Ndahet nga jeta gjuhëtari i njohur Jorgji Gjinari
Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare gjuhëtari i njohur, Jorgji Gjinari. Ai ishte gjuhëtar dhe dialektolog i shquar, dhe jetën ia kushtoi gjuhës shqipe. Më 1951 filloi studimet e larta në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar, që u çel atë vit në Tiranë. U diplomua në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në atë institut më 1955. Po atë vit u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, të themeluar rishtas në kuadrin e Institutit të Shkencave. Së bashku me Engjëll Angonin (1928–2017) dhe Anastas Dodin (1933–2008), ishte ndër gjuhëtarët e parë të shkolluar në Shqipëri. Fusha kryesore e punës së Jorgji Gjinarit si gjuhëtar ka qenë dialektologjia: hulumtimi në terren i të folmeve të gjuhës shqipe, brenda e jashtë kufijve të vendit, hartimi i punimeve përshkruese për këto të folme dhe më tej vështrime përgjithësuese për dukuri të veçanta dialektore dhe për struktura gjuhësore të dialekteve.