Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Hysa: Rrugët e Diasporës në letra

Kufiri ka shënjuar jetët e shqiptarëve ndër shekuj. Herë ka qenë vijë kalimi për ndryshim përtëritës, herë damkë shpirtërore a trupore vrastare. Kufiri kthehet në plagë kur përjetohet si mur e jo si urë. Si pengesë, si pamundësi, si sheshtim në shkallën e fundit të hierarkisë së qytetërimeve, si mungesë vetëvlerësimi për veten apo vendin e origjinës. Por kufiri mund të përjetohet dhe si ftesë për dialog, për komunikim e shkëmbim vlerash, si bisedë në shumëgjuhë, apo si stërvitje “për të menduar me mendësinë e shumë popujve” siç shprehet Claudio Magris, shkrimtari par excellence i kufijve.

Shqiptarët nuk janë endacakët hebrenj që u përzunë herët prej faraonit për t’u endur në shkretëtirë në kërkim të tokës së munguar. Shqiptarët e ruajtën me thonj e me gjak dheun nën vete e sidomos majet e lartë e kërcënues ku vështirësisht mund të ngulej i huaji. Po cepat e trojeve iu brejtën ndër shekujsh dhe pamundësia për t’u vetëmjaftuar i bëri të kërkojnë fatin nëpër botë. Dhe një nga rrugët më të parapëlqyera për shqiptarët, përpos nevojës për mbijetesë e dëshirës për pasuri, për pak “dhjamë për dimër”, ka qenë dhe etja për dije, për të vendosur ura kulture, për të vjelur më të mirën me qëllim ujitjen dhe ripërtëritjen e rrënjëve të trashëgimisë sonë.

Kjo është ndoshta rruga më e lakmuar për mërgim, më e dashur edhe sot e kësaj dite prej shqiptarëve: arsimimi.

Shkrimi i gjuhës sonë nis rrugëve të mërgimit. Është e gjatë saga e autorëve që shtegëtuan për t’u arsimuar dhe për t’i shërbyer shqiptarisë përmes përhapjes së dijes dhe kulturës.

Ky cikël shkrimesh do të gjurmojë disa prej tyre, ndoshta më pak të njohur e më pak të përmendur, për të kuptuar marrëdhënien e tyre me atdheun, përpjekjet e vazhdueshme për t’i shërbyer bashkëkombësve përmes arsimit, shkrimit, dijes dhe kulturës.

Shqipëria e Isuf Luzajt – përpjekje për paqe

Çfarë është atdheu për një mërgimtar? Vetëm vendi i mallit dhe i ëndrrërrime, apo dhe shënjimi i urrejtjes, përballjes dhe papajtueshmërisë?

Për Isuf Luzajn, një prej mendimtarëve dhe shkrimtarëve mërgimtarë të dënuar me harresë për një kohë të gjatë, lidhja me atdheun përmban “dhe mjaltin dhe helmin”. I censuruar që në fillesa për kundërshti ndaj pushtetit në fuqi, i kritikuar ashpërsisht që herët për mospërputhje me etikën dhe moralin e kohës, i dënuar në mungesë si armik i vetëdijshëm i ideologjisë komuniste, i mirëpritur me pikatore në rrethet letrare dhe kulturore të këtyre tridhjetë viteve, i papërfillur nga historishkrimi dhe letërsishkrimi zyrtar, i pabotuar tërësisht dhe, për rrjedhojë, pjesërisht i njohur edhe nga lexuesi; kësisoj, pak ose aspak i vlerësuar. Pak dijeni kanë bashkëkombasit e Luzajt dhe për karrierën e tij të gjatë të mësimdhënies si profesor filozofie në kolegjet dhe universitetet e Argjentinës dhe Amerikës.

Në pjesën më të madhe të veprave të tij, Isuf Luzaj i drejtohet vendit dhe vendësve duke dëshmuar personalitetin e tij: poetin, filozofin dhe mësuesin, me prirjen dhe dëshirën për t’i shkrirë të tria në atë të udhërrëfyesit shpirtëror të shqiptarëve. Për Luzajn vendlindja është “atdheu i zemrës dhe si i tillë ekziston te çdo qenie të gjallë. Vendlindja nënkupton jo vetëm vendin fizik, por mbi të gjitha atë shpirtëror, ku dëgjohen për herë të parë ninullat, këngët, përrallat; është vendi ku të gjitha fytyrat janë të njohura dhe të dashura, dhe si të tilla “nuk prodhojnë MOSBESIM”. “Vendthi i lindjes dashurohet pafajësish për instinkt, me spontanitet.” Përcaktimi i kësaj dashurie si një ndjenjë origjine e lindur bashkë me njeriun, si instinkt, për gjithçka që fillimisht i sheh syri dhe i prek dora, për gjithçka i bëhet e njohur dhe e ditur, me të mira e me të këqija, përbën edhe thelbin e kësaj dashurie. Trajtuar në këtë mënyrë, dashuria për vendin e lindjes vdes bashkë me njeriun. Kjo dashuri e bëri poetin Luzaj që ta jetonte pjesën më prodhimtare të jetës së tij “i burgosur me ëndrrën për atdheun”. Njëkohësisht kjo dashuri sjell për rrjedhojë të pashmangshme një patriotizëm “fisnik, të sinqertë e poetik” të përputhshëm me territorin gjeografik. Dëbimi i njeriut nga ambienti ku është rritur është dëbim nga vetja dhe tjetërsim, është zgjerim në sipërfaqe dhe humbje në thellësi. Ky tjetërsim i rëndon duke thelluar mallin për vendin dhe duke shtuar dozat e idealizimit.

Luzaj bën një dallim të rëndësishëm mes vendlindjes dhe kombit. Dashuria për vendlindjen, në të cilin nënkuptohet shtrirja gjeografike, terreni rrethues, dhe njerëzit me të cilët ndan një pjesë të jetës, është një dashuri e domosdoshme, e cila “lind e rritet pa kultivim, si lulja e malit”. Në të kundërt, gjithnjë sipas Luzajt, “kombi është atdheu i jetës qytetare” dhe si i tillë dashuria për të nuk mund të përjetohet te të gjitha qeniet njerëzore në të njëjtën shkallë intensiteti, sepse kërkon një mendje më të kultivuar. “Individualisht, si përfaqësim interesash e idealesh kolektive, ky patriotizëm ndjehet përgjegjësish prej shumë pak njerëzish superiorë, të aftë për refleksion historik dhe abstraksion politik.” Për vendlindjen ndjenja është instinktive, ndërsa për kombin është e kultivuar, ndaj kërkon mendje të pjekura dhe të afta për të dashuruar me intensitet të gjithë popullin. Kritika e autorit ndaj vendit nis pikërisht kur ideja ngrihet në nivelin e mendjes së arsyeshme, të kombit, ku instinktivja përzihet me mendimin. Është kombi, në tërësinë e tij, me veset dhe prapambetjen e vazhdueshme që e shqetëson e për të cilën është gjithnjë në rolin e kritikut dhe orientuesit. “Solidariteti kombëtar duhet të ketë një kuptim të thellë drejtësie: të zgjojë energji, të zhdukë parazitizmin, të stimulojë iniciativën, të suprimojë papunësinë dhe të zhvillojë bashkëpunimin.”

Një popull i kulturuar dhe i përparuar arrin të jetë patriot duke dashur e duke bashkëpunuar me vendet e kombet e tjera, duke shkuar me lartësimin e vet shpirtëror drejt humanizmit. “Njerëzimi është atdheu i idealit. Kur dëgjohet vetëm zëri i zemrës, atdheu është vendthi i lindjes. Kur mbivendoset interesi politik, atdheu është shteti. Kur flet ideali, atdheu është i tërë njerëzimi. E në zhvillimin historik të kësaj ndjenje mund të themi që vendthi i lindjes shpreh patriotizmin e të shkuarës, kombi patriotizmin e së tashmes, njerëzimi patriotizmin e së ardhmes.”

Arsyetimi i Luzajt është i zhveshur nga idealizimi nostalgjik për vendin dhe synon të shpjegojë qartazi e me vetëdije konceptet themelore mbi kombin dhe ndjenjat patriotike. Për Luzajn, shqiptarët që çirreshin për patriotizëm nën diktaturë, duke dhunuar bashkëkombësit e duke urryer dhe duke mbyllur dyert e bashkëpunimit me kombet e tjera, nuk zotëronin një ide të qartë për atë çka quhet patriotizëm dhe në ç’mënyrë duhej kuptuar ky koncept. Luzaj nuk përngjan me atdhetarët e malluar, që dashuria për vendin ua errëson arsyen, i çon në vlerësime subjektive idealizuese dhe ekstreme, sepse, përveçse poet në shpirt, Luzaj është filozof në mendje. Si i tillë, mendon ta përpunojë ndjenjën brengosëse të mallit, duke i ardhur në ndihmë shqiptarëve me gjithë dijen e tij. Parësore për gjendjen në të cilën ndodhet vendi nën diktaturë, është zgjimi i ndërgjegjes së shqiptarëve për të kuptuar se ç’është komunizmi. Rindërtimi i vetes për një komb fillon nga procesi njohës dhe për këtë Luzaj bën një radiografi të të gjitha veseve të shqiptarëve, duke u treguar i pamëshirshëm në kritika.

Ndër veset shqiptare e vë theksin:

Së pari, në përtacinë mendore, të cilën e shikonte si burim të prapambetjes shekullore të vendit: “Disa kombe të vjetra e bënë zakon të flinin shumë gjumë dhe i kemi parasysh: arabët-krijonjësit e numrave, algjebrës, kimisë dhe fizikës; grekët-krijonjësit e filozofisë, janë sot popuj të prapambetur. Iliro –Thrakët… ishin të zgjuar, sepse zgjodhën vendin më të bukur të botës, porse fjetën shumë, për fuqi zakoni, afërsisht 38.000 vjet.” Asnjë popull nuk ka mundur të përparojë pa menduar e pa punuar. “Puna dhe kultura janë vijat e Ugarit ku mbillet fara që quhet kombësi.”

Së dyti, në konservatorizmin dhe kokëfortësinë, në ruajtjen me dogmatizëm të një forme dhe ekzistence të caktuar, pa luftuar për ripërtëritje. “I vetmi shpëtim është shporrja e mentalitetit konservator dogmatik dhe zgjimi i rinisë, që, me shpirt të ri, të kërkojë ideale të reja, një imoralitet të ri për revolucionin kulturor dhe për moralin e tij në shekullin e 21-të. Ngurtësimi dhe mospërmirësimi i vetive shpirtërore të një populli e largon nga rruga e zhvillimit. Për Luzajn, zhvillimi është gjendje e ndryshueshme drejt ngritjes së vlerave etiko-morale dhe një rrugëtim i tillë nuk mund të bëhet me kokëfortësi, por me një mendje elastike dhe të prirur për të ndryshuar.

Së treti te gjaknxehtësia dhe rrëmbimi, si veti të popujve që u mungon gjakftohtësia analizuese shkencore; një turr i tillë bëri që Shqipëria t’i falte njerëzimit vetëm luftëtarë të zotë e jo mendimtarë. “Lufta është shkalla më e ulët e dëshmimit të qytetarisë së një kombi.” – thekson Luzaj.

Autori e përmbledh mentalitetin shqiptar si një “koleksion sëmundjesh, ndër të cilat më të voglat janë: dredhia e pabesia që quhen mendje, gënjeshtra e ngadhënjimi që quhen inteligjencë, kapadaillëku e kriminaliteti që quhen kurajë e guxim, tradhtia e aventura që quhen zgjuarsi.” Përpos të metave, Luzaj vë në dukje edhe virtytet e shqiptarëve, që, sipas tij, janë: mikpritja, besa e burrëria. Shqetësimi më i madh për autorin është shtrembërimi dhe dehumanizimi i karakterit të shqiptarit gjatë viteve të diktaturës. Duke e parë shqiptarin si të sëmurë nga “kolera shpirtërore”, Luzaj mundohet të japë ndihmesën e vet për një ripërtëritje dhe fuqizim të vetive shpirtërore, sepse, sipas tij, “e ardhmja e popullit tënd qëndron në karakterin moral të përbërësve të tij”.

Të vetmen rrugë shpëtimi për ngritjen dhe lartësimin e një kombi, Isuf Luzaj shikon edukimin dhe arsimimin. Idetë e tij mbi rrugën që duhet ndjekur për qëllim janë të shprehura në veprën etiko-moralizues, “Rindërtimi i fuqive shpirtërore”. Libri është një testament pasuror për brezin e ri.

Për Luzajn mësuesi është një figurë shumë e rëndësishme për edukimin e brezit të ri dhe si i tillë ndikon ndjeshëm në ndryshimin e së ardhmes së një kombi. “Mësuesi i së ardhmes do të ketë në kurriz të tij funksionin më të rëndë të jetës shoqërore.” Mësuesia është një profesion që kërkon prirje, sipas Luzajt, sepse duhet të ushtrohet jo vetëm me mendje, por mbi të gjitha me zemër, me dashuri e pasion. Veç kësaj, është e rëndësishme të ndihet nxënës i përhershëm i së resë dhe, njëkohësisht, gjithkush duhet ta ndiejë veten mësues për atë çka di, ta falë me zemërgjerësi për të mirën e shoqërisë.”

Luzaj jep mendime të vlefshme edhe për mënyrën e organizimit të mësimdhënies, si dhe sa duhet të ndërhyjë shteti në organizimin shkollor. Figura e mësuesit është shumë e shenjtë për Luzajn dhe perfeksionimi i kësaj figure e çon drejt udhëheqësit shpirtëror të brezit të ri. “Dinjiteti i mësuesisë do të ngrihet kur ndërgjegjja shoqërore do të mirëpërçojë vlerat e qenësishme të kësaj pune. Në kohët e vjetra mësuesit ishin robër, më vonë qenë shërbëtorë, sot janë vetëm rrogëtarë.” Luzaj e ngre figurën e mësuesit drejt profetit, vend që, sipas tij, do t’ia japë historia në një shoqëri të emancipuar. Pikërisht kësaj figure i beson ardhërinë dhe përparimin e vendit të tij.

Mësuesia është profesioni që Isuf Luzaj i kushtoi jetën dhe mbeti pasioni dhe misioni i tij. Në thelb të këtij misioni ishte dëshira për t’i shërbyer të ardhmes së njerëzimit, por që u shoqërua nga brenga që nuk mundi të jepte kontributin e tij për rininë shqiptare. Për këtë arsye la amanet një arkiv me dorëshkrime të cilat po shohin dritën e botimit herë pas here nën kujdesin e miqve të autorit. Po përpos mësuesisë Luzaj ka lëvruar dhe fusha të tjera, si mendimtar, poet e filozof, duke u rreshtuar kërshtu në një nga figurat më diturake të kulturës shqiptare.

Kush është Isuf Luzaj?

Isuf Luzaj u lind në Kaninë të Vlorës, më 21 shkurt 1913, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. I ati, hoxhë i arsimuar në Stamboll, u bë mësuesi i parë i Isufit pesëvjeçar. Mësimet e para të Isufit nisën me abetaren e gjuhës arabe dhe me “Kuranin”, që patën rëndësi vendimtare në formimin e tij. Shkollën fillore e kreu më pas në Ujin e Ftohtë, në vitet 1921–1926, me rezultate të shkëlqyera. Vendlindja u ngulit thekshëm në pavetëdijen e Luzajt, për t’u rizgjuar herë pas here në krijimtarinë e tij, sidomos në periudhën e mërgimit. Dashuria për vendlindjen iu kthye në një ëndërr e makth, në shqetësim, brengë e burim frymëzimi. “Nga të gjitha ndjenjat njerëzore, – do të shkruante poeti më vonë, – asnjë nuk është më e natyrshme sesa dashuria për krahinën, qytetin, fshatin, fushën, malin, luginën e sheshullakun me të cilat jetuam vitet e para”.

Faza e dytë e formimit, periudha e adoleshencës, do ta gjejë Luzajn me studime në një qytet djep kulture si Shkodra. Studimet gjashtëvjeçare të gjimnazit shtetëror të këtij qyteti do t’i mbaronte në vitin 1933, një vit para afatit, me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht këtu, Luzaj i ri, përmes mësimit të gjuhës latine dhe frënge, filloi të njihej edhe me letërsinë e perëndimit, duke pësuar tërheqjen e parë drejt kulturës perëndimore.

Në vitin 1933 Isuf Luzaj ndoqi studimet në liceun “Louis Le Grand”, në Sorbonë. Ky qytet do të plotësonte trekëndëshin gjeografik të formimit të personalitetit të tij tredimensional: Vlora e rriti dhe e formoi si luftëtar e patriot, Shkodra ia mprehu shqisat si krijues dhe sidomos si poet, ndërsa Sorbona ia pasuroi dhe ia kanalizoi mendimin si filozof.

Në Francën e qytetëruar djaloshi u njoh dhe u brumos me ndjenjat e iluminizmit francez. Përvetësoi greqishten e lashtë, thelloi studimin e latinishtes dhe persishtes. Janë vitet që do t’i ushqenin pasionin për filozofinë.

Isuf Luzaj detyrohet të kthehet në atdhe pa i mbyllur studimet, për arsye të mospërballimit të shpenzimeve, por, vite më pas, do të rikthehet për të marrë në Sorbonë Diplomën e profesorit të Filozofisë dhe atë të profesorit të Letërsisë.

Viti 1936 e gjeti mësues në Normalen e Elbasanit dhe, në shtator të po atij viti, mësues në shkollën e mesme qytetase të Korçës. Në këtë periudhë profesori përgatiti dhe votoi vëllimin e parë poetik “Rrëfimet”, më 1937. Pushtimin i Shqipërisë në prill të 1939-s e gjeti mësues në shkollën tregtare të Vlorës. Më 21 prill profesor Isuf Luzaj u arrestua dhe përfundoi në burgjet e Italisë, së bashku me nxënësit e tij dhe me antifashistë të tjerë, për rezistencën që i bënë pushtimit të vendit. Periudha nga viti 1940 deri në vitin 1944 do të shënojë një veprimtari të ngjeshur të Isuf Luzajt si luftëtar e patriot në shërbim të vendit, në luftën për çlirim nga fashizmi.

Vitet e burgut në Ventottenne dhe ato të internimit në Arezzo të Italisë ishin të mbushura me veprimtari për Luzajn, që vazhdoi të ushtronte profesionin e mësuesit edhe brenda mureve të qelisë dhe njëkohësisht të rrihte mendime e të bashkonte forcat me antifashistë të tjerë të dënuar, të cilët u bënë figura historike të rëndësishme për ngjarjet e kohës, si Leonidha Naçi, Llazar Trembo, Llazar Fundo, Selman Riza, Abaz Ermenji, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa etj. Sipas dëshmive të vetë autorit, ai ishte i pari që propozoi krijimin e Partisë Socialdemokrate në burg, duke hartuar njëkohësisht statusin dhe programin e saj.

Në korrik të vitit 1942, me ndërmjetësinë e Ernest Koliqit, ish-profesorit të tij në Shkodër, Isuf Luzaj u lirua dhe u kthye në Vlorë, por gjatë gjithë kësaj kohe do të ishte nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve në fuqi. I detyruar nga rrethanat, qe ndër të parët që u hodh në ilegalitet dhe ndër nismëtarët e parë të Komitetit Krahinor të “Ballit Kombëtar” për Vlorën, së bashku me Hysni Lepenicën e Skënder Muçon. U shqua në disa luftime, sidomos në betejën e Gjormit.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, Luzaj u kthye në Vlorë i lodhur, i dërrmuar, i zhgënjyer nga politika e krerëve të “Ballit Kombëtar”. Me largimin nga radhët e tyre u përpoq të realizonte ëndrrën e projektuar që në burg në Itali, krijimin e Partisë Socialdemokrate. Kësaj here ia arriti qëllimit së bashku me Musine Kokalarin, Vesim Kokalarin, Kujtim Kuculin, Manush Peshkëpinë dhe Selami Çelën. Partia e porsakrijuar e shtriu aktivitetin e saj në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe nxori shtatë numra të gazetës “Zëri i lirisë”, ku profesori, përveç programit, botoi me pseudonim edhe shkrime filozofike e vjersha.

Marrja e pushtetit nga komunistët do të shënonte edhe dështimin përfundimtar të Isuf Luzajt në aktivitetin e tij politik në Shqipëri. Në ditarët e tij dëshmon për njohjen e vjetër që kishte me Enver Hoxhën, që kur ishin studentë në Francë e më pas në Liceun e Korçës, për kundërshtitë parimore me të për drejtimin që duhet të merrte Shqipëria. Kështu, ardhja e komunistëve, më 28 nëntor 1944, vulosi edhe largimin përgjithmonë të Isuf Luzajt nga: atdheu, Vlora, familja, gruaja shtatzënë dhe katër fëmijët e vegjël.

Luzaj mërgimtar do të gjakojë me çdo mënyrë të japë një ndihmesë për vendin e tij nën diktaturë, duke përdorur armët intelektuale. Shkroi ese kundër komunizmit, mori pjesë në konferenca e kongrese ndërkombëtare, në të cilat argumentoi se teoria marksiste, si bazë filozofike e komunizmit, është një teori e dështuar dhe kthen detyrimisht në diktaturë cilindo shtet që e bën bosht të politikës së tij. Në odisenë mërgimtare, qëndrimi në Romë përbën një etapë të shkurtër, por të rëndësishme. Si njohës i mirë i disa gjuhëve, Luzaj u punësua si Klasifikator i përgjithshëm i Indeksit në Bibliotekën e pasur të Vatikanit, duke iu dhënë mundësia të kalonte nëpër duar qindra e mijëra libra dhe dokumente arkivore të rëndësishme, që do të ndikonin në thellimin e dijeve dhe kulturës së tij, ndërkohë që jepte edhe leksione filozofie si profesor i jashtëm në Universitetit Gregorian, si dhe më pas në Universitetin Bokoni të Milanos, ku u njoh gjithashtu edhe me personalitete të rëndësishme të politikës dhe kulturës italiane.

Përgatitja profesionale e ndihmoi Isuf Luzajn të vendosej në Buenos-Ajres të Argjentinës, më 1948, ku fitoi konkursin për vendin e profesorit të gjuhës frënge në Seminarin Katolik. Vendosja në Buenos-Ajres përbën fillesën e një karriere të shkëlqyer si profesor, bazat e së cilës i kishte hedhur qysh në vendin e tij.

Aktiviteti gati pesëmbëdhjetëvjeçar në Buenos-Ajres u përqendrua kryesisht në mësimdhënie dhe hartim programesh shkollore për Universitetin Shtetëror. Për merita në punë, Luzaj u zgjodh këshilltar i ministrit të Arsimit dhe drejtues i reformës arsimore në shkollat e mesme. Me iniciativën e tij u krijua Instituti francez “La France a l’etranger”, më 1956, i vizituar dhe i vlerësuar nga vetë Dë Gol, i cili i dhuroi Institutit, në shenjë mirënjohjeje për punën e bërë, 12 258 vëllime të letërsisë e të filozofisë frënge, si dhe një shumë parash. Në këtë Institut u njoh dhe me Borgesin, që, bashkë me intelektualë të tjerë me famë në Argjentinë, ndoqën një kurs të lirë mbi Moralin, Etikën dhe Estetikën, të mbajtur nga Isuf Luzaj.

Mësimdhënia, hartimi i programeve dhe aktiviteti politik përbënin veprimtarinë kryesore të autorit, që, paralelisht, bluante dhe shkruante pa ndërprerje vargje dhe ese filozofike. Shkrimi, siç dëshmon dhe në ditarët e tij, është thelbi që i jep kuptim qenies së tij. Vëllime të tëra, të shkruara me dorë dhe të ruajtura në arkë, janë duke pritur ditën e botimit.

Në Argjentinë Luzaj provoi për herë të dytë shijen e daljes në dritë të librit të tij. Është romani “Los Rios Bajan Rojos”  (“Lumenjtë zbresin të kuq”), të cilin, çuditërisht, e ndoqi gati po i njëjti fat si me librin e parë. Botohet dhe ditën e pestë, pas shitjes së vetëm 100 kopjeve të para, zhduket nga qarkullimi, për shkak se Partia Komuniste Argjentinase i bleu të 20 000 kopjet, me qëllimin e vetëm që vepra të mos propagandohej ndër lexues.

Në mesin e jetës, me një formim të gjithanshëm në letërsi, sociologji, psikologji, filozofi; me njohuri në disa gjuhë, si: persisht, arabisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, anglisht; me vlerësime për punën si profesor i filozofisë, hartues programesh dhe autor artikujsh në revista e kumtesash në konferenca shkencore; Luzaj troket në Amerikë, më 25 mars 1965, për të kulmuar në karrierë si profesor filozofie dhe për të shtuar krijimtarinë në gjuhën shqipe.

Iu dha me përkushtim idesë reformuese në filozofinë e pedagogjisë mbi rrugën që duhet zgjedhur për edukimin e brezit të ri, tek e cila besonte me ngulm: “Jo luftë ndaj krimit, por luftë për të formuar virtyte”. Idenë e tij e shtjelloi në një sërë artikujsh e kumtesash në revistën “Instruction and Education dhe u përpoq ta zbatonte gjatë karrierës së gjatë si mësimdhënës, fillimisht në Akademinë “Colebrok” në Universitetin e New Hampshire, më pas në Barat College, Lake Forest, Illinois, e më tej si profesor filozofie në Universitetin e Indianës.

Puna e tij u vlerësua me titullin e lartë “Profesor i Amerikës”, akorduar nga vetë Presidenti Regan i pranishëm në ceremoni, në të cilën Luzaj shprehet: “I lutem Zotit të mos jetë e vërtetë kjo që mendoj unë. Se unë mendoj që kam mësuar më shumë unë nga ju, se ju nga mua”.

Auditorë të shumtë me studentë në Amerikë ndoqën për vite të tëra leksionet e Luzajt, të nisura qysh me interpretimin e filozofisë së Zhan-Pol Sartrit. As dalja në pension nuk do t’ia ndërpriste energjinë dhe dëshirën Isuf Luzajt për të dhënë kontributin e tij si profesor i nderuar. Vazhdoi punën deri në vitin 1989 si profesor i lëndës së Filozofisë së shekullit njëzet, në Universitetin e Indianës, ku dhe iu dha titulli “Profesor Nderi”.

Në vitet 1998–1999 përgatiti Bibliografinë për programet e studimeve për nxënësit në Kolegjin Barat, për Universitetin e Ilionoisit, dhe Kolegjin Uashington të Çikagos.

Isuf Luzaj është një figurë komplekse ku ndërthuret luftëtari, politikani, filozofi, sociologu, psikologu, mësuesi, poeti, rrëfimtari, me një prodhimtari të habitshme, që kërkon njohje dhe studim. Vetëm kumtesat e mbajtura në kongrese e konferenca të ndryshme shkencore nëpër botë mund të përbëjnë një objekt kërkimesh më vete.

Po kështu me interes janë pjesëmarrjet dhe kumtesat e mbajtura në kongreset ndërkombëtare mbi mbrojtjen e demokracisë, në të cilat e vuri theksin në zbërthimin dhe hedhjen poshtë në mënyrë shkencore të teorisë marksiste, si dhe argumentimin teorikisht të idesë së tij të kahershme se shteti demokratik i hap udhën zhvillimit të një vendi.

Viti 1990, viti i përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, e gjeti në mbyllje të karrierës si profesor filozofie, ndërkohë që është një personalitet i njohur i kësaj fushe në Amerikë e më gjerë, por njëkohësisht një emër krejtësisht i harruar në vendin e tij. Është e vështirë që pas një shkëputjeje të gjatë gjysmëshekullore, të gjenden rrënjët, të gjenden shtigjet për të ardhur në atdhe.

Me miratimin e autorit, sa qe gjallë, përpos botimeve të dy veprave të para: “Rrëfimet” (1937) dhe “Lumenjtë zbresin të kuq” (1956), u botuan edhe veprat: “Gloria e çmendur” (1995), poemë; “Ekzistenca dhe boshësia” (1996), mendime filozofike; “Sëmundjet e shekullit tonë” (1999), ese filozofike; për të pasuar pas vdekjes së autorit me: përmbledhjen më të rëndësishme poetike “Lamtumira e yjeve” (2001); “Topografi labçe”, poemë (2001); “Përtej të mirës e të ligës”, poezi, ese, mendime filozofike (2003); “Ripërtëritja e fuqive shpirtërore”, refleksione filozofike (2005); “Filozofia e bukurisë”, pjesë ditarësh, ese dhe rrëfime për vetveten (2009); “Festimi i yjeve, Agonia dhe ekstaza” (2013), rrëfime për vetveten, analiza, ese, poezi; “Princesha Rugina”, tragjedi me tri akte (2015); “Vallja e luleve”, poemë (2016); “Kujdesjet e bletës”, vëll. I dhe II, përmbledhje leksionesh filozofike (2017).

Ndërkohë që në testamentin e autorit ka mbi pesëdhjetë vepra që presin dritën e botimit, vetëm pesëmbëdhjetë veprat e botuara deri më tash do të mjaftonin për t’i bërë vend Isuf Luzajt në kulturën shqiptare e veçanërisht në letërsinë shqipe.

Isuf Luzaj e mbylli jetën jashtë atdheut, të cilin arriti ta vizitonte vetëm një herë pas vendosjes së demokracisë. Vdiq në Çikago, më 27 nëntor 2000. Vetëm një nga amanetet e tij është plotësuar deri më tash: të varrosej në Vlorë, në vendlindjen e tij./diaspora.al/

Please follow and like us: