Albspirit

Media/News/Publishing

MËSUES NDERI DHE KRENARI E ZHULATIT HISTORIK

(Kushtuar Petrit Arsim Puli, mësuesit të apasionuar që i dha shpirt, dritë e jetë profesionit nga më të moçëm të botës të mësuesit duke ngelur në kujtesën e nxënësve të Zhulatit, Fushëbardhës, Labërisë dhe Lunxhërisë, profesorit që ja rriti krenarinë Zhulatit, krahinës së Kardhiqit dhe Labërisë)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI & Sulo PULI

Arsimtar gojëmjaltë që nxiti fuqinë e dijes në Zhulat, Fushëbardhë e Lunxhëri

Biri i fshatit Zhulat, Petrit Arsim Puli është lindur më 1 mars 1946. Fëmijëria e tij sikurse e gjithë bashkëmoshatarëve të tij ishte e vështirë, në një fshat të largët nga qendrat urbane me kufizime të lëvizjeve si dhe me resurse të pakta materiale, por me vlera të mëdha njerëzore. Petriti u rrit në një mjedis me histori të madhe, një vend ku njerëzit ishin të zgjuar prej natyre si dhe historitë e së shkuarës i mësoi që herët nga babai, Arsimi dhe nëna Gazja. Por rrethi familjar gjyshërit e gjyshet patën ndikim tek Petriti fëmijë duke dëgjuar me vëmëndje për hallet, brengat e gëzimet, për trimëritë e të parëve, për jetën dhe këngët, për doket e zakonet, për vajet e mortet, por mbi të gjitha për mbijetesën jetësore. Lidhjet farefisnore si dhe fqinjësore me fshatrat përreth e bënë shpejt Petritin të njohur edhe me historinë e brezave të krahinës e më gjerë të trevës së Labërisë. Gjyshja nga nëna e Petritit ishte nga Golemtë e Fushëbardhës, ndërsa gjyshja nga babai ishte nga fisi Bello në Fushëbardhë. Tregimet hokatare në fshat, por sidomos dasmat me këngë të të gjitha epokave si dhe gostitë, përrallat në netët e gjata pranë oxhakut mbrujtëh që në rininë e tij të hershme karakterin e fortë dhe të qëndrueshëm si dhe dashurinë e respektin për të parët, për njerëzit e punës, për vendin. Në të njejtën kohë e bënë Petritin gjithënjë e më shumë promotorë që vetë ai të shkruante një sërë tregimesh e vjershash, por edhe hulumtime historike për historikun e fshatit, e më tej edhe të krahinës së Kardhiqit. Babai i Petritit që edhe emrin e kishte Arsim, kërkonte që i biri të ishte mësimdhënës, një dëshirë e dyanëshme. Arsimi kishte qenë “mësues” me Dalan Norën, Mersin Peçin etj., në kurset fushore kundër analfabetizmit. Prandaj e rregjistron në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” dhe e përfundon gjatë viteve 1960-1964 me nota të shkëlqyera.

Petrit Puli veçon në shkollë mësuesin e matematikës Tomorr Tushe, Aleko Pano, Ali Fico, Stavri Çati, Vasil Buka. Në fshat një vlerësim të madh ka për “mësuesit” si Nëno Kanen, Baba Mustafanë dhe Xhako Avdulin, që ishin mësim mbi mësimet e mësuesve. Menjëherë pas shkollës edhe pse me moshë 18-19 vjeçare e emërojnë mësues në vendlindje, në Zhulat, për klasën e parë deri në të katërt. Petriti punon me shumë zell për katër vjet rresht si mësues në fshat dhe më tej në vitin mësimor 1968-1969 rregjistrohet në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku ju përkushtua studimeve në fushën e Matematikë-fizikës. Pas përfundimit të studimeve të larta emërohet sërish në fshatin e tij në Zhulat, por këtë herë më i pjekur më i mençur dhe më i burrëruar. Krahas mësimdhënies që ishte pasioni i tij, dha një kontribut të shquar në hartimin e historikut të fshatit, si dhe në promovimin e vlerave historike në fushën e arkeologjisë. Petriti shërbeu denjësisht gjithë jetën mësues i fshatit të tij, por edhe në fshatrat e Valaresë, Karjanit e Kakozit të Lunxhërisë. Kur profesor Petriti të flet për vendlindjen, ndalu dhe kushtoji vëmëndje, dëgjoje me kujdes: “Kur shkon për në Zhulat, ndalesh në Taroninë dhe ke ç’të soditësh bukuritë dhe hapësirat e natyrës, se “të happen sytë”, përpara një “pus” gjigant, i thellë dhe i gjerë është, në fund është fshati Zhulat, Honi djathtas, malin e Lucës që zbret në Fushëbardhë, më tej një fshat me një “shosh” qiell, është Kaparieli. Këta janë fqinjët e mirë të Zulatit”.

Në Zhulat mëson për njerëz gjithmonë syçelë, trima, bujarë, besnikë, të këngës e muhabetit. Që të gjithë kërkojnë të mësojnë dhe janë të apasionuar pas dijes. Fakt është se puna e Profesor Petritit i kapërcente caqet e mësimdhënies në fshat. Janëmbresëlënëse ekspeditat arkeologjike të profesor Petritit në Piri, midis Zhulatit e Fushëbardhës, një vend i mistereve të pafundme me të ndjerin arkeolog Vladimir Qirjaqi dhe një profesor të arkeologjisë Roberto. Në një nga ekspeditat profesori Italian Roberto shprehet: “Dio mio!”/Zoti im; pasi aty gjenden mure dhe mbetje arkeologjike të cilat datojnë rreth 2500 deri në 3000 vjet para Krishtit. Kur bota t’i mësojë do të ndryshojë historia! Por gërmimet vijuan edhe në kalanë e Zhulatit. Gjetjet kanë qenë modeste e sipërfaqësore, por sipas profesorit “historia fle nën baltën e Zhulatit” dhe se Zhulati i Lashtë është një minierë floriri në të gjitha drejtimet. Petrit Puli flet për një rast kur krijimet e gojtarisë së mençurisë zhulatase si këngët e vjershëtimet e Tetesë së Gjokole, Xhixhua e Pule, Elmaja e Muxhare etj, ja dërgoi Nexhip Alpanit në Ankara dhe ai i botoi në Amerikë dhe që të gjitha u vlerësuan si perla labe. Prandaj thesaret në Zhulat dhe në të gjithë Labërinë nuk kanë të sosur.

Një copëz historie e Zhulatit e patreguar

Zhulati ishte zemra e Profesor Petritit, ndaj ngulmoi dhe kërkoi gjatë të hulumtonte rreth tij dhe historisë së tij, rreth njerëzve dhe bëmave, rreth traditës, kulturës dhe këngës. Profesori kërkon të zbulojë gjithçka të “fshehur” apo të sfumuar në kujtesën e këtij fshati duke e ndriçuar atë. Në mendjen e tij ishin ngulitur bashkëbisedimet që kishte bërë me xhako Avdulin, vëllain e gjyshit që i fliste  për veprimtaritë patriotike të çetës së Veip Alikos nga Zhulati kundër pushtuesve osmanë, për përpjekjet e Nexhip Çarçanit e Bako Çarçanit si dhe Stillo Dhimës për mësim fshehurazi të gjuës shqipe, për bashkëfshatarëve të Zhulatit të këtejmë dhe të Zhulatit të përtejmë siç quhej në atë kohë Fushëbardha e sotme, edhe pse në lashtësi Zhulati fillonte në Urë të Kardhiqit dhe përfundonte përtej Qafës së Breshërit në Sarandë. Por një ndër mbresat e pashuara të fëmijërisë së Petritit ishin këngët e valet burrërishte të cilat interpretoheshin me as mjeshtëri e lehtësi nga Mustafa Shabani, Ali Gjokoli, Koçi Pula e shumë të tjerë. Këngët i hapën shumë horizont dhe mundësi, por edhe e dashuruan më fort me traditën polifonike labe, me dashurinë për vendin, për ata burra e gra që jetën se kurnyen për lirinë e Shqipërisë sa herë hasmi u erdhi në prag.

Këtu kujtojmë trimëritë e fshatit Zhulat në luftrat e Mecovës më 1954, në luftrat në Pesë Puset në mbrojtje të Vilajetit të Janinës, në luftrat në Gjashtë në Sarandë, ku ranë 47 trima të Zhulatit, por edhe qindra të tjerë nga fshatrat përreth si Fushëbardha, Kardhiqi, Golemi, Picari, Rrëzoma e Delvina, fshatrat e Vlorës etj., në luftrat e 1878-tës, 1897-tës, më 1913-1914-tës në përleshje me andartët. Petriti mësoi gjithashtu për bëmat e lebërve në Kuvendet e Senicës më 1770, të Taroninës tek Rrepet e Agait më 1773, të organizuara nga legjislatori i madh popullor Idriz Suli, për unitetin e madh luftarak të fshatrave përreth, për etjen për dituri e kulturë të të gjithë brezave.

Nga ana tjetër mjedisi zhulatas e frymëzoi për të dashur me shpirt gjithçka të bukur e fisnike të trashëguar nga të parët e më pas për të hulumtuar thellë në “stogonet” e historisë të Zhulatit, Fushëbardhës e Rrëzomës, që kanë pasur një rrënjë historike, një zakon, një traditë. Fakt është se Petrit Puli ka pasur një letërkëmbim të plotë me Prof. Dr. Nexhip Pelivan Alpan, birin e Pelivan Pulës me origjinë nga Zhulati por që aktivitetin e tij e ka kryer në Shile, Izmir, Stamboll si dhe në Ankara. Ai ishte njëherësh edhe kushëriri i Petritit. Petriti i etur për dije e kulturë mori në letërkëmbimin me Nexhipin, që në osmanllisht do të thotë Fisnik, mjaft material të formatit historic që kishin të bënin si me trevën, krahinën por veçanërisht me Zhulatin e tij të zemrës. Por treva e krahinës së Kardhiqit ka pasur dhe ka mjaftë  burra e gra të gojtarisë e gojëdhënës që vjen e trashëguar brez pas brezi si Lufto Kondi që dinte përmendësh Shpatën e Labërisë të Merko Koronit dhe sidomos këngën e Sadedin Zhulatit: “Përmbi pelën suferinë,/ Mu në qafë në Taroninë,/ Seç e gjykove zabinë,/ Dije turçe, Turçe s’fole,/ Me terxhuman bisedove…”.

Petriti kishte shkruar edhe këngën e Bërshime Pula për Dervish Mehmet Golemin, por që ja ka dhënë Mitat Kondit. Në vitet 80-të Petrit Puli bashkëpunonte me Akademinë e Shkencave degën e Historisë sidomos në fushën e etnografisë, si dhe ka mbledhur dorëshkrime kur ka bashkëbiseduar në Fushëbardhë me Kasëm Golemin, Belul Golemin, Neki Golemin, Felek Golemin, Daut Shalarin, Avdi Onjea, Myftar Çarçani etj,. Ndërsa në Zhulat ka mbledhur materiale historike në bashkëbisedime me Kane Puli, Safë Gjikoli, Rasho Gërxholli, Avdul Puli, Hasan Gërxholli, Ali Gjikoli, Mustafa Shabani, Koçi Pula, Hetem Basho, Maksut Gjoça, Lufto Kondi, Bërshime Pula etj. Në venat e gjakut, e veçanërisht në venat e diturisë e mençurisë të çdo nxënësi të Zhulatit, Fushëbardhës e Lunxhërisë, që profesor Petrit Puli u ka dhënë mësim është edhe një copëz, një pjesë e mençurisë dhe diturisë, e palcës arbërore të profesor Petritit, që u’a ka injektuar me mençuri brezave të nxënësve, që sot janë burrëruar dhe kanë bërë emër të mirë në jetë falë kësaj kulture e edukimi të spikatur të marrë që në rini.

Mik për kokë nga Lunxhëria në rrugën e diturisë

Profesor Petrit Puli na flet për kolegët mësues dhe veçon drejtor Kleanthi Dedin, që e kishte mik për kokë, nga Lunxhëria që erdhi për herë të parë në Zhulat si drejtori i parë i shkollës së Zhulatit. Pas çlirimit, filloi të funksionojë shkolla fillore (ai nivel shkollimi ishte në atë kohë), ku mësonin nxënësit e Zhulatit e Fushëbardhës. Ishte viti 1953-1955, që drejtori i Parë i shkollës, 7 vjeçare Kleanthi Dedi (më vonë edhe Drejtor i MHK), nga Nokova e Lunxhërisë. Shkolla 7-vjeçare sapo ishte çelur ku shkonin dhe fëmijët e Fushëbardhës, që nga vetitë e cilësitë ishin si “binjakë” me ata të Zhulatit. Kjo, jo vetëm se të dy fshatrat ishin shumë pranë njëri-tjetrit, por edhe për një tog të dhënash të tjera. Fushëbardhasit dhe Zhulatasit me terren të ndryshme që të dy fshatrat shfrytëzonin resurset e zonës së Fushë Vërrisë. Tek nxënësit shikohej qartë niveli i ushqimit, veshjes dhe trajtimit. Por në të mësuar këtyre nxënësve “nuk u’a hante qeni shkopin”. Ishin ajkë inteligjence. Mësuesat në Zhulat, Fushëbardhë dhe në fshatrat më të thella u dukej  “udha pëndë…, mëndje ergjëndë”, kur përballeshin me nxënës të uritur për dije, arsim e kulturë.

Nëse depërtojmë në analet dokumentare shikojmë që Zhulati, në mesin e shekullit të shkuar, kishte rreth 150 shtëpi, edhe pse dikur ka qenë më i madhi në Krahinën e Kardhiqit, këtej e matanë lumit. Në numërimin e vitit 1923 Zhulati kishte 137 shtëpi, me rreth 450 banorë, 95% myslimanë dhe 5 orthodoksë. Kushdo që shkon në Zhulat ndjen dyert të hapura, me të gjithë të mëdhenj e të vegjël, tregojnë bujari e shpirtbardhësi, kanë zemër të madhe sikurse është mësuesi Petrit Puli. Personeli mësimor në mesin e shekullit të shkuar ka qenë nga Gjirokastra dhe krahina të saj si Zagoria, Lunxhëria, Dropulli, por edhe nga rrethe si Elbasani, Shkodra etj. Qarkullimi i kuadrit arsimor, dhe i profesionistëve në arsim bazohej në direktivën “ku të ketë nevojë Atdheu”. Mësuesat e adaj periudhe ishin Munir Dalipi, Nexhmi Çuni, Sajde Kallfa, Vitori Vasili… etj.

Nga bisedat me Profesorët Dedi dhe Puli, vihet re dashuria e madhe e fëmijëve për arsim e dituri në fshatrat e Labërisë. Mësuesit veçojnë nxënësit, Shaban Capa, Haseni Logli, Zabite Gjoka, Nefize Çarçani, Anife Tefa etj. Por Petrit Puli flet me shumë respekt për nxënës që shkëlqyen në të gjitha shkollat si Pajtim Bello, Agim Golemi, Zenel Shalari, Besnik Muho, Ilirjan Shalari, Veip Bello, Sejmen Gjokoli, Shpëtim Puli, Nazmi Sejfo, Lulëzime Gërxholli, Gjergji Aliko, Dritan Logli, Maksi Onjenë, Ibro Golemi, Jaço Kucin, që i binte firsamonikës shkëlqyeshëm e shumë të tjerë. Gjithashtu kujtime të pa harruara ka nga mikpritja e fashatarëve, të cilët ndanin edhe bukën e gojës me mësuesit, u çonin, me mushka dru zjarri për ngrohje, i ftonin për muhabet e mikpritje në familjet e tyre. E megjithatë një ndër vetitë e një karakteri të qëndrueshëm dhe të palëkundur që është meritë e Petrit Pulit është sepse, edhe pse mësues në fshatin e tij, Ai nuk u ndikua asnjëherë nga familiariteti si dhe nga ambiente të sëmura që i ushqente koha!, sepse Ai ju shmang me finesë, zgjuarsi dhe veprime ekselente duke sfiduar kohën ku jetoi dhe jeton. Mësuesit si i thonë fjalës ishin “njerëz të shenjtë”, të dashur e të respektuar.

Nga bisedat në netëve e gjata të dimrit, kujtesa është e dyanshme për luftrat kontributin i vedasve, Zhulatit dhe Fushëbardhës, për liri e pavarësi, shekujve, rrënojat e Kalasë në Lagjen “Beden”, muret pellazge në Piri, në Bidërgjon të Fushëbardhës etj, që nuk i mban dot as një libër i tërë po të flasësh edhe për luftrat, fustanellat labe, këngët, vallet, trimërinë dhe mençurinë labe. Ndërsa po të flasës për kalanë, do kesh parasysh të shkuarën e shekujve dhe do të duhet, “të pyesësh shekujt”, sepse kalaja e Zhulatit që s’i gjenden shumë shenja dikur ka qenë një zonjë e rëndë, ishte “shtathedhur e në këmbë” me “gojë”, që “fliste”, me bibliotekë e kambanë që dëgjohej në Janinë, por ku nënshkruhej për kancelaritë e Perëndimit.

Profesori që burrat e Labërisë i trupëzoi me shartet e kapedan Idriz Sullit

Petrit Puli mësuesi i apasionuar i lebërve dhe i lunxhiotëve e ka pasur pjesë të kulturës së tij pajisjen e brezave me historinë e vendit. Zhulati nuk është një fshat, por një krahinë, një epope e shekujve, një vend tradite me shtrirje gjeografike që kapërcen qafa e male, lidh fusha e fshatra dhe i njëson me historinë. Prandaj edhe Petrit Puli ngeli përjetësisht i lidhur me këto evente jetësore të brezave nëpër shekuj. Për këtë historian turk Halil Inalxhik ka sjellë dokumentet e rregjistrimit, “Arnavutluk arnavid defteri…”, që dokumenton që në vitin 1431, Zhulatin historik, sikurse dokumentohet në qindravjeçarë. Petrit Puli është ndoshta ndër të parët mësues të zonës që rrënjosi krahas letërsisë e gjuhës edhe mëkoi historinë e brezave të trimave dhe dëshmorëve. Krahas mësimit u mësonte brezave të ndënësve se kush ishte Kapedani, prijësi, ligjvënësi/kanunlliu, luftëtari dhe mendimtari i Labërisë dhe krejt Shqipërisë, që këtë vit ka 320 vjetorin e Lindjes dhe 250 vjetorin e zhvillimit të Kuvendit të Besës në Senicë të Delvinës.

Tek Petrit Puli gjen profesorin e Kuvendit të Besës dhe kuvendeve të tjerë. Nga ai nxënësit mësonin se kush ishte kapedani Idriz Suli që ishte lindur në fillimet e viteve 1700, mësojmë për parlamentarin i dytë më në zë i Labërisë pas themeluesit të “Kanunit të Labërisë” Papa Zhulit, që i përket shekullit XI-të. Idriz Sulli ka hyrë në historikun e kombit si “Ligjvënësi popullor”, autor i sharteve/Kushteve. E drejta zakonore labe e professor Ismet Elezit, burrit një shekullor, ka sjellë Kanunin e Labërisë bazuar fort edhe tek shkrimet, të thënat e të bërat e Idriz Sulli-kanunlliut. Bazuar në ligjet e Kanunit të vjetër të priftit të njohur Papa Zhuli, që selinë e ka pasur rrëzë maleve të Fushëbardhës, tek Shpella e Zhulit sipër Gropës së Zhulit, në istikamin e shpellës labe ku u zhvillua marrëveshja më e vjetër në Labëri midis Prijësit e priftit Papa Zhulit dhe Boemundit: “Për kalimin e Ushtrive, pa u ngacmuar dhe padëme nga të dy palët”, marrëveshje e cila u zbatua rigorozisht.

Por Burri i lartësuar që agallarët e pashallarët e kohës në Kardhiq, Delvinë e gjetkë e thërrisnin “Ati Ynë”, organizoi të parin kuvend përbashkues të energjive intelektualiste e prijëse të kapedanëve të të gjitha trevave jugore, që u mblodh në Senicë, matanë fshatit Fushëbardhë sa kalon qafën historike të Skërficës. Nxënësit në Zhulat dëgjonin për herë të parë nga Petrit Puli për “Kuvendin e Besës, për parashtrimet e reja të bëra në Kuvendin e burrave të trevës së Labërisë, Çamërisë, Himarës, Lunxhërisë dhe krahinave përreth, për Idriz Sullin, i cili bëri ndërhyrje dhe shtesa të ndryshme e të nevojshme për kohën dhe nga Kanuni i vjetër, formësoi Kanunin e ri duke pranuar norma të reja, të cilat u njohën me emrin “Shartet e Idriz Sullit”, aq të domosdoshme për kohën.

Petrit Puli ishte profesori historian që duke u mbështetur në strukturat etike të shoqërisë, si besa, nderi, miku, gjaku, buka, hakmarrja, divorci, trashëgimia, ndarja e pasurisë në kushtet e një shoqërie pa autoritet shtetëror, u mësoi edhe më të rriturve edhe atyre që hiqeshin të mençur, “Shartet e Idriz Sullit” dhe strukturat etike të Kanunit të Labërisë, shërbyen për të rregulluar me drejtësi marrëdhëniet mes njerëzve, fshatrave dhe krahinave. Petrit Puli e ngriti Idriz Sullin në piedestalin e kohës si autor i dy kuvendeve madhështore, kuvendin e Besës në Senicë dhe atë të rrepeve të Agait, poshtë Qafës së Taroninës (1773), ku përballë Taroninës është Zhulati Historik dhe në fund të rrugës nga Qafa e Taroninës drejt maleve është Fushëbardha ose siç thirrej Zhulati i përtejmë” në një një fushë krejt të bardhë.

Kush besonte se në këto zona dikur lulëzonte kultura dhe qytetërimi, me kala, akademi, bibliotekë me libra të famshëm përfshi edhe libra të qytetërimeve të hershme, të teologjisë, besimeve, shkencave ekzakte dhe shkencave shoqërore me frymë platonike e Sokratiane. Ishte pikërisht mësuesi Petrit Puli, që i dha jetë mendimit historik dhe mësoi e kanalizoi diturinë që ajo të mos humbiste në munbëtyrat e kohës. Ndonjë edhe i madh në Zhulat hutohej përballë detit të dijeve të Profesor Petrit Pulit kur fliste për historinë me kundërshtarë rregjimesh, komitë me “uniformë” gjalmëzinj e malsorë jelekëzbërthyer me uniformitet i habitshëm, për të cilët kish folur më parë Bajroni, Nopçe, E. Lir, E. Durham, Ibrahim Manxur Efendi, Pukëvil, etj., që provuan “botën” e uniformave në mënyrat që ata e mendonin. Profesor Petrit Puli futej me depërtim të lehtë në sepetet e historisë duke nxjerrë herë pas here evenimente të shekujve të përzgjedhur edhe “albumin e panjohur të lashtësisë labe”, por edhe asaj shqiptare.

 

Burra që shkruan historinë e Zhulatit

Petrit Puli është një ndër njerëzit e ndritur dhe bij të fshatit Zhulat. Por Zhulati është një emër i njohur në historinë shqiptare, një fshat në jug të Shqipërisë në krahinën e Kardhiqit, 12 km nga Ura e Kardhiqit. Njësia adiministative e Cepos përfshin Zhulatin, Fushëbardhën, Kardhiqin, Prongjinë, Taroninën/Kakodhiqin, Plesatin, Qafa e Zenele, Çepunë, Mashkullorë etj. Fshati Zhulat është shquar për një qëndrim të shquar patriotik në shekuj. Janë të shumta kronikat e vjetra për Zhulatin, që dikur njihej me emrin Julius, ndonjëherë Julat, Zhus, edhe ndryshe. Bizantinët e më vonë venedikasit, interesoheshinmë shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit Jonian, për fushat e luginës së Rrëzomës, e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës deri në Lëkurës. Historiani dhe udhëtari osman, Evlija Çelebi ka shkruar para tre shekuj se, “…Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka 200 shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta.

Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë me të. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në shekullin e Bajazitit të shenjtë, e zaptoi Qedik Ahmet Pasha… ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore.. Kështjellë e pashembullt në bukuri, që mund t‘i përngjasë ajo e Kordusit ose e Benefshës në Peloponez”.. nuk ishin të paktë të krishterët shqiptarë që braktisnin fenë e tyre dhe përqafonin islamin, që të përfgshiheshin në spektrin ushtarak e administrativ. Rasti i mbrojtësve shqiptarë të kështjellës së Zhulatit, të cilët ndërruan fenë pasi vetëm kështu mund të mbeteshin në shërbimin e lartpërmendur, është fakt domethënës..”. Zhulati dhe fshatrat përreth tij janë të shquar në luftën kundër të gjithë pushtuesve. Kështu Petro Zhulatit, që mendohet se është Papa Zhuli i parë, për luftën pa kompromis kundër bizantinëve edhe pse ishin në kulmin e fuqisë së tyre, i këndohet këngë, një këngë qëështë gati dhjetë shekullore: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysëm shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllimai?..”, apo kënga tjetër: “Tek rrapi në Taroninë”,/ Që është pranë Zhulatit,/ Seç e mblodhi miqësinë,/ Të lidhin ligat e fatit,/ Gjithë krahinat i ftuan,/ Delegatët të dërgojnë,/ Kishin për të biseduar,/ Nga të gjitha anët rrodhën…”.

Histriografia shqiptare ka mësuar rreth të drejtës zakonore të Labërisë, me origjinë që nga lashtësia, gojëdhëna popullore ia atribuon Kanunin Papa Zhulit, në shek.XI, i cili, flitet se ka qenë prift edhe si prijës i Kurveleshit i njohur nga normanët gjatë pushtimit të tyre (1081). Gojëdhëna tregon se në kohët bizantine pikërisht në këtë zonë Zhulat-Fushëbardhë, jetonte një prijës i shquar i quajtur Papa Zhuli, i cili “nga mosha ish plak’i thinjur, por nga mëndja e nga krahu ishte djal’i ri”. Figura e Papa Zhulit i takon kohës së Bizantit dhe për këtë legjendë ka shkruar edhe Eqrem Vlora në revistën Shejzat të vitit 1957, që publikohej nga Ernest Koliqi. Zhulati ka aktualisht rrënojat e një kalaje që i ka fillimet që prej shekulllt III para Krishtit. Në Zhulatin historik të përfshirë në një nga “100 fshatrat”, zhvillohen aktivitete tipike të kulturës e traditës, të këngës dhe të mjeshtërisë popullore në gdhendje. Në muajin Gusht në Zhulat, mbahet festa e fshatit e cila shoqërohet me vlerën e padiskutueshme të traditës në këngë, bejte, kostumet tipike labe nga më të lashtat. Shoqërohet me gatime tipike të mishit në hell në banesat e traditës, ndërkohë që i rrethuar nga male dhe është mjaft i përshtatshëm për turizmin malor. Zhulati, është në vetvete histori e lashtë me njerëz të mëdhenj, me mençurinë e jetës të kultivuar, që edhe pas shumë shekujsh krenaria e brezave qëndron në madhështinë e vendlindjes, në Baltëzën e embël dhe të mirësisë së çdo biri dhe bije të Zhulatit.

Në Zhulat dhe Virua – ligjvënësi i parlamentarizmit lab dhe legjendë e shekujve

Në verën e vitit 2013, për Zhulatin ishte ngjarja kulturore e këtyre viteve, sepse në Shqipëri është prodhuar shumë pak kulturë. Artisti Murat Kërraj, djali i Zhulati, mjeshtër dhe sua mjeshtrish të gdhendjes në dru, nxori nga trupi i tharë i rrapit shumëshekullor, shtatin e gjallë të Idriz Sullit, kodifikuesit të së drejtës zakonore labe. Monumenti gjigand promovuar më 17 gusht 2013, me pjesëmarrjen masive të banorëve të Zhulatit e të fshatrave nga gjithë anët e Shqipërisë dhe nga diaspora ja gufuan zemrën mësuesit Petrit Puli. Por grupi i burrave të mençur të Zhulatit, e kryesisht Ing. Nazmi Selfo, konkretizon idenë e kësaj “ringjalljeje” të rrallë, të “kolosit të Zhulatit” dhe krejt Labërisë këtë vit bënë një bust të dytë por kësaj radhe prej bronxi që u vendos në Virua në këtë pranverë pandemike të 2020-tës, një monument që e kishte “harruar” shteti, por që tani duhet t’i mbrojë shteti. Kështu lajmi i “vdekjes natyrore” të rrapit në Zhulat të Labërisë, kësaj shenje e simboli të identitetit, vendi ku jeta fillon, vendi ku pleqtë kuvendonin e vendosnin, vendi ku krijoheshin miqësitë e shuheshin armiqësitë, vendi ku trimat niseshin e ktheheshin nga lufta.

Për shpirtin pagan të lebërve, rrapi është historia, jeta, është fryma e fshatit, është jetë, legjendë, histori. Kështu e shikonte dhe shpresonte për këtë histori të gjallërohej edhe mësuesi Petrit Puli. Figura historike e kapedan Idriz Sullit, pasardhësit të Papa Zhulit të mesjetës së hershme, “mitin krijues” të fshatit Zhulatit e mbrojtës së zakoneve labe kemi sot jo një por dy monumente, edhe pse monumenti prej bronxi kërkonte një shesh në kryeqytet.  Emri “Zhulat” dhe “Idriz Sulli” gjenden në dokumente të kancelerive të e Venedikut, Napolit, Vatikanit, Stambollit, Janinës, Delvinës, Kardhiqit etj., sikurse është një raport në italishten mesjetare i qeveritarit venecian të Korfuzit, i 12.2.1606, sipas tregimit të shqiptarit Gjon Nika nga Senica që fliste për 30 shehitë, por ka dhe dokumente që flasin për kryengritjet antiosmane të Labërisë, ku: “turqit (shqiptarët) luftonin kundër turqve”. Bazuar në rebelimet e vitit 1573, rreth 50 familje zhulatase, braktisën fshatin dhe u vendosën në Drashin.

Sipas Akademik Pëllumb Xhufi, “..një dokument i 1812-tës, në një letër që Idriz Aga Sulli i Zhulatit i drejton Demir Aga Dostit të Kardhiqit, por ka edhe letra të tjera që “Ati ynë” u drejtohet krerëve nëKardhiq, Senicë, Progonat, Nivicë, me Selim Bej Kokën e Delvinës dhe Ali Pashë Tepelenën, të shkruara në një greqishte të mangët, të mbushur me fjalë turke, shqipe e italiane. Dokumentet flasin se, Selim Bej Koka i Delvinës i drejtohet Idriz Aga Sullit me fjalët “ati im”, edhe pse nga mosha ishte më i vjetër dhe nga pasuria më i kamur se ai. Faktikisht kryevepra e Idriz Sullit janë “shartet”, normat kanunore, por dhe dalja në krah të agallarëve të tjerë vendorësi Demir Aga Dosti i Kardhiqit. Meqë Zhulati ishte me Kardhiqin, u ndëshkua nga ekspedita e Pashait të Janinës më 1812. Por Zhulati është ringritur përsëri në këmbë, u popullua dhe u dallua në çdo sfidë me historinë, prandaj edhe profesor Petrit Puli zbulimin e biografisë së Zhulatit, e ka pasur si një sfidë për të zbuluar misterin e ringjalljes e të transformimit të fshatit.

Fushëbardha e Zhulati janë lidhur përjetësisht jo vetëm në fqinjësi por edhe shpirtërisht e pazgjidhshmërisht. Këto fshatra i ka bashkuar zakoni e tradita, e drejta zakonore labe e gdhendur nga mençuria e Idriz Sulit, e kaluar e përjetshme e përbashkët. Rrugët e bijëve e të bijave tona takohen pafundësisht në këto vende të shenjtëruara pelegrinazhi. Fakt është se Idriz Suli, lexohej e tregohej në këngë, në legjendë e në kujtesën e pavdekshme të Labërisë, nëse ai jetonte në shpirtin dhe ndërgjegjen e çdo labi, sot ai është një realitet i prekshëm falë memorialeve të gdhendur në dru dhe nëbronx. Tashmë shtatoret e atdhetarit Idriz Suli, trumpeta e parlamentarizmit lab, legjenda e shekujve, ligjvënësi, diplomati dhe luftëtari i paepur i lirisë kombëtare është pronë e gjithëshqiptarisë.

