Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Mjaft, se na bëtë gazin e botës!

Bardhyl Berberi
Mediat nuk duhet t’u japin fare hapësirë individëve dhe temave të bezdisshme që trajtojnë përditë politikanët vendas, me të cilat e dhunojnë opinionin me thashetheme, akuza të partive kundër partive, fraksioneve kundër fraksioneve, individëve kundër individëve.

Mjaftë më, se u bëmë gazi i botës! Këto debate, me sjellje dhe veprime të ulëta, e ofendojnë inteligjencën e qytetarëve, të shikuesve, dëgjuesve dhe lexuesve të opinionit publik.

Nëse nuk kanë ngjarje dhe tema të tjera më të dobishme, ja disa prej tyre, me të cilat duhet t’i zëvendësojnë debatet shterpe, pa asnjë rëndësi dhe vlerë, që organizohen në mediat tona sa për t’ua shpërlarë trurin qytetarëve:
– Si do të merremi  me demokratizimin e plotë të shoqërisë sonë dhe me ndërtimin e shtetit ligjor?

-Si do të merret me eliminimin (së paku zvogëlimin) e korrupsionit, drogës  dhe krimeve të të gjitha llojeve në shoqërinë tonë?

– Çfarë po bëhet  për hapjen e më shumë vendeve të punës dhe zvogëlimin e papunësisë ekstreme që rinia të mos marri rrugët e botës?

– Kush do të kujdeset për institucionet e kulturës shqiptare, për trashëgiminë tonë kulturore, institucionalizimin e kulturës dhe marrjen fund të vullnetarizmit, diletantizmit dhe komercializimit në veprimtaritë kulturore?

– A do të kujdeset qeveria për financimin e kërkimeve shkencore, inovacioneve, botimeve të kësaj fushe, afirmimin ndërkombëtar të shkencës shqiptare?

– Kush, kur dhe si do të kujdeset për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme në shëndetësi dhe institucionet shëndetësore, në nivel të shtetit dhe komunave ku jetojmë në shumë qytete mungojnë specialistë dhe spitalet janë kthyer në qendra shëndetësore,  ndërsa në komuna pothuajse nuk ekzistojnë mjekët marrin rrrogat dhe rrinë në qytete aq më tepër që kemi pandeminë nëpër  këmbë që po bën kërdinë me vdekje çdo ditë?

– Kush do të kujdeset për reforma serioze në arsim, nga niveli i arsimit fillor deri në atë universitar dhe pasuniversitarët se po na mbytin analfabetët?

– A do të ndërmerren masa kundër rrënimit të vlerave kombëtare, kulturore dhe historike dhe  përdhosjes së figurave dhe personaliteteve të rëndësishme nga e kaluara jonë e lavdishme?

– A do të merren masa kundër degradimit dhe rrënimit të vlerave morale në shoqërinë tonë?

– A do të ndërpritet manipulimi me votuesit dhe votat e qytetarëve, me eliminimin e dukurive të shëmtuara, siç janë shitblerja e votave, shantazhimi dhe kërcënimi i votuesve etj?

– Deri kur do të vazhdojë shpëlarjen e trurit të shqiptarëve, sidomos të brezave të ri, duke i afirmuar injorantët për ekspertë dhe duke shpallur plot tradhtarë për atdhetarë, ndërsa atdhetarët e vërtetë duke i denoncuar si tradhtarë? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje jo llogjet e fjalë boshe…

 

 

Please follow and like us: