konvencion të retorikës dialektore. Hyri në hullinë universale të shprehjes artistike. Stili humbi vlerën tradicionale, por në të njëjtën kohë, fitoi sovranitet, aq sa krijoi edhe ‘gjini’ të artit të veshjes. Kësisoj ne sot kemi një shfaqje estetike të cilën e quajmë stil dhe modë.
Të dy këto emra janë të bashkangjitur në thelbin kuptimor të aktivitetit. Subjektin që operon në stilim e quajmë stilist, ndërsa mënyrën bashkëkohore e quajmë modë.
Atë mënyrë që nuk është në funksionin bashkëkohor e quajmë, mënyrë e deklasifikuar e sjelljes dhe paraqitjes, që nuk bënë pjesë në retorikën e momentit, andaj e quajmë demode.
Në rastin e fotografisë kemi të bëjmë me prezantimin e këtij spektakli me lojën e dritës. Edhe fotografi si piktori apo dizenjatori (vizatusi), luan me dritën, por kjo lojë në themel dhe imediatisht pas dritës ka hijen, mungesën e dritës, pjesën ku drita nuk hynë direkt. Por ajo indirekt ka një prani reflektive. Pra drita është kudo, qoftë edhe në pjesët më të errëta të sipërfaqes së volumeve apo formave të sheshta.
Këto foto nuk i shmangen lojës së dritës.
Jo se janë grafi-foto, shkrim-dritë, viza-dritë, por sepse janë edhe silueta edhe linja të brendësisë së formave.
Janë edhe ritëm edhe tonalitet.
Janë mbi të gjitha kompozicion.
Termi kompozim në këtë rast është i duhuri.
Ai përbashkon të gjith elementët formal nën dirigjimin e subjektit, që në rastin konkret është një narrazion universal, i gjendjes sensuale, në majën më të lartë të harkores së saj.
Stilistja Doda ka krijuar elementë dekorativ të veshjes filliform, me një stilizim super rigoroz nën ritmikën përsëritëse të linjave gëtshetore, që bëjnë lojën e mbi vendosjes në sipërfaqet e mbuluara ose edhe të zbuluara, duke krijuar një alegri dhe gjendje pamore jo të zakontë. Por të zakontë dhe të përdorur në veshjen funksionale tradicionale, zbukuruar me filigramë.
Kjo gjetje në frymën estetike në të përgjithëshmen e lojës së saj, i ka rrënjët së paku në shfaqjet spektakolare dionisiake, të bakanaleve, ku bakantet rioshe kërcimtare, gra të egra e të dhëna plotësisht, me gjest trupor, shpirt dhe veshje në dekorin e dëfrimit, me vallet e tyre sugjestive, që pasrendin hyun Bak (Bacho) për latinët dhe Dionis për helenët. Ky është Hyu i fundit i dinastisë së Olimpit të Zeusit.
I lindur nga një dashuri e flaktë e detyroi të ëmën t’i lutej Zeusit që t’i shikonte fytyrën. Por edhe ai ju lut të mos e bënte këtë gjë, sepse do qe fatale.
Megjithatë para se të lindëte djalin, Semela njerëzore, që e kishte me Zeusin hyjnor, i transformuar në njerëzor, dikur në ngjizje, asaj iu plotësua dëshira. Por nga drita dhe shkëlqimi hyjnor, ajo u përvëlua dhe në këtë gjendje tansformimi deri në shkrumbosje, nga ky zjarr fatal i paralajmëruar, Zeusi i rrëmbeu djalin dhe nga barku i nënës e mori dhe e futii në në kofshën e vet, të cilën e bëri mitër. Dionisi lindi njëherë nga barku i nënës dhe për së dyti nga kofsha e të atit. Prandaj është Di-herë-i-nisur (sepse nis është lind, fillim). E citova këtë figurë dyfishe, nga mitologjia, për t’i dhënë një sens, sipas asaj që unë shoh në këto foto, në pamjen më frontale kuptimore dhe i nisur edhe nga ideja e Ambrës, për të trajtuar një motiv sensual nga më interesantet, atë postadoleshencial.
La verginità është indi i këtij krijimi artistik, të konceptuar shumë bukur nga Ambra, të luajtur shumë bukur nga aktorët Jozif dhe Artemisa me impostimet e skajshme që flasin me gjuhën e trupit, të veshur dhe të çveshur.
Ndërsa për Pirron që i ka fiksuar, përpunuar dhe interpretuar në studion e tij të fotografisë, jam i detyruar si unë edhe e ëma e tij Entela, të mbajmë rolin prindëror, vetëm të kontribuojmë në ekspozim dhe publikim, për mos e tepruar me fjalë dhe superlativa, sepse më tepër se do t’i bëjmë mirë do krijojmë situata përkëdhelizmi, të cilat veçse do t’a frenojnë në rrugën e tij kërkimore.
Por meqë të dy përveçse jemi prindër, na takon si artist të biem dakord me termin ‘Përfundim’ (Konkluzion) që ai e vendosi vetë për këto foto. Një përfundim jo vetëm i subjektit në fjalë, por një përbashkim i maturisë së retorikës estetike, të fazës të parë pesëvjeçare, të aktivitetit të tij krijues në fushën e dizajnit në përgjithësi.
I uroj të gjithë “aktorëve” të kësaj krijimtarie, Ambra, Artemisa dhe Jozif, të fiksuar në foto, punë të mbarë drejt këtij integrimi në gjuhën bashkëkohore të shprehjes artistike.
Po të qe gjallë mbreti Likurg që përndiqte djaloshin Dionis, flokëgjatë, shëtitësin gjysmë hyjnor, këto foto do futeshin në ujë nga frika.

3.8.2020.

Please follow and like us: