Albspirit

Media/News/Publishing

Klubet e futbollit shpallin bojkotin e kampionatit

Në krizë të fortë ekonomike dhe ne kufijtë e mbijetesës klubet shqiptare të futbollit kanë vendosur të bojkotojnë kampionatin që nis në mes të shtatorit. Të mbledhur në kuadër të një organizate si Liga e Futbollit Profesionist, përfaqësuesit më të lartë të FSHF-ës dhe klubeve pjesëmarrëse në Superligë kanë dalë me një vendim drastik duke bojkotuar sezonin e ri nga 12 shtatori e në vijim deri në plotësimin e kërkesave të reja. Ky vendim mund të rishihet vetëm nëse aeveria i ul TVSh, i zeron borxhet dhe ndryshon ligjin për privatizimin. “Liga Profesioniste e Futbollit, pasi u njoh me ndryshimet ligjore për sportin të realizuara deri më tani, konstaton me keqardhje se këto ndryshime nuk i japin zgjidhje kërkesave te klubeve te Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin premtimet e bëra nga Qeveria Shqiptare ne tryezën e 11 marsit 2019” thuhet në komunikatën e botuar me këtë rast. Ky vendim mund të rishikohet vetëm nëse qeveria plotëson njemë sërë kushtesh që shpëtojnë skuadrat profesioniste nga falimentimi.

-Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit.
-Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
-Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.

Nëse qeveria nuk i përfill këto kërkesa ultimative, atëherë Kampionati Kombëtar i Kategorisë Superiore nuk do të nisë në datën e parashikuar  12 shtator.

Please follow and like us: