Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fedhon Meksi: VANGJEL ZHAPA DHE VIJUESHMËRIA E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE (11)

Prof. Dr. Fedhon Meksi

 

PJESA E KATËRT: VANGJEL ZHAPA DHE VIJUESHMËRIA E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

 

 

KREU I PARË

I. 10 RILINDËSIT NGA LABOVA E MADHE, FSHATI ME 100 SHTËPI

 

  1. Labova e Madhe ose Labova e Zhapës, fshati me 100 shtëpi

– Gjatë viteve 1500-1520 kudo në Shqipëri, tashmë e pushtuar nga osmanët, u krye regjistrimi i përgjithshëm i tokave dhe i popullsisë. “Sipas këtij regjistrimi, Labova e Madhe (Bylyk Labova) ka pasur 104 shtëpi me kryefamiljarë, 5 shtëpi me vejusha dhe 10 shtëpi me beqarë, gjithsej 119 shtëpi me 7820 akce të ardhura (taksë)”.( Meksi, Th. Vangjel: Labova në shekuj, Toena, Tiranë, 2000, f. 56).

– Dr. Apostol Meksi, autori i kapitullit Zakonet familjare në Rrëzë, që përfshihet në librin e Hahn-it me titull Studime shqiptare, Jena, 1854, përmend edhe fshatin e tij të lindjes. “Labova e Madhe, shkruan ai, ka 100 shtëpi. Prej këtyre, 27 shtëpi janë të fisit të Dodatëve që rrjedhin prej stërgjyshit të përbashkët Doda. Ky fis ndahet në shumë degë dhe njëra prej degëve është ajo e Meksatëve që mban mbiemrin e kryetarit të saj Meksi, që ka jetuar para 6 ose 7 brezash. Njëzet shtëpi janë nga fisi i Kiliatëve dhe 33 shtëpi përbëjnë fisin e Mihanxhuliatëve”.

– Shkolla shqipe e Labovës së Madhe u hap në vitin 1910 në godinën e ngritur nga Vangjel Zhapa qysh në vitin 1860, pas këmbënguljes së gjithë komunitetit labovit dhe veçanërisht të mësuesve Nane Panajot Meksi dhe Vasil Konomi. “Hapja e shkollës u vendos pas një referendumi me anë të të cilit 96 familje labovite nga 100 që kishte Labova në atë kohë, shprehën mbështetjen e tyre, në prani të autoriteteve turke dhe të të gjithë nëpunësve të konsullatës greke në Gjirokastër, për këtë çështje shoqërore me rëndësi të veçantë për komunitetin labovit”. (Meksi, V. Th.: po aty, f.23). Nga këto burime të sigurta del se numri i familjeve të Labovës së Madhe ka qenë rreth 100, pothuajse i njëjtë gjatë 6-7 shekujve të fundit.

 

  1. 10 rilindësit nga Labova e Madhe ose nga Labova e Zhapës

Në kushtet e sundimit shumëshekullor turk, lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe përbënte një aspekt të rëndësishëm të qëndresës aktive të popullit shqiptar. Përpjekjet e shqiptarëve gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX për zhvillimin e arsimimit në gjuhën shqipe e të kulturës kombëtare ishin me rëndësi të madhe kulturore, politike dhe ideologjike. Rruga përmes së cilës u bënë përpjekje për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe u zhvillua shkolla kombëtare shqipe ka qenë shumë e vështirë. Pengesat që iu desh të kapërcente populli shqiptar në fushën e arsimit e të kulturës kombëtare, nuk i njohu asnjë nga popujt e tjerë të Ballkanit. Ata që i kishin mohuar lirinë popullit shqiptar ose synonin të shkëpusnin troje nga trungu arbëror, i mohonin atij edhe të drejtat arsimore dhe kulturore. Atdhetarëve që përpiqeshin për ngritjen e shkollave shqipe në trojet e tyre, iu desh që të përballeshin edhe me fanatizmin, patriarkalizmin, ndarjen krahinore e fetare, të cilat ishin pasojë e sundimit të huaj dhe e sistemit feudal mesjetar. Ata ndesheshin në një luftë jo të barabartë edhe me elementët turkomanë e grekomanë në Shqipëri. Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk është vepër e një njeriu të vetëm, por rezultat i përpjekjeve të një vargu të tërë atdhetarësh dhe mendimtarësh.

  1. Në vitet e sundimit të Ali pashë Tepelenës u krijua një klimë e favorshme kulturore, që mund të vlerësohet përmes veprave të shumta që u botuan në atë periudhë të shkurtër kohe. Studiuesi Xhevat Lloshi shkruan: “Janina e Ali pashë Tepelenës ishte një kopsht pjellor i gramatikave të shqipes”. Dr. Vangjel Meksi (1775-1823) jetoi, punoi, por edhe u ushqye në këtë kopsht. Aktiviteti i Vangjel Meksit nga Labova, që shkëlqeu mbi të tjerët, lidhet me lëvrimin e gjuhës shqipe në të gjitha dimensionet dhe shtrihet në harkun kohor nga viti 1814 deri më 1821.
  2. Naum Bredhi Veqilharxhi i kishte përgatitur veprat e tij 20 vjet më parë, ndoshta gjatë kohës së studimeve në Vjenë (1821-1824), por për arsye financiare ato ngelën pa u botuar. Ishte atdhetari pasanik nga Labova Vangjel Zhapa (1800-1865), që bëri të mundur shtypjen e abetareve dhe nxjerrjen e fermanëve të sulltanit, të cilët shërbyen, jo vetëm për futjen e teksteve mësimore në Shqipëri, por edhe për hapjen e shkollave shqipe, disa prej të cilave vazhduan t’u mësonin shqipen nxënësve edhe pas 10 vjetësh (1854). Për V. Zhapën, vdekja e parakohshme e Naumit ishte një humbje e madhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Por Vangjel Zhapa nga Labova e Madhe zgjodhi mësuesin nga Lekli i Rrëzës, Anastas Bykun (1829-1878), për të qenë vazhduesi i veprës së Naumit të madh. Anastas Byku, pasi hartoi abetaren Grammë për shqiptarët me alfabet të veçantë dhe filloi botimin e gazetës së parë shqiptare Pellazgu, së bashku me V. Zhapën hartuan programin për arsimimin e fëmijëve shqiptarë, që bazohej tek idetë dhe konceptet e N. Veqilharxhit për arsimim në shkolla shqipe nga gjuha, racionale nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja.
  3. Dr. Apostol Meksi (1825-1879) është “Studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë”. (FESH – 2008). Duke lexuar kapitujt e shkruar nga Apostol Meksi për doket dhe zakonet në krahinën e Rrëzës, që janë botuar në librin e Hani-t Studime shqiptare, Jena – 1854, ai paraqitet si një gjurmues i përgatitur më së miri paraprakisht i kulturës shpirtërore të popullit të vet, që i ka mbledhur ato vlera sipas një metodike të paracaktuar, i ka studiuar në mënyrë sistematike dhe e paraqet materialin sipas një strukture të ndërtuar me logjikë shkencore. A. Meksi është i pari ndër intelektualët atdhetarë shqiptarë që i hyri punës për të mbledhur dhe përpunuar trashëgiminë e kulturës popullore shqiptare, për të dëshmuar shkencërisht se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre dhe kulturalisht dhe etnografikisht të dallueshëm nga popujt e tjerë të Ballkanit.
  4. I biri i tij dr. Dhimitër Apostol Meksi (1855-1908), duke vazhduar në rrugën e hapur nga i ati, është i vetmi studiues shqiptar që ka botuar me dhjetëra studime në revistat e specializuara të kohës që dilnin në Stamboll, Athinë dhe Janinë me temë nga etnografia, arkeologjia dhe numizmatika në krahinën e Çamërisë. Dr. Meksi, anëtar correspondent i shoqatës filologjike të Stambollit, por edhe si shqipërues i Antigonës së Sofokliut, pa dyshim do të tërheqë vëmendjen e studiuesve të rinj shqiptarë, për t’u thelluar edhe më tej në jetën dhe veprat e doktorit labovit që jetoi dhe punoi për shumë kohë në Çamëri.
  5. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) është organizata e parë patriotike që mori përsipër të zbatonte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Për të lehtësuar veprimtarinë e saj në rrethe dhe për të përballuar rrezikun që vinte nga synimet grabitqare serbe, malazeze dhe greke, u krijuan tre komitete krahinore. Komisar i komitetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për jugun e Shqipërisë u emërua Petro Vasil Meksi (1852-1923). Ai shpalli botërisht se “Ortodoksët e Jugut nuk duhet t’i ndajnë fatet e tyre nga ato të vëllezërve myslimanë”. Më pas Petro Meksi, me gradën e togerit, ishte pjesëmarrës në luftën e Vlorës, 1920, ku luftoi me trimëri.
  6. Jorgji Meksi (1860-1942), një nga themeluesit e gazetarisë shqiptare, dijet e thella, talentin e rrallë dhe veçanërisht patriotizmin e flaktë prej laboviti i vuri në shërbim të Atdheut. Ai bashkëpunoi dhe drejtoi shumë të përditshme që botoheshin në Athinë, Bukuresht dhe Gjirokastër. Shkrimet e tij publicistike shquhen për atdhedashurinë, idetë demokratike dhe frymën luftarake. J. Meksi luftoi me këmbëngulje kundër politikës osmanizuese dhe politikës së qarqeve shoviniste, përkrahu vegjëlinë dhe demaskoi klasën çifligare si klasë parazitare. Ai përsëriste pa u lodhur se Turqia nuk largohet vetëm me shkolla, por edhe me barut. Gjatë viteve 20 dhe 30 të shekullit XX me gazetën e tij Demokratia, që dilte në Gjirokastër, ai u vendos në krahun e shtresave të varfra dhe veçanërisht mbrojti me konsekuencë të drejtat e gruas shqiptare që nëpërkëmbej, si edhe u përpoq aq sa mundi për demokratizimin dhe modernizimin e shoqërisë.

7-8. Me vendim të qeverisë shqiptare, në verën e vitit 1921 u hap në Labovë, në ambientet e shkollës së Vangjel Zhapës, kursi i përsosmërisë. Ky kurs që zgjati 3 muaj kishte për qëllim unifikimin e programeve mësimore dhe formimin profesional të 90 mësuesve të krahinës së Gjirokastrës. Qeveria shqiptare e atëhershme me këtë zgjedhje ka treguar respektin dhe mirënjohjen për përpjekjet e labovitëve për t’u shkolluar në gjuhën amtare. Me këtë rast nderohej edhe aktiviteti arsimor dhe patriotik i mësuesve Nane Panajot Meksi (7) dhe Vasil Konomi (8), të cilët, pasi hapën shkollën e parë shqipe në Labovë (1910), hapën një tjetër shkollë shqipe në Tepelenë (1913). “Në ato vite ata u angazhuan edhe me një detyrë tjetër patriotike, propagandimin e futjes së gjuhës shqipe në shërbesat fetare tek të gjitha kishat ortodokse të Prefekturës së Gjirokastrës. Shërbesat fetare kryheshin sipas librit fetar Apostolli, i shqipëruar kohë më parë nga N. P. Meksi dhe V. Konomi”.( Meksi, V. Th.: Labova në shekuj, Tiranë, 2000, f. 26).

  1. Lajmin e fundit për labovitin Polo Meksi (1860-1923), që shërben edhe si vlerësim i veprimtarisë dhe i figurës së tij, e përcjell gazeta Politika e datës 4. X. 1923 që botohej në Vlorë, ku lexohet: “Mbas vdekjes së nacionalistit patriot Polo Meksi, familja e tij u detyrua të largohet nga Vlora në Rumani. Bashkitë e Vlorës, Gjirokastrës dhe vakëfet myslimane e ortodokse, së bashku, mblodhën 3000 lira ndihmë për nacionalistin plak që do të mbetet kurdoherë në kujtesën tonë”.
  2. Gazeta ‘Përlindja e Shqypniës’ njofton lidhur me zhvillimin e mbledhjes së pestë të Kuvendit Kombëtar (4 dhjetor 1912) që kishte 57 kongresarë, me rend dite: zgjedhja e ministrave dhe e senatit. Me këtë rast Kryeministri Ismail Qemali paraqiti përpara Kuvendit një mënyrë të re për zgjedhjen e ministrave: “Fuqinë që e kam unë për këtë çështje, deklaroi kryeministri, ia lë Kuvendit që të zgjedhë 5 veta për të kryer detyrën e ministrit”. Votuan 57 kongresarë. Luigj Gurakuqi fitoi 54 vota, Myfit Gjirokastra 52, Mehmed Tetova 42, Abdi Toptani 34, Mit’hat Frashëri 35, Pandeli Çale 22, Kristo Meksi dhe Pjetër Poga nga 21, Lef Nosi 20, Babë Dudë Karbunara 14 etj. Po atë ditë Kristo Meksi së bashku me 17 kolegë të tjerë formuan Senatin (Pleqësia), me kryetar Vehbi Dibrën.

 

KREU I DYTË: VANGJEL ZHAPA (1800-1865) – NDERI I KOMBIT

 

I. TESTAMENTI I VANGJEL ZHAPËS

Më 30 nëntor të vitit 1860 V. Zhapa hartoi testamentin e tij. Më poshtë paraqitet e plotë pika 9 e testamentit, që është edhe pika e fundit: “Mbas vdekjes time ceremonia e varrimit të bëhet në kishën e Broshenit (Rumani) përpara altarit të shenjtë, ndërsa varri im të ndërtohet me gurë dhe të rrethohet me kangjella prej hekuri. Përmbi varr të vendoset një pllakë me mbishkrimin që vijon: Këtu prehet mëkatari dhe robi i zotit Vangjel Zhapa i cili ndroi jetë më datën… Pas katër vjetësh eshtrat e mia të nxirren nga varri, të meshohen sipas rregullit kishtar dhe të rivarrosen përsëri; koka në oborrin ose në hyrje të Stabilimentit të Lojërave Olimpike të Athinës që është në pronësinë time, ndërsa eshtrat e mia në oborrin e shkollës në vendlindjen time Labovë, që është vendi i shenjtë i takimit me Zotin. Mbi këto dy varre të vendoset nga një pllakë me fjalët që vijojnë: Këtu prehet koka…ndërsa në atë që do të vendoset në oborrin e shkollës së Labovës: Këtu prehen eshtrat… dhe të tjerat siç i kam thënë më lart. Testamentin e kam shkruar me dorën time dhe e vërtetoj po me firmën time, që të ketë plotfuqishmëri në jetë të jetëve”.

Broshen, 30 nëntor 1860.

Më 16 qershor të vitit 1865 Vangjel Zhapa vdiq, pasi lëngoi 2–3 vjet nga një sëmundje zemre, që në fazat e fundit të saj zakonisht shoqërohet me sinkope (humbje të ndërgjegjes) të shpeshta. Diagnoza mjekësore duhet të ketë qenë: “Bllok komplet atrio-ventrikular”. Duket se kjo sëmundje, që shkaktohet nga ndërprerja e kalueshmërisë së impulsit kardiak nga nyja sinuzale ku ato lindin për në ventrikujt (barkushet) e zemrës, është e trashëgueshme nga brezi në brez. Vetëm ndër anëtarët e fisit Meksi (e ëma e V. Zhapës ishte Sotira Meksi) që banojnë në Tiranë, janë tre që jetojnë edhe sot falë një elektrostimulatori kardiak (pace- maker). Kushëriri i tij Kostandin Zhapa e çoi deri në Paris në tetor të vitit 1863, ku e konsultuan mjekët më të mirë të kryeqytetit francez. Akti i konsultës mjekësore të 5 tetorit përcaktonte se: “…qysh nga muaji mars i vitit 1863, Vangjel Zhapa ishte absolutisht i paaftë për çfardolloj vendimmarrjeje dhe si rrjedhim, aktet e përpiluara ose të nënshkruara prej tij pas kësaj date, janë ilegjitime dhe duhen konsideruar zero”. Vangjel Zhapa u varros në pronën e tij në Broshen, pas një ceremonie funerale të paparë deri atëherë. Për të nderuar jetën dhe veprën e tij, në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues nga autoritetet e larta shtetërore, princër dhe kontë, nxënës të shkollave dhe një numër i madh qytetarësh nga Bukureshti. Më 11 gusht 1887, sipas dëshirës që kishte shprehur në testament, eshtrat e V. Zhapës u nxorën nga varri dhe u ngarkuan në një avullore, e cila la në portin e Pireut eshtrat e kokës, të cilat u vendosën në kriptën e veçantë që ndodhet në hyrje të pallatit Zappion. Kafka e Zhapës ndodhet aty edhe sot.

Sipas një kronike të kohës: “Një anije me avull në të gdhirë të datës 14 gusht 1887 arriti në Sarandë. Arkivoli i veshur me beze të zezë, u vendos në një karrocë të zezë që tërhiqej nga katër kuaj të zinj…. Gjatë rrugës për në Labovë, banorët e fshatrave kishin zbritur dhe qëndronin në dy krahët e rrugës për të pritur e nderuar eshtrat e bamirësit të madh që po ktheheshin në vendlindje. Delvinjotët, muzinjotët, dropullitët, fshatarët e Rrëzës, të Pogonit e të Lunxhit, të veshur me kostume tradicionale karakteristike përuleshin me respekt para arkivolit. Njerëzit me lot në sy në këto çaste trishtimi kujtonin bëmat e mëdha Vangjel Zhapës, si shkollat e Dhrovjanit, Delvinës, Filatit, Qeparoit, Nivanit, Karjanit, Kakozit, Labovës, Leklit, Adrianopojës, Kostandinopojës, Broshtenit si dhe veprat e tjera bamirëse në Labovë, Rumani, Athinë e Turqi”. (Mamopulos, A.: Faqe epiriote të vendit tim dhe të kohës time; cituar nga Qirjako Hila: Vangjel Zhapa, bamirës i madh labovit, Tiranë, 2003, f. 88). Mendoj  se  dëshirat  e  fundit  të  Vangjel  Zhapës,  të  paraqitura  në testamentin e tij, përveçse janë të papara deri në atë kohë dhe të papërsëritura nga të tjerë, ato kanë simbolikë të dyfishtë.

Me këtë rast dua të theksoj se eshtrat nuk u zhvarrosën pas katër vjetësh nga vdekja e Vangjel Zhapës, por pas 22 vjetësh, atëherë kur më në fund mbaruan punimet për ndërtimin e Stabilimentit në Athinë që do të quhej Zappion (Zhapa) dhe kripta ishte gati. Eshtrat e kokës, sipas amanetit  të  Vangjel  Zhapës,  u  vendosën  në kriptën që ndodhet në hyrje të Stabilimentit Zhapa dhe përballë Akropolit, monumenti simbol i periudhës së ndritur helenike, për të shprehur në mënyrë simbolike nderimin dhe respektin e labovitit për historinë, gjuhën dhe civilizimin e grekëve të vjetër, por edhe si një mesazh për grekët e rinj, të cilët e zbuan ithtarin e Ali pashë Tepelenës (1830) kur ishte i varfër dhe e pritën me nderime të veçanta vetëm gjatë zhvillimeve të lojërave parapërgatitore olimpike të Athinës të vitit 1859, si financues i tyre dhe më i pasuri në Evropën e Lindjes. Varrosja e eshtrave të trupit në oborrin e shkollës së Labovës së Madhe, një nga dhuratat e Vangjel Zhapës për fshatin e lindjes, ka gjithashtu simbolikë të dyfishtë. Vangjel Zhapa, përveçse do të prehej në jetë të jetëve në Labovën e tij, “në vendin e shenjtë të takimit me zotin”, si iluminist dhe patriot shqiptar kërkonte që edhe nëpërmjet prezencës së eshtrave të tij shkolla e Labovës të rronte në kujtesën historike të popullit si përmendore e ndritur e vullnetit të palëkundur për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Por gjithashtu edhe si një dëshmi historike ku të evokohen përpjekjet e atyre që e ngritën këtë shkollë, e mbrojtën dhe do ta mbronin atë në kohë të vështira. Prania e eshtrave të Vangjel Zhapës në oborrin e shkollës së Labovës së Madhe, ku mësohej edhe gjuha shqipe, do të shërbente edhe si një mesazh drejtuar brezave: duajeni gjuhën shqipe, kulturën kombëtare shqiptare dhe krenohuni me to. Amaneti i Vangjel Zhapës për t’u varrosur në oborrin e shkollës    së Labovës ku do të mësohej edhe gjuha shqipe dhe jo në kishë, nuk ishte një kërkesë e çuditshme siç pretendojnë disa nga biografët e tij. Sjelljet dhe përqasjet e Vangjel Zhapës janë lehtësisht të kuptueshme në qoftë se ato analizohen në kontekstin e ideve iluministe, nacionaliste, demokratike, përtej feve dhe europianiste që lindën gjatë epokës së Ali pashë Tepelenës dhe u përqafuan nga dr. Vangjel Meksi, Vangjel Zhapa, dr. Apostol Meksi, Anastas Byku, dr. Dhimitër Meksi etj.

 

II. JETA

 

  1. Origjina e familjes

Vangjel Zhapa lindi më 23 gusht 1800 në fshatin Labovë e Madhe, krahina Rrëzë e Tepelenës, që sot përfshihet në rrethin e Gjirokastrës, nga prindër shqiptarë vendës. I ati Vasili ishte nga familja Zhapa (Në fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) për fjalën zhap/ë,-a f. sh. – a(t) shkruhet: “1. Lëkura e frytit të disa pemëve; lëvorja e drurit; lëvozhgë: zhapat e bostanit (e por- tokallit, e fikut ); zhapat e arrës; zhapa e drurit. 2. Zhapa e barkut. 3. Trastë a thes prej lëkure; sh. opinga lëkure. 4. fik i çarë e i tharë, palë”). Edhe sot ka shumë familje me origjinë nga Labova e Madhe dhe jo vetëm, që mbajnë si mbiemër këtë fjalë të rëndomtë shqipe, ndërsa e ëma Sotira e kishte prejardhjen nga fisi i dëgjuar Meksi. Vasili me Sotirën kishin lindur tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë: Vangjeli, Anastasi dhe Maria. Anastasi ishte martuar me Zaharo Lekën dhe kishin lindur një djalë, Pandelinë. Maria ishte martuar me Thanas Koçiun dhe kishin lindur Llukën. Vasili kishte vëlla Kriston që ishte martuar me Angjelinën nga fisi Mërtiri. Ata kishin lindur katër fëmijë, dy djem e dy vajza: Kostandinin, Thanasin, Vashon dhe Katon. Duke u bazuar në pozicionin në qendër të fshatit, ku janë edhe sot rrënojat e shtëpive të fiseve Zhapa dhe Meksi, është e arsyeshme të pranohet mendimi që këto familje të kenë qenë nga të parat që u vendosën shekuj më parë në Labovën e Madhe.

  1. Hapat e parë

Labovë e Madhe, 23 gusht 1800. Në shtëpinë e Vasil Zhapës u dëgjua zëri i një foshnje të porsalindur që u pagëzua me emrin Vangjel. Prindërit, si të gjithë labovitët e djeshëm, por edhe të sotëm, e ushqyen djalin e tyre me dashurinë për familjen, vendlindjen dhe gjuhën amtare. Vangjel Zhapa u rrit në fshat. Njohuritë e para arsimore i mori në shkollën e fshatit nga prifti që zakonisht ishte grek dhe në ato kohë kryente edhe rolin e mësuesit. (Panajot Aravantino, në librin e tij për intelektualët shqiptarë gjatë sundimit otoman 1865 shkruan se “Doktor Vangjel Meksi (1775-1823) nga Labova e Madhe, i diplomuar për mjekësi në Universitetin e Napolit – Itali gjatë viteve 1803-1806, kreu shkollën e mesme në Janinë, kurse filloren në shkollën e fshatit të lindjes rreth vitit 1785”). Qysh herët Vangjel Zhapa shquhej si djalë gazmor dhe i shkathët, por edhe për vrullin dhe sjelljet e tij të mençura gjatë lodrave rinore që zhvilloheshin në fshat. I binte bukur fyellit dhe shkonte me kënaqësi të veçantë në gjueti, nga ku zakonisht kthehej duarplot. Mjeshtërinë e punimit të tokës dhe veçanërisht njohuritë për njohjen, kultivimin dhe përdorimin e bimëve mjekësore i kishte mësuar nga e ëma, që duket se kishte parë tek i biri vokacionin për të ndihmuar njerëzit e sëmurë dhe në nevojë dhe prirje për mjekësinë popullore si të gjithë të afërmit e saj të fisit Meksi. Disa nga Meksajt që kanë jetuar gjatë shekujve XVI-XIX, ushtruan profesionin e mjekut pas studimeve në universitetet më të shquara të kohës, por kryesisht si mjekë popullorë ose xherahë (xherah – nxjerr ahun, largon dhimbjet, sëmundjen), duke e trashëguar këtë profesion brez pas brezi nga të parët e tyre, që “…kanë qenë të famshëm në gjithë Ballkanin”. (Lik, U.: Udhëtime në Greqinë e Veriut, Londër, 1835, f. 35). Pasi mbushi moshën 13-vjeçare, si shumë labovitë të tjerë u largua nga fshati për në Janinë, ku u lidh me mjekun popullor Petro Panajot Meksi, kushëri i së ëmës, i cili shërbente si kryekirurg në gardën e Ali pashë Tepelenës. Emrin e mjekut Petro Panajot Meksi e gjejmë edhe në Kodikun Mjekësor të Labovës së Madhe të vitit 1812 si “mjek popullor i mësuar”.

Petro Panajot Meksi e stërviti Vangjelin për të ushtruar me sukses mjekësinë popullore dhe veçanërisht kur duhej të ishte e kombinuar edhe me ndërhyrje kirurgjikale. “Pranë bashkëfshatarit të tij të përkujdesur, Vangjeli i ri, kureshtar dhe fort i zgjuar, diti të përfitojë shumë nga ato që vështronte çdo ditë dhe arriti të bëhej shpejt ndihmës kirurg praktikant”. (Gaz. Laboremus, Tiranë, gusht 1932, nr. 16; cituar nga Gogaj, I.: Mirëbërësit shqiptarë të arsimit, Albin, Tiranë, 2003). Të shumtë kanë qenë bashkëluftëtarët e tij gjatë kryengritjes kundër pushtuesve otomanë (1821-1830), veçanërisht kur plagët u infektoheshin dhe qelbëzoheshin, që përfituan nga shërbimet e përkryera të mjekut- kirurg popullor Vangjel Zhapa. Pak vite më vonë në Rumani do të ishte edhe përvoja e fituar gjatë ushtrimit të mjekësisë popullore në fushat e betejave, që do të përcaktonte të ardhmen e jetës së tij. Mbas moshës 16 ose 17-vjeçare Vangjel Zhapa u regjistrua në “Shkollën ushtarake për përgatitjen e kuadrove”, që kishte hapur Ali pashë Tepelena në Bunila afër Janinës. Aty jepnin mësim edhe disa mësues të ardhur nga vendet perëndimore, veçanërisht nga Franca, sipas një marrëveshjeje mes pashait nga Tepelena dhe gjeneral Bonapartit në vitin 1797. Në këtë shkollë, ku Vangjel Zhapa u pajis përveç të tjerash edhe me njohuri të mjaftueshme në gjuhën frënge dhe italiane, janë përgatitur shumë nga figurat e shquara të kryengritjes greke, pjesa më e madhe e të cilëve ishin arvanitas, si: Andruco, Karaiskaqi, Varnajoti, Dhiakos, Gurras, Grivas etj. (Liço, Filip: Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Tiranë, 2009, f. 92).

 

III. JANINA E ALI PASHË TEPELENËS

Vetëm një vit para se Vangjel Zhapa të vendosej në Janinë, Ali pashë Tepelena, duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme, i kishte dhënë fund anarkisë feudale dhe e kishte shtrirë sundimin e tij në bregdetin shqiptar nga gryka e Shkumbinit deri në gjirin e Prevezës (1812). Gjatë kësaj periudhe Janina po lulëzonte jo vetëm si qendër e madhe ekonomike, por edhe si vatra kryesore kulturore e Ballkanit Jugperëndimor. Gjithashtu Janina u bë e famshme edhe për shkollat e mesme dhe bibliotekat e saj. Ajo gumëzhinte nga veprimtaria ekonomike, tregtare dhe administrative e aparatit të sundimtarit të saj energjik, nën qeverisjen e të cilit arriti kulmin e zhvillimit edhe nga pikëpamja demografike. Në ato kohë Janina përjetonte periudhën më të shkëlqyer të historisë së saj. Aty sundonte ligji i shtetit të Aliut që kishte siguruar barazi, qetësi, prosperitet si edhe marrëdhënie normale mes shqiptarëve, grekëve, vllehve dhe hebrenjve që popullonin këtë vilajet. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX, në pashallëkun e Janinës po përshpejtoheshin përgatitjet për realizimin e projektit madhor të Ali Pashës, që synonte krijimin e shtetit shqiptar të pavarur. Ky shtet do të kishte gjuhën e tij zyrtare, që me siguri do të ishte gjuha shqipe. Për këtë arsye Ali Pasha i kushtonte vëmendje të veçantë promovimit të gjuhës shqipe ndër të huajt e shumtë që vizitonin oborrin e tij dhe nxiste lëvrimin e gjuhës shqipe nga ata dhe nga intelektualët shqiptarë, disa prej të cilëve të diplomuar në universitetet më të shquara të Evropës.

Kjo ka qenë atmosfera në të cilën zhvillohej mendimi patriotiko- kulturor shqiptar në pashallëkun e Janinës në kohën kur po rritej dhe shkollohej Vangjel Zhapa, ai që do të bëhej një nga protagonistët kryesorë për nxitjen e lëvrimit të gjuhës shqipe, botimin e abetareve të para shqipe me alfabet të veçantë dhe ngritjen e shkollave ku do të mësohej edhe gjuha shqipe, gjatë viteve të mesit të shek. XIX. Në fillim të shek. XIX, në prag të përpjekjeve të Ali pashë Tepelenës për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane si dhe të shpërthimit të Revolucionit Grek, shqiptarët dhe grekët mendonin se do të luftonin të bashkuar. Madje edhe për të ardhmen ata parashikonin një shtet të përbashkët, veçse, ndërsa grekët kërkonin një shtet panhelenik ku të sundonin ata, shqiptarët ishin për një shtet të madh të pavarur shqiptaro- grek nën Ali Pashën ose udhëheqës të tjerë shqiptarë. Partizanët më të zjarrtë të këtij projekti ambicioz ishin këshilltarët e afërt të Aliut, iluministi përmetar Kostandin Duka, Aleko Miço, M. Ikonomi etj. Vangjel Zhapa, oficer i ri në ushtrinë e Ali pashë Tepelenës, u përfshi plotësisht në projektin që kishte hartuar Aliu. Dhimitër Shuteriqi ka shkruar: “Vangjel Zhapa, që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali pashë Tepelena dhe i kishte mbetur këtij besnik gjer në fund, ishte, me sa duket, në krye të herës, për një shtet shqiptaro- grek, ku shqiptarët do të luanin edhe në të ardhmen rolin e madh që luante Aliu”.( Shuteriqi, Dh.: Gjurmime letrare, Tiranë, 1974, f. 246). Bashkimi i trojeve dhe formimi i shtetit shqiptar përbën një nga elementet kryesore formuese të vetëdijes kombëtare shqiptare që shërbyen si truall ngjizës i nacionalizmit shqiptar, i cili mbiu në epokën e Ali Pashës. Ndryshe nga nacionalizmi i popujve të tjerë ballkanikë, shqiptarizmi, i ndikuar nga revolucioni francez, kishte një vizion të përparuar shoqëror, pra lindi demokratik. Duket se edhe Vangjel Zhapa, falë zgjuarsisë, intuitës dhe aftësisë për të ecur me kohën, ishte përfshirë nga idetë liridashëse dhe demokratike që vinin nga Parisi.

 

IV. ROLI I SHQIPTARËVE NË KRYENGRITJET ANTIOSMANE

Në fillim të shekullit XIX, greko-fanarjoti Aleksandër Ipsilanti (1792– 1828), kryetar i Shoqërisë së Miqve (Filiqi Eteria), shoqëri politike greke e themeluar për të përgatitur shpërthimin e kryengritjeve kundërosmane të vitit 1821 në Moldavi, Vllahi dhe Greqi, u bënte thirrje ortodoksëve grekë, shqiptarë, bullgarë, rumunë dhe armenë që të ngriheshin kundër turqve në një kryengritje që do të ngjante më tepër me një kryqëzatë dhe do të synonte formimin e një shteti ortodoks me kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe me Konstandinopojën (Stambollin) si kryeqytet. Në të vërtetë shumë ortodoksë jogreqishtfolës morën pjesë aktive në këto kryengritje, që u bashkërenduan edhe me veprimet luftarake të Ali Pashës kundër turqve. Në kryengritjen greke pati një pjesëmarrje masive të arvanitëve, myslimanë dhe ortodoksë, ndër të cilët u dalluan veçanërisht Kolokotroni, Karaiskaqi, Laskarina, Bubulina, Kryezinjtë, Boçarët e shumë të tjerë, si edhe shqiptarët dr. Vangjel Meksi, Vangjel Zhapa, Petro Panajot Meksi etj. Numëroheshin disa mijëra kryengritës shqiptarë në Rumani, që komandoheshin nga Naum Bredhi-Veqilharxhi, ai që do të ishte ideologu, filozofi dhe politikani i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shqiptarë të shumtë të fesë ortodokse dhe jo vetëm morën pjesë në kryengritjet greke dhe rumune, duke shpresuar se në shtetin e lirë që do të krijohej pas fitores ndaj pushtuesit otoman, do të gëzonin të drejta të barabarta me kombësitë e tjera të Ballkanit. Në të vërtetë, pas këtyre kryengritjeve ishin vetëm grekët dhe serbët që arritën të krijonin shtetet e tyre.

 

V. NGA VIJA E PARË E FRONTIT NË KOMANDANT BRIGADE

Si oficer i ri që ishte, në vitin 1820 Vangjel Zhapa u emërua në garnizonin e vendosur në kështjellën e fshatit Mazia, që ndodhej në jug të Janinës dhe më pas u bashkua me suljotët, në atë kohë miq të Aliut, për të luftuar kundër turqve. I përfshirë në revolucionin grek, Vangjel Zhapa fillimisht mori pjesë aktive nën komandën e Marko Boçarit dhe Kiço Xhavellës në betejat e përgjakshme për çlirimin e Sulit. Në njërën nga këto beteja ai kreu një akt heroik, kur kaloi i maskuar vijën e frontit për të koordinuar veprimet luftarake me suljotët që gjendeshin të rrethuar. Si adjutant i Marko Boçarit, Zhapa mori gradën e majorit dhe distinktivin Kryeengjëll Mihali. (Postolake, N.: Lavdi Vangjel Zhapës, Erik, Tiranë, 2017, f. 19). “Vangjel Zhapa e kishte për nder e krenari ta quante veten Vangjel Zhapa suljoti” (Mammopulos, A.: Faqe epirote të vendit tim dhe të kohës time, Athinë, 1968; cituar nga Hila, Qirjako: Vangjel Zhapa, mirëbërës i madh labovit, Iliria, Tiranë, 2003, f. 11).

Pas çlirimit të Sulit, Vangjel Zhapa luftoi në Misolongj dhe pas vdekjes së Marko Boçarit, nën komandën e Kosta Boçarit, Zervës, Panarjasë dhe Gurras, luftoi në betejat e përgjakshme që u zhvilluan në Termopile, Vasilika, Aito dhe Gravia, ku u shqua për trimëri të rrallë dhe u quajt hero  nga vetë grekët. Më pas ai luftoi edhe në Splanca së bashku me Zeivras dhe Veikun që kishin pasur pozita drejtuese në gardën e Ali pashë Tepelenës. Përveç pjesëmarrjes në shumë beteja të zhvilluara në Epir, Vangjel Zhapa mori pjesë aktive edhe në betejat antiturke në Greqinë Lindore dhe në Peloponez, duke u shquar për trimëri të rrallë, sidomos në betejën e Kacinadhës. Në vitin 1824, kur ishte vetëm 24 vjeç, iu dha grada gjeneral brigade dhe me urdhër të posaçëm emërohet komandant i reparteve ushtarake të përbëra kryesisht nga luftëtarët që vinin nga fshatrat vllahe (Vllahohorja). Më vonë mori pjesë në shumë operacione ushtarake në Peloponez. Si luftëtar në vijën e parë të frontit, në luftimet trup me trup ai mori pesë plagë të thella, cikatricet e të cilave e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Pjesëmarrja energjike e V. Zhapës në betejat e panumërta të luftës antiturke të zhvilluara në Epir dhe kudo në Greqi tërhoqi vëmendjen e turqve, të cilët, për ta detyruar V.  Zhapën të dorëzohet, arrestuan nënën e tij dhe i plaçkitën shtëpinë prindërore që kishte në Labovën e Madhe.

Për këtë ngjarje të hidhur për të dhe për nënën e tij, më vonë ai do të shkruante: “E nderuara mëma ime plakë, me urdhër të vezirit turk Qutahi, më 1825 u rrëmbye nga shtëpia dhe u dërgua e lidhur me pranga në Janinë, ku e izoluan për dy vjet në burgun e nëndheshëm në ishullin e liqenit të Janinës, kurse orenditë e shtëpisë sime u bënë plaçkë për të dërguarin e vezirit. Nëna time, vazhdonte Vangjeli, e di që i kam jetën borxh atdheut dhe gjallë ta pjekin ajo nuk do të ankohet”. (Epirotiqi Eteria, Athinë, 1995; cituar nga Hila, Qiriako, po aty, f. 14). “V. Zhapa luftoi nga dita e parë deri në të fundit gjatë luftës çlirimtare antiturke të popullit grek dhe kudo u dallua si hero”. (Epirotiqi Eteria: Athinë, 1996; cituar nga Hila, Q., po aty, f. 19). Vangjel Zhapa mori pjesë në kryengritjen greke ashtu si edhe dr. Vangjel Meksi, mjeku i Ali pashë Tepelenës, përkthyesi i Dhiatës së Re në shqip, së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë pavarësisht nga besimi fetar që praktikonin, të bindur se me çlirimin e Greqisë do të përshpejtohej edhe çlirimi i Shqipërisë. “Pas luftës qeveritarët grekë i dhanë vetëm medaljen e argjendtë të luftimeve në vijën e parë të frontit dhe disa toka të lëna djerr në Verios, afër Selenikut, ku kishte si fqinjë turq të egërsuar që e shikonin me dyshim dhe urrejtje”. (Postolake, N.: Lavdi Vangjel Zhapës, Erik, Tiranë, 2017, f. 42). Veçse mosmarrëveshjet me grekët kishin filluar prej kohësh.

Historiani rumun Nikolae Postolake paraqet shkaqet e vërteta, sipas tij, të qëndrimeve jomiqësore të qeveritarëve grekë ndaj Vangjel Zhapës: “Oficeri Vangjel Zhapa duke mos qenë dakord me disa masa për organizimin e ushtrisë greke, u fut në konflikt me personalitetet e larta të Greqisë, që u bënë shkak të braktisë përfundimisht karrierën ushtarake dhe më pas edhe Greqinë”. (Postolake, Nikolae: po aty, f. 99). Vetë Vangjel Zhapa në vitin 1845, tashmë i vendosur në Rumani, do t’i shkruante një letër Konsullatës së Përgjithshme greke në Bukuresht, në të cilën evidentonte shërbimin ushtarak plot sakrifica që i ka bërë Greqisë në vitet 1821-1830 dhe ankohet për vlerësimin e pamjaftueshëm nga qeveria greke e kohës. Ai shkruante: “…si admirues i Kushtetutës së Shejtë pësova goditje dhe përndjekje nga qeveritarët”. (Postolake, N.: po aty, f. 37). “Arbërit në Greqi, myslimanë e të krishterë, në fillimin e shek. XIX nuk përbënin pakicën, por forcat kryesore të popullit kryengritës, të cilët që nga koha e pushtimit turk e mbanin të pashuar flakën e vizionit çlirimtar. Fillimisht ata jo vetëm nuk u penguan, por u nxitën që të mbushin radhët e reparteve kryengritëse greke. Në ato kohë 90% e komandantëve të reparteve kryengritëse çlirimtare në Greqi ishin me origjinë shqiptare, ndër ta edhe Andruco, Dhjako, Karaiskaqi, Barnaqioti, V. Zhapa etj”. (Kola, Aristidh: Arvanitët, Botimet Toena, Tiranë, 2008, f. 446). Por, “…sipas një plani të hartuar bashkë me rusët, në kohën kur zhvillimet ushtarake dukeshin qartë se ishin në favor të kryengritësve, fillimisht u përndoqën dhe u përzunë arbërit e fesë myslimane (1821- 1822) dhe më pas edhe ortodoksët pavarësisht nga kombësia, por që kishin qenë ithtarë të Ali pashë Tepelenës”. (Kola, A.: po aty, f. 450), ndër ta edhe Vangjel Zhapa, Petro Panajot Meksi etj).

Në këto kushte, Vangjel Zhapa në vitin 1831 u kthye për të fundit herë në Labovë për të përshëndetur bashkëfshatarët, gjithë fisin e tij dhe veçanërisht nënën e përvuajtur dhe më pas braktisi Greqinë e ngushtë, tërë male të thata dhe mosmirënjohëse, për fushat pa fund dhe pjellore të Rumanisë, ku e priste edhe një koloni e madhe shqiptarësh. Veçse V. Zhapa iku nga Greqia me zemër të thyer dhe pa harruar asnjëherë padrejtësinë që i bënë qeveritarët grekë të kohës. Vangjel Zhapa nuk ishte i vetmi i krishterë shqiptar pjesëmarrës në revolucionin grek, që fill pas pushimit të luftës u braktis nga qeveritarët grekë të kohës. Historiani Vasil Meksi shkruan se “Mjeku popullor Petro Panajot Meksi më 12 gusht 1824 ka paraqitur një kërkesë tek e quajtura Drejtoria Revolucionare Greke në Athinë, ku kërkonte njohjen e shërbimeve të tij që ofroi si mjek gjatë Revolucionit Grek, pa përfituar asnjë shpërblim”. (Meksi, Vasil: Familja Meksi, Athinë, 1995, f. 29). Më tej Vasil Meksi thekson: “Citime si ato të shërbimeve të kryera gjatë kryengritjes greke pa asnjë përfitim të Petro Panajot Meksit dhe të panjohura nga organet përkatëse të kohës, i gjejmë edhe te libri i Leon Mellas, madje edhe në shënimet historike të tij të botuara te Buletini i Firmës Epirote”.

 

VI. RUMANIA, VEND MIKPRITËS DHE ME PASURI TË SHUMTA

  1. Pak histori

Edhe pse dakët e lashtë kanë qenë banorët e parë në trojet e Rumanisë së sotme, pasardhësit e tyre gjatë dy mijëvjeçarëve të fundit u detyruan të ndahen disa herë në tri principata të mëdha ndonjëherë edhe autonome, sipas orekseve të fqinjëve të fuqishëm: të Rusisë që kishte vasale Moldavinë, të Turqisë që merrte haraç nga Vllahia dhe të Habsburgëve të Austro- Hungarisë që kishin aneksuar Transilvaninë. Në shekullin XVIII Moldavia kaloi edhe një herë nën pushtimin e egër të shtetit otoman, kurse në gjysmën e parë të shekullit XIX (1826- 1856) së bashku me Vllahinë u gjendën nën protektoratin e dyfishtë   të Turqisë dhe Rusisë. Më në fund, në vitin 1859, me mbështetjen e Napoleonit III të Francës, këto dy principata u bashkuan për të formuar një shtet të vetëm, Rumaninë e sotme. Veçse Rumania, ky vend i begatë me sipërfaqe pa fund tokash buke, me pyje, lëndina dhe livadhe të panumërta, po hynte në shekullin XIX ende në gjendje bujkrobërie. Principatat rumune ishin të rrënuara plotësisht edhe nga luftërat e shpeshta ruso-turke që zakonisht zhvilloheshin në territorin rumun. Për pasojë, nuk arrihej një zgjidhje e përshtatshme për të rindërtuar dhe modernizuar rrugët e shkatërruara, për të ngritur ferma bujqësore të prodhimeve të larta dhe për të ndërtuar shkolla, kisha etj. Sidoqoftë, në fillim të shek. XIX, veçanërisht në fushën danubiane, u vendos një sistem më i butë agrar, që tërhoqi një numër të madh emigrantësh kryesisht nga Ballkani. Në këtë mënyrë   u krijuan mundësitë për shfrytëzimin ekonomik të pasurive të këtyre zonave dhe të tregtisë nëpërmjet Danubit. Zgjerimi i sipërfaqeve të kultivuara, që ndodhi si rrjedhim i kërkesës nga tregu i brendshëm dhe i jashtëm për shtimin e prodhimeve bujqësore, do të çonte në dhënien e punës me mëditje dhe të tokës me qira, praktika që më parë nuk njiheshin në Rumani. Në këtë vend agrar nuk kryhej as edhe këshillimi më elementar i bujqve nëpërmjet broshurave të përgatitura posaçërisht për ta, për bujqësi intensive dhe veçanërisht për t’i informuar lidhur me format moderne të kontabilitetit agrar. Disa dhjetëvjeçarë më vonë, pas studimeve në Paris për agronomi (1835-1838), do të ishte sipërmarrësi fermer Vangjel Zhapa, mjeku popullor nga Labova e Madhe, që do të mjekonte këtë radhë, si vetëm ai dinte, edhe bujqësinë rumune që po lëngonte.

  1. Arritën labovitët

Vangjel Zhapa me të afërmit e tij dhe labovitë të tjerë u vendosën në Rumani gjatë vitit 1833. Vangjel Zhapa nuk zgjodhi të jetonte dhe të punonte në qytet. Duket se brenda tij u zgjua origjina prej fshatari, aq më tepër kur vështroi tokat e buta me ujë të bollshëm që shtriheshin pa fund, veçanërisht në Rumaninë Juglindore. V. Zhapa, pasi njohu terrenin, zgjodhi Broshenin për të banuar, që ndodhej në një krahinë buzë lumit Danub, pranë detit dhe kryeqytetit Bukuresht. Menjëherë pjesëtarët e fisit Zhapa regjistrohen në zyrën e gjendjes civile të komunës së Broshenit me nështetësi otomane, por me kombësi shqiptare. (Monitorul official, nr. 46061, f.1803, 1863). Regjistrin përkatës e ka gjetur studiuesi serioz rumun N. Postolake, autor i librit me titull Lavdi Vangjel Zhapës. Po ky autor dëshmon se “Farefisi i V. Zhapës kundërshtonte zyrtarisht dhe publikisht sa herë që vendasit i quanin me kombësi greke ose vllahe”. (Postolake, N.: Lavdi Vangjel Zhapës, 1995, f. 34). Vite më vonë, kur Vangjel Zhapa do të rreshtohej ndër më të pasurit e Evropës Lindore, ishte ndezur një luftë e egër mes shteteve të Greqisë dhe Rumanisë lidhur me origjinën e tij, që vazhdon edhe sot. Me këtë rast labovitit të urtë iu desh edhe një herë të dëshmonte për origjinën e tij shqiptare. Në parathënien e librit Trentori (bleta mashkull, përtaci) që e botoi në Bukuresht në vitin 1847, ka shkruar tekstualisht: “Ne, zotërinj, jemi shqiptarë dhe Atdheu ynë është një vend që ka fituar me luftë prej kohësh disa privilegje legale nga Porta e Lartë otomane”. (Postolake, N.: po aty, f. 34). Duket se Vangjel Zhapa ishte i mirinformuar për betejat e vitit 1492 të banorëve të Rrëzës dhe të Zagorisë kundër ushtrive otomame të Sulltan Bajazitit II, i cili më në fund pranoi humbjen dhe u tërhoq duke u njohur shqiptarëve statusin e autonomisë relative, të cilën banorët e fshatrave të Labovës, Hormovës, Leklit, Tërbuqit, Hundëkuqit, Karianit, Erindit, Kodrës dhe gjithë Zagorisë e gëzuan deri në vitin 1912.

  1. Mjek popullor, argat dhe mullixhi

Fillimisht Vangjeli punoi si argat – punëtor me mëditje dhe si mullixhi te një mulli në mes të një fushe  pa fund,  veçse e punuar pjesërisht, të cilën më pas e mori me qira. Pjesën tjetër të kohës e kalonte duke vizituar dhe mjekuar falas njerëzit e sëmurë, duke përdorur barna që i mblidhte dhe i përpunonte vetë sipas mësimeve të nënë Sotirës, Petro Panajot Meksit dhe përvojës së pasur personale që kishte fituar kur mjekonte bashkëluftëtarët e shumtë të plagosur gjatë luftës 10-vjeçare greko-turke. Në këtë mënyrë, shumë shpejt fitoi respektin dhe besimin e të sëmurëve dhe të familjarëve të tyre, si edhe famë kudo në popull. Brenda një kohe fare të shkurtër ai bëhet i njohur kudo në atdheun e tij të adoptuar, siç e quante Rumaninë. Në Bukureshtin aty afër, Elena, vajza e princit Maruzi, prej kohësh lëngonte në shtrat, edhe pse ishte nën kujdesin e mjekëve më të mirë të Vllahisë. Sëmundja e vajzës së re kishte filluar pas një plage të thellë në pulpën e këmbës së djathtë, që sipas mjekëve ishte gangrenizuar dhe duhej amputuar. Njerëzit e afërm e këshilluan princin që, përpara se të pranonte rekomandimin e mjekëve, të thërriste mjekun popullor Vangjel Zhapa, veçanërisht i suksesshëm për shërimin e plagëve të mahisura. Ai, mbasi e vizitoi të sëmurën, mori përsipër shërimin e saj dhe paraqiti një listë me medikamente, barna dhe pajisje të tjera të nevojshme për mjekimin e vajzës. Pas mjekimit intensiv lokal direkt në plagë dhe mjekimit të përgjithshëm për ngritjen e rezistencës të së sëmurës, pas 4-5 muajsh vajza u ngrit në këmbë plotësisht e shëruar. Princi, si shpërblim për shërimin e vajzës së tij, i dhuroi Vangjel Zhapës mullirin e vjetër ku ai punonte në atë kohë si ndihmësmullixhi, si dhe një sipërfaqe të madhe toke buke përreth. Me të ardhurat që mblidhte nga mulliri, tashmë i zmadhuar dhe i modernizuar, Vangjeli zmadhoi pronat e tij me toka të tjera në atë fushë pa fund dhe pjesërisht të lënë djerr. Në këto kushte, kur punët ishin shtuar, Vangjel Zhapa po ndiente nevojën për të pasur ndihmën e një bashkëpunëtori besnik, të shkathët dhe të zgjuar. Për të tillë ai kishte zgjedhur kushëririn e tij të parë, Kostandinin 20-vjeçar, djalin e xhaxha Anastasit, që e thirri nga Labova. Kostandini arriti në Rumani në vitin 1835. Për Qirjako Hilën: “Vangjeli ishte i mençur, energjik, largpamës, me përvojë dhe që e pëlqente punën në grup, ndërsa Kostandini kishte guxim, shkathtësi, gjykim të hollë, zell dhe sinqeritet”.( Hila, Q.: Vangjel Zhapa, Tiranë, 2003, f.19). Pasuria që po grumbullonin, që më pas u bë edhe burimi kryesor i veprave të tyre të bamirësisë, ishte fryt i mendimit krijues, i metodave bashkëkohore që përdorën, si edhe i energjisë, pasionit dhe përkushtimit të përbashkët. Vite më vonë ata janë cilësuar nga të njohurit e tyre si “dy trupa me një zemër”.

  1. Pasaniku që dogji etapat

Vangjel dhe Kostandin Zhapa asnjëherë nuk u dehën nga pasuria marramendëse që po grumbullonin. Ata gjithmonë ndihmonin njerëzit e varfër dhe në nevojë, dhe si shpërblim gëzonin respektin e tyre dhe të dhjetëra mijëra punëtorëve të tjerë që mbanin në këmbë pasuritë e tyre përrallore. Vangjel Zhapa, tashmë i ndihmuar edhe nga Kostandini, bleu sipërfaqe të tjera të mëdha toke të lëna djerr, të cilat i ktheu edhe ato në toka buke. Nga mesi i viteve ‘30, Vangjel Zhapa plotësoi njohuritë agronomike, duke kryer me sukses studimet përkatëse të larta në Universitetin e Parisit. Gjatë këtyre viteve pariziane Vangjel Zhapa bënte pjesë aktive në të ashtuquajturin ‘Rrethi revolucionar rumun’, bashkë me intelektualë të tjerë të shquar nga Rumania, ndër të cilët ishte edhe princi Joan Gjika me origjinë shqiptare. Pasi u kthye në Rumani, zbatoi me sukses metodat e reja për bujqësi intensive që kishte përvetësuar në Paris, të cilat rritën dukshëm rendimentet bujqësore në pronat e tij. Vërtet mulliri që princi i Vllahisë i dhuroi Vangjel Zhapës, ishte i vetmi në një fushë pa fund, e përshtatshme për të mbjellë grurë,    por krahas mullirit, ishte zgjuarsia, vendosmëria, prakticiteti dhe largpamësia e Vangjel Zhapës, që gradualisht e shndërruan në pronar të të gjithë asaj fushe të begatë. Më pas e ndihmoi edhe fati, kur Shoqëria Anglo-Persiane zbuloi se nëntoka në pronësi të Vangjel Zhapës ishte naftëmbajtëse. Vangjeli nuk pranoi t’ua shiste tokën anglezëve dhe u bë një nga aksionarët kryesorë të kësaj shoqërie, e më pas, me të ardhurat e realizuara nga shfrytëzimi i puseve të naftës, u pasurua edhe më tepër. Me këto të ardhura bleu toka të tjera, pyje dhe mullinj të tjerë, hotele, restorante, fabrika, si dhe një pjesë të madhe të aksioneve (400) të Shoqërisë Rumune të Lundrimit. Me të ardhurat e shumta që kishte mbledhur, mori me qira sipërfaqe të mëdha toke të një manastiri, të cilat i shfrytëzoi me mjaft sukses.

Në vitin 1837 mori përsipër edhe shfrytëzimin e katër pronave të   tjera (Lluka, Kasiora, Odhaja dhe Faureli). Në vitin 1842, me fitimet e siguruara prej tyre bleu çifligun Brosheni në qarkun Jalomica, që përbëhej nga toka buke, pyje, mullinj me ujë, magazina, hane etj., të cilat më pas u bënë baza ekonomike kryesore e kushërinjve Zhapa. Pas disa kohësh çifligut Brosheni iu shtuan edhe çifligje të tjera në krahinën e Jalonicës me pyje, lugina dhe moçalishte. Dhjetë vjet më vonë në këtë provincë numëroheshin si prona të Zhapës 66 çifligje, me të ardhura vjetore prej rreth 15.000 napolona flori secila. (Mammopulos, A.: “Faqe epirote të vendit tim dhe të kohës time”, Athinë, 1968; cit. nga Hila, Q., po aty, f. 18). Kësaj pasurie të pafund, Vangjel Zhapa i shtoi më vonë edhe një fabrikë alkooli dhe një mulli gruri me dymbëdhjetë gurë, që konsiderohej më i madhi në gjithë atë vend bujqësor. Në këtë mënyrë Vangjel Zhapa u bë prodhuesi dhe eksportuesi më   i madh i grurit dhe një nga prodhuesit kryesorë të kulturave të tjera bujqësore në gjithë Rumaninë.

Pasuria e tij shtohej në mënyrë marramendëse. Vetëm pasuria e patundshme e Zhapës (çifligje, pyje, mullinj, hotele, godina banimi etj.) jepte një rentë vjetore të lartë. Fshatari nga Labova dhe ish-mjeku popullor u shndërrua në një latifondist me të ardhura financiare të pallogaritshme. Veçse ai shquhej nga të tjerët edhe për kulturën, klasën dhe sjelljen elegante, mënyrën evropiane të jetës që bënte dhe shoqërinë e tij të zgjedhur që përfshinte edhe princër e mbretër. Rezidenca e tij në Broshen, fare afër Bukureshtit, përmendej jo vetëm si vend i darkave madhështore që shtroheshin dhe i shampanjës e verërave franceze nga më cilësoret që shërbeheshin pa kursim, por edhe për bibliotekën madhështore unike në Rumani, me libra të blerë kryesisht në Paris dhe Athinë. Ndërtesa madhështore ku banonte mbrohej nga një gardë shqiptarësh e përbërë nga 100 veta nga Rrëza e Tepelenës, të veshur me kostume kombëtare shqiptare. Rrugën nga rezidenca e tij deri në Bukuresht, rreth 60 km, e shtruar dhe e zbukuruar anash me pemë dekorative, e bënte me llandonë luksozë ose karroca dyvendëshe udhëtimi.

  1. Natyralizimi

Zhapa mbërriti në Rumani më 1833, me pasaportën e Perandorisë Otomane dhe u regjistrua në zyrat e gjendjes civile me kombësi shqiptare, ashtu sikurse të gjithë labovitët e tjerë. Ishte koha kur të huajt gëzonin në Rumani shumë lehtësi, veçanërisht lidhur me taksat. Por duhet të shtohet me këtë rast edhe mikpritja dhe butësia e popullit rumun, si edhe begatia që ofronte ky vend për të gjithë emigrantët. Disa nga shqiptarët që kishin ndër mend të qëndronin përfundimisht në Rumani, zakonisht merrnin kontakt me konsullatën greke në Bukuresht, duke u konsideruar jo rrallë edhe si shtetas helenë, së cilës i kërkonin mbështetje dhe pajisjen me rekomandimet përkatëse për të kryer natyralizimin në shtetas rumunë. Kurse grekët e vërtetë i merrnin rekomandimet nga zotërinjtë fanariotë që banonin në Rumani (nga greqishtja fanari, fari, emri i lagjes në Stamboll, nga e kishin origjinën), për ndonjë nëpunësi ose privilegj tjetër nga pronarët e tokave, për të kërkuar më vonë edhe të drejtën për të pasur tokë. Në këtë mënyrë   ata mund të zinin vend dhe të natyralizoheshin menjëherë në Rumani (procesi i marrjes së shtetësisë së një vendi nga emigrantët e huaj). “V. Zhapa, që nuk ka lindur si nënshtetas grek, nuk kërkoi asnjëherë nënshtetësinë greke. Por që të blinte pasuri të patundshme dhe toka në Rumani dhe të sistemohej përgjithmonë atje, ishte e domosdoshme që të kërkonte natyralizimin si shtetas rumun. Ai paraqiti kërkesën e tij zyrtarisht më 19 dhjetor 1844, por nuk mori asnjë përgjigje.

Në një tjetër dokument që mban datën e muajit gusht të vitit 1863, Vangjel Zhapa dhe të afërmit e tij i drejtohen ministrit të Drejtësisë për të përfunduar më në fund të gjitha formalitetet dhe aktet që kërkoheshin për natyralizimin e tyre si nënshtetas rumunë. Nuk dihet në qoftë se Vangjel Zhapa, për shkak të sëmundjes së rëndë që po kalonte, e cila i shkaktonte humbje të herëpashershme të ndërgjegjes, e kuptoi ndonjëherë vendimin përfundimtar të autoriteteve rumune, sido që të ishte, në favor ose jo”. (Postolake, N.: po aty, f. 44). Por Vangjel Zhapa, edhe pse modest dhe i përmbajtur, duhet të ishte prekur pa masë nga vonesat e pashpjegueshme për shpalljen e natyralizimit të tij. Duket se shtetarët rumunë të asaj kohe kërkonin   që Vangjel Zhapa të vazhdonte t’u jepte direkt atyre dhurata personale dhe jo për popullin rumun, sikurse ai bënte prej kohësh, duke filluar me dhurimin e grurit, me armatosjen falas të ushtrisë rumune, me përçapjet dhe iniciativat e tij të vlefshme në fushën e bujqësisë, por edhe me këshillat e vyera që u jepte sundimtarëve rumunë dhe atyre përreth, për të cilat ata kishin aq nevojë.

*   *

Vangjel Zhapa vdiq në Broshen më 20 qershor 1865, si pasojë e një sëmundjeje të gjatë që i kishte filluar që në verën e vitit 1863. Kurse dy vite më pas, “…më gusht të vitit 1867, gjatë ceremonisë me rastin  e inaugurimit të Shoqatës Letrare Rumune, edhe kjo dhuratë e Vangjel Zhapës, shkrimtari dhe historiani i madh rumun V. A. Urechia, pasi zbuloi bustin e V. Zhapës, vepër e skulptorëve rumunë Karl dhe Carol Storck, ndër të tjera tha: “Të mundurve nuk u ngrihen statuja, as buste, as nuk u këndohen lavdira, veçse mbi varrin e tyre të harruar pikon herë pas here një lot respekti hyjnor nga një shok i luftës dhe i vuajtjeve të përbashkëta, të cilin nuk e kapi kosa e harresës”. “Ky fjalim u ndërpre nga duartrokitje frenetike. Kur folësi ngriti vellon që mbulonte bustin dhe vuri mbi ballin e Vangjel Zhapës një kurorë dafine, duartrokitjet ishin gjëmuese, të zgjatura deri sa mbuluan edhe fjalët e fundit të oratorit. Ishin thirrjet lavdi e nder Zhapës! Rroftë kujtimi i tij! I paharruar qoftë emri i tij! – që bënë të oshtijë salla më shumë edhe për disa minuta të tjera. E nëse Vangjel Zhapa gëzoi të gjitha këto ndere, do të thotë që ai ishte fitimtar”. (Postolake, N.: po aty, f. 79). Edhe shqiptarët e sotëm do ta kujtojnë dhe nderojnë me respekt bashkatdhetarin e tyre ndoshta pa shtetësi të përcaktuar, por gjithmonë me kombësi shqiptare, që e shkruante dhe e përmendte fort dhe me krenari.

 

VII. PASURITË E VANGJEL ZHAPËS

  1. Pasuritë në Rumani

Pasuria e pafund që grumbulloi Vangjel Zhapa ia shtoi edhe më shumë fisnikërinë, duke i ndezur gjithashtu edhe më tej pasionin për të ndihmuar të varfrit kudo që të ishin dhe për të dhënë donacione me përmasa të mëdha dhe të zgjedhura me shumë kujdes dhe elegancë. Testamentin, që Vangjel Zhapa e përpiloi në vitin 1860, e fillon me këto fjalë: “Sot në moshën 60 vjeçare, me mendje të plotë dhe krejt të shëndoshë, e shkruaj këtë testament me dorën time si më poshtë vijon: E gjithë pasuria time, e tundshme dhe e patundshme, duke qënë krejt i pavarur si nga trashëgimtarë ascendente ashtu edhe nga trashëgimtarë descendente, si edhe nga çdo ortakëri me far’e fis ose me njerëz të huaj, është e përbërë nga çifligu në Broshen me mullinj, pyje, magazina, shtëpi dhe gjithë të tjerat që përfshihen në të; Ulesci dhe Megaiaseasca dhe gjithçka ndodhet në to; Bereasca me hanet dhe me pyllin; Stoineasca, Sluzhitori, Cegani dhe Berçeni me moçalishtet, pyjet etj. dhe të gjitha pronat që kam në qarkun e Jalomicës së bashku me shtëpinë time në Bukuresht, Hotel Atena dhe Hani Çerenika, çdo njëra nga të cilat sot më bie një të ardhur vjetore prej 15. 000 napolonë flori në vit; 400 aksionet e shoqërisë së lundrimit të Rumanisë. Pas vdekjes time ia lë që t’i gëzojë ato, së bashku me gjithë pasurinë time të tundshme dhe të patundshme, me bagëtitë dhe arabatë, sa kohë që të jetë gjallë, kushëriri im Kostandin Zhapa i cili ka punuar së bashku me mua dhe unë i jam borxhli”. Për më tepër, për sa i përket pasurisë, “Në konakun e Vangjel Zhapës ka pasur gjithmonë verëra dhe cigare cilësore, armë dhe kostume gjahtarësh, qenë të shumtë race dhe personeli i përbërë nga mësues të gjuhëve të huaja, funksionarë, nëpunës dhe disa shërbyese, që kaluan edhe ato në varësi të Kostandinit”. (Postolake, N.: po aty, f. 55).

 

  1. Pasuritë në Turqi

Një ekip i Shoqërisë Komisionaria, strukturë shtetërore e shtetit shqiptar, e ngritur për të identifikuar dhe shqyrtuar pasuritë e shqiptarëve jashtë atdheut, u dërgua në fillim të vitit 1963 në Stamboll për t’u interesuar për pasuritë e Vangjel Zhapës në Turqi. Mbasi u kthyen në atdhe, ata përgatitën informacionin përkatës që mban datën 11 mars 1963 dhe e dërguan pranë organeve të larta të shtetit shqiptar: “Pasuria e Vangjel Zhapës në Stamboll është një pasuri mjaft e madhe që përfshin një lagje të tërë, në një nga sheshet kryesore të Stambollit me emrin Taksim. Ajo përbëhet nga një bllok ndërtesash ku numërohen edhe 70 dyqane, 5 ndërtesa banimi 4-5-katëshe, një gjimnaz për vajza dhe kisha e Shën Triadhës, që është një nga dy kishat më të mëdha të Stambollit. Vlera totale e kësaj pasurie, në bazë të vlerësimit të organeve teknike të specializuara turke, arrin 700 milionë lira turke ose 80 milionë dollarë. Vetëm si tokë, çmimi në këtë lagje është afro 1,000 lira turke për m2, ndërsa nga dyqanet çdo vit mund të merren, përveç qirave, qindra mijëra lira nga të ashtuquajturat para në erë. Pas ngjarjeve të 6 dhe 7 shtatorit 1955 ndaj pasurive greke në Stamboll (periudha e krizës së madhe të marrëdhënieve turko-greke), qeveria turke ka urdhëruar regjistrimin dhe legalizimin në emër të Kishës Ortodokse Greke në Stamboll, të të gjithë pasurisë që u përket Vangjel dhe Kostandin Zhapës në kryeqytetin turk. Kështu që, raporti i nëpunësve të Shoqërisë Komisionaria përfundon pa nota optimizmi: “Edhe sikur të fitohet e drejta e pronësisë mbi këtë pasuri për palën tonë, në bazë të ligjeve turke të sotme, nuk mund as ta shesësh as edhe të vjelësh qiratë e kësaj pasurie, mbasi duke qenë një shumë e madhe ato bllokohen. Ka mundësi që kjo çështje të zgjidhet më vonë vetëm në rrugën e ndonjë marrëveshjeje midis dy qeverive”. Sikurse është e kuptueshme, pasuritë e Vangjel Zhapës në Stamboll që prej vitit 1955 i gëzon Patrikana dhe kisha ortodokse greke.

  1. Pasuritë në Greqi

Pallati neoklasik i ekspozitave fotografike olimpike në Athinë, që u quajt Pallati Zhapa (Zappion), është një vepër madhështore e ideuar nga vetë Vangjel Zhapa dhe e projektuar sipas koncepteve dhe shijeve të tij. Madje Vangjel Zhapa, duke qenë i ndërgjegjshëm për fundin e tij të shpejtë, në testamentin që përpiloi në vitin 1860, ia kalon Kostandin Zhapës detyrën që të kujdeset për ndërtimin e Stabilimentit të Olimpiadave. Kurse sipas planit që i kishte dorëzuar ministrit Rangavis një vit më parë, “…parashikohej përveç të tjerave edhe një sallë e madhe e rrumbullakët me tre drejtkëndësha që do të formonin një lloj kryqi dhe që do të komunikonte me një sallë të ngjashme si edhe me hapësira të tjera për ekspozitat e Lojërave Olimpike dhe me sallën ku do të mblidhej Juria”. (pika nr. 3 e testamentit). Punimet për ndërtimin e kompleksit olimpik zgjatën 14 vjet, kurse shiritin e përurimit të Stabilimentit Zhapa e preu Kostandin Zhapa    që erdhi enkas nga Rumania më 20 tetor 1888, si pronar i vetëm i tij pas vdekjes së Vangjel Zhapës. Gjatë ceremonisë madhështore, që u organizua me këtë rast në Athinë, ndër të tjera Kostandin Zhapa tha: “Kryeudhëheqësi i familjes time, i dashuri dhe i paharruari Vangjel Zhapa, i frymëzuar nga epoka e ndritur helenike, risolli në Greqinë e sotme vitet e lashtësisë së Lojërave Olimpike në konditat dhe rrethanat e kohës së re”. Veçse, lidhur me Stabilimentin Zhapa (Zappeon), akademiku rumun Nikola Postolake në librin e tij shterues Lavdi Vangjel Zhapës, ka shkruar: “Me rastin e inaugurimit të Zappeonit, periodiku shqiptar Shqiptari, i cili dilte në Bukuresht duke filluar që nga viti 1888, në numrin 11/30 nëntor të atij viti e dënonte evenimentin me një pakënaqësi të thellë që me vështirësi fshihej, duke e quajtur renegat kushëririn e Zhapës, që kishte harruar se populli shqiptar i mbetur në injorancë të thellë, kishte edhe ai nevojë të ngutshme për institute kulture, shkolla mësimi etj”.( Postolake, N.: Lavdi Vangjel Zhapës, ERIK, Tiranë, 2017, f. 136). Pasuri e Vangjel Zhapës dhe Kostandin Zhapës duhet të konsiderohet edhe Fondi Zhapa, i depozituar në Bankën Kombëtare Greke duke filluar nga viti 1859, që në të vërtetë përbën edhe sot burimin kryesor financiar të Fondacionit Zhapa.

 

VIII. DHURIMET

I magjepsur dhe i frymëzuar nga madhështia e figurës së Vangjel Zhapës, e këtij gjiganti shqiptar me përmasa poliedrike, akademiku rumun Nikolae Postolake, autor i librit Lavdi Vangjel Zhapës, ka hedhur në letër të gjithë vlerësimin e tij: “Duket se Vangjel Zhapa ka qenë i angazhuar për vazhdimin e studimeve të filluara në shkollën e oficerëve të Bonillës pranë Janinës. Vetëm një njeri i arsimuar, i cili njeh dhe vlerëson literaturën klasike greko-romake, mund të investonte para të shumta për të zhvilluar kulturën dhe gjuhën shqipe, botimin e disa librave dhe gazetave në këtë gjuhë ose për ringjalljen e Lojërave Olimpike në variantin e tyre modern. Vetëm  një dashamirës i librave mund të ofronte kontributin   e tij bujar për përpilimin dhe më pas botimin e disa gramatikave, fjalorëve dhe librave të historisë, për ngritjen e një akademie dhe të disa institucioneve të arsimit dhe të besimit. Vetëm një njeri i talentuar mund të vendoste lidhje të vazhdueshme, nganjëherë të ngrohta e miqësore, edhe me mbretër dhe princër sundimtarë, ambasadorë, ministra dhe njerëz të artit e të kulturës. Vetëm një njeri i një tjetër lloji mund të shkruajë libra, të kujdeset për shtypin dhe të analizojë kuptimin e idealeve…”. (Postolake, N., po aty, f. 33).

Në të vërtetë, dhurimet e Vangjel Zhapës ishin kryesisht të karakterit arsimor, kulturor dhe fetar. Ai projektoi dhe ndërtoi në shumë treva të Ballkanit objekte të shumta kulturore dhe arsimore të të gjitha niveleve, nga foshnjoret, shkollat fillore, gjimnazet edhe për vajza, deri në universitete dhe akademi, të cilat mungonin ndjeshëm kudo në shtetet ballkanike të atyre viteve. Në Rumani Zhapa ndërtoi, themeloi dhe financoi Akademinë Rumune të Shkencave dhe Universitetin e Bukureshtit, ku ndërtoi gjithashtu një teatër madhështor të tipit helen. “Me rastin e Bashkimit në një shtet të vetëm të principatave rumune në vitin 1859, Vangjel Zhapa, i rritur dhe i edukuar me një moral të lartë, i ofroi popullit rumun një provë të re dashurie dhe mirënjohjeje. Një vit pas Bashkimit, në shkurt të vitit 1860, ai iu drejtua mbretit Iohan Kuza me një ofertë prej 3.000 florinj duke kërkuar që t’i kushtohen punës për hartimin e fjalorit, gramatikës dhe përkthimit të veprave të zgjedhura të klasikëve greko-romakë. Kurse në tetor të po atij viti, dhuroi edhe 2.000 florinj, që do të shërbenin gjatë procesit të lëvrimit të gjuhës rumune që ende shkruhej me alfabetin cirilik dhe më pas vuri në dispozicion të tjera shuma të mëdha parash për Komisionin e Eforisë Filologjike”. (Postolake, N., po aty, f. 81). Fondi Zhapa, që ishte një fond letrar i krijuar me iniciativën e Ministrisë së Arsimit të shtetit rumun, në bazë të donacioneve të Vangjel Zhapës organizoi dhe shpërbleu fituesit e konkurseve për studimin e etimologjisë së fjalëve dhe për përpunimin e sintaksës dhe gramatikës së gjuhës rumune. Ai vuri në dispozicion edhe shuma të tjera të konsiderueshme të hollash për përkthimin e veprave kryesore të klasikëve grekë dhe romakë, të cilat mungonin. “Një plejadë e tërë dijetarësh me ndërgjegje të lartë kombëtare, kishin mundësi të tërhiqnin vazhdimisht para nga fondi i Zhapës për realizimin e një ortografie unike dhe të një gjuhe rumune të kultivuar për gjithë popullin rumun. Pasuria dhe madhështia e shpirtit të Vangjel Zhapës e bënë efektin e duhur. Menjëherë shpërthyen konkurset dhe aktivitete të tjera për botimin e librave dhe ngritjen e institucioneve të ndryshme që ai vetë i kishte parashikuar”. (Postolake, N., po aty, f. 94). “Në pranverën e vitit 1860, kur në një nga reformat që po zbatohej nga qeveria e shtetit tashmë të bashkuar rumun, më në fund u ndalua meshimi në kisha në gjuhën greke dhe iu dhanë gjyqit, madje u zëvendësuan igumenët e pabindur, Vangjel Zhapa ofroi një provë të re dhe të rëndësishme patriotike. Sipas gazetës Monitor prej të cilit kam cituar, vazhdon akademiku Nikolla Postolake, Vangjel Zhapa i premtoi Madhërisë së tij princit Domnitor Cuza, gjatë kalimit të tij nëpër Brosheni, se do t’i dhuronte shtetit një bateri topash me viaska”. (Postolake, N., po aty, f. 96). “V. Zhapa e këshillonte Princin Cuza për organizimin dhe zbatimin sa më të mirë të reformës agrare.

Ndikimi i V. Zhapës mbi Princin Cuza vinte, jo aq shumë nga fuqia e tij ekonomike si pronar latifondist që ishte, sesa nga formimi i tij kulturor dhe veçanërisht nga idealet dhe bindjet e tij prej rilindasi. Qysh në vitin 1835 Zhapa çliroi nga robëria ciganët që ndodheshin në pronat e tij, duke u ofruar atyre për të banuar një vend që quhet edhe sot ciganëri”.( Postolake, N.: po aty, f. 97). Për më tepër, V. Zhapa mbajti për vete vetëm 70% të pronës së tij. Megjithatë ai do të vazhdonte të mbetej një nga prodhuesit më të mëdhej të drithërave në Rumani, falë aplikimit me sukses të bujqësisë intensive sipas modelit francez. Kurse pjesën tjetër të tokave të tij (30%) do t’ua jepte si pronë fshatarëve që të bëheshin edhe ata pronarë tokash. Idetë përparimtare të Zhapës përkraheshin pa rezerva nga princi Cuza, i cili dëshironte që përvoja e vyer e Vangjel Zhapës të përhapej në gjithë Rumaninë, si rruga e vetme për modernizimin e botës rurale rumune. Vangjel Zhapa ishte gjithmonë i pari për të ndihmuar të dëmtuarit nga përmbytjet, zjarret, thatësirat etj. Vitet 1845 dhe 1846 kanë qenë vite thatësire jo vetëm për Rumaninë, por edhe për të gjithë Europën, duke prekur seriozisht jetën ekonomike dhe si pasojë edhe qetësinë politike të shumë vendeve evropiane, në të cilat shpërthyen revolucionet e përgjakshme të vitit 1848.

Në prill të vitit 1848, kur rezervat ishin në të mbaruar, ai dërgoi shumë karro me grurë falas në Bukuresht, Oltenjea, Këllërashi, Bëzeu, Silistra, Ulmeni etj. Një vit më vonë ai dërgoi në Rusi, që ishte e prekur edhe ajo nga thatësira, një sasi të konsiderueshme mielli. Këto ishin veprat e para të bamirësisë së Vangjel Zhapës, që do të vazhdonin pa pushim deri në fund të jetës së tij, si shprehje e dashurisë së sinqertë për njerëzit në nevojë kudo ku ndodheshin. “Edhe rrugët hekurudhore të Rumanisë kanë të shkruar në historinë e tyre emrin e Vangjel Zhapës. Ai futi në planet e veta edhe investimet për ndërtimin e rrugës së hekurt nga Bukureshti në Braila dhe më pas deri në Galaci”. (Postolake, N.:po aty, f. 98). Në Greqi Vangjel Zhapa kontribuoi për ndërtimin dhe pajisjen e Universitetit të Athinës, Universitetit Politeknik të Athinës, Akademisë Greke, Bibliotekës Kombëtare, Konservatorit si edhe për disa teatro, shkolla dhe muzeume kudo nëpër Greqi. Ndërsa për të mbuluar shpenzimet e organizimit të garave olimpike, ekspozitave olimpike dhe dhënien e çmimeve për fituesit, sipas testamentit është përdorur gjithë renta vjetore e pasurisë së patundshme të Vangjel Zhapës në Rumani. Vokacioni prej dhuruesi e nxiti V. Zhapën për të ndërtuar edhe disa shkolla për vajza, që mungonin kudo në Ballkanin e atyre viteve. Midis tyre shquhen shkollat e mesme për vajza Zappion në Kostandinopojë dhe në Adrianopojë, kurse në Labovën e Madhe shkolla për vajza kishte edhe konviktin përkatës përbri. Vangjel Zhapa, përveç shkollës së Labovës së Madhe me dy klasa gjimnaz që e ngriti vetë, mbështeti financiarisht edhe shkollat ekzistuese të Leklit, Kakozit, Karjanit, Nivanit, Përmetit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit dhe Qeparoit me nga 1,200 franga ari në vit për secilën prej tyre. Në Rumani, por edhe në trevat e vendlindjes së tij, përveç objekteve social-kulturore, ndërtoi edhe disa objekte kulti, si kishën e Labovës dhe të Leklit, xhaminë e Hormovës dhe manastirin e Tërbuqit. Në Stamboll ndërtoi kishën e Shën Triadhës, ndërsa në Rumani kishën e Shën Vangjelizmoit.

 

IX. BOTIMET

Janë të shumta revistat dhe gazetat e kohës që kanë paraqitur diskutimet, rekomandimet dhe opinionet e Vangjel Zhapës lidhur me tema të ndryshme të ekonomisë rumune në përgjithësi dhe asaj agrare në veçanti. Janë të shumtë edhe artikujt e botuar me kujtimet e tij, apo letra personale që u kishte dërguar personaliteteve të jetës politike, kulturore dhe ekonomike të kohës. Vangjel Zhapa përgjithësoi përvojën e tij në bujqësi dhe e përhapi atë nëpërmjet botimit të disa broshurave për reformën agrare, për procesin e shndërrimit të fshatarëve të varfër në pronarë të tokës së tyre, për bujqësinë intensive, ekonominë bujqësore dhe ekonominë rumune në përgjithësi.

Më 1847 ai botoi në Bukuresht librin ‘Trentori’ (mashkulli i bletës, paraziti) me 160 faqe, në rumanisht dhe greqisht, nëpërmjet të cilit u jepte pronarëve të tokave udhëzime të dobishme për drejtimin bashkëkohor të fermave bujqësore, për bujqësinë intensive dhe për zbatimin e rregullave financiare të domosdoshme për evidentimin e llogarive në mënyrë korrekte. Bilinguizmi greko-rumun i përdorur në shkrimin e këtij libri tregon jo vetëm se libri i takon një faze kur Vangjel Zhapa e ka përvetësuar në perfeksion gjuhën rumune, por duke qenë edhe greqishtfolës që nga koha e shkollave që kish kryer në Labovën e Madhe dhe në Janinë,    ai duket se kërkonte të ndihmonte edhe fshatarët grekë që të njihnin bujqësinë moderne evropiane, por edhe të stigmatizonte tentorët grekë, që nuk duhet të ishin të paktë edhe në atë vend. V. Zhapa në hyrje të librit me modesti u kërkonte falje të gjithë lexuesve rumunë, që, “…prej një ushtari të vjetër i një atdheu jo të pasur dhe pa shkolla edhe pse aktualisht pronar dhe marrës me qira tokash bujqësore, të njiheni me idetë bashkëkohore shkencore lidhur me kulturën e mbjelljes së grurit”. Ky libër qëndron përbri librave të tjerë të kësaj gjinie që kishin për qëllim të nxisnin bujqit rumunë, pronarët dhe marrësit me qira të tokave, tej masës të prapambetur në ato kohë, që të informoheshin për të aplikuar një bujqësi efektive ashtu si në vendet e zhvilluara të Evropës.

Në këtë libër Vangjel Zhapa paraqet edhe përvojën e tij 13-vjeçare për kultivimin e grurit në sipërfaqe të gjera toke, duke u bazuar fillimisht mbi punë të mirëfillta eksperimentale sipas rekomandimeve të agrokulturës franceze, që ai i kishte mësuar dhe përvetësuar gjatë studimeve në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit të Parisit (1835-1838). “Vangjel Zhapa ka shkruar pak, thekson N. Postolake, sepse ai shkruante rëndë. Ai nuk shkruante për të fituar bukën e gojës, por vëzhgimet dhe përfundimet e studimeve të ndërmarra nuk donte t’Iimbante për vete. Ua ofronte ato të gjithë të interesuarve, por gjithmonë duke pasur kujdes që të mos i fyente”. Përmes Trentori-t, autori emërton ata rumunë që nuk e pëlqejnë punën, duke mos qenë në këtë mënyrë të dobishëm për shoqërinë. Vangjel Zhapa tregohet shumë i ashpër me dembelët, parazitët e shoqërisë, që përbëjnë pjesën joproduktive të saj. Në ta përfshiheshin edhe një pjesë jo e vogël e të pasurve të Rumanisë me pronësi shumë të madhe, që jetonin në luks të shfrenuar vetëm me rentën, domethënë pa bërë asnjë punë e pa zhvilluar asnjë veprimtari prodhuese. Ata preferonin vetëm udhëtimet e gjata jashtë vendit dhe kur ktheheshin në Rumani bënin një jetë të shthurur, ndryshe nga ajo e Vangjel Zhapës. Vangjel Zhapa duket ishte ithtar i filozofit utopist francez Henri Saint-Simon (1760-1825), që e ndante shoqërinë në klasa prodhuese, industriale dhe bujqësore (fabrikantët, bankierët, punëtorët, bujqit) dhe joprodhuese ose trentorë (pasanikët, kurtizanet, oborrtarët). Henri Saint-Simoni parashikoi industrializimin e botës dhe besonte se shkenca dhe teknologjia do të zgjidhnin shumicën e problemeve të njerëzimit. Ai shkoi edhe më tej kur propozoi që shtetet e Evropës, për të evituar luftërat në mes tyre, duhet të formonin një bashkësi. Kurse Vangjel Zhapa deklaronte pa u lodhur: “Unë jam me bletët, jo me parazitët”. Ai në të vërtetë ishte për rrugën kapitaliste në bujqësi, veçse vetëm kur ajo aplikohej në mënyrë sistematike, me metoda të efektshme dhe nga njerëz të zellshëm e të mësuar në shkolla. Vangjel Zhapa botoi gjithashtu broshurën me  titull  “Kalendari  për nikoqirin e mirë”. Ky libërth u drejtohej bujqve të thjeshtë dhe u shpërnda në çdo shtëpi fshati në Rumani. Në këtë broshurë gjenden “… këshilla të thjeshta lidhur me kultivimin e grurit sipas fazave të rritjes, si edhe llogaritë financiare të prodhimtarisë në fermat e vogla dhe të mesme bujqësore”.

“Në librat e Vangjel Zhapës, thekson N. Postolake, shohim qëndrimin e hapur dhe të sinqertë, modestinë dhe qytetërimin, si edhe progresin  e bërë prej tij në formulimin e shprehjeve të sofistikuara si edhe në strukturimin e frazës në gjuhën rumune”. Me shkrimet, këshillat dhe idetë e tij bashkëkohore, Vangjel Zhapa ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme, fillimisht për formulimin  e dekret-ligjit për reformën agrare dhe më pas për zbatimin e reformës agrare në Rumani, ku ende mbizotëronin konceptet primitive në fushën e agrokulturës. Për më tepër, në Rumani ekzistonin kryesisht ferma të vogla bujqësore, të cilat pengonin aplikimin e bujqësisë intensive ngaqë kishin në përdorim vetëm makineri primitive ose të konsumuara. Por Zhapa shpesh del edhe përtej bujqësisë. Në shkrimet e tij spikatin shprehjet elegante, por gjithmonë objektive dhe me përmbajtje shkencore, veçanërisht në analizat që formulonte për disa situata delikate, përfshi edhe ato që i referoheshin historisë dhe veçanërisht psikologjisë së popullit rumun. Ky njeri energjik dhe me njohuri të thella, jo vetën në bujqësi, por edhe në fushën e ekonomisë në përgjithësi, u emërua “Këshilltar i oborrit të mbretit të Rumanisë” (1845).

 

X. GRADAT E MOHUARA

Për dhjetë vjet me radhë nuk reshti së kërkuari pranë institucioneve greke gradat dhe medaljet për kontributin e dhënë gjatë kryengritjes antiotomane, që sipas tij i meritonte. Më në fund, dhe pikërisht në vitin 1843, d.m.th. 13 vjet pas përfundimit të luftës në Greqi, “….sipas dy diplomave të mbretit Otton, që mbajnë datat 6 mars 1843 dhe 18/30 qershor 1843, mësohet se Vangjel Zhapës i jepet grada kapiten falange” (komandant kompanie). (Shkresë e Ministrisë së Jashtme Greke, datë 3.12.1890; cituar nga Q. Hila, po aty, f. 13). Vangjel Zhapa u fye edhe më tepër nga shkalla e ulët e gradave që më në fund i dha mbreti Otton dhe thellësisht i prekur dërgon letrën e fundit, ku pasi nxjerr në pah sakrificat e tij gjatë viteve të luftës greko- turke, ankohet për vlerësimin e pamjaftueshëm që i ishte bërë nga autoritetet greke të kohës. Ja përmbajtja e shkurtuar e letrës: “Nga viti 1821 deri në vitin 1830 shërbeva ndershmërisht si ushtarak. Gjatë gjithë kësaj periudhe mora pesë plagë, shenjat e të cilave duken edhe sot në trupin tim, ndërsa nëna ime plakë, me urdhër të Vezirit Qutahi më 1825 u rrëmbye, u  soll e lidhur në Janinë dhe u fut në burgun e nëndheshëm për dy vjet. Për sa më sipër mund të dëshmojnë ata që u bënë heronj duke luftuar së bashku si Xhavella etj. Nga të gjitha këto luftëra dhe sakrifica, u shpërbleva vetëm me medaljen e argjendtë të luftëtarëve të vijës së parë të frontit… Por që të mos gëzoj gradën time që më takon… e konsideroj veten të dënuar padrejtësisht dhe i respektuari mbret, asnjëherë nuk do ta fal këtë padrejtësi”. (Epirotiqi Eteria, Athinë, 1990, cit. nga Q. Hila, po aty). Ishte viti 1845, kishte kaluar shumë kohë nga përfundimi i luftës me turqit, por qeveritarët grekë nuk kishin harruar që Vangjel Zhapa, përveçse me kombësi shqiptare, kishte qenë edhe përkrahës i zjarrtë i idesë së Ali Pashës për formimin e një shteti shqiptar. Letra e përmendur më sipër nuk do të kishte një përgjigje, kurse Vangjel Zhapa, ende jo shumë i pasur, do të mbetej vetëm një kapiten falange në lirim.

 

XI. EUREKA OSE RRUGA PËR NË ATHINË

Vangjel Zhapa, që nga koha e shkollës, ishte magjepsur nga kultura, arti, historia, letërsia dhe qytetaria helene. Tashmë me një pasuri që vlerësohej rreth 6 milionë florinj, kishte vendosur që pas Rumanisë të materializonte idetë e tij edhe në vende të tjera, duke filluar nga Greqia që vazhdonte të tregohej e ftohtë me të. Më tej do të njihni planin e vërtetë të labovitit, që do të zbatohej larg Greqisë. Në fillim të vitit 1856 Vangjel Zhapa njoftoi qeverinë greke se ishte i gatshëm të mbështeste moralisht dhe materialisht ringjalljen e lojërave olimpike të lashtësisë. Ai do të dhuronte me këtë rast medaljet e arta për sportistët fitues, të cilat do t’ua dorëzonte personalisht gjatë zhvillimit të garave sportive. Në të vërtetë, lëvizja për rilindjen e lojërave olimpike të lashtësisë në Greqi filloi qysh më 1833, kur poeti i njohur grek P. Soutsos (1806- 1868), nëpërmjet shtypit, pyeste me insistim qeveritarët e rinj grekë: Ku janë lojërat olimpike të lashtësisë? Dy vjet më pas poeti Soutsos i drejtohet direkt qeverisë dhe mbretit Otton duke kërkuar rifillimin e Lojërave Olimpike, kurse në vitin 1842 ai i drejtohet përsëri mbretit, nëpërmjet një artikulli gazete me titull Lërini Lojërat Olimpike Antike të fillojnë në Athinë. Por edhe kjo thirrje ra në vesh të shurdhër. Në atë periudhë, vetëm 10-15 vite pas përfundimit të një lufte gati dhjetëvjeçare shkatërrimtare, Greqia ishte jashtëzakonisht e varfër dhe në pamundësi për organizime sportive të këtyre dimensioneve.

Në këto kushte, në fillim të vitit 1856, nëpërmjet një letre drejtuar qeverisë greke, Vangjel Zhapa mirrte përsipër përpara mbretit dhe zotit ringjalljen e Lojërave Olimpike të lashtësisë me mbështetjen e tij financiare, duke caktuar vitin 1859 si vitin e edicionit të parë të Lojërave Olimpike që do të zhvilloheshin në Athinë çdo katër vjet. Duket se këtë radhë të gjitha forcat që mbështesnin rifillimin e Olimpiadave ishin në një front të përbashkët më të gjerë dhe me një lider të spikatur, Vangjel Zhapën, deri sa i palodhuri Soutsos, fill më pas, botoi artikullin me titull: Vangjel Zhapa, njeriu që është gati të paguajë të gjitha shpenzimet për rilindjen e olimpizmit. Ministri i jashtëm grek, arkeologu Rangavis (1808-1892), që vazhdonte të qëndronte në të njëjtat pozicione kundërshtuese, i përgjigjet Vangjel Zhapës jo pa sarkazëm: “Sot kombet nuk dallohen nga sportistët, atletët dhe vrapuesit më të mirë, por nëpërmjet kampionëve në industri, ndërtim, artizanat dhe agrokulturë”.( Postolake, N.: Lavdi Vangjel Zhapës, 1996, f. 67). Zhapa, mishërimi i kampionit më të suksesshëm në bujqësi, ndërtim, tregti etj. për kohën, me urtësi, durim, por edhe me këmbëngulje, zhvilloi një letërkëmbim të dendur me Rangavisin, që zgjati dy vjet me radhë, por më kot. Qeveria greke nuk lëvizte nga pozicioni i saj.

Duke ditur tashmë se çdo gjë ka një çmim, biznesmeni Vangjel Zhapa nga Labova e Madhe i drejtohet direkt mbretit Otton, duke i ofruar qeverisë greke si dhuratë të ardhurat nga 400 aksionet që kishte në Shoqërinë Rumune të Lundrimit, tre mijë monedha flori kesh, përveç medaljeve të arta për çdo fitues të garave të Olimpiadës. Qeveria greke dhe mbreti Otton nuk mund të vazhdonin që të rezistonin përballë kësaj oferte. Dhuratat bënë të mundur që të dalë menjëherë një dekret i posaçëm mbretëror, që i pranonte dhurimet e Vangjel Zhapës dhe ngarkonte një komision të posaçëm me ministrin e brendshëm në krye për organizimin e garave sportive dhe të ekspozitave fotografike, risi në atë kohë, që do të paraqiteshin gjatë dhe pas tyre. Me këtë rast poeti i palodhur Panajotis Soutsos i sugjeroi shtetit grek që emri i Vangjel Zhapës të renditej midis heronjve të Greqisë së Lashtë. Garat që u organizuan në nëntor të vitit 1859 në bulevardet dhe rrugët e Athinës dhe jo në stadiumin e vjetër Panathinaikos, për rikonstruksionin e të cilit Vangjel Zhapa kishte dhënë edhe një shumë tjetër të madhe të hollash, dështuan plotësisht. Edicionet e tjera u zhvilluan normalisht në vitet 1870, 1875 dhe1889. Pra, Vangjel Zhapa më në fund arriti në Greqi, ku qëndroi gjatë gjithë kohës së zhvillimit të lojërave të para parapërgatitore të Athinës. Ai vendosi mbi kokën e çdo sportisti fitues kurorën me gjethe të freskëta dafine të sapokëputura, si simbol i lashtë i fitores dhe i lavdisë. Ai vendosi gjithashtu, ashtu siç kishte premtuar, medaljet e arta në gjoksin e çdo fitimtari. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që Vangjel Zhapa shkeli tokën greke, qysh pas përfundimit të luftës kundër osmanëve në vitin 1830.

 

  1. Agjenda sekrete e Athinës

Veçse vizita e Vangjel Zhapës në Athinë kishte një axhendë që nuk u bë plotësisht transparente nga të dyja palët. Por gjithçka sqarohet duke lexuar testamentin e tij, që u hartua dhe u nënshkrua nga Vangjel Zhapa vetëm një vit pas kthimit nga Athina (1860). Cilat qenë problemet e Zhapës që nuk mund të zgjidheshin nga larg, nga Rumania, por e donin atë që të ishte i pranishëm vetë në Athinë? Duket se Vangjel Zhapa, tashmë i sëmurë, e kishte marrë vendimin: ai, si asnjë tjetër deri në ato kohë, por edhe më pas, do të kishte dy varre, një në Athinë në kompleksin Zhapa (Zappion), pronë e tij, dhe tjetri në Labovë, në oborrin e shkollës, ndërtuar prej tij. Zhapa ndërkohë duhet të kishte përfunduar edhe projektin për rimëkëmbjen e dy Labovave dhe Tërbuqit aty pranë, për realizimin e të cilit hartoi një plan të hollësishëm, të realizueshëm dhe të plotë, që vetëm ai mund ta kryente. Hapi i parë i planit sekret do të ishte afrimi me Greqinë dhe veçanërisht me Athinën, mbasi në këtë mënyrë ai do të ishte më afër edhe me Labovën. Për këtë qëllim Zhapa shfrytëzoi dhe mbështeti   me të gjitha mënyrat idenë që qarkullonte prej kohësh në Greqi, për rilindjen e lojërave olimpike të lashtësisë. Për ngritjen e një qendre të veçantë, që do të krijonte kushtet e nevojshme për organizimin, promovimin dhe zhvillimin e manifestimeve sportive olimpike dhe hapjen e ekspozitave fotografike që do të pasonin, Zhapa ideoi ndërtimin e një kompleksi madhështor ndërtesash dhe kopshtesh në qendër të Athinës me zyra, salla për pritje, për konferenca dhe ekspozita. Dokumentacionin përkatës ia dorëzoi menjëherë ministrit Rangavis për ta miratuar, por edhe me synimin që të fillonte sa më shpejt financimi nga ana e tij për ndërtimin e këtij kompleksi. Qeveria greke pranoi kërkesën e Zhapës, dhe me ligjin që mban datën 30 nëntor 1859, i jep drejtim zyrtar. Pas këtij ligji që trajtonte ngritjen e stabilimentit që do të mbante emrin e familjes Zhapa, shteti grek i dhuroi Vangjel Zhapës një truall të mjaftueshëm në qendër të Athinës. Nëpërmjet këtij ligji, Vangjel Zhapa shpallej zyrtarisht themelues i Lojërave Olimpike që do të zhvilloheshin një herë në katër vjet, ndërsa Kostandin Zhapa, kushëriri i tij, së bashku me qeverinë greke do të kujdesej për zbatimin e projektit të ndërtimit të stabilimentit Zappion brenda afateve të caktuara. Projekti i stabilimentit iu besua arkitektit të famshëm francez Bulanzhe, ndërsa zbatimi i tij do të kryhej nga inxhinieri danez Theofil Van Hansen. Punimet për ndërtimin pallatit dhe të kopshteve përreth zgjatën 14 vjet, kurse shiritin e përurimit e preu Kostandin Zhapa, i ardhur enkas nga Rumania, më 20 tetor 1888. Me të drejtë athiniotët e quajtën Stabilimentin Zhapa (Zappion), këtë monument madhështor që u fut në fondin e artë të kulturës greke, si stoli floriri e qytetit të tyre. Ky kompleks, përveç zyrave, ka edhe 15 salla ekspozitash me sipërfaqe prej 2.420 m2, kurse mjedisi rrethues ka një sipërfaqe prej 268.216 m2, plot me statuja mermeri të skalitura nga skulptorët më të mirë të kohës. Për ndërtimin e këtij kompleksi duhet të jenë shpenzuan 28. 000. 000 franga ari. (Hila, Q.: po aty, f. 67). Krijimi i Fondacionit Zhapa ishte qëllimi i dytë i udhëtimit të Zhapës drejt Athinës. Pa kaluar shumë kohë, nga ky fondacion, që ishte sistemuar te kompleksi Zhapa, u arkëtua në Bankën Kombëtare Greke shuma prej 250.000 dhrahmi flori. Interesat e kësaj shume do të përdoreshin menjëherë për arsimimin e të rinjve labovitë në shkollat bujqësore të Evropës, si edhe për botimin e librave e broshurave të thjeshta për kultivuesit e perimeve dhe të pemëve frutore në Labovën e Madhe dhe në fshatrat e tjera përreth. Duket se pas këtyre parapërgatitjeve të domosdoshme, filloi edhe zbatimi i projektit të Vangjel Zhapës për rimëkëmbjen e dy Labovave dhe Tërbuqit aty pranë. Gjatë ditëve që qëndroi në Athinë, Vangjel Zhapa zgjodhi edhe personat që do të kujdeseshin për interesat e tij në Greqi, për mbarëvajtjen e investimeve në fshatin e lindjes dhe për pasurinë e pafundme, të cilën, “pas vdekjes time, shkruante në testament, ia lë t’a gëzojë sa kohë të jetë gjallë, kushuriri tim Kostandin Zhapa”. Ndërkohë, ai kishte formuar edhe dy organizma me funksione vendimmarrëse dhe ekzekutive: Këshillin e trashëgimtarëve dhe Këshillin e mbikëqyrësve për zbatimin e testamentit, të cilët do të vazhdonin të funksiononin të pavarur edhe pas vdekjes së Kostandinit. Në të vërtetë ata vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, në të njëjtat zyra si edhe më parë, që ndodhen në godinat brenda stabilimentit Zhapa. Edhe në Labovë do të formohej Këshilli i mbikëqyrësve, i cili do    të kujdesej për shpërndarjen në kohë dhe me korrektësi të shumës prej 1,700 florinj që do të dërgohej në fshat çdo vit nga Këshilli i mbikëqyrësve për zbatimin e testamentit me qendër në Athinë. Pas vdekjes së tij qeveritarët grekë, bashkë me pasurinë e tij pa kufij, lakmonin dhe ende lakmojnë Vangjel Zhapën si personalitet poliedrik, hero i kryengritjes greke dhe pasaniku më i madh në Europën Lindore. Veçse Zhapën e donin dhe e duan me kombësi greke, me origjinë greke, i lindur nga prindër grekë në një fshat që ndodhej në një krahinë greke. Pra ata e donin Labovën dhe Rrëzën e Tepelenës greke, edhe pse është një krahinë e vendosur thellë në tokat shqiptare. (Shih në Wikipedia: Evangelos Zappas). Në vitin 2015, me vendim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Vangjel Zhapa u shpall Nder i Kombit Shqiptar.

 

  1. Lojërat Olimpike të lashtësisë dhe lojërat parapërgatitore të Athinës

Pas më shumë se pesëmbëdhjetë shekujsh ndërprerjeje të Lojërave Olimpike të antikitetit, në kujtesën e shekujve ishte ruajtur vetëm një imazh i zbehtë i rëndësisë dhe i mënyrës së funksionimit të tyre edhe pse për to Hesiodi (Hosiodos, rreth viteve 700 para e. r.), një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë së Vjetër, në veprën e tij tregon se “…që nga muzgu i kohërave shoqëria e vjetër greke kishte dy pamje: pamjen e mirë dhe pamjen e keqe. Pamja e mirë ishte konkurrimi, gara, kompeticioni, ku proza dhe poezia recitoheshin nën tingujt e veglave kordofone gjatë lojërave fizike, si një formë dueli dhe gare midis poetëve dhe këngëtarëve. Prej këtej, me kalimin e kohëve, ky koncept u shtri në gjerësi duke përfshirë edhe aspekte të tjera të jetës qytetare greke si kulturën, etikën, pedagogjinë, moralin shoqëror etj. Pamja e keqe ishte lufta, konflikti i armatosur me pasojë vrasjet dhe vdekjet”. Pra, sporti merrte kështu një rëndësi themelore në jetën publike dhe në botën e kulturës të antikitetit helen. Kudo, në politikë, në diskurset filozofike dhe morale, në aktivitetet letraro-artistike, madje edhe në përplasjet e zakonshme të opinioneve, gara dhe konkurrimi ishin forca lëvizëse e këtij qytetërimi. Pra, rregullat sportive ishin shprehje publike e një shoqërie kompetitive. Letërsia elitare fliste gjerësisht për sportin, sepse në mendësinë e grekëve të vjetër “mendja e shëndoshë gjendet në një trup të shëndoshë” dhe të dyja bashkë kishin për qëllim fundor përsosmërinë e kulluar dhe ngjitjen drejt meritave hyjnore të perëndive. Për sa i përket figurës së atletit të garave olimpike, nuk kishte dallim midis diletantit dhe profesionistit, sepse të gjithë ata që merrnin pjesë në to quheshin atletë të perëndive. I vetmi dallim midis tyre ishte klasa shoqërore së cilës i përkisnin, në raport me hierarkinë e pushtetit. Në fakt, për të marrë pjesë në aktivitetet sportive duheshin depozituar shuma të konsiderueshme parash. Gjithashtu duhet të kishe në dispozicion kohë të lirë për stërvitjet paraprake që zgjatnin 40 ditë pa ndërprerje dhe ishin të detyrueshme për të gjithë atletët pjesëmarrës. Në këto kushte, për njeriun e zakonshëm që jetonte me punën e përditshme, edhe pse i talentuar, ishte e pamundur pjesëmarrja në gara. Nisur nga vitet 600-500 para e.r., kur u krijuan gimnaziumet, institucione publike të përgatitjes sportive, ku stërvitja nuk ishte privilegj vetëm i individëve të shoqërisë së lartë, në garat olimpike vendore filluan të garonin edhe sportistë nga shtresat e ulëta. Kurse, për sa u përket garave që zhvilloheshin në shkallë qytet-shteti, aty vazhdonin të merrnin pjesë vetëm pinjollët e klasave aristokratike, të cilët u jepnin lojërave luksin dhe shkëlqimin e një evenimenti madhështor. Duke filluar nga viti 580 para e.r., filloi të konsolidohej ideja e shpërblimit monetar për atletët fitues, gjë që i detyroi shumë nga qytetet- shtete të shndërroheshin në mbështetëse të atletëve dhe financues të drejtpërdrejtë të tyre. Gjatë 40 ditëve të regjimit karantinor të stërvitjes, që zhvilloheshin në vigjilje të Lojërave Olimpike të Lashtësisë, atletët ishin nën mbikëqyrjen e ashpër të trajnerëve, të cilët kishin të drejtë t’i ndëshkonin ata edhe fizikisht, kur mobilizimi i tyre ishte i pamjaftueshëm. Si rregull, përpara fillimit të garave zhvillohej një ceremoni solemne gjatë së cilës, përpara statujës gjigante të Zeusit, atletët betoheshin për ndershmëri, seriozitet dhe këmbëngulje gjatë zhvillimit të garave, si edhe mobilizim të plotë për të arritur rezultate sa më të larta. Letërsia historike dhe artistike e lashtë greke çuditërisht hesht kur është fjala për praninë femërore në lojërat olimpike, por skulpturat dhe vazot prej terrakote, që janë zbuluar në Olimp, tregojnë të kundërtën. Në të vërtetë femrat merrnin pjesë në lojërat olimpike kryesisht në garat e vrapimit në distanca të shkurtra dhe në gjimnastikë, por gjithmonë ato duhej të ishin qytetare të lira dhe në moshë paramartesore. E vetmja garë që ka mbetur pothuajse e pandryshuar që nga lashtësia greke është pentatloni (pesëgarëshi), kur një atlet provonte njëherësh: kërcimin së gjati, hedhjen e diskut, hedhjen e shtizës, 400-metërshin dhe luftimin trup me trup. Në shërbim të kulturës fizike ishte i mobilizuar gjithë sistemi i dijeve dhe i talenteve, duke filluar nga muzika, poezia, skulptura, piktura, oratoria, teologjia, filozofia, logjika dhe kulti, si dhe infrastruktura etike dhe morale e shoqërisë helene. Lidhja e poezisë me sportin olimpik manifestohej veçanërisht gjatë dhënies së çmimeve dhe kurorëzimit të fituesve. Nga pikëpamja historike, institucionalizimi i lojërave olimpike daton në shek. VIII para e. r., në kohën e botimit të poemave homerike, pra, disa vjet përpara themelimit të Romës. Ky institucionalizim dihet se i përket Likurgut (lindi më 925 para e.r.), babait të kushtetutës spartane, i cili e shpalli Olimpin si vend neutral, jashtë konflikteve të armatosura dhe simbol i së ashtuquajturës paqe olimpike. Paqja olimpike, për të gjitha qytetet-shtete greke zgjaste 3 muaj dhe siguronte paprekshmërinë e çdo individi të përfshirë në festat ceremoniale dhe garat olimpike. Natyrisht, prania e përfaqësuesve nga të gjitha qytetet-shtete greke në Olimpia u jepte festave panhelenike një vlerë të jashtëzakonshme edhe nga pikëpamja politike dhe kulturore. Po kështu, edhe interpretimet poetike dhe të natyrës historike të këngëtarëve, poetëve, shkrimtarëve, historianëve apo rapsodëve të njohur, që evokonin fitoret e paharrueshme kundër persëve, ndikonin në forcimin e idolatrisë (idhujtarisë) kulturore (për teogjinë e krishterë: idolatria është deifikimi i një objekti të pajetë ose i një imazhi simbolik të krijuar nga njeriu, i cili zë vendin e perëndisë së vërtetë. Ndërsa për islamin: idolatria (shirku) ose politeizmi është nderimi dhe adhurimi i hyjnive të tjera, që nuk janë Allahu) si edhe në vizionin patriotik të njësimit të kombit helen. Lojërat olimpike të lashtësisë inauguroheshin në vitin e pestë, pasi kalonin katër vite. Ato zhvilloheshin në mënyrë të rregullt gjatë ditëve të hënës së plotë, që u korrespondojnë muajve korrik-gusht dhe pikërisht gjatë orëve të perëndimit të diellit. Edhe pse ishin lojëra sa fetare, aq edhe atletike e kulturore, ato nuk ishin të lejuara për të gjithë. Sikurse e përmendëm edhe më sipër, aty merrnin pjesë vetëm qytetarët helenë të lirë (jo skllevërit), të pasur dhe që kishin kohë për t’iu dedikuar sportit. Në kërkim të përsosmërisë fizike, atletët filluan të përdornin edhe barëra të ndryshme apo filtra magjikë, pra, në lojërat olimpike të antikitetit kemi shenjat e para të përdorimit të dopingut. Lojërat olimpike të lashtësisë vazhduan deri në vitin 393 pas e.r., kur perandori romak Teodosio i anuloi ato pasi mbyti me gjak trazirat që shpërthyen gjatë një skandali sportiv. Pa dyshim, ky ishte një fund i turpshëm dhe aspak i merituar për këto lojëra fantastike që i dhanë formë dhe plazmuan një nga qytetërimet më të vyera të lashtësisë botërore, ku poetët dhe muzikantët më të mëdhej helenë të kohërave krijonin kryeveprat e tyre për nder të fituesve të garave në lojërat olimpike të la shtësisë. (Fondacioni grek i Kulturës: Shpirti Olimpik dhe Zhapa, 2012).

*   *   *

Falë shkrimeve të historianëve të lashtësisë, kujtimi i lojërave dhe vendi i tyre në botën helene nuk u harruan plotësisht. Dihej që lojërat kishin ekzistuar, por vendi i saktë kishte humbur me kohë. Në vitin 1776, udhëtari anglez Richard Chandler zbuloi vendin ku ndodheshin rrënojat e Olimpias së lashtë, por gërmimet e para masive filluan nga arkeologët gjermanë vetëm 100 vite më vonë Përpjekja e parë për të rilindur lojërat olimpike të lashtësisë ka filluar në Paris në vitin 1796, fill pasi u zbuluan rrënojat e Olimpias së lashtë në Greqi. Ndër tentativat e tjera përmenden Lojërat e Rondo në Dophine, Francë (1832), Lojërat Skandinave (1834-1836), Festivalet Olimpike Britanike (1849), Kanadeze (1851) dhe më në fund Lojërat Olimpike të Zhapës (1859). Lojërat e para përgatitore të Athinës filluan në praninë edhe të Vangjel Zhapës, më 15 nëntor 1859. Meqenëse rikonstruktimi i stadiumit të antikitetit, Panathinaikos, nuk kishte përfunduar, garat u zhvilluan në sheshin Loudovikou në qendër të Athinës. Lojërat e para përgatitore olimpike të vitit 1859 ishin larg idesë së një festivali ndërkombëtar. Ato, si edhe lojërat e antikitetit, kishin një karakter të theksuar kombëtar me pjesëmarrës vetëm nga etnia greke, të ardhur nga brendësia e shtetit grek, por më vonë edhe nga diaspora greke e përfshirë në ato kohë në Perandorinë Otomane. Këto lojëra panhelenike, në të cilat garonin vetëm atletë grekë, ngjanin më tepër me kampionatet kombëtare të atletikës, hipizmit, ngritjes dhe hedhjes së peshave, mundjes etj. Sidoqoftë ato përmenden edhe sot në të gjithë botën me emrin Lojërat Olimpike të Vangjel Zhapës dhe konsiderohen si “përpjekje për të përtëritur Lojërat Olimpike të antikitetit”. Si rezultat i mungesës së eksperiencës për të mbajtur rregullin në të tilla evente dhe i sheshit në mes të Athinës që ishte i papërshtatshëm për aktivitete sportive, garat e para përgatitore ishin një zhgënjim për mijëra athinas që nuk mundën të shihnin asgjë nga zhvillimi i garave si rrjedhojë edhe e rrëmujës së krijuar. Edhe pse Vangjel Zhapa kishte sponsorizuar që këto lojëra të zhvilloheshin çdo katër vite, sikurse lojërat e lashtësisë, dhe me këtë rast kishte lënë një pasuri të madhe në para, lojërat e dyta parapërgatitore  u zhvilluan vetëm në vitin 1870. Ato u zhvilluan në stadiumin Panathinaikos, që tashmë, sipas porosisë së Vangjel Zhapës dhe me paratë e tij, ishte restauruar dhe pajisur me ndenjëse druri, në të cilat mund të uleshin deri në 30. 000 persona, një numër shumë i madh për kohën. Në fakt këtë herë i gjithë organizimi i garave olimpike ishte në një nivel shumë më të lartë. Atletët, të veshur me kostume sportive të veçanta për t’u dalluar nga njëri-tjetri, u ftuan përpara garave të betoheshin, ashtu si edhe në lojërat olimpike të antikitetit, se do të konkurronin të mobilizuar edhe në mënyrë të ndershme. Atletët pjesëmarrës në olimpiadën e vitit 1870 ishin vetëm grekë, disa prej të cilëve nga grekët e Kretës. Lojërat parapërgatitore të vitit 1870 patën sukses të plotë dhe gjetën jehonë në të gjithë shtypin grek të kohës. Pasi u arrit që trashëgimtari i vullnetit të Vangjel Zhapës pas vdekjes së tij të qe Kostandin Zhapa, qeveria greke përdori edhe një herë trashëgiminë e Vangjel Zhapës për të përfunduar Gymnasterion, një palestër me dimensione të mëdha dhe e pajisur më së miri, si dhe për të vazhduar punimet për përfundimin e kompleksit Zappion. Në lojërat e treta parapërgatitore që u zhvilluan në vitin 1875, morën pjesë 1200 atletë, nga të cilët edhe 72 të huaj. Kurse lojërat e katërta parapërgatitore mezi filluan më së fundi më 30 prill të vitit 1889. Lojërat e ardhshme, që ishin parashikuar për në vitin 1892, nuk u organizuan për mungesë fondesh. Më në fund, duket se kishin mbaruar edhe paratë e Vangjel Zhapës. Në të vërtetë vazhdimi i tyre u pa i panevojshëm edhe për shkak se në vitin 1896 në Athinë do të organizoheshin lojërat olimpike me vendim të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të sapoformuar. Veçse Lojërat Olimpike Moderne nuk mund të kuptohen në tërësinë e tyre kulturore dhe ideologjike pa marrë parasysh lojërat e lashtësisë dhe ato parapërgatitore, që janë rezultat i një procesi. Në këtë proces spikasin edhe kontributet e të palodhurit Vangjel Zhapa edhe nga pikëpamja e zgjimit të interesit për kulturën e lashtë helene dhe atë klasike në përgjithësi, të cilat stigmatizoheshin me përçmim si pagane nga qarqet e larta konservatore fetare greke, që kishin një rol vendimmarrës të rëndësishëm në Greqinë e asaj kohe. Kudo pranohet se lojërat parapërgatitore të Athinës janë vepër e këmbënguljes së labovitit Vangjel Zhapa dhe bashkëpunëtorëve të tij për t’i shërbyer kulturës së re moderne dhe humaniste, e cila vinte në qendër të vëmendjes njeriun, interesat e tij, besimin në potencialin e tij dhe në forcën e virtytit dhe të krijimtarisë njerëzore. Për kontributin e madh që dha Vangjel Zhapa për Lojërat parapërgatitore Olimpike, shteti grek i ndërtoi një shtatore madhështore përjetësimi, që u vendos në hyrjen kryesore të kompleksit Zhapa (Zappeion), ndërkohë që emri i tij u vendos në sallën e parlamentit, bashkë me emrat e dhuruesve më të mëdhenj të Greqisë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin me origjinë shqiptare. Lojërat Olimpike moderne u konceptuan nga Baroni Pierre de Coubertin (Pier dë Kuberten) dhe filluan me lojërat e Athinës në vitin 1896, që u quajtën Lojërat e Para Olimpike Moderne. Ndryshe nga lojërat e lashtësisë dhe lojërat e ashtuquajtura parapërgatitore, ato filluan të zhvilloheshin nën flamurin me pesë rrathë që përfaqësojnë sportistët e pesë kontinenteve të frymëzuar nga vlerat e olimpizmit dhe parimet kryesore të tij, sipas një filozofie të veçantë për jetën, ku vlerësohen dhe kombinohen në një të tëra cilësitë e trupit, të vullnetit dhe të shpirtit të gjithë sportistëve pa dallim race, seksi, klase shoqërore etj. Lojërat Olimpike Moderne janë manifestimi më i madh sportiv për nga numri i sporteve që përfshihen në programin e tyre, për nga numri i sportistëve pjesëmarrës, por edhe për nga numri i spektatorëve. Ato janë gjithashtu pjesë e një konteksti më të gjerë që është ai i Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare, që ka për qëllim të lidhë sportin me kulturën dhe edukimin, të ndihmojë praktikimin e sportit nga të gjithë pa përjashtim, madje edhe nga invalidët, si dhe të kontribuojë në ndërtimin e një bote më të mirë nëpërmjet praktikimit të sportit së bashku me shpirtin e paqes, të suksesit, të miqësisë së sinqertë dhe të respektit reciprok.

 

XII. VANGJEL ZHAPA MES BUKURESHTIT DHE LABOVËS SË MADHE

  1. Plani për rilindjen e Labovës së Madhe

 

Nga Rumania Vangjel Zhapa hartoi një program të plotë për Rimëkëmbjen e Labovës, sipas të cilit u ndërtua shkolla, e njëjtë me shkollat më të mira të Greqisë, së bashku me konviktin. Përbri shkollës u ndërtua gjithashtu punishtja e avlëmendit, ku, nën drejtimin e dy mësueseve të huaja, vajzat labovite dhe të fshatrave përreth mësuan përveç endjes në avlëmend, edhe punë dore, qëndisje, rrobaqepësi etj. Sipas planit të V. Zhapës, u ngrit gjithashtu qendra e shërbimit shëndetësor dhe farmaceutik, që u shërbente falas nxënësve si edhe familjeve të varfra. Mjekët dhe farmacistët që paguheshin nga fondet e Zhapës, u shërbyen labovitëve deri në vitin 1945. Sipas planit të V. Zhapës, u sistemuan ujërat e bollshme të fshatit, u ndërtuan gjashtë çezma dhe u shtrua me kalldrëm rruga deri mbi fshatin Karjan afër Gjirokastrës, si edhe të gjitha rrugicat e brendshme të fshatit. Të gjitha familjet e varfra të Labovës së Madhe, Çetës së vogël dhe Tërbuqit ndihmoheshin financiarisht çdo vit, ndërsa vajzat e varfra martoheshin duke pasur për pajë plaçka që bliheshin me fondet e caktuara për këtë qëllim nga Vangjel Zhapa. Siç u përmend edhe më lart, në Bankën Kombëtare të Greqisë u depozitua një shumë e konsiderueshme parash, interesat e të cilave u përdorën për arsimimin e të rinjve nga Labova në shkollat bujqësore të Evropës, si dhe për botimin e broshurave me instruksione për kultivimin e perimeve dhe të drurëve frutorë. Në fshatrat e tjera të Rrëzës, Vangjel Zhapa ndërtoi edhe disa objekte kulti: dy kisha, një manastir dhe një xhami tjetër në fshatin Hormovë që ndodhet fare pranë Labovës. Vangjel Zhapa vdiq në vitin 1865, por ndihmat për Labovën nuk reshtën, ngaqë ishin të përcaktuara me hollësi dhe saktësi në testamentin e tij që u përpilua në vitin 1860. Në testament fillimisht janë caktuar pagat e mbikëqyrësve të Labovës, që do të kujdeseshin për ndarjen e drejtë dhe të paanshme të të hollave. Procedurat e zgjedhjes së përvitshme të mbikëqyrësve të Labovës ishin të përcaktuara nga testamenti në këtë mënyrë: “Çdo 2 shkurt të mblidhen në Labovë, që është vendi i shenjtë i takimit me Zotin, të gjithë ata labovitë që kanë mbushur moshën 25 vjeç dhe nuk janë akuzuar për vepra kriminale të ndryshme, për të zgjedhur mbikëqyrësat, të cilët, pasi të jenë zgjedhur me shumicë votash, duhet t’i dorëzojnë komunitetit një dokument të nënshkruar për pasurinë e tyre deri në momentin e zgjedhjes”. Në testamentin e Vangjel Zhapës ishin paracaktuar gjithashtu në mënyrë të qartë edhe burimet financiare që do të duheshin për shtimin e numrit të klasave sipas rritjes së numrit të nxënësve, për pajisjen e vazhdueshme të shkollës me orenditë e nevojshme dhe mjetet e tjera didaktike që do të ishin të njëjta me ato të shkollave më të mira të Greqisë dhe veçanërisht për plotësimin e vazhdueshëm të fondit të bibliotekës me libra të rinj, si edhe për rrogat e mësuesve. Në testamentin e Vangjel Zhapës përmenden gjithashtu edhe burimet financiare për mirëmbajtjen e kishave (në Labovë kishte rreth 7-8 kisha), për rrogat e priftërinjve, psaltëve, si dhe për ndihmën e përvitshme  për të vobektët e tri fshatrave (Labova e Madhe, Labova e Vogël dhe Tërbuqi). Por “vitet e mëpastajme treguan katërcipërisht se amanetet e Zhapës që ishin për shqiptarët dhe Shqipërinë, rrodhën edhe në drejtime të tjera. Komisioni i caktuar për zbatimin e testamentit të Zhapës i vendosur në Athinë, abuzonte haptas kur fliste për shkolla greke. Në të vërtetë aty shënohej “vetëm për shkolla”, pa cilësuar gjuhën. Madje ata që kishin pasur rastin të lëçitnin testamentin, dëshmonin se aty zihej ngoje edhe fjala Shqipëri, pra edhe gjuha shqipe”.( Gazeta e re, Tiranë, 1. I. 1924, nr. 50; cituar nga Gogaj, I.: Mirëbërësit shqiptarë të arsimit, Tiranë, 2003). “Pas fitores së Pavarësisë, posaçërisht pas nisjes së mëkëmbjes së shtetit shqiptar, doli sheshit se ku kishin shkuar dhe ku shkonin ende paratë e shumta të testamentit të Zhapës. Në vitet ’30 të shekullit XX, ashtu si për testamentet e tjera të shqiptarëve të depozituara në bankat greke, edhe për testamentin e Zhapës u tha hapur se në mënyrën më të padrejtë ishte abuzuar dhe spekuluar dhe ende po vazhdonte historia në këtë udhë. Sipas gazetës Vatra të Tiranës, vetë trashëgimtarët e V. Zhapës kishin akuzuar Kostandin Zhapën, i cili si kujdestar ose dorëzënës për zbatimin e testamentit të Vangjel Zhapës, kishte lënë tërë pasurinë e Vangjelit në të mirë të Greqisë dhe të grekëve. Gazeta Vatra pohonte se “…po zbulohej pasuria e testamentit të Zhapës, që sipas gjasës, duhet të ishte 90 milionë franga ari dhe duhej të ndahej midis trashëgimtarëve, që të gjithë shqiptarë dhe vetë katundit të tij Labova e Madhe, për të cilin Vangjel Zhapa kishte lënë një shumë të madhe të hollash për shkolla dhe për dobi të tjera publike”.( Gazeta Vatra, Tiranë, 23. I. 1934, nr. 135; cituar nga Gogaj, I.: po aty). Sipas gazetës Kirika të Janinës, labovitët e atjeshëm kishin krijuar një Lidhje (shoqatë) për të kërkuar me vendosmëri të drejtat që i takonin fshatit të tyre prej testamentit të Vangjel Zhapës. Gazeta Vatra e quante të pamjaftueshme nismën e emigrantëve labovitë të Janinës. Pra duhej të shtohej rrethi i anëtarëve, duke përfshirë edhe labovitë të tjerë. Por që çështja të merrte seriozitet më të madh, duhej të shfaqej si rivendikonjëse vetë pleqësia e Labovës dhe mbi të gjitha duhej të dëgjohej zëri i shtetit shqiptar, i cili në të vërtetë nuk e pati jehonën e duhur. Gazeta Vatra shkruante në numrat e shtatorit të vitit 1934, se ajo që po ndodh me Labovën e Madhe ishte “për të vënë ulurimën”. (Cituar nga Gogaj, I., po aty).

 

  1. Shkolla me dy klasa gjimnaz, ku mësohej gjuha shqipe

 

Në mesin e shekullit XIX, në bazë të projekteve të ardhura nga Bukureshti dhe Athina, muratorët më të mirë të vilajetit të Janinës ndërtuan në qendër të Labovës tri ndërtesa jo të zakonshme për nga madhështia dhe bukuria. Ato do të ishin dy banesat e kushërinjve Zhapa, si dhe shkolla e Labovës me dy klasë gjimnaz. Të tria këto ndërtesa u dogjën gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ndërsa shkollën e rindërtuan vullnetarisht vetë labovitët fill pas lufte, shtëpitë e fisit Zhapa vazhdojnë të jenë edhe sot gërmadha. Vendimi për të lejuar mësimin e shqipes në shkollën e Labovës u bë i njohur botërisht nëpërmjet një letre e shkruar nga vetë Vangjel Zhapa, që u botua në numrin e fundit të gazetës Pellazgu (31 mars 1861). Vangjel Zhapa bënte të ditur se: “Në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht, por edhe shqip, si mjet ndihmës për mësimin e gjuhës greke”. (Pellazgu, 1 mars 1861, cituar nga Aleks Buda, po aty, f. 60). Sipas juristit dhe historianit Vangjel Thoma Meksi (1903–1983), ishin labovitët që i kërkuan Vangjel Zhapës të mësohej shqipja në shkollën e tyre. Ata, pasi dështuan në bisedimet me të dërguarit e bashkëfshatarit milioner, që jetonte prej 30 vjetësh në Rumani, “…udhëzuan fëmijët e tyre që të mos hynin në klasa ose edhe kur t’i detyronin, të mos përgjigjeshin në qoftë se mësuesit i pyesnin në gjuhën e huaj”, për të bllokuar në këtë mënyrë zhvillimin normal të mësimeve. V.  Zhapa e kuptoi fare mirë se pas fëmijëve qëndronin prindërit e tyre dhe vendosi menjëherë për futjen e mësimit të gjuhës shqipe, fillimisht në shkollën e Labovës dhe më pas në të gjitha shkollat e tij në Shqipërinë e Jugut 1 dhe në të gjitha shkollat greke në Shqipëri. (Shuteriqi, Dhimitër S.: Gjurmime letrare, 2, 1974, f. 247). Të ngjashme me shkollën e Labovës së Madhe, u ngritën dhe u mbajtën me fondet e Vangjel Zhapës edhe të tjera shkolla në rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj. Në librin e Vangjel Thoma Meksit (1903–1983) Labova në shekuj, (Botimet Toena, Tiranë, 2000). shkolla e Labovës së Madhe përshkruhet si më poshtë: “Shkolla e Labovës përbëhej nga foshnjore, fillore, qytetëse me tri klasa dhe me dy klasa gjimnazi. Numri i nxënësve shtohej vazhdimisht duke arritur në vitin arsimor 1875–1876: 108 nxënës në klasat foshnjore dhe fillore, 31 në tri klasat qytetëse dhe 14 në dy klasat e gjimnazit. Në vitin 1878 në Labovë u hap edhe shkolla për vajza, me dy mësuese. Në fillim u regjistruan 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin nga fshatrat përreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj. Godinat e shkollës ishin nga më të mirat për atë kohë dhe të pajisura me orendi shkollore dhe bibliotekë. Labovitët e moshuar kujtonin klasën në katin e parë të shkollës, ku ishin vendosur mjetet e avlëmendit. Përfundimi i vitit shkollor organizohej me ceremoni të veçantë. Me këtë rast ekspozoheshin punime dore dhe prodhime të ndryshme avlëmendi që kishin kryer nxënëset e shkollës. Në vitin 1892, pas 32 vjetësh aktivitet, shkolla u mbyll, me pretekstin se qeveria rumune ndaloi dërgimin e parave nga pasuria e Zhapës. Veçse duhet përmendur se viti 1892 ishte edhe viti i ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike greko-rumune, që kishte për shkak pasurinë e Vangjel Zhapës që e pretendonin të dy shtetet njëherësh. Shkolla e Labovës është e para shkollë me dy klasa gjimnaz në Shqipëri, ku mësohej edhe gjuha shqipe qysh në vitin akademik 1860- 1861. Në këtë shkollë mësuan breza të tërë labovitësh, por edhe nga fshatrat përreth, një pjesë e të cilëve i vijuan studimet më pas në Janinë e gjetkë. Gjysmë shekulli më pas, më 10 prill 1910, në godinën e shkollës së ndërtuar nga Vangjel Zhapa u hap shkolla e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës, edhe pse mitropolia e Gjirokastrës, konsullata greke dhe vetë mytesarifi nxitën elementë grekomanë në fshat për të provokuar labovitët, duke arritur deri në përleshje të dhunshme. Në verën e vitin 1921 u organizua në Labovë Kursi i përsosmërisë, që zgjati 3 muaj dhe kishte për qëllim formimin profesional të afro 90 mësuesve që shërbenin në shkollat e krahinave të jugut të vendit, si edhe unifikimin e programeve mësimore dhe procesin e mësimdhënies. Qeveria shqiptare e kohës me këtë zgjedhje ka shprehur mirënjohjen ndaj përpjekjeve të labovitëve ndër shekuj për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj në shkolla.

Kursi i përsosmërisë (1921)

Vite më vonë shkolla e Labovës u kthye në shtëpi kulture, muze dhe më pas, për çudi të labovitëve, u shit! Shkolla e famshme e Labovës, dhurata kryesore që i bëri Vangjel Zhapa Labovës dhe labovitëve, në oborrin e së cilës ai dëshironte që  të varrosej, në vitin 1991 u shit sikur të ishte një shtëpi e zakonshme fshati. Në datën 30 mars të vitit 2010, me kërkesën e labovitëve që banojnë në Tiranë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e shpalli monument kulture të kategorisë II “Mësonjëtoren e vjetër në fshatin Labovë”. Përveç sinjalistikës, edhe ajo e formuluar gabim, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare nuk ka bërë veprimet e duhura “…për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e këtij monumenti”. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit, shkolla ekzistuese 9-vjeçare e Labovës fare mirë mund të transferohet në këtë godinë (pas restaurimit) edhe për kënaqësinë e fëmijëve labovitë, që aktualisht ndjekin mësimet në mjedise të papërshtatshme ose shoqërohen çdo ditë nga prindërit e tyre për në shkollat e Gjirokastrës. Shkolla e Labovës duhet të qëndrojë në këmbë edhe si një dëshmi historike e gjallë, ku të evokohen përpjekjet e atyre që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira. Shkolla e Vangjel Zhapës në Labovën e Madhe, me një rrezatim të gjerë në qarkun e Gjirokastrës, po edhe më tej, edhe pse nuk përmendet në tekstet e HPSh, rron në kujtesën historike të kombit tonë si përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Duke i bërë të njohur opinionit këto të dhëna të shkurtra për historinë e arsimit në Labovën e Madhe dhe për rolin e rëndësishëm të shkollës së Labovës së Madhe në historinë e arsimit kombëtar, edhe një herë bëjmë thirrje që ndërtesa e shkollës së Labovës të mos lihet në mëshirën e fatit ose të pronarit, por të merret nën kujdesin e shtetit.

 

XIII. VANGJEL ZHAPA, NXITËS I LËVRIMIT TË GJUHËS SHQIPE DHE I FUTJES NË SHKOLLA

Edhe pse i larguar prej kohësh nga Shqipëria, V. Zhapa ka dhënë  një ndihmesë të jashtëzakonshme për botimin e librave shqip, ngritjen e shkollave ku mësohej edhe shqip dhe për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke, që gëlonin në ato kohë kudo në Shqipërinë e Jugut.

Vangjel Zhapën, tashmë milioner, e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve ‘40 të shekullit XIX qëndronte shumë pranë Naum Veqilharxhit në Rumani dhe kishte “…diskutuar me javë të tëra me të në lidhje me alfabetin e tij të veçantë të gjuhës shqipe”. (Buda, Aleks: Studime historike, 1965, nr. 2, f. 60). Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare që jetonte në Rumani, ka dëshmuar nëpërmjet gazetës së tij Shqiptari se: “Vangjel Zhapa daroviti 25. 000 florinta për gjuhën shqipe dhe punoi bashkë me të pavdekurin Naum Bredhi- Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe, për të shtypur shumë kartëra, por fole e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pabesë”. (Naqo, Nikolla: Gazeta Shqiptari, Bukuresht, 23. 10. 1888). Librat e Naumit janë: Ëvetari, që në fakt është abetarja e parë e gjuhës shqipe (1844) dhe Fare  i ri Ëvetar shqip (1845), nëpërmjet     të cilëve lëvrimi i gjuhës shqipe u vu mbi baza shkencore. Abetaret e Naum Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet dhurimeve të Zhapës, luajtën një rol të rëndësishëm gjatë Rilindjes, pasi hodhën hapat e parë të arsimimit në gjuhën shqipe. Historiografia shqiptare mban për këtë rast një qëndrim të kundërt: “N. Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, V. Zhapës etj., që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqip. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare”.( Historia e popullit shqiptar, vëll. II, 2008, f. 105). Veçse edhe shkrimtari dhe gazetari i njohur rumun Grigore Grandea, në parathënien që ka shkruar për librin e Andrei alu Bagavu-t Carte de alegere, njofton se: “Naum Veqilharxhi kishte përgatitur abetaren e parë në gjuhën shqipe, gramatikën dhe libra të tjerë mësimorë. Zhapa dhe Arsaqi e dërguan në Stamboll me letra rekomandimi për shtypjen e librave dhe nxjerrjen e një fermani me anë të të cilit të lejohej futja   e librave në Shqipëri dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Librat u shtypën menjëherë, fermani doli dhe librat u dërguan në Shqipëri”. (Grandea, G., tek Ibagovu, A.: Carte de alegere, Bukuresht, 1887, f. X-XI). Dëshminë e mësipërme të rumunit Grigore Grandea, së  bashku me shkrimin e Nikolla Naços në gazetën Shqiptari të Bukureshtit, i kemi paraqitur edhe në kapitullin për Naum Bredhi-Veqilharxhin. Këtë radhë kërkoj që të qëndrojë kryesisht te një fakt me rëndësi të jashtëzakonshme që ka kaluar pa trajtimin e duhur. Është fjala për fermanin e parë, që do të bënte të mundur hyrjen në Shqipëri të librave në gjuhën shqipe dhe gjithashtu fermanin e dytë për lejimin e hapjes së shkollave shqipe në Shqipëri, të cilat ndaloheshin prej shekujsh në bazë të marrëveshjes famëkeqe mes Portës së Lartë dhe Patrikanës. Këto fermane siguroheshin nga vetë Vangjel Zhapa sa herë abetaret hynin në Shqipëri. Sipas programit të hartuar nga Vangjel Zhapa dhe nga mësuesi lekliot Anastas Byku, parashikohej:

– “Botimi sipas nevojave i teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

– Hapja e shkollave fillore në shqip për vajza dhe për djem, mundësisht në çdo fshat.

– Ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Përmet, i një liceu në Berat dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Rrëzë dhe Labovë”.( Pellazgu, 24.12.1860 dhe 25.5.1859). Në këto shkolla do të përdorej abetarja me alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe, e hartuar nga arsimtari Anastas Byku dhe e titulluar Grammë për shqiptarët (1861). Ndërkohë V. Zhapa i kishte ofruar Bykut edhe postin e inspektorit të shkollave të tij në Labovë dhe gjetkë. (Pellazgu, 25. 05. 1860). Po në gazetën Pellazgu, vetë Vangjel Zhapa shkruan një artikull në të cilin “…vë në dukje veprimet e veta në favor të shkollave të tija në Shqipëri, ku ka futur edhe shqipen për nxënësit shqiptarë”. (Buda, Aleks, po aty, f. 60). Kurse Dhimitër Shuteriqi dëshmon: “Vangjel Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke”. (Shuteriqi, Dh. S.: Naum Veqilharxhi, Gjurmime letrare, 2, Tiranë, 1974, f. 247). Në këtë mënyrë Vangjel Zhapa, sipas ideve të Naum Veqilharxhit për një arsimim masiv nga shtrirja, bëri të mundur që fëmijët e shqiptarëve të mësonin gjuhën e tyre amtare edhe në qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut, “…për sa kohë që është e nevojshme për të mësuar greqishten”. (Pellazgu, 31. 03. 1861; cituar nga A. Buda, po aty, f. 60). Ky formulim siç duket ishte çelësi për të hapur dyert e shkollave greke në Shqipëri, që ishin në pronësi të Patrikanës. Po në këtë numër të gazetës Pellazgu Zhapa polemizon me Anastas Bykun, i cili propozonte “…për të ngritur një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”. Veçse ngritja e një sistemi arsimor për gjuhën shqipe në Shqipërinë e mesit të shek. XIX ishte utopi. Planet e Vangjel Zhapës synonin fillimin e menjëhershëm të mësimit të shqipes në shkollat e ngritura prej tij, si edhe në të gjitha shkollat greke që në ato kohë numëroheshin me qindra në Shqipërinë e Jugut. Shkolla e parë shqipe, Mësonjëtorja e Korçës, u lejua të hapej vetëm me miratimin nga qeveria e Stambollit më 7 mars 1887, pas një lëvizjeje të mirë organizuar nga rilindësit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, presionit efikas të vëllezërve Frashëri në Stamboll dhe për më tepër kur Perandoria Osmane ishte në prag të shpërbërjes. Kaluan edhe 23 vite të tjera dhe labovitët që guxuan të çelin shkollën e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës më 10 prill 1910 përfunduan në burgun turk të Tepelenës të paditur nga mitropolia dhe konsullata greke, ndërkohë që u shkishëruan mësuesit e shkollës dhe familjarët e tyre, si edhe të gjitha familjet që dërguan fëmijët e tyre në shkollën shqipe të Labovës së Madhe, e cila u mbyll pas 3-4 muajsh. Për sa i përket idesë së Anastas Bykut për të ngritur një “sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”, ai u bë i mundur të realizohej nga qeveria shqiptare vetëm pas Luftës së Parë Botërore, në vitin 1920. Në gazetën Pellazgu të datës 1.3.1861, A. Byku boton një artikull ku vë në dukje se: “V. Zhapa prej kohësh kishte dhuruar të holla për mbajtjen e shkollave në rrethin e Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës etj. Në njërën nga këto shkolla, në shkollën e Labovës, mësohej edhe shqip, si mjet ndihmës”.

Ndërkohë që Jani Vreto (1822-1900) u rekomandonte shqiptarëve: “…të hiqnin dorë me vullnet nga gjuha e tyre dhe të bëjnë të tyre greqishten, pra të çkombëtarizohen”, (Shuteriqi, Dh. S.: Lufta midis shqipes dhe greqishtes, Gjurmime letrare, 2, Tiranë, 1974, f. 213) Vangjel Zhapa mbante një pozicion krejt tjetër. Në një artikull që botoi në të përkohshmen Elpis të Athinës, më 5.11.1860, ai shpreh bindjen se “Shqipja duhet të shkruhet për nevojat e përdorimit familjar, por edhe si një mjet për të fituar sa më shumë dije”. (Shuteriqi, Dh. S.: N. Veqilharxhi, Gjurmime letrare, 2, Tiranë, 1974, f. 259). Vangjel Zhapa (pronari) mbështeti financiarisht Anastas Bykun (botuesi) për botimin e gazetës patriotike Pellazgu, gazeta e parë në gjuhën shqipe, si edhe Grammë për shqiptarët në vitin 1861, që u përdor në shkollat e tij. Po me shpenzimet e V. Zhapës, A. Byku, sikurse e shkruan edhe vetë në ballinën e librit, botoi gjithashtu Preludi i çështjes pellazgjike (1862), që drejtohej kundër pansllavizmit. Vangjel Zhapa edhe pas vdekjes së Naum Bredhi Veqilharxhit vijoi të jetë aktiv për zgjidhjen e problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e porosive të Naumit u shtrua në mënyrë propagandistike se “…në qoftë se nuk e mësojmë popullin në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”. (Pellazgu, 31. 3. 1861). Futja masive e gjuhës shqipe në shkollat greke, si edhe ngritja me donacionet e Vangjel Zhapës e shkollave të tjera me dy klasa gjimnaz, ku mësohej edhe shqipja, të njëjta me shkollën e Labovës së Madhe, ishte një fitore e jashtëzakonshme e lëvizjes patriotike shqiptare, që u arrit gjatë periudhës të së ashtuquajturës zbrazëtirë e viteve 1846-1866. Në një periudhë shumë të vështirë për shqiptarët, kur u shtuan përpjekjet nga shovinistët fqinjë dhe pushtuesit otomanë për të zhdukur identitetin e popullit shqiptar, ishin patriotët Vangjel Zhapa dhe Anastas Byku, të cilët bënë të mundur që nxënësit shqiptarë të mësonin gjuhën amtare, kinse për të ndihmuar mësimin e greqishtes, jo vetëm në shkollat që ngriti vetë V. Zhapa, por edhe në qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut. Vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh dhe pikërisht në fund të shekullit XIX lufta për mësimin e gjuhës shqipe do të zinte një vend qendror në programin politik dhe kulturor të Rilindjes Kombëtare shqiptare.

XIV. LIBRAT E SHKRUAR DHE TË PASHKRUAR PËR V. ZHAPËN

Sipas Nikolae Postolake-s, autor i librit Lavdi Vangjel Zhapës, “Presidenti i Akademisë rumune të Shkencave, filologu J. Bianu (1856- 1935), nisur nga një qëllim i mirë, vendosjen e Vangjel Zhapës në vendin që meriton në historinë moderne të kulturës dhe të qytetërimit rumun, iu drejtua kushëririt të tij Kostandin Zhapës, për t’i kërkuar disa informata për jetën dhe veprimtarinë e Vangjel Zhapës, që kishte mbyllur sytë një çerek shekulli më parë”. J. Bianu mori këtë përgjigje nga Kostandin Zhapa: “Duke mos pasur asnjë broshurë apo ndonjë lloj tjetër informacioni në gjuhën rumune dhe duke parë se edhe ato që ishin shkruar në gjuhën greke nuk ishin të sakta, do të desha që të bënim një manual, i cili do të vihet në dispozicionin tuaj sa më shpejt”. Veçse akademiku N. Postolake vazhdon edhe më tej: “Deri në ditën e përfundimit të dorëshkrimeve të librit që po lexoni (1996), për Vangjel Zhapën nuk është shkruar asnjë monografi ose libër tjetër dhe sipas të dhënave tona jo vetëm në Rumani, por edhe në vende të tjera nuk gjenden libra të tillë”. (Postolake, N.: Lavdi Vangjel Zhapës, Botimet Erik, Tiranë, 2017, f. 9). Por u takonte rumunëve, përpara grekëve dhe shqiptarëve, që të guxonin t’i përqaseshin jetës dhe veprës së tij, derisa Vangjel Zhapa kaloi në Rumani 33 vite të jetës, ndërsa në Shqipëri 21-22 vite, nga të cilat vetëm 3-4 vite në moshë të rritur dhe së fundmi në Greqi, ose më mirë të themi duke luftuar në malet e Greqisë, ku kaloi afërsisht 10 vite. Studimi i jetës dhe veprës së Vangjel Zhapës do t’u jepte mundësi lexuesve të djeshëm, por edhe të sotëm rumunë, të njihnin disa prej ideve, iniciativave dhe veprave të tij, që mund të jenë të vlefshme edhe për orientimin e tyre modern, civilizues dhe pragmatik. Veçse, a nuk duket disi paradoksal fakti që për Vangjel Zhapën, ideues dhe themelues i Akademisë së Shkencave të Bukureshtit, emri i të cilit u integrua në historinë e shek. XIX të Rumnisë, jo vetëm në jetën akademike, shoqërore-politike dhe ekonomike rumune, por edhe në lëvizjen olimpike ndërkombëtare, të shkruhet vetëm një libër, ai nga Nikolae Postolake: Lavdi Vangjel Zhapës, Bukuresht, 1996, 130 vite pas vdekjes së tij? Mos vallë kemi të bëjmë me një lloj hakmarrjeje ballkanike për librin e titulluar Trentori (mashkulli i bletëve, përtaci), që Vangjel Zhapa e botoi në Bukuresht në vitin 1847, nëpërmjet të cilit u drejtohet të gjithë rumunëve dhe veçanërisht të pasurve të këtij vendi, që të ndryshojnë rrënjësisht raportet e tyre me punën? Kompleksiteti i karakterit dhe i veprimtarisë së Vangjel Zhapës, ashtu si edhe numri i madh i vendeve ku hamendësohej se mund të gjendeshin informata të nevojshme për jetën dhe veprën e tij, duket   se ka bërë që shumë nga hulumtuesit të heqin dorë ose ta vonojnë një studim shterues për të. Të tjerët, studiuesit grekë këtë radhë, punimet e të cilëve dolën në formë artikujsh vetëm gjatë vitet 1992-1993, sipas Nikolae Postolake-s, janë të kufizuar edhe për shkak të materialit dokumentar të varfër, që arkivat e atij vendi u kanë vënë në dispozicion. Kësisoj ata janë detyruar të paraqesin vetëm një profil të caktuar të personalitetit të Vangjel Zhapës, sikurse mund të jetë bamirësia, filantropia, klasa, eleganca etj. Veçse në këtë mënyrë “…ato mund të quhen punime pa vlerë edhe për shkak të mungesave të dukshme në paraqitjen e plotë të këtij personazhi poliedrik, që i kanë detyruar studiuesit grekë të bëjnë plotësime jo të gjetura dhe të arrijnë në përfundime shpeshherë të deformuara”.( Postolake, N.: po aty, f. 91). Por, edhe pse kudo në Greqi Vangjel Zhapa me insistim dhe në mënyrë obsesive quhet me kombësi greke dhe me shtetësi greke dhe rumune, edhe pse pasuritë e tij i kanë lumturuar grekët, në atë vend nuk ka lindur ende një njeri gjatë këtyre 155 viteve të fundit që të shkruajë një vepër të plotë në prozë ose në vargje, qoftë dhe historike, në kujtim të këtij “greku” me emrin Evangelos Zappas, sikurse e quajnë ata. (shih Wikipedia).

Jua them unë ku u ka ngelur hatri grekëve. Sikurse është përmendur edhe më lart, Vangjel Zhapa kishte vendosur që të materializonte projektin e tij për rilindjen e Labovës së Madhe, “vendin e shenjtë të takimit me zotin” dhe varrosjen në oborrin e shkollës të ndërtuar prej tij në fshatin e lindjes. (shih testamentin). Vangjel Zhapa ishte informuar se në Greqi qysh herët kishte filluar Lëvizja për rilindjen e lojërave olimpike të lashtësisë dhe menjëherë njoftoi qeverinë greke se ishte i gatshëm të mbështeste moralisht dhe materialisht rilindjen e këtyre lojërave. Por ministri i Jashtëm grek Rangavis, qëndronte me këmbëngulje në pozicione kundërshtuese. Duke ditur se çdo gjë ka një çmim, V. Zhapa i drejtohet mbretit Otton, duke i ofruar qeverisë greke si dhuratë të ardhurat nga aksionet që kishte në Shoqërinë Rumune të Lundrimit, 3 mijë monedha floriri kesh, përveç medaljeve të arta për çdo fitues të garave olimpike. Dhe më në fund Vangjel Zhapa arriti në Greqi, ku qëndroi gjatë gjithë kohës së zhvillimit të garave. Krijimi i Fondit Zhapa në Athinë do të ishte hapi tjetër drejt realizimit të planit të V. Zhapës për rimëkëmbjen e dy Labovave dhe Tërbuqit. Kurse krijimi i Fondacionit Zhapa dhe përmendja në testament e vendosjes së eshtrave të skeletit në oborrin e shkollës në Labovën e Madhe, tregojnë që Vangjel Zhapa po përgatiste tërheqjen e tij përfundimtare nga Rumania, për t’u prehur përjetësisht në vendlindje. Tashmë duhet të jetë bërë e qartë për të gjithë, se pozicionimi i Vangjel Zhapës në favor të Lëvizjes për Rilindjen e Lojërave Olimpike të lashtësisë, ishte vetëm një truk mjaft i sofistikuar i labovitit, për të mbuluar qëllimin e vërtetë të tij, që ishte blerja e tokës në Athinë përballë Akropolit, mbi të cilën do të ndërtohej Stabilimenti Zhapa, ku do të vendosej edhe Fondacioni Zhapa. Pra, strategjitë e biznesmenit labovit më në fund duhet të jenë kuptuar edhe nga grekët dhe qeveritarët e tyre, të cilët ndihen të fyer ngaqë Zhapa nuk u tregua transparent me ta dhe, për më tepër, nga vendimi   i tij për të pasur varrin në Labovën e Madhe, i cili do të dëshmonte përjetësisht origjinën e tij prej shqiptari nga Labova. Duket se për këtë arsye ata vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të dyzuar. Në Shqipëri, përveç disa artikujve të botuar në të përditshmet e viteve 20-30 të shek XX, që trajtonin problemet lidhur me testamentin e tij, libri i parë kushtuar Vangjel Zhapës, që në fakt është një broshurë, ka për autor studiuesin e apasionuar dhe pedagogun e Universitetit të Gjirokastrës Qirjako Hila. Libri i Q. Hilës ka vlera të veçanta, jo vetëm ngaqë përshkruan biografinë e Vangjel Zhapës, heroizmat e tij si luftëtar i vijës së parë të frontit dhe më pas si komandant brigade gjatë luftës greko-turke, por edhe bamirësitë e tij që tingëllojnë edhe sot si një mesazh i madh në emër të miqësisë, dashurisë dhe humanizmit. (Hila, Qirjako: Vangjel Zhapa, mirëbërës i madh labovit, Iliria, Tiranë, 2003, f. 51). Në fund të këtij libri është paraqitur i plotë edhe testamenti i Vangjel Zhapës prej shtatë faqesh, unik ndër gjithë të tjerët, i përkthyer në gjuhën shqipe nga greqishtja, që për nga përmbajtja, sinqeriteti, porositë prej vëllai të madh që u dërgon shqiptarëve dhe idetë e shprehura në të, është një shembull i vlefshëm edhe për pasanikët shqiptarë të sotëm. Veçse duhen hequr ato pjesë që janë shtuar më vonë.

 

XV. BAMIRËSIA DHE FILANTROPIA E ZHAPËS

Bamirësi do të thotë dhënie vullnetare e ndihmës njerëzve në nevojë, si një akt humanitar. Bamirësia zakonisht ka për qëllim lehtësimin e dhimbjes për një problem të veçantë social, ndërsa filantropia (nga greqishtja: dashuria ndaj njerëzimit) përpiqet për t’i shkuar problemit në rrënjë dhe për ta zgjidhur atë – dallimi proverbial mes dhurimit të një peshku një njeriu të uritur (bamirësia), kundrejt aftësimit të tij për të peshkuar (filantropia). Si duhet të quhet V. Zhapa, bamirës apo filantrop? V. Zhapa, sipas mendimit tim, ishte njëherësh bamirës dhe filantrop. Ai ishte bamirës kur dërgonte karrot me grurë për rumunët dhe rusët e uritur pas thatësirave të zgjatura, ose kur u jepte nga 5 florinj në vit 50 familjeve të vobekta nga Labova e Madhe, Çeta e Vogël dhe Tërbuqi aty pranë. Por ai ishte edhe filantrop kur sponsorizonte konkurset për lëvrimin e gjuhës rumune që ende shkruhej me alfabetin cirilik, ose kur i qortonte rumunët që të braktisnin jetën e tyre prej trentori (mashkulli i bletës) që dëshironin të kalonin. Ai ishte filantrop kur mbështeste financiarisht Naum Bredhi-Veqilharxhin për të botuar Ëvetaret dhe për të mundësuar, me anë të fermaneve që i siguronte ai vetë, hyrjen e tyre në Shqipëri dhe hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe. Ai ishte filantrop edhe kur hartoi një program të plotë për Rimëkëmbjen e Labovës, sipas të cilit   u ndërtua shkolla me dy klasa gjimnaz, ku mësohej edhe gjuha shqipe dhe përbri saj punishtja e avlëmendit ku vajzat labovite dhe të fshatrave përreth mësuan, përveç endjes në avlëmend, edhe punë dore, qendisje, rrobaqepësi etj. Ai ishte filantrop edhe kur dërgonte në Labovë paratë e duhura për arsimimin e të rinjve labovitë në shkollat bujqësore, si edhe për botimin e broshurave për kultivimin e drurëve frutorë etj.

 

XVI. PARARENDËSI I QYTETARËVE TË EUROPËS SË BASHKUAR

Jeta e Vangjel Zhapës është një varg i gjatë përpjekjesh dhe aktesh vetëmohimi. E shohim me armë në dorë gjatë kryengritjes së popullit grek, që e përfundoi me pesë plagë të thella gjatë luftimeve trup me trup në vijën e parë të frontit, i sigurt se në këtë mënyrë do të ndihmonte edhe për çlirimin e popullit të tij, dhe më pas, kur i vihet punës për të mbështetur financiarisht dhe jo vetëm, Naum Bredhi-Veqilharxhin dhe Anastas Bykun, për të botuar abetaret e tyre me shkronja të veçanta, por edhe kur bëri të mundur, sipas porosive të Naumit për një arsimim masiv nga shtrirja, që gjuha shqipe të mësohej jo vetëm në shkollat e tij, por edhe në të gjitha shkollat greke në Shqipërinë e Jugut. Por labovitët e të gjithë brezave, krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të lidhur ngushtësisht me atdheun, gjithmonë protagonistë kur përcaktohen fatet e tij, prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se Vangjel Zhapa ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera ballkanike, edhe pse zyrtarisht kurrë nuk ka kërkuar që të ketë nënshtetësi greke. Edhe pse sipas rasteve Rumaninë e quante atdheu i adoptuar, kurse atdhe quante edhe Greqinë (vetëm sipas testamentit – F. M.), në të vërtetë fjalët më të ëmbla do t’i shprehte për vendlindjen e tij Labovën, si “atdhe të veçantë, vendi i shenjtë i takimit me Zotin”. Vangjel Zhapa kujtohet dhe nderohet me respekt në Rumani, pasuritë e tij të shumta kanë lumturuar dhe vazhdojnë t’i lumturojnë grekët, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mos e shohin në 360 gradë figurën e tij poliedrike dhe bëhen xhelozë me popujt e tjerë të Ballkanit që ishin në gjendje të thithnin investimet dhe donacionet e shumta që ofronte ky bamirës dhe filantrop shqiptar i jashtëzakonshëm. Krahas parave të shumta që dhuronte, me delikatesën që e karakterizonte, ai kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të gjysmës së parë të shekullit XIX. Shqiptarët e sotëm kanë filluar ta kuptojnë dhe ta pranojnë me nderim dhe respekt bashkëfshatarin e tyre me eshtra që i prehen në dy varre të ndryshme, por gjithmonë në pronat e tij, ashtu si ishte ai në të vërtetë dhe ta konsiderojnë tashmë si qytetarin shqiptar pararendës drejt Europës së Bashkuar, të cilën po përgatiten më në fund ta prekin edhe ata.

 

XVII. VANGJEL ZHAPA, I DËNUARI PËRJETË

  1. Vangjel Zhapën e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve ’40 të shek. XIX qëndronte pranë Naum Veqilharxhit në Rumani dhe “…kishte diskutuar me javë të tëra me të lidhur me alfabetin e tij të veçantë të gjuhës shqipe”. Nikolla Naço (1843-1913) ka dëshmuar nëpërmjet gazetës së tij Shqiptari të Bukureshtit se “Vangjel Zhapa daroviti 25.000 florinta dhe punoi bashkë me Naum Veqilharxhin për të shtypur shumë libra…”. Por historiografia zyrtare mban me këtë rast një qëndrim të kundërt: “Naum Veqilharxhi iu drejtua Vangjel Zhapës etj., që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare dhe për të hapur shkolla shqip. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare”. (HPSH, II, f.105). Veçse edhe historiani rumun Grigore Grandea dëshmon se: “Naum Veqilharxhi kishte përgatitur abetaren e parë në gjuhën shqipe, gramatikën dhe libra të tjerë mësimorë. Vangjel Zhapa me Arsaqin e dërguan në Stamboll me letra rekomandimi për shtypjen e librave dhe nxjerrjen e fermanit të Sulltanit për futjen e tyre në Shqipëri dhe për hapjen e shkollave ku do të mësohej gjuha shqipe. Librat u shtypën menjëherë, fermani doli dhe librat u dërguan në Shqipëri”. (Meksi, Fedhon: Vangjel Zhapa dhe koha e tij, UETpress, Tiranë, 2019, f. 178).
  2. “Kemi arsye të besojmë, shkruhet në një kumtesë, se ky qëndrim armiqësor i qarqeve heleniste në përgjithësi dhe i Vangjel Zhapës në veçanti, u bë shkak që planet e Anastas Bykut të shemben dhe gazeta e tij (Pellazgu 1859-1861), të pushojë botimin e saj”. (Meksi, Fedhon: Naum Bredhi Veqilharxhi dhe vijueshmëria e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, UEGEN, Tiranë, 2019, f. 266-268). Në të vërtetë pronar i gazetës ishte Vangjel Zhapa, kurse miku i tij familjar Anastas Byku ishte drejtor i gazetës. Gazeta pushoi botimin e saj atëherë kur Vangjel Zhapa, për shkak të një sëmundjeje shumë të rëndë dhe të pashërueshme në ato kohë, ndërpreu të gjithë aktivitetin e tij.

3.Pas artikujve të mësipërm filloi një fushatë e organizuar, kudo ku jetonin labovitët, për baltosjen e figurës së Vangjel Zhapës, që pati si kulm shkatërrimin e varrit dhe bustit të tij (1970), ndoshta për të prerë të gjitha lidhjet me atdheun dhe vendlindjen, Labovën e Madhe.

 

XVIII.    TESTAMENTI QË LA VANGJEL ZHAPA

“Njeriu, duke qenë i vdekshëm dhe duke mos ditur orën e vdekjes e cila e kërcënon në çdo çast, e ka për detyrë që t’i rregullojë punët e tij përpara mbërritjes së kësaj ore, në mënyrë që të shmangi mosmarrëveshjet dhe gjyqet që mund të ndodhin mbas vdekjes në mes far’ e fisit të tij. Në bazë të këtyre fjalëve që janë të pa kundërshtueshme, i nënshkruari, sot në moshën 60 vjeçare me mendje të qartë dhe krejt i shëndoshë, e shkruaj këtë testament me dorën time, si më poshtë vijon: E gjithë pasuria time e tundshme dhe e patundshme, duke qënë krejt e pavarur si nga trashëgimtarë paraardhës ashtu edhe nga trashëgimtarë pasardhës, si edhe nga çdo ortakëri me far’ e fis dhe të huaj, është e përbërë nga çifliku në Brosheni me mullinj, piva, pyje, magazina, shtëpi dhe gjithçka përfshihet në to; Ulesci, Megaiaseasca dhe Bereasca me bujtinat dhe me pyllin Stoineasca që e quajnë edhe Pisika; Sluzhitori, Cegani dhe Berceni me moçalishtet, pyjet dhe gjithçka përfshihet në to; pasuritë në qarkun e Jalomicës, shtëpia në Bukuresht dhe bujtina që quhet Hotel Atena, të cilat sot më bien një të ardhur vjetore prej 15.000 verdhushka (napoleonë flori). Duke hequr shpenzimet për mirëmbajtjen e mullinjve, mbetja e dhënë me qira jep një shumë prej 60.000 verdhushka e përsëritshme çdo 12 ose 15 vite. Këtyre të ardhurave nuk u duhen shtuar 400 aksionet e shoqërisë së vaporëve, të cilat i kam caktuar për shpenzimet e ekspozitave çdo katër vjeçare të Lojrave Olimpike. Pas vdekjes, i lë kushuririt tim Kostandin K. Zhapa që të gëzojë të gjithë pasurinë time, sa kohë që ai të jetë gjallë. Kostandini ka punuar së bashku me mua me besnikëri dhe unë ia kam borxh. I dhuroi gjithashtu edhe argjentaritë, mobiljet, shtëpitë, bagëtitë, restorantet dhe gjithë pasurinë time të tundshme e të patundshme.

Pas regjistrimit të pasurisë:

  1. Kostandini të ndajë në pjesë të barabarta shumën prej 30.000 flori dhe t’ia japi gjithë farefisit tim me të drejtë trashëgimie; t’i japë çdo vit nga 1.000 flori “Komisionit për lëvrimin e gjuhës rumune”; t’i japë 1.500 flori “Komisionit të trashëgimtarëve të testamentit” për të hapur ekspozitat fotografike të Lojrave Olimpike që do të zhvillohen çdo katër vite në Athinë; t’i jepen 100 flori Universitetit të Bukureshtit dhe 100 flori të tjera Strehës vafërore Amalian; t’i japë 1.700 flori Epitropisë së Labovës që është e detyruar për të siguruar ndarjen e drejtë dhe të paanëshme të të hollave dhe identifikimin e të vobektëve të Epitropisë sipas nenit 5 të Testamentit, si edhe për të evituar abuzimet.
  1. Kostandini është i detyruar të ndërtojë Stabilimentin e Olimpiadeve në Athinë sipas planit që i dërgova z. Rangavis, me një sallë në mes, një sallë tjetër të madhe të rrumbullakët etj. Kostandini duhet të ndërtojë gjithashtu dhe të pikturojë kishën e manastirit të Tërbuqit dhe të riparojë të ndarat e saj. Kostandini duhet të ndërtojë dhe të pajisë me të gjithë librat e nevojshëm, me atlase, globe dhe mjete të tjera didaktike shkollën fillore të sotme të Labovës, sipas rregulloreve dhe modelit të shkollave më të mira të Greqisë. Ngjitur me shkollën të ndërtohen edhe dy shtëpi me të gjitha pajisjet e nevojshme dhe me dy ambjente për të banuar dhe për çlodhjen e mësuesve. Mësuesit, që do të jenë njëri për shkollën fillore dhe tjetri për gjuhën greke, duhet që të zgjidhen me kujdes, sipas parametrave të përcaktuara në nenin 5 të testamentit, duke ushtruar edhe detyrën për ruajtjen e librave të bibliotekës së kësaj shkolle. Muret e sallës së bibliotekës duhet të vishen me dërrasa dhe të bëhen rafte për vendosjen e librave dhe për t’i ruajtur mirë ato. Kur të blihen librat duhet që të firmosen nga të gjithë epitropët (kujdestarët) dhe më pas të rregjistrohen në 12 kataloge që do të jenë të firmosura edhe ato nga të gjithë epitropët. Si epitropët ashtu edhe mësuesit duhet të kenë nga një regjistër, ndërsa një kopje të mbetet në bibliotekë. Çdo 25 mars duhen të kontrollohen në prani të epitropëve të gjitha librat, për të qënë pa mungesa dhe për t’u përdorur nga nxënësit e shkollës. Nuk i duhet lejuar kurkujt, asnjë herë, pa përjashtim, që librat të dalin përjashta shkollës.
  2. Pas vdekjes time, pa vonesë të shtypet testamenti në gjuhë helenike, ndërsa vendimet e nënshkruara si dhe të gjitha dokumentat (kontratat) e të gjitha pronave të mia të jenë në gjuhën helenike dhe rumune dhe të vërtetohen nga autoritetet përkatëse. Nga një kopje të këtyre dokumenteve i duhen dërguar “Komisionit Filologjik të gjuhës rumune”, dy konsullatave helene në Bukuresht dhe Braila, “Komisionit të trashëgimtarëve në Athinë” dhe “Epitropisë” së Labovës. Një kopje tjetër e firmosur ku të përfshihen të gjitha aktet e pronave të mija të numëruara, të legalizuara dhe të shoqëruara me një lutje, t’i dërgohen “Dhomës Kombëtare Helene” për ruajtjen e tyre në arkivat e saj. Kjo dhomë është e lutur nga ana tonë, të kushtojë vëmendjen e duhur për ruajtjen e plotë të këtyre akteve dhe provave dhe për administrimin dhe ruajtjen e mirë të të ardhurave monetare prej tyre, sikurse është përcaktuar në këtë testament. Në rast se do të duhet ndonjë dokument origjinal nga pronat, në rast kontestimi nga ana e ndonjë fqinji që ka të bëjë me kufijtë e tyre, një akt i tillë t’i jipet në dorë një personi të ndershëm, vetëm pasi t’i marrë atij nënshkrimin dhe më pas t’ia kthejë në kohën e caktuar arkivit.
  3. Nuk ka të drejtë asnjeri dhe asnjë herë të shkëmbejë ose të ndryshojë as edhe një pëllëmbë tokë nga pronat e lartëpërmendura. Prandaj komisioni i testamenteve dhe qeveria greke, përmes konsullatave të tyre në Bukuresht dhe Braila që do të jenë prezente, janë të lutur të vërrejnë në mënyrë rigoroze që të mos preken nga fqinjët kufijtë e pronave të përmendura më sipër. Mbas vdekjes së Kostandin Zhapës, për regullimin e të ardhurave prej pronave të mija dhe për të evituar abuzimet, të dy konsujt grekë në Bukuresht dhe Braila, në marrëveshje me komisionin e testamenteve dhe me ministrin kompetent rumun, duhet të shpallin ankandin gjashtë muaj përpara, me anë të gazetave dhe organeve të tjera. Ankandin do ta fitojë ai që do të ofrojë më shumë duke paguar çmimin menjëherë ose duke vënë garant ndonjë pronar të çifligjeve të manastireve të këtushëm, gjithmonë në prani të konsujve në Bukuresht dhe në Braila, të cilëve do t’u jipen nga 100 flori, kurse delegatit të komisionit 30 flori. Të dy të lartpërmëndurit do të paguhen vetëm pas mbylljes së çdo ankandi të veçantë të çifligjeve, ndërsa konsulli i Bukureshtit do të paguhet çdo vit, meqënëse do të kujdeset për mbledhjen dhe dërgimin e të ardhurave vjetore në Athinë, por edhe pse ruan përsëafërmi kufijtë e këtyre pronave për të mos u shkelur nga fqinjët.
  4. Mbas vdekjes së Kostandinit të gjitha pronat dhe dokumentat e tyre të përmendura në krye të këtij testamenti, duhet t’i kalojnë Komisionit të trashëgimive të Athinës, i cili detyrohet për ruajtjen e pacënueshmërisë së pasurive të mia dhe për dorëzimin e pjesëve të trashëgimisë ashtu sikurse i kam përcaktuar në testament. Komisioni i lartëpërmendur duhet të merret vesh menjëherë me qeverinë greke dhe me Shoqërinë lundruese për të marrë të ardhurat nga 400 aksionet e mija, të cilat i kam taksur për Ekspozitat e Lojrave Olimpike të Athinës.

Këto të ardhura komisioni ka për t’i përdorur si më poshtë vijon:

Së pari, të kujdesohet për ekspozitën çdo katër veçare të Olimpiadave për t’u kryer dhe për t’u kontrolluar gjithshka në regull dhe me qetësi duke ia ndarë edhe paratë me drejtësi sejcilit sipas rregullave të tyre në fuqi.

Së dyti, të tregohet kujdes i madh duke u përpjekur që industrialistët e ndershëm, por edhe ata të këqijtë e neveritur dhe dorë lëshuar, të plotësojnë dijenitë e tyre me një arsimim të plotë në shkollat e Evropës dhe t’i ndreqin gradualisht mungesat e tyre organizative duke qëndruar për disa kohë në fabrikat e huaja për të fituar përvojën në punë që iu mungon plotësisht. Ndërsa paratë që do të teprojnë t’i japin me fais dhe me faisin e faiseve që do të vendoset në një bankë të sigurtë, të mbështetet financiarisht hapja në çdo katër vjeçar i ekspozitës të Olimpiadave si edhe Epitropia. Pjesa tjetër e këtyre parave t’i vijë në ndihmë Llotarisë që do të hiqet vetëm sipas rregullores që do të hartohet. Duke blerë fotografitë më tërheqëse nga të ekspozuarat dhe duke i rishitur – me anë të ankandit – për llogarinë e stabilimentit, të ardhurat në fjalë që do t’i ketë në duart e saj, së bashku me pronat e tjera dhe me të ardhurat që do të shtohen në të ardhmen, do të jenë të mjaftueshme për hapjen e ekspozitave të tjera në këtë stabiliment. Pas vdekjes time, do të jetë Kostandini që do t’i përdorë këto të ardhura, sigurisht pasi t’i bashkojë me pasurinë time të lartë përmendur. Edhe pas vdekjes së tij, t’i marrë Epitropia dhe t’i përdorë sipas dispozitave të lartë përmendura së bashku me të ardhurat e tjera të pronave të mia dhe me detyrimin tim të mëposhtëm dhe të patundshëm si çdo herë,   që kur do të shfaqet ndonjë fitore në favor të atdheut të përbashkët helen e cila do të jetë e aprovuar nga krejt kombi dhe qeveria, atëherë nga të gjitha të ardhurat e destinuara për këtë festë katërvjeçare të olimpiadave, të zbriten vetëm shpenzimet e ekspozitës katër vjeçare dhe me tepëricat komisioni të bëjë nga një kurorë prej ari për t’i kurorëzuar këta heronj në mes të këtij evenimenti të rëndësishëm për nderin e tij dhe për famën e mbarë kombit dhe në të njëjtën kohë t’i japin atletëve edhe tepricën e parave që mbeten nga blerja e kurorës për gëzimin e tyre dhe besnikërinë e fisit të tyre dhe për madhështinë helenike.*

 

*Në gazetat shqiptare të viteve ‘20-’30 të shekullit të kaluar, hidhet dyshimi për manipulimin e testamentit të Vangjel Zhapës, shkruar prej tij në vitin 1860. Në variantin e testamentit që është botuar në librin e Qiriako Hilës (Tiranë, 2003) dhe ribotuar në librin që po lexoni, gjendet i shkruar fakti që mbështet katërçipërisht dyshimin e gazetarëve shqiptarë dhe vërteton tjetërsimin e testamentit të Vangjel Zhapës. Në kapitullin e mësipërm (neni 5 i testamentit) është shkruar: “.  kur do të shfaqet (në Olimpiadat – F.  M.) ndonjë fitore në favor të atdheut të përbashkët helen” ose “… për nderin dhe famën e mbarë kombit”. Veçse Zhapa në vitin 1860 kishte parashikuar që në Olimpiadat e tij, që do të ishin panhelenike si ato të lashtësisë, do të garonin vetëm atletë me kombësi greke dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Edhe fitimtarëve që do të ishin vetëm grekë, Zhapa kishte premtuar që medaljet e arit do t’i porosiste dhe do t’i vendoste ai vetë në gjoksin e fitimtarëve. Lidhur me kurorat që do të vendoseshin mbi kokë, ato do të ishin si në lashtësi, prej gjethesh të freskëta dafinash. Veçse atletë nga kombet e tjera (72) do të ftoheshin vetëm në olimpiadën e tretë parapërgatitore të Athinës, që u zhvillua në vitin 1875. Kurse atletë pa dallim race, seksi etj. do të përfshiheshin në Olimpiadën e Parë moderne të vitit 1896 dhe në vijim, organizuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

 

6.Të ardhurat nga pronat e mia në Epir, nga Tërbuqi, nga shkolla helenike (!) e ngritur prej meje në Labovë (shkolla me dy klasë gjimnaz ku mësohej edhe gjuha shqipe – F. M.) dhe nga Manastiri i Tërbuqit, do t’i shpërndahen të vobektëve dhe të tjerëve sipas urdhërave të mija private ose me mënyra të tjera komunikimi, si vijon:

Epitropia e Labovës do të zgjidhet nga dy priftërinjtë e Labovës dhe dy psalltët e tyre, një prift nga Çeta e vogël dhe i katërti nga Tërbuqi, të cilëve u shtohen edhe tre klerikë epitropë (jo priftërinj – F. M.) të tjerë që do të jenë nga Labova, Tërbuqi dhe Çeta e vogël. Këta tre klerikët epitropë (kujdestarë) do të rizgjidhen vetëm në qoftë se janë treguar të aftë dhe të ndershëm dhe i pranon komuniteti. Çdo 2 shkurt të mblidhen në Labovë, vendi i shejtë i takimit me Zotin, mbas shërbimit kishtar, të gjithë ata me moshë mbi 25 vjeç që nuk janë akuzuar për ndonjë vepër kriminale dhe të votojnë për zgjedhjen e epitropëve, të cilët, pasi të jenë zgjedhur me shumicë votash, t’i japin me shkrim dhe me firmë komunitetit labovit se pasurinë e tyre e kanë vënë me ndershmëri, sepse pa një shkresë të tillë nuk mund të administrohen paratë publike. Në qoftë se edhe komuniteti e miraton, të marrë sejcili rrogën e poshtë shënuar. Në të kundërt t’u ndalet qoftë edhe nga pasuria e tyre dhe të humbasin përgjithmonë të drejtën për tu zgjedhur përsëri si epitrop. Në të njëjtën kategori hyjnë edhe të dy priftërinjtë e Labovës së bashku me dy psalltët, prifti i Çetës së vogël dhe ai i Tërbuqit. Sapo të vërtetohet se ata kanë abuzuar me paratë e pasurisë publike, duhet të zgjidhet menjëherë epitropia e re. Njëri prej anëtarëve të epitropisë së re, i pajisur me një akt epitropik në dy kopje dhe të firmosura nga kryeprifti i Labovës do të paraqitet tek Komisioni i trashëgimtarëve në Athinë dhe do të marrë 1.700 florinj. Epitropia e re së bashku me përfaqësuesit e të tre fshatrave, të zgjedhin 50 familje të vobekta nga 8 fshatrat e krahinës së Rrëzës, të cilët të rregjistrohen në një katalog të veçantë me emër dhe mbiemër dhe të shënohen për sejcilin prej tyre nga 5 florinj (50 familje x 5 florinj = 250 florinj). Më 25 mars të çdo viti kryetarët e 50 familjeve të vobekta të paraqiten në Kishën e Labovës për t’i marrë 5 floritë dhe më pas për të firmosur përbri emërit të tyre në katalog. Për ata që nuk dinë të shkruajnë, të firmosi prifti i fshatit në sytë e tyre dhe me gjithë këtë ata duhet të vënë gishtin në vendin ku figuron emëri i tyre. Po më datën  25 mars të marrin rrogën e tyre  vjetore (70 florinj) katër priftërinjtë  e fshatrave (Labova e madhe,  Çeta e vogël dhe Tërbuqi ), psalltët e Labovës të cilët të kenë zë të bukur dhe të njohin mirë sipas rregullit muzikën kishtare dhe të tre epitropët e të tre fshatrave. Shërbimet e parastasit tim: për qirinj, temja vere, raki, para për tu ndarë fëmijve të vobektë, si edhe të tjera sipas zakonit të atyshëm. Pesëdhjetë (50) florinj t’i jepen igumenit, kryepriftit ose zëvendësit të tij. Tridhjetë florinj t’i jepen manastirit të Tërbuqit. Me mbetjen nga 1. 700 florinjtë të paguhen rrogat e dy mësuesve të aftë që duhet të jenë të vitytshëm, të ndershëm, me tabiate (zakone) të mira dhe të mëshirojnë dhe respektojnë gjërat e shenjta si dhe të njohin, në mos të dy, njëri pa tjetër – muzikën kishtare sipas rregullave të njohura për t’i dhënë mësim nxënësve; të bëjnë çdo lloj riparimesh për të cilët ka nevojë shkolla, kisha dhe manastiri. Të blejnë gjithashtu librat e nevojshëm dhe t’i ruajnë sikundër thamë në nenin e dytë; të furnizojnë nxënësit me libra sipas një liste të përpiluar nga mësuesit dhe t’ua japin falas nxënësve të vobektë për llogari të shkollës.

  1. Gjithë far’ e fisi tim pa përjashtim dhe të tjerë që interesohen, kanë të drejtë të mbikqyrin zbatimin e dispozitave të testamentit dhe t’i detyrojnë me anë të ligjit, ata persona të cilët nuk kanë derdhur detyrimet e tyre.
  2. Mbas vdekjes time varrimi të bëhet në kishën e ndërtuar prej meje në Broshteni para altarit të shejtë, ndërsa varri im të ndërtohet me gurë dhe të rrethohet me kangjella prej hekuri, duke vendosur mbi të një pllakë me mbishkrimin që vijon: Këtu prehet mëkatari dhe robi i zotit, ndërtuesi i kësaj kishe Evangellos Zappa, i cili ndroi jetë në muajin… ditën… dhe mbas katër viteve të nxirren nga varri eshtrat e mia dhe të meshohen sipas rregullit fetar dhe të rivarrosen përsëri. Koka të vendoser në oborrin ose përpara stabilimentit të lojrave Olimpike të Athinës, ndërsa eshtrat e mia në oborrin e shkollës në Labovë, duke vendosur mbi këto dy varre nga një pllakë me fjalët që vijojnë, në atë të Athinës: “Këtu prehet koka e… ”, ndërsa në atë të shkollës së Labovës: “Këtu prehen eshtrat e…”; testamentin e kam shkruar me dorën time, që vërtetohet me anë të firmës time që të ketë plotfuqishmëri në jetë të jetëve. Brosheni, 30 nëntor 1860 – firma – Evangelos Zappa – vërtetoj sa më sipër”.

 

 

KREU I TRETË: VIJUESHMËRIA E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE

I. ANASTAS BYKU (1828-1878) NË GJURMËT E NAUM B. VEQILHARXHIT DHE VANGJEL ZHAPËS

  1. Jeta

Anastas Byku lindi në Lekël të Rrëzës, fare pranë Tepelenës. Pasi kreu shkollën fillore të fshatit, shkoi në Janinë ku u regjistrua në gjimnazin Zosimea, më i madhi ndër dy gjimnazet e Janinës. Gjimnazi Zosimea, që mori këtë emër duke filluar nga viti 1831, kishte dy cikle: një cikël pas fillores me tre klasa dhe ciklin e lartë me katër klasa, ose gjimnazi. Shumë nga të arsimuarit në shkollat e Janinës, ndër ta edhe Anastas Byku, shërbyen si mësues në shkollat greke në Greqi dhe në vende të tjera të Ballkanit. Pasi kreu gjimnazin, Anastas Byku punoi për 12 vjet si mësues i greqishtes në shkollat e mesme. Në vitin 1857 Anastas Byku u takua me patriotin rilindës Thimi Mitko, i cili iu paraqit si anëtar i Shoqërisë Shqiptare të Stambollit, që po mblidhte të holla për botimin e librave dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. “Për të arritur qëllimet tona, thonte bashkëbiseduesi i A. Bykut, duhet të përgatisim ringjalljen kombëtare dhe të bëhemi tok me ata bashkëatdhetarë myslimanë që e ëndërojnë këtë”. (Prometeu, 1878, f. 3; Cituar nga Buda, A., po aty, f. 62). Vetë Thimi Mitko, në një letër botuar te gazeta Pellazgu (25. V.1860), e porosiste Anastas Bykun që të mbante lidhje me shqiptarët e Vllahisë (Rumani) nëpërmjet patriotëve në Kostandinopojë. Të gjitha këto fakte tregojnë se në vitin 1857 ishte krijuar një qendër organizative patriotike shqiptare dhe Anastas Byku ishte njëri prej anëtarëve aktivë të saj. Sikurse është përmendur edhe më lart, në bazë të projektit që kishte dërguar Vangjel Zhapa nga Rumania, rreth viteve 1859-1860 përfunduan punimet për ndërtimin e shkollës së famshme të Labovës së Madhe me dy klasa gjimnaz. Në këtë kohë duhet të ketë filluar bashkëpunimi i Vangjel Zhapës me Anastas Bykun, të cilët njiheshin prej kohësh. Me kërkesën e Vangjel Zhapës, tashmë në rolin e një drejtuesi të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,  Anastas  Byku  braktisi  profesionin e mësuesit të gjuhës greke dhe pranoi detyrën e drejtorit të gazetës Pellazgu, gazeta e parë në gjuhën shqipe, që do t’i kushtohej tërësisht çështjes kombëtare shqiptare. Me kërkesën e Zhapës, Byku filloi përgatitjet edhe për hartimin e abetares shqipe me alfabet të veçantë, që do të përdorej fillimisht nga fëmijët labovitë në shkollën e tyre të re dhe më pas në të gjitha shkollat e Vangjel Zhapës që u hapën gjatë mesit të shek. XIX në shumë fshatra të Shqipërisë së Jugut.

 

2. Anastas Byku – lëvrues i gjuhës shqipe

Pas vitit 1830 Qeveria e Athinës, duke shfrytëzuar simpatinë që kishte fituar në Shqipëri Revolucioni grek i viteve 1821-1830, përpiqej të kultivonte nëpërmjet gjuhës, fesë dhe historisë së Greqisë ndërgjegjen kombëtare greke, veçanërisht në rininë ortodokse shqiptare. Duke u paraqitur si përhapëse e arsimit dhe kulturës dhe duke spekuluar mbi ndjenjat arsimdashëse dhe fetare të shqiptarëve, propaganda greke bëri për vete një pjesë të ortodoksëve shqiptarë. Në atë kohë patriotët shqiptarë nuk mund të mbështeteshin në institucione të specializuara, shkolla etj., për t’iu kundërvënë qarqeve fqinje shoviniste. Por mendimtarët tanë rilindës përpunuan platformën e duhur, e cila u bë baza e veprimit të mëtejshëm patriotiko-kulturor  të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nisur nga fakti se sipas kritereve objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete me rrugë të veçantë të formimit historik, ideologët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare drejtuan propagandën e tyre edhe kundër përpjekjeve asimiluese të panislamistëve dhe panhelenistëve. Lufta për shkollën dhe gjuhën shqipe përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakshme të historisë sonë kombëtare. Veçse, si gjithmonë, dikush flijohet për diçka të madhe që duhet të vijojë së jetuari. Ai që u flijua këtë radhë qe Naum Veqilharxhi. Por ishin Vangjel Zhapa me Anastas Bykun nga Rrëza e Tepelenës, që realizuan projektin e filluar nga Naumi për arsimimin masiv të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e tyre amtare. Në janar të vitit 1860 Anastas Byku botoi në qytetin Lami afër Athinës, me porosinë dhe mbështetjen financiare të Vangjel Zhapës, gazetën Pellazgu dhe më pas abetaren e tij në shqip me alfabet të veçantë, që e quajti Grammë për shqiptarët (1861). Edhe pse abetarja e Anastas Bykut nuk përmendet kurrkund, ajo në të vërtetë është e treta në gjuhën shqipe, pas dy abetareve të Naum Bredhi-Veqilharxhit. Vlen të theksohet se    të tria këto abetare janë botuar falë mbështetjes financiare të Vangjel Zhapës. Abetarja e K. Kristoforidhit, që gabimisht e kanë vendosur si të dytën, në të vërtetë është botuar 6 vjet më pas, në vitin 1867. Në ato kohë çështja qendrore për Anastas Bykun, ashtu si edhe për të gjithë intelektualët atdhetarë shqiptarë, ishte lëvrimi i gjuhës shqipe. Sipas Nathalie Clayer, edhe pse kishte mësuar në shkollat greke dhe kishte ushtruar profesionin e mësuesit të greqishtes për 12 vjet në ato shkolla, tashmë në rolin e drejtorit të një gazete shoqërore- politike që botohej edhe në gjuhën shqipe, A. Byku duhej t’i përgjigjej përfundimisht dhe sa më shpejt pyetjes më të rëndësishme të kohës, që lidhej me shkrimin e gjuhës shqipe dhe botimin e librave në shqip: A duhej mësuar gjuha amtare me tekste mësimore në gjuhën shqipe me një alfabet të veçantë që të mos ishte as grek, as arab, as latin, as edhe cirilik, në mënyrë që gjuha shqipe, që duhet të ishte edhe gjuhë e kulturës shqiptare, të mblidhte rreth saj, ashtu si flamuri kombëtar, shqiptarët e ndarë fetarisht dhe gjeografikisht dhe për më tepër të ishte e aftë që të konkurronte me sukses edhe me kulturën e gjuhën greke?

Për Anastas Bykun, lidhur me mënyrën se si i përgjigjeshin pyetjes së mësipëme, shqiptarët mund të ndaheshin në tre grupe:

– Grupi i parë mohonte ekzistencën e shqiptarëve si të tillë.

– Grupi i dytë preferonte që të kryhej një studim paraprak, por pavarësisht nga përfundimi, librat në shqip duhet të ishin të kufizuar. Pra, ata dëshironin që të vazhdonte helenizimi.

– Në grupin e tretë, ku Anastas Byku fuste edhe veten e tij, bënin pjesë ata shqiptarë që kërkonin botimin e teksteve mësimore, si edhe të librave të tjerë në gjuhën amtare.

Gjatë debatit që u zhvillua në faqet e gazetës Pellazgu dhe duke lexuar me vëmendje artikujt e Vangjel Zhapës, Thimi Mitkos, Panajot Kupitorit etj., por duke u thelluar edhe vetë në studimin e gjuhës shqipe, Anastas Byku kaloi menjëherë dhe në mënyrë të dukshme në anën e promotorëve të shkrimit të shqipes me alfabet të veçantë, duke u radhitur së bashku me atdhetarët e tjerë shqiptarë të kohës. Nathali Clayer vazhdon, duke përshkruar qartë trajektoren e evolucionit politik, patriotik dhe gjuhësor të Anastas Bykut: “Në numrin e parë të gazetës Pellazgu të janarit 1860, dëshmon studiuesja franceze, Byku e paraqiste shqipen si një dialekt të gjuhës shumë të vjetër greke. Por fill më pas ai do të botonte një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe, kurse në numrat pasardhës të Pellazgut frazat në shqip do të bëheshin gjithnjë e më të shumta, deri sa në numrin 12 do të botoheshin edhe dy tekste vetëm në shqip”. (Clayer. N.: Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Botime Përpjekja, Tiranë, 2009, f. 180). Në të vërtetë, Anastas Byku, kur paraqiti abetaren Grammë për shqiptarët, me alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe që përbëhej nga “gërma greke të vëna së prapi”, (Clayer, N.: po aty, f. 179) faktikisht ishte përfshirë aktivisht në lëvizjen kombëtare shqiptare. Veçse Natali Klejer, ashtu si të gjithë studiuesit shqiptarë, qofshin edhe bashkëkohorë, alfabetin e Anastas Bykut, gabimisht, sipas meje, e quan me bazë greke. Duke përdorur germat greke të vendosura së prapthi, alfabeti i A. Bykut nuk duhet të quhet me bazë greke. Në pamundësi për të krijuar një alfabet të ri e të veçantë, si edhe për të derdhur germat prej plumbi të këtij alfabeti, që kishin kosto shumë    të lartë, Anastas Byku në mënyrë pragmatiste arriti që të plotësonte kërkesën e Vangjel Zhapës dhe t’i pajiste nxënësit labovitë me abetaren në gjuhën shqipe duke filluar nga viti akademik 1860-1861. “Promovimin e alfabetit të Anastas Bykut e kishte organizuar kohë më parë vetë Vangjel Zhapa, i cili përveçse e kishte shpërndarë në shumë personalitete të kohës, e kishte botuar edhe në një gazetë athinase”. (Buda, A.: Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare shqiptare, Studime historike, Tiranë, 1965, f. 58). I karakterizuar nga ndershmëria e lartë intelektuale, vetëm disa vite më pas Anastas Byku hoqi dorë nga alfabeti i tij dhe pranoi disa nga propozimet e studiuesit arvanitas Panajot Kupitori (1821-1881) për një alfabet më të kompletuar të gjuhës shqipe, që do të kishte edhe disa shenja diakritike. (Clayer, N., po aty, f.160).

 

  1. “Pellazgu” – gazeta e parë në gjuhën shqipe

Më 25 nëntor 1859 A. Byku publikoi një lajmërim të gjatë, ku bën të ditur synimin për botimin e një gazete, që do të kishte programin e saj kulturor dhe politik në mbështetje të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Dalja e kësaj gazete, që u quajt Pellazgu, dëshmon për fillimin e një etape të re drejt përforcimit të mëtejshëm të nacionalizmit shqiptar. Gazeta Pellazgu, që e filloi jetën si e përjavshme politike dhe shoqërore më 6 janar 1860, mund të thuhet se i kushtohej krejtësisht çështjes shqiptare. Në këtë gazetë bashkëpunonin shumë patriotë shqiptarë. Vangjel Zhapa (pronari i gazetës) dhe Anastas Byku (drejtori) e shtronin botimin e një gazete shqiptare si një mundësi më tepër për të pasqyruar dhe orientuar në drejtimin e duhur polemikën e zjarrtë që po zhvillohej në gjirin e inteligjencies shqiptare në fund të viteve ‘50 të shek. XIX, në Shqipëri e në diasporë.

Kjo polemikë na lejon të nxjerrim edhe përfundimin se tashmë ishte duke u kristalizuar platforma politike e duhur, që u bë baza e veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “Sipas një modeli për vendet e vogla të Evropës Qendrore të studiuesit bashkëkohor çek M. Hroch, nacionalizmi shqiptar u zhvillua fillimisht në formën e shqiptarizmit, që u përqafua nga një grup intelektualësh të cilët treguan interes për gjuhën e popullit dhe folklorin, duke nxjerrë në pah gjithashtu edhe ekzistencën e kombit shqiptar. Disa prej tyre u përpoqën që me veprimtarinë patriotike që kryenin, por edhe me mundësitë e tjera që kishin, të përfshijnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë me qëllim që t’i sillnin asaj qytetërimin dhe ta bënin të ndërgjegjshme për përkatësinë kombëtare.

Faza e fundit, sipas këtij modeli, është periudha kur lëvizja kombëtare, nga një lëvizje kryesisht e shtresës së intelektualëve patriotë, domosdoshmërisht të mbledhur rreth një gazete shoqërore dhe politike, si Pellazgu në rastin shqiptar, shndërrohet në një lëvizje masive që përfshin të gjitha shtresat e tjera të popullsisë”. (Clayer. N., po aty, f. 147). Anastas Byku ishte dishepull entuziast i teorisë pellazgjike, e cila kishte përfshirë disa qarqe të botës shkencore, por edhe shtresa të gjera të opinionit publik në Shqipëri, Greqi dhe në Itali me De Radën etj.). A. Byku nuk reshtte së theksuari në faqet e gazetës Pellazgu se “Populli shqiptar ka një të shkuar të lashtë historike si pasardhës i pellazgëve përrallorë dhe hyjnorë”. Populli shqiptar, pjesë e të cilit e quante me mburrje edhe veten, sipas A. Bykut “…gjendet sot në po ato vende ku ka pas banuar në lashtësinë e largët”. (Buda, A., po aty. f. 55). Në një artikull tjetër të shkruar në gjuhën shqipe, Byku thekson: “Jemi pasardhës të Skënderbeut që u kalli me shqiptarët e tij tmerrin dy sulltanëve të mëdhenj dhe që e thirrën për ndihmë mbretërit e Napolit dhe Hungarisë”. (Pellazgu, 30 mars 1860). Anastas Byku nënvizon gjithashtu se: “Populli shqiptar, edhe pse i ndarë në disa fe, është një popull i veçantë, i cili me anë të arsimimit duhet të arrijë vetëdijen e tij kombëtare dhe duhet të fitojë rëndësinë politike që i përket, duke ruajtur gjithmonë individualitetin e tij kombëtar”. (Pellazgu, 24 dhjetor 1860).

Veprimtaria patriotike e A. Bykut hasi kundërshtimin e qarqeve heleniste. Por për A. Bykun: “Këta ekstremistë që nuk duan të shohin realitetin, janë si helenistët e kohës së Tukididit (460–400 para erës së re – F. M.), që ndërtojnë kështjella ëndërrash”. Anastas Byku nuk ngurron të dënojë hapur si kundërshtarë të lëvizjes kombëtare shqiptare Portën e Lartë, krerët hipokritë ortodoksë vendës dhe Patrikanën. Ai gjithashtu u kujton disa autoriteteve myslimane shqiptare se: “Regjimi osman përpiqet ta përçajë kombin shqiptar për ta mbajtur nën zap më lehtë dhe nxit grindjet mes vëllait me vëllanë”. Dhe po aty thekson: “Jemi të gjithë vëllezër shqiptarë, jemi pjellat e njëj tate e të njëj mëme, kemi një gjuhë e një të prurë (origjinë – F. M.)”. (Pellazgu, 1 mars 1861). Anastas Byku, që sipas Majerit: “…ishte një tosk i inspiruar nga dashuria për të kaluarën e për të ardhmen e popullit të tij”, në frymën e Naumit nxiste bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe theksonte se: “…besa na ndan, por të tjerat na bashkojnë”. (Pellazgu, 30 mars 1861). Kurse më tej ai përsërit edhe një herë se: “Populli shqiptar, ndonëse i ndarë në disa fe, është popull i veçantë, i cili me anë të arsimit duhet të arrijë vetëdijen e tij kombëtare dhe duhet të fitojë rëndësinë politike që i takon”. (Pellazgu, 24. XII. 1860). I bindur se populli shqiptar do të ruante gjithmonë individualitetin e tij kombëtar, Anastas Byku thekson se: “Ishim e jemi dhe do të jemi shqiptarë”. (Pellazgu, 30. XII.1860).

  1. Veqilharxhi dhe A. Byku për kombin shqiptar

Në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XIX patriotët shqiptarë duket se dolën nga faza e veprimtarisë së veçuar dhe krijuan një shoqëri patriotike që e kishte qendrën në Stamboll. Ishte pikërisht kjo shoqëri që në thirrjen e nëntorit të vitit 1859 drejtuar popullit shqiptar do të theksonte se: “Veprimtaria e Naum Veqilhaxhit kishte gjetur përkrahje nga shqiptarët myslimanë dhe të krishterë, ndërsa për vetë Anastas Bykun figura e Naum Veqilharxhit është ajo e një iniciatori të madh, rrugën e të cilit e ndoqën edhe të tjerë”.(cituar nga Buda, A., po aty, f.59).

  1. 1. Ekzistenca e kombit shqiptar

Naum Veqilharxhi qysh në vitin 1846, në panfletin e tij të famshëm drejtuar Jani Calit, përsëriste me vendosmëri se: “Kombi shqiptar i përbërë nga myslimanë, ortodoksë dhe katolikë është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë të kombit dhe si të tilla ato janë të ndryshueshme”. Anastas Byku, në frymën e Naumit, nxiste bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe theksonte se “…besa na ndan, por të tjerat na bashkojnë”. (Pellazgu, 30 mars 1861).

  1. 2. Lashtësia e kombit shqiptar

Naumi, i pari ndër shqiptarët, por edhe ndër të huajt, theksonte se: “Kombi shqiptar është krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve. Kurse unë përpiqem, vazhdonte Naumi, vetëm të bëj që të shkruhet gjuha e kombit”. Edhe për Anastas Bykun “Populli shqiptar ka një të shkuar të lashtë dhe të lavdishme dhe gjendet sot në po ato vende ku ka banuar në lashtësi”. (Pellazgu, 30. III. 1860). Kurse më tej ai përsërit edhe një herë se: “Populli shqiptar, ndonëse i ndarë në disa fe, është popull i veçantë, i cili me anë të arsimit duhet të arrijë vetëdijen e tij kombëtare dhe duhet të fitojë rëndësinë politike që i takon”. (Pellazgu, 24. XII. 1860). I bindur se populli shqiptar do të ruante gjithmonë individualitetin e tij kombëtar, Anastas Byku thekson se: “Ishim e jemi dhe do të jemi shqiptarë”. (Pellazgu, 30. XII.1860). Në këtë mënyrë, duke qenë në sintoni të plotë me Naum Veqilharxhin, A. Byku mbyll një herë e përgjithmonë diskutimin lidhur me çështjen e origjinës së popullit shqiptar dhe rrugën historike të veçantë të tij, që e dallojnë atë nga popujt fqinjë.

4.3. Shkaqet e gjendjes së mjerueshme të popullit shqiptar

Naum Veqilharxhi përsëriste: “Nga pushtimet shumë të shpeshta, përmbysjet e gjithanshme, ndryshimet politike, hyrjet e dogmave të reja fetare… u përhap me të shpejtë barbarizmi dhe vargojtë e robërisë u bënë të çelikët”. (Qarkorja, 1846). Kurse Anastas Byku theksonte: “Fatkeqësia i erdhi popullit shqiptar nga pushtimi otoman që i shkaktoi vuajtje të panumërta, shtypje dhe përçarje fetare”. (Pellazgu, 30. III. 1860).

  1. Byku kundër pansllavizmit dhe panhelenizmit

Me shpenzimet e V. Zhapës, Anastas Byku botoi abetaren Grammë për shqiptarët (1861), që u përdor edhe në shkollën e Labovës. Byku botoi gjithashtu edhe librin Preludi i çështjes pellazgjike (1862), në ballinën e të cilit është shkruar: “me shpenzimet e të mirënjohurit… Vangjel Zhapa”. “Duke gjykuar nga titulli dhe nga fakti i bashkëpunimit me V. Zhapën dhe lidhjet me të, mund të themi se edhe ky libër merrej padyshim me çështjen shqiptare”. (Buda, A.: po aty, f.56). Ai botoi gjithashtu edhe librin Helenizmi e Krishtërimi që, sikurse të gjitha shkrimet e tij, kishte karakter politik dhe trajtonte çështjen shqiptare. Më vonë, për shkak të përmbajtjes së këtij libri, pati pasoja nga autoritetet greke. “Ky libër që u shtyp më vitin 1874, shkruan Aleks Buda, i shkaktoi ngatërresa të shumta autorit nga autoritetet greke. Pra mund të mendojmë se duhet të ketë pasur karakter politik a ndonjë lidhje me çështjen shqiptare”. (Buda, A.: po aty, f. 56). Pas vdekjes së Vangjel Zhapës (1865), Byku i vetëm zhvilloi një veprimtari të gjerë politike dhe shpalosi idetë dhe vizionin e tij në këta dy libra dhe në një shkrim në formë artikulli gazete, që paraqesin edhe sot interes të veçantë. Në të vërtetë, prej shumë kohësh Byku e shikonte atdheun e tij si një të tërë dhe të gjithë shqiptarët si “…vëllezër shqiptarë, pasadhës të Skënderbeut”.

  1. “Tosku i inspiruar nga dashuria për të kaluarën dhe të ardhmen e popullit të tij” – Gustav Majer
  2. Në tekstin HPSh, 2000, II, f. 105, figura dhe vepra e Anastas Bykut (1828-1878) sulmohet duke përdorur argumente të sajuara dhe kontradiktore: “Anastas Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit”. Në të vërtetë, vetë grekët me gojën e tyre pranonin se “Ai (A. Byku) zhvilloi një polemikë të ashpër me gazetarin grek Nevukos, i cili përdorte argumentin se shqiptarët ortodoksë ishin vetvetiu pjesë e helenizmit dhe mësimi i shqipes prej tyre, që do të kryhej sipas programit të A. Bykut dhe të V. Zhapës, do t’i largonte nga helenizmi në vend që t’i shkrinte me të” (Pellazgu, 29. XI. 1860). Ky ishte në të vërtetë qëllimi i Zhapës dhe Bykut, që të pengonin helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Për më tepër Vangjel Zhapa, së bashku me Anastas Byku, shtruan në mënyrë programatike se “Në qoftë se nuk e mësojmë popullin shqiptar në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.
  3. Është shkruar se: “Mendimi i Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre edhe nga Thimi Mitko”. (HPSh, f. 105). Për këtë rol autorët e HPSH duhet të ngarkonin një tjetër rilindës, mbasi “…dihet se Thimi Mitko qe mbështetës i idesë për një shtet dualist shqiptaro – grek”. (Buda, Aleks: Mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Studime historike, 2, 1965, f. 60).

3.Edhe pse Anastas Byku thekson disa herë idenë se “Ishim e jemi dhe do të jemi shqiptarë”, ose diku tjetër se: “Populli shqiptar, ndonëse i ndarë në disa fe, është një popull i veçantë, i cili me anë të arsimit duhet të arrijë vetëdijen e tij kombëtare dhe duhet të fitojë rëndësinë politike që i përket”, edhe pse për të arritur këtë qëllim A. Byku së bashku me V. Zhapën paraqesin një program të gjerë veprimtarish që përfshijnë botimin e librave shkollorë në shqip, hapjen e shkollave shqipe mundësisht në çdo fshat dhe ndërtimin e gjimnazeve, si edhe  të dy shkollave të mesme për vajza në Rrëzë dhe Labovë, gjithashtu  në shqip, (Pellazgu, 5 maj dhe 24 dhjetor 1860) kumtesa e përmendur më lart çuditërisht përfundon me këto fjalë: “Në dritën e këtyre shëmbëllave le të vizatet gjykimi i historisë mbi Anastas Bykun dhe rrymën që përfaqëson ai, si një rrymë divergjente dhe në kundërshtim me lëvizjen e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare”!!!( Buda, A.: po aty, fq. 63).

4.Anastas Byku akuzohet pa të drejtë edhe se “…po krijonte dy rrugë të veçanta për popullin shqiptar, një për Veriun dhe një tjetër për Jugun, duke penguar përpjekjet për bashkimin e tij kombëtar”. (Buda, A., po aty, f. 60).

Në të vërtetë, “Kur Shqipëria kalonte çaste të vështira, kur i kërcënohej rreziku i copëtimit pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Anastas Byku ngrihet dhe boton, më 6 gusht 1878, një numër gazete me 8 faqe, duke vlerësuar luftën e shqiptarëve kundër rrezikut të copëzimit të Shqipërisë”.  (Boriçi, Hamid: Gazeta Pellazgu dhe botuesi i saj Anastas Byku, Historia e medias, 1990, f. 166).

 

II. APOSTOL MEKSI (1825-1879) – J. G. VON HAHN DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE

Dr. Apostol Meksi, kur i mësonte toskërishten Hahn-it ose kur mblidhte sipas kërkesave dhe udhëzimeve të tij doket dhe zakonet në Labovë dhe në gjithë fshatrat e Rrëzës, ishte vetëm gjimnazisti Apostol Meksi, edhe pse Hahn-i e quante mësuesi im tosk Apostoli. Apostol Meksi lindi në Labovën e Madhe më 1825, dhe ashtu sikurse shkruan ai vetë në librin Studime shqiptare, “është i biri i Jorgjit, nipi i Panajotit nga dega Meksi (Meksataj) e fisit Doda”. Kreu shkollën fillore në Labovë dhe më pas gjimnazin ‘Zosimea’ të Janinës. Pas mbarimit të gjimnazit, Apostol Meksi u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Athinës, të cilin e mbaroi  me sukses. Kthehet në Janinë, ku ushtroi profesionin e mjekut, deri sa ndërroi jetë (1879).

Grimi, biografi i Hahn-it, ka shkruar se: “Për të mësuar gjuhën shqipe, në mungesë të mësuesve, Hahn-it i rekomanduan dy nxënës nga më të dalluarit e gjimnazit Zosimea. I pari quhej Apostol Panajot Meksi nga Labova e Madhe dhe tjetri Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani. Ata ishin të fortë në gramatikën e greqishtes së vjetër. Toska (Apostol Meksi) fliste gjithashtu frëngjisht dhe italisht, ndërsa gega (Kostandin Kristoforidhi), që ndiqte klasën e parë të gjimnazit, lexonte dhe shkruante diçka turqisht.

Të dy mësuesit e gjuhës shqipe e detyronin Hahn-in të lakonte ose zgjedhonte me gojë dhe me shkrim emrat, mbiemrat, përemrat dhe foljet, të cilat i nxirrnin paraprakisht nga libri Gjuha e shqiptarëve, botuar më 1835 nga albanologu gjerman Xylander. Nga ana tjetër, Hahn-i në rolin e mësuesit, u mësonte shqiptarëve metoda të ndryshme për mbledhjen dhe analizimin e materialeve folklorike, të domosdoshme për hartimin e veprave shkencore.

Pjesa më e madhe e materialeve folklorike mblidhej nga Apostoli dhe Kostandini, më pas i analizonin së bashku me Hahn-in” (Grimm, Gerhard: Johann Georg von Hahn – Jeta dhe veprat, Wiesbaden, 1964). Argumentimin e parë shkencor të lashtësisë së shqiptarëve në trojet e tyre, d.m.th. të autoktonisë së tyre, Hahn-i e nxori nga studimi krahasues i zakoneve dhe dokeve të banorëve të Rrëzës të mbledhura, të sistemuara dhe të përpunuara nga mjeku i ardhshëm Apostol Meksi, me zakonet dhe doket e grekëve dhe romakëve të lashtë. Në bazë të këtij studimi Hahn-i doli në përfundimin se në botën e lashtë nuk kishte vetëm helenë dhe romakë, por edhe ilirë (Studime shqiptare – 1854). Me këtë rast nuk mund të mos vlerësohet roli i gjimnazistit nga Labova Apostol Meksi, që e njohu Hahn-in me karakteristikat e vendlindjes së vet, e ndodhur në një zonë mjaft të pastër nga ana etnografike dhe larg ndikimeve të kulturës sllave, helene dhe turke.

Apostol Meksi, gjatë pushimeve verore të vitit 1847, mblodhi zakonet dhe doket e banorëve të Rrëzës dhe pasi i sistemoi dhe i përpunoi ato, ia dorëzoi Hahn-it për t’i botuar në librin e famshëm Studime shqiptare, që doli në dritë në vitin 1854 dhe siç thotë edhe vetë Hahn-i, “…pa i bërë nga ana e tij ndryshime të rëndësishme”. Madje, në shënimet që shoqërojnë kreun III, Hahn-i njeh meritat e Apostol Meksit si autor. “Me këtë përshkrim të folklorit të Rrëzës, Apostol Meksi del si studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë”. (FESH – 2008). Apostol Meksi i tregoi botës se shqiptarët dallonin nga grekët, sllavët dhe turqit, jo vetëm nga historia, gjuha etj., por edhe nga mënyra e jetesës, doket, zakonet, këngët, vallet etj. Duke lexuar studimin e Apostolit, lexuesit fare mirë mund të vlerësojnë nivelin e tij intelektual, por duke njohur edhe zakonet, doket, mënyrën e jetesës, ndjenjat dhe karakteristikat e labovitëve dhe të gjithë banorëve të Rrëzës, ata mund të formulojnë edhe përshtypjet e tyre për jetesën e shqiptarëve në nivel kombëtar ose të paktën krahinor.

  1. Studiusit shqiptarë për ‘Studime shqiptare’

Vepra ‘Studime shqiptare’ konsiderohet kryevepra e Hahn-it. Në këtë libër bibliotekë ka lëndë të çmuar që menjëherë tërhoqi vëmendjen e gjuhëtarëve dhe historianëve të kohës, kurse Hahn-i u vlerësua si një autoritet shkencor për çështjen shqiptare. Sipas Prof. Aleks Budës, “Hahn-i vërtetoi se mjaft emra vendesh   të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve të dikurshme ilire dhe zbuloi disa mjete fjalëformuese që rrojnë në emrat e sotëm shqiptarë. Ai arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe mbrojti me vendosmëri autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta. Ishte i mendimit se ilirishtja është një gjuhë pellazgjike në kuptimin e gjerë të fjalës.

Për Hahn-in, ilirët ishin një nga degët themelore të popullsisë paleoballkanike që  qëndronte  më  vete  përballë  grekëve të vjetër. Mendimi i tij ishte në kundërshtim me tezën e përhapur në shekullin XIX se shqipja lidhej me greqishten si gjuhë motra për shkak të prejardhjes së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve prej pellazgëve. Mendimi i këtij albanologu u shërbeu përfaqësuesve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare si mbështetje për misionin e tyre të madh, të zgjimit të krenarisë kombëtare të shqiptarëve që ende nuk kishin krijuar mëvetësinë e tyre shtetërore si popujt e tjerë të Ballkanit”. (Buda, A.: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985).

Një analizë të shumanshme problemore për kryeveprën e Hahn-it, në të cilën vërtetohet gjithashtu se argumentet e autoktonisë së shqiptarëve fillojnë nga Rrëza e Tepelenës, e ka dhënë studiuesi Nelson R. Çabej, i cili ndër të tjera shkruan: “Në veprën e tij madhore në tre vëllime Albanesische studien, Hahn-i argumenton nga një pikëpamje multidisiplinore (historike, gjuhësore, etnografike), autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen ilire të shqiptarëve e prejardhjen e shqipes nga ilirishtja dhe hedh idenë e prejardhjes së përbashkët tireno-pellazgjike të ilirëve, të epirotëve dhe të maqedonasve, të cilët formonin një degë të veçantë e të rëndësishme të lashtësisë, krahas grekëve dhe romakëve. Argumentimin e parë themeltar të lashtësisë së shqiptarëve në trojet e sotme, d.m.th. të autoktonisë së tyre, Hahn-i e nxjerr nga studimi krahasues i zakoneve të tyre të sotme me zakonet e grekëve e të romakëve të lashtë. Argumentimi për autoktoninë e shqiptarëve buron drejtpërdrejt konkretisht e kryesisht me përshkrimin dhe studimin e zakoneve të Rrëzës, fshatrat në krahun e djathtë të lumit Drino para bashkimit të tij me Vjosën. Hahn-i kishte qëlluar në shenjë, duke zgjedhur për studim një zonë mjaft të pastër nga pikëpamja etnografike. Gjithashtu Hahn-i ka dalë në një përfundim të dytë të rëndësishëm, se  në botën e lashtë nuk kishte vetëm grekë e romakë, por edhe ilirë, forca jetësore e të cilëve është aq e qëndrueshme saqë ka arritur deri në ditët tona. Kështu, protoshqiptari nuk ishte vetëm një moshatar dhe fqinj, por edhe një element i afërt i romakëve dhe i helenëve të lashtë, ose, me fjalë të tjera, ajo që ishte e njëjtë në zakonet e të tre popujve rrjedh nga i njëjti burim.

Në të vërtetë Hahn-i, për herë të parë në historiografi arrin të realizojë idenë se bota e lashtë klasike nuk ishte botë vetëm e grekëve dhe e romakëve, se ilirët zinin në atë botë një vend të denjë për t’u përshkruar e për t’u studiuar”. (Çabej, Nelson: Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, Tiranë, 1990, f. 80-89). Georg Hahn-i, miku i madh i shqiptarëve, bazuar në materialet e mbledhura, të studiuara dhe të sistemuara nga Apostol Meksi, përhapi në gjithë Europën përfundimet e tij shkencore me anë të të cilave vërtetohej plotësisht se shqiptarët ishin autoktonë ashtu si grekët dhe romakët. Interesimi deri diku sistematik për folklorin shqiptar zë fill gjatë lëvizjes kombëtare shqiptare nga mesi i shekullit XIX, kur patriotët folkloristë shqiptarë mblodhën, përpunuan dhe paraqitën trashëgiminë folklorike shqiptare për qëllime patriotike, që lidhen me identitetin e popullit tonë. Kapitulli ‘Zakonet familjare’ në Rrëzë, i përfshirë në librin ‘Studime shqiptare’, që gjimnazisti labovit Apostol Meksi e përgatiti gjatë kohës kur ndiqte klasat e larta në gjimnazin Zosimea të Janinës në vitet 1847- 1849, duhet konsideruar si vepra e parë folklorike e shkruar nga një studiues shqiptar. Ne, shqiptarët e sotëm, i kemi mundësitë të vlerësojmë objektivisht veprimtarinë e dr. Apostol Meksit në lëmin e studimit të kulturës popullore, aq më tepër kur bashkëpunimi i tij me Hahn-in nuk qe vetëm një shkëndijë që i shkrepi gjatë rinisë. Balkanologu dhe albanologu francez Auguste Dozon  (1822-1880), konsull i Francës  në Janinë, pohon se një pjesë të materialit që kishte botuar në veprën e tij ‘Përralla shqiptare’ (Conte albanais, 1881), ia kishte dhënë dr. Apostol Meksi.

 

  1. Historia e përkthimit dhe e botimit

Kanë kaluar më shumë se 60 vjet dhe vazhdojnë të mbeten në kujtesën time, aty, në cep të tavolinës së punës që e përdornim së bashku me tim atë, vëllimet me kapak të trashë ngjyrë blu, që në fakt ishin vetëm dispensa, ku ishte daktilografuar në shqip libri i Hahn-it ‘Studime shqiptare’. Babai, që i pruri një ditë vjeshte të vitit 1954, më tha se i kishte marrë nga Biblioteka e Institutit të Historisë dhe se mund t’i mbanim në shtëpi deri dy muaj. I shtyrë nga kureshtja, hapa menjëherë kapakun e vëllimit të parë dhe munda të lexoj vetëm titullin dhe emrin e autorit, kurse emri i shqipëruesit mungonte. Babai, me zë të ulët, duke më parë në sy, më tha se shqipërimin e kishte bërë një i burgosur të cilit nuk ia dinte emrin. Ne, gjimnazistët e klasave të larta të asaj kohe, e njihnim fare mirë Hahn-in, albanologun e famshëm gjerman. Kishim mësuar gjithashtu nga i paharruari Gabriel Meksi, profesori ynë i historisë, për Apostol Meksin, kushëri i parë i stërgjyshit tonë, që i kishte mësuar Hahn-it shqipen bashkë me Kostandin Kristoforidhin, kur ai ishte konsull i Austro-Hungarisë në Janinë. Dinim gjithashtu që Hahn-i i quante nxënësit shqiptarë mësuesi im tosk Apostoli dhe mësuesi im gegë për Kristoforidhin.

Librat-dispensa të shqipëruar në një gegërishte elegante, ishin të këndshëm për t’u lexuar. Gjithçka lexoja gjatë pasditeve ua tregoja të nesërmen shokëve të mi të klasës, shumë prej të cilëve i kujtojnë edhe sot, sidomos kapitujt që përshkruajnë kujtimet e Hahn-it nga Gjirokastra, Labova, Elbasani dhe Tirana. Do të kalonin shumë 10-vjeçarë dhe si shumë të tjerë të moshuar, më lindi një dëshirë obsesive për t’u kthyer te rrënjët e mia, një degë e të cilave ishte edhe Apostol Meksi. Pyeta për fatin e librit-bibliotekë të Hahni-t, ku përmendej A. Meksi dhe u çudita pa masë kur mësova se Studimet shqiptare ende nuk ishte botuar, megjithëse i përkthyer para 60 vitesh. Libri i famshëm i Hahn-it në shqip vazhdonte të ekzistonte vetëm në trajtë dispensash. Madje mësova se dispensat ishin vetëm në tri kopje, nga të cilat dy gjendeshin deri para pak kohësh në bibliotekën e Institutit të Kulturës Popullore, kurse kopja e tretë, për çudinë time, por jo edhe aq, në bibliotekën e Prokurorisë së Përgjithshme, sigurisht e depozituar aty nga prokurori ose hetuesi i përkthyesit të burgosur, që tashmë kishte një emër. Ai quhej Veniamin Dashi nga Elbasani. Vapa e jashtëzakonshme e muajve korrik-gusht të vitit 2007 nuk më pengoi aspak për të mbledhur materialet e nevojshme për një shkrim mbi Hahn-in dhe mësuesin e tij tosk Apostolin, që u botua në gazetën ‘Panorama’ me titullin “Doktor Apostol Meksi dhe të pathënat”, e që përfundonte me shprehjen e urtë: “Një popull nuk ka të ardhme pa pasur rrënjë, ose kur ia presin ato”.

Në të vërtetë, pas botimit të librit të Hahn-it në shqip pas një donacioni të qeverisë shqiptare (2007), bashkia dhe këshilli bashkiak i Gjirokastrës, pa humbur kohë, patën mirësinë që me një vendim të veçantë ta quanin bibliotekën e qytetit “Biblioteka dr. Apostol Meksi”, ndërkohë që iu dha edhe titulli “Mirënjohja e qytetit” me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në fushën e gjuhësisë, të historisë dhe të folklorit shqiptar” (2010). Projekti që hartuam me këtë rast përfshinte edhe vendosjen e një basorelievi të Hahn-it në mes të Tiranës, përballë kullës së sahatit dhe xhamisë. Tashmë basorelievi i punuar nga Artisti i Popullit, prof. Thoma Thomai (Dhamo), ka përfunduar, ndërsa shkrimi që u gdhend mbi të u formulua nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili e priti me kënaqësi kërkesën time. Në basorelievin e Hahnit, që prej 10 vjetësh  pret  të  vendoset,  janë gdhendur këto fjalë: “Dr. Johann Georg Hahn (1811-1869), ati i albanologjisë, diplomat i shquar austriak, autor i veprës “Studime shqiptare”, gjatë udhëtimit në Shqipëri më 1850, ka qëndruar te ky vend për të admiruar pamjet e hijshme të Tiranës, që siç shkruan vetë: Nuk i kam parë në asnjë vend të Shqipërisë”. Studime shqiptare është përkthyer në shqip rreth viteve 1946-1948 nga Veniamin Dashi, gjatë kohës kur ishte i burgosur, me akuzën për bashkëpunim me gjermanët gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Shqipërimi i Veniamin Dashit, në një gegërishte elegante, konsiderohet edhe sot si fare i saktë, çka tregon se autori është një intelektual i nivelit të lartë, produkt me vlera i shkollave dhe universiteteve austriake dhe gjermane. Ing. Kostaq Lazri (1925-2011), që mund të konsiderohet si një burim plotësisht i besueshëm edhe si normalist i Elbasanit dhe ish-nxënës i tij, më ka informuar se Veniamin Dashi, pasi kreu me sukses shkollat parauniversitare në Austri, i përzgjedhur dhe i dërguar aty nga disa murgesha austriake, fitoi një bursë dhe u regjistrua në Universitetin e Berlinit në degën Histori-Gjeografi, ku u diplomua në vitin 1930. Për rezultatet e tij të shkëlqyera ai fitoi Globin e Artë, si studenti më i mirë i Universitetit të Berlinit për dhjetëvjeçarin 1920-1930. Pas ardhjes   në atdhe, u emërua zëvendësdrejtor i shkollës “Nana Mbretëreshë” në Tiranë dhe më vonë mësues i lëndës Histori-Gjeografi në Liceun e Korçës. Pas vitit 1933 ai përfundoi në Normalen e Elbasanit. Pasi u lirua para kohe nga burgu, u vendos në Tiranë, ku vazhdoi përkthimet në gjuhën gjermane, shpesh edhe me porosi të ambasadës gjermane në Tiranë. Vdiq në vitin 1980. Tashmë libri Studime shqiptare, botuar dhe ribotuar, mban emrin e përkthyesit të tij të kahershëm Veniamin Dashi dhe të përkthyesit tjetër të ditëve tona Afrim Koçi, që e plotësoi dhe e përfundoi përkthimin. Për veprën plot përkushtim dhe profesionalizëm që kanë kryer, Veniamin Dashi dhe Afrim Koçi do të gëzojnë mirënjohjen dhe falënderimin e gjithë bashkëkombasve të tyre. Veçse, sa më shumë studiohet Hahni, aq më tepër spikat figura e Apostol Meksit, i cili, i brumosur me ndjenjat patriotike në familjen e tij, vetëm gjimnazist, u lidh jo rastësisht me Hahnin dhe bashkëpunoi me të, derisa shpallën nëpërmjet librit Studime shqiptare në gjuhën gjermane dhe në mes të Europës, se shqiptarët kanë edhe folklor të ndryshëm nga popujt e tjerë të Ballkanit.

 

  1. Apostoli, i harruari

 

  1. Për Apostol Meksin (1825-1879) deri në vitin 2007 është shkruar vetëm një herë. Ishte Dhimitër S. Shuteriqi, që në librin e tij me titull Shkrime shqipe në vitet 1332-1850 përmend se: “Apostol Meksi, edhe ky mjek, i dha mësimet e para Hahn-it bashkë me Kristoforidhin dhe mblodhi një pjesë të folklorit tosk që albanologu botoi në Albanesische studien”. Kurse më vitin 1980, në faqet e revistës Kultura popullore, Nr. 2, botohet nga libri ‘Studime shqiptare’ kapitulli Zakonet familjare të Rrëzës, me autor Hahn-in dhe jo autorin e vërtetë, Apostol Meksin. Në vitin 1985 botohet FESh, por në 1280 faqet e tij nuk duket në asnjë cep emri i Apostol Meksit, ndërkohë që në zërin për Hahn-in shkruhet vetëm: “Hahn-i punoi për shqipen me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit”. Po Apostol Meksi? Nuk duket më. Pse? Në këto kushte, as që mund të mendohet që emri i tij të shfaqej te HPSh botuar në vite. Heshtja për veprimtarinë e Apostol Meksit ndoshta mund të jetë gatuar nisur edhe nga meskiniteti njerëzor, për të eliminuar hijen që mund të prekte qoftë edhe pjesërisht Kristoforidhin e Madh, i cili pa dyshim ngelet po aq i madh edhe duke pasur Apostol Meksin përkrah.
  2. Pas trillimeve të trasha për Naum Bredhi Veqilharxhin (fq. 60), në të njëjtin libër gjenden edhe një varg provokimesh që lidhen me folkloristët rilindës në përgjithësi: “… nëse deri atëherë ata ishin rrekur të përligjnin të drejtën historike të shqiptarëve për t’u konsideruar një komb i veçantë, duke zbuluar apo, shpesh, edhe duke krijuar fakte ku mbështetej legjitimiteti historik i pretendimeve të tyre”. (Misha, P.: Arratisja nga burgjet e historisë, f. 53). Ndërsa vetë Hahn-i në librin Studime shqiptare, pasi pranon bashkautorësinë me gjimnazistin Apostol Meksi, i pari ndër folkloristët shqiptarë, për kapitullin Zakonet familjare në Rrëzë, dëshmon se: “Mësuesi im tosk Apostoli, prej kohësh më kishte treguar ato që dinte lidhur me zakonet e krahinës dhe veçanërisht të fshatit të tij Labovë. Megjithatë Apostoli pyeti edhe një herë të moshuarit për çështje të veçanta, në mënyrë që të siguronte informata të sakta dhe që vinin nga disa burime. Më pas Apostoli më dorëzoi materialin të ndarë në disa kapituj, të cilin, pasi e kontrolluam edhe një herë bashkarisht, e përktheva në gjermanisht, duke i bërë vetëm ndonjë korrigjim të rrallë. Kjo metodë, vërtet e komplikuar, rezultoi e saktë veçanërisht për t’i dhënë përshkrimit një ngjyrë të vërtetë kombëtare”. (Hahn, J. G.: Studime shqiptare, Tiranë, 2007, fq. 265). Në të vërtetë dr. A. Meksi, që më në fund konsiderohet si studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë (FESH-2008), u paraprin folkloristëve shqiptarë që mblodhën, përpunuan dhe paraqitën në librat e tyre pasurinë folklorike të popullit, gjithmonë duke respektuar kriteret e mirënjohura shkencore. Këta atdhetarë të shquar dhe folkloristë mblodhën dhe botuan këngë, rapsodi, përralla, gjëegjëza, që janë të bollshme në thesarin folklorik të popullit shqiptar, pa qenë aspak e nevojshme të krijonin të tjera.

 

KREU I KATËRT

 

I. A KA PASUR “ZBRAZËTIRË”?

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se historiografët shqiptarë janë sforcuar disi duke përfshirë në fazën e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare vetëm vitet 1844, 1845 dhe 1846, periudhën trevjeçare të veprimtarisë së dendur dhe të shkëlqyer të Naum Bredhi-Veqilharxhit. Në të vërtetë, duke lexuar jo vetëm tekstet e historisë, por edhe veprën akademike Historia e Popullit Shqiptar (2002), kjo periudhë ngjet vetëm me një oaz në shkretëtirë, mbasi vazhdon me një “…zbrazëtirë 20-vjeçare (1846-1866)” (Buda, Aleks: Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare në vitet 1859-1861, Studime historike, 2, Tiranë, 1965, f. 58-62) dhe më tej me periudhën kur vetëm “…fillon të bjerë diçka dritë mbi përpjekjet e një grupi shqiptarësh në Stamboll më vitin 1867” për të arritur te vitet e ndritura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Artikulli i mësipërm, i botuar në revistën Studime historike, fillon në këtë mënyrë: “Duke u nisur nga ato që dimë për veprimtarinë e Naum Veqilharxhit në vitet 1844–1846, duhet të presim 20 vjet të plota deri në mesin e viteve ‘60 kur fillon të bjerë diçka dritë mbi përpjekjet e një grupi shqiptarësh në Stamboll. Pikërisht këtu qëndron interesi i një burimi historik që na lejon t’i japim disi formë dhe ta mbushim me përmbajtje një pjesë të kësaj zbrazëtire njëzet vjetësh…”.

Më tej autori vijon: “E kemi fjalën për gazetën Pellazgu, që botohej në Lami të Greqisë gjatë viteve 1859–1861. Mundësinë për të njohur këtë gazetë ia detyrojmë mirëdashjes së disa kolegëve historianë në Athinë”. Këto ide kanë ndikuar plotësisht në përpilimin e kapitullit përkatës te Historia e Popullit Shqiptar, madje edhe në variantin e fundit të vitit 2002. Për ata që  e  njohin  sadopak  veprimtarinë  atdhetare  e  kulturore të intelektualëve shqiptarë dhe të shqiptarëve në përgjithësi gjatë periudhës të së ashtuquajturës “zbrazëtirë 20-vjeçare”, del fare e qartë se artikulli i sipërpërmendur rrudh veprën e Naum Bredhi-Veqilharxhit (1797–1846), rilindësit të parë shqiptar, baltos figurat e ndritura të gjigantit Vangjel Zhapa – Nderi i Kombit (1800–1865) dhe të Anastas Bykut (1828–1878), gazetarit të parë shqiptar, gropos përfundimisht dr. Apostol Meksin (1825–1879), etnologun e parë shqiptar, dhe anashkalon përpjekjet e patriotëve korçarë dhe të fshatarëve labovitë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat dhe në kishat e tyre.

 

II. BILANCI I VEPRIMTARISË GJATË “ZBRAZËTIRËS 20-VJEÇARE”

Më poshtë janë rreshtuar kronologjikisht ngjarjet më të rëndësishme të ndodhura gjatë së ashtuquajturës “zbrazëtirë 20-vjeçare – 1846- 1866”.

  1. Viti 1847 – Kuvendi i Mesaplikut, kuvendi i bashkimit kombëtar

Kishin kaluar katër shekuj nga koha kur në radhët e ushtrisë shqiptare qëndronin pranë njëri-tjetrit luftëtarët e besimit katolik dhe ortodoks, ndërkohë që komandanti i tyre quhej Skënderbe. Në ato kohë një grusht shqiptarësh të bashkuar dilnin gjithmonë fitimtarë ndaj hordhive të Perandorisë Osmane. Kurse për katër shekuj me radhë shqiptarët, të ndarë jo vetëm fetarisht, por edhe nga ana territoriale, kishin harruar shijen e fitoreve dhe rrezikonin të zhdukeshin si komb. Në qershor të vitit 1847, një vit pas publikimit të Qarkores dhe Letrës drejtuar Jani Calit nga Naum Bredhi-Veqilharxhi, krerët e krahinave të ndryshme të Shqipërisë mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës. Kuvendi i Mesaplikut, që shpalli popullin shqiptar, mysliman e të krishterë, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë pa përjashtim të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t’u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja. Kryengritja e vitit 1847, që shpërtheu ashtu siç ishte vendosur në Kuvendin e Mesaplikut, shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkët, pavarësisht nga feja e krahina. Duke folur për këtë kryengritje, “…Sami Frashëri vinte në dukje se ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome”.

 

  1. Viti 1854 – Apostol Meksi dhe autoktonia e shqiptarëve

Argumentimin e parë shkencor të lashtësisë së shqiptarëve në trojet e tyre, d.m.th. të autoktonisë, që nuk pranohej nga shovinistët fqinjë, J. G. von Hahn-i e nxori edhe nga studimi krahasues i zakoneve dhe dokeve të banorëve të Rrëzës, “…11 fshatrat në të majtë të lumit Drino para bashkimit të tij me Vjosën”, të mbledhura, të sistemuara dhe të përpunuara nga mjeku i ardhshëm Apostol Meksi, me zakonet dhe doket e helenëve dhe romakëve të lashtë. Këtë studim Hahn-i e botoi te Studimet shqiptare në vitin 1854, në Jena të Gjermanisë. Me këtë rast nuk mund të mos vlerësohet roli i jashtëzakonshëm i gjimnazistit nga Labova Apostol Meksi, që e njohu J. G. Von Hahn-in me karakteristikat e vendlindjes së vet, Labovës së Madhe, e ndodhur në një zonë mjaft të pastër nga ana etnografike dhe larg ndikimeve të kulturës sllave, helene dhe turke. Gjimnazisti Apostol Meksi, gjatë pushimeve verore të vitit 1847, mblodhi zakonet dhe doket e banorëve të Rrëzës dhe pasi i sistemoi dhe i përpunoi ato, ia dorëzoi Hahn-it për t’i botuar në librin e famshëm Studime shqiptare që doli në dritë më vitin 1854. Në këtë libër Hahn-i shpall bashkautorësinë me Apostol Meksin për hartimin e kapitullit Zakonet familjare në Rrëzë, që siç thotë edhe vetë ai, “…pa i bërë ndryshime të rëndësishme”. “Me këtë përshkrim, Dr. Apostol Meksi del më në fund si studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë”. (FESH – 2008).

 

  1. Viti 1858 – Vangjel Zhapa, veprimtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare

Vangjel Zhapa, tashmë edhe në rolin e drejtuesit, do të angazhohej për të ruajtur vijueshmërinë në rrugëtimin e vështirë që do të ndërmerrte Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Ai do të bënte të gjitha përpjekjet për të ringjallur Naum Bregu Veqilharxhin në idetë, vizionin dhe veprimtarinë e intelektualit atdhetar Anastas Byku nga Lekli, veçanërisht për sa i përket lëvrimit të gjuhës shqipe, argumentimit të lashtësisë së historisë së kombit shqiptar dhe njësimit të tij. Sipas marrëveshjes, Anastas Byku do të braktiste mësuesinë dhe   do të emërohej drejtor i gazetës Pellazgu dhe kryeinspektor i rreth 15 shkollave të Vangjel Zhapës në Shqipëri, ku do të mësohej edhe gjuha shqipe. Ai gjithashtu do të hartonte një abetare shqip me shkronja të veçanta, e ngjashme me ato të Naum Veqilharxhit, që fillimisht do të përdorej nga nxënësit e shkollës së Vangjel Zhapës në Labovë.

 

  1. 25 Nentor 1859 – Gazeta Pellazgu në mbështetje të Rilindjes

Gazeta Pellazgu, gazeta e parë shqiptare, e filloi jetën si e përdyjavshme politike dhe shoqërore dhe mund të thuhet se i kushtohej krejtësisht çështjes shqiptare. Në këtë gazetë bashkëpunonin edhe shumë patriotë shqiptarë si: V. Zhapa, Th. Mitko, A. Armodhi, P. Cale, P. Petridhi etj. Vangjel Zhapa (pronari) dhe Anastas Byku (drejtori) e shtronin botimin e një gazete shqiptare si një mundësi më tepër për të pasqyruar dhe orientuar në drejtimin e duhur polemikën e zjarrtë që po zhvillohej në gjirin e inteligjencies shqiptare, në fund të viteve ‘50 të shekullit XIX, në Shqipëri dhe në diasporë. Gazeta Pellazgu ndihmoi për të kristalizuar platformën e duhur politike, si parakusht i veprimtarisë së mëtejshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

 

  1. 1 Janar 1861- Anastas Byku botoi abetaren e tretë

Anastas Byku botoi në qytetin Lami afër Athinës, me mbështetjen financiare të Vangjel Zhapës, abetaren e tij në gjuhën shqipe me alfabet të veçantë që e quajti Grammë për shqiptarët. Duke përdorur germat greke të vendosura së prapi, A. Byku në mënyrë pragmatiste arriti që të plotësonte menjëherë kërkesën e Vangjel Zhapës dhe t’i pajiste nxënësit labovitë me abetaren e tyre në gjuhën shqipe, që e prisnin me padurim. Abetarja Grammë për shqiptarët do të përdorej gjithashtu në të gjitha shkollat e Vangjel Zhapës në Shqipëri dhe në shkollat greke ku mësonin edhe shqipen nxënësit shqiptarë.

 

6.1 Mars 1861- Shkolla me dy klasa gjimnaz ku mësohej edhe shqipja

Vendimi i autoritereve të kohës për të lejuar mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e Labovës së Madhe u bë i njohur nëpërmjet një letre të shkruar nga vetë Vangjel Zhapa, që u botua në numrin e datës 1 mars 1861 të gazetës Pellazgu. Me këtë rast Vangjel Zhapa bënte të ditur se: “Në shkollën e re të Labovës së Madhe nuk mësohet vetëm greqisht, por edhe shqip…”. Shkolla e Labovës përbëhej nga foshnjore, fillore, qytetëse me tri klasa dhe me dy klasa gjimnaz. Numri i nxënësve shtohej vazhdimisht duke arritur në vitin arsimor 1865-1866: 108 nxënës në klasat foshnjore dhe fillore, 31 në tri klasat qytetëse dhe 14 në dy klasat e gjimnazit. Më 1876 në Labovë u hap edhe shkolla për vajza, me dy mësuese të huaja dhe me konviktin femëror. Në fillim u regjistruan 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin nga fshatrat përreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj.

 

  1. 24. XII. 1860 – Pellazgu: “Arsimim për të gjithë nxënësit shqiptarë”

Për të arritur këtë qëllim, Vangjel Zhapa dhe Anastas Byku paraqitën në gazetën ‘Pellazgu’ një program të gjerë veprimtarie: “Botimi në shkallë të gjerë i librave shkollorë në gjuhën shqipe, hapja e shkollave fillore shqip për vajza dhe për djem, mundësisht në çdo fshat, ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Përmet dhe i një liceu në Berat, si edhe i dy shkollave të mesme për vajza në Labovë dhe në një fshat tjetër të Rrëzës”. Librat do të shkruheshin me alfabetin e veçantë të hartuar prej A. Bykut.

 

  1. 1. III. 1861- Gaz. Pellazgu: “Në shkollat greke po mësohet gjuha shqipe”.

Në numrin e gazetës Pellazgu të datës 1. 3. 1861, Vangjel Zhapa, sipas idesë së Naum Bredhi-Veqilharxhit për një arsimim masiv nga shtrirja, njofton se bëri të mundur që fëmijët e shqiptarëve të mësonin gjuhën  e tyre amtare në shkollat greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut, “për sa kohë do të ishte e nevojshme për të mësuar greqishten”. Ky formulim, siç duket ishte çelësi për të hapur dyert e shkollave greke në Shqipëri që ishin në pronësi të Patrikanës. Planet e Vangjel Zhapës synonin fillimin e menjëhershëm të mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e ngritura prej tij, si edhe në të gjitha shkollat greke që në atë kohë numëroheshin me qindra në Shqipërinë e Jugut. Mësimi i shqipes në shkollat greke në mesin e shekullit XIX, kinse për të lehtësuar mësimin e greqishtes, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Please follow and like us: