LEKË GOJÇAJ: SHTEGTIMI I SHTATOREVE TË NËNË TEREZËS NË TROJET E ARBËRIT
Shtatorja e Nënë Terezës nga Vasil Nini, Vasil Rakaj dhe Sadik Spahia
Projekti mori jetë në një kohë tepër të vështirë. Koha, kur do ta çonim statujën në Mal të Zi, në Tuz, qe tepër e trazuar. Në Shqipëri vazhdonin trazirat. Në Mal të Zi e shtuna e 18 tetorit 1997, që ishte caktuar për përurimin e shtatores në Tuz, ishte një ditë para votimeve për zgjedhjen e Gjukanoviçit, ndërsa në Kosovë vazhdonte represioni i Millosheviçit. Kufiri qe i mbyllur dhe ne nuk mund të kalonim lirisht shtatoren në kufi. Falë Zotit, rruga u çel dritë. Ndërhyri ministri i tri feve të Malit të Zi, zoti Tumanoviq, ndërhynë dhe liderët e partive politike shqiptare të Podgoricës dhe kështu u çel kufiri sa për kalimin tonë, por shtatoren e lamë peng aty, në kufi (bëhet fjalë për natën e 16 tetorit), ku qëndroi një natë në doganën e Hanit të Hotit, nën ruajtjen e kujdesin policor, pa krijuar asnjë problem dhe më pas ne mundëm ta kalonim edhe atë për të shkuar drejt kishës në Tuz. Shtatorja shkoi në Tuz një ditë para përurimit, me 17 tetor dhe u vendos mbi bazament, për të qenë e gatshme të nesërmen, me 18 tetor. Gjatë gjithë kohës ishte në krye Patër Pashku Gojçaj, i cili erdhi në kufi dhe u përkujdes për ta marrë shtatoren. Bashkë me ne ishte edhe Doda, djali i axhës, që ngiste makinën dhe Pashku, vëllai im.
Atje na është bërë një pritje shumë e ngrohtë, madhështore, do të thosha dhe shtatorja e Nënës Terezë është pritur me nderim të veçantë. Madje edhe Radio e Televizioni i Malit të Zi e dhanë disa herë lajmin, duke nënvizuar: “Dy vëllezërit Gojçaj, nga Malësia, po sjellin një buqetë lulesh për Nanën Terezë, monumentin e saj”. E ndjej veten të gëzuar, sepse, sa herë shkoj atyre anëve, takohem tek kisha e Tuzit me Nënë Terezën. Nuk më hiqen nga mendja fjalët e Ipeshkëvit të Tivarit, i cili në ditën e përurimit të shtatores tha se kjo është vepra e parë në botë që i kushtohet Nënës Terezë, por është mirë edhe për ne, që u rreshtuam si popull në një radhë me vendet e tjera të botës.
Nuk e di se ç’kuptim desh t’i jepte këtij mesazhi Ipeshkvi Peter Perkuliq, ndoshta ngaqë shteti komunist shqiptar e kishte refuzuar Nënë Terezën, por besoj se shqiptarët si popull ishin rreshtuar me kohë në radhën e kombeve që e kishin vlerësuar atë, ashtu siç ishim një hap para të tjerëve edhe ne si familje, që ia kishim hyrë këtij projekti në të gjallë të nënës së madhe. Ipeshkvi na e rriti nderin duke thënë se vëllezërit Gojçaj, edhe pse me banim në Amerikë, nuk e harruan kurrë vendlindjen dhe ftoi të pranishmit për një duartrokitje.
Ndërsa Ministri i tri besimeve në Mal të Zi, pa ia ngrënë hakun, foli me fjalë të zgjedhura; tha se pas vendosjes së kësaj shtatoreje këtu, Tuzi nuk është më një qytezë e vogël, por shpirtërisht e moralisht është një ndër qytetet më të mëdhenj të botës, sepse ai ka tani të madhen Nënën Terezë.
Ipeshkvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, i ndjeri Monsinjor Mark Sopi, kishte ardhur nga Prizreni dhe mbajti një fjalim shumë emocionues. Mbaj mend se ndër të tjera ai foli për një shkrimtar italian që shkruante shumë për Zojën e Bekueme. Kur i kanë thënë nëse i kishte mbetur gjë tjetër pa shkruar për Zojën e Bekuar, ai ishte shprehur: “Jo, kurrë nuk them se kam shkruar shumë për Zojën e Bekuar”.
Edhe ne, tha Imzot Mark Sopi, kurrë nuk duhet të themi se kemi bërë shumë për Nënë Terezën, sepse kurrë nuk mund të bëjmë aq sa ka bërë ajo për njerëzimin Më pas ka vazhduar të përcjellë me fjalë të bukura madhështinë e Nënë Terezës aty, në Malësi:
– Kur jam çuar në mëngjes, në orën katër, jam nisur nga Prizreni me terr. Edhe Gjakova, edhe Peja, dukeshin në terr. I përballova vështirësitë e kësaj rruge, pa u frikësuar nga egërsirat; duke rënë poshtë në Rozhajë, kur zbrita në Manastir Moraçë,(gjithëkush ka dëgjuar për leqet e rrezikëshme, ku kanë humbur shumë jetë njerëzore); gjithsesi rruga po më çelej, ndërsa, kur iu afrova Podgoricës, qielli erdhi duke u hapur; pasi kalova Podgoricën dhe u afrova në Malësi, në Tuz, dielli doli plot shkëlqim, ngaqë vetë Nënë Tereza i kishte dhënë shkëlqim këtij vendi.
Fjalët e bukura e plot kuptim të Ipeshkëvit të Kosovës janë duartrokitur për një kohë të gjatë.
Ndërsa dëgjoja Ipeshkv Mark Sopi të fliste aq bukur, mendova sfondin historik të ngjarjeve që kanë ndodhur nëpër vendet ku ai kishte kaluar, tek Ura e Zharnicës, që kapërcen Lumin Cem. Aty kanë luftuar për jetë a vdekje heronjtë, që përshkruan Fishta tek Lahuta e Malsisë e pas këtyre trimërive atij iu ndrit rruga, nga që bija e kombit tonë, pasi i kishte rënë kryq e tërthor botës, duke i falë dashuri e mëshirë të varfërve, po vinte që të pushonte këtu, në një cep të tokës shqiptare. Po të qe gjallë Fishta doemos që do ta vinte në ballin e heronjve të Lahutës së tij shënjtëreshën tonë, Nënë Tereza.
Ka qenë dhe një Ipeshkëv nga Kotorri, që tha: Nuk e di nëse ka qenë rastësi që ky përurim është organizuar pikërisht me 18 tetor. Kjo datë është e njëjta ditë historike, kur Shën Luka ka shkruar Kanunin e Varfërisë. Edhe Nënë Tereza ka qenë dhe mbetet shenjtëreshë në mbrojtje të të varfërve.
Në atë ceremoni edhe unë mbajta një fjalim të shkurtër. U thashë se shumë nga ne mendojnë se kanë bërë shumë për Nënë Terezën, por unë kam mendimin se gjithkush ka bërë aq sa ka pasur mundësi. Ka bërë aq sa ata fëmijët në Kalkutë, në ditën e varrimit të Nënë Terezës, rrinin për orë të tëra në radhë për të vendosur një lule në arkivolin e shenjtëreshës! Ata përballuan vapën e shiun. Binte një shi i nxehtë e, kur pushtonte shiu, dielli të digjte si saç. Ata nuk lëvizën nga vendi për orë e orë të tëra, derisa u vinte radha që t’i afroheshin arkivolit. Unë them se ata kanë bërë shumë, kanë bërë aq, sa kishin mundësi.
Patër Pashk Gojçaj kishte shkruar një poezi të frymëzuar për Nënën Terezë, e cila u recitua në tri gjuhë: anglisht, nga Dajana Gojçaj; shqip, nga Norma Zagreda (Gojçaj) dhe në gjuhën malazeze, nga zonjusha Ivezaj.
Ceremonia qe shumë e madhe, me një pjesëmarrje që i kalonte më shumë se tre mijë vetët. Ia dimë për nder Televizionit Boini, që e ndoqi të gjithë aktivitetin dhe e përcolli në emisionet e veta. Atë ditë më kanë shoqëruar edhe gazetari i “Illyria”-s, korrespondenti i atëhershëm për Shqipërinë, Mero Baze nga Tirana, edhe korrespondenti i gazetës “Bota Sot”, Ibrahim Iberiashi, nga Ulqini. Pyetjes së Iberiashit: Si e priti Malësia Nënë Terezën, unë iu përgjigja: – Populli e ka nderuar Nënë Terezën. E ka vajtuar vdekjen e saj, ndërsa sot po na nderon në mënyrë madhështore duke marrë pjesë në këtë tubim përurimi.
Manifestim aq madhështor e aq historik si ai nuk ka parë Malësia. Besoj se historik këtë tubim e bënte vetë shtatorja e Nënë Terezës. Madje, ky tubim kaq i madh i shqiptarëve, duket se i shqetësoi autoritetet serbo-malazeze, sepse disa ditë pas këtij tubimi, nëpër Tuz u shfaqën shumë forca speciale, të cilët duket se patën si mision që t’u tregonin shqiptarëve se ata, serbët, ishin aty dhe të mos guxonte njeri t’i shkonte ndërmend ndonjë prapësi me tubime të tilla. Nuk duhet harruar fakti se këto forca speciale vareshin direkt nga Sllobodan Millosheviçi dhe ishin bërë tmerri i Kosovës. Është koha e pragterrorit në Kosovë. Në Bosnje ishte luftë dhe pas dy vjetësh do të fillonte lufta e madhe në Kosovë. Gjithsesi gjithçka shkoi mirë në tubimin tonë dhe edhe sot e kësaj dite Nënë Tereza është mes besimtarëve shqiptarë atje, në Tuz.
Shtatorja e dytë tek Kisha “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork
Ka qenë një ngjarje që nuk mund të harrohet ajo e 10 shtatorit 2000, kur Nënë Tereza u bë pjesë e pandarë e komunitetit katolik shqiptar pranë Kishës Katrolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, të Nju Jork-ut. Kisha ishte mbushur plot me besimtarë atë ditë të bukur Vjeshte. Festë e shkuar festës ishte ajo ditë. Kisha shkuar herët me të gjithë familjen Gojçaj në këtë festë. Madje edhe Nëna jonë Katrinë kishte ardhur me ne. Gëzimi lexohej që larg në sytë e saj. Ishte e gëzuar, se djemtë e saj kishim sjellë si të gjallë shenjtëreshën shqiptare, Nënë Terezën. Kur akoma nuk kishte filluar festa, shtatorja ishte e mbështjellë me një pëlhurë që imitonte veshjen bardhe e blu të Misionareve të Nënë Terezës dhe asaj vetë, ndërsa mbi piedestalin e shtatores era përkundëte lehtë 86 tollumbace, po në këto ngjyra, që përfaqësonin 86 vitet e jetës së saj.
E diela e atij 10 shtatori ka qenë fare e veçantë; shqiptarët kishin vërshuar nga të gjithë skajet për të qenë të pranishëm në atë ditë-feste, që do t’i ngarkonte me emocione të thella. Kishte aq shumë pjesëmarrës, sa nuk kishje ku të hidhje kokrrën e mollës. Në orën 12 të drekës nisi mesha, e cila i ishte besuar Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Mark Sopit. Mbaj mend se Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” e quajti Tempullin e të gjithë shqiptarëve dhe e krahasoi me Tempullin e parë kushtuar Jezu Krishtit në Jeruzalem. Gjatë meshës Imzot Mark Sopi falenderoi shqiptarët e Amerikës për kontributin që dhanë gjatë Luftës së Kosovës, kontribut ky jo vetëm financiar, material e njerëzor, duke dërguar bijtë e vet në luftë, por edhe duke shërbyer si një urë bashkimi me Amerikën si dhe duke krijuar një miqësi të pandashme mes kombit amerikan dhe atij shqiptar, kudo që jeton në trojet e veta.
Nga larg kishte udhëtuar edhe Patër Pashku Gojçaj, famullitari i Kishës së Tuzit, ku qe vendosur e para shtatore e Nënës Terezë. Në fjalën para besimtarëve ai tha fjalë zemre për shqiptarët e Amerikës dhe na e rriti nderin edhe ne vëllezërve Gojçaj, që po ndihmonim për vendosjen e shtatores të shenjtëreshës shqiptare kudo, ku jetojnë shqiptarët.
Më pas foli edhe ndihmës famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” dom John Gibson dhe famullitari dom Pjetër Popaj.
Rreth orës një të mesditës, mbërriti dhe çasti i përurimit. Besimtarët u prinë nga Imzot Mark Sopi, i shoqëruar nga dom Pjetër Popaj dhe nga grupi i fëmijëve. Me zërat e tyre të gëzuar fëmijët e bënin edhe më të bukur pamjen. Ata ngjasonin me një tufë zogjsh, që ia shtonin bukurinë festës me cicërimat e tyre gëzimndjellëse. Të gjithë rrethuan statujën e Nënë Terezës. Imzot Mark Sopi bekoi statujën e bronztë me ujin e bekuar. E kam ndjerë veten shumë të emocionuar, kur me vëlla Pashkun, me vajzën e tij, Dajanën dhe vajzën time, Suzanën, filluam të zbulonim shtatoren. Gjithçka u zbulua ngadalë, fillimisht doli bazamenti, më pas fëmija i vogël plot jetë i gdhendur mjeshtrisht nga skulptorët, simboli i shërbimit e përkushtimit të shënjtëreshës e, më pas, zbulohet e gjithë shtatorja. Pashku preu fillin, që mbante 86 balonat dhe ato dalëngadalë u ngritën në qiell, si 86 engjëj mbrojtës duke fluturuar lart e më lart.
Më pas shtruam një drekë për pjesëmarrësit e shumtë. Mes pjesëmarrësve të shumtë ishte edhe nëna jonë Katrinë, e cila mbushte 85 vjet atë ditë. Ajo dukej shumë e gëzuar tek qëndronte mes Tones dhe Prendës. Përshëndetjen e rastit në drekë e mbajti kryetari i Këshillit të Kishës të asaj kohë, Lekë Vataj, i cili i nderoi të gjithë pjesëmarrësit, falenderoi organizatorët, mysafirët dhe na e rriti nderin edhe neve, mua dhe Pashkut e familjes sonë për atë që kishim bërë për Nënë Terezën.
Më pas, famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës”, i përndershmi dom Pjetër Popaj, falenderoi edhe një herë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe familjen tonë për dhuratën që i bëmë këtij institucioni fetar të shqiptarëve dhe vlerësoi figurën dhe misionin fisnik në shërbim të të varfërve të Nënë Terezës.
Dom Pjetri falenderim të veçantë i bëri edhe skulptorit Vasil Rakaj, për pjesmarrjen atë ditë në ceremoninë festive, por edhe për punën si artist në ndërtimin e asaj shtatoreje.
Më erdhi mirë, që dom Pjetri i bëri një vlerësim të lartë skulptorit.
Në ceremoni ka pasur edhe të dërguar nga kryetari i bashkisë së Nju Jork-ut, Xhuliani. Kur u ngrit përfaqësuesi i bashkisë, Dann Karrikjë dhe ka përshëndetur në emër të Xhulianit, të gjithë kanë shpërthyer në duartrokitje. I meritonte duartrokitjet, sepse Dann Karrikjë është përpjekur shumë për të na ndihmuar në përpjekjet tona për të vendosur shtatoren në Kombet e Bashkuara.
Ka qenë dhe mbetet një ëndërr e imja për ta vendosur shtatoren para Kombeve të Bashkuara. Mendoj se Nënë Tereza ishte një O.K.B. më vete, jo vetëm pse misionet e saj veprojnë dhe janë aktivë në të gjithë botën, por edhe në aspektin e mesazheve shpirtërore asaj i takon që të jetë atje, ku bashkohen kombet e kësaj bote. Kush më mirë se ajo i përfaqëson kombet në atë vend simbolik? E ka dhënë me pak fjalë madhështinë e saj ish presidenti francez, Zhak Shirak: “Nënë Tereza paraqiti befas atë virtyt bashkimi, për të cilin ka aq shumë nevojë bota sot”. Prandaj unë kam menduar që Nënë Tereza u përket të gjithë kombeve të botës. Emocionet u shtuan edhe më shumë, kur Rudina Gojçaj, e reja e Pashkut, nusja e Gjonit, ka lexuar në gjuhën shqipe poezinë për Nënë Terezën, të Patër Pashkut, ndërsa Loressa Gjonaj (Gojçaj), ime bijë, e martuar me Edi T. Gjonaj, e recitoi këtë poezi në gjuhën angleze. Gjithçka ka qenë shumë emocionuese në atë drekë-festë. Teksa mora fjalën, u kujtova pjesëmarrësve një takim që kisha pasur me Imzot Rrok Mirditën, në vitin 1997, në Kalkuta dhe bisedën që kisha bërë me të për figurën e Nënë Terezës. Patër Pashku i Kishës së Tuzit na dhuroi një kryq të veçantë. Edhe pse peshonte jo pak, pesha nuk e kishte penguar atë që ta sillte nga Malësia në Nju Jork. Ai ma rriti shumë nderin, kur ma dha mua atë kryq dimensional prej dru ulliri, ku dukej i gdhendur një kryq tjetër i bronztë, si ai që mbante në gjoks vetë Nënë Tereza, kur ishte gjallë. Në ato çaste u ngrita dhe thashë për të pranishmit:
– Kur isha në Kalkutë, pashë mijëra fëmijë indianë tek qëndronin për orë të tëra pa lëvizur në radhët e gjata e të pafundme me nga një lule të vetme ndër duar dhe prisnin t’u vinte radha që të nderonin Nënën mëshirmadhe. Për mua kjo shtatore ka vlerën e atyre luleve që mbanin ndër duart e tyre të vogla fëmijët indianë. Njeriu dhuron aq sa mundet e ata fëmijë dhuronin lule. Ne dhe ata dhuruam aq se kishim mundësi; e përbashkëta është se dhuratat kanë dalë nga shpirtrat tanë.
Gjatë drekës famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës”, dom Pjetër Popaj, na dhuroi dy ikona të bekuara nga Papa.
Shtatorja e tretë në Prishtinë
Kisha dëshirë të shpirtit që ta vendosja edhe në Prishtinë një shtatore të Nënë Terezës. Dëshira vinte ngaqë Kosova jonë tashmë ishte e lirë prej sllavëve dhe se ia kisha dhënë fjalën presidentit Dr. Ibrahim Rugova, që simboli i kohëve të reja shqiptare, Nënë Tereza, ashtu si edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu, e kishin vendin në kryeqytetin e lirë të Kosovës dardane. Atje nuk kishte më vend për simbole e idhuj, për figura të rrejshme sllave, por vetëm e vetëm për figura simbol të shqiptarëve. (Ndiej dhimbje që Dr. Rugova, i cili në qendër të Prishtinës ngriti dy simbolet kombëtare, sot nuk jeton më).
Shqiptarët duhet t’i bëjnë vend në zemër të kryeqytetit të Kosovës edhe atij, Gandit të Ballkanit, që i bën nder vetë Kosovës, tha vëllai im, Pashku, kur përkujtuam një vjetorin e vdekjes së presidentit. Një përmendore e tij, një vit e gjysëm pas vdekjes, nuk besoj se është normale të mungojë në Prishtinë. Nuk kemi një figurë tjetër shqiptare të kompletuar, që na e njeh bota, përveç Dr. Rugovës. E tregoi këtë edhe përcjellja e tij e fundit, ku shqiptarët e përcollën në atë dimër të acartë dhe radhët e gjata nuk sosën, edhe pse temperaturat ishin nën zero gradë. Vetëm një udhëheqës largpamës si Rugova mund t’i propozonte Papa Gjon Palit II, për ta shenjëtruar Kalorësin e Krishtërimit, Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Le të kthehemi tek vendosja e shtatores së Nënë Terezës në Prishtinë. Kush më mirë se nënë Tereza e meritonte një nder të tillë në qendër të Prishtinës? E kisha dhënë fjalën në prani të një grupi shqiptaro-amerikanësh, kur ishim në takim me presidentin Rugova. Ka qenë fill pas luftës. Mbaj mend se grupin e udhëhiqte asokohe kryetari i Vatrës, z. Agim Karagjozi, koordinator i grupit ishte Agim Rexha, ndërsa kryetar i LDK-së për Trishtetëshin, NY, NJ dhe CT, ishte Marjan Cubi. Nga takimi i vitit 1999, deri në korrik 2002, kur u vendos shtatorja në Prishtinë, kam qenë vetëm në pritje të gjetjes të një sheshi të lirë. Kaloi shumë kohë deri në gjetjen e atij sheshi. Vetë presidenti Rugova u interesua, por nuk ishte aq e lehtë. Më në fund u gjet ai shesh. Një statujë sllave u hoq prej andej, pasi nuk e kishte vendin aty dhe u vendos Nënë Tereza. Më vjen mirë që u vendos aty shtatorja. Dr. Rugova më pat treguar në intimitet se, dikur, kur ai vinte për të studiuar për herë të parë si student në Prishtinë, pa asnjë vend ku të fuste kokën, ai jetimi kishte fjetur tërë natën në një stol, pikërisht në atë vend, ku është sot shtatorja. Nuk e di sesi u arrit kjo rastësi, madje edhe vetë Dr. Rugova shfaqte habi. Por ja që ndodhin gjëra të tilla. Dikur, një student jetim kishte kaluar natën në atë vend. Pikërisht ky student do të bëhej udhëheqësi i Kosovës, do të shkëpuste Kosovën nga Serbia, do të shpallte Kushtetutën dhe, në përvjetorin e 2 korrikut të vitit 2002, me ndihmën e tij do të realizohej vendosja e shtatores edhe në Prishtinë. Më duket i shenjtë ai vend, në të cilin u vendos shtatorja.
Vendosja e shtatores me datë 2 Korrik 2002 në Prishtinë ishte një përkim historik me fatet e popullit shqiptar të Kosovës. 2 Korriku 1990 ishte ditë e shënuar, ishte dita e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, ditë që shënoi shkëputjen prej Serbisë, shkëputje që do të finalizohej me ndërhyrjen e NATO-s më 1999.
Ndërkohë shtatorja e Skënderbeut ishte vendosur më 28 Nëntor, një ditë tjetër historike për kombin shqiptar. Ishte pikërisht kjo datë përvjetori i gritjes së flamurit me shkabën dykrenare, kur i urti Ismail Qemali shpalli mëvehtësinë e kombit shqiptar nga sundimi 5 shekullor i Perandorisë Turke.
Shtatorja e Nënë Terezës bëri një udhëtim të gjatë e të vështirë për të shkuar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Udhëtimi nisi nga aeroporti JFK i Nju Jorkut, për në Milano, nga Ankona në Durrës, me anije dhe prej Durrësi me kamion. Një udhëtim tepër i vështirë. Nuk mund të udhëtonte me avion nga Italia në Prishtinë. Nuk gjetëm një aeroplan që ta ngarkonte dhe të ndodhej atje në kohën e caktuar për përurim, me 2 korrik 2002. Madje ka qëndruar gjatë në aeroportin JFK në pritje të një vendi të lirë drejt Italisë. Gjithashtu nuk gjetëm një aeroplan për ta ngarkuar nga Italia drejt Tiranës ose drejt Prishtinës. Mbaj mend se 4 ditë ka qëndruar shtatorja në JFK në Nju Jork, më pas ka pritur në Malpensa të Milanos edhe ca ditë të tjera në pritje për të udhëtuar drejt Ankonës dhe, prej aty, ka udhëtuar drejt Triestes. Udhëtimi më i vështirë ka qenë ai me makinë nga Durrësi në Prizren e Prishtinë. E kam përmendur dhe herë të tjera se merita ka qenë e Bahri Rogamit, Kujtim Toskës dhe Bujar Rogamit, që kanë vozitur pa u lodhur dhe, në kohën e caktuar, e kanë dërguar shtatoren në Prishtinë pa as më të voglin dëmtim. Kështu arritëm që, me ndihmën të miqve, ta dërgonim shtatoren në kohën e duhur dhe t’ia shtonim atmosferën festive ditës përkujtimore të 2 Korrikut.
Na kanë pritur mjaft mirë në Prishtinë. Sapo zbritëm atje, na rrethuan me një mirënjohje të thellë dhe na falenderuan me fjalë zemre. Televizionet, radiot, shtypi e kanë shënuar si lajm të parë duke na e rritur fort nderin tonë.
E ndjeva veten shumë të emocionuar edhe nga mënyra se si e emetoi lajmin Televizioni, ku me figurë paraqitej shtatorja dhe me zë jepej lajmi: “Nga Kalkuta mbërriti Nënë Tereza me fëmijën për dore. Atë e sollën këtu në Prishtinë vëllaznit prej Malësie, Lekë dhe Pashk Gojçaj”.
Ishte një ditë feste dhe gëzimi popullor. Emocionet ishin të jashtëzakonshme. Na preku shumë mirënjohja e popullit të Kosovës.
Vetë dr. Rugova, mori pjesë në përurimin e shtatores dhe foli për vlerat e Nënë Terezës, si shenjtëreshë dhe pjesë e racës sonë shqiptare, si simbol i kombit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pak a shumë fjalët e dr. Rugovës ishin këto: “Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e shtatores së Nënë Terezës, Nënës sonë të dashur. Këtë shtatore të çmuar, që po zbulojmë sot, do ta kemi në rrugën kryesore të kryeqytetit që e kemi emëruar rruga “Nënë Tereza”. Sipas Dr. Rugovës, ky shesh mezi e kishte pritur këtë ditë; kjo rrugë, i gjithë populli, mezi e kishin pritur mbërritjen e Nënë Terezës në Prishtinë, kryqendrën e Dardanisë. Shpesh,fjala e Dr. Rugovës u ndërpre nga duartrokitjet e zgjatura.
Dr. Rugova ishte i prirur për të shkuar drejt Perëndimit me ikona të tilla të kombit si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Nënë Tereza. Si tani më kujtohet mesazhi që dërgoi ai ditën e bekimit të gurthemelit të Katedrales ”Nënë Tereza” në Prishtinë, kur tha: “Qysh sot i bëjmë thirrje Papës që, të gjejë kohë për të bërë një vizitë në Prishtinë në 100 vjetorin e shenjtëreshës, kur të përurojmë Katedralen me emrin “Nënë Tereza”.
Më vjen keq që disa po përpiqen të bllokojnë amanetin e Dr.Rugovës për ndërtimin e kësaj Katedraleje. Atë ditë historike, të 2 korrikut 2002 në drekën e shtruar, Marjan Cubi ka përcjellë një poezi të shkruar nga Gjovalin Lumaj prej Kelmendi, i cili jetonte asokohe në Michigan. E shoh të arsyeshme ta botoj këtë poezi për të përcjellë atmosferën që u krijua atë ditë festive:
Nanë Terezë mirë se erdhe!
Çohen shqipet përmbi çerdhe,
Mbi Kosovë po hedhin valle,
Nanë Terezë mire se erdhe,
Mire se erdhe Nanë e Madhe.
Dritë e madhe që kurr’ nuk zhduket,
Zbukuron hijeshinë dhe vallen,
Zgjohen shekujt, shkunden supet,
Zgjohen trimat dhe ringjallen.
Kastrioti del me shpatë,
Në ballë të trimave kryetrim,
Nanë Terezë me uratë,
Në Kosovë po bjen bekim.
Nana e madhe një fjalë thotë,
Me dy duart drejtuar prej qiellit,
Jo, kurrë ma këtu gjak e lot,
Shkëlqe paqe si dritë e diellit.
Del Rugova në ball’ t’tubimit,
Kjoftë bekue kjo ditë e artë,
Dy pikë lot prej mallëngjimit,
Janë mesazhe që flasin kjartë.
Lavdi Nana Zemërgjana,
Bashk madhnisht u banë dy nana,
Fisnikërisht botës i dhanë prova,
Dy burrnesha zemërgjana,
Nanë Tereza e Nanë Kosova.
Nanë Kosova hedh kushtrimin,
Drejt të ardhmes plot me dritë,
Nanë Tereza jep bekimin,
O Kosovë, e ke meritë!
Bekue kjofsh, o Kosovë sot,
Gëzofsh paqen e lumturinë,
Un’ kam gjak nga gjaku jot,
Ti ma shtove krenarinë.
Kur dy nana flasin s’bashku,
Dy vllazën, djelm prej Hotit,
Gëzojnë me shpirt Leka e Pashku,
Për kët’ ditë i falen Zotit.
Zemra e tyre kaq bujare,
Madhnisht sot u kenka rrit,
Vepra e artë humanitare,
Në ballë t’nanave u lëshon dritë.
Jep bekimin Nanë Terezë,
Për dy vllazën kaq fisnikë,
Vepra Juej jetoftë me breza,
Në Shqipëri dhe Amerikë!
Nana e madhe prej Kalkutës,
Në Kosovë erdhi madhnisht,
Në 10-vjetorin e Kushtetutës,
Për të jetuar këtu përjetësisht.
Edhe një shtatore për Strugën shqiptare
Dëshiroja që një shtatore të Nënë Terezës ta kishim edhe mes shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe momenti erdhi. Ishte një kërkesë e Jashar Pollozhanit, kryetarit të Shoqatës humanitare “Nënë Tereza” në Strugë, i cili me ndërmjetësinë e Dom Lush Gjergjit, më bëri një ditë një telefonatë dhe më kërkoi bashkëpunim për të vendosur shtatoren në qytetin e bukur shqiptar të Strugës. E falenderova për kërkesën dhe mendova që këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, të punonim me një komision pune. Qëllimi ishte që të krijonim një bashkëpunim ndërshqiptar dhe ndërfetar këtu në Amerikë dhe të mos ishim vetëm ne si familje që po e dhuronim, por diaspora shqiptare. Kështu dhurata do të merrte përmasa më përfaqësuese. Ngritëm një komision në Nju Jork, në përbërje të të cilit ishte Lavdërim Cami, Agim Rexhaj, Sylë Lajçi, Ndoc dhe Simon Simonlacaj, Marjan Cubi dhe unë me vëllanë, Pashkun. U përpoqëm që të kishim një komision gjithëpërfshirës, nga krahina të ndryshme, por edhe me përfaqësim fetar. I gjithë komisioni ka bërë përpjekje maksimale për të kryer detyrat që kishte marrë përsipër. Jo vetëm komisioni i Nju Jork-ut, por edhe Jashar Pollozhani në Strugë mbajti një barrë të madhe në kurorëzimin me sukses të vendosjes së shtatores. Madje ai ishte nismëtar i këtij aksioni. E kam parë të filmuar ceremoninë, në të cilën nuk munda të merrja pjesë, për shkak të një angazhimi tjetër këtu në Amerikë. Ka qenë një ditë e bukur e plot shkëlqim ajo e 17 prillit të vitit 2004. Pamjet filmike tregonin se qyteti piktoresk buzë Liqenit të Ohrit ishte plot shkëlqim atë mëngjes prilli. Kur katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nënë Terezës, i gjithë sheshi shpërtheu në duartrokitje. Nga ai moment Nënë Tereza u bë pjesë e qytetit me shumicë shqiptare. Që nga ajo ditë struganët do të kishin ëngjëllin e tyre mbrojtës, shenjtëreshën shqiptare, Nënën Terezë.
Shtatorja e Strugës është punuar nga skulptori shqiptar me banim në Maqedoni, Xhelil Rufati. Ai i ka bërë një zgjidhje të veçantë të figurës së saj, duke e paraqitur atë në një moment meditimi.
Pas kthimit, Pashku më tregonte se përurimi i Strugës kishte qenë tepër i veçantë; kishte pasur shumë gëzim e shumë hare. Kishin marrë pjesë me mijëra qytetarë dhe secili kishte shprehur një mirënjohje të thellë për shqiptarët e Amerikës, që e kishin mundësuar shtatoren e Nënë Terezës.
Për rëndësinë e këtij përurimi pjesmarrësve u foli Irfan Vlashi, i cili u tha të pranishmëve se përurimi i shtatores së Nënë Terezës në Strugë ishte një ngjarje e mrekullueshme, e cila do të përcillej ndër breza. Vetë Nënë Tereza do t’u përcjellë brezave veprën e saj humanitare të përbotshme. Kjo ngjarje e mrekullueshme, kishte shtuar ai, begaton historinë e Enhalonit të lashtë ilir dhe të Strugës së sotme.
Duke vlerësuar Nënë Terezën si një ndër përmendoret e humanizmit botëror, ai kishte shtuar se Ajo ishte dhe një përmendore krenarie për kombin shqiptar. Ajo mbetet një grua e vecantë, e përkushtuar deri në vetësakrifikim; ajo mbetet nëna e mesazhave dhe veprimtarive hyjnore, nëna e paqes dhe bujarisë. Vlashi evokoi veprimtaritë humane të Nënë Terezës, të cilat i përkasin të gjithë botës dhe janë të shtrira në të gjithë kontinentet ku ka jetë njerëzore, kudo ku ka varfëri, kudo ku lëngojnë të sëmurët e pashpresë, jetimët, të pastrehët, njerëzit që ndodhen në vështirësi mbijetese. Ajo u fali njerëzve shpirtin e saj dhe u mjekoi plagët e trupit dhe të shpirtit me mesazhet e ndihmës dhe të shpresës.
Vlashi u duartrokit nxehtësisht, tek përcillte mesazhin e përjetësimit të Nënë Terezës në Strugë, kur tha se që atë ditë ky shesh do të thirret “Sheshi Nënë Tereza”.Ta gëzojmë shtatoren e Nënë Terezës! Ta gëzojmë sheshin me emrin e shenjtëreshës shqiptare! Uroj, ka shtuar Vlashi, që në të ardhmen, shtatorja e Nënë Terezës të jetë mbrojtësja e shqiptarëve të Strugës.
Në përurim nuk kanë munguar as personalitetet vendore. Prefekti i komunës së Strugës, Romeo Dereban, ka vlerësuar veprën e bamirëses dhe personalitetin botëror të Nënë Terezës. Ai tha se Nënë Tereza është një personalitet me vlera unikale, që është kthyer në një kult për njerëzimin. Ajo, me përkushtimin e vet, i tregoi botës se çfarë mund të bëhet për t’i kthyer besimin njerëzve që u ka vdekur shpresa, ajo tregoi se si mund t’u mjekohen plagët e shpirtit njerëzve të braktisur, të pastrehëve, të sëmurëve të pashpresëve.
Edhe nga Kosova kishin ardhur përfaqësues atë ditë festive në Strugë. Në emër të tyre do të përshëndeste Adem Gashi, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, që e quajti të veçantë atë ditë. Nëna Terezë, tha ai, është Nëna e përjetësisë, historia do të flasë përjetësisht për atë. Ne ndihemi krenarë që ajo ishte pjesë e gjakut dhe e racës fisnike shqiptare.
Në këtë përurim nuk ka munguar edhe dom Lush Gjergji, biografi dhe njeriu që ka studiuar dhe ka ndjekur gjurmët e bamirëses shqiptare. Ai ka evidentuar vlerat e humanistes së madhe, ka sjellë për pjesëmarrësit mesazhet e mirësisë dhe të bamirësisë që udhëhiqnin në jetën e saj Nënë Terezën. Dom Lush Gjergji, duke folur për vlerat unikale të Nënë Terezës do të apelonte: “Ti afrojmë mendjet dhe zemrat tona rreth Nënë Terezës, e cila tashmë nuk i përket vetëm popullit të saj shqiptar, nga gjiri i të cilit u lind, por i përket mbarë njerëzimit.
Nga komisioni i Nju Jork-ut, në përurimin e Strugës, ishte i pranishëm vëllai, Pashku, i shoqëruar nga piktori Astrit Tota. Në mesazhin që ne si komision i diasporës u dërguam struganëve, përcillnim urimin tonë. Në mesazh shkruam: “Në pamundësi për të qenë aty të gjithë së bashku, ne pjestarët e komisionit sponsorizues nga SHBA ju përshëndesim përzemërsisht të gjithë ju që keni ardhur aty, për të parë zbukurimin e Strugës me shtatoren e Nënë Terezës, personalitetit më të njohur, më të dashur, më të dedikuar për të varfërit, për të të pastrehët, të vetmuarit, më të vuajturit e mbarë botës. Shqiptarët e Strugës duhet të jenë krenarë dhe të gëzuar që kjo shënjtëreshë u lind në afërsi të këtij qyteti, në Shkup, aty ku ajo mori fillimin e dedikimit për ata që kanë më shumë nevojë, sepse ajo u rrit në gjirin tradicional shqiptar, deri në moshën 18 vjeçare.
Komisioni ynë e ndan gëzimin me ju. Dhashtë Zoti që të zbukurohen me shtatoren e Nënë Terezës të gjithë qytetet ku jetojnë shqiptarët dhe njerëzit vullnetmirë mbi tokë”.
Festës në Strugë i kishin shtuar emocionet edhe artistët që kishin ardhur nga Tirana. Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, Margarita Xhepa, u kishte dhuruar pjesëmarrësve emocione të shumta me interpretimin e poezive të Nënë Terezës. Krahas saj ishin edhe artistët Teuta Jegeni, sopranoja Dëshira Ahmeti dhe artistë të tjerë. Pjesëmarrësit ua shpërblyen interpertimin me duartrokitje të fuqishme.
Në kurorëzimin e vendosjes së shtatores në Strugë ka meritën e vet Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” e Strugës. Kjo shoqatë, që ka lindur si degë e Shoqatës së Prishtinës më 1990, ka pasur një aktivitet të gjerë. Ajo është shkëputur nga shoqata e Prishtinës më 1993 dhe, që nga ajo kohë, e ka shtuar aktivitetin. Shoqata e Strugës kulmin e veprimtarisë e ka arritë në vitin 1999, kur shqiptarët e Kosovës u detyruan të zhvendoseshin nga trojet e veta për shkak të represionit serb. Edhe gjatë konfliktit në Maqedoni, shoqata ”Nënë Tereza” e Strugës, ka qenë në krye të punëve e ka shërbyer si një rreze shprese për të mjekuar plagët e konfliktit.
Kjo shoqatë ka organizuar shumë aktivitete kushtuar Nënë Terezës. Me interes ka qenë organizimi i manifestimit kulturor tradicional “Ditët e Nënë Terezës” apo ”Nëna e botës së përvujtur” e të tjera, ndërsa kulmi u arrit në prill të vitit 2004, kur u vendos shtatorja e shenjtëreshës sonë.
Mbetem me mendimin, me ç’ka kam parë në video dhe me sa më ka treguar vëlla Pashku, se atmosfera festive në Strugë ka qenë shumë e hareshme; pas asaj në Tuz, ka qenë më e organizuara dhe më masivja për nga pjesëmarrja.
Shtatorja e Mitrovicës
Kisha mendura prej kohësh se një shtatore e Nënë Terezës në Mitrovicën e trazuar do të shërbente për uljen e tensioneve mes qytetarëve, që janë të etnive të ndryshme. Edhe vëlla Pashku ishte në një mendje me mua. Erdhi dita që kjo shtatore të bëhej pjesë e qytetit, që ka provuar mbi vete shumë ngjarje tragjike. Që nga 4 shtatori i vitit 2004, Nënë Tereza është atje, falë një projekti të diasporës shqiptare të Amerikës. Ky projekt kishte nisur paralelisht me shtatoren e Strugës dhe të Klinës. Kjo e fundit, pra e Klinës, iu dha biznesmenit shqiptaro-amerikan me origjinë nga Kosova, Elmi Berisha, të cilit iu njoh e drejta e kopjes. Shpenzimet i ka bërë vetë ai. Ka qenë ditë e shënuar edhe vendosja e shtatores në Klinë, ku kanë marrë pjesë shumë personalitete politike e shtetërore, madje edhe presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.
Shtatorja e Mitrovicës pati të njëjtin komision, që realizoi shtatoren e Strugës. Ditën që u vendos shtatorja në Mitrovicë ishte vërtetë një ditë feste, edhe pse do të doja që të ishte më shumë një ditë bashkimi. Kush më mirë se sa Nënë Tereza do ta bashkonte Mitrovicën? Por duket se pushteti vendor nuk mundi që ta realizonte atë llojë bashkimi, qoftë edhe simbolik. Gjithësesi mendoj se ishte kujdesur Beogradi që Mitrovica të mos bashkohej dhe tensionet të mbeteshin gjithmonë të ngritura.
Gjithsesi, pjesëmarrja e autoriteteve tregonte vlerësim për vendosjen e simbolit të paqes dhe humanizmit në Mitrovicën shqiptare. Kishte ardhur në përurim Ministri i Kulturës, Sportit e Rinisë, i asaj kohe, Behxhet Brajshori, Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, këshilltari i presidentit Rugova, Sali Cacaj, deputeti Tom Hajdari, poeti Visar Zhiti, nga Shqipëria, Jashar Pollozhani, nga Struga, zv/ Kryetari i komunës së Mitrovicës, Mursel Ibrahimi (kryetari i ndjerë, Faruk Spahiu, sapo ishte ndarë nga jeta, për shkak të një sëmundjeje të rëndë) etj..Unë kisha shkuar bashkë me Pashkun në Mitrovicë, si dhe me Marjan Cubin, Simon Simonlacajn dhe zonjën e tij, si dhe kishte ardhe me ne edhe kushëriri im, Doda.Gjithëçka shkoi mirë në Mitrovicë, me përjashtim të pjesëmarrjes, që nuk ishte ajo që prisnim. Mendoj se mungesa e informimit dhe gjendja e tensionuar mes komunitetit serb dhe atij shqiptar, do të kenë qenë një nga shkaqet e pjesëmarrjes jo aq të mjaftueshme. Dr. Rugova na kishte paralajmëruar që njerëzit ende nuk ishin të çliruar nga një lloj frike.
Si shkoi Nënë Tereza në Mitrovicë?
Shtatorja e Mitrovicës erdhi si kërkesë e drejtorit të Radios në Mitrovicë, profesorit dhe publicistit Nexhmedin Spahiu, i cili, gjatë një telefonate, më shfaqi dëshirën që shtatorja duhej të ishte në Mitrovicë. Sipas drejtorit të radios, prania e shtatores së Nënë Terezës, do t’i bënte mirë Mitrovicës me tensione ndëretnike. Prania e Nënë Terezës do t’i zbuste shpirtrat e trazuar. Kërkesa për atë shtatore kishte ardhur paralelisht me kërkesën e Jashar Pollozhanit për Strugën. Nuk refuzuam as njërën e as tjetrën dhe i pranuam të dyja.
Kurorëzimi i projektit të Mitrovicës më dha një qetësi shpirëtrore. Edhe sot gjykoj se Mitrovicës i duhej Nënë Tereza më shumë se kujtdo tjetër.
Në përurimin e Mitrovicës, Gjovalin Lumaj kishte shkruar një poezi, të cilën e solli atë ditë Marjan Cubi. Po i sjell këtu vargjet e kësaj poezie:
Në Mitrovicë erdhi shtatorja
Historia sa të jetë jeta,
I shënon ngjarjet e veta.
Në kalendar kjo ditë e artë,
Do të shpërndajë dritën e kjartë.
Në Mitrovicë erdhi shtatore,
Nanë Tereza, nanë botnore.
Mirë se vjen Nanë e Lumnueme,
Mirë se vjen dritë e pashueme.
Mitrovica sot të pret,
Don me të pasë në zemër të vet.
Me ta ruejt emrin në breza,
Mirë se erdhe Nanë Tereza!
Drita jote do vegojë,
Për kët’ dritë kemi nevojë.
Ti në zemra mbjell dashninë,
Thërret paqen e qetësinë.
Ti thërret vlerat njerëzore,
Nanë Tereza, bijë arbnore.
Bota e madhe gjatë e gjanë,
Të nderon e të thërret nanë,
Prej në troje të Shqipërisë,
Në Kalkutën e Indisë.
Dritë shpirtnore, mesazh shprese
Bije shqiptare, Nanë Tereza.
Vjet për vjet shtatoret rriten,
Në troje të shqipes hapin dritën.
Kjo vepër ka bekim prej Zotit,
Për vëllezërit Gojçaj prej Hotit.
Djersën e derdhun në mërgim,
E dhurojnë me përkushtim.
Vepra e sotme na nderon,
Jep mesazh e na bashkon,
Kosovarë e gjithë shqiptarë,
Kjo është nder për nismëtar.
Dy figura që njeh Kosova,
President Ibrahim Rugova,
Dom Lush Gjergji që s’u kursye,
Vepra e Nanës me shkëlqye.
Nismëtarët bashkuan vullnetin,
Se e duan prosperitetin,
Duan bashkimin përmbi ndarje,
Duan Kosovën pa përçarje.
Janë përkrah nanës botnore,
Misionarë vlerash njerëzore.
Nana e madhe jep bekimin,
Për mëshirën për durimin,
Për marrëveshjen për pajtimin,
Për urtësinë e gjakftohtësinë,
Humanizmin e Bamirësinë.
Vepra e Nanës plot fryëmzim,
N’ Mitrovicë thërret bashkim.
Drita e saj po kthjellon motin,
Bashkon njerëz, me shpresë në Zotin.
Bekon Kombin Nanë Tereza.
Paqe, qetësi pa pas ngatërresa.
Vitet shkojnë, kohnat do rrjedhin,
Vepra shenjtë do shndrisë qiellin,
Bashkë me yjet, Hanën e Diellin,
Brezat kangën do përcjellin.
Trojet tona të Ilirisë,
Nderojnë veprën e pavdekësisë.
Ka qenë e mrekullueshme paraqitja artistike e krijimtarisë që i përkushtohej Nënë Terezës në tubimin e Mitrovicës. Visar Zhiti, një poet disident, që komunizmi nuk arriti ta thyente as në qelitë e torturave dhe as në ferrin e burgjeve, përcolli atë ditë poezitë e shpirtit për Nënën Terezë. Është duartrokitur gjatë poeti i talentuar. Edhe aktori i shumënjohur i Kosovës, Çun Lajçi, na ka emocionuar me vargjet kushtuar Nënës së madhe.
Pas atij përurimi kemi shëtitur edhe nëpër pjesë të tjera të Kosovës, duke qenë pjesëmarrës në disa nga veprimtaritë përkujtimore, kushtuar Nënë Terezës. Me shumë emocione i përkujtuam edhe veprimtaritë e organizuara në Gjakovë. Të dielën, me 5 shtator 2004, isha në Letnicë, tek Kisha “Zonja Cernegore”, ku Nënë Tereza kishte marrë mëshirën e parë, kur ishte vajzë e re. Na ka shoqëruar biografi i saj, dom Lush Gjergji. Të gjitha veprimtaritë na kanë pëlqyer dhe na kanë mbushur me emocione.
(Marrë nga libri “Shtatoret e Përjetësisë”-Jeta e Familjes Gojcaj mes Malësisë dhe Amerikës.