Zgjuarësi, ndershmëri, dinjitet, krenari dhe profesionalizëm të profesor Petrit Puli

Cila organizatë që ka në palcë të saj atdhetarinë e përkushtimin ndaj njerëzve, kulturës, traditës, zakoneve, dokeve, nuk do ta nderonte mësuesin e brezave Petrit Puli? Cila organizatë, Këshill Kolegjal, i qytetit, bashkiak apo qarku, cila shoqatë kulturore e atdhetare nuk do të ndjehej e privilegjuar për ta pasur Petrit Puli, nder dhe krenari të saj, si Zhulati, Fushëbardha, Lunxhëria, Labëria etj, nuk do të donin që mësuesi Petrit Arsim Puli të ishte pjesë e vlerësimit “Mirënjohje” e “Krenari” e tyre? Në këtë rast nuk i bëhej nder individit, arsimtarit gojëëmbël të dhjetra e dhjetra brezave, por organizatës e shoqatës, forumeve kolegjale, që e ka fare të thjeshtë e të gjetur edhe motivacionin. Motivacioni buron nga puna e mësuesit në dekada, ku ka kontribuar në mënyrë të shquar në fushën e edukimit arsimor të qindra nxënësve të trevës së krahinës së Kardhiqit, për nxënësit lebër të Fushëbardhës dhe të Zhulatit, për birin e Zhulatit historik që ka dhënë ndihmesë e kontribut të shquar në arsimimin e dhjetra brezave, kontribut që bëri që këto breza të pasurojnë jetën e kulturën me sens të gjerë qytetar. Janë nxënësit që e shkruajnë biografinë e mësuesit  për komunikimin me artin e metodave pedagogjike në rritjen e formimin dinjitoz arsimor, duke qenë në dispozicion të fëmijëve dhe komunitetit arsimdashës të Zhulatit e Fushëbardhës, mësues që mëkoi fuqishëm dashurinë për dijen dhe krenarinë e brezave të shumtë të nxënësve, duke u bërë mjaft i njohur dhe i dashur në gjithë sistemin arsimor të trevës së Gjirokastrës, për individualitetin e spikatur dhe afrimitetin me komunitetin e gjerë lab, që gëzon respektin e gjithë banorëve të Zhulatit, Fushëbardhës dhe mbarë krahinës së Kardhiqit, si dhe që ka ditur të depërtojë në zemrat e çdo familje me një dimension të gjerë vlerash njerëzore si dhe dimensionin e lartë elitar të arsimit shqiptar.

Tek Petrit Puli janë materializuar e çimentuar drejtësia dhe ndershmëria, përkushtimi për t’i ndriçuar bijtë e bijat e komuniteteve ku punoi e jetoi, që jetën ta shikonin gjithmonë nën dritën e diturisë, se “drita e diturisë përpara do të na shpjerë”, një gjetje e spikatur naimjane. Human dhe atdhetar, i përkushtuar, plot sakrificë që punoi në trevën e tij të vendlindjes Petrit Puli meriton nderimin respektin dhe mirënjohjen e shumë brezave, sepse u hapën sytë njerëzve dhe u dhanë dritën e diturisë, dashurinë njerëzore, kujdesin prindëror, i bënë fëmijët e një populli të etur për dritë e përparim që të çanin me guxim shtigjet e jetës, i bënë prindërit, fshatin, krahinën, trevën e Labërisë dhe të Lunxhërisë krenarë. Prandaj mësuesit si Petrit Puli janë në piedestalin e nderit dhe krenarisë së Karahinës së Kardhiqit dhe të mbarë Labërisë. Arsimtarët e kuptuan të parët atë që rilindasit kishin hedhur për masën e gjerë të popullit arsimimin si parësor sepse përparimet dhe qytetërimet e kombeve e kanë burimin pikërisht tek arsimimi. Vetëm arsimi mban gjallë dhe kultivon frymën dhe shpirtin e një kombi, por ngelet vlera themelore e çdo kombi, burim i përhershëm i përjetësisë. Mësues që rrezatoi një jetë të tërë ndershmëri, dinjitet, profesionalizëm dhe zgjodhi të mëkojë me zgjuarësi zakonet dhe traditat më të mira krahinore.

Dashuria për librin ishte moto e tij dhe “Atdheu”, i Naimit të madh ishte devizë jetësore e professor Petritit: “O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka./Më je nënë, më je motër, më je vëlla./Nga ç’ka rrotull më i shtrenjtë ti je./Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé…”. Poezi-maksimë proverbiale e përvetësuar nga arsimtarët e të gjitha kohrave bëri që brezat të rriteshin e brumoseshin me formatin atdhetar e kombëtar. Petrit Puli ishte avangardë e mendimit progresiv për arsim e dije të thelluara, jo me tutelë, por si një babaxhan, me durim, duke ngritur lart karakterin Labërisë dhe Lunxhërisë ku punoi, duke e parë besën, trimërinë, bujarinë, traditat, miqësinëe fqinjësinë e mirë si domosdoshmëri duke i dhënë përparësi nxënësve të zellshëm e të sukseshëm në shkollë duke synuar të jenë po kaq të sukseshëm në jetë. Prandaj arsimtarët veteranë, si Petrit Puli ngelen në përjetësi të brezave, sepse ditën të prekin “telat” e talenteve të të jetuarit në mënyrë progresive duke kultivuar dritën e diturisë si injeksion për Shqipërinë të lulëzuar, jetëgjatë, për Shqipërinë mëmë e atë.

 

 

 

Please follow and like us: